Bayer Leverkusen është e vendosur të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar nënshkrimin e mesfushorit gjerman, Michael Ballack.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, refuzoi t’ia vazhdonte kontratën 33-vjeçarit, i cili mbeti transfer i lirë, ndërsa për shërbimet e tij janë të interesuara shumë skuadra, duke përfshirë edhe gjigantët Real Madrid dhe Manchester United
Mirëpo, duke folur para gazetarëve, drejtori sportiv i Bayer Leverkusen, Rudi Voller, ka thënë se ai do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’ia veshur sërish Ballackut fanellën të cilën e barti gjatë sezoneve 1999-2002.
“Do të bëjmë gjithçka për ta kthyer sërish Ballackun. Në jemi në kontakt të afërt metë dhe agjentin e tij”, ka thënë Voller.
Përfaqësuesja e Uruguait ka regjistruar fitoren e parë në Botërorin e sivjetmë, duke mposhtur Afrikën e Jugut me rezultat 3-0.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, kaloi kombëtaren e tij në epërsi pas një solo depërtimi (24’), duke vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Në gjysmën e dytë, lojtarët jugafrikanë u munduan të nxjerrin diçka në dobi të tyre, mirëpo gjërat i përkeqësoi portieri Khune, i cili pas një ndërhyrjeje brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, u përjashtua me karton të kuq dhe i dhuroi skuadrës kundërshtare një penallti.
Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Diego Forlan, i cili shënoi edhe golin e dytë (80’), për të vulosur fitoren.
Ndërsa në minutat shtesë (90’+5), Alvaro Pereira vendosi rezultatin përfundimtar të takimit duke shënuar edhe golin e tretë për përfaqësuesen e tij.
Pas kësaj fitoreje, Uruguai do të kryesojë Grupin A me katër pikë dhe me gjasa reale për t’u kualifikuar, ndërkohë që Afrika e Jugut shumë lehtë mund të eliminohet. Megjithatë duhet pritur rezultati i takimit ndërmjet Francës dhe Meksikës.
Spanja pësoi shok në stadiumin Moses Mabhida në Durban, kur Zvicra i tregoi se ku e ka vendin dhe duke ia marrë titullin e favoritit, ndërsa Vicente Del Bosque nuk u besoi syve se çfarë i ndodhi ekipit të tij.
“Nuk ishte dita jonë. Ne tentuam të fitojmë në mënyre ortodokse dhe në disa momente paraqitja jonë në pjesën e dytë ishte heroike, por ne nuk mundëm të gjejmë golin”.
“Kjo humbje na detyron t’i fitojmë dy ndeshjet e mbetura, nuk kemi opsion tjetër. Por, Kampionati Botëror nuk ka mbaruar ende”, tha Del Bosque pas ndeshjes.
Portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, sipas të gjitha gjasave do të duhet të përshëndetet nga Kampionati Botëror, pasi që mjeku kryesor i stafit mjekësor të Italisë, Enrico Castellaci, konfirmoi lëndimin e rëndë të Buffonit në shpinë.
“Ai ka një zhvendosje të diskut shpinor. Ne e kemi njoftuar Juventusin për këtë problem dhe kemi bërë një diagnozë për dëmtimin. Juventusi është në dijeni për këtë”.
“Ne nuk mund të themi se si dhe kur do të rikthehet ai. Koha e rikuperimit nuk është e shkurtër, por nuk mund ta vlerësojmë saktë”.
“Ne duhet të shohim diagnozën dhe të shohim si përgjigjet ai. Ne nuk mund të japim kohë të saktë të rikthimit të tij. Do të jetë në bazë ditore. Ai do të qëndrojë në Itali dhe ne duam ta rikthejmë atë”, tha Castellaci për shtypin duke mos përjashtuar mundësinë e operimit të portierit të Juves.
