Delegati në bordin e Atletico Madridit, Gil Marin, ka deklaruar për AS se sulmuesit kryesor të Los Colchoneros, Diego Forlan dhe Sergio Aguero nuk do të largohen nga klubi për shkak se janë ende nën kontratë.
“Që të dy kanë kontrata valide me Atletico Madridin dhe është e arsyeshme të themi se ata do të qëndrojnë. Klubi është më i madh se cilido lojtar, por ata janë shumë lojtarë të rëndësishëm dhe ne shpresojmë që ata të qëndrojnë me ne. Por mbi çdo lojtar, mbetet klubi.
“Çdo vit ekzistojnë lëvizjet, disa lojtarë shkojnë e disa vijnë. Ne do të tentojmë të krijojmë ekipin më konkurrues të mundur. Quique Sanchez Flores ka kërkuar ta lejojmë atë të punojë dhe ne do ta bëjmë këtë. Ne të gjithë po punojmë së bashku për të pasur sukses”, tha Gil Marin.
Trajneri i Afrikës së Jugut, Carlos Alberto Parreira, ka pranuar se barazimi ishte rezultat i drejtë, pasi ekipi i tij u ndal në një barazim 1-1 në ndeshjen hapëse të Botërorit të sivjetmë në Soccer City Stadium para 95.000 shikuesve.
“Ne kemi mundur shumë lehtë ta fitojmë ndeshjen, por tek e fundit barazimi është rezultat i drejtë. Ndeshja hapëse është gjithmonë përplot presion dhe sot (e premte), nuk ishte ndryshe. Ne jemi ende në garë, por ky grup është shumë i vështirë”.
“Shumica e lojtarëve tanë janë nga kampionati vendor dhe adaptimi ishte i vështirë me këtë ambient madhështor, por pas 15 minutave filluam ta luajmë lojën tonë. Ne e baraspeshuam lojën në pjesën e dytë dhe krijuam raste për fitore. Besoj se akulli është thyer. Rezultati nuk ishte ai që e dëshiruam por do të na mbajë të gjallë deri në ndeshjen e fundit”.
“Ajo skuadër që i bën katër pikë do të kualifikohet. Çfarëdo që të ndodhë ndaj Uruguait, grupi do të vendoset në ndeshjen e fundit ndaj Francës”, deklaroi pas ndeshjes Parreira.
Edhe takimi i dytë i Grupit A, i zhvilluar ndërmjet Uruguait dhe Francës, ka përfunduar me rezultat të barabartë.
Franca dhe Uruguai zhvilluan një lojë tejet të baraspeshuar, me Francën që pati një iniciativë të shpërqendruar gjatë gjithë takimit, kurse Uruguai luajti një lojë shumë të mençur taktike me tipare defensive.
Franca rrezikoi e para në pjesën e parë, pas një harkimi të Franck Ribery, të cilin nuk e shfrytëzoi mirë Sidney Govou. Rastin më të mirë për Uruguain në pjesën e parë e pati Diego Forlan, që nuk shënoi nga distanca.
Në pjesën e dytë mbrojtja e Uruguait u tregua vërtet në nivel të detyrës, ndërsa Franca nuk bëri asgjë në këtë fraksion. Diego Forlan pati rastin më të mirë në ndeshje, kur nga thellësia e zonës nuk arriti të shënojë në portën e Hugo Lloris. Uruguai në minutën e 80-të mbeti me një lojtar më pak, kur Lodeiro ndërhyri ashpër në Bacary Sagnan, me ç’rast u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Barazimi është rezultat i drejtë për këtë sfidë, ndërsa Franca dhe Uruguai kanë dy ndeshjet tjera ndaj Meksikës dhe Afrikës së Jugut për të siguruar kualifikimin më tej.
Përzgjedhësi i Argjentinës, njëherit rivali më i madh i Peles, Diego Armando Maradona, ka kritikuar brazilianin për mospërkrahjen e tij ndaj Kampionatit Botëror dhe vendit nikoqir.
“Kur i ndodhi tragjedia ekipit togolez para Kupës Afrikane të Kombeve, një zotëri i caktuar në ngjyrë, që kishte numrin 10, nuk besoi se këtu mund të luhet Botërori. Por, Afrika e Jugut po i thotë atij ‘po ne mundemi’, kurse Botërori po fillon”.
