Sipas mediumeve spanjolle, Steven Gerrard është fare pranë nënshkrimit me Real Madridin e Jose Mourinhos.
Burimet spanjolle kanë pohuar për tabloidet britanike dhe sportivet spanjolle se Jose Mourinho mendon seriozisht të bëjë një ofertë prej 50 milionë funte për Gerrard, por do të presin rezultatin e takimit Dalglish-Gerrard.
Legjenda e Liverpoolit Kenny Dalglish është në Afrikën e Jugut për t’u takuar me Steven Gerrard dhe për ta bindur atë të qëndrojë te Liverpooli, tentim që sipas pritjeve do të jetë i dështuar sepse oferta për të do të jetë e parrefuzueshme për hierarkinë e Anfield.
Qendërmbrojtësi meksikan, Rafael Marquez, ka thënë se planet e tij janë që ai të qëndrojë te Barcelona.
31 vjeçari është lidhur me një largim nga Camp Nou, pas një sezoni ku nuk luajti shpesh. E ardhmja e Marquez varet edhe nga fakti se kush i fiton zgjedhjet presidenciale të Barcelonës të shtunën e ardhshme.
“Është e vërtetë sepse unë nuk kam luajtur shumë sezonin e fundit, por të shohim çfarë do të kërkojë klubi dhe trajneri, nëse ata janë të interesuar që unë të qëndroj apo jo. Unë kam pasur shumë oferta për t’u larguar, por unë dua të qëndroj te Barca. Kam qenë këtu për shtatë vjet. Do ishte nder për mua të vazhdoja te Barca. Kam edhe dy vite në kontratë dhe jam i lumtur me këtë ekip”, u shpreh Marquez.
Përzgjedhësi i Holandës, Bert van Marwijk, ka deklaruar se anësori Arjen Robben nuk do të luajë në ndeshjen e parë të Holandës ndaj Danimarkës në Botërorin e sivjetmë.
Superylli holandez është rikuperuar nga dëmtimi i pësuar më parë, por përzgjedhësi Van Marwijk nuk dëshiron të dëgjojë dhe nuk do ta rrezikojë lojtarin e tij kryesor.
“Ne duhet të shmangim ndonjë zgjerim të mundshëm të lëndimit, sidomos pasi Arjen Robben nuk është stërvitur tre javët e fundit”, theksoi van Marwijk, duke shtuar se Robben do të jetë i gatshëm për ndeshjet tjera të fazës grupore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë befasinë, duke ndaluar me barazim 1-1 njërën nga kombëtaret favorite të Kupës së Botës, Anglinë.
Të zgjedhurit e trajnerit Fabio Capello kaluan në avantazh të hershëm kur pas një asistimi të Emile Heskey, Steven Gerrard u gjend shumë mirë në zonë për të dërguar topin në rrjetën e portierit Tim Howard.
Megjithatë, pavarësisht epërsisë, anglezët nuk treguan lojë të qëndrueshme gjatë pjesës së parë dhe humbën edhe avantazhin pesë minuta para pauzës. Pas një goditje të lehtë të Clint Dempsey, portieri Robert Green reagoi dobët duke lejuar topin t’i rrëshqasë nga dora dhe të përfundojë në rrjet, që solli barazimin e rezultatit.
Në pjesë të dytë trajneri Capello reagoi duke inkuadruar Jamie Carrager në vend të Ledley King, që megjithatë nuk ndryshoi diçka në mënyrën e lojës së anglezëve e që vazhduan të vuajnë edhe në fillim të kësaj pjese.
Emile Heskey keqpërdori një rast të mirë në minutën e 51-të, kur goditja e tij përfundoi në duart e portierit Howard, ndërsa amerikanët po ashtu patën një rast të mirë shënimi me anë të Jozy Altidore, që u mbrojt kësaj here nga Green (65').
