Manchester City ka negociuar të mërkurën me Valencian për mesfushorin kreativ David Silva, njofton AS.
Drejtori Garry Cook thuhet të kishte qenë pjesë përbërëse e delegacionit që u takua me presidentin Manuel Llorente, për të biseduar një numër çështjesh, duke përfshirë të ardhmen e spanjollit Silva.
Zgjedhja e parë e Silvas është qëndrimi në Spanjë te Real Madridi, por miliardat e Cityt e kanë vënë klubin nga Eastlands përsëri në krye të garës për mesfushorin. Silva ka thënë se nuk do të marrë një vendim për të ardhmen e tij para Botërorit.
Legjenda e Barcelonës, Hristo Sotichkov, mendon se Zlatan Ibrahimovic është tashmë lojtar i Manchester Cityt, duke pranuar në anën tjetër se ai është i dështuar te Barcelona.
Ai e quan Ibrahimovicin një nga transferët më të dështuar të Barcelonës, ndërsa Blaugranët ia kanë vënë një çmim prej 45 milionë funtesh, që nuk është problem për hierarkinë e Cityt.
“Transferimi i Ibrahimovicit te Barcelona ishte një dështim i madh. Ai është lojtar i mirë, por jo për Barcelonën. Unë vë bast se ai do të shkojë te Manchester City”, theksoi bullgari.
Adriano - AS Roma Presidentja e Romës, Rosella Sensi, është shumë e kënaqur me transferimet e Adrianos dhe Fabio Simplicios.
Mesfushori ofensiv Simplicio u transferua te Roma të martën, ndërsa këtë transferim e pasoi edhe Adriano që nënshkroi kontratë tre vjeçare me Giallorossët.
“Merkatoja jonë filloi vërtet mirë. Adriano dhe Simplicio janë dy kampionë të mëdhenj. Ekziston entuziazëm i pabesueshëm dhe jam vërtet e kënaqur që shoh tifozët të kënaqur me transferimet”, tha Sensi për Radio Centro Suono Sport.
Ish-trajneri i Van Persiet, kur ky i fundit ishte në akademi, Rene Hessel, ka dhënë një deklaratë sensacionale ku sqaron arsyet se pse nxënësi i tij është më i mirë se Cristiano Ronaldo.
“Van Persie është pjekur shumë sezonet e fundit. Ai kurrë nuk frikësohet të shprehë mendimin e tij nëse ka për të thënë diçka. Komenti i tij për sulmin e preferuar nga ai në kombëtaren holandeze e dëshmoi këtë”.
“Ai ka kontroll të shkëlqyer të topit. Ai ndoshta nuk është në nivelin e Lionel Messit, por ai definitivisht është më i mirë se Cristiano Ronaldo. Ai dallon nga Messi dhe Ronaldo, të cilët janë lojtarë individualë”.
“Van Persie është më shumë një lojtar ekipor. Si Wayne Rooney te Manchester United. Është me rëndësi që ai të jetë i gatshëm për Botërorin. Nëse po, atëherë ai do jetë njëri nga yjet kompeticionit”, u shpreh Hessel për Goal.com.
Pasi vazhdoi kontratën e tij me gjigantin katalunas, Xavi Hernandez, e ka lutur përsëri Cesc Fabregasin që t’i bashkohet sa më shpejtë Barcelonës, sepse më pas do të jetë vonë.
Xavi frikësohet se nëse Fabregas nuk vjen tani te Barcelona, atëherë ai do të mund të mos transferohet dhe të mos e përjetojë epokën e artë të Blaugranëve.
“Ai duhet të luajë për Barcën dhe kjo duhet të realizohet tani. Nëse jo tani, atëherë do të bëhet vonë. Shpresoj se Fabregas do të transferohet te Barcelona sa më shpejtë që është e mundur”, theksoi Xavi.
