Bartësi i pestë, Andy Roddick, ka arritur të kualifikohet në rrethin e dytë të garave në Wimbledon, ashtu si Venus Williams në konkurrencën e femrave, por befasia e parë është eliminimi i kampiones së French Open, Francesca Schiavone.Në konkurrencën e femrave, Justine Henin ishte tejet e fortë për letonezen Anastasija Svastova. Venus Williams gjithashtu shënoi fitore të lehtë prej 6-3 dhe 6-2 ndaj paraguaianes Rossana De Los Rios, ndërsa në rrethin tjetër takohet me rusen Ekatarina Makarova.
Befasi natyrisht ishte eliminimi i fitueses së French Open, italianes Francesca Schiavone, që iu përul ruses Vera Dushevina me rezultat 6-7, 7-5 dhe 6-1.
Mesfushori kosovar, Valon Behrami, ka pranuar se ishte befasuar me vendimin skandaloz të gjyqtarit Khalil Al-Ghamdi, që e përjashtoi atë me karton të kuq në minutën e 30-të të sfidës së humbur ndaj Kilit me rezultat minimal 1-0.“Tani ndjehem sikur më është shkatërruar Botërori. Një sezon i tillë, është e pabesueshme. Kartoni i kuq më befasoi, sepse është normale të kesh kontakt në futboll. Lëvizja ime nuk kishte për qëllim që të dëmtonte apo t’i bënte diçka lojtarit kundërshtar. Unë vetëm desha ta mbroj topin, siç kam bërë çdo herë. Është e pabesueshme për mua”.
“Nuk e di se me sa ndeshje moslojë do të më dënojnë. Nëse është një, në rregull. Nëse nuk është një, atëherë do të bëj diçka”, theksoi i nervozuar Behrami, duke shtuar se ai është 100% i sigurt se vendimi është i padrejtë.
“Pasi panë çfarë ndodhi, bashkëlojtarët u ndjenë keq për mua. Natyrisht se isha i befasuar. Nuk mund të besoja se më dha karton të kuq për atë, dhe gjithashtu, çfarë mund të them është se, lojtari i Kilit, ka pasur shumë njerëz përreth për të simuluar në atë mënyrë. Ai ndoshta vetëm e preku dorën time dhe nuk mund të simuloni në mënyrë të tillë. Natyrisht, ne do të kualifikohemi sepse e meritojmë dhe pas këtij vendimi meritojmë edhe më shumë. Do të na kthehet për të mirë”, deklaroi Behrami për Goal.com.
Superylli portugez Cristiano Ronaldo është shprehur i kënaqur për golin e shënuar në fitoren prej 7-0 ndaj Koresë së Veriut.“Goli im ishte qesharak për t’u shënuar. Unë jam shumë i kënaqur. Shënimi i shtatë golave në një ndeshje të Botërorit, nuk është gjë e lehtë për t’u bërë. Mendoj se bashkëlojtarët e mi meritojnë përgëzime”.
“Tre ose katër lojtarë merituan të shpalleshin lojtarë të ndeshjes, por sipas meje ai ishte Tiago”, ka thënë Ronaldo.
Pas ishte dëshmitar i njërit prej referimeve skandaloze të këtij Botërori, Ottmar Hitzfeld ishte i kënaqur me lojtarët e tij, për rezistencën me dhjetë lojtarë ndaj Kilit, duke thënë se skuadra e tij mund të kualifikohet më tej.“Ne luajtëm 60 minuta me dhjetë lojtarë, ndaj një ekipi aktiv si Kili. Është shumë zhgënjyese, por ne ende mund të fitojmë gjashtë pikë. Varet nga ne, ne duhet t’i marrim tre pikët ndaj Hondurasit. Ne kemi dhënë gjithçka nga vetja, por është vërtet zhgënjyese që pranuam një gol në fund të një ndeshjeje të tillë”.
“Mendoj se FIFA duhet të sigurohet që vetëm gjyqtarët më të mirë të ndajnë drejtësinë në Botëror”, tha Hitzfeld pas ndeshjes.
Ylli i Holandës, Arjen Robben, beson se do të mund ta luajë ndeshjen e tij të parë në Botëror, të martën ndaj Kamerunit.“Ditëve të fundit unë jam stërvitur normalisht pa ndonjë problem. Tani ndjej se kam nevojë të luajë një ndeshje për të rigjetur ritmin”.
