Përfaqësuesja e Anglisë nuk ka arritur më shumë se një barazim pa gola përballë Algjerisë, në takimin e xhiros së dytë të Grupit C.
Njëra nga skuadra e cila konsiderohej favorite për ta fituar Kampionatin e sivjetmë Botëror, nuk ka arritur të tregojë lojë bindëse përballë Alergjisë.
Gjysma e parë e takimit ishte e zbehtë sa i përket rasteve konkrete, ndërsa Algjeria në raste të caktuara ishte madje skuadër më e mirë se Tre Luanët.
Në pjesën e dytë, anglezët u munduan të krijonin aksione, mirëpo e kishin të vështirë të vinin deri të rasti i golit, pasi që algjerianët po shfaqnin një lojë mjaft të mirë dhe solide.
Pas këtij barazimi, Anglia ka dy pikë po aq sa SHBA-të, ndërsa në ndeshjen e fundit të fazës grupore, për t’u kualifikuar duhet të shënojë fitore bindëse përballë liderit të grupit, Sllovenisë, për të mos ia lënë asgjë rastit, duke qenë se SHBA-të përballen me Algjerinë.
Edhe pse paraqitja e sulmuesit argjentinas Carlos Tevez ishte fantastike deri më tani në Botëror, ai ende është në pritje të golit të parë.
“Më mungon goli dhe mosshndërrimi i rasteve në gola po më nervozon, është një goditje e vogël. Por, kurrë nuk çmendem kur nuk shënoj. Me rëndësi është që ekipi të luajë mirë”, theksoi Tevez.
Argjentina ka ‘djegur’ Korenë e Jugut në ndeshjen e dytë të fazës grupore, ndërsa një nga lojtarët më të mirë të takimit ishte Carlos Tevez.
Lideri i renditjes së ngasësve të MotoGP, Jorge Lorenzo, ka deklaruar se fitimi i titullit sivjet nuk do të ishte një e arritur e madhe, për shkak të mungesës së Valentino Rossit.
Rossi, i cili është dhe rivali kryesor i Lorenzos, do të mungojë gjatë pjesës më të madhe të sezonit, pasi theu këmbën e tij në garën për Çmimin e Madh të Italisë javën e kaluar.
“Fitimi i titullit gjithmonë është gjë e madhe, por pa Rossin, kampionati ndoshta ka humbur në vlerë. Dua të bëhem kampion me Valentino Rossin në shteg”, theksoi Lorenzo.
Numri një i Britanisë, Andy Murray, do të ketë punë me numrin 80 të ranglistës ATP, Jan Hajek nga Çekia, ndërsa punë të lehtë do kenë edhe favoritët tjerë në rrethin e parë të turneut më të madh të tenisit në botë, Wimbledon, që nisë të martën.
Rafael Nadal në rrethin e parë do të ndeshet me japonezin Kei Nikoshori, ndërsa Roger Federer do të startojë fushatën e tij në Wimbledon ndaj kolumbianit Alejandro Falla.
Serena Williams në ndeshjen hapëse të mbrojtjes së titullit do të takohet me Michelle Larcher de Brito.
Bosi i Mercedes, Ross Brawn, beson se ekipi i tij është në gjendje ta fitojë titullin e Formula 1 këtë sezon.
“Ne jemi ende në garë për titull dhe me distancë luftuese ndaj liderëve tjerë”, theksoi Brawn. Ndërkohë që i vetmi garues i Mercedesit që ka gjasa për titull është Nico Rosberg me 35 pikë prapa liderit Lewis Hamilton.
Brawn shtoi se makina e Mercedes do t’i përshtatet kthesave të shkurtra dhe pjesëve të drejta të pistës së Valencias, ku dhe zhvillohet gara tjetër për Çmimin e Madh të Evropës.
Interi, të enjten ka kompletuar transferimin e portierit të Sampdorias, Luca Castellazzi, ndërsa ky i fundit u shpreh të jetë krenar që nënshkroi kontratë dyvjeçare me trekampionin.