Ciro Ferrara u ka bërë thirrje drejtuesve të klubit që të harrojnë atë që ka ndodhur dhe t’u japin edhe një rast futbollistëve Diego dhe Felipe Melo.
Bianconerët kanë shpenzuar 50 milionë euro në transferimin e dy futbollistëve të lartpërmendur, ndërsa që të dy kanë dështuar në njërin prej sezoneve më katastrofale të Juventusit në histori të klubit.
“A duhet t’u japë Juventusi Melos dhe Diegos edhe nga një rast? Mendoj se po, sepse nuk do të jetë lehtë t’u gjejmë atyre një klub tjetër. Plus, duhet të presim dhe të shohim se si do luajë Del Neri”.
“Diego mund të jetë në rrezik këtu. Nuk mendoj se Juve ka nevojë për revolucion, vetëm duhet të rigjejë mentalitetin fitues dhe t’i ndihmojë trajnerit në projektet e tij, kurse më pas vijnë trofetë”, theksoi Ferrara për AGI.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka mirëpritur interesimin e Manchester Cityt për Mario Balotellin, ndërsa nga ana tjetër ka thënë se transferimi i Zlatan Ibrahimovicit nga Barcelona është i pamundur në këtë moment.
“Ne mirëpresim interesimin e Manchester Cityt për Balotellin”, theksoi Moratti duke iu referuar spekulimeve se Balotelli po kërkohet nga City. Ishte pikërisht Balotelli ai që të mërkurën e vuri në dyshim të ardhmen e tij.
“Ibrahimovic? Ne nuk kemi të bëjmë më asgjë me këtë çështje. Unë do të doja ta ktheja atë përsëri sepse ai është kampion, por tani për tani ekipi ynë është i ndërtuar ndryshe”, përfundoi Moratti.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka qetësuar situatën rreth çështjes Pato, pas deklaratës së këtij të fundit dje, kur nuk u tregua i sigurt për të ardhmen e tij te Milani.
“Pato? Ai ka kontratë deri në vitin 2014 dhe ai do të qëndrojë te Milani. Nuk e di çfarë tha ai dje, por ai absolutisht që nuk është në shitje për çfarëdo çmimi”, theksoi Galliani.
Galliani foli edhe për trajnerin e ri, duke dhënë indikiacione të fuqishme se Allegri është shumë pranë emërimit si trajner i Milanit.
“Kur dhe nëse ai lirohet nga posti i tij te Cagliari, sigurisht se Allegri do të jetë trajneri jonë”, përfundoi Galliani.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka deklaruar se ai nuk është aspak i interesuar në spekulimet që e lidhin atë me Interin, e as që dëshiron të lidhet ndonjëherë me këtë klub.
Numri një i Italisë është lidhur me një largim pas nëntë vitesh nga Olimpico i Torinos, me skuadra të interesuara si Milan dhe Manchester City, por mësohet se Interi është në kërkim të një sfiduesi për Julio Cesarin.
Përkundër faktit që nuk i përmendi dy klubet e para të lartpërmendura e as të ardhmen e tij, ai ishte tejet i prerë në qëndrimin e tij ndaj kampionit të Italisë, duke thënë për Tuttosport: “Një gjë është e sigurt: Unë kurrë nuk do të shkoj te Interi”.
Buffon i kushtoi Juventusit 49.2 milionë euro, ndërsa besohet se Bianconerët tash e vlerësojnë rreth 30 milionë euro.
Interi edhe zyrtarisht ka konfirmuar se Rafael Benitez është trajneri i ri deri më 30 qershor 2012.
“Interi mirëpret Rafa Benitezin. Këtë mëngjes, me kënaqësi reciproke, është arritur akordi për një marrëveshje dyvjeçare që do ta mbajë trajnerin spanjoll të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2012. Të martën më 15 qershor 2010, në ora 12:00, Rafael Benitez do t’i prezantohet shtypit në qendrën stërvitore Angelo Moratti”, shkruan në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare të Interit.