“Të luaj ndaj Kamerunit është e mundshme. Rreziku është fjalë e madhe, pasi që ne tanimë kemi rrezikuar me trajtimin agresiv, i cili ka mundur të më lë jashtë Botërorit dhe të më dërgonte në pushime verore”, u shpreh Robben.
Diego Maradona ka konfirmuar edhe njëherë se Lionel Messi nuk do të pushohet në takimin ‘formal’ ndaj Greqisë, duke vënë edhe njëherë në theks të veçantë rëndësinë që ka ai në lojën e Argjentinës, si futbollisti më i mirë në botë.“Natyrisht, ne kemi dashur t’i japim pushim Lionel Messit në stërvitje, por ai do të luajë. Ai gjithnjë dëshiron të luajë, por unë kam menduar t’i jap një pushim. Megjithatë, nëse keni një lojtar si Messi, që është më i miri në botë, unë mendoj se është përbuzje të mos u japim njerëzve kënaqësinë e të shikuarit një futbollist të tillë”.
“Nëse Messi nuk po luan mirë, atëherë lejojeni të vazhdojë luajë kështu keq, sepse unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me paraqitjet e tij. Ai po hyn në fushë për t’i ndihmuar ekipit. Leo ndihmon në definimin e ndeshjes dhe krijon raste për lojtarët tjerë”, tha Maradona.
Spanja ka shënuar fitore komode prej 2-0 përballë Hondurasit për të shpresuar që në xhiron e fundit të fazës grupore të sigurojë kualifikimin në fazën e mëtutjeshme të Kampionatit Botëror.Kampioni i Evropës ishte dukshëm skuadër më e mirë se kundërshtari dhe me plot meritë regjistroi tre pikët e para në këtë Botëror.
Heroi i ‘furisë së kuqe’ ishte sulmuesi i ri i Barcelonës, David Villa, i cili shënoi të dy golat (17’ dhe 51’).
Villa ka mundur të shënojë het-trik po të realizonte në minutën e 61-të nga pika e bardhë, mirëpo ishte i pasaktë.
Pas kësaj fitoreje, Spanja ka tre pikë, po aq sa ka Zvicra, ndërsa kualifikimin do ta kërkojë në xhiron e fundit në ndeshjen përballë liderit të Grupit H, Kilit.
Kampioni aktual i turneut më të madh të tenisit, Wimbledon, Roger Federer, ka deklaruar pas fitores sensacionale ndaj kolumbianit Alejandro Falla në rrethin e parë, se ai ishte me fat dhe se është dashur të pësonte humbje.“Unë definitivisht pata fat këtu. Unë kam humbur shumë ndeshje të cilat është dashur t’i fitoja, por kjo është një të cilën është dashur ta humbisja, por e tejkalova. Kështu shkojnë punët në terrene me bar. Erdhi si shok ky dizavantazh, si diçka për të cilën nuk isha përgatitur, por duhet të përfitoni nga përvoja dhe forca fizike. Unë jetoj sot, për të luftuar nesër”, deklaroi Federer.
Kjo fitore e Federerit prej tre orë e 18 minutash, e vë atë përballë serbit Ilija Bozoljac, në rrethin e dytë të garave në Wimbledon
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka bërë një hap tjetër drejt largimit nga Camp Nou, pasi që ka kërkuar nga agjenti Mino Raiola, që të përgatisë transferimin e tij te Milani.El Mundo Deportivo dhe ‘Qui Studio, Voi Stadio’, pohojnë se Ibrahimovic është pranë kthimit në Milano, por te rivali i përbetuar i ish-skuadrës së tij. Sport ditë më parë spekuloi se Pato mund të përfshihet si shkëmbim në këtë marrëveshje, skenar që nuk besohet se do të ndodhë.
Thuhet se Ibrahimovic ka kërkuar nga agjenti i tij, që të gjejë ndonjë mënyrë për të kaluar te Milani, që po kërkon një sulmues të ri. Raiola ishte parë në zyrat e Milanit gjatë fundjavës, por që të dyja palët mohuan të kenë negociuar për sulmuesin suedez.
Marca njofton se mbrojtësi i Interit, Maicon, është shumë pranë transferimit te Real Madridi.Që nga koha kur Jose Mourinho u emërua trajner i Los Blancos, vazhdimisht po spekulohet se Maicon mund të kalojë në Bernabeu. Interi ka kërkuar 35 milionë euro për të, por duket se do të pajtohet me 28 milionë euro.