Ende pa u kënaqur mirë me tre pikët e arkëtuara ndaj Hondurasit, mesfushori më i mirë i Kilit, Alexis Sanchez, ka deklaruar pas ndeshjes se ai mezi pret të luajë ndaj Zvicrës, duke premtuar fitore ndaj Helvetikëve.
“Ne duhet të kënaqemi me këtë fitore. Por, kemi një ndeshje tjetër të vështirë dhe ne do ta fitojmë atë”, theksoi Sanchez për Reuters.
Kili do të ketë të bëjë me Zvicrën në ndeshjen e dytë të hënën, ndërsa fitorja ndaj Hondurasit, përpos që garantoi tre pikë, ishte historike për shtetin e Amerikës Jugore, pasi që është fitorja e parë në ndonjë Botëror pas 48 vitesh.
Argjentina në ndeshjen e parë mposhti me vështirësi Nigerinë, ndërsa në ndeshjen e dytë e pret kombëtarja aziatike e Koresë së Jugut, e cila mposhti Greqinë, ndeshje për të cilën sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, shprehet se do të jetë e vështirë.
“Ne e dimë se duhet të përmirësohemi në disa aspekte, por gjithashtu kemi arritur të shënojmë një fitore të rëndësishme ndaj Nigerisë. Ne shpresojmë se gjërat do shkojnë edhe më mirë ndaj Koresë së Jugut dhe do kualifikohemi në rrethin tjetër. Kush i ka parë ata duke e mposhtur Greqinë, e dinë se sa të fortë janë. Ata janë fizikisht të fortë, vigjilentë dhe vrapojnë shumë. Ne doemos duhet të shfaqim paraqitje të mirë”.
“Nuk jemi të interesuar në njerëzit të cilët nuk kanë besim te ne. Gjithçka që vlen është ajo që mendojmë si ekip. Ne jemi shumë solid dhe të fortë, ndërsa kjo është ajo që vlen. Ne jemi një skuadër e mrekullueshme që ka ardhur këtu për të fituar Botërorin. Është rrugë e gjatë deri atëherë, por shpresojmë se do ta bëjmë atë”, ka thënë Higuain.
Duket se zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, do të ndryshojë taktikën e tij për trajnerin e ri, duke e kthyer sërish në pankinë teknikun Leonardo, pasi që Cagliari është duke bërë shaka me Milanin për Masimiliano Allegrin.
Sportmediaset raporton se Adriano Galliani ka thirrur Leonardon në telefon dhe i ka thënë se ekziston mundësia që ai të kthehet për të drejtuar Rossonerët.
Milani ka planifikuar të siguronte shërbimet e Allegri, por presidenti i Cagliarit, Massimo Celino, nuk e ka ndërmend të lëshojë pe.
Milani dëshiron që sa më shpejtë ta zgjidhë çështjen e trajnerit të ri, pasi që tifozëve po u kalon durimi. Leonardo edhe pse është thënë ta ketë shkëputur kontratën me Milanin muaj më parë, kontrata e tij ende është e gjallë tek autoritetet e Lega Calcios.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka aluduar në mënyrë të tërthortë në joprofesionalizëm të menaxherit Arsene Wenger, kur lëvdoi parapërgatitjen e Vicente Del Bosques.
“Definitivisht, këtu na japin më shumë informata se sa te Arsenali. Te Arsenali ne nuk interesohemi për ekipin kundërshtar, por vetëm e shikojmë veten”.
“Me kombëtaren spanjolle, tri ose katër ditë para takimit, ne fillojmë t’i shikojmë disa video, ne e dimë pak a shumë njëmbëdhjetëshin startues… Ne dimë pothuajse gjithçka për ekipin kundërshtar”, deklaroi Fabregas për BBC.
Chelsea ka goditur edhe njëherë Real Madridin duke ia ofruar mbrojtësit Sergio Ramos trefishin e pagës që merr në Bernabeu.
Sport shkruan se Chelsea e dëshiron me çdo kusht Sergio Ramosin, të cilit i ka ofruar 8.3 milionë funte për sezon, ndërsa te Reali, Ramos fiton vetëm 2.5 milionë funte.
