Sulmuesi i Paraguait, Roque Santa Cruz, ka kërcënuar Italinë me disfatë, para ndeshjes së parë në grupin F në Botërorin e sivjetmë më 14 qershor.
“Ne jemi një grup fantastik i lojtarëve. Unë jam shumë optimist. Ne do të luftojmë deri në fund për të zënë vendin e parë”.
“Mbrojtja e Italisë gjithmonë ka qenë e famshme rreth botës sepse Chiellini dhe Cannavaro janë shumë të fortë, ata janë kampionë. Por, ne jemi të fortë në sulm dhe mendoj se kjo është cilësia jonë më e mirë”, deklaroi Santa Cruz për Goal.com.
Kosovari i lindur në Prishtinë, Atdhe Nuhiu, është transferuar te skuadra më e madhe austriake, Rapid Viena.
Sulmuesi 20-vjeçar që është standard në përfaqësuesen U-21 të Austrisë, kaloi nga Ried te skuadra e Rapid Vienas, për një shumë jo të madhe, konfirmon klubi austriak. Ai ka nënshkruar kontratë tre vjeçare me opsion edhe një vit, ndërsa për tre vite do të përfitojë 1.2 milion euro, plus bonuset nga paraqitjet mbresëlënëse.
“Ne jemi të ngazëllyer të bëjmë të ditur se kemi mirëpritur njërin prej sulmuesve më të mirë në tregun austriak të futbollit. Ai me 20 vjetët e tij ka potencial të madh për të ardhmen”, theksoi drejtori sportiv i Rapid Vienas, Alfred Hörtnagl, në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare të klubit austriak.
Milani është në kërkim të mbrojtësit të majtë të Tottenhamit, Gareth Bale dhe të mbrojtësit të djathtë të Ajaxit, Gregory van der Wiel.
Calciomercato pohon se Rossonerët kanë filluar ta planifikojnë sezonin, duke siguruar mjete të mjaftueshme për përforcimin e lojës në krah.
Bale konsiderohet si njëri ndër lojtarët më atraktiv në merkaton e kësaj vere, ndërsa marrëveshja me Tottenhamin do të arrihej vetëm nëse përfshihet edhe Huntelaar.
Gregory van der Wiel ka shprehur dëshirën për të qëndruar te Ajaxi, ndërsa Milani do të duhet të luftojë edhe me Barcelonën për firmën e tij.
Mesfushori defensiv i Real Madridit, Lassana Diarra, mund të rikthehet së shpejti në Ligën e Premier, pasi që Manchester United ka shprehur dëshirën për ta transferuar atë, për një çmim që besohet të jetë rreth 27 milionë euro.
Marca shkruan se pas startit të mirë sezonin e kaluar, Pellegrini e kishte humbur besimin në të, duke bërë që ai të mos ketë më vend në formacionin e Real Madridit.
Kësaj i shtohet dhe dëshira e Real Madridit për të përfituar nga shitja e tij, ndërsa kjo vjen si pasojë e faktit që Jose Mourinho nuk është i interesuar në francezin.
Përzgjedhësi i kombëtares spanjolle, Vicente Del Bosque, i ka cilësuar Brazilin dhe Anglinë si dy favoritët absolutë për ta fituar Botërorin e sivjetmë, ndërsa ekipin e tij e konsideron si ëndërrimtar.
“Të përqendrohemi njëherë në ndeshjen miqësore ndaj Polonisë, e më pas të shohim nëse Torres do jetë në gjendje të luajë. Tani nuk mund të flas për startuesit apo zëvendësuesit, sepse ende nuk është koha për këtë”.
“Anglia dhe Brazili janë favoritët për ta fituar këtë Botëror. Sa për ne, për momentin jemi vetëm ëndërrimtarë”, u shpreh Del Bosque.
Kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti, ka mbështetur zgjedhjen e Rafa Benitezit për trajner të ri të Interit, që pritet të zyrtarizohet në mbrëmje, duke thënë se ai do të vazhdojë projektin e lënë në gjysmë nga Jose Mourinho.
“Trajneri i ri do të zyrtarizohet së shpejti. Benitez është i mirë për mua edhe pse nuk kam preferenca të caktuara. Klubi e di se çfarë duhet të bëjë. Trajneri i ri duhet të jetë dikush që mund të menaxhojë zhveshtoren dhe të mbajë dialogun ndërmjet grupit”.
“Por, kushdo që do të vijë, nuk ka nevojë të brengoset për ndryshime të shumta pas rregullit të vënë nga Mourinho. Trajneri i ri vetëm duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur Mourinho”, deklaroi Zanetti për Il Giornale.