“Jam i lumtur t’u tregoj se qëndrimi ynë këtu ka qenë i mrekullueshëm. Ne ndjehemi shumë të rehatuar. Ne zgjodhëm vendin e duhur për t’u stërvitur dhe për ta formuar ekipin, të pushojmë dhe të ushqehemi mirë. Ardhja në Afrikën e Jugut ishte pikërisht ajo që kërkova”, përfundoi Maradona.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Maradona, ka lëvduar njërin prej futbollistëve më të kërkuar në Evropë, Angel Di Maria.
“Ai është lojtar spektakolar, që është duke u ngritur ditë pas dite. Ai përballet me mbrojtësit dhe kjo është ajo për çfarë paguajnë njerëzit sot. Shpresoj se ata do ta shesin atë për 200 milionë euro dhe të përfitojnë shumë kilogramë ari”.
“Spanja? E pashë fitoren prej 6-0 ndaj Polonisë, por ajo ishte ndaj një rivali jo aq të fortë. Messi rezervist? Pse duhet ta lë Messin në pankinë? Ai ka luajtur 64 ndeshje me Barcelonën dhe kur Guardiola kishte nevojë për të nxjerrë ndonjë lojtar nga loja, ai e largonte Xavin ose Iniestën, e jo Messin”, përfundoi Maradona.
I larguari nga Manchester City, Robinho, ka pranuar se atij do t’i pëlqente të bashkohej me ish-trajnerin e Realit, Bernd Schuster, te skuadra turke Besiktas.
Robinhos i skadon huazimi te Santos pas Botërorit, ndërsa ai ka pranuar se do të dëshironte të shkonte te Besiktasi.
“Nëse Schuster është atje, unë mund të shkoj”, theksoi për gazetarët Robinho, që është duke u lidhur edhe me një kalim te Barcelona, si pjesë e shkëmbimit me suedezin Zlatan Ibrahimovic.
Agjenti i sulmuesit të Sevillas, Luis Fabiano, ka këmbëngulur se Milani nuk ka bërë kurrfarë oferte për klientin e tij, përkundër spekulimeve konstante që thoshin të kundërtën.
“Së paku deri në këtë moment, nuk kam marrë ndonjë telefonatë nga Milani. A e kanë kontaktuar Rossonerët me Sevillan? Unë e përjashtoj këtë, sepse do të isha i njoftuar për këtë”.
“A ka gjasa që ai të qëndrojë te Sevilla? Gjithçka është e mundshme, ai mund të vazhdojë kontratën ose të largohet pas një sezoni. Për momentin asgjë nuk është e sigurt, ai po mendon vetëm për Botërorin”, deklaroi Jose Fuentes për TMW.
Agjenti i sulmuesit të Liverpoolit, Dirk Kuyt, ka thënë se gjithçka është e mundshme në lidhje me kalimin e klientit të tij tek Interi, ku do të ribashkohej me trajnerin Rafa Benitez.
Kuyt, njëri ndër lojtarët më të pëlqyer të Benitez që pas transferimit të holandezit në Anfield në 2006, ku deri tani ka mbi 200 paraqitje, është në listën e dëshirave të trajnerit të ri të Interit, ndërsa së bashku me Mascheranon, Kuyt do të përfshihej në paketën e shumëpërfolur prej 33 milionë funtesh.
“Janë vetëm spekulime, ne nuk dimë asgjë për këtë ofertë. Dirk Kuyt po mendon vetëm për Botërorin. Ai ka marrëdhënie të shkëlqyera me Benitezin, por ne po komentojmë vetëm mbi një hipotezë, sepse nuk ka asgjë konkrete. Kur dhe nëse një ofertë do të arrijë, atëherë do të shohim”.
“Dirk është i lumtur te Liverpooli dhe ka kontratë deri në vitin 2012. A do ta ndjekë Benitezin? Gjithçka është e mundshme, por ripërsëris, nuk ka asgjë tani për tani”, deklaroi Rob Jansen për Calciomercato.
Pamje nga ndeshja Afrika e Jugut - Meksika Afrika e Jugut dhe Meksika kanë grumbulluar nga një pikë në ndeshjen hapëse të Kampionatit të sivjetmë Botëror, duke barazuar me rezultat 1-1.
Me deklarimin e presidentit të Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, në Johanesburg ka filluar Kampionati Botëror 2010, me takimin e parë të zhvilluar ndërmjet përfaqësueses nikoqire, Afrika e Jugut dhe Meksikës.