“Para së gjithash, dua të falënderoj Interin. Unë jam shumë krenar që jam nerazzur. Mezi pres të filloj punën dhe ta vë veten në shërbim të Rafa Benitezit. Ndjej kënaqësi të madhe”, theksoi portieri i 35-vjeçar për Inter Channel.
Ai shtoi se do të luftojë me çdo mjet për pozitën si portier i parë i Interit edhe pse e di se ka punë me një nga portierët më të mirë në botë, Julio Cesar.
Jorge Lorenzo ka thënë se ai është i kënaqur me shtegun e rinovuar të Britanisë, Silverstone, para garës së madhe për MotoGP e Britanisë.
Ngasësi i Fiat Yamaha, që është në krye të renditjes, ka regjistruar kohën më të mirë në stërvitjen e lirë me 5.991 sekonda.
“Unë jam i kënaqur se si shkoi kjo ditë dhe jam vërtet i kënaqur me shtegun, është i shpejtë dhe është kënaqësi të ngasësh në të. Ne kemi punuar shumë dhe unë kam pasur xhiro shumë të shpejta, në mënyrë që ta kuptoj çdo kënd të pistës”, theksoi Lorenzo.
Agjenti i mbrojtësit të Juventusit, Giorgio Chiellini, ka deklaruar se klienti i tij meriton një kontratë më të mirë, duke shtuar se qëndrimi i tij në Olimpico të Torinos nuk është i sigurt.
“Ne jemi të nderuar që Giorgio Chiellini pëlqehet nga klube si Manchester United dhe Real Madrid. Ne kemi vendosur të mos flasim për transferime deri pas përfundimit të Botërorit”.
“Giorgio Chiellini nënshkroi kontratë me Juventusin dy vite më parë kur ai ishte i ri, por tani ai ka luajtur dy sezone të nivelit më të lartë. Tani është koha kur ai e meriton një kontratë më të mirë. Drejtorët e Juves nuk po nxitohen, por të shohim”, deklaroi Davide Lippi.
Portieri i Italisë, Federico Marchetti, është duke u kërkuar nga Arsenali dhe Bayern Munichu, dy këto skuadra që shquhen për probleme në portë.
Marchetti që do të ketë rastin të luajë në Botëror pas lëndimit të Buffon, ka zgjuar interesimin e dy skuadrave të lartpërmendura, të cilat do ta kontaktojnë Cagliarin në javët në vazhdim.
Arsenali duket të jetë favorit për portierin e Italisë, pasi që ka filluar kontaktet e para me Cagliarin, ndërsa Marchetti me paraqitjet e tija sezonin e kaluar, përveç se e siguroi vendin ne kombëtare, ka qenë atraksion në tregun evropian të transferimeve.
Asi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është duke synuar fanellën me numrin 7, që aktualisht bartet nga legjenda Raul Gonzalez.
Me kapitenin legjendar që pritet të largohet nga Santiago Bernabeu si transfer i lirë gjatë verës, Sport spekulon se Ronaldo mezi pret ta veshë fanellën me numrin 7.
Ronaldo ka bartur me vite fanellën me numër 7 te Manchester Unitedi, ndërsa firma CR7 është aktuale në Angli, Portugali e Spanjë, ndërsa portugezi mezi pret ta veshë fanellën me numër 7, për t’iu përshtatur pseudonimit të tij.
Se përzgjedhësi gjerman, Joachim Loew, është një nga motivuesit më të mëdhenj në botën e futbollit, e tregon fakti që menjëherë pas disfatës skandaloze nga Serbia, ka premtuar kualifikimin në ndeshjen e fundit ndaj Ganës.
“Klose është dashur të jetë më i kujdesshëm në atë rast... Ne nuk ishim aq dominues sa kemi planifikuar. Ne kemi ende mjaft cilësi për t’u kualifikuar dhe nuk duhet të jemi kokulur. Ne e kemi fatin në dorë dhe ju garantoj se do të kualifikohemi në fazën 1/8 të finales”, theksoi trajneri.