Pronari i Chelseat është vetëdeklaruar tifoz i mbrojtësit spanjoll, duke dhënë urdhër që Real Madridit t’i bëhet ofertë prej 48 milionë eurosh.
Zvicra ka mposhtur Spanjën me rezultat minimal prej 1-0, në ndeshjen e fundit të xhiros së parë të fazës grupore të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Në gjysmën e parë të takimit, Spanja krijoi presion të vazhdueshëm para portës së Benaglios, mirëpo Ottmar Hitzfeld kishte renditur mirë lojtarët e tij, ashtu që rrjetat heshtën.
Në minutat e para të gjysmës së dytë (52’), Zvicra shokoi Spanjën duke realizuar gol me anë të Gelson Fernandes, i cili vuri në vështirësi njërin nga favoritët për ta fituar Kampionatin e sivjetmë Botëror.
Pas golit të pësuar ‘furia e kuqe’ riktheu presionin, megjithatë vështirë se depërtonte përballë një skuadre që shfaqte lojë defensive dhe të organizuar me kundërsulme.
Dy raste mjaft të mira nga të dyja skuadrat duhet përmendur goditjen e shtyllës, nga njëra anë Xabi Alonso (70’) dhe nga ana tjetër Eren Derdiyok (75’).
Me këtë fitore, Zvicra kryeson në Grupin H së bashku me Kilin që më herët mposhti Hondurasin.
Përzgjedhësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Hun, ka deklaruar pas ndeshjes se ai është jashtëzakonisht krenar me lojtarët e tij, për paraqitjen bravoroze ndaj Brazilit.
“Brazili është ekip shumë i fortë edhe pse nuk kemi mundur të fitojmë, lojtarët luftuan mirë ndaj një skuadre mirë të organizuar. Po, ne është dashur të presim deri në fund të ndeshjes për të shënuar, por në pjesën e parë, lojtarët e kuptuan planin. Brazili është ekip i fortë në krah, por ka individë të fortë dhe ne i parandaluam ata”.
“Si trajner, më bën shumë të kënaqur fakti që shënuam një gol, sidomos ndaj Brazilit. Jam krenar me lojtarët e mi dhe ky është shkaku pse u emocionova kur shënuam”, deklaroi Hun.
Andrea Pirlo është riaftësuar dhe është në gjendje për të luajtur për Italinë ndaj Sllovakisë, ndërsa Buffon rrezikon të mungojë gjatë gjithë Botërorit.
Pirlo u është nënshtruar ekzaminimeve në një spital në Pretoria dhe për shkak të rezultateve të këqija, ai do të mungojë ndaj Zelandës së re, por do jetë i gatshëm për sfidën ndaj Sllovakisë.
Gianluigi Buffon është dërguar në spital për skanime të mëtutjeshme, për shkak të problemit të tij ishiatik, ndërsa sipas spekulimeve nga Afrika e Jugut, ai rrezikon të mungojë edhe për ndeshjet e mbetura të Botërorit.
Sulmuesi i Anglisë, Wayne Rooney, ka thënë se ai nuk do të shkaktojë probleme disiplinore gjatë Kampionatit Botëror, pas polemikave të shkaktuara kur sulmuesi anglez e fyeu rëndë gjyqtarin kryesor në miqësoren ndaj Palatinum Stars.
“Fabio Capello nuk më ka thënë asgjë për disiplinën time. Disiplina ime është perfekte. Mendoj se hera e fundit kur jam ndëshkuar në kombëtare ka qenë dy ose tri vite më parë, kështu që nuk kam probleme me atë”.
“Ishte zhgënjyes përjashtimi ndaj Portugalisë katër vite më parë, por është një gjë të cilën e kam harruar. Nuk është diçka për të cilën mendoj dhe aq. Kështu, po mendoj vetëm për këtë Botëror dhe jo për ato të kaluarit”, tha Rooney.