Afrika e Jugut e nisi ndeshjen me formacionin 4-2-3-1: Khune - Gaxa, Mokoena, Khumalo, Thwala - Letsholonyane, Dikgacoi, Pienaar, Modise, Tshabalala – Mphela. Ndërsa Meksika luajti me formacionin 4-3-3: Perez, Rodriguez, Salcido, Marquez, Osorio, Torrado, Franco, Vela, Aguilar, Juarez, Dos Santos.
Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Meksika që realizoi pas një aksioni të Giovannit dhe Velas, mirëpo goli u anulua gabimisht për pozicion jashtë loje (36’).
Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë (55’), skuadra nikoqire kaloi në avantazh me një gol të bukur të shënuar me këmbën e majtë nga Siphiwe Tshabalala.
Ylli i Barcelonës, Rafael Marquez, tregoi klasin e tij kur pas një krosimi të Guardados barazoi shifrat (79’).
Në minutat e fundit të takimit nuk pati gola, përkundër një rasti të shkëlqyer që pati Afrika e Jugut në fund të ndeshjes, ashtu që këto dy skuadra do të mbajnë dy vendet e para të Grupit A, së paku deri pas ndeshjes ndërmjet Uruguait dhe Francës, që zhvillohet të premten mbrëma në Cape Town.
Fabio Cannavaro Kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro, ka deklaruar se kombëtarja Azzure është në gjendje të mposhtë çdo skuadër që i del përpara.
“Ne futbollistët e kombëtares jemi këtu për t’u bashkuar dhe jo për t’u ndarë. Ne vijmë nga kualifikimet e luajtura me qetësi. Miqësoret e fundit nuk ishin sikur ato të vitit 2006”.
“Ekziston skepticizëm por ne kemi traditën tonë, vullnetin dhe krenarinë, ndërsa nëse luajmë me forcën tonë, ne mund t’i mposhtim të gjithë. Unë kam besim”, ka thënë Cannavaro.
Ricardo Kaka Pele është i brengosur për formën aspak konstante të shfaqur nga mesfushori Kaka, duke thënë se kombëtarja braziliane duhet të merakoset për këtë fakt.
“Kaka më brengos. Ai është shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Ai është lojtar kyç për sulmin dhe mesfushën tonë. Por do Zoti, ai do të jetë në formë të mirë”, theksoi Pele duke vazhduar të komentojë mbi stilin e skuadrave.
“Unë besoj se ka ekipe të caktuara, si Gjermania, Anglia dhe Italia, që luajnë një lloj të caktuar të lojës, lojë të mirë, të fortë. Ata nuk fokusohen në futboll të bukur, ata luajnë një lojë më shumë defensive dhe vendimtare. Kjo është vështirë e imagjinueshme për ne”.
“Ka shtete të cilat luajnë futboll të bukur. E përfshij Spanjën, Portugalinë dhe Holandën. Fatkeqësisht në historinë e Botërorëve nuk kanë fituar gjithmonë skuadrat me futbollin më të bukur. Kjo është për shkak të periudhës një mujore, shtatë ndeshje, është mjaft e vështirë”, u shpreh Pele për ESPN.
Nicklas Bendtner Kombëtarja daneze ka marrë goditje të rëndë para ndeshjes së parë që e zhvillon të hënën ndaj Holandës, pasi që sulmuesi Nicklas Bendtner rrezikon të mos paraqitet.
Përzgjedhësi i Danimarkës, Morten Olsen, do të duhet t’ia bëjë pa shërbimet e Bendtner, pasi që sulmuesi i Arsenalit ka dështuar të rikthehet me kohë nga një lëndim në ije. Bendtner është pritur të luante ndaj Holandës, por Olsen ka njoftuar pas stërvitjes të se ai vuan ende nga lëndimi.
Përpos ndaj Holandës, Danimarka do të ketë punë në fazën grupore edhe me Japoninë dhe Kamerunin.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se Rafael Benitez garanton të ardhmen e klubit të tij, që ishte dhe arsyeja për emërimin e spanjollit si trajner i Interit.
“Ne e zgjodhëm atë sepse ne mendojmë se ai garanton të ardhmen tonë dhe shpresoj se kjo do të ndodhë. Ai është njeri shumë serioz, punëtor i madh, ai ka përvojë në futbollin evropian. Zgjedhja jonë ishte mjaft e mirë dhe shpresoj se do të arsyetohet”.
