Gjermania e ka filluar në mënyrën më të mirë Kampionatin e sivjetmë Botëror, duke shënuar fitore të thellë prej 4-0 kundër Australisë.‘Mannschaft’ dominuan përballë ‘kangurëve’ duke i nëpërkëmbur në tërësi gjatë pjesës së parë, si dhe në pjesën më të madhe të fraksionit të dytë të lojës.
Lukas Podolski filloi serinë e golave duke realizuar një gol të bukur nga distanca (8’). Pas disa rasteve që pati, më në fund Miroslav Klose arriti të shënojë për të dyfishuar epërsinë (27’) dhe për të vendosur rezultatin e pjesës së parë.
Australianët e filluan më mirë pjesën e dytë, mirëpo gjërat i përkeqësoi Tim Cahill, i cili u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje në Bastian Schweinsteiger (56’).
Pas epërsisë numerike në fushë dhe lojës së bukur, gjermanët nuk e patën të vështirë të realizonin edhe gola të tjerë.
Thomas Muller shënoi golin e tretë për Gjermaninë, derisa Cacau realizoi për rezultatin 4-0, vetëm dy minuta pasi u inkuadrua në fushë (70’).
Pas kësaj fitoreje Gjermania pozicionohet në vendin e parë në Grupin D, me pikë të barabarta me Ganën, që më herët mposhti Serbinë.
Sulmuesi i Ganës, Asamoah Gyan, ka lëvduar paraqitjen e ekipit të tij në fitoren minimale ndaj Serbisë, me golin e vetëm të shënuar nga ai nga pika e bardhë.“Kjo fitore është e rëndësishme. Ne i morëm tre pikët dhe të gjithë janë të lumtur. Ne e dimë çfarë do të bënin serbët. Ata luajnë me topa të gjatë, por taktikisht sot ishim të përkryer. Të gjithë janë të lumtur për ne dhe secili afrikan është i lumtur. E gjithë Afrika është prapa yjeve të zeza”, deklaroi Gyan.
Gana me këtë fitore ia siguron vetes komoditetin e liderit në grupin në të cilin gjendet edhe favoriti Gjermania.
Diego Armando Maradona ka paralajmëruar rivalët e tij se skuadra e tij Argjentina, është në gjendje të mposhtë secilën kombëtare që do t’i dalë përpara, por theksoi se nuk është magjistar.Nëse Maradona fiton Botërorin, atëherë ai bëhet trajneri i dytë pas Franz Beckenbauerit që e fiton Kupën e Botës edhe si lojtar edhe si trajner, krahasim që nuk i pëlqeu ‘El pibe de Oro’.
“Mirë, unë nuk jam si ai, nuk dukem si Beckenbauer e as që dua. Të them se do të barazohem me të, atëherë do të bëja një parashikim. Unë do të doja ta kisha një top të kristaltë dhe të isha magjistar, por nuk jam magjistar, jam trajner”.
“Ne duhet të përmirësojmë shumë gjëra për të arritur në finale, por mendoj se njerëzit tanë bënë punë të mirë. Padyshim se kur luani në Botëror, fitimi i ndeshjes së parë ju bën të jeni më të qetë për ndeshjen e ardhshme. Frika nuk ekziston në futboll, ata që kanë frikë duhet të qëndrojnë në shtëpi, kurrë nuk duhet të ndjehen të frikësuar”, deklaroi Maradona.
Piloti i McLarenit, Lewis Hamilton, ka fituar garën për Çmimin e Madh të Kanadasë, me kohë 1.33.53.456, duke dalë para kolegut të tij Jenson Button.I treti u rendit spanjolli Fernando Alonso, i përcjellë nga Vettel që doli në pozitën e katërt.
Padyshim se zhgënjimi i ditës ishte Michael Schumaher që doli në vendin e 11-të, ndërsa Felipe Massa zhgënjeu edhe më shumë me pozitën e 15-të.
Në konkurrencën e konstruktorëve prinë ende McLaren që garë pas gare është duke e thelluar epërsinë ndaj konkurrentëve të saj.
Skuadra turke Besiktas ka kompletuar transferimin e vlefshëm 7.3 milionë euro të anësorit të Interit, Ricardo Quaresma, bën të ditur faqja zyrtare e klubit turk.Quaresma që u transferua tek Interi në vitin 2008 nga Porto për 18.6 milionë euro, konsiderohet si një nga transferët më të dështuar të Interit brenda kësaj dekade.