Nga ana tjetër, për kartonin e kuq që mori, Klose tha se ai pati për qëllim t’i ndihmonte ekipit dhe se kartoni nuk ishte i drejtë.
Lukas Podolski, njëri ndër fajtorët e triumfit serb ndaj Gjermanisë, ka kërkuar falje për penaltinë e humbur nga ai, duke thënë se kurrë në jetën e tij nuk e ka ekzekutuar më keq një penalti.
“Zakonisht nuk i gjuaj aq keq penaltitë, zakonisht jam më preciz. Por, më duhet të kërkoj falje për penaltinë e humbur. Humbja është mjaft e hidhur. Ne kemi mundur të fitojmë, e që do të na sillte një hap më pranë fazës 1/8”, theksoi pas ndeshjes Podolski.
Gjermania duhet të mposhtë patjetër Ganën në duelin e fundit dhe vendimtar për kualifikim.
Zinedine Zidane Ish-kapiteni i kombëtares franceze, Zinedine Zidane, u shpreh i zhgënjyer për dështimin e Francës për ta mposhtur Meksikën, në duelin ndoshta vendimtar për kualifikim të mëtutjeshëm.
“Më vjen keq për Francën, sepse ekipi nuk arriti të krijojë një rast të vetëm në gol dhe kjo nuk është e mjaftueshme për ata që presin të bëjnë diçka të rëndësishme”.
“Franca u takua me një ekip shumë të mirë, që bëri një start të mrekullueshëm. Meksika shkeli Francën, sidomos fizikisht. Dje (e enjte) fitoi ekipi më i mirë”, tha Zidane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një rikthim të jashtëzakonshëm nga disavantazhi prej dy golash, për të barazuar me rezultat 2-2 përballë liderit të Grupit C, Sllovenisë.
Sllovenia shfaqi lojë shumë më të mirë në 45 minutat e para, ndërsa këtë e dëshmoi edhe rezultati prej 2-0.
Valter Birsa shënoi një gol të bukur për të kaluar sllovenët në epërsi (13’), ndërsa Zlatan Ljubijankic dyfishoi dhe vendosi rezultatin e pjesës së parë (42’).
Me të filluar pjesa e dytë (48’), Landon Donovan shënoi një gol të jashtëzakonshëm për t’i dhënë shpresa skuadrës së tij për një rezultat pozitiv.
SHBA-të ishin skuadër dominuese në fraksionin e dytë të lojës, dhe më në fund arritën që ta barazonin rezultatin me anë të Michael Bradley (82’).
Pas këtij barazimi, Sllovenia kryeson Grupin C me katër pikë, ndërsa SHBA-të mbajnë vendin e dytë me dy pikë, para takimit tjetër të xhiros së dytë të këtij grupi ndërmjet Anglisë dhe Algjerisë.
Robinho është i bindur se shpresat e Brazilit për titullin e gjashtë të Kampionatit Botëror, janë mbi supet e Ricardo Kaka.
“Kur Kaka luan mirë, ai mund ta vendosë lojën. Ai është shumë i rëndësishëm për ne. Unë them se ne mund të përmirësohemi në ndeshjen e radhës”.
“Ajo ishte vetëm ndeshja e parë dhe ajo që ndodhi ishte normale. Selecao ka lojtarë të shkëlqyer dhe nëse ne duhet të zëvendësojmë dikë, atëherë jemi shumë të sigurt në cilësitë që kemi në bankën rezervë”, tha Robinho.
Mesfushori i Italisë, Daniele De Rossi, nuk është duke menduar për asgjë më pak se gjysmëfinalen e Botërorit, Afrika e Jugut 2010, duke thënë se gjithçka tjetër do të ishte dështim.
“Do të ishte dështim nëse nuk arrijmë të dalim nga faza grupore dhe do ishte dështim nëse eliminohemi në fazën 1/8. Synimi ynë është gjysmëfinalja dhe hyrja në top katërshe”, theksoi De Rossi.
Italia ka barazuar në ndeshjen e parë ndaj Paraguait, ndërsa ndeshjen e radhës do ta ketë ndaj Zelandës së Re.