Kombëtarja e Kilit ka filluar me fitore garën në Kupën Botërore pasi mposhti me rezultat 1-0 Hondurasin në ndeshjen e grupit H.
Kilianët kaluan në epërsi pas 34 minutash lojë me golin e Jean Beausejour. Pas një harkimi të Mauricio Isla, topi arriti te Beausejour që nuk fali nga afërsia.
Pavarësisht lojës së mirë të kilianëve edhe në pjesën e dytë ndeshjes dhe dominimit në posedim dhe në raste, goli i shënuar në pjesën e parë doli të ishte vendimtar për tre pikët e reja.
Në grupin H bëjnë pjesë edhe Spanja dhe Zvicra, të cilat përballen në takimin e mëvonshëm që është edhe i fundit i rundit të parë të fazës grupit.
Së paku dhjetë persona janë arrestuar nga militantët islamik në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, për shkak se ata kanë shikuar ndeshjet e ndaluara të Kampionatit Botëror.
Grupi islamist somalez ka ndaluar shikimin e ndeshjeve të Botërorit, por të rinjtë nuk kanë mundur të durohen dhe kështu kanë instaluar satelitët nëpër shtëpitë e tyre. Sipas Radio France Internationale, disa burime të pakonfirmuara kanë thënë se janë vrarë dy persona kur militantët islamik ndërhynë në një shtëpi ku shikohej Botërori.
Këto fraksione islamike thonë se të luash futboll dhe të shikosh futboll është humbje e të hollave dhe e kohës, ndërsa ky sport sipas tyre është me ndikim perëndimor në shoqërinë myslimane somaleze. Grupet islamike kontrollojnë jugun dhe një pjesë qendrore të Somalisë, duke përfshirë dhe pjesë të mëdha të kryeqytetit Mogadishu, ku dhe po kryhen këto arrestime, ndërsa po këto grupe kanë ndërprerë frekuencat e radios dhe televizioneve në atë rajon.
Steven Pienaar, futbollisti kryesor i kombëtares nikoqire të Botërorit të sivjetmë, Afrikës së Jugut, ka deklaruar se përkundër faktit që skuadra e tij është në zhvillim e sipër, ai dëshiron ta fitojë Kupën e Botës.
“Edhe pse jemi një ekip në zhvillim, unë dëshiroj të fitoj Kupën e Botës. Kjo është ajo të cilën jam duke e kërkuar. Ne duhet të kënaqemi me këto momente, të kësaj ngjarjeje”, theksoi Pienaar.
Afrika e Jugut ndeshet sonte me fillim nga ora 20:30 me Uruguain, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të fazës grupore.
Mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka thënë se ai është i përqendruar vetëm në Botëror dhe se kompeticioni e ka izoluar atë totalisht nga spekulimet që e lidhin atë me një kalim te Barcelona.
“Unë jam i izoluar nga ato dhe nuk po mendoj për asgjë përtej kombëtares. Unë kam ardhur të luaj në Botëror, që është gjëja më e mirë për një lojtar dhe kënaqësia është e njëjtë si në Gjermani, kur isha 19 vjeçar”.
“Unë jam i uritur për të bërë diçka më me rëndësi dhe gjëja e vetme që do të bëj është të jap gjithçka, me shumë dëshirë dhe me garanci se uria dhe sfidimi nuk do të mungojnë kurrë”, ka thënë Fabregas.
Sipas Marca, Real Madridi i ka ofruar anësorit të Benficas, Angel Di Maria, një kontratë të vlefshme vetëm dy milionë euro për sezon.
Kjo kontratë e ofruar nga Reali për mesfushorin argjentinas, do ta bënte atë një nga futbollistët më pak të paguar te Los Blancos.