Kjo lëvizje e klubit turk vjen pak ditë pas nënshkrimit me gjermanin Bernd Schuster, që u emërua trajner i Besiktasit.
Takimi i parë i Grupit D i zhvilluar në stadiumin Loftus Versfeld në Pretoria, ndërmjet Ganës dhe Serbisë, ka përfunduar me rezultat 1-0 në favor të skuadrës afrikane.Të dyja skuadrat zhvilluan një lojë të dobët duke zhgënjyer dashamirët e Kampionatit Botëror, e sidomos tifozët e pranishëm në stadium.
Moment për t’u përmendur ishte përjashtimi i Aleksandar Lukovic (74’) pas kartonit të dytë të verdhë. Mirëpo, edhe përkundër epërsisë numerike në fushë, Gana e pati të vështirë të tregohej skuadër e rrezikshme në minutat e mbetura.
Ndërkohë, falë një prekje të topit me dorë nga Zdravko Kuzmanovic brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, u akordua penallti në favor të Ganës, të cilën e shndërroi në gol Asamoah Gyan.
Pas kësaj fitoreje, Gana kryeson Grupin D me tre pikë, para zhvillimit të takimit ndërmjet Gjermanisë dhe Australisë.
Përzgjedhësi i SHBA-ve, Bob Bradley, ishte i kënaqur me mënyrën se si ekipi i tij u kthye nga dizavantazhi për të arritur një barazim në ndeshjen e parë të Botërorit ndaj Anglisë.“Ndeshja jonë e parë është për të fituar diçka, por kur gjendesh në dizavantazh herët, atëherë mendoj se përgjigja ishte e mirë. Unë mendoj se pas golit, ne filluam të tregojmë lojë të mirë dhe të rindërtojmë besimin”.
“Ishte një lojë e shpejtë, e vështirë dhe ne ishim të kënaqur me mënyrën se si mesfusha jonë ishte në gjendje të përballej me Anglinë”, deklaroi Bradley për Sky Sports.
Njeriu më kontrovers në futbollin italian, Luciano Moggi, thotë se Italia nuk do të mund të kualifikohet as në çerekfinale të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.“Ne duhet të harrojmë kualifikimin në çerekfinale, gjysmëfinale ose finale. Shpresa më e madhe për ne është që të lëmë përshtypje të mirë. Italia ka nevojë për rifreskim. Thjeshtë, nuk kemi krijuar kampionë që një kohë të gjatë”.
“Fabio Cannavaro ka klas, por pasaporta i ka skaduar. Gianluca Zambrottas dhe Gennaro Gattusos u është harxhuar karburanti. Nuk duhet të presim shumë nga Azzurrët. Ka ekipe larg më të mira se ne, duke filluar nga Argjentina edhe pse kanë lënë në shtëpi Cambiasson dhe Zanettin. Brazili dhe Anglia janë të mirë, por mos ta nënvlerësojmë Paraguain, që në kualifikime mposhti Brazilin dhe Argjentinën”, deklaroi Moggi për ReteCapri.
Sipas The Mail, Roy Hodgson do të udhëtojë të mërkurën në Afrikën e Jugut ku do të përcjellë Botërorin si ekspert i BBC-së, ndërsa ka kërkuar një përgjigje të shpejtë nga zyrtarët e Liverpoolit, për postin e trajnerit të klubit nga Anfield.Bisedimet me Roy Hodgson do të zhvillohen brenda 48 orëve, me menaxherin e Aston Villas, Martin O’Neill, gjithashtu favorit për të zëvendësuar Benitezin.
Liverpooli aktualisht ka telashe financiare dhe nëse së shpejti nuk gjendet një figurë prominente në klub, që do të arrijë t’i bindë futbollistët si Torres dhe Gerrard të qëndrojnë, atëherë mund të ndodhë që këta të fundit të largohen te ndonjë klub më i madh se The Reds.
Barcelona është gjithnjë e më pranë transferimit të kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas.Sunday Times pohon se Arsenali dhe Barcelona janë pranë arritjes së marrëveshjes për çmimin e transferimit të Fabregas. Zyrtarë të lartë të Barcelonës janë në bisedime me Arsenalin për të negociuar largimin e Cesc nga Emirates.
