Agjentët e të dy strategëve holandez, Guus Hiddink dhe Frank Rijkaard, kanë mohuar mundësinë e angazhimit të ndonjërit prej tyre në postin drejtues të Liverpoolit.
Liverpooli ditë më parë shkarkoi Rafa Benitez nga pozita e menaxherit, të cilin post ai e gëzoi për gjashtë vite, dhe tash është në kërkim të pasuesit të tij. Në mesin e emrave janë përmendur edhe Hiddink dhe Rijkaard, por agjentët e tyre kanë mohuar gjithçka.
“Guus ka treguar gjatë viteve se ai është besnik ndaj marrëveshjeve që i nënshkruan. Andaj nuk ka arsye se pse ta ndryshojë këtë sjellje. Guus dy javë më parë ka filluar me Turqinë dhe po aq sa e dëshiron Ligën Premier, dhe po aq sa e respekton Liverpoolin si një klub legjendar me një të ardhme të ndritur, një transferim i tij është vështirë i mundshëm”, ka thënë agjenti i Hiddink, Cees van Nieuwenhuizen, për BBC Sport.
BBC po ashtu ka kontaktuar me menaxherin e kombëtares kroate Slaven Bilic dhe ish-menaxherin e Barcelonës, Frank Rijkaard, të cilët po ashtu kanë mohuar një lidhje me Liverpoolin.
Mbrojtësi brazilian i Interit, Douglas Maicon, thotë se ai dëshiron të qëndrojë me kampionin e Evropës.
Maicon duket se është penduar për atë që tha ditë më parë. Braziliani deklaroi për mediat spanjolle se dëshiron të luajë për Real Madridin, por tash ka thënë se qëllimi i tij është të mbetet me Interin.
“Dua të mbetem në Itali. Do të largohesha vetëm nëse Massimo Moratti dëshiron të më shesë. Synimi im është të mbetem në Itali”, ka thënë Maicon.
Mesfushori i Chelseat, John Obi Mikel, ka vendosur të mos jetë pjesë e kombëtares së Nigerisë gjatë Kupës Botërore.
Obi Mikel nuk ka arritur të rikuperohet plotësisht pas problemeve në gju, të cilat e detyruan t’i nënshtrohet operacionit dhe tash iu ka thënë bosëve të futbollit se ai nuk dëshiron të rrezikojë më shumë.
“Ne e kemi lënë Mikel jashtë Kupës Botërore pasi ai i ka thënë ekipit se nuk dëshiron ta rrezikojë karrierën pasi ende nuk është shëruar plotësisht nga lëndimi i tij në gju, pas operacionit të fundit”, ka thënë koordinatori i ekipit, Emmanuel Attah.
Rossi pas rrëzimit nga motoçikleta. Kampioni botëror në MotoGP, Valentino Rossi, ka pësuar një goditje në shpresat e tij për të mbrojtur titullin, pasi ka çarë ashtin e këmbës së majtë në një përplasje gjatë provave për Çmimin e Madh të Italisë dhe mund të qëndrojë jashtë këtij sporti për së paku dy muaj.
31-vjeçari, ngasës i Yamaha, ishte i treti më i mirë me 15 minuta të mbetura në provat e sotme, kur u gjuajt nga motoçikleta e tij dhe pësoi përplasje të rrezikshme në tokë.
Ai në fillim pati probleme për t’u ngritur dhe u tërhoq nge fusha me ndihmën e karrocës për t’u kontrolluar nga stafi mjekësor, që e diagnostikoi dhe konfirmoi lëndimin. Italiani është dërguar më pas në spital ku do të operohet menjëherë, ndërsa pritet që ai të rikuperohet për jo më pak se dy muaj.
Përveç garës së ardhshme, janë edhe British MotoGP në Silverstone më 20 qershor, ndërsa Rossi pritet të mungojë edhe në garat për Çmimin e Holandës, Katalunisë, Gjermanisë dhe të SHBA-ve, që praktikisht shkatërron shpresat e tij për të mbrojtur titullin.
Kampioni i nëntëfishtë i këtij sporti, i cili thuhet se mund të kalojë në Formula 1, është i dyti në renditjen e sezonit, me shokun e tij të skuadrës, Jorge Lorenzo, që udhëheq tabelën.
Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, thotë se Rafa Benitez do të ishte një zgjidhje ideale për të pasuar Jose Mourinhon në stolin e Interit.
“Vetëm Benitez mund të zërë vendin e një trajneri si Mourinho. Ai është një menaxher i mrekullueshëm. Ai ka karizëm, personalitet, mentalitet fitues”.
“Për më tepër, ai do ta gjejë vetëm në mënyrë të shkëlqyeshme në Itali, për shkak të lojës taktike. Rafa studion gjithçka në tavolinë dhe e drejton ekipin nga stoli si një dirigjent i orkestrës”, ka thënë mesfushori argjentinas
Mascherano ka kaluar tre vitet e fundit në Anfield, por negociatat për vazhdimin e kontratës së fundi janë ndërprerë dhe 25-vjeçari është lidhur me një transferim në Barcelona, ndërsa sot është përfolur për një kalim në Inter.
