Meksika ka shënuar fitore sensacionale prej 2-0 përballë Francës, në takimin e xhiros së dytë të Grupit A, për ta afruar veten shumë pranë kualifikimit në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror.Që në pjesën e parë të takimit, Meksika ishte skuadër më e mirë, derisa Franca bëri një tjetër paraqitje për t’u harruar, megjithatë pas 45 minutash rrjetat heshtën.
Sulmuesi i ri i Manchester Unitedit, Javier Hernendez, bëri një depërtim të shkëlqyer për të mposhtur portierin Lloris (64’) dhe për t’i dhënë epërsinë kombëtares së tij.
Në minutën e 79-të u akordua penallti në favor të Meksikës, pas një ndërhyrjeje të Abidal në Barreran, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Cuauhtemoc Blanco, i cili shënoi golin e sigurisë.
Me këtë fitore, Meksika ka katër pikë po aq sa Uruguai, ndërkohë Franca mbetet në kuotën e një pike, dhe duke qenë se në xhiron e fundit ndeshen Meksika dhe Uruguai, shumë lehtë këto dy përfaqësuese mund të barazojnë për të vazhduar garën, dhe për ta kthyer Francën në shtëpi që në fazën grupore
Argjentina ka spastruar nga rruga me mjeshtri të lartë Korenë e Jugut, ndërsa për triumfin prej 4-1, përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, shprehet të jetë mjaft i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij.“Lojtarët kanë bërë punë të mrekullueshme në fushë. Ata bënë saktësisht atë që biseduam para ndeshjes. Ata janë krenarë që mbajnë fanellën e Argjentinës dhe kjo shfaqet. Unë jam shumë i kënaqur dhe i relaksuar tani për tani”.
“Ne dominuam ndeshjen për pjesën më të madhe të takimit dhe e merituam plotësisht fitoren. Ndeshja ndaj Nigerisë tregoi se për çfarë jemi në gjendje, ndërsa tani i kemi përmbushur pritjet. Gabimi i Martin Demichelis ishte momenti i vetëm kur nuk e patëm lojën nën kontroll”.
“Ne luajtëm shumë më mirë se në ndeshjen e parë dhe jemi të gatshëm të përmirësohemi në ndeshjet në vazhdim. Ne jemi në rrugë të mirë, ndërsa nuk do të na interesojë çfarë po ndodh në grupet tjera. Ne patëm rastin ta luajmë lojën tonë ndaj koreanëve, përpos një periudhe të shkurtër pas pushimit. Ata bënë telashe vetëm kur ne bëmë gabime, kurse ne rrallë i bëmë ato”, ka thënë pas ndeshjes ‘el Pibe de Oro’.
Mesfushori i Chelseat, Michael Essien, ka nënshkruar kontratë të re dyvjeçare, që do ta mbajë atë në Stamford Bridge deri në vitin 2015.Mesfushori ganez u transferua te Chelsea në vitin 2005 dhe që nga ajo kohë ka 115 paraqitje në Ligën Premier, kurse në sezonin e fundit nuk arriti të luajë në ndeshjet vendimtare për klubin e tij, e as për kombëtaren në Botëror, për shkak të një dëmtimi. “Mezi pres të kthehem dhe të kënaqem përsëri me futbollin dhe me trofetë që do t’i fitoj me klubin. Kjo është pse jam këtu. Unë mendoj se është një nga kontratat më të rëndësishme të karrierës time”, tha Essien pas vazhdimit të kontratës.
Presidenti i porsaemëruar i Barcelonës, Sandro Rosell, është i bindur se Barcelona do të jetë në gjendje të thyejë rezistencën e Arsenalit, për firmën e mesfushorit Cesc Fabregas.Fabregas është në mes të një lufte mes dy skuadrash, ndërsa ‘sulmi’ i parë prej 29 milionë funtesh nga Barcelona, nuk i bëri ‘dëme’ Arsenalit, që është duke vazhduar luftën për ta mbajtur kapitenin.
