Mesfushori i Chelseat, Michael Essien, ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare që do ta mbajë atë në Stamford Bridge deri në vitin 2015.Një sezon më parë, 27-vjeçari ishte në formë të jashtëzakonshme, por në sezonin e fundit mungoi në shumicën e ndeshjeve për shkak të lëndimeve që e përcollën atë, dëmtime që e mbajnë atë edhe jashtë Botërorit.
“Jam i kënaqur sepse klubi ka shfaqur besim dhe interesim të madh në mua. Mezi pres të rikthehem dhe të kënaqem me futbollin, ndërsa dua të fitoj trofe me klubin. Kjo është arsyeja pse jam këtu. Mendoj se është një nga kontratat më të rëndësishme të jetës time”, deklaroi Essien në faqen zyrtare të klubit.
Kaka ka folur për sezonin e ardhshëm të Real Madridit, duke thënë se është i ngazëllyer kur e di se do të punojë me Jose Mourinhon dhe se do të dëshironte të luante me mbrojtësin e krahut të djathtë të Interit, Maicon.“Jam i ngazëllyer kur e di se duhet të punoj me të, pasi që ai është një trajner i jashtëzakonshëm. Jam i kënaqur me ardhjen e tij”, theksoi Kaka.
Spekulimet e fundit thonë se Maicon është njëri nga lojtarët që do të bëhet madrilen pas Botërorit, me vetë lojtarin që ka thënë se dëshiron të luajë për Realin, ndërsa Kaka mirëpret kolegun nga kombëtarja.
“Nuk dua të shprehem se kë duhet të transferojë Real Madridi, kjo është në duart e klubit dhe presidentit. Sidoqoftë, ekipi që e transferon Maiconin do të ketë sukses. Ai është njëri prej lojtarëve më të mirë në botë dhe nëse ai vjen në Madrid, unë do të isha shumë i kënaqur”, deklaroi Kaka për Marca.
Sipas AS, gjiganti anglez Manchester United është duke menduar të ofrojë 20 milionë euro për mesfushorin e Real Madridit, Rafael Van der Vaart, pasi që thuhet se menaxherit Alex Ferguson i pëlqen holandezi.Sir Alex Ferguson tashmë e ka bërë të qartë se nuk do të ketë super-transferime gjatë kësaj vere, por mediat në ishull spekulojnë se transferimi i mundshëm i Van der Vaartit është për plotësimin e nevojave për një mesfushor ofensiv dhe për heshtjen e mediave.
Real Madridi vitin e kaluar kishte ‘përzënë’ nga skuadra dy holandezet Arjen Robben dhe Wesley Sneijder të cilët u bënë të suksesshëm me skuadrat e reja, ndërsa Van der Vaart i ngjason Sneijderit në stilin e lojës, gjë që korrespondon me kërkesat e trajnerit të Realit, Jose Mourinho.
Motrat, Venus dhe Serena Williams kanë arritur të fitojnë trofeun e dysheve në French Open, pas fitores së lehtë ndaj dyshes kundërshtare, Katarina Srebotnik dhe Kveta Peschke.Amerikaneve iu nevojitën vetëm 1 orë e 13 minuta për të mposhtur kundërshtaret me rezultat 6-2 dhe 6-3. Ato kanë fituar titullin e gjashtë në dyshe në tetë vitet e fundit, ndërsa ky është titulli i 12 në dyshe.
Motrat Williams bëhen një nga tre dyshet e femrave që mbajnë të katër titujt ‘grand slam’ në këtë kategori.
Rafael Nadal ka rastin për të fituar titullin e pestë të French Open, pasi mposhti me vështirësi austriakun Jurgen Melzer, për të kaluar në finale ku do të takohet me suedezin Robin Soderling.Nadal e fitoi ndeshjen 3-0 në sete (6-2, 6-3 dhe 7-6), me një ‘tie break’ në setin përfundimtar, që e vuri në vështirësi spanjollin, por që e tejkaloi me sukses.
Në finalen e të dielës, Nadal takohet me suedezin Robin Soderling, që mposhti çekun, Thomas Berdych ,në pesë sete (6-3, 3-6, 5-7, 6-3 dhe 6-3).
Nesër zhvillohet një tjetër finale, nga ora 15:00 takohen në finalen e femrave, Francesca Schiavone dhe Samanta Stosur.