“Ai ishte zgjedhja jonë e parë, por ka pasur dhe të tjerë që na janë afruar, mirëpo ai ishte njeriu që gjithmonë kam menduar se do t’i përshtatej rolit. Ai dallon nga Jose Mourinho, por kjo është me rëndësi, sepse nuk doja një imitues të Mourinhos”, ka thënë Moratti.
Luciano Moggi thotë se ish-klubi i tij, Juventus, vazhdon të mbetet një hap prapa Milanit.
Përkundër lëvdatave për presidentin e ri Andrea Agnelli, Moggi mendon ende se është një rrugë e gjatë për t’u bërë për ta zënë Milanin.
“Andrea Agnelli është njeri i ri dhe i aftë, por gjithashtu një tifoz dhe zyrtar i madh i Juves. Mirëpo, kjo ende nuk e zvogëlon dizavantazhin që ka Juve ndaj Milanit që është një hap para”, theksoi Moggi për TMW.
Sulmuesi uruguaian Luis Suarez dëshiron të largohet nga Ajaxi, vetëm nëse do të transferohet te Barcelona.
Reprezentuesi uruguaian është njëri ndër futbollistët më të preferuar të Sir Alex Ferguson, por El Mundo Deportivo pohon se Suarez u ka thënë bashkëlojtarëve se ai do të qëndrojë te skuadra holandeze, përpos nëse vjen ndonjë ofertë nga Barcelona.
Barcelona është në kërkim të Luis Suarezit dhe bashkëlojtarit të tij, Gregory van der Wiel.
Antonio Caliendo, agjenti i mbrojtësit të Interit, Maicon, ka deklaruar se negociatat mes Real Madridit dhe Interit janë shtyrë, sepse zyrtarët e klubeve nuk po arrijnë marrëveshje për shumën e transferimit.
Një raport e gazetës italiane La Gazzeta dello Sport, Caliendo pohoi se Interi nuk do të përjashtonte shitjen e lojtarëve, për një çmim që i përshtatet.
“Unë e di se situata është bllokuar. Ekziston distancë mes ofertës dhe pritjeve. Unë vërtet nuk mund të jap ndonjë gjykim, por janë dy presidentë, njëri që dëshiron të shpenzojë pak dhe tjetri që dëshiron të fitojë shumë”.
“City? Nuk është gjë e re që City e dëshiron Maiconin. Roberto Mancini gjithmonë e ka admiruar atë. Por nuk e di nëse City do të mund t’u përgjigjet kërkesave të Morattit”, deklaroi Caliendo për TMW.
Manchester United është duke shqyrtuar transferimin e mesfushorit të Juventusit, Diego.
Mesfushori kreativ brazilian u transferua nga Werder Bremen verën e kaluar për 24.5 milionë euro dhe pas një starti premtues ai dështoi të tregonte cilësitë e tij gjatë sezonit. Ndërsa spekulohet se trajneri i ri i Juves, Luigi Del Neri, nuk e ka Diegon në planet e veta dhe do ta lë atë të largohet.
Mediumet italiane shkruajnë se Manchester United do të ofrojë 20 milionë euro për asin brazilian, përkundër deklaratave të Ferguson se ai nuk do të shpenzojë në yje gjatë kësaj vere.
Superylli i Milanit, Ronaldinho, është duke e parë veten në stuhinë e spekulimeve, pasi që thuhet se Manchester City dhe Flamengo janë të gatshme ta transferojnë atë.
Braziliani është dashur ta vazhdojë kontratën me Milanin, por ende nuk është bërë një gjë e tillë, me rosonerët që dëshirojnë t’ia zbresin pagën.
Në anën tjetër City thuhet të jetë jashtëzakonisht i interesuar në shërbimet e brazilianit. 15 milionë euro pritet të jetë oferta e Cityt për Milanin dhe kërkesat e larta të Ronaldinhos prej 9 milionë euro për sezon nuk janë ndonjë problem për klubin anglez.
Alternativa tjetër është Flamengo që javë më parë e humbi Adrianon, ndërsa trajneri Zico njihet si adhurues i Dinhos. Megjithatë, një raport tjetër në sportiven Blic Sport pohon se agjenti i Ronaldinhos, Roberto de Assis, është duke punuar në një skenar tjetër. Ai është në bisedime me Los Angeles Galaxy, për ta transferuar vëllain e tij në kampionatin amerikan, MLS.
Raymond Domenech Ende duken probleme të mëdha në shtabin e skuadrës së Francës, para ndeshjes së parë të Trikolorëve sot ndaj Uruguait.