Megjithatë, marrëveshja pritet të nënshkruhet pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të Barcelonës të shtunën e ardhshme. Wenger mësohet t’i ketë thënë Fabregasit se ai mund të largohet nga Arsenali, nëse Barcelona e ngrit ofertën nga 29 milionë në 36 milionë të funte.
Anësori i Benficas, Angel di Maria, i është nënshtruar një testi mjekësor për Real Madridin në Afrikën e Jugut, shkruan Record.Sipas mediave portugeze, Real Madridi ka zhvendosur stafin mjekësor në Afrikën e Jugut, ku thuhet se Di Maria i është nënshtruar një testi mjekësor.
Di Maria aktualisht është me kombëtaren argjentinase në Afrikën e Jugut për Botërorin e sivjetmë. Benfica kërkon 40 milionë euro për Di Marian, por sipas spekulimeve ai do të kompletojë transferimin së shpejti, me lojtarë tjerë të Realit të përfshirë në këtë akord.
Arsenali është shumë pranë kompletimit të transferimit të futbollistit të lirë, Joe Cole.Daily Star Sunday shkruan se Arsenali do t’i ofrojë Cole një pagë javore prej 135.000 funtesh, ndërsa marrëveshja do të nënshkruhet me të përfunduar Botërori. Arsene Wenger ka vendosur më në fund të shpenzojë, duke e bërë ish-mesfushorin e Chelseat futbollistin më të paguar në Emirates.
Cole do të nënshkruajë kontratë katër vjeçare të vlefshme 4 milionë funte në sezon, plus 2.5 milionë funte nga përfitimet tjera komerciale. Fabregas sipas të gjitha gjasave do të largohet për 45 milionë euro nga Anfield dhe Wenger për të mbuluar mungesën e tij, ka vepruar për të transferuar reprezentuesin anglez.
Mesfushori kreativ i Barcelonës, Andres Iniesta, ka filluar ta konsiderojë Cesc Fabregasin si bashkëlojtar te Barcelona.“Ndjenja përreth Barcelonës është që Cesc do të luajë për Barcelonën sezonin e ardhshëm. Unë kam biseduar me Xavin dhe lojtarët tjerë spanjollë të Barcelonës dhe të gjithë mezi presim që ai të vijë. Barcelona duhet të pajtohet me çmimin e vënë nga Arsenali edhe pse kjo s’do thotë asgjë, ai do të transferohet këtë verë”.
“Mund ta kuptoj Arsenalin që ka vënë një çmim të lartë për njërin prej lojtarëve më të mirë në botë. Por, nuk ka kuptim të mbash një lojtar që dëshiron të shkojë diku tjetër. Ne e dimë se zemra e Cesc është me Barcelonën dhe pas asaj që ka bërë ai për Arsenalin, mendoj se ata nuk duhet të mbajnë këtë qëndrim”.
“Fabregas nuk do t’i bënte kurrë keq Arsene Wengerit. Katër javët e ardhshme për Cesc do të jenë vetëm rreth Botërorit dhe shpresojmë se zyrtarët e Barcelonës dhe ata të Arsenalit arrijnë marrëveshje, në mënyrë që Cesc të vijë në shtëpi”, tha Iniesta.
Anësori brazilian Robinho nuk e përjashton mundësinë që ai të qëndrojë te Manchester City sezonin e ardhshëm.“Sinqerisht, nuk e di çfarë do të ndodhë te City. Ne do të shohim çfarë do të ndodhë gjatë verës por unë nuk e përjashtoj mundësinë për t’u rikthyer. Gjërat e para në fillim. Gjëja e vetme në mendjen time është se si ta ndihmoj Brazilin ta fitojë Kupën e Botës”.
“Por unë mendova se Manchester City ishte zgjedhje e mirë për mua. Unë i kuptova reagimet kur iu bashkova Cityt. Njerëzit menduan se unë shkova për para, por nëse do ishte kjo, do të shkoja në Dubai ose në ndonjë vend arab”.