“Për momentin nuk jemi nën ndonjë lloj presioni. Ne kemi gjithë verën për të arritur marrëveshjen. Jam i bindur se Cesc do të jetë lojtari ynë në fillim të sezonit. Unë e di se çfarë mund të ndodhë në futboll dhe nuk do të befasohesha nëse Real Madridi do të bënte ofertë për të”.
“Por, ne jemi të qetë sepse personi kyç në gjithë këtë është vet Cesc Fabregas. Nëse ai largohet nga Arsenali, ai do të luajë për Barcelonën për shkak të rrënjëve të tij”, tha Rosell.
“Real Madridi e dëshiron Maiconin dhe si duket edhe Interi dëshiron ta shesë atë. Është e vërtetë se ai është më i forti në botë në pozitën e tij, por kjo nuk do të thotë se duhet paguar një superçmim për të. Do të merr kohë dhe duhet ta shohim si qëndron situata, por mendoj se ai është lojtar i Realit”.
“De Rossi te Reali? Kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë marrëveshje. Florentino Perez është mik i mirë me Sensin, sikurse unë dhe për këtë arsye askush nuk do t’ia kërkojë Romës, De Rossin”, deklaroi Bronzetti.
Ernesto Bronzetti e ka marrë titullin e superagjentit pasi parashikoi transferimet e Kakasë dhe Cristiano Ronaldos te Real Madridi, disa muaj para se ato të ndodhnin.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thuhet të jetë i gatshëm të zhgënjejë një numër skuadrash nga La Liga, pasi që ai dëshiron ta mbajë në skuadër sulmuesin meksikan, Carlos Vela, pas përfundimit të Botërorit.21-vjeçari ka luajtur vetëm një herë për Arsenalin gjatë gjithë sezonit që sapo përfundoi, ndërsa mungesa e minutazhit ka zgjuar interesimin e Espanyolit dhe Deportivo La Corunas.
Sipas Marca, Wenger ka vendosur t’ia mbyllë dyert e largimit Velas dhe ta mbajë atë për sezonin e ardhshëm. Vela do të ketë konkurrencë të shtuar, pas ardhjes së Marouane Chamakh te skuadra nga Emirates.
Real Madridi mund të gjendet para një pengese të vështirë, të quajtur Liverpool, pasi që klubi nga Anfield do të kërkojë shumë për mesfushorin anglez, Steven Gerrard.Që prej se përfundoi sezoni që posa e lamë pas, Real Madridi ka kontaktuar rregullisht me agjentin e Gerrard, Struan Marshall.
“Nëse Xabi Alonso është transferuar për 35 milionë euro, apo Kaka dhe Ronaldo për shuma astronomike, atëherë edhe Gerrard nuk ka asgjë më pak, prandaj ai nuk është në shitje”, tha një burim i Liverpoolit për AS.
E ardhmja e Steven Gerrard pritet që përfundimisht të zbardhet pas Kampionatit Botëror.
Përfaqësuesja e Greqisë ka arritur të kthehet nga disavantazhi prej një goli për të fituar me rezultat 2-1 përballë Nigerisë, në takimin e zhvilluar të enjten në Free State Stadium në Bloemfontein.Nigeria e filloi mirë takimin duke arritur te goli i avantazhit pas një goditjeje të lirë të Kalu Uche (16’).
Mirëpo, gjerat i vështirësoi Sani Kaita, i cili u përjashtua me karton të kuq (33’), duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak në pjesën më të madhe të ndeshjes.
Epërsinë numerike në fushë grekët e shfrytëzuan që në pjesën e parë duke arritur ta barazojnë rezultatin me golin e Dimitris Salpingidis (43’).