Përzgjedhësi i Danimarkës, Morten Olsen, sipas të gjitha gjasave nuk do të mundë të llogarisë në shërbimet e sulmuesit Nicklas Bendtner dhe mbrojtësit Simon Kjaer, për ndeshjen e parë të Botërorit ndaj Holandës.
Që të dy të lartpërmendurit janë lënduar dhe janë në dyshim për sfidën që zhvillohet në Johannesburg, përkundër pjesëmarrjes në stërvitjen e të hënës.
“Ne duhet të vendosim nëse do t’i rrezikojmë në ndeshjen e parë. A duhet të vëmë gjithçka në lojë? Kemi arritur që një kohë të gjatë, por pyetja është nëse kemi arritur mjaft larg”, u shpreh Olsen për Jyllands-Posten.
Klaas Jan-Huntelaar thotë se ai nuk do të largohet nga Milani edhe krahas spekulimeve të cilat e lidhin atë me një largim nga San Siro.
Tottenham përmendet si një prej opsioneve për transferimin e Huntelaar gjatë kësaj vere. Por holandezi edhe pse nuk aktivizohet mjaft në fushë të Milanit, thotë se nuk do të largohet nga klubi.
“E shoh emrin tim në gazetat italiane dhe nuk kuptoj pse. Dua të di se kush ka thënë se do të shiten, pasi nuk më duket se dikush prej klubit ka thënë diçka të tillë”.
“Nuk më intereson për asnjë klub tjetër, agjenti im kurrë nuk ka biseduar për transferim dhe unë dua të mbetem në Milan. Nuk do të largohem nga Milani nëse nuk e demonstroj vlerën time këtu”, ka thënë Huntelaar.
Manchester City raportohet se dëshiron ta ofrojë ish-yllin e Real Madridit, Robinho, për sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic.
Sport shkruan se City po bën një ofertë sensacionale në përpjekje për të siguruar shërbimet e sulmuesit suedez. Propozimi ka befasuar zyrtarët e Barcelonës kur e kishin pranuar atë javën e kaluar, dhe ata nuk e kanë refuzuar atë, duke kërkuar kohë për ta analizuar.
Robinho aktualisht është i huazuar te Santos deri më 4 gusht, por transferimi i tij në Barcelona mund të ndodhë, nëse Ibra pranon të kalojë në City. Nëse suedezi do të kalonte në klubin anglez, do të ribashkohej me ish-trajnerin e Interit, Roberto Mancini.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, mendon se Liga Premier është liga më e mirë në botë.
Spanjolli ka luajtur për Atletico Madrid dhe Liverpoolin gjatë karrierës së tij, andaj i njeh mirë dy ligat, angleze dhe atë spanjolle.
“Si garë, Liga Premier është më e mira. Në Premier ka organizim fantastik, respekt dhe të gjithë stadiumet janë të mbushura çdo vikend, që është vërtet bukur për t’u parë”.
“Në Spanjë janë një pjesë e futbollistëve më të mirë në botë, por si garë nuk është aq e madhe sa Liga Premier. Kam luajtur edhe në Spanjë dhe mund ta them këtë me sinqeritet, Liga Premier është shumë më e mirë”, ka deklaruar Torres.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, pret që Mario Balotelli dhe Douglas Maicon të qëndrojnë në Giuseppe Meazza edhe sezonin e ardhshëm.
Balotelli së fundi ka folur për mundësinë e tij të kalimit në Napoli gjatë kësaj vere.
“Është normale që lojtarët të thonë këto gjëra kur janë në stol. Është e kuptueshme, por mund të them se Mario nuk do të largohet. Ai e ka respektin tim siç e kanë të gjithë ata të tjerët të cilët na kanë dhuruar një kënaqësi të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve”, ka thënë Moratti.
Presidenti ka folur edhe rreth Maicon, i cili së fundi tha se edhe pse do të dëshironte të luajë te Real Madridi, për momentin do të vazhdojë me Interin.
“Nuk jam i befasuar që Maicon i ka thënë ‘jo’ Real Madridit. Ai i pëlqen ngjyrat tona”, ka shtuar Moratti.
Menaxheri gjeneral i Juventusit, Beppe Marotta, ka thënë se ata janë të gatshëm ta shesin Diegon gjatë kësaj vere.
Marotta thotë se Diego nuk përshtatet në sistemin e lojës së trajnerit Gigi del Neri dhe ka konfirmuar se ka oferta për brazilianin.
“Është e vërtetë se ka oferta për Diego. Kërkesat taktike të Del Nerit kanë prioritete dhe nuk mendoj se braziliani do të përshtatet në formacionin 4-4-2. Nëse do të kemi ndonjë ofertë impresive, besoj se mund ta shesim atë”, ka thënë Marotta.
Të ndihmuar nga gjuajtjet nga largësia të Ray Allen, basketbollistët e Boston Celtics kanë tronditur Los Angeles Lakers duke e mposhtur me rezultat 103-94 në ndeshjen e dytë të finaleve të NBA-së gjatë të dielës mbrëma.