Anglezët treguan një lojë më agresive në pjesën e fundit të ndeshjes. Wayne Rooney për pak sa nuk befasoi portierin amerikan me anë të një goditje nga largësia në minutën e 74-të të ndeshjes, ndërsa një minutë më pas edhe Shaun Right-Philips huqi nga afërsia. Por, as inkuadrimi i shtatlartit Peter Crouch në 10 minutat e fundit të ndeshjes nuk solli ndonjë ndryshim rezultati.Në grupin C së bashku me Anglinë dhe SHBA-të ndodhen edhe Algjeria dhe Sllovenia, që do të përballen nesër në stadiumin Peter Mokaba në Polokwane.
Mesfushori i Italisë, Gennaro Gattuso, ka konfirmuar se ai nuk do të luajë më për kombëtaren e Italisë pas përfundimit të Kampionatit Botëror.
Gattuso do të luajë në Botërorin e tij të tretë, ndërsa mendon se i ka ardhur koha t’i varrë këpucët e kombëtares Azzure.
“Pas Botërorit të sivjetmë në Afrikën e Jugut, unë nuk do të luajë më në kombëtaren italiane. Unë jam 33 vjeçar dhe për rolin të cilin e kam, mendoj se është koha e duhur që t’u jap më shumë hapësirë atyre të cilët kanë më shumë energji. Por, ëndrra ime është që një ditë të drejtoj Italinë në ndonjë Botëror”, deklaroi Gattuso.
Roy Hodgson nuk ka ndërmend të largohet nga Fulhami për të marrë në drejtim Liverpoolin.
Menaxheri i skuadrës nga Craven Cottage është i pari në listën e Liverpoolit pas largimit të Rafa Benitezit. Por, një burim shumë i afërt me Hodgson ka deklaruar për Hammersmith Chronicle se menaxherit anglez nuk i intereson Liverpooli.
“Askush nga Liverpooli, ose njeri i afërt me ta nuk ka biseduar me Roy Hodgson dhe ai është tejet i nervozuar me faktin që e lidhin me Liverpoolin, sepse ai nuk është i interesuar në atë klub”, theksoi burimi.
Steven Gerrard ka shprehur kënaqësinë e tij që ia nënshkroi fanelën atletit Usain Bolt, duke thënë se ai inspirohet nga xhamaikani.
“Kam ndëgjuar se Usain Bolt është një tifoz i madh i futbollit dhe ishte vërtetë emocionuese për mua që ma kërkoi fanelën time. Jam i zhgënjyer që nuk e kam shpejtësinë e tij. Usain Bolt është një atlet të cilin vërtetë e shikoj”.
“Është frustruese që ai është tifoz i Manchester Unitedit. Unë i kam thënë që të vijë në një nga stërvitjet e kombëtares angleze, por tani skam si t’ia përkujtoj. Ai është fitues, inspirim dhe dikush që më pëlqen ta shikoj”, tha Gerrard për The Sun.
Gabriel Heinze ka shënuar një gol të hershëm për të ndihmuar Argjentinën të shënojë fitore minimale në ndeshjen e parë të tyre në Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010, përballë Nigerisë.
Goli i vetëm erdhi në minutën e gjashtë të ndeshjes së zhilluar në stadiumin Ellis Park në Johannesburg. Pas një harkimi nga këndi të Juan Veron, Heinze u gjend shumë mirë duke shënuar me kokë në portën e Vincent Enyeama.
Lionel Messi ishte në një formë të shkëlqyeshme derisa Argjentina dominoi ndeshjen dhe krijoi shumë raste të tjera, por nuk arriti të konkretizojë asnjërin, me portierin nigerian që bëri një mori mbrojtjesh të shkëlqyeshme.
Gonzalo Higuain po ashtu pati disa raste të mira shënimi, por nuk arriti të përfundojë me sukses asnjërin. Nigeria në anën tjetër gëzoi një posedim ca më të madh të topit në minutat e fundit të ndeshjes, por nuk arriti të nxjerrë barazim në këtë ndeshje.
Pavarësisht fitores, Argjentina do të renditet në pozitën e dytë të tabelës së grupit B, me tre pikë sa ka edhe Koreja Jugore e cila ndodhet në pozitën e parë të tabelës, pas fitores 2-0 ndaj Greqisë në ndeshjen e mëhershme.