L’Equipe njofton se përzgjedhësi Raymond Domenech nuk ishte aspak i kënaqur me sjelljen e Florent Maloudas në stërvitjen e së enjtes. Domenech mësohet t’i ketë thënë mbrojtësit Patrice Evras, t’ia përcjellë Maloudas vërejtjen për të mos luajtur me agresivitet, ndërsa fjalët e Evras nuk i kanë pëlqyen aspak Maloudas.
Pak pas, Domenech është detyruar të hyjë në fushë për të biseduar me Maloudan, duke e kërcënuar atë edhe me përjashtim nga stërvitja. Megjithatë, situata është qetësuar dhe duket se Malouda do të jetë pjesë e 11-shes startuese të Francës ndaj Uruguajit.
Natyrisht, zhvillimet e fundit shfaqin edhe njëherë tensionin në kampion francez, gjë që natyrisht nuk është pozitive për Les Bleus.
Skuadra nga Bundesliga, Bayer Leverkusen, ka pranuar se është e interesuar në mesfushorin Michael Ballack, i cili u la i lirë nga Chelsea pas skadimit të kontratës.
Ballack, i cili nuk do të luajë në Botëror, ka qenë njëherë futbollist i Leverkusenit nga viti 1999 deri në vitin 2002, ndërsa duket se mund të rikthehet në një nga skuadrat ku u ngrit si futbollist. Pos Bayer Leverkusenit për Ballackun janë të interesuar thuhet se janë edhe Wolsfburg dhe Real Madrid.
“Nuk dua që kjo të mbetet sekret, kur një lojtar si Michael Ballack, me këtë histori me ne, është në treg i lirë, atëherë ne mendojmë për të. Ballack ka kaluar kohë të mira këtu dhe ne kemi mbetur në kontakt përgjatë viteve”.
“Ne jemi të relaksuar për këtë, por Michael Ballack është një çështje me të cilën po merremi tani, që prej momentit kur ai ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Gjermani”, citohet të ketë thënë drejtori sportiv i Leverkusenit, Rudi Voeller për Express.
Milani duket se do të detyrohet të ndryshojë planet dhe të vihet në kërkim të një trajneri të ri, pasi presidenti i Cagliarit, Massimo Cellini, ka kërcënuar rosonerët se do të pengojë transferimin e Massimiliano Allegrit.
Cagliari ka shkarkuar Allegrin në prill, por ende është nën kontratë me skuadrën nga Sardenja deri në vitin 2011. Cellino është i hidhëruar në Allegrin, për arsye se ai beson që Allegri ka nënshkruar që moti kontratën me Milanin, që është dhe një nga arsyet e shkarkimit të tij.
“Allegri është trajner i Cagliarit. Jam i hidhëruar sepse ai u dorëzua. Ai e ktheu fundin e sezonit tonë në mediokritet, kur unë prita më shumë. Ai ka qenë në kontakt me Milanin më parë. Unë nuk jam i kënaqur dhe nuk e fsheh faktin se dua të hakmerrem. Unë mund ta mbajë atë këtu edhe një vit, kjo është një mundësi dhe nuk e përjashtoj këtë”, deklaroi Cellino.
Interi është duke vështruar mbrojtësin e krahut të djathtë të Lazios, Stephan Lichtsteiner, siç bën të ditur agjenti i lojtarit.
Kampioni i Italisë është vënë kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe opsion më të mirë e sheh Lichtsteiner, pasi do ta ketë vështirë të mbajë Maicon pas interesimit të vazhdueshëm të Real Madridit.
“Do të jem i sinqertë, Interi më telefonoi. Nuk jam takuar personalisht me drejtorin e Interit, Marco Branca, por nuk e mohoj që Lichtsteiner mund të kalojë te Interi. Është herët të nxirren përfundime, por e përsëris, kur Interi telefonon është vështirë të thuhet jo…”, theksoi Marco Lichtsteiner.
Legjenda holandeze e futbollit, Ruud Gullit, ka deklaruar se asi i Holandës, Wesley Sneijder, do të jetë ylli i Botërorit të sivjetmë.