Pas humbjes në ndeshjen e parë, veterani Allen dhe roja tjetër i ekipit, Rajon Rondo, udhëhoqën mysafirët në ndeshjen e zhvilluar në Staples Center duke ndihmuar Boston të barazojë serinë në 1-1. Allen kontribuoi me 32 pikë, derisa Rondo regjistroi triple-double, 19 pikë, 12 kërcime dhe 10 asistime.
Spanjolli Pau Gasol udhëhoqi te Lakers me 25 pikë, ndërsa Andrew Bynum shënoi 21. Kobe Bryant po ashtu shënoi 21 pikë, së bashku me gjashtë asistime.
Seria e ndeshjeve finale tash do të zhvendoset nga Los Angelesi në Boston, me ndeshjen e tretë që do të zhvillohet të martën dhe e katërta dy ditë më vonë.
Menaxheri Gjeneral i Juventusit, Beppe Marotta, ka përjashtuar largimin e veteranëve Alessandro del Piero dhe Gigi Buffon gjatë kësaj vere.
Buffon është lidhur me një kalim në Manchester United dhe Arsenal që nga fundi i sezonit të kaluar, derisa Del Piero është cak i klubit të ri të Fabio Cannavaros, Al-Ahli.
“Gianluigi Buffon dhe Alessandro Del Piero nuk janë për shitje. Ata janë simbole të klubit dhe një pikë esenciale e referimit për lojtarët tanë të rinj”, ka thënë Marotta.
Drejtori sportiv i Sevillas, Monchi, është i bindur se Luis Fabiano do ta fillojë sezonin e ardhshëm me ta.
Braziliani është lidhur me një largim nga Sevilla që nga fundi i sezonit, me Manchester United dhe Milanin si opsione të mundshme të transferimit të tij.
“Sipas informatave të mia, Luis Fabiano do të mbetet me ne. Kam lexuar shumë fjalët e tij, por flas vazhdimisht me të dhe ai është i vetëdijshëm për pozitën e klubit, që deri tash nuk ka marrë asnjë ofertë formale”.
“Nëse arrin një ofertë nga një klub i madh që paguan klauzulën blerëse të tij, atëherë braziliani do të largohet. Përndryshe ai është i lumtur me ne dhe ne nuk e përjashtojmë mundësinë e vazhdimit të kontratës”, ka thënë Monchi.
Atletico Madrid raportohet se ka kontaktuar me sulmuesin e Juventusit, David Trezeguet.
L'Equipe shkruan se Atletico tashmë ka zhvilluar rundin e parë të negociatave me agjentin e Trezeguet, Antonio Caliendo, për një transferim në Spanjë të francezit.
33-vjeçari ka refuzuar ofertat nga Sampdoria dhe River Plate që erdhën në drejtim të re pas fundit të sezonit. Megjithatë, me vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij, sulmuesi pritet të largohet gjatë kësaj vere.
Mesfushori i Chelseat, Deco, thotë se ndikimi i bashkëlojtarit të tij te kombëtarja e Portugalisë, Cristiano Ronaldo, është i fryrë.
Portugalia ishte pa yllin e Real Madridit kur fituan në të dyja ndeshjet nga Bosnjë e Hercegovinës për të arritur në finalet e Kupës Botërore.
“Tashmë ekipet e mëdha nuk varen vetën nga një lojtar. Ne fituam disa ndeshje pa Cristiano dhe, ngjashëm, ne kemi fituar ndeshje edhe me të. Manchester United ia ka dalë shumë mirë që kur Ronaldo është larguar, Madrid ka fituar ndeshje pa të, siç kemi fituar ne me Portugalinë”, ka thënë Deco.
Arsenali raportohet se është i gatshëm ta shesë kapitenin Cesc Fabregas te Barcelona për 50 milionë funte.
The Sun shkruan se arsenali kishte thënë se Fabregas, 23-vjeçar, nuk është për shitje, kur kishte refuzuar ofertën fillestare të Barcelonës, javën e kaluar. Por burime nga gjiganti spanjoll thotë se Arsenali tash është në gjendje ta shesë lojtarin... nëse Barca dyfishon ofertën.
Fakti se topçinjtë tash janë të gatshëm ta shesin atë, le hapësirë edhe për negociata dhe spanjollët shpresojnë se do të arrijnë te Cesc për një shumë më të vogël.
“Ky është lajmi që Barcelona dëshironte. Ata tash e shohin mundësinë që Arsenali të lëshojë pe dhe janë të vendosur ta sigurojnë lojtarin. Ata shpresojnë të arrijnë marrëveshje për 35 milionë funte”, ka thënë burimi.