Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është zotuar se do ta sjellë titullin përsëri atje ku ai beson se e ka vendin.Djajtë e Kuq dështuan ta fitojnë titullin e kampionit të Anglisë për të katërtin sezon radhazi, pasi u mposhtën nga Chelsea, por Ferguson shpreson se sezonin e ardhshëm trofeu do të kthehet në Old Trafford.
“Sezonin e ardhshëm do të shkojmë dhe do ta sjellim titullin në vendin më të mirë në botë – do të rikthehemi sezonin e ardhshëm, kjo është ajo që bën Manchester United”, ka thënë ai për revistën Inside United.
Përzgjedhësi i kombëtares italiane, Marcello Lippi, nuk do të marrë nën drejtim Liverpoolin pas Kupës Botërore.62-vjeçari italian është lidhur me një kalim në Anfield pas largimit të Rafael Benitez, por raportet e fundit në mediat italiane shkruajnë se nuk ka gjasa që ai të caktohet si njeriu kryesor në Liverpool.
Lippi nuk flet Anglisht dhe duket se nuk ka plane për ta mësuar atë, që le të kuptohet se një mundësi e kalimit të tij në kampionatin anglez është e pamundshme.
Menaxheri i Fulhamit, Roy Hodgson, mbetet opsioni numër një për detyrën e menaxherit të Liverpoolit.
Arsenali raportohet se është shumë afër transferimit të portierit të Fulhamit, Mark Schwarzer.News of the World shkruan se Schwarzer ka biseduar me menaxherin e klubit Roy Hodgson, i cili i ka dhënë dritë të gjelbër për transferim. Portieri australian tashmë një kohë ka qenë cak i Arsene Wenger, si një zgjidhje e përkohshme e problemeve të Arsenalit në gol.
Schwarzer, 37-vjeçar, ka një vit të mbetur nga kontrata e tij me Fulhamin dhe është i vetëdijshëm se Arsenali e kërkon atë për të zëvendësuar Manuel Almunia. Portieri ka kaluar një sezon të mirë me Fulhamin, përfshirë edhe një paraqitje të shkëlqyeshme kundër Atletico Madrid në finalen e Europa League.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka shprehur interesim për mesfushorin e Bordeaux, Yoann Gourcuff.Gourcuff është duke u kërkuar nga një varg gjigantësh evropianë gjatë kësaj vere, përfshirë edhe dy klubet angleze Manchester City dhe Arsenal.
“Disa thonë se ai është zëvendësim për Zinedine Zidane. Ai është lojtar të cilin klubi vazhdon ta përcjellë, po ashtu sikur të tjerët të cilët mendojmë se do të kenë një të ardhme të shkëlqyeshme”, ka thënë Perez.
Agjenti i mbrojtësit të Sevillas, Adriano Correia, thotë se braziliani preferon një transferim në Itali.Adriano vazhdimisht është lidhur me një kalim në Milan, si dhe te njëri nga gjigantët spanjoll Real Madrid dhe Barcelona.
“Për momentin, nuk jam në kontakt të drejtpërdrejtë me ekipet italiane, por partneri im puno shumë në Itali dhe më ka thënë për interesimin e Milanit”.
“Interesimi nuk do të thotë se aty ka negociata. Për ne, Milani është një ekip i shkëlqyeshëm dhe e dimë se kërkon lojtarë me karakteristika të Adrianos”, ka thënë agjenti i lojtarit, Paulo Affonso.
Mesfushori i Romës, Rodrigo Taddei, ka nënshkruar marrëveshje të re me ekipin e kryeqytetit italian.Braziliani, pas po thuajse një viti negociata, ka nënshkruar kontratën e cila do ta mbajë atë në Romë deri në vitin 2014.
Në tre vitet e para të kontratës, Taddei do të fitojë 2.8 milionë euro në sezon, ndërsa në vitin e fundit 1.9 milionë, plus bonuset nga paraqitjet dhe sukseset
Klubi italian Palermo ka kompletuar nënshkrimin e mesfushorit shqiptar me nënshtetësi zvicerane, Pajtim Kasami.Kasami, i cili është pjesë e të rinjve të kombëtares së Zvicrës, ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Palermon.