Portieri i Real Madridit dhe njëshi i kombëtares së Spanjës, Iker Casillas, e ka vënë në pikëpyetje kualitetin e portierëve anglezë.
Casillas mendon se portierët si ai i Portsmouth, David James, dhe ai i West Ham United, Robert Green, janë pikat më të dobëta të kombëtares së Anglisë.
“Lionel Messi dhe Xavi kanë thënë se Anglia ka shanse për të fituar Kupën Botërore, por situata me portierët e tyre është një problem i vërtetë”.
“Asnjëri prej portierëve nuk ka luajtur madje as në nivel të Kupave Evropiane dhe, nëse nuk keni luajtur kurrë në një garë të rëndësishme, do ta keni të vështirë të performoni mirë në nivel ndërkombëtar kur ka edhe më shumë pritje nga ju”, ka thënë Casillas.
Mesfushori i Liverpoolit, Alberto Aquilani, refuzon të mendojë për një rikthim në Itali.
Agjenti i lojtarit, i cili i kushtoi ekipit anglez 17 milionë funte kur iu bashkua nga Roma verën e kaluar, thotë se ai do të mbetet në Liverpool, edhe pse ka qenë startues në vetëm nëntë ndeshje sezonin që kaloi.
“Ai do të mbetet në Liverpool dhe nuk ka synime të zhvendoset. Largimi i Benítez nuk ndryshon asgjë”, ka thënë agjenti i Aquilanit.
Italiani është lidhur me një rikthim në Roma.
Anësori i Udieses, Simone Pepe, ka pranuar se ai është në prag të kalimit të Juventus pasi të dy klubet kanë arritur marrëveshje për shumën e dëmshpërblimit.
Pas arritjes së Luigi del Neri në Torino, Zonja e Vjetër është në kërkim të futbollistëve anësor, duke marrë parasysh se strategu preferon formacionin klasik 4-4-2.
Transferimi i ri për Juven duket se do të jetë Simone Pepe pasi drejtuesit e klubeve besohet se mbrëmë kanë arritur marrëveshje, dhe Juve do të paguajë rreth 10 milionë euro për angazhim të anësorit të Udineses.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për mua. Gjithçka është caktuar. Është e nevojshme vetëm të bisedoj me Juventusin, pres vetëm të nënshkruaj marrëveshjen”, ka thënë Pepe për Corriere dello Sport.
Felipe Melo thotë se ai është i vendosur të tregojë vlerat në Juventus dhe se nuk dëshiron të largohet.
Më herët gjatë javës ish-menaxheri Ciro Ferrara shprehu dyshimet për qëndrimin e Melos gjatë stërvitjeve, duke thënë se ai është vështirë të pëlqehet nga bashkëlojtarët e tij.
“Dua të fitoj me fanellën bardhezi. Ende kam katër vite të mbetura në kontratën time. Dua ta shoh të skadojë. Nuk jam dikush që largohet në momente të vështira. Dhe, mbi të gjitha, nuk besoj se kam pasur një sezon të tmerrshëm”.
“Në të ardhmen do të doja ta mbyll karrierën time në Brazil, mbase në Flamengo. Por kjo është për të ardhmen”, ka thënë Melo.
Xabi Alonso ka porositur Realin e Madridit të transferojë kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard.
Alonso ka qenë partner i tij i mesfushës në Anfield para se të transferohet në Bernabeu verën e kaluar. Së fundi me largimin e Rafa Benitez dhe me ndryshimet që pritet të bëhen në Liverpool, gjasat për t’u larguar edhe Gerrard janë më të mëdha.
“Steven është legjendë e Liverpoolit. Kam shumë respekt për klubin, por ai dukshëm është një lojtar i tmerrshëm. Ai ka kualitete të jashtëzakonshme”, ka thënë Alonso.
Ish-menaxheri i Manchester Cityt, Sven Goran Eriksson, ka shprehur publikisht dëshirën për të drejtuar Liverpoolin.
Kjo deklaratë e ish-përzgjedhësit të kombëtares angleze vjen shumë shpejt pasi Rafa Benitez u largua nga Anfield, duke e lënë karrigen e lirë për menaxher të ri.
“Kam qenë fans i Liverpoolit gjithë jetën time. Kurrë nuk e kam thënë këtë kur kam qenë në detyrë me Anglinë, pasi nuk kam menduar se është e drejtë. Kam qenë i befasuar kur dëgjova se Rafa Benitez është larguar”.
“A do të doja të jem menaxher i Liverpoolit? Është ëndërr e çdo menaxheri të drejtojë Liverpoolin”, ka thënë Eriksson, i cili aktualisht është në drejtim të kombëtares së Bregut të Fildishtë për Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010.
LinkSulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se kombëtarja e Argjentinës ka frikë nga sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney.