Benitez zëvendëson kështu Jose Mourinhon në postin e trajnerit të Interit, ndërsa trajneri spanjoll do të ketë presionin për të ripërsëritur suksesin e portugezit.
Manxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, dëshiron ta mbajë me çdo kusht Cesc Fabregasin në Emirates, përkundër spekulimeve që e lidhin atë me një kalim në Barcelona.
“Ajo çfarë është me rëndësi, është që Cesc të ketë një Botëror sa më të mirë dhe të kthehet te Arsenali me dëshirën për të luajtur mirë për klubin. Ne duam t’i mbajmë lojtarët më të mirë, kjo është detyra ime tani, unë e ndërtova këtë ekip prej moshës së lojtarëve prej 16 dhe 17 vjeç”.
“Ne duam të vazhdojmë të punojmë me ata sepse ndjejmë se jemi shumë të afërt dhe duam ta forcojmë ekipin në një mënyrë shumë të fuqishme”, tha Wenger për Sky Sports.
Alexandre Pato thotë se ai dëshiron të qëndrojë te Milani dhe ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe Skudeton.
“Nuk ka problem, unë do të qëndroj te Milani sepse dua të fitoj Ligën e Kampionëve dhe Scudetton. Jam i uritur për sukses, por është me rëndësi që edhe Ronaldinho të qëndrojë”.
“Nuk jam i pikëlluar për zgjedhjet e bëra nga Carlos Dunga. Si brazilian i mirë që jam, dua të mbështes Selecaon. Brazili mund ta fitojë Botërorin dhe Kaka do jetë njëri prej yjeve që do të shkëlqejnë”, deklaroi Pato për La Gazzeta dello Sport.
Interi është i bindur se 33 milionë funte do të jenë të mjaftueshme për Rafa Benitezin, që të sjellë në Meazza dyshen e Liverpoolit, Javier Mascherano dhe Dirk Kuyt.
Benitez pritet të prezantohet si trajner i Interit menjëherë pas përfundimit të pushimeve të tij, ndërsa ai thuhet se ka hartuar një listë të dëshirave. Benitez e di mjaft mirë si qëndron situata financiare te Liverpooli, prandaj është i bindur se mund të lëkundë hierarkinë nga Anfield.
Interi është gjithashtu i interesuar edhe për një lojtar tjetër të Redsave, sulmuesin Fernando Torres, por me Chelsean të interesuar për të, nerazzurët e dinë se transferimi i tij do të jetë më se i vështirë.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se Botërori i sivjetmë është rasti i fundit për gjeneratën e artë të futbollistëve anglez që ta fitojë Kupën e Botës.
“Jam i bindur se është o sot o kurrë për këtë gjeneratë të futbollistëve të Anglisë. Ata kanë përvojën dhe duhet të kalojnë ndeshjet e vështira, ndeshje në të cila jo gjithmonë ekipi luan mirë”.
“Rooney do të jetë lojtar i fortë edhe katër vitet e ardhshme. Por, Steven Gerrard dhe Frank Lampard, dy lojtarë tjerë të rëndësishëm, do të jenë 34 ose 35 vjeçar dhe jo aq efektiv. Kam besim se Rooney do jetë lideri, për shkak të asaj që bëri sivjet me Unitedin. Ai ka fuqi, dëshirë, qetësi dhe cilësi të mëdha teknike, ndërsa po shënon gola me kokë më shumë se kurrë më parë në karrierën e tij”, ka thënë Wenger.
Anësori në largim i Chelseat, Joe Cole, thotë se ai nuk ka mundur t’ia dalë nën urdhrat e trajnerit Carlo Ancelotti sezonin e kaluar dhe se ka qenë më i lumtur kur në stolin drejtues ka qenë Jose Mourinho.
Cole u godit nga lëndimet gjatë sezonit që lamë prapa dhe nuk pati një paraqitje të shpeshta, e që rezultoi edhe me mosvazhdimin e kontratës me blutë.