Asi i Milanit, Ronaldinho, është duke e kaluar kohën e tij në Brazil duke festuar nëpër diskoteka.
Globoesporte njofton se mesfushori kreativ, që ishte lënë jashtë kombëtares braziliane, tani është duke kaluar kohën e lirë në Florianopolis. Ai ishte parë gjithashtu në hotelin Majestic Palace me dy kolegët e tij Pato (Milan) dhe Jo (Manchester City).
Dhe, jo si të gjithë lojtarët tjerë që e shikojnë Botërorin, Ronaldinho nuk ka treguar interes për këtë garë, duke ndenjur deri në orët e vona në diskotekat më të njohura të Brazilit, ku dhe nënshkruante autografe për tifozët.
Liverpooli shpreson të emërojë brenda javës së ardhshme si pasues të Benitezit, menaxherin e Fulhamit, Roy Hodgson.
Sipas The Mirror, mrekullitë e bëra të Hodgson e kanë bërë atë favorit për postin e trajnerit në Anfield, ndërsa kandidatë tjerë janë edhe Kenny Dalglish dhe Manuel Pellegrini.
Duke folur të ënjtën për spekulimet e fundit, Hodgson pranoi për BBC se nuk është në dijeni se do të jetë trajner i ardhshëm i Liverpoolit.
“Unë jam menaxher i Fulhamit. Unë jam shumë i lumtur te Fulhami. Të jem i sinqertë, ka shumë spekulime, por nuk mund t’i pranoj ato”, theksoi Hodgson.
Luciano Moggi ka këshilluar Milanin që të shqyrtojë transferimin e sulmuesit të Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic.
“Mendoj se Milani duhet të tentojë të sjellë një lojtar që mua më pëlqen, një lojtar të cilin e konsideroj vendimtar në çdo nivel dhe ai është Zlatan Ibrahimovic. Është e natyrshme se është i pamundur transferimi i tij, por unë do të kisha mundur ta transferoja si huazim”.
“Ata nuk duhet ta sakrifikojnë Paton për të. Ibrahimovic do të ishte fantastik përkrah Patos, pasi që Ibra luan si për tre lojtarë”, deklaroi Moggi për TMW.
Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, ka deklaruar se ai ndihet i nderuar që Rafa Benitez është duke e kërkuar atë te Interi.
“Benitez më kërkon te Interi? Pyeteni Benitezin, ai di gjithçka. Ai është eprori im dhe jam i nderuar që ai më beson. Unë ia kam borxh gjithçka”, theksoi Mascherano.
Interi është duke planifikuar t’i bëjë Liverpoolit një ofertë prej 25 milionë eurosh për mesfushorin argjentinas.
Pas lojës së mirë të Gjermanisë së shfaqur ndaj Australisë, Gjermania ka arritur të ndalet
befasisht nga Serbia. Gjermanët e filluan mirë takimin, mirëpo në minutën e 37-të gjërat ndryshuan për
Gjermaninë. Ishte Miroslav Klose ai që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, dhe kështu
Gjermania duhej të vazhdonte me dhjetë lojtarë në fushë. Serbia arriti ta shfrytëzojë për mrekulli epërsinë numerike në fushë, duke kaluar kështu në
epërsi vetëm një minutë pas përjashtimit të Klose, përmes Milan Jovanovic. Gjermania vazhdoi të dominonte në fushë, mirëpo serbët ishin të kujdesshëm në repartin e
mbrojtjes, dhe herë pas here depërtonin në sulm me kundërsulme të shpejta. Vlen të theksohet se Lukas Podolski lëshoi një mundësi të artë për ta barazuar rezultatin
pasi humbi penalltinë në minutën e 60-të të takimit. Kështu, Grupi D bëhet edhe më interesant, në të cilin ende kryeson Gjermania me tri pikë,
sa ka edhe Gana dhe Serbia, mirëpo Gana ka një ndeshje më pak të zhvilluar, atë kundër
Australisë./sportisot.blogspot.com/
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, shpreson që caktimi i një menaxheri të ri do t’i rregullojë gjërat në Anfield.