“Por unë doja të luaja në Ligën Premier dhe isha i lumtur që iu bashkova një klubi me ambicie të mëdha. Ata kanë paratë dhe ambicien për të hyrë në top katërshen e Ligës premier. Dhe më besoni, sezonin e ardhshëm City do ta bëj këtë. Ndoshta unë do të jem atje për të ndihmuar”, u shpreh Robinho.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka thënë se Steven Gerrard ishte pikëlluar shumë për dështimin e Liverpoolit në sezonin që sapo e lame pas.“Këtë sezon për Liverpoolin u shkrua dhe u fol shumë. Por, çfarë njerëzit harrojnë është dhimbja që i kaploi lojtarët dhe menaxherin pas sezonit të dështuar. Klubi do të thotë shumë për ne dhe tifozët thonë shumë për ne. Ne nuk dëshiruam t’u japim atyre një sezon të tillë. Më besoni kur ju them se askush nuk u lëndua më shumë se Steven Gerrard”.
“Ai është zotëri Liverpooli dhe ai i sheh tifozët e Liverpoolit si familjen e tij. Sezoni i fundit vërtet e lëndoi atë. Ai e kërkon i dëshpëruar Ligën Premier dhe Liverpoolin dhe çdo sezon pa titull dhemb për të edhe më shumë”, deklaroi Torres për Daily Star.
Kërkesat e larta të William Gallas do të detyrojnë zyrtarët e klubit nga Emirates, të mos ia rinovojnë kontratën francezit, që kërkon 80.000 funte në javë.“Kërkesat e Gallas janë ekstravagante dhe nuk mendoj se jemi të përgatitur për ta bërë këtë. Ai është lojtar i mirë, por ju duhet të caktoni një kufi”, tha njëri nga zyrtarët, Peter-Hill Wood.
The Mirror shkruan se Sol Campbell dhe Mikael Silvestre do ta detyrojnë francezin Gallas të kërkojë një klub të ri pas Botërorit. Thuhet se Roma dhe Juventusi janë të interesuar në qendërmbrojtësin.
Zyrtarët e Liverpoolit presin një ofertë të majme për Steven Gerrardin nga Real Madridi gjatë javës së ardhshme.Burimet spanjolle pohojnë se Jose Mourinho është duke shqyrtuar mundësinë e transferimit të asit anglez, ndërsa portugezi nuk është në disponim ta presë takimin Dalglish-Gerrard.
Dalglish është pritur të takohet me Gerrard për ta bindur këtë të fundit të qëndrojë, por është një ofertë prej 50 milionë funtesh e raportuar nga Sunday Mirror që pengon qëndrimin. Pas Gerrardit radhën do ta ketë Cesc Fabregasi i Arsenalit.
Sllovenia ka shënuar fitore minimale prej 1-0 përballë Algjerisë, në takimin e zhvilluar të dielën në stadiumin Peter Mokaba në Polokwane.Gjysma e parë e takimit përfundoi pa gola, ndërsa rastet më të mira për t’u përmendur ishin ai i Halliches për Algjerinë, dhe ai i Birsas për Slloveninë.
Në fraksionin e dytë të lojës, i pakujdesshëm u tregua Abdelkader Ghezzal, i cili ndaloi topin me dorë, duke ditur se ky do të ishte kartoni i dytë i verdhë në ndeshje, dhe kështu u përjashtua me karton të kuq (73’) duke lënë skuadrën e tij në disavantazh numerik.
Epërsinë numerike e shfrytëzoi Sllovenia, që arriti të realizojë me anë të kapitenit Robert Koren, i cili nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit mposhti portierin Fawzi Chaouchi (79’).
Ky rezultoi të ishte goli i fitores për ballkanasit, që tani kryesojnë Grupin C me tre pikë, dy më shumë se Anglia dhe SHBA-të që barazuan të shtunën.
Portieri i Real Madridit, Jerzy Dudek, ka lëvduar trajnerin e ri të klubit madrilen, Jose Mourinho.“Emërimi i Mourinhos është i mirë për Real Madridin, ne kemi nevojë për të. Largimi i Pellegrinit është pikëllues sepse ai bëri gjëra të mëdha në kohë të shkurtër. Por, duhet të adaptohemi me atë që vjen dhe nëse është Mourinho, ai është më i miri nga të gjithë të tjerët. Përvoja e tij për ekipin do të jetë e mirë, sidomos për mënyrën se si Mourinho i trajton ndeshjet e mëdha”.