Mbrojtësi i Benficas, David Luiz, ka deklaruar se do të ishte e vështirë t’i thuhet jo një skuadre si Real Madridit, nëse Los Blancos do ta kërkonin atë.
“Unë jam shumë i impresionuar nga këto gjëra. Reali dhe Benfica janë nga klubet më të mira të botës. Unë dua të mbaj në mend se duhet ta jetoj çdo ditë, ju nuk mund ta jetoni ëndrrën nëse nuk punoni çdo ditë me përkushtim”.
“Reali është emri në gojën e të gjithë fëmijëve në botë. Është maja, institucioni më i mirë në histori pa kurrfarë dyshimi, një klub fanella e të cilit ka prekur historinë dhe që lojtarët duan ta veshin atë. Shikoni te Kaka dhe Ronaldo, të cilët janë lojtarët më të mirë në botë dhe të cilët kanë aq uri dhe vullnet për ta veshur atë fanellë”.
“Nëse Benfica dëshiron të më shesë, atëherë pse jo? Jam krenar që po lidhem me Realin. Kush do t’i thoshte jo?”, deklaroi Luiz për AS.
Nëse Diego Milito do të transferohet te Real Madridi, atëherë Interi do ta kthente vëmendjen kah sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez.
Milito kohëve të fundit po flitet se mund të largohet nga Interi, me presidentin Massimo Moratti që nuk mohoi një gjë të tillë. Tevez nuk ka marrëdhënie të mira me Roberto Mancinin, ndërsa është në kërkim të ndonjë skuadre të re.
Nëse Milito largohet në drejtim të Realit për 40 milionë euro, atëherë po të njëjtat para do të shfrytëzoheshin për ta transferuar sulumuesin Tevez, mirëpo problem mbetet përsëri Mancini, që mund të jetë pengesë për klubin që e shkarkoi dy vite më parë.
Sipas mediumeve italiane, Silvio Berlusconi ka kërkuar nga Adriano Galliani që t’i shesë lojtarët për të rritur fondet e transferimeve, në mënyrë që klubi të investojë në lojtarë tjerë të rinj.
Telelombardia njofton se Berlusconi ka biseduar me Gallianin në telefon, me ç’rast i ka thënë se duhet të mendohet tri herë para se të bëjë një investim të madh. Me buxhetin aktual Galliani nuk mund të arrijë shumë në merkato.
Berlusconi kërkon t’i largojë lojtarët me paga të larta, pasi që vetëm për pagesat e lojtarëve, Milani shpenzon 86 milionë euro në sezon. Kaladze, Jankulovski dhe Oddo do ta shohin me sy sëpatën e Berlusconit nëse nuk largohen me vetëdëshirë. Madje edhe e ardhmja e Ronaldinhos është në dyshim, për shkak se braziliani nuk kërkon shkurtim të pagës.
Los Angeles Galaxy është duke shfaqur interesim për sulmuesin francez të Juventusit, David Trezeguet, gjithnjë sipas La Gazzeta dello Sport.
Pasi është lidhur me një transferim të Ronaldinhos më herët, La Galaxy tash spekulohet se është drejtuar kah ‘Trezegol’. Atij do t’i ofrohet një kontratë luksoze, pasi Juventusi nuk e dëshiron më në skuadër.
Megjithatë, sipas agjentit të Trezeguet, Antonio Caliendo, Al-Ahli ishte shumë pranë transferimit të Trezeguet, duke paralajmëruar se skuadra arabe e ka në plan të marrë pothuajse të gjithë lojtarët e Juventusit.
Manchester City është duke planifikuar që të lëkundë rivalin e përbetuar, Manchester United, me një ofertë për mbrojtësin Nemanja Vidic.
The Sun shkruan se City dëshiron të lansojë një ofertë në vlerën e 20 milionë funteve për të marrë Vidicin në anën tjetër të qytetit të Mançesterit.