Përkundër se luanin me një lojtar më pak, nigerianët u treguan kundërshtarë të vështirë për Greqinë, megjithatë në minutën e 71-të helenët arritën deri te goli i epërsisë të cilin e realizoi Vasilis Torosidis.
Këto janë tre pikët e vetme të Greqisë në Grupin B, dhe kështu barazohet me pikë me përfaqësuesen e cila e mposhti në xhiron e parë, Korenë e Jugut.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ka qeshur me deklaratën e përzgjedhësit të Afrikës së Jugut, Carlos Alberto Parreira, që tha se Uruguai ka fituar me ndihmën e gjyqtarëve.“Në një konferencë më herët kam thënë se nuk flas për arbitrat, por flas për kushtet e lojës. Unë mendoj se ka edhe penalti tjera të paakorduara nga gjyqtari, por këto janë kushtet në të cilat zhvillohet takimi”.
“Unë natyrisht se nuk mund të pajtohem dhe madje qesh me pohimet se Uruguai e fitoi ndeshjen falë gjyqtarëve, sepse unë mendoj se ne dominuam gjatë gjithë takimit. Por, nuk kam ardhur në konferencë për shtyp për këtë, nuk jam këtu për të folur mbi gjyqtarin apo të diskutoj mendimet e kolegëve të mi, por për mendimin tim, Uruguai e fitoi lojën me plot meritë”.
“Ndoshta, pse kam qenë sulmues kam dëshirë të shënohen shumë gola, por me rëndësi është fitorja. Ekipi është i mirë. Ne gjithashtu luajtëm mirë ndaj Francës. Ne jemi shumë solidë”, u shpreh Tabarez.
Portieri i Italisë, Federico Marchetti, është i bindur se mund ta zëvendësojë denjësisht portierin e lënduar, Gianluigi Buffon, duke thënë se ai dallon nga portieri i Juventusit.“Jam i qetë. A janë karakteristikat e mia të ngjashme me të Buffonit? Jo. Ai është më i shpejtë dhe më reaktiv, ndërsa unë jam më muskuloz dhe më shpërthyes. Karakteristikat e mia janë të bazuara në forcë, por unë mendoj se guximi dhe kuptimi i forcave tua është baza e të pasurit sukses”.
“Unë jam këtu pas shumë vështirësive, dështimi te Torino, te Albinoleffe gjithashtu. Por, gjithçka ka ndryshuar. Nëse jam pjesë e kombëtares është për shkak se kam cilësi. Niveli mund të ketë ndryshuar, por unë e ndjej besimin e bashkëlojtarëve të mi”, tha Marchetti.
Mediumet dhe tifozët spanjollë janë duke e akuzuar të dashurën e portierit të kombëtares spanjolle, Iker Casillas, si fajtore për humbjen skandaloze ndaj Zvicrës.Casillas ishte një nga ‘viktimat’ e mbrojtjes së ‘masakruar’ spanjolle, në atë aksionin e golit të vetëm të shënuar nga Zvicra.
Megjithatë, para fillimit të ndeshjes dhe në fazën e nxehjes para ndeshjes, e dashura e Casillas, Sara Carbonero, kishte qëndruar vazhdimisht prapa portës, duke fotografuar dhe shpërqendruar të dashurin e saj.
Megjithatë, vetë Carbonero mohon të ketë gisht në shpërqendrimin e Casillasit dhe gjithë ekipit spanjoll.
Holanda dështoi të linte përshtypje në ndeshjen e parë të Botërorit, Afrika e Jugut 2010, por futbollisti kryesor Arjen Robben ka deklaruar se skuadra e tij ka potencial të mjaftueshëm për të arritur diçka në Afrikën e Jugut.“Pritjet janë të mëdha. Ju shkoni në Botëror për ta fituar titullin. Të gjitha kombëtaret shkojnë për ta fituar, por duhet të jemi realistë dhe të themi se është shumë e vështirë”.