Tevez shënoi vetëm një gol gjatë kualifikimeve për Argjentinën, duke lënë të kalohet nga Lionel Messi dhe Sergio Aguero, ndërsa forma e mirë e Gonzalo Higuainit me Real Madridin e bëjnë Tevezin opsion rezervë.
“Unë e di se nuk do të jem në formacionin startues. Unë pata rastet e mia me Argjentinën por nuk i shfrytëzova ato, kështu që tani do të duhet të luftoj shumë. Unë dua të luaj në ekipin e parë në ndeshjen ndaj Nigerisë, por Messi dhe Higuain janë në formë të mirë. Ne i kemi sulmuesit më të mirë në botë, por këtë duhet ta tregojmë në Botëror. Ne duhet të shënojmë së paku 15 gola”, deklaroi Tevez për The Sun.
Asi i Milanit, Ronaldinho, ka filluar të tingëllojë më optimist para fillimit të sezonit të ri, duke thënë se Milani është gati të fillojë fitimin e trofeve.“Tani do të shkojmë në pushime dhe më pas do të rifillojmë përgatitjet tona për sezonin e ri, në mënyrë që të përballemi me atë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Ne e dimë se ku duhet të përmirësohemi dhe jemi të vetëdijshëm për gabimet që i bëmë sezonin e kaluar. Por, ne do të punojmë shumë për t’u përmirësuar dhe të fillojmë të fitojmë tituj”, ka thënë Dinho për Milan Channel.
Trajneri i Benficas, Jorge Jesus, ka bërë aludimin më të fortë deri tani se anësori, Angel Di Maria, është pranë transferimit te Real Madridi.“Ai është gjeni. Ai ka aftësinë dhe kreativitetin për të qenë i ndryshëm. Nuk ka lojtarë më të mirë në botë se ai në pozitën e tij. Ai nuk është më i miri në botë, sepse Ronaldo dhe Messi padyshim se janë më të mirët. Por, ai është i fortë në duelet një-në-një, shënon gola, asiston dhe ai është i rëndësishëm”.
“Të gjithë tifozët e Real Madridit do ta duan Di Marian. Ai është 22-vjeçar, është fëmijë! E ardhmja është e tij”, deklaroi Jorge Jesus.
Barcelona është vënë në kërkim të mbrojtësit të majtë të Tottenhamit, Gareth Bale.Sipas El Mundo Deportivo, përpos Cesc Fabregasit, Barcelona ka vënë syrin në transferimin e lojtarëve defensivë, duke përfshirë Gael Clichyn e Arsenalit ose Gareth Balen e Tottenhamit.
Kampioni i Spanjës besohet të jetë në treg për një mbrojtës të krahut të majtë, për shkak të dyshimeve në formën e Eric Abidal dhe kolegut të tij Maxwell. Thuhet se Barcelona është duke e vështruar edhe mbrojtësin e djathtë të Ajaxit, Gregory van der Wiel, që po kërkohet nga një numër skuadrash nga Liga Premier.
Përzgjedhësi i përfaqësueses braziliane, Carlos Dunga, ka reaguar ndaj lëvdatave të sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke, për topin me të cilin do të luhet në Kampionatin e sivjetmë Botëror, duke e ftuar atë të luajë njëherë me këtë top dhe më pas të japë vlerësimet e tij.“Ai duhet të luajë. Nëse ai do të kishte luajtur me topin, do të kishte një mendim tjetër. Ai është një djalosh që kurrë nuk ka shkelur në fushë. Unë e ftoj atë që ai të vijë këtu në stërvitjet tona dhe unë do t’ia jap topin, ndërsa më pas do të shohim nëse ai do të mund ta kontrollojë atë. Nuk janë vetëm brazilianët që ankohen. Ka shumë lojtarë tjerë të mëdhenj që ankohen për topin”, theksoi Dunga.
Njëri ndër portierët më të mirë në botë, Julio Cesar, ishte njëri ndër kritikët më të zëshëm, duke thënë se topi ka për qëllim të krijojë ndeshje me shumë gola dhe t’i paraqesë të pafuqishëm portierët. Edhe sulmuesi Luis Fabiano dhe portierë të klasit botëror si Gianluigi Buffon dhe Iker Casillas kanë vënë dyshimet e tyre mbi topin e prodhuar nga Adidas.