Di Maria ka klauzolë prej 40 milionë euro, ndërsa Real Madridi këmbëngulë se dëshiron të shpenzojë vetëm 30 milionë euro.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, ka aluduar në një largim nga San Siro pasi të kthehet nga Botërori, pasi që ndjen se nuk ka më se çfarë të kërkojë te një klub pa ambicie siç është Milani, që ende nuk e ka emëruar trajnerin e ri.
“Nëse e bëj diçka, dua ta bëj me entuziazëm, përndryshe do të bëhem lojtar normal, një lojtar i kategorisë së tretë”.
“Dhe, nëse flas për pasion, atëherë sezoni i kaluar nuk shkoi dhe aq mirë për mua. Unë kam edhe dy vite kontratë me Milanin, por nuk më interesojnë të hollat”, u shpreh Gattuso për La Gazzeta dello Sport.
Manchester United ka rizgjuar interesimin për sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, por është duke e humbur betejën për mbajtjen e mbrojtësit serb, Nemanja Vidic.
Sezonin e kaluar, United dështoi të siguronte shërbimet e francezit, i cili kaloi te Reali, mirëpo duket se tani Djajtë e Kuq janë pranë transferimit të Benzemas për vetëm 20 milionë euro.
Nga ana tjetër, Vidic kërkon pagë të njëjtë si të Rio Ferdinandit, e që është 120.000 funte në javë, ndërsa nga ana tjetër, Manchester City është i gatshëm ta bëjë mbrojtësin serb futbollistin më të paguar në Ligën Premier me 200.000 funte në javë.
Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, ka pranuar se ai ka qenë shumë pranë largimit nga Camp Nou, para suksesit të arritur sezonin e kaluar.
“Ç’është e vërteta, po. Në një pikë pata vetëm dy opsione në tavolinë. Gjithmonë në mendjen time e kisha largimin për shkak të momenteve të vështira, por nga ana tjetër dëshiroja të vazhdoja, të mbahesha sepse është një klub aq i madh. Kjo më dha forcë të vazhdoja”, theksoi Pedro.
Pedro aktualisht është me kombëtaren e Spanjës në Afrikën e Jugut, ku po zhvillohet dhe Botërori i këtij viti.
Kampioni i Gjermanisë, Bayern Munich, ka liruar nga detyrat sulmuesin Luca Toni dhe sipas Bild, shkëputja e kontratës së italianit me Bayernin u arrit me pajtim të të dyja palëve.
Toni kishte kontratë me Bayernin deri në verën e vitit 2011, kurse ai kërkoi që të lirohej nga Bayerni, gjë të cilën e fitoi dhe tani mund të kontaktojë me klubet e interesuara për të.
Genoa është favorit për ta transferuar atë, pasi që thuhet se Toni ka arritur tanimë marrëveshje me klubi nga Marasi. Roma dhe Napoli gjithashtu janë duke e vështruar me interesim situatën e Tonit.
Interi është shumë pranë finalizimit të transferimit të mesfushorit të Liverpoolit, Javier Mascherano, pas bisedimeve që janë duke u zhvilluar mes të dyja palëve.
Rafa Benitez e ka bërë Mascheranon primar për këtë afat kalimtar, mirëpo pengesa e vetme janë 30 milionë eurot e kërkuara nga Liverpooli për argjentinasin. Massimo Moratti ka deklaruar se nuk do shpenzojë shumë gjatë kësaj vere dhe shpreson se Liverpooli do e ul çmimin.
Nga ana tjetër, me transferimin e Massimo Maccarones te Palermo, sulmuesi tjetër, uruguaiani Edinson Cavani nuk ka se çfarë të kërkojë dhe spekulohet për një kalim te Interi. Palermo kërkon për të hiç më pak se 23 milionë euro.
Bayerni dhe Milani thuhet të jenë përfshirë në negociata për një shkëmbim mes sulmuesve të dështuar, Miroslav Klose dhe Klaas-Jan Huntelaar.