Vidic nga ky kalim do të përfitonte 115 mijë funte në javë dhe ky transferim do ishte i mundur për shkak të marrëdhënieve jo të mira të serbit me Fergusonin.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka pranuar se ekipi i tij mund të humbasë disa prej yjeve më të spikatur të suksesit të sezonit të kaluar, ndërsa ai po shqyrton mundësinë për kryerjen sa më të mirë të biznesit me skuadrat e pasura evropiane.
“Nëse unë do të mendoja si tifoz, atëherë ndoshta do të thosha se duhet të ripërtërijmë skuadrën. Sidoqoftë, unë duhet të bëj disa vlersime nga ana e biznesit dhe natyrisht ne do të duhet të sakfirikojmë së paku një lojtar. Kjo do të bëhet”, theksoi Moratti.
Për transferimet që pritet të vijnë, Moratti ka shtuar se duhet të bisedojë njëherë me Benitezin, në mënyrë që ky i fundit t’ia tregojë listën e lojtarëve që i dëshiron.
Koreja Jugore ka shënuar fitoren e parë në Botërorin e sivjetmë, Afrika e Jugut 2010, pasi mposhti Greqinë me rezutlat 2-0.
Në ndeshjen e zvhilluar në Nelson Mandela Bay, jugkoreanët dominuan ndaj ekipit të drejtuar nga gjermani Otto Rehhagel si në posedim po ashtu edhe në raste. Korea po t’i konkretizonte rastet, do të mund të fitonte me rezultat edhe më të thellë.
Fillimisht, pas një harkimi të bukur nga gjuajtja e lirë, Jung-Soo Lee shënoi golin e parë për Korenë nga afërsia (7’), pas reagimit të tmerrshëm të mbrojtjes greke.
Në pjesën e dytë, vetëm sa u vërtetua dominimi i Koresë së Jugut. Ji Sung Park dyfishoi epërsinë kur u gjend përballë portierit Alexandros Tzorvas (52’), me ç’rast vulosi fitoren e aziatikëve në këtë takim.
Korea e Jugut me këtë fitore përkohësisht do të gjendet në pozitën e parë të grupit B me tri pikë, ndërsa Greqia do ta ketë të vështirë të mposhtë Nigerinë dhe Argjentinën për të siguruar ndonjë kualifikim eventual.
Kapiteni i Manchester Cityt, Kolo Toure, thotë se nuk ka pasur zgjidhje më të mirë për të drejtuar kombëtaren e Bregut të Fildishtë se Sven Goran Eriksson.
“Ne nuk mund të kishim një më të mirë në detyrë. Ai e di se çfarë jemi në gjendje ne të bëjnë, çfarë fuqie kemi dhe në cilat dobësi duhet të përmirësohemi”.
“Ai është një menaxher i klasit botëror, një prej më të mirëve në botë. Ne kemi një shans të madh dhe një menaxher të shkëlqyeshëm. Ndoshta shihemi si jofavoritë, por mund t’ia dalim”, ka thënë Toure.
Andres Iniesta Mesfushori i Spanjës, Andres Iniesta, ka tejkaluar lëndimin e tij në kofshës dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të Botërorit, ndaj Zvicrës.
Iniesta ishte nxjerrë nga loja në fund të pjesës së parë ndaj Polonisë, ndërsa AS raporton tani se ylli i Barcelonës është stërvitur vet të premten dhe do të riaftësohet me kohë për ndeshjen ndaj Zvicrës në Durban.
Iniesta e ka deklaruar veten të gatshëm për ndeshjen ndaj Zivcrës, por Del Bosque nuk do të merr ndonjë vendim deri pak para fillimit të takimit.
Nwankwo Kanu Kapiteni i Nigerisë, Nwankwo Kanu, ka përgënjështruar pohimet e Maradonës, që thoshte se Nigeria do të përdorë taktika agresive për të mposhtur yjet e Argjentinës.