Reina po ashtu pret të ketë ndryshime edhe në pronarët e klubit.
“Jemi duke pritur me gishta të kryqëzuar, sapo të zgjidhet situata me menaxherin dhe pronarët, që shpresojmë të kryhet shpejt, me shpresa mund të fokusohemi në ndërtimin e një ekipi për të ardhmen”.
“Ne jemi të gjithë në të njëjtën anije dhe duam ta zbukurojmë atë. Ne duam të jemi më të fuqishëm, më të qëndrueshëm dhe të krijojmë dhe ndërtojmë një ekip më të gatshëm për të garuar për titull përsëri”, ka thënë Reina.
Klubi italian Genoa ka konfirmuar se është e interesuar për mesfushorin e Lazios, Cristian Ledesma.
Mesfushori argjentinas ka pasur një sezon për t’u harruar te klubi romak, për shkak të përplasjeve me drejtuesit e klubit, ngjashëm si edhe Goran Pandev. Por ndryshe nga maqedonasi, Ledesma mbeti në klub.
“Ne vërtet na pëlqen lojtari shumë dhe nuk dëshirojmë të mohojmë interesimin tonë. Mbi të gjitha ne e kuptojmë cilat janë synimet e Claudio Lotito. Nga ajo që kuptoj unë, ai nuk dëshiron ta shesë, por situata mbetet mister”, ka thënë presidenti i Genoas, Enrico Preziosi.
“Nëse Lotito e nxjerr Ledesman në shitje, atëherë ai duhet ta dijë se ne jemi të interesuar. Në atë rast gjithçka do të vendoset nga çmimi i tij”, ka shtuar Preziosi.

Villarreal dëshiron ta mbajë në Spanjë për sezonin e ardhshëm sulmuesin e Barcelonës, Keirrison.
Braziliani është liruar nga huazimi te Fiorentina dhe është rikthyer përsëri te Barcelona. Kjo e fundit është e gatshme ta dërgojë atë përsëri në huazim dhe Santos tashmë ka shprehur interesimin.
Por, Tuttosport shkruan se Villarreal po ashtu është i interesuar për sulmuesin me Giuseppe Rossi që pritet të largohen gjatë kësaj vere.
Portieri i Interit, Julio Cesar, ka porositur bashkëvendësin e tij Douglas Maicon të qëndrojë me kampionët e Serie A.
Agjenti i Maicon është duke bërë fushatë që mbrojtësi brazilian t’i bashkohet ish-trajnerit të Interit, Jose Mourinho, te Real Madridi.
“Maic, pa shaka, ti duhet të qëndrosh në Milan. Dua të shkruash premtimin: ‘Julio Cesar, vitin e ardhshëm 100 për qind do të qëndroj në Milan”, i ka thënë Cesar shokut të tij gjatë një konference të djeshme për media.
Trajneri i Greqisë, Otto Rehhagel, shpreson se mund ta mposhtë Argjentinën në ndeshjen e fundit të grupit B.
Greqia në ndeshjen e rundit të dytë të fazës grupore mposhti kombëtaren e Nigerisë me rezultat 2-1 për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit të mëtejmë. Dhe tash Rehhagel synon fitore edhe ndaj Argjentinës.
“Ata kanë një ekip të klasit botëror, një ekip të jashtëzakonshëm. Do të jetë interesante të shoh se si do t’ia dalë ekipi im. Jam vetëm i kënaqur që kemi shënuar fitore”, ka thënë menaxheri.
Kapiteni i kombëtares së Francës, Patrice Evra, është i ‘neveritur’ me kampanjën e vendit të tij në Kupën e Botës.
Në një intervistë emocionale pas humbjes prej 2-0 nga Meksika, Evra ka thënë se shanset për të vazhduar më tej janë zero.
“Është katastrofë, kaq mund të them. Ne nuk jemi një ekip i madh. Kur eliminoheni nga kampionati evropian në rundin e parë dhe po ashtu eliminoheni në rundin e parë të Kupës së Botës, nuk dëshironi të mendoni për futboll pas kësaj”.