Calciomercato njofton se këtë shkëmbim është duke e shqyrtuar seriozisht kryesia e klubit nga Milanello edhe pse ekziston dëshira për të rinovuar kontratën e holandezit. Klose nga ana tjetër e ka pasur të vështirë të gjejë një vend te Bayerni, kur dihet konkurrenca mes Olic, Mueller dhe Gomez.
Për t’u arritur kjo marrëveshje, Milani do të kërkojë para, pasi që me 32 vjet dhe me një vit në kontratën e tij te Bayerni, Klose vlerësohet rreth 5 milionë euro, ndërsa Huntelaar kushton 15 milionë euro.
Real Madridi është duke e menduar seriozisht për të transferuar dyshen angleze Steven Gerrard dhe Wayne Rooney, njofton tabloidi britanik Daily Star.
Gerrard është shumë pranë kalimit te Real Madridi, pas një sezoni jo të këndshëm me Liverpoolin. Por Mourinho nuk duket të jetë i kënaqur vetëm me të dhe dëshiron të analizojë dhe mundësinë e transferimit të Rooneyt.
Mourinho pritet të ofrojë 36 milionë euro për Gerrardin, ndërsa 96 milionë euro për Rooneyn, që do të tejkalonte rekordin e Ronaldos, ndërsa thuhet se ky i fundit do të përdoret si mjet për ta bindur Rooneyn të largohet nga Old Trafford.
Në bisedimet e zhvilluara dje mes presidentit të ri të Barcelonës, Sandro Rosell dhe trajnerit Pep Guardiola, mësohet se ky i fundit i ka thënë eprorit të tij ta shesë sa më shpejtë sulmuesin Zlatan Ibrahimovic.
Dyshja nuk bisedoi për planet e tregut të transferimeve, por Sport shkruan se ata kanë shqyrtuar të ardhmen e Ibrahimovic. Guardiola ka thënë se dëshiron ta shesë suedezin, por ka shprehur gatishmërinë të punojë me të nëse Barca nuk gjen blerës.
Liverpooli mund të jetë blerës potencial, por ka probleme financiare. Në anën tjetër City mund të jetë mjaft atraktiv për Barcën, nëse ofrohet shkëmbim me Robinhon.
Heroi i Real Madridit, Christian Karembeu, mendon se sulmuesi francez Karim Benzema do të ketë sukses nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho.
Pavarësisht spekulimeve se Benzema do të shitet te Manchester United, Karembeu ka përkrahur bashkëvendësin e tij të tregojë vlerat në Real Madrid gjatë sezonit të ri.
“Karim do të ketë një shans të ri me Mourinho, një trajner i cili e njeh futbollin francez dhe do të nxjerrë më të mirën nga ai”.
“Është e qartë se ai do të jetë shumë garues me Gonzalo Higuain, i cili është një shënues i shkëlqyeshëm, por ai do të ketë kohën dhe unë mendoj se do të ketë sukses. Benzema ka talent dhe mund të ofrojë më shumë se që ka ofruar”, ka thënë Karembeu.
Sulmuesi spanjoll Pedro thotë se pavarësisht se beson se Spanja ka shanse reale për të fituar Kupën e Botës, ai ka frikë se Argjentina ose Brazili mund të jenë pengesë për realizimin e ëndrrës.
Sipas shumicës, Spanja është vendi me më së shumti shanse për të fituar Kupën Botërore në futboll, kombëtare e cila dy vite më parë fitoi edhe Kupën Evropiane dhe e cila në 48 ndeshjet e fundit ka humbur vetëm një herë.
“Kërcënimi më i madh për Spanjën? Brazili dhe Argjentina. Ata gjithmonë kanë futbollistë të shkëlqyeshëm, luajnë futboll të shkëlqyeshëm dhe i komplikojnë gjërat. Ata janë rivalët më të mëdhenj”, ka thënë Pedro.
Ylli i Real Madridit dhe kombëtares së Portugalisë, Cristiano Ronaldo është i pakënaqur me trajtimin që ka marrë nga lojtarët e Bregut të Fildishtë në takimin e djeshëm në kuadër të ndeshjes së grupit H të Botërorit.