“Ka shumë ekipe të mëdha në Botëror me shumë cilësi. Por, unë mendoj se ne kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe mendoj se ne mund të arrijmë diçka në Afrikën e Jugut”.
“Të gjithë kanë favoritët e tyre, por e kaluara ka treguar se jo gjithmonë favoritët e marrin titullin. Të gjithë flasin për Brazilin, Argjentinën dhe Spanjën, ose dy apo tre emra tjerë. Natyrisht, këto janë kombëtare të forta, por unë mendoj se kanë mbetur edhe disa kombëtare që mund të na befasojnë”, deklaroi Robben për faqen zyrtare të FIFA-s.
Barcelona ka vendosur ta përfshijë sulmuesin Zlatan Ibrahimovic në marrëveshjen për mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas, njofton El Mundo Deportivo.Suedezi Ibrahimovic është përkufizuar si dështim në Camp Nou në sezonin e parë te Barcelona duke bërë që 69 milionë eurot e shpenzuara për të të konsiderohen të djegura.
Tani me që Arsenali ka refuzuar ofertën e parë për Fabregasin prej 35 milionë eurosh, mendohet se mënyra e vetme për të bindur Arsene Wengerin të lëshojë pe, është Zlatan Ibrahimovic, pasi që pas largimit të Adebayor në drejtim të Cityt, Arsenali ka humbur thellësinë në sulm.
Cagliari ka liruar nga kontrata ish-trajnerin Massimiliano Allegri, duke bërë të mundur kështu që ai t’i bashkohet Milanit.“Përkundër faktit që Massimiliano Allegri na ka zhgënjyer pas sjelljeve të tij në fund të sezonit, presidenti Massimo Cellino ia shkëputi kontratën pas kërkesës së Milanit. Përkundër lirimit bërë ndaj Milanit, Caglirari nuk ka kërkuar kompenzim. Largimi i Allegrit detyron Cagliarin të kërkojë trajner të ri”, thotë një komunikatë e lëshuar nga faqja zyrtare e skuadrës siciliane.
Allegri pritet që brenda 78 orëve të bëhet edhe zyrtarisht trajner i ri i Milanit. Më herët gjatë ditës zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, i hidhëruar me veprimet e Cagliarit, kishte deklaruar se Milani nuk e ka ndërmend të japë asnjë cent.
“Fundi mund të jetë më 30 qershor. Unë e kam thirrur presidentin e Cagliarit kur ai ishte në ShBA, por ai nuk mu përgjigj. Më besoni se çfarë ju them, Milani nuk do të paguajë asnjë cent të vetëm. Nëse Allegri është i lirë, ai do të bëhet trajneri ynë, nëse jo do të bëhet dikush tjetër”, theksoi Galliani.
Gonzalo Higuain ka shënuar hat-trick derisa kombëtarja e Argjentinës ka shkëlqyer në ndeshjen e sotme të grupit B për të mposhtur kombëtaren e Koresë së Jugut me rezultat të thellë 4-1 dhe për të marrë kreun grupit.Të zgjedhurit e trajnerit Diego Maradona e panë veten në avantazh pas 16 minutash lojë. Pas një goditje të Messi nga gjuajtja e lirë dhe një humbje të Martin Demichelis, topi godet Park Chu-Young dhe përfundon në rrjetën e Koresë.
Pas më se gjysmë ore lojë, argjentinasit dyfishuan rezultatin, kësaj here me anë të një goli me kokë të Gonzalo Higuain (33’). Edhe pse patën iniciativën vazhdimisht, argjentinasit nuk arritën të shënojnë golin e tretë që anën tjetër u kushtoi, me Korenë që ngushtoi disavantazhin. Në kohën shtesë të pjesës së parë, pas një gabimi në mbrojtje të Demichelis, Lee Chung-Yong dërgoi topin në rrjetën e Sergio Romero.
