Kombëtarja e Brazilit ka shënuar fitore prej 3-1 përballë Bregut të Fildishtë, për të siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Një lëvizje të bukur të Ricardo Kaka e shfrytëzoi Luis Fabiano, i cili edhe më bukur mposhti portierin Copa (25’) dhe me epërsi minimale të brazilianëve përfundoi pjesa e parë.
Ishte sërish sulmuesi i Sevillas, Fabiano, që dyfishoi në pjesën e dytë (51’) duke treguar mjeshtërinë e tij, përkundër se kishte ndalur topin me dorë.
Fitoren e Selecaos e vulosi Elano, i cili pranoi një krosim të Kaka për të realizuar golin e tretë (62’).
Në minutat e fundit, Bregu i Fildishtë krijoi presion për të ndryshuar diçka, por krejt çfarë bëri ishte vetëm një gol i shënuar nga Didier Drogba (79’).
Disa minuta para përfunduar takimi loja bëhet shumë e ashpër nga ana e lojtarëve të Bregut të Fildishtë. Duhet theksuar se Leite Kaka u largua me kartonin e dytë të verdhë pas një simulimi të lojtarit të Bregut të Fildishtë.
Me këtë fitore, Brazili arrin në kuotën e gjashtë pikëve dhe siguron kualifikimin në fazën e radhës, ndërsa xhiroja e fundit do të vendosë se në cilën pozitë do ta përfundojë fazën grupore të Botërorit.
Pak javë pasi u emërua si trajner i Interit, Rafa Benitez është duke e menduar tashmë rikthimin në Ligën Premier, edhe atë te Manchester City.
Sipas Daily Star, spanjolli ka filluar të bëjë planet e rikthimit në Angli, përkundër faktit që posa shkoi te Interi. Familja e Benitezit është ambientuar aq mirë në Angli, sa që shtëpinë e tyre luksoze nuk e vendosin dot në shitje, por e kanë dhënë me qira.
Benitez ka qenë gjithnjë kandidat për postin e Cityt, por pas emërimit të ish-trajnerit të Interit në këtë post, Benitez u kthye kah Nerazzurrët. Është pak e mundshme që spanjolli të ripërsërisë sukseset e Jose Mourinhos dhe për këtë shkak, ai është duke planifikuar largimin nga Milano, në fund të sezonit që do të fillojë në gusht.
Kombëtarja franceze ka hyrë edhe zyrtarisht në krizën më të thellë në histori të saj, pasi futbollistët janë ndarë në klane dhe për shkak të mosmarrëveshjeve mes trajnerit Raymond Domenech dhe futbollistëve, stërvitja e të dielës nuk është zhvilluar.
L’Equipe pohon se Raymond Domenech ka pasur një diskutim të nxehtë me Patrice Evran dhe trajnerin e fitnesit Robert Duverne, që ka rezultuar në kthimin e lojtarëve nga stërvitja në autobusin e tyre, prej nga kanë shkuar në hotelin e ekipit për t’u rigrupuar, pa bërë stërvitjen.
Në mes të këtij kaosi, drejtori i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Jean-Louis Valentin, ka thënë se do të japë dorëheqje nga pozita e tij.
Gjithë kjo katrahurë mësohet të jetë krijuar për shkak të pakënaqësisë së lojtarëve me vendimin e Raymond Domenechut që ta përjashtojë nga ekipi Nicolas Anelkan, pas fyerjeve të rënda të këtij të fundit ndaj përzgjedhësit francez.
Pasi pa Italinë e tij të bjerë nga piedestali, me një barazim prej 1-1 ndaj Zelandës së Re, që ka futbollistë pa kontratë profesioniste në skuadër, Marcello Lippi deklaroi se skuadra e tij thjeshtë nuk pati fat.
“Ne nuk patëm dhe aq fat, por duhet të pranohet se nuk luajtëm një ndeshje të madhe. Ta fillonim ndeshjen në atë mënyrë, na dha një detyrë tjetër nga ajo që kemi menduar. Skuadra luajti me dëshirë të madhe, por na mungoi mprehtësia në momentet e caktuara”.