“E vërteta është që vitet e fundit, ai ka qenë njëri prej trajnerëve më të mirë, nëse jo më i miri dhe kjo është garanci. Ekipet e Mourinhos janë gjithmonë shumë të forta, me shumë personalitet dhe të gjithë lojtarët e tij janë mirë të vendosur dhe i dinë detyrat e tyre në fushë. Ata janë gjithashtu të mirë në ndërprerje dhe të përgatitur mirë taktikisht. Kjo është me rëndësi për ndeshjet në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, sepse kërkojnë planifikim të mirë”, u shpreh Dudek për AS.
Ish-trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, ka thënë se ai beson se do ishte ende trajner i Juventusit nëse në krye të hierarkisë do ishin drejtuesit aktualë.“Nëse do të ishin atëherë në krye Beppe Marotta dhe Andrea Agnelli, ndoshta gjërat do të shkonin ndryshe. Nga ana tjetër, nëse do ishin ata, ndoshta kurrë nuk do kisha qenë trajner i Juventusit”.
“Unë nuk kam për të thënë asgjë të keqe për klubin që më mbajti me vite të tëra, së pari si lojtar, më pas në krye të akademisë dhe përfundimisht si trajner. Ishte një përvojë e mrekullueshme që përfundoi keq”.
“Megjithatë, nuk duhet t’i gjykojmë vetëm gjashtë muajt e fundit. Për 16 vite sa isha te Juventusi kam pasur role të ndryshme”, deklaroi Ferrara për Rai Radio 1.
Ylli i Benficas, Angel di Maria, ka pranuar se do të dëshironte të kalonte te Real Madridi dhe të luante atje me Cristiano Ronaldon.“Unë jam shumë i lumtur sepse Jose Mourinho publikisht më ka kërkuar dhe kjo më bën të kënaqem. Faleminderit Zotit, që unë do të kem rastin të luaj te Real Madridi. Do të jetë nder të luaj përkrah Cristiano Ronaldos”, tha Di Maria.
Benfica është duke kërkuar 40 milionë euro për asin e saj, ndërsa mesfushori argjentinas është duke luajtur me Argjentinën në Kupën e Botës.
Jose Mourinho ka deklaruar se ai mund të nxjerrë më të mirën nga mesfushori brazilian Kaka dhe ta kthejë atë në formën e vjetër jetësore.“Kaka humbi shumë në muajt e fundit, por nuk do të jetë problem që ta kthej Kakanë e vjetër. Një lojtar si ai ka nevojë për besim të madh që të krijojë dhe të menaxhojë lojën e tij”, theksoi Mourinho për AS.
Sezoni që sapo e lamë për mesfushorin Kaka nuk ishte një nga sezonet më të mira, pasi që për shkak të lëndimeve nuk luajti në shumë sfida në La Liga.
Manchester City është vënë në kërkim të mbrojtësit të krahut të djathtë të Barcelonës, brazilianit Daniel Alves.Sunday Mirror shkruan se City ka lansuar një shumë që mund të jetë rekord britanik prej 40 milionë funtesh për mbrojtësin brazilian. City më herët kishte bërë ofertë për Alves, në bisedimet e Cityt dhe Barcelonës për Touren, por për Alves spanjollët nuk dëgjuan fare.
Ekipi anglez është i gatshëm të trefishojë pagën e Alves prej 62 mijë funtesh në javë, që do ta bënte atë njëkohësisht mbrojtësin më të paguar në botë dhe lojtarin më të paguar në klub.
Radhës së gjatë të klubeve të interesuara për transferin e lirë, Michael Ballack, tani iu bashkua edhe Manchester United.Sunday Mirror shkruan se 33-vjeçari ka marrë shumë oferta nga mbarë Evropa, me tri klube nga Liga Premier, dy nga Serie A dhe Real Madridi, që janë shprehur të interesuar për të.
Manchester United mund të jetë favorit për transferimin e tij, pasi që Chelsea është rival i Unitedit, dhe Fergusonit siç dihet i pëlqejnë lëvizjet kundër rivalëve.
Megjithatë, se cili klub do të jetë në gjendje t’ia plotësojë kërkesat Ballackut prej 130 mijë funtesh në javë, mbetet të shihet në javët në vazhdim.