Pjesa e dytë në fillimet e saja ishte ca më e qetë, por u nxeh në pjesën e fundit me inkuadrimin në lojë të Sergio Aguerro. Sulmuesi i Atletico Madrid së bashku me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, ishin pjesëmarrës edhe në dy golat tjerë, të dyja të shënuara nga Higuain.
Me tre pikët e reja, Argjentina mbledh gjashtë dhe merr kreun e grupit. Më vonë zhvillohet edhe takimi tjetër i grupit B, ai mes Greqisë dhe Nigerisë.
Mesfushori brazilian Philippe Coutinho, ka thënë se dëshiron të bëhet Kaka i Interit, në kohën kur ai është duke i përjetuar ditët e fundit me skuadrën Vasco De Gama, para se t’i bashkohet kampionit të Evropës.Tuttosport shkruan se Coutinho do t’i nënshtrohet një testi mjekësor me klubin, me ç’rast do të takohet me trajnerin e ri, Rafa Benitez. Ai thotë se e kanë kërkuar edhe Real Madridi e Barcelona.
“Kaka është lojtar i madh, ai e merr topin dhe vrapon në drejtim të portës kundërshtare, gjë e cila më pëlqen ta bëj. Unë jam mesfushor ofensiv dhe më pëlqen t’u shërbej sulmuesve. Marco Branca më besoi që nga minuta e parë. Real Madridi dhe Barcelona më dëshiruan gjithashtu, por kur është dashur ta bëja zgjedhjen, nuk pata dyshime. Milano është qytet i mirë dhe San Siro vend vërtetë i mirë”, deklaroi ardhmëria e Interit, Coutinho.
Chelsea ka vendosur t’i bashkohet Arsenalit dhe Interit në garë për mesfushorin e talentuar gjerman, Mesut Özil.Sipas Daily Mail, Chelsea ka bërë tashmë ofertë në drejtim të Werderit për mesfushorin gjerman me origjinë turke. Özil ka edhe një vit kontratë me Werderin dhe sipas të gjitha gjasave pritet të largohet gjatë verës.
Mesut Özil shfaqi paraqitje të jashtëzakonshme në ndeshjen e parë të Gjermanisë ndaj Australisë në Botëror, duke tërhequr interesimin e skuadrave më të mëdha evropiane.
Lionel Messi shpreson se Cesc Fabregas do ta kompletojë sa më shpejtë transferimin nga Arsenali te Barcelona.“Ne jemi në kontakte, ne bisedojmë, kohë pas kohe ne i dërgojmë njëri tjetrit ndonjë email. Ai gjithashtu dëshiron të vijë te Barca, ne të gjithë po presim të shohim çfarë do të ndodhë”.
“Unë shpresoj se do të kompletohet dhe se ai do të vijë të luajmë së bashku. Askush nuk e ka paramenduar që ne do të mund të luajmë në ekipin e parë të Barcelonës, sidomos kur Cesc dhe Pique u larguan. Bashkimi do ishte i veçantë, një gjë e mirë për ata që ishin në ekip atëkohë”, u shpreh Messi.
Real Madridi së shpejti pritet që edhe zyrtarisht të konfirmojë transferimin më të ri, yllin e Benficas, Angel Di Maria, pasi që klubet janë marrë vesh për shumën e transferimit.Mediat spanjolle bëjnë të ditur se presidenti i Benficas, Luis Filipe Vieira, pas një takimi me drejtorin e Realit, Jose Angel Sanchez, ka vendosur ta ulë çmimin në 30 milionë nga 40 milionë sa kërkonte në fillim.
Di Maria do të bëhet zyrtarisht lojtar i Realit të hënën, ndërsa do të nënshkruajë kontratë pesë vjeçare të vlefshme 2 milionë euro për sezon.
Mesfushori kreativ i Juventusit, Diego, shpreson të qëndrojë te klubi nga Olimpico i Torinos, pavarësisht një sezoni po thuajse të dështuar.“Unë nënshkrova kontratë pesëvjeçare sezonin e kaluar dhe dua të qëndroj. Unë e di se një ditë dua të luaj në Brazil, por tani nuk është koha”, theksoi Diego.