“Jose Mourinho ka pasur shumë besim në mua. Nën urdhrat e tij unë kam luajtur më shumë se Robben, Duff, Wrighty, Malouda, Mutu, Gudjohnsen. Kam luajtur në të gjitha ndeshjet e mëdha. Edhe në vitin e parë kam luajtur më shumë se ta. E di pasi i kam shikuar statistikat”, ka thënë Cole.
Manchester City raportohet se është shumë afër arritjes së marrëveshjes me Aston Villan për transferimin e mesfushorit James Milner.
Daily Mail shkruan se City dhe Aston Villa janë afër arritjes së marrëveshjes së vlefshme 28 milionë funte për mesfushorin anglez. 24-vjeçari pritet të nënshkruajë marrëveshje pesëvjeçare në City, të vlefshme rreth 80 mijë funte në javë.
Menaxheri i Aston Villas, Martin O'Neill, tashmë ka shprehur shqetësime për buxhetin e transferimeve këtë verë, dhe duke u detyruar ta shesë edhe Milner, kjo vetëm se shton dyshimet për të ardhmen e tij me klubin anglez.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, beson se trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, do të dështonte në Santiago Bernabeu.
“Guardiola është një trajner kompetent dhe i përshtatet mirë Barcelonës, por ai mund të mos përshtatet në sistemin e Real Madridit. Lojtarët sot janë shumë të fuqishëm dhe kanë nevojë për një menaxher të fuqishëm që vrapon vërdallë...”.
“Jose Mourinho është si një forcë e re e natyrës. Ne do ta kishim marrë atë edhe nëse Interi nuk do ta kishte eliminuar Barcelonën nga Liga e Kampionëve”, ka thënë Perez.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka mirëpritur arritjen e përforcimit të ri të sezonit, Adriano.
Ish-sulmuesi i Interit dhe Flamengos, dje u zbulua si përforcim i ri i Romës, me të cilën ka nënshkruar kontratë trevjeçare.
“Jam i sigurt se Adriano do të menaxhojë të tregojë aftësitë e tij te Roma. Së bashku ne mund të bëjnë gjëra të shkëlqyeshme për Romën e shkëlqyeshme. Dua t’i dëshiron mirëseardhje Perandorit”, ka shkruar Totti në faqen e tij zyrtare.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i bindur se kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, do të zhvendoset në Nou Camp gjatë kësaj vere.
Oferta e parë e Barcelonës për spanjollin, e vlefshme 30 milionë funte, u refuzua nga Arsenali, që tha se kapiteni nuk është në shitje për asnjë çmim dhe kërkoi ‘të respektohet’ dëshira e klubit.
“Jam plotësisht i sigurt se Barcelona do të mund ta bindë Arsenalin se një lojtar i pakënaqur kurrë nuk mund të jetë pozitiv për klubin. Është rrezik. Nëse kjo situatë do të na ndodhte neve, atëherë ndoshta do të pranoja se është koha për negociata”, ka thënë Laporta.
Mbrojtësi i Sevillas, Adriano, ka konfirmuar se ai dëshiron të transferohet te Milani.
“Për interesimin e Milanit jam informuar tashmë një kohë. Ai është një prej klubeve më të mira në botë. Nuk mund të kërkoj më shumë”.
“Kam respekt për Sevilla, por mendoj se Milani do të ishte një përvojë e shkëlqyeshme në karrierën time. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por mendoj se ky ndërrim klubesh për mua është gjëja më e mirë”, ka thënë Adriano për calciomercato.com.
Mario Balotelli thotë se ai do të ishte i lumtur të luajë nën urdhrat e trajnerit të ardhshëm të Interit, Rafa Benitez.
Interi ende nuk e ka caktuar zyrtarisht Benitezin si menaxher të ri, por dje presidenti Massimo Moratti konfirmoi se marrëveshja është arritur dhe se mungojnë vetëm nënshkrimet e kontratës.