“Sinqerisht nuk e kam menduar këtë. Ajo që dhemb është se ne nuk kemi ditur si të reagojmë, ose si të barazojmë dhe pastaj ata na mbytën neve me golin e dytë. Jam thellësisht i shqetësuar. Jam i tmerruar. Ne ia kemi borxh vetes ta mposhtim Afrikën e Jugut. Por sa për mrekulli, nuk besoj shumë në ta”, ka thënë Evra.
Edhe pse kombëtarja gjermane ka treguar lojën më impresive në Botërorin e sivjetmë në Afrikën e Jugut, menaxheri i ekipit gjerman Oliver Bierhoff mendon se gjermanët tek tash duhet ta tregojnë veten.
Pas fitores së lartë prej 4-0 ndaj Australisë, Gjermania sot do të përballet me Serbinë në kuadër të ndeshjeve të grupit D.
“Do të ishte gabim të kënaqemi vetëm me një fitore kundër Australisë dhe besoj se ndaj Serbisë do ta përmirësojmë paraqitjet. Duhet ta bëjmë këtë. Kësaj here duhet të shfrytëzojmë më shumë shanse”.
“Kundër Australisë kishte disa shanse të parealizuara, andaj këtë herë duhet të jemi më preciz veçanërisht kur kundërshtar na ofron një shans të tillë”, ka thënë Bierhoff.
Juan Mata ka thënë se ai do të ishte i interesuar të transferohet në Ligën Premier, me Liverpoolin dhe Arsenalin si destinacione më të preferuara.
“Nuk e di nëse do të shitem, kjo varet nga situata ekonomike në klub, që për momentin nuk është e mirë. Gjatë verës duhet të sigurojmë shumë para, dhe është e mundshme që ata të shesin lojtarë”.
“Në Spanjë shfaqen shumë ndeshje të Ligës Premier në televizion dhe është një ligë inspiruese. Ndoshta do të dua të luaj në Premier. Për momentin jam këtu, më pëlqen Valencia dhe liga spanjolle, por liga angleze po ashtu është e klasit dhe ka shumë ekipe të mëdha. Kush e di?”.
“Më pëlqen Arsenali dhe filozofia që lojtarët e rinj kanë. Liverpooli, me lojtarët spanjoll, po ashtu është një ekip i shkëlqyeshëm. Dhe Manchester United e Chelsea janë ekipe shumë të mëdha, si Real Madridi dhe Barcelona, me para dhe lojtarë të mëdhenj”, ka thënë Mata.
Juventusi raportohet se është afër të nënshkruajë me portierin e parehatuar të Milanit, Marco Storari, si zgjidhje të dytë pas Gianluigi Buffon, bën të ditur Sky.
Storari ka kaluar një sezon të jashtëzakonshëm i huazuar te Sampdoria, duke ndihmuar këtë ekip të sigurojë pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
33-vjeçari mund të shfrytëzohet për pjesën e parë të sezonit nga Juve, pasi Buffon është dëmtuar gjatë angazhimit të tij në Kupën Botërore me Italinë.
Biankonerët raportohet se dëshirojnë të ofrojnë 4.5 milionë euro për portierin italian, por nuk janë dhënë detaje për kohën se kur mund të arrihet një marrëveshje e tillë.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, raportohet se është duke përcjellë portierin e AZ Alkmaar, Sergio Romero, gjatë Kupës së Botës.
Portieri argjentinas përveç që është cak i topçinjve, po ashtu ka tërhequr edhe vëmendjen e klubeve tjera evropiane, në mes tyre edhe Benficas, shkruan Record.
Wenger dëshiron ta shtojë edhe një portier të klasit botëror në ekip për sezonin e ri dhe është rekomanduar ta transferojë Romeron nga vëzhguesit holandezë.
Bayern Munichu ia ka tërhequr vërejtjen Chelseat që ta largojë vëmendjen sa më parë nga mesfushori Bastian Schweinsteiger, pasi që bavarezët nuk kanë ndërmend të shesin njërin nga lojtarët më të mirë që kanë.