“Duhet të thuhet se fati nuk ishte në anën tonë. Ne e goditëm shtyllën dhe lëshuam disa projektile në drejtim të portës. Tani duhet ta fitojmë ndeshjen e fundit nëse duam të shkojmë më tutje”, deklaroi Lippi pas takimit.
Pamje nga ndeshja. Italia nuk ka arritur të mposhtë Zelandën e Re në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit F, duke arritur të rrëmbejë vetëm një pikë, e që i ka vështirësuar punët për kualifikim të mëtutjeshëm.
Në minutat e para të takimit (7’), Shane Smeltz befasoi kampionin e botës duke kaluar në epërsi Zelandën e Re.
Pas golit të pësuar, Italia shtoi presionin dhe arriti të sigurojë një penallti kur Tommy Smith ndërhyri në De Rossin, ndërsa i pagabueshëm nga njëmbëdhjetëmetërshi ishte Vincenzo Iaquinta (29’).
Në minutat në vazhdim, Azzurrët krijuan presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit të tyre duke krijuar raste, mirëpo e kishin të vështirë të arrinin deri te goli i avantazhit, kështu që takimi përfundoi me rezultat 1-1.
Pas këtij barazimi, Italia ka dy pikë, po aq sa Zelanda e Re, që kualifikimin do ta kërkojnë në xhiron e fundit, ndërsa fitorja është kusht i domosdoshëm. Në xhiron e tretë të fazës grupore, Italia përballet me Sllovakinë, ndërsa Zelanda e Re luan kundër Paraguait.
Mesfushori i Spanjës, Cesc Fabregas, edhe pse nuk u tregua të jetë i frustruar për mosinkuadrimin e tij ndaj Zvicrës, shfaqi qartë një zhgënjim në trajnerin Vicente del Bosque.
“Nuk dua të them: ‘Jam i hidhëruar ose nuk më intereson pse nuk luaj’. Unë do ta tejkaloj hidhërimin tim duke bërë më të mirën në stërvitje dhe duke dëshmuar se jam i gatshëm të bëj punën time. Nuk pendohem. Nuk luaj aq sa kam dëshirë, por është normale dhe trajneri është ai që i zgjedh të tjerët”.
“Ka mjaft lojtarë kualitativë dhe këtu të gjithë meritojnë të luajnë. Është normale që unë dua të luaj më shumë, në rregull? Futbolli është jeta ime dhe unë kam luftuar gjatë gjithë sezonit që të jem këtu dhe të bëj më të mirën për ekipin”, deklaroi Fabregas për Sky Sports.
Ylli i Spanjës dhe i Valencias, David Silva, ka thënë se për të do të ishte kënaqësi të luante për Chelsean, duke krahasuar madje klubin londinez me klube si Real Madridi apo Milani.
“Chelsea e ka shndërruar veten në një nga ekipet më të mira të Evropës gjatë pesë viteve të fundit. Ata ndoshta nuk e kanë historinë e Real Madridit apo të Milanit, por ç’është e vërteta, ata po e krijojnë historinë e tyre. Nëse ata vazhdojnë në këtë mënyrë, nuk ka arsye pse të mos konsiderohet Chelsea si Real Madridi”.
“Chelsea ndoshta ka, bashkë me Barcelonën, ekipin më të mirë në botën e futbollit dhe çdo lojtar që i bashkohet Chelseat e di se do të fitojë diçka. Do të ishte kënaqësi të luaja për Chelsean”, tha Silva.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka dhënë një deklaratë sensacionale për Daily Star, ku ka thënë se ëndërron të luajë me Wayne Rooneyn dhe shtoi se ai është më i rëndësishëm për United se sa që ishte Ronaldo.
“Do të ishte ëndërr të luaja me Rooneyn nëse Manchester United vjen në një pikë ku detyrohet ta shesë atë. Unë personalisht do të shkoja te presidenti i Barcelonës dhe do të kërkoja që ai të transferohej. Gjithmonë ka pak futbollistë që janë të aftë të hyjnë në librat e historisë së futbollit. Për momentin, ata janë ndoshta Ronaldo, Rooney, Xavi dhe një ose dy të tjerë…por mendoj se nuk ekziston dikush që luan me dëshirën e Rooneyt”.