“Holanda do të shkojë vërtetë larg nëse luan siç di më së miri. Skuadra ka një lojtar të veçantë si Sneijder…ai ka tru dhe do të jetë lojtari më i mirë i Botërorit. Sneijder gjithmonë ka qenë lojtar i madh. Florentino Perez gaboi që e shiti te Interi, gjithashtu gaboi që e shiti edhe Arjen Robbenin. Ai e bëri këtë dhe pendohet për këtë. Si mund t’i shitni lojtarë të tillë?”.
“Do të jetë një Botëror i mrekullueshëm, por për mua favorit është Spanja para të gjithë të tjerëve”, u shpreh Gullit për La Gazzeta dello Sport.
Nelson Mandela nuk do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Kampionatit Botëror, pas vdekjes tragjike të mbesës së tij pas një koncerti në Soweto të enjten mbrëma.
Zenani Mandela, 13 vjeçare, ishte vrarë në një aksident automobilistik pas koncertit, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në agjendën e Mandelas.
“Nelson Mandela këtë mëngjes mësoi se ka vdekur tragjikisht mbesa e tij, Zenani Mandela, në një aksident automobilistik. Do të ishte e papërshtatshme për të të merrte pjesë në ceremoninë hapëse të Botërorit. Ne jemi të sigurt se i gjithë opinioni mbarë botëror do të solidarizohet me zotëri Mandelan dhe tragjedinë në familjen e tij”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga fondacioni Nelson Mandela.
Botërori 2010 do të ngrejë siparin sot në orën 14:00 me një ceremoni gjigante në Johanesburg të Afrikës së Jugut, për të vijuar më pas me ndeshjen e parë të turneut ku vendi pritës do të luajë në stadiumin 94-mijë vendesh “Soccer City” kundër Meksikës. Dita e parë e Kupës së Botës do të mbyllet me sfidën tjetër, ku Franca do të përballet me Uruguain në orën 20:30.
Kjo është vetëm nisja e një turneu magjik, ku 32 skuadrat më të mira të talentit do të përballen mes tyre për të kërkuar në fund trofeun më të rëndësishëm të futbollit, Kupën e Botës, e cila do të dorëzohet më 11 korrik në finalen që do të zhvillohet në stadiumin ku ky kompeticion nisi, në “Soccer City” të Johanesburgut.
Thuajse të gjitha agjencitë e basteve kanë kuotuar Spanjën dhe Brazilin si dy skuadrat favorite për të fituar botërorin 2010, por skuadra si Anglia, Gjermania, Italia dhe Franca do të kërkojnë të tyrin trofeun e artë të futbollit botëror.
Në pritje të nisjes së topit të parë, organizatorët premtojnë se ky turne që do të zhvillohet për herë të parë në kontinentin afrikan do të jetë i magjishëm, ndërkohë që kanë marrë të gjitha masat që gjithçka të zhvillohet në siguri të plotë.
32 ekipe garojnë në ndeshjet finale, përfshirë Italinë, kampionin aktual të botës.
Mbrëmë, në një koncert festiv në Soueto, presidenti jugafrikan Jacob Zuma tha se Afrika, duke qenë mikpritëse e kampionatit, po i tregon botës se është e aftë të organizojë ngjarje të çfarëdo përmase. “Afrika e Jugut është shumë e lumtur që të mirëpresë Kupën Botërore FIFA 2010”, tha Zuma.
Përzgjedhësi i kombëtares së Italisë, Marcello Lippi, kërkohet nga klubi super-i pasur i Emirateve të Bashkuara Arabe, Al-Ahli.
Al-Ahli tashmë ka sjellë në radhët e veta kapitenin e Italisë, Fabio Cannavaro, nga Juventus, ndërsa ka bërë përpjekje për të transferuar edhe mesfushorin e Milanit, Rino Gattuso dhe kapitenin e Juves, Alessandro Del Piero.
Sky Italia shkruan se drejtues të Al-Ahli kanë kontaktuar me Davide Lippi, djalin dhe agjentin e trajnerit italian, për mundësinë që ai të marrë drejtimin e klubit. Lippi pritet ta marrë vendimin vetëm pas përfundimit të Kupës Botërore.
Streetball Kosova Logo Nesër në qendër të Prishtinës do të nisë për të dhjetin vit radhazi edicioni i njërës prej garave sportive më joshëse verore në Kosovë, Streetball Kosova.
Gara edhe këtë vit do të quhet “NLB Streetball Kosova® 2010”, sipas sponsorit gjeneral Bankës NLB Prishtina.