I lindur në Strugë të Maqedonisë, 18-vjeçari ka qenë pjesë e kombëtares së Zvicrës që fitoi kampionatin Botëror U17 në vitin e kaluar.
Kasami kishte qenë pjesë e ekipit të të rinjve të Liverpoolit dhe Lazios, para se në dhjetor të vitit të kaluar nënshkruajë me Bellinzona ku gjatë pjesës së dytë të sezonit luajti në ekipin e seniorëve dhe shënoi dy gola në 10 ndeshje.
Përkundër formës së jashtëzakonshme të shfaqur në miqësoren ndaj Tanzanisë, Kaka nuk është ende i kënaqur me formën e tij, duke thënë se dëshiron të përmirësohet ende, në kohën kur Botërori po afrohet.“Ndjehem shumë mirë sot (e hënë). Gjëja e vetme që më mbeti është që të shkoj edhe pak përpara. Mezi pres të rikthej kënaqësinë e të luajturit rregullisht. Natyrisht se do të përmirësohem gjatë garës, kjo është gjëja që më kënaq më së shumti”, theksoi Kaka për Globo pas ndeshjes.
Brazili dy ndeshjet e para do t’i ketë të vështira, pasi që përballet me Portugalinë dhe Bregun e Fildishtë.
Sulmuesi i Anglisë, Wayne Rooney, mezi pret të fillojë Kampionati Botëror, Afrika e Jugut 2010, për të filluar triumfin me kombëtaren angleze.Rooney ka rigjetur rrjetën në fitoren e arritur në sfidën miqësore të së hënës ndaj skuadrës Platinum Stars, në të cilën ai luajti 45 minuta, ndërkohë që Anglia do ta fillojë Botërorin të shtunën ndaj SHBA-ve.
“Ishte një ndeshje e mirë, na nevojitej kjo ndeshje dhe të luaja 45 minuta u ndjeva mirë. Isha i lumtur. Unë mendoj se luajta mirë. Unë do të doja të luaja më mirë, por jam i kënaqur me këto 45 minuta”.
“Ne jemi gati. Kjo ndeshje përgatitore ishte për ndeshjen e madhe të të shtunës, nuk më pritet, sa më shpejt aq më mirë”, deklaroi Rooney për Sky Sports.
Legjenda e Real Madridit dhe drejtori për marrëdhënie institucionale, Emilio Butragueno, ka lëvduar Jose Mourinhon, duke thënë për të se shndërron ekipe në kampionë.“Mourinho e di se si të punojë me lojtarë dhe ai shndërron ekipe në kampionë. Mendoj se ai do të punojë mirë”, tha Butragueno, ndërsa për transferimet shtoi: “Angel Di Maria është lojtar i madh. Kupa e Botës do të jetë një test i mirë për të”.
“Lojtarët më të mirë në botë janë Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, por edhe Rooney pati një sezon fantastik. Barcelona po vjen prej dy sezoneve plot sukses, por besoj se që nga sezoni i ardhshëm Reali do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha Butragueno për AS.
Zvicra do ta fillojë fushatën e saj në Botëror me sfidën ndaj Spanjës, ndërsa për kundërshtarin e tij të parë, Otmar Hitzfeld mendon se nuk është i pamposhtshëm.“Ne e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, por kemi gjasa. Spanja gjithashtu ka dobësi. Gjithçka është e mundshme në një ndeshje. Nëse ne do të luanim ndaj Spanjës në dy ndeshje, atëherë do të ishte e vështirë, por gjithçka është ndryshe në 90 minuta”, theksoi Hitzfeld për gazetarët.