Ronaldo ka qenë i pakënaqur edhe me mënyrën se si referët kanë lejuar që lojtarët kundërshtarë ta faulojnë atë pa ndonjë ndëshkim, dhe ka kërkuar nga ata t’i mbrojnë lojtarët më të mirë në fushë.
“Referët duhet t’i mbrojnë lojtarët më të aftë kur ata faulohen nga kundërshtarët. Një prej lojtarëve të tyre më fauloi mua në pjesën e parë dhe unë mora karton të verdhë për këtë. Nuk e kuptoj. Kur janë tre kundër një, siç ishin kundër meje, nuk është e drejtë të më ndëshkosh mua. Është vështirë për mua të marr faul, pasi referët mendojnë se mashtroj”, ka thënë Ronaldo për The Sun.
Kapiteni i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, ka thënë se ai do të jetë në formacionin shartues që nga ndeshja e ardhshme, duke i dhënë kështu kombëtares së tij një shtysë të madhe për ndeshjet e ardhshme ndaj Brazilit dhe Koresë së Veriut.
“Unë ndjehem mirë. Unë do të jem gati. Unë kam pesë ditë për t’u përgatitur për ndeshjen e ardhshme. Unë do të jem atje, do të jem atje”.
“Ishte vendim i të gjithëve që unë të filloja nga banka rezervë. Por e kam pasur për detyrë t’i them trajnerit: ‘Kur ke nevojë për mua, më lajmëro’. Mund të jemi të kënaqur me rezultatin, duke parë historinë e re të Bregut të Fildishtë nëpër Botërore. Të barazojmë ndaj kombëtares së tretë në ranglistën e FIFA-s është fantastike për ne. Unë jam vërtet krenar me Bregun e Fildishtë”, tha Drogba pas ndeshjes.
Ish-menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez. Ish-menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez thotë se Kenny Dalglish është njeriu i duhur për të drejtuar klubin anglez.
“Mendoj se Liverpooli duhet të shikojë kah Kenny Dalglish. Ai është njeriu i duhur për këtë detyrë. Pronarët duhet t’i dëgjojnë fansat, pasi ata janë të pakënaqur”.“Askush nuk e njeh klubin më mirë se Dalglish dhe ai do të jetë i përkryer atje. Ai e dëshiron detyrën dhe sipas mendimit tim duhet edhe ta fitojë”, ka thënë 50-vjeçari.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Daniele de Rossi rreth paraqitjes së këtij të fundit për kombëtaren e Italisë në ndeshjen kundër Paraguait.
Goli i De Rossit kundër amerikano-jugorëve i siguroi një pikë kombëtares Azure në ndeshjen e parë të Botërorit të sivjetmë, Afrika e Jugut 2010.
“Daniele i shkëlqyeshëm, ai vërtet i meriton urimet nga të gjithë ne. Ai ka luajtur një ndeshje të madhe kundër Paraguait dhe ishte i shkëlqyeshëm. Goli i tij ishte vendimtar për Italinë”.
“Tash ai ka shënuar nëntë gola për Azurët dhe jam i sigurt se do të arrijë edhe më mirë në të ardhmen. E vetmja gjë që më dëshpëroi ishte lëndimi i Buffon. Gigi është fantastik dhe vërtet shpresoj që ai të rikuperohet shpejt: kombëtarja jonë ka nevojë për të!”, ka shkruar Totti në faqen e tij.
Të rikthyer në shtëpi dhe në formë, Los Angeles Lakers kanë mposhtur Boston Celtics me rezultat 89-67 për të detyruar zhvillimin e ndeshjes së shtatë vendimtare të finaleve të NBA-së.
Të udhëhequr edhe një herë nga Kobe Bryant, Lakers u rikthyen nga humbjet në dy ndeshjet e kaluara në Boston për të barazuar në 3-3 serinë e ndeshjeve dhe për ta lënë titullin të vendoset në ndeshjet e fundit që do të zhvillohet të enjten në Staples Center.