Ish-mesfushori i Arsenalit, Robert Pires, mezi pret të kthehet në Ligën Premier, ndërsa interesim për të ka shprehur West Hami.Pires është transfer i lirë pasi kontrata e tij me Villarrealin ka skaduar, ndërsa francezi ka shprehur publikisht dëshirën për t’u kthyer në futbollin anglez.
36 vjeçari kaloi gjashtë sezone të mrekullueshme te Arsenali, ku fitoi dy tituj të Ligës Premier dhe tri kupa FA. Pires ishte gjithashtu lojtar i ekipit të ‘padukshmëve’ në vitin 2004, kur Arsenali nuk pësoi asnjë disfatë gjatë gjithë sezonit.
Pires shihet si opsion në krah apo si mesfushor prapa sulmuesve, ndërsa West Hami e sheh Piresin sikurse Teddy Sheringhamin që luajti në vitet e fundit të karrierës së tij për Çekanët.
Barcelona shpreson që të negociojë me Arsenalin për kapitenin Cesc Fabregas edhe gjatë Botërorit.Fabregas ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk dëshiron assesi bisedime gjatë Botërorit, por ja që drejtori Joan Oliver mendon se kjo do të duhet të ndodhë, në mënyrë që Fabregas të shkojë me kohë në Camp Nou.
“Cesc ka arritur në Afrikën e Jugut për të luajtur futboll, por ka shumë njerëz të futbollit aty. Wenger do të jetë atje dhe atje do jenë edhe përfaqësuesit e Barcelonës. Kjo është një çështje mes tri palëve dhe pala e tretë (Arsenali) nuk është shprehur në asnjë mënyrë”.
“Lojtari dëshiron të vijë këtu, por ai ka kontratë. Ne kemi ofruar 35 milionë euro dhe ata kanë thënë se nuk është në shitje. Problemi është mes klubit dhe lojtarit, ne nuk jemi ftuar në tavolinë”, deklaroi Oliver duke shtuar se transferi i Fabregas do t’u marrë kohë Blaugranëve.
Arsenali është klubi më i ri që lidhet me një transferim të portierit të Palermos, Salvatore Sirigu. Portieri italian ishte rezervist në fillim të sezonit, por paraqitjet fantastike bënë që ai të jetë pjesë e kontingjentit italian në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.Sipas Footylatest.com, Arsene Wenger ka vënë syrin e tij në portierin e Palermos, për të zgjidhur problemet me portierë. Arsenali luan në Ligën e Kampionëve dhe pos kësaj, Sirigut do t’i garantohej dhe futboll i rregullt si portier i parë i Arsenalit.
Reagimi i Fabio Capellos pas takimit ndaj SHBA-ve ishte i zbehtë, duke mos dashur të fajësojë portierin Robert Green për gabimin trashanik të bërë pas një gjuajtje të papërshtatshme nga distanca e Landon Donovan.“Ne krijuam shumë raste. Ne luajtëm një ndeshje të mirë, por një gabim dhe ata shënuan një gol. Ishte paraqitje e mirë nga ekipi. Shpresojmë se herën tjetër do të kemi më shumë fat”.
“Ndonjëherë një sulmues dështon të shënojë gol të pastër dhe ndonjëherë portieri bën një gabim, ky është futbolli. Pjesën e dytë ai luajti shumë mirë”, tha pas ndeshjes Capello.
Kombëtarja braziliane po kalon nëpër periudhë të vështirë përgatitore para ndeshjes së parë ndaj Koresë, ndërsa është duke vazhduar një konflikt mes Dani Alvesit dhe Julio Baptistas.Dy lojtarët janë përfshirë në një duel në stërvitje të lirë, ashtu që nuk janë ndalur së komentuari mbi një ndërhyrje të Alves. Madje, sipas mediave braziliane tensionet vazhduan edhe në hotelin e kombëtares ‘Selecao’.
Ky konflikt dhe tensionet e disa ditëve më parë mes Felipe Melos dhe Kakas, kanë detyruar përzgjedhësin Carlos Dunga të përzë të gjitha mediat pa përjashtim, duke vazhduar stërvitjen e të shtunës prapa dyerve të mbyllura.