“Ne të gjithë e dimë se lojtarët e nivelit më të lartë kanë pagat më të larta…nuk është e fshehtë kjo. Por, Rooney do luante për 100 euro në javë. Ju mund ta shihni zjarrin në sytë e tij. Është ai zjarr që e bën atë më të mirin prej më të mirëve. Dashuria e tij për futbollin është natyrale. Është sikurse dashuria e babait për djalin e tij. Ai nuk ka nevojë ta bind veten se e do futbollin, ai është lindur për të”.
“Nëse Rooney do të shitet ndonjëherë, mendoj se ai do të bëhet futbollisti i parë 100 milionësh. Me gjithë respektin për Ronaldon, unë mendoj se Rooney është lojtar më i rëndësishëm për Unitedin se sa që ishte ai. Aftësitë e Ronaldos nuk vihen në dyshim, por Rooney nuk është vetëm talenti, por edhe zemra e Manchester Unitedit. Nuk e di nëse ndonjëherë do të luaj me të, por nëse ai ndonjëherë dëshiron të largohet, ai është një nga ata pak talentët që mund ta përmirësojnë ekipin e Barcelonës”, theksoi futbollisti më i mirë në botë.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Martin Skrtel, është bërë futbollisti i parë që ka folur për largimin e Rafa Benitezit nga Anfield, duke thënë se Liverpooli pati nevojë për ndryshime dhe se largimi i spanjollit erdhi në kohën e duhur.
“Menaxhmenti është dashur të bënte ndryshime dhe ata e shkarkuan Rafa Benitezin, çfarë mund të bëjmë ne? Asgjë. Ne jemi vetëm lojtarë dhe ne duhet të presim menaxhmentin e ri”.
“Nuk e di. Rafa më solli te ky klub dhe jam krenar për këtë, i jam mirënjohës atij për këtë. Tani duhet të presim menaxhmentin e ri. Ne do të tentojmë të luajmë më mirë se këtë sezon”, deklaroi Skrtel.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, e ka bërë Diego Forlanin prioritet në listën e tij të dëshirave për këtë afat kalimtar veror, pas paraqitjeve të tija impresionuese në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.
Sipas Sunday Mirror, përkundër faktit se ka në skuadër Jermaine Defoe dhe Peter Crouch, bosi i Spursave mendon shtojë forcat sulmuese të skuadrës.
Tottenhami dëshiron të përforcojë skuadrën, pasi që do të garojë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve, ndërsa problem për ekipin anglez do të jetë çmimi i Forlan, për të cilin Atletico nuk pranon më pak se 12 milionë funte.
Evertoni duket të ketë vulosur të ardhmen e Steven Pienaarit, pasi që e ka bërë atë futbollistin më të paguar në histori të klubit nga Godisson Park, duke larguar kështu interesimin e Tottenhamit për të.
Sipas Sunday Mirror, menaxheri i Evertonit, David Moyes, që është si radio-analist në Afrikën e Jugut, u takua me Pienaarin në kampin stërvitor të Afrikës së Jugut, ku dhe u bë oferta.
Moyes i ka ofruar kontratë të vlefshme 55.000 funte në javë Pienaarit, ndërsa ende është në pritje të përgjigjes. Nga ana tjetër Harry Redknapp ka bërë ofertë prej 10 milionë eurosh për reprezentuesin e Afrikës së Jugut, në mënyrë që ta sjellë atë te Tottenhami.
Ish-kapiteni i Francës, Zinedine Zidane, kishte diskutuar planet e tij nga ana taktike me Patrice Evran, Franck Riberyn, Thierry Henryn dhe William Gallasin, para ndeshjes ndaj Meksikës.
Liberation raporton se Zidane ia ka sugjeruar Domenechut të luajë me sistemin 4-4-2 dhe në lojë të futeshin Thierry Henry dhe Matthieu Valbuena në vend të Sidney Govou dhe Yoann Gourcuff.