25-vjeçari papritmas u shndërrua në një nga caqet kryesore të Carlo Ancelottit, për mesfushën e Bluve të Londrës, ndërsa gjahu për të tashmë ka përfunduar.
“Shweinsteiger është një nga stolitë tona. Ne nuk kemi ndërmend ta shesim atë”, tha drejtori sportiv i Bayernit, Christian Nerlinger, duke ia bërë të qartë Chelseat se nuk ka se çfarë të kërkojë nga Bayerni.
MVP i finaleve Kobe Bryant duke festuar me bashkëlojtarët e tij. Los Angeles Lakers ka fituar kampionatin e NBA-së për të dytën herë radhazi pasi mposhtën me rezultat 83-79 rivalin e finales, Boston Celtics, në ndeshjen e shtatë finale.
Triumfi ua sjell Lakers titullin e 16-të të kampionit në histori dhe të 11-tin rekord trajnerit të këtij ekipi Phil Jackson. Lakers po ashtu bëhen ekipi i parë që e mbrojnë titullin e NBA-së që kur kishin e fituar atë tre herë radhazi nga viti 2000.
Kobe Bryant përfundoi ndeshjen me 23 pikë, derisa Ron Artest shënoi 20 gjatë një paraqitje të shkëlqyeshme. Spanjolli Pau Gasol kontribuoi me 19 pikë.
Me këtë fitore Los Angeles Lakers i hakmerret Boston Celtics, pasi ky i fundit kishte dalë fitues në finalet e vitit 2008.
Kapiteni i kombëtares së Anglisë, Steven Gerrard, thotë se ai dëshiron të luajë më i avancuar në ndeshjen kundër Algjerisë.
Steven Gerrard është detyruar të luajë një rol të zakonshëm të mesfushorit të qendrës në ndeshjen e parë kundër SHBA-ve, por megjithatë arriti të tregojë edhe iniciativë në sulm.
“Nuk më takon mua të paragjykoj se çfarë do të bëjë menaxheri dhe unë do të bëj çfarë do që ai kërkon. Por nëse jam në gjendje të luaj në një rol më sulmues, atëherë kjo do të më përshtatej dhe do të synoja ta realizoj”, ka thënë Gerrard.
“Është shkëlqyeshëm që Gareth Barry është rikthyer. Ai është një pasues i shkëlqyeshëm i topit, ai është shumë i qetë në posedim. Rikthimi i tij do ta forcojë 11-shen startuese”, ka shtuar kapiteni i Tre Luanëve.
Se sa e rëndë ishte humbja ndaj Meksikës, e tregon vetë Raymond Domenech. Njeriu më antipatik në Francë nuk diti se çfarë të deklarojë pas humbjes skandaloze ndaj Meksikës me rezultat 2-0.
“Nuk kam fjalë. Është shumë zhgënjyese. Ndeshja shkoi në dorë të fatit, ndërsa ne dështuam të rishtrojmë baraspeshën. Nëse e dimë zgjidhjen, ne do ta bënim atë në fushë”.
“Ne patëm tentime të mira, por nuk funksionuan. Ky është zhgënjim i madh. Unë jam si gjithë njerëzit tjerë që po shikojnë. Nuk di se çfarë t’u them lojtarëve”.
“Na nevojitet një mrekulli. Ne do të luajmë së paku për nder. Ne së paku duhet të tregojmë diçka në ndeshjen e fundit”, tha Domenech pas ndeshjes për televizionin francez TF1.
Trajneri i Nigerisë, Lars Lagerback, ka shfaqur zhgënjimin e tij, pasi skuadra e tij, lëshoi nga dora fitoren ndaj Greqisë.
“Është e vështirë. Ndoshta jam në këtë biznes më gjatë se ç’duhet. Jam tej mase i zhgënjyer me mungesën e komunikimit mes nesh dhe arbitrit. Nuk na është lejuar të flasim me ta dhe të na sqarojnë se pse u përjashtua Kaita”.