“E kam përcjellë progresin e tij në Liverpool dhe më pëlqen mentaliteti dhe sistemi i tij. Vërtet mendoj se ai është personi i duhur për të vazhduar periudhën e filluar nga Jose Mourinho”, ka thënë Balotelli për Sky Sport Italia.
Nicolas Anelka ka përfunduar marrëveshjen e re me Chelsean e cila do ta mbajë atë në klubin londinez edhe për dy vite të tjera.
Francezi kishte edhe një vit të mbetur nga kontrata e tij, por ka arritur marrëveshje për ta zgjatur atë në dy vite, dhe do të fitojë nga 90 mijë funte në javë.
Lajmi është pozitiv për blutë, pasi ata së fundi kanë larguar nga radhët e veta një varg lojtarësh si Joe Cole, Michael Ballack, Julian Beletti dhe Deco.
Patrick Vieira do të mbetet në Manchester City për edhe 12 muaj të tjerë, pasi ka nënshkruar vazhdimin e kontratës me klubin.
Veterani francez tash do të vazhdojë qëndrimin në Eastlands deri në fund të sezonit të ardhshëm, pavarësisht se ka startuar vetëm tetë herë nën urdhrat e Roberto Mancinit sezonin e fundit.
Vieira arriti në Manchester City si transfer i lirë nga Interi në muajin janar dhe raportohet se ka pranuar një ulje të dukshme të pagës për të mbetur në Ligën Premier.
Posa ka nënshkruar kontratën që e mban atë në Camp Nou deri në vitin 2016, mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez ,ka pranuar se ai kurrë nuk ka menduar të luajë për ndonjë klub tjetër.
“Unë kam qenë i përfshirë me Barcën gjatë gjithë jetës time, që nga akademia dhe do të doja t’i varja këpucët këtu. Unë kam dashur t’u tregoj të gjithëve se unë nuk po shkoj askund. Unë i jam falënderues presidentit Joan Laporta dhe drejtorit Txiki Begiristain, sepse ata më dëgjuan. Është ajo që desha. Unë jam tifoz i flaktë i Barcës dhe jam shumë i kënaqur”, theksoi Xavi.
Xavi Hernandez ka qenë pjesë integrale e Barcelonës, ndërsa sot është mjeshtri i mjeshtërve të mesfushës, si për Barcelonën ashtu dhe për Spanjën, me të cilën është në kërkim të titullit kampion bote.
Transferimi i ri i Juventusit, Simone Pepe, ka folur për kënaqësinë e tij për këtë lëvizje, pak para fillimit të Botërorit, ndërsa ai te Juventusi do luajë sezonin e ardhshëm si huazim.
“Jam i lumtur të kem nënshkruar sot (e mërkurë) dhe jam gati të përballem me Botërorin me më shumë karakter. Brenda një muaji i realizova dy ëndrra. Të luaj në Afrikën e Jugut me një ekip të madh dhe t’i bashkohen Juves, klubit më prestigjioz në Itali. Historia e tyre flet më shumë. Tani do të shkruajmë disa faqe të reja”, u shpreh Pepe.
Pepe pritet të jetë titullar në ndeshjen e parë të Italisë në Botëror ndaj Paraguait më 14 qershor.
Rafael Nadal ka filluar sezonin e tij në terrenet me bari në mënyrën më të mirë, me një fitore të lehtë në raundin e dytë të turneut Aegon në Queen’s Club.
Numri një i botës së tenisit, ka shënuar fitore më se të lehtë me rezultat 6-2 dhe 6-2 ndaj brazilianit Marcos Daniel, për të siguruar sfidën ndaj Denis Istomin.
Numri tre i botës, Novak Djokovic shënoi gjithashtu fitore me rezultat 6-3 dhe 6-3 ndaj italianit Paolo Lorenzi.