“Ne jemi këtu për të luajtur futboll. Nuk do të jetë një ndeshje ndryshe nga të tjerat. Ne jemi ushtarë, por ne do të luajmë futboll. Për ne kjo është futboll. Ne do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona për të fituar. Është mirë kur luani në një vend afrikan sepse e dini se çfarë ju pret. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, ne nuk do t’ua bëjmë atyre të lehtë”.
“Unë mendoj se presioni është mbi ta. Ne vetëm duhet të shkojmë dhe të kënaqemi me futbollin tonë. Ata duhet të kenë kujdes nga sulmuesit tanë. Ne kemi sulmues të mirë, ashtu sikurse ata dhe sot do ta tregojmë këtë”, deklaroi Kanu.
Sulmuesi i Argjentinës, Gonzalo Higuain, e ka etiketuar kombëtaren e Spanjës si më të fortën në botë dhe ka pranuar se ajo është favorit kryesor për titull e kampionit të botës në Afrikën e Jugut.
“Spanja aktualisht luan futbollin më të mirë. Por, një Botëror është një gjë ndryshe. Megjithatë Spanjën e konsideroj favorit për titull”, theksoi Higuain.
“Shpresoj se ne do ta fitojmë trofeun dhe ta kthejmë atë në Argjentinë. Ne e dimë se do të jetë e vështirë sepse klubet më të mira të botës janë atje. Gjithçka që do të bëjmë do të jetë praktikisht e përkryer nëse dëshirojmë ta fitojmë titullin”, përfundoi argjentinasi.
Mbrojtësi italian Fabio Cannavaro ka mohuar spekulimet se përzgjedhësi i kombëtares italiane, Marcello Lippi, do t’i bashkohet atij në Al-Ahli.
Lippi do të jetë i lirë nga posti pas përfundimit të Botërorit dhe e ardhmja e tij është e paqartë. Së fundi mediat e lidhën atë me kalim në klubin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Al-Ahli, me të cilin ka nënshkruar Cannavaro.
“E kam lexuar edhe unë dhe më ka bërë të qesh. Nuk kam nevojë të bind askënd. Në Dubai ka det, është nxehtë, do të ishte po ashtu shkëlqyeshëm për Lippin”.
“Por besoj se ai ende duhet të vendosë. Nuk mendoj se ai ka zgjedhur nëse do të vazhdojë me angazhim dhe ku do të vazhdojë pas Kupës Botërore”, ka thënë Cannavaro.
Aston Villa raportohet se është e interesuar të transferojë mesfushorin e West Ham United, Scott Parker.
The Times shkruan se West Hami është i gatshëm ta shesë çdo lojtar me përjashtim të Parker, edhe pse e ardhmja e mesfushorit po ashtu është e pasigurt me shumë klube të interesuara.
Menaxheri i Aston Villas, Martin O’Neill, do të kërkojë Parker-in vetëm nëse ata e shesin mesfushorin tjetër James Milner, për të cilin ka shprehur interesim Manchester City.
Kampionati gjerman i futbollit mund të jetë destinacioni i ardhshëm i mbrojtësit të lirë të Manchester Cityt, Sylvinho.
Ish-lojtarit të Barcelonës dhe Arsenalit nuk iu vazhdua kontrata në City, ku ai arriti në janar dhe si lojtar i lirë ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve.
Siç raporton Daily Mail, 36-vjeçari është cak i një varg klubesh nga Gjermania, pasi ende nuk është i gatshëm të heqë dorë nga loja aktive.
Lionel Messi dhe Diego Maradona Diego Maradona ka shprehur besimin e tij se Lionel Messi do të mund të shfaqë paraqitje të njëjtë sikur ai, apo të luajë edhe më mirë se ai, në mënyrë që të ndikojë në progresin e kombëtares.
“Do të kisha dëshirë ta shihja atë të ketë të njëjtin ndikim sikur unë në Botërorin e vitit 1986. Por, unë mendoj se prapa Lionel Messit është një ekip i tërë që duhet ta mbështesë atë dhe që do ta bëjë atë ‘qershi mbi tortë’”.