Megjithatë, Domenech dëgjoi kokën e tij, kur e mori vesh se prapa këtij revolucioni taktik qëndroi Zidane, pasi këtë taktikë lojtarët e lartpërmendur ia treguan Domenechut. Edhe pse Gourcuff nuk luajti, Franca humbi 2-0 nga Meksika dhe tani i duhet një mrekulli në xhiron e fundit për të siguruar kualifikimin.
Një nga favoritët e këtij Botërori, Brazili, do të ndeshet me Bregun e Fildishtë në kuadër të rrethit të dytë, ndërsa Carlos Dunga ua ka tërhequr vërejtjen njerëzve të tij të jenë të vëmendshëm ndaj afrikanëve.
“Në këtë Botëror ne po shohim që çdo ekip po vë shumë lojtarë prapa topit kur është në posedim ekipi kundërshtar dhe Bregu i Fildishtë e ka treguar këtë ndaj Portugalisë. Ne duhet të jemi shumë efektivë sepse nuk do të kemi dhe aq raste për të shënuar. Bregu i Fildishtë është ekip shumë i organizuar mirë nën trajnerin e ri Sven-Goran Erikson. Ata do të sulmojnë më shumë se Koreja e Veriut. Ata kanë cilësi në skuadrën e tyre. Ne duhet të jemi të vëmendshëm në lojën ajrore dhe unë pres lojë fizike”.
“Është e vështirë të jesh trajner i një ekipi kombëtar për arsye të presionit. Trajneri duhet të jetë i baraspeshuar dhe të kuptoj se pika fokale është ekipi. Gjithçka tjetër nuk ka rëndësi. Brazili ka lojtarë kualitativë të cilët mund ta vendosin ndeshjen. Më e rëndësishme është që ekipi është i fokusuar në fitimin e kampionatit”, deklaroi Dunga.
Përfaqësuesja e Paraguait ka shënuar fitore prej 2-0 kundër Sllovakisë, për të marrë kreun e Grupit F, pas xhiros së dytë të fazës grupore.
Ekipi latino-amerikan ishte skuadër më e mirë në takimin, i cili nuk pati shumëçka për të shijuar, mirëpo u shënuan dy gola.
Enrique Daniel Vera realizoi në pjesën e parë (27’), për t’i dhënë shpresa reale përfaqësueses së tij për kualifikim.
Ndërkohë, një gol të bukur e shënoi Cristian Riveros (86’) për të vulosur fitoren dhe për të afruar kombëtaren e tij shumë pranë kualifikimit në fazën e radhës.
Pas kësaj fitoreje, Paraguai ka katër pikë dhe i nevojitet edhe një pikë e vetme në ndeshjen e fundit në Grupin F kundër Zelandës së Re, për të qenë i sigurt në kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, do të mbajë postin e tij në kombëtaren spanjolle edhe nëse Spanja eliminohet që në fazën grupore.
“Çfarëdo që të ndodhë, Del Bosque do të mbetet trajner. Nuk është katastrofë nëse ne nuk arrijmë të tejkalojmë fazën grupore”, theksoi presidenti i Federatës spanjolle të Futbollit, Angel Villar.
Spanja pas humbjes nga Zvicra në rrethin e parë, është e detyruar të mposhtë të hënën Hondurasin, për të shpresuar në një kualifikim të mëtutjeshëm. Ekziston mundësia që të shohim një finale para finales, Brazil-Spanjë, nëse Spanja zë pozitën e dytë në grupin e saj.
Danimarka ka arritur të mbajë gjallë shpresat e kombit danez për një kualifikim, pas triumfit ndaj Kamerunit, ndërsa përzgjedhësi Morten Olsen synon që ta përmirësojë edhe më shumë ekipin e tij.
“Ne kemi bërë shumë gabime elementare, të cilat nuk mund t’ua lejoj lojtarëve të mi. Për këtë arsye nuk jam i kënaqur. Natyrisht, lojtarët e mi luftuan heroikisht, disa nuk luajtën mirë, por luftuan. Ishte një përkushtim heroik fizik, por nëse duam të kualifikohemi më tej, kemi edhe shumë punë për të bërë. Ne e dimë këtë shumë mirë”, deklaroi Olsen pas ndeshjes ndaj Kamerunit.