Sipas EFE, Andrea Cossu do të kthehet në shtëpi nga kampi stërvitor i Italisë në Afrikën e Jugut, pasi që Andrea Pirlo u deklarua të jetë i gatshëm.Mesfushori i Cagliarit ishte përfshirë në kombëtaren Azzure nga Lippi në rast të ndonjë lëndimi tjetër serioz. Andrea Pirlo ishte në dyshim për Botërorin pas një lëndimi të pësuar ndaj Meksikës në miqësore javë më parë.
Mesfushorit të Milanit tani i është dhënë drita e gjelbër për të luajtur në Botëror edhe pse ai sigurt nuk luan ndaj Paraguait dhe është në dyshim për ndeshjen ndaj Zelandës së Re.
Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, ishte i shokuar me golin e pranuar nga Robert Green, por e mbrojti portierin e kombëtares angleze, duke thënë se topi është i papërshtatshëm.“Ishte një nga ato gjërat e çuditshme dhe nuk mendoj se duhet të kritikohet portieri. Njerëzit kanë folur për topin dhe është vërtetë i papërshtatshëm”.
“Robert Green do të mësojë nga ky gabim dhe ndoshta do të bëjë në të ardhmen intervenime që do na e sigurojnë fitoren. Ne jemi të gjithë prapa tij. Ishte një lloj shoku dhe na është dashur kohë për ta kthyer përqendrimin”.
“Ishte ndeshje e vështirë. Gjëja më e rëndësishme në ndeshjen hapëse është të mos pësosh humbje. Ideja ishte që të fitojmë, por fatkeqësisht lamë një gol të mjerë dhe nuk arritëm të shënojmë golin e fitores. Synimi tani duhet të jetë shtatë pikë në grup”, deklaroi Gerrard për Sky Sports.
Diego Armando Maradona iu falënderua Zotit për fitoren e parë në Kampionatin Botëror ndaj Nigerisë, duke thënë se kjo fitore i çliron nga presioni ‘Gauçosët’.“Ekipi bëri lëvizje të mira, por ne mbaruam takimin duke vuajtur. Ky është ligji i futbollit. Falë Zotit ne e fituam takimin. Ta fillosh një Botëror me fitore të jep një lloj qetësie. Gjëja e vetme që më brengos është që e fituam një ndeshje të madhe”.
“Nigeria na la të luajmë…nëse do t’i shfrytëzonim rastet, natyrisht kursi i lojës do të ishte më ndryshe. Ky ishte një hap i rëndësishëm që bëmë sot, por ne duhet të përmirësojmë edhe shumë gjëra për të arritur deri në finale”.
“Messi ishte gjithnjë pranë topit. Futbolli nuk do të ishte i bukur pa e prekur topin Messi”, deklaroi Maradona.
Portieri i Anglisë, Robert Green, mezi pret të shfaqë paraqitje të mira për të mbuluar gabimin katastrofal të bërë në barazimin 1-1 ndaj SHBA-ve në Rustenburg.“Ajo u bë, ndodhi. Është diçka që nuk mund të lejoni të ndikojë në ju. Në 50 minutat e ardhshme, unë kisha besim, u ndjeva mirë. E gjitha është se si të jesh sa më i përqendruar, t’i marrësh situatat e vështira si të lehta, por kjo është jeta e një portieri”.
“Unë kam qenë në këto situata edhe më parë dhe gjithmonë duhet të mbash kokën lart, të përballesh me mediat dhe të pranosh fajin që të bie mbi supe. Kjo është jeta”, deklaroi Green pas ndeshjes.
Nigeria pësoi disfatë minimale nga Argjentina në ndeshjen e parë të Botërorit, disfatë për të cilën përzgjedhësi i Nigerisë, Lars Lagerback, shprehet të jetë shkaktuar nga një gabim i vetëm në mbrojtje.“Është e pafat që një gabim i yni në mbrojtje kushtoi me gol. Një shpërqendrim momental e krijoi golin, por kjo është loja në këtë nivel”, theksoi Lagerback.
I pyetur nga gazetarët se pse nuk i shtrëngoi pas ndeshjes duart me Maradonan, Lagerback tha: “Unë kam respekt për Maradonan dhe do të doja t’i shtrëngoja duart me të. A duhet patjetër të bëjmë kështu? Mendoj se mund t’i shtrëngoni duart në çdo moment. Tani duhet të fokusohemi në ndeshjet tjera”.
