“Por, në ekipin e vitit ’86 dhe në atë që u arrit, nuk ishin ndikues vetëm sulmuesit edhe pse ata shënuan golat. Unë shpresoj dhe i dëshiroj Messit nga thellësia e zemrës një Botëror sa më të mirë dhe paraqitjen më të mirë të të gjitha kohërave. Messi e di mjaft mirë se ai mund të jetë vendimtar dhe se nuk ka hapësirë për gabime”, deklaroi Maradona për AFP.
Fabio Capello Përzgjedhësi i kombëtares Angleze, Fabio Capello, ka deklaruar se caku i tij është të arrijë në finalen e Kupës së Botës.
Në prag të takimit të sotëm përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Capello beson se ekipi i tij është i aftë ta fitojë edhe finalen.
“Anglia është e gatshme për këtë ndeshje. Ndeshja e parë gjithmonë është e vështirë për shkak se niveli i pritjeve vërtet është i lartë. Por ne kemi qenë këtu tetë ditë, stërvitjet kanë shkuar shumë mirë dhe kemi vetëbesim”.
“E dimë nivelin e pritjeve nga tifozët. Por jam i sigurt se ekipi mund të arrijë deri në finale. Vërtet besoj se kemi një ekip që mund t’ia dalë deri në finale”, ka thënë Capello.
Frank Lampard Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se ai ka udhëtuar në Afrikën e Jugut me formën më të mirë në karrierën e tij.
Lampard shënoi 32 gola sezonin e kaluar, me Chelsean dhe me kombëtaren angleze dhe mendon se ky edhe ka qenë sezoni më i mirë i tij në karrierë.
“Sezonin e kaluar mendoj se loja ime, duke marrë parasysh golat, ka qenë më mirë se kurdoherë deri tash. Pjesa e parë ishte e ngadalshme, por pjesën e fundit të sezonit do ta mbaj mend si më të mirën”.
“Mendoj se kam treguar progres të qëndrueshëm dhe shpresoj kjo të vazhdojë. Nuk dua të them nëse e kam arritur kulmin tim. Çdo sezon dua të përmirësohem. Unë jam kritikuesi më i madh i vetes time dhe shumicën e viteve jam përmirësuar. Tash jam 31-vjeçar, por ende shpresoj për më shumë”, ka thënë Lampard.
Klubi portugez Benfica thotë se ende nuk ka pranuar asnjë ofertë nga Reali i Madridit për anësorin argjentinas Angel di Maria.
“Nuk ka oferta deri tash të cilat janë bërë nga ndonjë klub, as nga Real Madridi, ndonjë kompani tjetër, biznesmen ose ndonjë ndërmjetësues për Angel Di Maria”.
“Ne nuk jemi të informuar as për ndonjë negociatë që po zhvillohet për të. Për më tepër, ne jemi informuar për interesimin e klubeve tjera vetëm përmes mediave”, shkruhet në një deklaratë zyrtare të klubit.
Menaxheri gjeneral i Barcelonës, Joan Oliver, edhe një herë ka mohuar se kampioni i Spanjës dëshiron ta shesë sulmuesin Zlatan Ibrahimovic.
Suedezi është lidhur me një largim nga Barcelona me Pep Guardiolën që raportohet se ka thënë dritë të gjelbër për shitjen e tij. Në mesin e klubeve të interesuara është përmendur Manchester City, por Oliver ka mohuar largimin e tij.
“Ai (Ibrahimovic) nuk është në shitje. Ne as nuk kemi pranuar asnjë ofertë formale”, ka thënë Oliver për El Mundo Deportivo.
Kampioni i Italisë dhe Evropës, Interi, raportohet se është duke u interesuar për të transferuar në Giuseppe Meazza mbrojtësin e Arsenalit, Bacary Sagna.
The Times shkruan se Interi i Rafa Benitez është duke monitoruar Sagna gjatë Kupës së Botës që zhvillohet në Afrikën e Jugut.