Interi ka zëvendësues në pozitën e brazilianit, pasi që këtë punë mund ta bëjnë me mjaft sukses edhe kapiteni Javier Zanetti dhe i riu Davide Santon.
Ish- tenistja më e mirë në botë, Kim Clijsters, ka arritur të shënojë fitoren e saj të parë në Wimbledon që nga viti 2006, me rezultat 6-0 dhe 6-3, me ç’rast demoloi italianen, Maria Elena Camerin.Clijsters që është duke e luajtur vetëm turneun e saj të tretë ‘grand-slam’, që pas rikthimit nga pensionimi në vitin 2009, ka siguruar rrethin e dytë ku do të përballet ndaj kroates Karolina Sprem.
Kjo paraqitje e shkëlqyer e belges, detyron rivalet e saja të përbetuara që ta ndjekin atë, në gjahun për titullin e vlefshëm prej një milion funtesh.
Kampioni në fuqi i Wimbledonit, Roger Federer, ka arritur të shpëtojë nga një prej befasive më të mëdha në histori të tenisit, pasi arriti të kthehej nga dizavantazhi prej 2-0 në sete ndaj Alejandro Fallas, duke siguruar me mjaft mund kualifikimin në rrethin e dytë.Gjashtëherë kampioni i Wimbledonit arriti ta fitojë takimin me rezultat 5-7, 4-6, 6-4, 7-6 dhe 6-0, në një ndeshje fantastike hapëse. Falla ka pasur rastin ta sigurojë fitoren në setin e katërt pranë rezultatit 5-4, por shërbimin definitiv të kolumbianit e fitoi Federer.
Zviceran kishte deklaruar se ai është duke luftuar për të barazuar rekordin prej shtatë titujsh me Pete Samprasin, por siç ia ka nisur ndaj numrit 60 në ranglistën ATP, Federerit nuk do t’i zgjasë shumë, kur dihet se do ta presë një Rafael Nadal në top formë në terrenet e barit.
Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, ka deklaruar se e di rrezikun që e pret nga Gana, duke premtuar në mënyrë të tërthortë lojë më të mirë të skuadrës së tij në krahasim me ndeshjen ndaj Serbisë.“Gana është e shpejtë dhe mund të luajë mirë në kundërsulme, ata nuk turpërohen para dueleve një me një, pasi që janë të fortë fizikisht. Ka lojtarë të cilët mund t’u hyjnë sprinteve fantastike”.
“Tempi i përgjithshëm ndaj Ganës do të jetë më i lartë se ndaj Serbisë. Serbët ishin të ngadalshëm dhe u bllokuan, ata e menduan vetëm barazimin dhe për atë luajtën me një sulmues. Do të jetë lojë më e shpejtë, sepse forma fizike në kombëtaren gjermane shkruhet me shkronjën ‘F’ dhe ne dimë se si ta menaxhojmë atë”, deklaroi Loew para gazetarëve.
Kili ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër përfaqësueses së Zvicrës, e cila në pjesën më të madhe të takimit luajti me dhjetë lojtarë.Që në pjesën e parë të ndeshjes (31’), arbitri ia vështirësoi punët përfaqësueses së Zvicrës duke marrë një vendim skandaloz për ta përjashtuar nga loja kosovarin me pasaportë zvicerane, Valon Behrami.
Nga momenti i largimit të Behramit, Kili e mori lojën në dorë duke shkaktuar presion të vazhdueshëm drejt portës së Diego Benaglio, mirëpo te goli i avantazhit erdhi vetëm në minutën e 75-të.
Paredes pranoi një top nga Valdivia, për të pasuar te Mark Gonzalez Hoffman, i cili kaloi në epërsi përfaqësuesen e tij, edhe pse paraprakisht pati një dyshim për pozitë jashtë loje.
Një rast shume të mirë për ta barazuar rezultatin e pati në fund të takimit Eren Derdiyok, i cili pranoi një pasim të Albert Bunjakut, mirëpo dështoi ta gjente portën.
Me këtë fitore, Kili grumbullon gjashtë pikë dhe kryeson Grupin H, dhe është shumë pranë kualifikimit në fazën e eliminimit direkt, ndërkohë që Zvicra duhet të shpresojë për ndonjë dështim eventual të Spanjës.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka refuzuar të pranojë statusin e favoritit për të fituar trofeun e Kampionatit Botëror.“Ne nuk jemi favoritë. Ne erdhëm këtu për të luftuar për një Kupë të Botës dhe unë e di se si është të luash në Botëror, dhe të jesh në përzierje të rregullt të gjërave. Nuk më pëlqen të jemi favoritë para ose gjatë kampionatit, secili ekip mund t’u tejkalojë dhe më pas, për gjithçka që ke punuar… lamtumirë”.