Danimarkës i duhet një fitore ndaj Japonisë për të siguruar pozitën e dytë që dërgon danezët në fazën tjetër, ndërsa një barazim i mundshëm nuk u përshtatet skandinavëve për shkak të golaverazhit më të dobët se Japonia.
Fabio Capello rrezikohet seriozisht nga shkarkimi prej postit të përzgjedhësit të Anglisë, pasi një burim brenda përbrenda kombëtares së Tre Luanëve, ka bërë të ditur se italiani është duke e pritur ‘sëpatën në kokë’ nëse ai nuk arrin të kualifikohet në fazën tjetër, që do të përbënte paraqitjen më të keqe të Anglisë që nga viti 1958.
“Është ende herët të flasim për pozitën time. Ne duhet të presim. Ne kemi kohë për t’iu përgjigjur asaj pyetje”, theksoi Capello pas ndeshjes ndaj Algjerisë, kur është pyetur për postin e tij.
Megjithatë, burimi tha: “Ky është futbolli dhe ne jemi pa kurrfarë iluzionesh. Marrëveshja e re ishte arritur për të treguar besimin e ndërsjellë, por nëse Anglia nuk kualifikohet në fazën tjetër, atëherë ne presim që FA ta shkarkojë Capellon”.
“Para Botërorit, Sir Dave Richards e siguroi Capellon se ai është ende i dëshiruar. Si qëndrojnë gjërat, asgjë nuk ka ndryshuar në esencë nga marrëveshja që e nënshkroi Capello. Ne shkuam në Botëror me një shpirt të bashkimit, ne e bëmë atë edhe në letër dhe kështu dëshirojmë të vazhdojmë. Ne duhet të mendojmë pozitivisht”, përfundoi burimi.
Ndeshja ndaj Sllovenisë në kuadër të rrethit të tretë të fazës grupore është ndeshja ‘o jetë o vdekje’ për kombëtaren angleze, pasi që çdo rezultat pos fitores do të thoshte paketim i valixheve dhe shikim të këndshëm të Botërorit në televizor.
Manchester City është në përgatitje të një oferte të jashtëzakonshme për mesfushorin e Valencias, David Silva, në tentim për ta bindur atë të largohet nga Mestalla.
The Mirror shkruan se City do t’i ofrojë Silvas një kontratë të vlefshme 160.000 funte në javë, nëse ai kalon te skuadra nga Eastlands. City gjithashtu është disa ditë pranë finalizimit të marrëveshjes prej 25 milionë funte për Yaya Touren.
Drejtori i Manchester Cityt, Garry Cook, thuhet të ketë përfunduar gjithçka sa i përket transferimit të David Silvas, ndërsa të interesuar për mesfushorin spanjoll janë treguar edhe Real Madridi dhe Barcelona.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, duket të jetë gjithnjë e më pranë largimit nga skuadra gjermane, pasi që këta të fundit kanë filluar negociatat për sulmuesin uruguaian të Palermos, Edinson Cavani.
Sulmuesi boshnjak është duke u kërkuar nga Tottenhami, Manchester City, Juventusi dhe Milani. Dzeko ka një çmim prej 35 milionë funtesh, ndërsa nuk mendohet se ‘ujqit’ do të marrin oferta më shumë se 28 milionë funte.
Edinson Cavani dhe sezoni i tij i suksesshëm në Itali me Palermon, kanë bërë që drejtuesit e Wolfsburgut të mendojnë seriozisht për reprezentuesin uruguaian. Ai pritet të largohet nga Sicilia për 20 milionë funte.
Agjenti i trajnerit të shkarkuar të Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka thënë për Sunday Mirror se klienti i tij ka marrë një ofertë nga një klub i Ligës Premier, që e lidhë atë automatikisht me Liverpoolin.
Pellegrini ishte shkarkuar nga Real Madridi për shkak të dështimit për të sjellë tituj në Bernabeu, ndërsa Liverpooli të njëjtën gjë e bëri edhe me Rafa Benitezin, që tani është trajner i Interit.