Mesfushori i Italisë, Andrea Pirlo, ka pësuar një lëndim gjatë stërvitjes, duke rrezikuar kështu seriozisht paraqitjen e tij në Botërorin e sivjetmë, njofton Tuttosport.Ylli i Milanit u largua nga qendra stërvitore në Sistriere, pas lëndimit pësuar në kofshë, ndërsa nuk do të jetë i gatshëm për miqësoren e të shtunës ndaj Zvicrës. Pirlo ka udhëtuar në Milano për të bërë dhe testet tjera, ndërsa nuk dihet ende se kur do të kthehet në stërvitje.
Pirlo është padyshim njëri ndër lojtarët kryesor të Marcello Lippit, pasi që është njeriu i vetëm kreativ në formacionin e Italisë, ndërsa ishte i suksesshëm edhe në Botërorin e vitit 2006.
Manchester City ka kërkuar nga Barcelona t’ia vë një çmim mbrojtësit të krahut të djathtë, Daniel Alves, në mënyrë që ta transferojë atë.AS pohon se oferta e Cityt erdhi gjatë negociatave me Barcelonën për transferimin e Yaya Toures. Mancini ka përqendruar vëmendjen e tij kah Alves, pas refuzimit të hapur nga Maicon.
Që prej transferimit të tij nga Sevilla për 28 milionë funte në vitin 2008, Daniel Alves ka qenë njëri ndër figurat kryesore të Barcelonës, ndërsa ai ka kontratë edhe dy viti me klubin katalunas, ndërsa ende nuk ka filluar bisedimet me të për rinovim, duke lënë kështu dyert e hapura për klubin anglez.
Barcelona thuhet të jetë tejet e interesuar në sulmuesin e Liverpoolit, spanjollin Fernando Torres.E ardhmja e Torresit në Anfield është e paqartë, sidomos pas largimit të Rafa Benitezit, ndërsa Blaugranët pas dështimit për ta transferuar atë sezonin e kaluar, këtë herë pritet të ringjallin interesimin e tyre.
Chelsea thuhet të jetë gjithashtu e interesuar për Torresin, por preferenca kryesore e Bluve mbetet Ibrahimovic, të cilit Barcelona ia ka vënë një çmim prej 50 milionë eurosh.
Nëse Ibra transferohet te Chelsea, atëherë automatikisht vjen në shprehje Fernando Torres si sulmues qendror në Camp Nou.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, frikësoi të gjithë argjentinasit, kur nuk u paraqit në qendrën stërvitore në Pretoria, pasi pësoi një lëndim në nyjën e këmbës së majtë, që konsiderohet si lëndim i lehtë.Ky lëndim për Militon është lajm jo i mirë, pasi që heroit të finales së sivjetmë të Ligës së Kampionëve, do t’i duhet çdo minutë për t’i lënë përshtypje Diego Maradonas, për shkak se konkurrenca për pozitat sulmuese është e jashtëzakonshme. Messi, Aguero, Higuain dhe heroi i kualifikimeve Martin Palermo, janë konkurrentët e drejtpërdrejtë të Militos.
Përkundër paraqitjeve fantastike këtë sezon në të gjitha garat dhe përkundër faktit se u shpall njeriu i ndeshjes me dy gola në finalen e sivjetmë të Ligës së Kampionëve, Diego Milito mbetet vetëm opsioni i tretë ose i katërt për përzgjedhësin kontrovers, Diego Maradona.
Superylli i Argjentinës, Lionel Messi, po shfaqet optimist para Botërorit të sivjetmë, duke thënë se ai tashmë po e paramendon veten duke e ngritur Kupën e Botës.“Kualifikimet janë prapa nesh, për njërën ose tjetrën arsye ne është dashur të bëjmë një impenjim të jashtëzakonshëm, por tani është më ndryshe. Mendoj se është normale që Argjentina të jetë pretendent për titull, ne kemi lojtarë të mëdhenj dhe jemi një kombëtare e madhe që ka luftuar gjithmonë për tituj”.