Nga ana tjetër, agjenti i Diegos, Giacomo Petralito shtoi: “Unë vë bast se Diego nuk do largohet nga Juventusi. Klubi kurrë nuk ka shitur lojtarët e mëdhenj, dua të them se Diego do të qëndrojë këtu”.
Trajneri i Paraguait, Gerardo Martino, mezi pret të kualifikohet për rrethin e dytë, pasi që ndjen se kanë filluar ndeshjet ‘o jetë, o vdekje’ në grupin F.“Tani fillojnë ndeshjet o jetë o vdekje”, theksoi trajneri argjentinas në një konferencë për shtyp. Ai shtoi se atij nuk i intereson se cila do jetë pozita kualifikuese, e para apo e dyta, pasi që për të me rëndësi është kualifikimi.
Praguaji barazoi me Italinë në ndeshjen e parë të grupit F me rezultat 1-1.
Fabio Capello ka thënë se ai sipas të gjitha gjasave do të vendosë që të luajë përsëri me Robert Green në portë për ndeshjen ndaj Algjerisë, përkundër gabimit trashanik të portierit në ndeshjen ndaj ShBA-ve.“Ai bëri një gabim, një gabim të madh, por në pjesën e dytë bëri një intervenim fantastik (ndaj Jozy Altidore). Ai e ndali atë vërtetë, vërtetë mirë. Unë duhet të vendos për portierin, sepse shpeshherë gabimet mbesin në mendjen e lojtarëve, kështu që dua të flas me të. Është problem mendor, gjithmonë ju kujtohet gabimi, por më duhet të zgjedhë portierin më të mirë mentalisht aktualisht. Unë do të vendos”.
“Mendoj se jemi në një moment të mirë të formës, sepse përfunduam mirë ndaj ShBA-ve, që është ekip që zakonisht vrapon shumë. Ekipet tjera zakonisht vuajnë ndaj ShBA-ve, por ne ishim të fortë. Për këtë arsye, unë jam vërtet i relaksuar për ndeshjet tjera. Ne do të fitojmë, kjo është gjëja më e rëndësishme dhe jemi gati për Algjerinë”, deklaroi Capello.
Wayne Rooney thotë se ai është i gatshëm të shpërthejë në ndeshjen e radhës së kombëtares së Anglisë përballë Algjerisë në Cape Town gjatë të premtes.Sulmuesi anglez thotë se pasi e ka parë ndeshjen e parë kur Anglia barazoi kundër SHBA-ve, ka hapësirë për përmirësim personal.
“E kam parë ndeshjen ndaj SHBA-së. Kam parë se ku mund t’ia dal më mirë, ku duhej të isha, si t’i përmirësoj pozitat e mia. Kam qenë shumë i interesuar ta shoh. Secili mund të ketë një ndeshje të qetë. Ne kemi nevojë që nëntë nga 11 lojtarët të jenë në formë për të fituar ndeshjen”.
“Ka pasur momente kur kam bërë disa gjëra të mira kundër SHBA-ve dhe momente kur do të doja të fitoj më shumë topa. Personalisht e di se mund të luaj më mirë dhe shpresoj ta dëshmoj këtë menjëherë”, ka thënë Rooney.
Përzgjedhësi i Meksikës, Javier Aguirre, thotë se ekipi i tij do të kërkojë fitore në ndeshjen e sotme kundër përfaqësueses së Francës.Meksika do të kërkojë fitore në të dy ndeshjet e fundit të fazës grupore të Kupës Botërore, ka premtuar përzgjedhësi i kësaj kombëtareje.