Për postin e menaxherit të Liverpoolit pos Pellegrinit, emrat që po lakohen janë edhe Roy Hodgson i Fulhamit dhe legjenda e Liverpoolit, Kenny Dalglish.
“Nuk mund të konfirmoj e as të mohoj asgjë. Gjithçka që mund të them është se kemi një ofertë nga Anglia”, theksoi agjenti.
Sipas Sunday Mirror, Manchester City është i gatshëm ta shesë anësorin brazilian Robinho.
Sipas tabloidit britanik, drejtuesit e Cityt do të lejojnë që ai të largohet për pak para nga Eastlands, vetëm e vetëm për të mos shkaktuar probleme brenda kampit të klubit.
Agjentët e brazilianit pritet të takohen të mërkurën me zyrtarët e Cityt, pasi që ata dëshirojnë ta largojnë Robinhon, pas huazimit te Santosi.
Bernd Schuster ka thënë se ai do ta mirëpriste Robinhon te Besiktasi, ndërsa ky i fundit e quajti si fantastike nëse kjo marrëveshje do të arrihej ndonjëherë.
Pak orë pasi mori vesh se ishte përjashtuar nga kombëtarja franceze, për shkak të fyerjeve të rënda ndaj trajnerit Raymond Domenech, Nicolas Anelka ka pranuar përjashtimin e tij nga përfaqësuesja franceze.
“Unë kam respekt të madh për ekipin e Francës, unë gjithashtu kam respekt të madh për të gjithë bashkëlojtarët e mi, pa përjashtim, unë këmbëngul në këtë. Franca ka një ndeshje të madhe të martën ndaj Afrikës së Jugut, nga e cila mund të kualifikohet në Botëror. Kjo është arsyeja pse nuk preferoj të flas tani”.
“Por, më duhet të sqaroj se komentet që u shfaqën në shtyp nuk janë të mia. Natyrisht, kam pasur një diskutim të nxehtë me trajnerin, por është mbajtur diskrete nga zhveshtorja, mes trajnerit dhe meje, para bashkëlojtarëve të mi dhe stafit. Kjo nuk është dashur të dalë kurrë nga zhveshtorja. Nuk e di kush mund të përfitojë nga këso lloj gjërash, por natyrisht nuk është ekipi”.
“Kurrë nuk ka qenë qëllimi im që ta dëmtoja ekipin francez, institucion që e respektoj. Unë e pranoj përjashtimin tim nga Franca dhe i dëshiroj çdo të mirë kombëtares franceze ndaj Afrikës së Jugut”, deklaroi Anelka për Francesoir.
Mbrojtësi i majtë i Francës, Patrice Evra, ka deklaruar se dikush është duke tentuar të shkatërrojë shpirtin e Francës në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.
“Problemi i Francës nuk është Anelka, por tradhtari është një nga ne. Ne duhet ta eliminojmë tradhtarin nga grupi, sepse ai dëshiron ta lëndojë ekipin”.
“Nuk ekziston një mi i vogël në zhveshtore, kjo vjen nga dikush që është në ekip dhe që dëshiron ta lëndojë skuadrën. Ne nuk do të gënjejmë, këtë nuk e bëri gazetari i L’Equipe. Nuk di kush është ky person për të cilin fola, sepse nuk jam magjistar”, theksoi Evra i hidhëruar me zhvillimet e fundit në kampin francez.
Transferimi i ri i Besiktasit, Ricardo Quaresma, ka deklaruar në prezantimin e tij si lojtar i skuadrës turke, se ai do të lë gjakun në fushë për të fituar tituj.
“Unë do të lë gjakun tim në fushë, sepse unë dua të bëhem kampion te Besiktasi. Unë dua t’u falënderoj të gjithë juve, ndërsa në fushë, dua t’u ndihmoj të fitoni tituj. Kjo është ajo që dua më së shumti tani”, theksoi Quaresma para mijëra tifozëve të mbledhur në BJK Inonu Stadium.
Ish-mesfushori i Interit u largua nga skuadra Nerazzure në drejtim të Besiktasit për 7.3 milionë euro, ndërsa do të tentojë të tregojë veten në Turqi, pas dështimeve te Barcelona, Chelsea dhe Interi.