Bryant, që kërkon titullin e pestë të NBA-së në një dekadë me Lakers, shënoi 26 pikë dhe 11 kërcime të martën mbrëma. Spanjolli Pau Gasol kontribuoi me 17 pikë dhe 13 kërcime, ndërsa Ron Artest shënoi 15 pikë.
Celtics në anën tjetër dështuan të tregojnë lojën e dy ndeshjeve të kaluara dhe të vulosin titullin e 18-të rekord në NBA. Më i sakti te Celtics ishte Ray Allen me 19 pikë.
Parma është e gatshme të transferojë mbrojtësin e Milanit, Kakha Kaladze.
Milani raportohet se dëshiron ta shndërrojë në para lojtarin e kombëtares së Gjeorgjisë, i cili nuk shkon mirë me drejtuesit e klubit.
Presidenti i Parmës, Tommaso Ghirardi, dëshiron ta huazojë Kaladzen, por do të ketë nevojë që Milani të mbulojë një pjesë të dukshme të pagës së tij.
Për Kaladze, ai do të jetë i lumtur ta presë të skadojë edhe vitin e fundit të kontratës së tij dhe të largohet nga San Siro verën e ardhshme si lojtar i lirë.
Menaxheri i Interit, Rafa Benitez, ka shprehur admirimin për sulmuesin e Liverpoolit, Fernando Torres.
Torres është lidhur me një largim nga Liverpooli dhe me një kalim te një varg gjigantësh evropiane, përfshirë edhe Interin.
“Torres ka arritur nivelin që ka pasi ai ka punuar shumë fuqishëm për të”, ka thënë Benitez për ish-lojtarin e tij.
Përveç Interit në kërkim të sulmuesit spanjoll janë edhe Chelsea dhe Manchester City.
Presidenti në largim i Barcelonës, Joan Laporta, ka deklaruar se ai ia ka lënë të gatshme negociatat presidentit të ri, Sandro Rosell, duke ripërsëritur se Cesc Fabregas dëshiron t’i bashkohet Barcelonës.
“Unë do ta informoj presidentin e ri se si janë duke shkuar negociatat për Cesc Fabregasin. Lojtari dëshiron të vijë, Pep Guardiola dhe Txiki Begiristain më kanë thënë se lojtari mezi pret të finalizohet marrëveshja. Unë këtë çështje do t’ia bart Rosellit”.
“Negociatat tani janë të gatshme për t’u vazhduar. Barcelona dëshiron të paguajë sa më shumë që është e mundur, përderisa Arsenali dëshiron ta shesë për çmimin më të shtrenjtë. Është e kuptueshme”, tha Laporta.
Përzgjedhësi i Portugalisë, Carlos Queiroz, ka kritikuar mentalitetin mbrojtës të Bregut të Fildishtë në stadiumin Nelson Mandela Bay.
“Ne e kërkuam fitoren në këtë takim, po siç keni parë, kjo ishte ndeshje mes dy favoritëve, një ndeshje shumë e vështirë. Bregu i Fildishtë nuk deshi të merrte kontrollin në fillim, ata vetëm u mbrojtën, duke luajtur me kundërsulme”.
“Ne tentuam të sulmojmë por gjithmonë është ndeshje e vështirë ndaj një ekipi që nuk tenton të marrë kontrollin e ndeshjes. Në pjesën e dytë ne pasuam më shpejtë, ne u ngritëm në fushë, por është gjithnjë e vështirë të luash ndaj një ekipi që priste gabimet për të shënuar”.
“Në ndeshjen e dytë, ekipet do të duhet të rrezikojnë më shumë. Ne morëm një pikë ndaj një prej favoritëve, tani duhet ta fitojmë ndeshjen e ardhshme”, deklaroi Queiroz pas ndeshjes.