“Ëndrra ime është ta fitoj atë, çfarëdo qofshin pengesat që na dalin përpara. Unë e paramendoj veten në finale, ta fitoj atë dhe ta ngre Kupën e Botës. Se si do të arrijmë atje, ende nuk kam menduar për këtë, por jam i sigurt se do ta fitojmë atë”, tha Messi për FIFA.com.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka zbuluar lajme jo të mira për opinionin futbolldashës anglez, pasi që njoftoi se Rio Ferdinand është lënduar gjatë stërvitjeve.“David James ka pasur një problem në gju, por jo të madh. Barry ka filluar të stërvitet me ekipin. Ai po përmirësohet çdo ditë dhe po bëhet më mirë e më mirë. Një lajm tjetër i keq është lëndimi i momentit të fundit i Rio Ferdinand. Ai ka shkuar në spital dhe nuk e dimë se cilat janë pasojat. Ishte një duel normal në stërvitje”, tha Capello.
Sipas spekulimeve nga Afrika e Jugut, ku dhe po qëndron shtabi i kombëtares angleze, Rio Ferdinand do të ketë mundur të lëndojë shumë lehtë ligamentet e gjurit, me ç’rast do të mungojë në Botëror, ndërsa vendin e tij pritet ta zë Michael Dawson.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se njëri nga tre sulmuesit mund të sakrifikohet për transferimin e Luis Fabianos, spekulimet për të cilin vazhdimisht po rriten.“Ne jemi në gjendje të mirë sa u përket sulmuesve qendrorë, ndërsa jemi duke llogaritur në Huntelaarin, Inzaghin dhe Boriellon. Nëse njëri prej këtyre largohet, atëherë do të vijë dikush tjetër”, theksoi Galliani për Sky Sport Italia.
Tuttosport nga ana tjetër e vë në dyshim të ardhmen e Ronaldinhos në klubin nga Milanello, pasi që bisedimet kanë ngecur.
Braziliani dhe agjenti i tij do të shkojnë në pushime dhe hapësira për të negociuar është relativisht e vogël. Ronaldinho po lidhet me një kalim te Manchester City.
Se çështja Benitez është jashtëzakonisht e ndërlikuar, e tregon fakti që dy prej gazetave më të mëdha sportive italiane, La Gazzeta dello Sport dhe Il Corriere dello Sport, japin teori diametralisht të kundërta për mundësinë që tekniku spanjoll t’i bashkohet Interit.Pasi u largua edhe zyrtarisht nga Liverpooli, Rafa Benitez po spekulohet se është tashmë trajner i ri i Interit. Megjithatë, sipas La Gazzeta dello Sport, Benitez nuk është më në listën e Morattit, ndërsa favoriti për pankinën e Interit është Guus Hiddink, kurse opsioni rezervë mbetet Manuel Pellegrini.
Nga ana tjetër, një raport të kundërt me atë të La Gazzetas, e jep Il Corriere dello Sport, që përveç se e quan tanimë Benitezin trajner të Interit, pohon se spanjolli do të sjellë në Meazza edhe Javier Mascheranon për 30 milionë euro dhe Dirk Kuyt për 15 milionë euro.
Drogba është lënduar gjatë një dueli me mbrojtësin e Japonisë, Tulio, me ç’rast e dëmtoi krahun dhe pësoi frakturë. Më herët gjatë ndeshjes, Drogba kishte shënuar një gol nga gjuajtja e lirë, e devijuar pikërisht nga Tulio.
Bregu i Fildishtë e fitoi këtë miqësore përgatitore me rezultat 2-0, por dëmtimi i Drogbas është goditje e rëndë, pasi që ishte shpresa e vetme e afrikanëve në këtë kompeticion.
AS njofton se trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, do t’i kushtojë rreth 100 milionë euro, përforcimi i skuadrës për krijimin e ekipit ideal të tij.Mourinho ka deklaruar se dëshiron të sjellë tre lojtarë defensivë, ndërsa po spekulohet për mbrojtësin e djathtë të Interit, Maicon dhe atë të krahut të majtë të Lazios, Aleksandar Kolarov, ashtu si një mesfushor defensiv, qoftë Gerrard apo De Rossi. Reali është favorit për firmën e Maiconit, pasi vetë lojtari ka shprehur dëshiron të luajë nën drejtimin e Mourinhos, ndërsa Interi kërkon 35 milionë euro, kurse Reali nuk ofron më shumë se 25 milionë euro. E njëjta vlen edhe për Kolarovin, Reali ofron 15 milionë, ndërsa kërkesat e Lazios janë 20 milionë euro. Për Gerrardin apo De Rossin, Reali është gati të paguajë 30 milionë euro.