“Më pëlqen çfarë po shoh nga ekipi im. Ne jemi solidë në mbrojtje dhe të shkëlqyer në sulm. Por, vetëm sa ka filluar. Është sikur të jesh në një garë. Ne jemi duke i nxehur motorët. Forma e mirë vjen për shkak se kualifikimi te ne është më konkurrues se në Evropë. Ekuadori ka mundur të jetë gjithashtu në Botëror, ndërsa atje ke punë me Ishujt Faroe”, deklaroi Maradona në konferencë për shtyp, duke shtuar se Italia do të kualifikohet në fazën tjetër.
Pas fitores fantastike prej 7-0 ndaj Koresë së Veriut, Portugalia thuajse ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Kampionatit Botëror 2010, ndërsa pas këtij triumfi, trajner Carlos Queiroz u shpreh të jetë shumë i kënaqur me lojtarët e tij.“Ishte paraqitje fantastike, me gola të mrekullueshëm dhe qëndrim të jashtëzakonshëm, na nevojitej një moment i tillë, një ndeshje e mirë për rritje të motivimit dhe besimit. Kjo ishte një ndeshje më shumë, nuk kemi fituar ende asgjë, tani duhet të mendojmë për kualifikimin në fazat tjera, t’i marrim ndeshjet një nga një, të tentojmë t’i fitojmë ndeshjet e radhës, me të njëjtën ambicie dhe përkushtim si në këtë ndeshje”.
“Ky kundërshtar i kërkoi këto ndryshime, pas ndeshjes që e zhvilloi ndaj Brazilit. Gjëja më e rëndësishme është që pamë të gjithë lojtarët të gatshëm të japin më të mirën për ekipin”, tha pas ndeshjes Queiroz.
Një barazim do t’i shihte sllovenët me plot meritë në rrethin tjetër të garave në Botërorin e sivjetmë, por para kësaj është pengesa e quajtur Anglia, që medoemos duhet të shënojë fitore për të shmangur katastrofën, ndërsa përzgjedhësi slloven, Matjaz Kek, shprehet optimist para duelit që zhvillohet të mërkurën.“Gjëja më e rëndësishme për një vend aq të vogël si Sllovenia, është besimi. Ju duhet të besoni se mund të arrini, më pas do të keni rastin. Kjo është për çdo ekip dhe ekipi im beson se mund të mposhtë të gjithë. Nuk po mendoj: ‘Në rregull, ne erdhëm këtu, por ne jemi të vegjël dhe duhet të tentojmë ta shmangim katastrofën’. Është më shumë: ‘A mund ta mposht çdo ekip?’. Ky është synimi im”.
“Çdo ditë në Angli ka presion, kur luani në një nivel aq të lartë. Wayne Rooney është një prej futbollistëve më të mirë në botë dhe besoj se Anglia ka ekipin për ta fituar Botërorin, po unë besoj. Për mua, sukses është të arrijmë në rrethin e dytë, por për Anglinë, sukses është fitimi i kampionatit. Me emocion të madh, motivim dhe punë të madhe si ekip, gjithçka është e mundur”, deklaroi Kek.
Liverpooli ia ka treguar Barcelonës çmimin që ka sulmuesi kryesor, Fernando Torres.Sipas Sport, president i Barcelonës, Sandro Rosell, e ka bërë Torresin prioritet në afatin e sivjetmë kalimtar veror, me Cesc Fabregasin e Arsenalit që konsiderohet si marrëveshje e arritur nga Joan Laporta.
Rosell do të fillojë punën më 1 korrik, por deri tani ka kontaktuar drejtuesit e Liverpoolit, të cilët i kanë thënë se Torres është në shitje vetëm për 60 milionë euro.
Barcelona është në përgatitje të një oferte të re shokuese për mesfushorin e Liverpoolit, Javier Mascherano, që natyrisht vjen si lëvizje kundër Interit, që thuhej ta ketë kompletuar tanimë kalimin e argjentinasit.The Mirror shkruan se tentimet e Barcelonës për të transferuar Mascheranon verën e kaluar ishin refuzuar nga The Reds, të cilët nuk dëshirojnë ta humbasin njeriun kryesor në mesfushë. Sidoqoftë, katalanasit tani do të shfrytëzojnë rastin që me një ofertë prej 30 milionë eurosh, ta transferojnë Mascheranon në Camp Nou, gjë të cilën ai e kërkoi verën e kaluar.