Zvicra do të përballet në fazën grupore me Spanjën, Kilin dhe Hondurasin, ndërsa në përfaqësuesen e Zvicrës luajnë dy kosovarë, Valon Behrami dhe Albert Bunjaku
Mesfushori i Italisë, Daniele De Rossi, beson se ekipi i tij do ta ketë të vështirë në Afrikën e Jugut, pasi që, sipas tij, të gjithë dëshirojnë ta mposhtin kampionin aktual të botës.“Nëse do ta fitojmë Kupën e Botës do të thoshte se jemi përmirësuar në rezultatin e arritur në Gjermani. Ne po luajmë si kampionët e botës, që do të thotë se të gjitha ekipet do ta japin më të mirën ndaj nesh”.
“Spanja është shumë e mirë në posedim të topit, kjo do të thotë se ata gjithmonë do të krijojnë shumë raste”, deklaroi De Rossi për Marca.
Kapiten i Brazilit, Lucio, i ka thënë shtypit të hënën se ai ëndërron që të përsërisë atë që bëri Carlos Dunga në vitin 1994, kur e ngriti trofeun e Kupës së Botës në SHBA.“Më kujtohet shumë nga Botërori 1994 dhe Dunga duke ngritur trofeun. Që nga ai moment, fillova të ëndërroj që të jem një ditë pjesë e këtij ekipi”.
“Ai ishte inspirim për mua. Dunga është shembull i përkushtimit dhe disiplinës. Ai është një imazh që kurrë nuk do ta harroj”, u shpreh Lucio.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka deklaruar se Rafael Benitez sot edhe zyrtarisht do të bëhet trajner i ri i Interit, ndërsa ai do të prezantohet si i tillë në fundjavë.Massimo Moratti dhe drejtori i Interit, Marco Branca janë takuar dje pasdite në zyrat e Interit me agjentin e Benitez, Quillon, me ç’rast marrëveshja është arritur, porse zyrtarizimi do të bëhet nesër.
“Nuk do të kalojë dhe aq shumë kohë. Ne kemi kompletuar negociatat dhe definuam gjithçka. Mendoj se koha po afrohet, sot do ta bëjmë zyrtarizimin, nuk ka dyshim për këtë. Marrëveshja ishte normale dhe e shpejtë.”, theksoi Moratti për gazetarët pas takimit.
Radhës së portierëve kritikues të topit të Botërorit “Jabulani”, sot iu bashkëngjit edhe portieri i SHBA-ve, Tim Howard, që nuk la gjë të keqe pa thënë për topin e prodhuar nga Adidas.“Është i tmerrshëm. Do të dëgjoni për këtë top shumë javën e ardhshme, muajin e ardhshëm. Ne po tentojmë të përshtatemi me të, ta lexojmë një situatë të palexueshme. Mirë që nuk do të vijë prapa shpinës dhe të na shpojë, por do të shihni gola të jashtëzakonshëm me këtë top”.
“Çfarë bën ai? Çfarë nuk bën ai, do të ishte pyetje më e mirë. Kur e shihni si është topi, do të shihni se sa ekipe do të vuajnë nga ai. Problemet më të mëdha gjatë fazës përgatitore ishin për shkak të fluturimit të topit. I vë mbrojtësit nën presion. Ne do të punojmë mirë gjatë kësaj jave, për të gjykuar më mirë me topin. Do të ketë gola nga 45 metra në këtë Botëror. Ato do të quhen gola të mrekullueshëm, por ato nuk janë të tilla, është vetëm topi”, deklaroi Howard.
Real Madridi edhe zyrtarisht ka konfirmuar se sulmuesi Gonzalo Higuain ka nënshkruar kontratë të re, që do ta mbajë atë në kryeqytetin spanjoll deri në vitin 2016.“Ai e fitoi këtë me punë të madhe dhe meritë. Që prej se erdhi te Real Madridi në dhjetor të vitit 2006, Gonzalo Higuain ka shfaqur punë të madhe dhe vigjilencë. Trajneri i ri Jose Mourinho llogarit në të dhe duhet t’i shikoni vetëm statistikat e tij dhe të vini në përfundim se një ekip i madh ka nevojë për shërbimet e një golashënuesi të mrekullueshëm. Si lojtar i Realit, Higuaini ka luajtur 141 ndeshje dhe ka shënuar 64 gola”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi madrilen.