“Gjithë ajo që mund të bëj është të përgëzoj Greqinë, ata shënuan dy gola dhe ne vetëm një. Ne duhet të tejkalojmë këtë dhe të rifillojmë ditët në vazhdim. Përjashtimi ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nën këto kushte, jam i krenar se si luajtëm me një lojtar më pak. Topi duket se po lëviz çuditshëm, por është i njëjtë për të dyja ekipet, kështu që s’ka rëndësi”, deklaroi Lagerback.
Diego Armando Maradona, një nga çuditë e këtij kampionati, shpeshherë merr pyetje kontroverse nga gazetarët, ndërsa pas ndeshjes ndaj Argjentinës, ai ka deklaruar në konferencë për shtyp, se ai nuk është homoseksual, i ka kërkuar falje Platinit, por nuk e bëri një gjë të tillë për Pelen.
I pyetur se pse gjithmonë i përqafon lojtarët e tij, Maradona tha, “Mirë, unë ende preferoj femrat. Unë jam në lidhje me Veronican, që është bionde dhe 31 vjeçare. Jo, nuk jam bërë homoseksual. Por, më duhet të them se duhet t’i përgëzoj lojtarët në atë mënyrë, kur luajnë si ndaj Koresë së Jugut. Ajo ishte paraqitje e kënaqshme. Ishte një punë që u bë mirë”, tha trajneri.
Së fundmi, Maradona është pyetur për acarimet me Michel Platinin dhe Pelen. Të mërkurën ai ka deklaruar se Pele duhet të shkojë përsëri në muze, ndërsa për Platinin tha se nuk ka kurrfarë marrëdhëniesh.
“Platini më ka dërguar një letër, duke më sqaruar se kurrë nuk ka thënë atë që më ka thënë shtypi. Unë i kërkoj falje atij, por jo Peles”, përfundoi Maradona.
Para ndeshjes kryesore në fazën grupore ndaj Serbisë, përzgjedhësi gjerman, Joachim Loew, tingëlloi mjaft optimist për gjasat që skuadra e tij posedon për të mposhtur skuadrën e Serbisë.
“Ata janë shumë të sofistikuar në lojën dhe në pasimet e tyre, kështu që mund të dominojnë ndeshjen shumë lehtë nga këndvështrimi i futbollit, në çdo moment ata janë të rrezikshëm dhe mund të shënojnë. Ata kanë shpirt të madh luftarak, kurse pres një Serbi sulmuese nga fillimi”.
“Ne e dimë se ka pasur mjaft komplimente. Ne e kemi mbajtur veten në distancë mes paraqitjeve tona dhe rezultatit. Nuk ka garanci për sukses zonja dhe zotëri, ne duhet të jemi të kujdesshëm sepse kampionati posa ka filluar”.
“Nuk e di se si do të paraqiten lojtarët e mi nën presion. Çfarë mund të premtoj është që ne jemi tej mase të motivuar dhe kemi potencial të madh. Do të ketë shumë ndeshje të vështira, duke përfshirë atë ndaj Serbisë”, tha Loew në një konferencë për shtyp.
Pas het-trikut të tij ndaj Koresë së Jugut, sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain ka lëvduar përkushtimin e ekipit në këtë sfidë, duke këmbëngulur se paraqitja kolektive ishte shumë më e mirë sesa paraqitja e tij.
“Duhet të mendoni për ekipin para se të mendoni për vete. Ne i shndërruam rastet në gola, pasi dështuam ta bëjmë këtë në ndeshjen e parë. I gjithë ekipi luajti rol të madh. Ne jemi të kënaqur me paraqitjen tonë”.
“Ne kërkuam ta vrisnim lojën dhe kështu bëmë në pjesën e dytë. Ne nuk mund të relaksohemi. Ky është Botëror dhe gjithçka mund të ndodhë. Ne po bëjmë punë të mirë, por duhet të mbesim të fokusuar”, theksoi Higuain.
Argjentinës i duhet vetëm një pikë në sfidën ndaj Greqisë, për të siguruar kualifikimin.