Argjentinasit nuk i pëlqen situata në Anfield dhe pritet që ta shqyrtojë të ardhmen pas Kampionatit Botëror.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka thënë se është duke mësuar anglisht, gjë që aludon në një largim të tijin drejt Ligës Premier, më saktësisht te Manchester United.“Unë po shkoj në një kurs universitar të ekonomisë, sepse më pëlqen, më pëlqen kjo lëmi. Dhe iu nënshtrova një provimi në anglisht. Unë e përfundova vitin e parë prej tre viteve, ndërsa tani do të specializoj në shtator”.
“Gjuha për mua nuk është problem. Karakteristikat e mia janë ideale që të luaj në Ligën Premier. Por nuk është e lehtë sepse unë jam mirë te Juventusi dhe Juventusi nuk dëshiron të më shesë. Por në jetë... unë nuk e di. Në të ardhmen, do të shohim”, ka thënë Chiellini.
Sipas një raporti në të përditshmen Le Parisien, Laurent Blanc ka refuzuar ofertën e Interit, për të marrë në drejtim Francën.Le Parisien shkruan se kur kishte përfunduar kontrata e Blanc me Bordeaux, Interi shfrytëzoi rastin dhe i bëri ofertë, ndërsa strategu francez kërkoi kohë për t’u menduar. Ky është shkak pse Interi u vonua në gjetjen e trajnerit të ri. Kur Blanc njoftoi drejtuesit e skuadrës italiane se kishte vendosur të merrte nën drejtim Francën, atëherë trekampioni kreu punë duke angazhuar Rafael Benitezin.
Megjithatë, Blanc nuk ka nënshkruar ende zyrtarisht kontratë me Federatën Franceze të Futbollit, por nuk do të ishte çudi nëse Blanc do të ndërronte mendje në momentin e fundit, pas zhvillimeve skandaloze në përfaqësuesen franceze.
Vëllai dhe agjenti i sulmuesit të Parmës, Davide Lanzafame, ka deklaruar për Goal.com, se vëllai i tij nuk di se ku të shkojë, pasi që një numër i madh i skuadrave janë në kërkim të tij.Lanzafame impresionoi sezonin që sapo përfundoi me fanellën e Parmës, ndërsa sipas pohimeve të Giovanni Lanzafames, Milani dhe Juventusi janë në kërkim të tij klientit të tij. Në këtë garë përparësi më të madhe ka Juventusi, duke qenë se kartoni i lojtarit është në bashkëpronësi të Juves dhe Palermos.
“Më duhet të jem i sinqertë, shenjat për Juventusin janë pozitive, por duhet të presim. Ne kemi besim. Së pari duhet të zgjidhet bashkëpronësia. Ne po presim një vendim, që do të merret të premten. Pa marrë parasysh se kush do t’i mbajë të drejtat e plota, do ta shesë përsëri gjysmën e kartonit, derisa të vjen ndonjë ofertë e madhe. Më mirë është që ai të qëndrojë te Parma. Milani? Ka pasur fjalë rreth kësaj, ndërsa kjo do ishte zgjidhje fascinuese”, tha agjenti i Davide Lanzafames.
Është hedhur edhe shorti i ndeshjeve të rrethit të parë dhe të dytë kualifikues të Europa League. Skuadra shqiptare Besa në rrethin e dytë kualifikues do të ketë punë me skuadrën greke, Olympiacos, që natyrisht nuk është dhe aq ‘arrë e lehtë për t’u thyer’.
Ndërkohë në rrethin e parë kualifikues, Laçi do të takohet me Dnepr Mogilev nga Bellorusia, ndërsa nga ana tjetër Tirana do të ketë punë me skuadrën Zalagerszegi TE nga Hungaria.
| ||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||
Është hedhur shorti i ndeshjeve të rrethit kualifikues të Ligës së Kampionëve, që ka nxjerrë 36 kampionë të vendeve të ndryshme evropiane përballë njëri-tjetrit. Në rrethin e dytë kualifikues, Dinamo Tirana do të ketë kundërshtar relativisht të lehtë, ndërkohë që ekipi tetovar Renova do të ketë një përballje paksa më të vështirë.