“Mendoj se Wayne është një lojtar vërtet i shkëlqyeshëm, jo vetëm për atë që ka bërë këtë vit. Për shumë vite ai ka treguar se është një prej lojtarëve më të shkëlqyeshëm të gjeneratës së tij dhe vit pas viti ai përmirësohet dhe bëhet më i fuqishëm”.
“Ai është një lojtar i kompletuar. Shumë i mirë me top në këmbë, ka fuqi të madhe dhe shënon gola. Mendoj se ai i bën rivalët e tij të kenë frikë nga ai”, ka thënë Messi.
Argjentinasi po ashtu mendon se Rooney mund të krijojë një treshe të frikshme së bashku me Steven Gerrard dhe Frank Lampard.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, thotë se është i ngazëllyer që ka nënshkruar kontratë të re me klubin spanjoll, e cila do ta mbajë atë në Santiago Bernabeu deri në vitin 2016.
“E vërteta është se jam shumë i lumtur me vazhdimin e kontratës dhe se do të qëndroj në Madrid. Ka qenë diçka që e kam pritur shumë dhe vërtet ndihmon psikikën time”, ka thënë Higuain.
“Është për keqardhje që Pellegrini është larguar pasi jam ndjerë shumë mirë të punoj me të. Ai është një person i mirë. Por pa dyshime, një trajner me histori të suksesshme po vjen në vend të tij. Mourinho është fitues dhe gjithçka që ka fituar me klube të tjera do ta sjellë në Madrid. Jam shumë entuziast se çfarë do të ndodhë në Madrid, por tash jam me kokë në Kupën Botërore”, ka shtuar argjentinasi.
Legjenda e Manchester United, dhe ish-menaxher i Manchester Cityt, Mark Hughes, është një prej emrave më befasues që lakohet për të marrë nën drejtim ekipin e Liverpoolit.
Daily Star shkruan se në mesin e emrave të mundshëm janë edhe Martin O’Neill, Roy Hodgson dhe Kenny Dalglish, por Hughes shihet si kandidati më serioz për t’u transferuar në Anfield.
Fakti që Hughes është i lirë është një atraksion i madh për Redsat, pasi opsionet tjera, si trajneri i Aston Villas, O’Neill, ai i Fulhamit, Hodgson dhe i Benficas, Jorge Jesus, të gjithë do të mund të arrinin me një çmim të lartë.
Përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Fabio Capello, beson se David Beckham mund të ketë një rol kyç gjatë Kupës Botërore.
Shpresat e Beckham për të luajtur në Botëror u goditën për shkak të një lëndimi të pësuar muaj më parë, por Beckham së fundi është gjendur në fushë së bashku me Capellon, stafin e tij dhe lojtarët tjerë dhe duket se do të mbetet.
“Beckham është me ne. Ai nuk është trajner, por është i rëndësishëm pasi është një prej simboleve të Anglisë. Është e rëndësishme që ai të qëndrojë me ne dhe të mos jetë këtu në pushime”.
“Ai dëshiron të qëndrojë dhe kjo është shumë e rëndësishme për lojtarët. Ai mund të na ndihmojë neve në çdo moment. Ai mund të flasë me lojtarët, ai mund të gjejë disa zgjidhje. Ai është pjesë e ekipit, por nuk është trajner”, ka thënë italiani.
Përkundër dështimit për ta transferuar kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas, për 29 milionë funte, Joan Laporta shprehet të jetë i sigurt se Barcelona do ta transferojë spanjollin, por se kohëzgjatja e negociatave nuk dihet.
“Barcelona po bën impenjime të jashtëzakonshme. Të ofrosh 29 milionë funte për një lojtar si ai, i përshtatet çmimit të transferimeve tona. Ne jemi në negociata dhe të shohim se si do të zhvillohet. Shpeshherë, këto lloj operacionesh zgjidhen shpejtë, e shpeshherë më ngadalë”, theksoi Laporta.
Laporta shtoi se është i sigurt se Arsenali do të ndryshojë mendjen dhe do lejojë që Fabregas të largohet, duke parë interesimin e lojtarit. Përfundimisht, Laporta tha se nuk është në stilin e Barcelonës, kur është pyetur nëse mesfushori do të përdorte Nenin 17 të statutit të FIFA-s, që lejon Fabregasin ta blejë kontratën dhe të largohet nga Arsenali.
Luis Fabiano ka thënë se ai do të dëshironte të qëndronte te Sevilla edhe pas Botërorit, Afrika e Jugut 2010, duke hedhur kështu në ujë spekulimet që thoshin se ai tashmë është lojtar i Milanit.
“Unë e di se ju jeni duke thënë se unë kam thënë që dua të shkoj te Milani ose Manchester Unitedi, por ato janë fjalë jashtë kontekstit”.
“Unë gjithmonë kam thënë se do të ishte nder të luaja për ekipe si Manchester United apo Milan. Gjithashtu, kam thënë se do të isha i kënaqur të qëndroja te Sevilla”, deklaroi Fabiano për Sport.