Francezi është duke u analizuar nga Benitez si një zëvendësim i mundshëm për Douglas Maicon, i cili pritet të largohet këtë verë në drejtim të Real Madridit.
Krahas Sagna, Inter së fundi është lidhur edhe me një transferim të mbrojtësit të Liverpoolit, Glen Johnson.
Gjiganti anglez Manchester United raportohet se ka shprehur interesim për të transferuar mbrojtësin e Palermos, Simon Kjaer.
Sipas The Sun, menaxheri Sir Alex Ferguson mendon të ofrojë 10 milionë funte për lojtarin e Palermos, të cilin e sheh si zëvendësim të mundshëm për Nemanja Vidic.
Danezi shihet si një prej mbrojtësve më të mirë në kampionatin italian dhe është lidhur me një kalim edhe në rivalin tjetër të United, Manchester City.
Raymond Domenech Franca e filloi fushatën e saj në Botërorin e sivjetmë me një barazim zhgënjyes pa gola ndaj Uruguait, ndërsa përzgjedhësi nën zjarr, Raymond Domenech u shpreh pas takimit se ka pritur më shumë nga ky takim.
“Me respekt për ndeshjen, ishte frustruese. Ne e kërkuam momentin, por ne gjithashtu nuk dëshironim të pranonim gol”.
“Ishte tensionuese, por kishte diçka. Ne patëm ritëm. Ne e shtrimë dominimin që prej se Uruguai e bllokoi lojën. Ata na ndaluan të luajmë”, ka thënë pas takimit Domenech.
Valon Behrami (majtas) dhe Ottmar Hitzfeld (djathtas) Përzgjedhësi i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, ka deklaruar se ekipi i tij mund të kualifikohet në fazën e eliminimit direkt të Botërorit, ndërsa e ka përcaktuar Gjermaninë si një nga gjysmëfinalistët e kompeticionit.
“Spanja aktualisht është një nga ato ekipet e jashtëzakonshme sot në botë. Ata janë favoritët për titull. Përkundër këtij fakti, ata janë nën presion. Është vështirë kur favoritët e nisin garën me pritje të mëdha dhe ne shpresojmë të përfitojmë nga kjo. Qëllimi ynë është të arrijmë në fazën 1/8 të finales. Ky do ishte sukses, por nëse këtë e arrijmë, mund të përcaktojmë qëllime tjera”.
“Gjermania nga ana tjetër duhet të përdorë përvojën për të shtrirë ndikimin e saj. Sido që të jetë, Joachim Loew do të bëjë një ekip të fortë dhe Gjermania do të jetë në gjysmëfinale”, u shpreh Hitzfeld.
Në ekipin e Zvicrës gjenden edhe tre shqiptarë, Valon Behrami, Albert Bunjaku dhe Xherdan Shaqiri.
Sulmuesi më i mirë spanjoll, David Villa, ka deklaruar se statusi i Spanjës si favorit për ta fituar Botërorin për të nuk do të thotë asgjë, ndërsa nga ana tjetër në një sondazh të Marca ai u votua si golashënuesi më i mirë i Botërorit.
“Të jesh favorit nuk do të thotë asgjë për ne. Se a jemi vërtet favoritë, këtë do ta tregojmë në fushë dhe jo në deklarata”, citohet të ketë thënë Villa.
Në një sondazh të Marca, tifozët spanjollë e votuan David Villan si futbollistin që do të jetë golashënuesi më i mirë i Botërorit, me gjithsej 39.7 %. Villa pasohet nga Messi me 18.6 % dhe nga Ronaldo me 9.6 %.
David Villas i duhen edhe gjashtë gola për të barazuar rekordin e legjendës Raul prej 44 golash dhe për t’u bërë golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares spanjolle. Sulmuesi i Barcelonës këtë do ta bëjë me pothuajse gjysmën e paraqitjeve të Raul (58 Villa kurse Raul 102), ndërsa ka një mesatare prej 0.655 gola për ndeshje në krahasim me Raulin që ka një mesatare prej 0.431 gola për ndeshje.