Argjentinasi do të përfitojë nga kontrata e re 3.5 milionë euro për sezon.
Brazili ia ka treguar vendin Tanzanisë para shikuesve të vet, pasi që kombëtarja ‘Selecao’ shënoi fitore të lartë prej 5-1.Ndeshja përfundoi që në pjesën e parë. Robinho shënoi dy herë në këtë fraksion (10’ dhe 33’) për epërsinë e dyfishtë Brazilit.
Në pjesën e dytë mbeti vetëm që debakli i Tanzanisë të merrte formë. Ramires dy herë (53 dhe 90’) dhe Kaka (75’), shënuan golat e fitores për Brazilin, ndërsa golin e nderit për vendasit e shënoi Aziz (86’).
Kjo fitore për Brazilin është e rëndësisë së madhe, pasi që ky është sinjal i qartë për skuadrat tjera rivale se Brazili e ka në plan të ‘shkelë’ çdo gjë që do t’i del përpara.
Mesfushori i Arsenalit, Andrey Arshavin, ka pranuar se ai është tifoz i flaktë i Barcelonës edhe pse pohon se është ‘topçi’ i vërtetë.“Si fëmijë e kam mbështetur Barcelonën, nuk e mohoj këtë. Edhe tani vazhdoj të jem tifoz i Barcelonës në La Liga”.
“Sa për Ligën Premier, gjithmonë më ka pëlqyer Arsenali, kështu që, kur e pata rastin t’i bashkohesha këtij klubi, pranova me kënaqësi, prandaj nuk e shoh veten si lojtar të ndonjë klubi tjetër anglez”.
“Përsëri, jam topçi i vërtetë dhe jam i kënaqur me gjithçka”, ka thënë Arshavin.
Me Nelson Didan në largim, Milani ka filluar të mendojë për portierin e ri.Corriere della Sera shkruan se Dida do të largohet në drejtim të Corinthians pasi që kontrata do t’i skadojë në fund të muajit.
Në ndërkohë, drejtori i Milanit, Ariedo Braida, është duke tentuar ta transferojë portierin e Flamengos, Bruno, që vlen 4 milionë euro.
Megjithatë, trajneri në pritje i Milanit, Massimiliano Allegri do ta preferonte numrin një të Cagliarit, Federico Marchetti.
Së bashku me Didan, do të largohet edhe Marco Storari që refuzon të qëndrojë në bankën rezervë. Storari do të mbesë te Sampdoria, kurse vendin e tij do ta zë Bruno.
Chelsea është duke shqyrtuar mundësinë e një oferte për mbrojtësin e krahut të djathtë të Real Madridit, spanjollin Sergio Ramos.Sport shkruan se Chelsea dëshiron të ofrojë 30 milionë euro për transferimin e Ramos, të cilin Jose Mourinho e sheh më shumë si qendër-mbrojtës se sa si mbrojtës të krahut të djathtë.
Me spekulimet se Maicon është drejt transferimit te Real Madridi, Sergio Ramos mund të lejohet të shkojë, ndërsa përpos Milanit, destinacion i mundur duket edhe Stamford Bridge.
Argjentina mezi është kualifikuar për Botërorin, Afrika e Jugut 2010, por entuziazmi në shtabin Albicelest është mjaft i madh, me mbrojtësin Martin Demichelis që shprehet se ekipi i tij është gati të luftojë për titullin e më të mirit të planetit.“Ky ekip u ngrit muajt e fundit. Megjithatë, shumë kritika ndaj nesh mendoj se kanë qenë pa vend. Ekziston besim i madh në këtë skuadër dhe nuk ka dyshim se jemi një ndër ekipet më mirë të përgatitura për të luftuar për titullin”.
“Natyrisht, Diego Armando Maradona na ndihmon. Ai na motivon neve shumë dhe e eliminon presionin. Ai është figurë e rëndësishme për ne. Ai na jep energji dhe uri për të luajtur mirë”, tha Demichelis.
Argjentina në fazën grupore do të përballet me Nigerinë, Greqinë dhe Korenë Veriore.
