Në repartin ofensiv, përforcimi i vetëm pritet të jetë anësori i Benficas, Angel Di Maria. Los Blancos janë të gatshëm të paguajnë 30 milionë euro, kurse Benfica po kërkon 40 milionë euro për të.
Tottenhami është duke përgatitur ofertë të vlefshme 20 milionë funte për sulmuesin e Atletio Madrid, Diego Forlan.Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknap, dëshiron t’i zgjerojë opsionet në sulm, pasi ekipi tash është kualifikuar për në Ligën e Kampionëve. Sipas mediave angleze, Redknapp dëshiron ta transferojë yllin e Atletico Madrid, Forlan.
“Kjo nuk është hera e parë që një klub nga Liga Premier përpiqet të nënshkruajë me të. Për momentin ai është i fokusuar vetëm në Kupën Botërore”, ka thënë agjenti i lojtarit.
Forlan tashmë ka përvojë në Ligën Premier, pasi kishte veshur fanellën e Manchester United, edhe pse nuk kishte treguar kualitete në Old Trafford.
Agjenti i sulmuesit të Sienas, Massimo Maccarone, ka zbuluar se klienti i tij është shumë afër kalimit në Palermo.Palermo është në resht të parë për të nënshkruar me të, por Sampdoria po ashtu është duke e përcjellë situatën.
“Maccarone ende pret përgjigje nga Siena. Por ndërkohë mund të them se Siena po ashtu ka filluar bisedimet me Palermo për të parë nëse mund të bëjnë diçka”.
“Siç i thash Massimo, është e kotë të presësh gjatë një ekip që mund kurrë të mos dërgojë ofertë. Në këtë aspekt, besoj se ai mund të shkojë në Palermo, synimi është atje. Mendoj se nuk do të ketë probleme”, ka thënë Paolo Fabbri.
Mbrojtësi i Juventusit, Fabio Cannavaro, nuk është shumë i shqetësuar pas humbjes 2-1 të Italisë në miqësoren ndaj Meksikës.“Ne ishim të lodhur nga stërvitjet intensive. Nuk është një alibi, por ndryshimet në fitnes e transformojnë këtë nga një rezultat i keq në një seancë të mirë stërvitore”.
“Ne duhet të përmirësohemi dhe do të përmirësohemi për ndeshjen e parë ndaj Paraguait. Do ta shihni atë më 14 qershor, do të jemi të gatshëm. Gjithmonë ka pasur kritika për kombëtaren e Italisë dhe në një mënyrë ato na ndihmojnë ne”, ka thënë Cannavaro.
Ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, është lidhur nga mediat angleze me angazhim në rolin e menaxherit të Liverpoolit.Daily Mail shkruan se trajneri i shkarkuar i Realit, mund të jetë një prej kandidatëve të fuqishëm për të zëvendësuar Rafa Benitez në Anfield.
Kiliani thuhet se dëshiron të provojë veten në Ligën Premier dhe tashmë ka pranuar se ka oferta nga Anglia, Turqia dhe Italia.
Ai është spekuluar se mund të jetë numri dy në stolin e Manchester United, krahas Alex Ferguson, pas largimit të Carlos Queiroz.
Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, është në listën e dëshirave të Interit, shkruajnë mediat italiane.Gazzetta dello Sport thotë se Rafa Benitez, i cili tash është i lirë për të marrë nën drejtim Interin, dëshiron ta marrë edhe Mascheranon me veti.
Kapiteni i kombëtares së Argjentinës ka qenë i gatshëm të vulosë të ardhmen e tij me Liverpoolin, por së fundi ka anuluar bisedat për vazhdimin e kontratës.
Gjasat e largimit të Mascheranos, i cili ka qenë cak i Chelseat dhe Barcelonës, tash janë shtuar me largimin e trajnerit Benitez.
Carlos Tevez ka vetëm fjalë të mira për futbollistin më të mirë në botë, sulmuesin e Barcelonës, Lionel Messi.“Messi më befason për të mirë në çdo aspekt. Çdo stërvitje ai është më ndryshe, është mahnitëse ta shikosh atë se si luan në stërvitje me ju. Messi është një djalosh impresiv. Ai e ka treguar këtë në çdo stërvitje, por edhe pas kësaj, jashtë fushës, në darkë”.