“Kam biseduar me lojtarët në disa ditët e kaluara, iu kam thënë se duhet të jenë të përqendruar në ndeshje nga minuta e parë deri te e 90-ta. Kundër Francës do të luajmë si të jetë ndeshja e fundit e jona. Nuk e di sa gola do të mund të shënojmë, por do të duhet ta testojmë portierin francez.
“Nuk mendojmë të humbin në këtë ndeshje. Nuk mendojmë të largohemi nga Kupa Botërore. Çfarëdo që do të ndodhë ne jemi të bindur se mund të fitojmë në dy ndeshjet e radhës dhe e dimë se duhet t’i fitojmë”, ka thënë Aguirre.
Liverpooli dhe Arsenali do të përballen me njëri tjetrin në Anfield në javën e parë të Ligës Premier, që fillon më 14 gusht.Derbi tjetër i javës së parë do të jetë ai në mes të dy rivalëve të sezonit të kaluar Tottenhamit dhe Manchester Cityt, që do të zhvillohet në Whie Hart Lane.
Shorti i hedhur sot po ashtu ka nxjerrë nënkampionin Manchester United përballë një ekipi që riprovohet në Premier, Newcastle United.
Kampioni në fuqi, Chelsea, do ta fillojë mbrojtjen e titullit të Ligës Premier kundër ekipit të porsa-promovuar në elitën e futbollit anglez, West Bromwich Albion.
Ndeshjet e javës së parë të sezonit 2010/2011 në Ligën Premier:
Liverpool - Arsenal
Tottenham - Man City
Manchester United - Newcastle
Chelsea - West Brom
Sunderland - Birmingham
Aston Villa - West Ham
Blackburn - Everton
Blackpool - Wigan
Bolton - Fulham
Wolverhampton – Stoke
Presidentja e klubit italian Roma, Rosella Sensi, thotë se ata nuk do të marrin parasysh ofertat për mesfushorin Daniele de Rossi.De Rossi është caku kryesor i Real Madridit dhe ka thënë se ai do të largohet nga klubi i qytetit të tij vetëm nëse do të transferohej në Bernabeu.
“De Rossi është lojtar i Romas dhe ai nuk është në shitje. Ai është simbol i klubit dhe një kampion i madh, si edhe Totti”.
“Do të doja ta shoh Tottin në Kupën e Botës, pasi ai do të mund ta krijonte diferencën së bashku me De Rossin, por e respektoj vendimin e trajnerit. Por duke ditur se Francesco është i shëndoshë dhe mund të pushojë për edhe një sezon tjetër të mrekullueshëm me Romën, kjo mund vetëm të më gëzojë”, ka thënë Sensi.
Agjenti i sulmuesit italian Alberto Gilardino thotë se ai do të vazhdojë të qëndrojë te Fiorentina.Ka pasur spekulime se disa klube të mëdha janë duke përcjellë sulmuesin pas dështimit të Violas të kualifikohet për në Evropë, por kjo është mohuar nga agjenti i lojtarit.
“Nuk kemi pranuar ndonjë propozim zyrtar nga Napoli. Sidoqoftë, Gilardino nuk dëshiron të largohet nga Fiorentina. Jo vetëm që Alberto nuk dëshiron të largohet nga Firenca, por mund të them se as Fiorentina nuk dëshiron ta lëshojë atë”, ka thënë Giuseppe Bonetto për Violanews.
Agjenti i mesfushorit të Barcelonës, Alex Hleb, ka qetësuar spekulimet për një kalim të bjellorusit në Sampdoria.Uli Ferber ka thënë se nuk ka pasur kontakte me Sampdorian për një transferim të Hleb në kampionatin italian.
“Kemi të bëjmë vetëm me spekulime gazetareske. Ne kemi një takim të planifikuar me drejtuesit e Barcelonës pas 10 ditësh dhe vetëm atëherë do të dimë më shumë për të ardhmen. Kjo varet se si janë planet e klubit. Nëse ata vendosin të mos llogarisin në të, atëherë do të përpiqemi të gjejmë një destinacion të ri”, ka thënë Ferber,
Megjithatë agjenti i Hleb ka pohuar se ka interesime për lojtarin si nga Serie A, po ashtu edhe nga Gjermania dhe Anglia.