NLB Streetball Kosova® 2010 do të argëtojë sportdashësit me basketboll të kombinuar me muzikë, diell dhe zbavitje, për një muaj dhe do të vizitojë shtatë qendrat kryesore të Kosovës, duke filluar nga kryeqyteti të shtunën (12 qershor).
Në Prishtinë, Streetball Kosova do të zhvillohet para Teatrit Kombëtar, ndërsa një ditë më pas, të dielën, gara zhvendoset në Pejë, për të vazhduar vikendin e ardhshëm në Gjakovë (e shtunë, 19 Qershor) dhe Prizren (e diel, 20 Qershor).
Më 26 qershor (e shtunë) gara do të zhvillohet në Ferizaj dhe një ditë më pas në Gjilan, ndërsa do të përfundojë në vikendin e parë të korrikut.
Në Mitrovicë do të jetë gara e fundit ku do të përcaktohen tetë skuadrat më të mira vendore të cilat do të fitojnë të drejtën për të kaluara në Superfinalen e edicionit të 10-të jubilar, e cila sivjet zhvillohet në Gjilan (e diel, 4 korrik).
Trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, raportohet se dëshiron ta sjellë në Santiago Bernabeu ish-mesfushorin e Barcelonës, Thiago Motta.
As shkruan se Mourinho e ka futur edhe mesfushorin e Interit në listën e dëshirave të tij, që kryesohet nga Steven Gerrard i Liverpoolit dhe ylli i Romës, Daniele de Rossi.
Mourinho e sheh Mottan si një opsion për ta shoqëruar mesfushorin tjetër defansiv, Xabi Alonso. Nëse Motta arrin në Bernabeu, kjo do të sjell dyshime rreth qëndrimit të Lassana Diarra, Fernando Gago dhe Mahamadou Diarra.
Nëse transferohet në Real, Motta do të bëhej vetëm lojtari i tretë në histori që vesh fanellat e tre rialëve Barcelona, Atletico Madrid dhe Real Madrid. Deri tash këtë e kanë bërë vetëm dy lojtarë: Luis Miranda dhe Bernd Schuster.
Mesfushori Marek Hamsik thotë se ai planifikon të luajë me fanellën e Napolit edhe sezonin e ardhshëm.
Ylli i kombëtares sllovake ka mohuar se ai dëshiron të largohet nga klubi, pavarësisht interesimit të një varg të klubeve për të.
“Edhe Napoli edhe unë kemi dëshirë ta rinovojmë kontratën. Synimi është që të vazhdojmë këtë rrugë dhe të jemi protagonist në një ligë emocionuese”.
“Tash dua të shijoj një përvojë të veçantë (në Kupën Botërore). Pastaj do të rikthehem në shtëpi me fanellën blu për të përjetuar edhe një sezon të shkëlqyeshëm me Napolin”, ka thënë Hamsik.
Juventusi raportohet se është shumë afër arritjes së marrëveshjes me mbrojtësin e Arsenalit, William Gallas.
Francezi është pa kontratë në fund të këtij muaji dhe Juve dëshiron ta transferojë atë në Torino duke plotësuar kushtet e kërkuara nga lojtari, të cilat kushte Arsenali ka refuzuar t’i plotësojë.
La Stampa shkruan se Juve do t’i ofrojë Gallas kontratë dyvjeçare të vlefshme katër milionë euro si dhe bonuset në bazë të paraqitjeve dhe sukseseve. Burime të afërta me Gallas thonë se marrëveshja pritet të arrihet brenda disa ditësh.
Real Madridi ka arritur marrëveshje për kushtet personale me mbrojtësin e Lazios, Aleksander Kolarov, bëjnë të ditur mediat spanjolle.
Marca shkruan se Kolarov tashmë ka folur me trajnerin e ri të Realit, Jose Mourinho, i cili i ka siguruar atij vend në planet për sezonin e ri.
Reali ende ka nevojë të arrijë marrëveshje me presidentin e Lazios, Claudio Lotito, për shumën e dëmshpërblimit.
Lotito ka deklaruar më herët gjatë javës se për vlera nën 15 milionë euro nuk do të pranoj as të diskutojë.
Glen Davis ka treguar një lojë të shkëlqyeshme për të ndihmuar ekipin e tij Boston Celtics të mposhtë Los Angeles Lakers me rezultat 96-89 dhe për të barazuar në 2-2 serinë e ndeshjeve finale të NBA-së.