“Unë nuk e di nëse do të luaj, nuk ka shenja nëse do të jem startues. Vërtet nuk e di se çfarë mendon Maradona. Mendoj se do të mund të luanim me tre sulmues, unë do të mund të qëndroja në krah të majtë, ndërsa Messi do të mund të luajë siç luan në Barcelona”, ka thënë Tevez.
Fiorentina edhe zyrtarisht ka pohuar se Sinisa Mihajkovic sot do të prezantohet si trajneri i ri i ekipit.Viola së fundi prishi marrëveshjen me Cesare Prandellin, i cili do të jetë përzgjedhësi i ri i kombëtares së Italisë pas përfundimit të Kupës Botërore, ndërsa mbrëmë pohoi se Mihajlovic do të jetë trajner i ri.
Ish-lojtari i Interit sot në ora 12 do të prezantohet para mediave në një konferencë shtypi në stadiumin Artemio Franki’.
Trajneri serb ka qenë i lirë pasi prishi marrëveshjen me Catanian, të cilës i siguroi qëndrimin në Serie A.
Kobe Bryant dhe Los Angeles Lakers kanë bërë një paraqitje të mirë fizike për të mposhtur Boston Celtics me rezultat 102-89 në ndeshjen e parë të finaleve të NBA-së.Në ndeshjen e zhvilluar në Staples Center të Los Angelesit, 12-herë pjesëtari i All-Star, Bryant, shënoi 30 pikë, ndërsa spanjolli Pau Gasol shënoi edhe 23 pikë të tjera për Lakers që kërkojnë titullin e dytë radhazi dhe të 16-tin në histori të NBA-së.
Gasol, i cili ishte kritikuar për paraqitjet e tij dy vite më parë kur Los Angeles u mposht nga Boston në finalet e vitit 2008, ndihmoi ekipin edhe me 14 kërcime dhe tre bllokime.
Kapiteni Paul Pierce përfundoi ndeshjen me 24 pikë, ndërsa Rajon Rondo shënoi vetëm 13 pikë për Boston, që kërkojnë titullin e 18-të, rekord, të NBA-së.
Ndeshja e dytë e serisë së ndeshjeve finale do të zhvillohet të dielën përsëri në Los Angeles.
Me largimin e trajnerit Cesare Prandelli, mediat italiane kanë parashikuar edhe një largim të sulmuesit Alberto Gilardino.Napoli raportohet se është duke përgatitur një ofertë të vlefshme 21 milionë euro për Gilardino, edhe pse agjenti i tij ka mohuar se ka pranuar ndonjë ofertë.
“Leni anash thashethemet që vijnë nga Napoli dhe Lyon. Nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë agjenti i Gilardinos, Marcello Bonetto.
“Alberto duhet të mendojë se si t’ia dalë sa më mirë gjatë Kupës Botërore. Për mua, ai do të luajë në Fiorentina edhe në sezonin e ardhshëm”, ka shtuar Bonetto.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, mund të ndjekë hapat e Fabio Cannavaro dhe të transferohet në Dubai.Gazzetta dello Sport shkruan se klubi i ri i Cannavaros, Al-Ahli, është duke përgatitur një ofertë bombastike për Del Piero. Italianit do t’i ofrohet marrëveshje trevjeçare e vlefshme 2 milionë euro për sezon.
Atij po ashtu do t’i jepet një vilë, një veturë luksoze dhe bileta fluturimi për t’u rikthyer në shtëpi një herë në muaj si edhe 500 mijë euro për çdo 20 paraqitje.
Për Del Pieron i interesuar është edhe një klub tjetër jo-evropian, ai i ligës amerikane New York Red Bulls.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, është i dëshpëruar që e sheh menaxherin Rafa Benitez të largohet nga Redsat.Reina ka shpenzuar pesë vitet e fundit nën ‘kontrollin’ e Benitez në Liverpool dhe mendon se ky është një moment i vështirë edhe për klubin.
“Është një moment dëshpërues për Liverpoolin, për Rafa Benitez, dhe për lojtarët të cilët kanë qenë me të. Ai ka qenë një person shumë i rëndësishëm për klubin në gjashtë vitet e kaluara. Liverpooli është rritur me të dhe Rafa po ashtu është rritur falë Liverpoolit”, ka thënë Reina, i cili qëndroi në portën e Spanjës në fitoren miqësore prej 1-0 ndaj Koresë së Jugut.
