Parma ka rinovuar marrëveshjen e bashkë-pronësisë me Milanin për sulmuesin Alberto Paloschi.Kishte raporte që thoshin se rosonerët do ta kërkojnë atë përsëri në klub dhe do ta dërgojnë të riun te Cagliari si pjesë e marrëveshje për të marrë shërbimet e trajnerit Massimiliano Allegri.
“Ne kemi arritur marrëveshje, e cila ishte rezultati më logjik i situatës. Ne kemi rinovuar marrëveshjen e bashkëpronësisë me Milanin për Paloschin”, ka thënë drejtori gjeneral i Parmës, Pietro Leonardi.
Mbrojtësi i Barcelonës, Rafael Marquez, raportohet se është duke dashur të transferohet në kampionatin italian pas Kupës së Botës.Tuttosport shkruan se Marquez e ka këshilluar avokatin e tij Enrique Nieto të takohet me drejtuesit e Barcelonës për të diskutuar mundësinë e largimit si lojtar i lirë gjatë kësaj vere.
“Pas Kupës së Botës do të vendos të ardhmen time dhe nëse marr ndonjë ofertë interesante do ta analizoj me kujdes”, ka thënë përfaqësuesi i kombëtares së Meksikës.
Juventusi dhe Interi janë duke pritur zhvillimet dhe do të futen në garë sapo Barcelona të pajohet ta lirojë atë nga kontrata e tij.
Anësori i klubit spanjoll Getafe, Pedro Leon, është duke u parë si një prej opsioneve më të nxehta të transferimeve në Spanjë.Leon është cak i Milanit, derisa La Sexta shkruan se Real Madrid po ashtu është duke përgatitur ofertë të vlefshme 10 milionë euro për mesfushorin e krahut të djathtë.
Gazeta shkruan edhe se përfaqësuesit e Leon kanë qenë në Madrid gjatë javës së kaluar për bisedime. Sevilla thuhet të jetë po ashtu e interesuar për Leon si zëvendësin potencial për Jesus Navas.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, ka deklaruar pas takimit ndaj Spanjës, se fitorja ndaj ‘Stuhisë së Kuqe’ ishte historike.“Unë jam shumë krenar me lojtarët e mi. Unë besoj se ekipi im ka arritur diçka historike, sepse Zvicra nuk e ka mposhtur Spanjën, mendoj që 105 vite. Është fitore historike. Ne është dashur të mbështetemi në kundërsulme, por ne luajtëm me aq inteligjencë”.
“Ne nuk e kemi mposhtur Spanjën qe një kohë të gjatë. Ne kemi bërë një hap të madh drejt rrethit të dytë, por tani pritet më shumë nga ne. Ne duhet të mbesim të përkushtuar dhe të fokusuar”, tha Hitzfeld pas takimit.
Qendërmbrojtësi i Spanjës, Gerard Pique, ka thënë se humbja minimale ndaj Zvicrës i shndërron ata në jofavoritë të Kampionatit Botëror.“Tani e tutje duhet të lëmë prapa nesh thashethemet se ne jemi favoritët për ta fituar Kupën e Botës. Ne kemi tentuar ta shmangim këtë nga mendimet tona, sepse nuk është e vërtetë. Spanja kurrë nuk ka qenë as në finale. Është e vërtetë se jemi skuadër shumë e mirë, por a jemi favoritë… Jo.”.
“Ne krijuam raste, ndërsa në pjesën e dytë është dashur ta shënojmë një gol. Ky është shembull që secili ekip mund t’u mposhtë dhe fatkeqësisht na ka ndodhur neve”, u shpreh pas takimit Pique.
