Davis shënoi 18 pikë në shtatë nga 10 tentimet e tij brenda 22 minutash, pasi u inkuadrua në ndeshje nga stoli. Paul Pierce me 19 pikë ishte më i sakti te ekipi vendas.
Kobe Bryant shënoi 33 pikë ndërsa Pau Gasol 21 pikë dhe 10 kërcime, por kampioni në fuqi nuk arriti të shënojë fitore.
Ndeshja e pestë mes tyre zhvillohet të dielën, edhe kjo në Boston Garden, para se seria të zhvendoset në Los Angeles për ndeshjen gjashtë dhe, nëse është e nevojshme edhe të shtatën.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard thotë se ndjehet shkëlqyeshëm fizikisht dhe mentalisht dhe shpreson të tregojë paraqitje të qëndrueshme gjatë Botërorit.
“Të gjithë lojtarët në këtë ekip pranojnë se kjo është një shkallë ku çdokush dëshiron të dëshmojë se ata mund të jenë top lojtarë. Unë kam treguar shenja se mund t’ia dal në këtë nivel duke shënuar gola dhe duke treguar paraqitje vendimtare”, ka thënë mesfushori anglez.
“Por a mund të kem paraqitje të qëndrueshme në çdo ndeshje në një garë të madhe? Kjo është ajo që synoj. Fizikisht jam në formë të mirë. Mentalisht jam mirë. Mezi pres të fillojë”, ka thënë Gerrard.
Valencia ka zbuluar se ka nënshkruar me sulmuesin e Getafe, Roberto Soldado.
Pavarësisht gjendjes jo të favorshme financiare, Valencia ka vendosur të harxhojë ca para të siguruara nga shitja e David Villa dhe Nikola Zigic, duke transferuar Soldado për një shumë që thuhet të jetë rreth 10 milionë euro.
Pasi ka shënuar 16 gola në ligë sezonin e kaluar, shumica presin që 25-vjeçari të lehtësojë mungesën e Villas.
“Kam ardhur në Valencia me gjithë entuziazëm. Nuk jam këtu për të zëvendësuar dikë. Jam për të bërë punën time”, ka thënë Soldado.
Sipas spekulimeve të mediumeve amerikane, Ronaldinho është shumë pranë transferimit te La Galaxy.
Thefinalthird.com spekulon se agjenti i brazilianit, Roberto De Assis, është në bisedime me klubin nga MLS. Thuhet se Ronaldinho do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me La Galaxyn, e vlefshme 6 milionë dollarë në sezon, ndërsa konfirmimi zyrtar pritet të bëhet në fund të qershorit apo në fillim të korrikut.
Ronaldinho nuk ka pranuar kontratë të re nga drejtuesit e Milanit dhe zhgënjimi për mos ftesë në Botëror, mund të jenë shkaqet që Dinho mund të kërkojë ndërrim ambienti.
Mesfushori i Interit, Thiago Motta, nuk është i bindur se ish-menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, është zgjedhja e duhur për të zëvendësuar Jose Mourinhon e larguar.
“Te Interi, Rafa do të gjejë një ekip të mirë që po e pret atë, një ekip që është gati të ripërsërisë tripletën e vitit të kaluar”.
“Nuk e di nëse për momentin ai është zgjedhja më e mirë për Interin. Ai natyrisht është trajner i madh që e ka treguar veten te Valencia dhe Liverpooli, ku luftoi për qëllimet e tij”, tha Motta për Sky Sport Italia.
Benitez nënshkroi të enjten një kontratë dyvjeçare, ndërsa mediave pritet t’u prezantohet të martën.
Anësori i Benficas, Angel Di Maria, ka shprehur publikisht dëshirën e tij për të kaluar te Real Madridi, pasi Los Blancos janë treguar të interesuar në argjentinasin.
“Është e bukur që Mourinho ka kërkuar shërbimet e mia dhe ka thënë se më dëshiron, kjo më bën më të qetë dhe jam i lumtur sepse unë do ta kem mundësinë të shkoj te Real Madridi, nëse Zoti e do këtë”.
“Do të ishte shumë e bukur për mua të shkoj te Real Madridi. Tani jam i qetë dhe po mendoj vetëm për kombëtaren, kam disa ndeshje para meje dhe më pas shohim çfarë ndodh me të ardhmen. Unë nuk kam biseduar me askënd për këtë çështje, nuk di asgjë, mendja ime është në kombëtare dhe dua të mendoj vetëm për Botërorin. Më pas do të shohim”, deklaroi Di Maria për EFE.