Dinamo Tirana do të takohet me FC Sheriff nga Moldaiva, kurse kampioni i Maqedonisë, Renova, do të ketë punë me kampionin e Qipros, AC Omonia.
| ||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||
Kombëtarja e Portugalisë ka bërë një lojë po thuajse të përkryer në pjesën e dytë të ndeshjes për të shtypur Korenë e Veriut me një fitore të thellë prej 7-0 dhe për të siguruar vend në rundin e ardhshëm të Kupës së Botës.Edhe pse pati 15 tentime për shënim pjesa e parë solli vetëm një gol të vetëm. Pas një asistimi të Thiago në minutën e 29-të të lojës, Raul Meireles kaloi ekipin portugez në epërsi për ta çuar të qetë në pauzën mes pjesëve.
Portugezët filluan edhe pjesën e dytë me shumë vrull, duke shënuar tre gola të shpejtë. Tetë minuta në pjesë së dytë ishte Simao i cili dyfishoi epërsinë pas një loje të mirë nga Hugo Almeida dhe Meireles (53’), ndërsa pas edhe tre minutash tjera në listën e golashënuesve u shënua Almeida (56’). Hovi i portugezëve nuk ndaloi, pasi kur u bënë një orë lojë në stadiumin Ellis Park në Johannesburg, Ronaldo shmangu pozitën jashtë loje për të asistuar për Thiagon që shënoi golin e katërt në ndeshje (60’).
Pas njëzet minutash pa gola, rrjetat përsëri u tundën tre herë në 10 minutat e fundit. Së pari Liedson shënoi me anë të një goditje të fuqishme (81’), para se në listën e shënuesve të shkruhet edhe Cristiano Ronaldo (88’) dhe për të dytën herë edhe Thiago (89’).
Fitorja tashmë pothuajse i siguron Portugalisë kualifikim në rundin e ardhshëm pasi është gati e pamundur që Bregu i Fildishtë të kualifikohet duke marrë parasysh golaverazhin tejet të mirë të Portugalisë, ndërsa pozita e parë do të vendoset në rundin e fundit të fazës grupore, kur Portugalia do të përballet me Brazilin.
Sipas Tuttomercatoweb, Manchester United është një nga favoritët kryesor për të siguruar shërbimet e anësorit kilian të Udineses, Alexis Sanchez.21 vjeçari ka tërhequr interesimin e shumë skuadrave të mëdha evropiane, pas paraqitjeve të tija me kombëtaren e Kilit në Botëror. Sanchez që përkufizohet si ‘Cristiano Ronaldo i ri’, është nën shënjestrën e agjentëve të United, të cilët po e vrojtojnë në Afrikën e Jugut.
Roma është po ashtu interesuar për Sanchez, i cili erdhi te Udinese për vetëm 3 milionë dollarë. Më herët gjatë muajit, Udinese refuzoi një ofertë prej 10 milionë eurosh për Sanchez, kurse friulianët dëshirojnë të fitojnë dyfishin e shumës së lartpërmendur
Interi është duke u përballur me një largim të mundshëm të Diego Militos në drejtim të Real Madridit, por transferimi i argjentinasit në Bernabeu duket se nuk do të kalojë lehtë pasi që kampioni i Evropës kërkon si shkëmbim njërin prej sulmuesve, Karim Benzema ose Gonzalo Higuain.Corriere dello Sport njofton se Milito kërkon 6 milionë euro për sezon, të cilën Interi ka mundësi t’ia ofrojë, por që nuk e vlerëson për aq argjentinasin. Agjenti i sulmuesit Fernando Hidalgo është i përfshirë në negociata me të dyja klubet, për një transferim të mundshëm. Interi tani ka mundësinë të zgjedhë një nga sulmuesit më të mirë të Realit, si pjesë të marrëveshjes që do përfshinte para shtesë, plus Higuainin ose Benzeman.
Kjo nuk është e tëra. Interi është në negociata me Real Madridin për mbrojtësin e djathtë më të mirë në botë, Maicon, por për të cilin Reali ofron vetëm 30 milionë euro, kurse Interi kërkon 40 milionë të tilla. Thuhet se Florentino Perez mund të përfshihet personalisht në këtë sagë dhe ta lusë Morattin të lëshojë pe, gjë e cila këtij të fundit duket se nuk i pëlqen.
Interi është duke u interesuar për mbrojtësin e Palermos, Simon Kjaer, gjithnjë sipas Giornale di Sicilia.E ardhmja e mbrojtësit danez te Palermo është vënë në dyshim të madh, për shkak të formës së shkëlqyer të talentit nga Skandinavia.
Shumë klube janë të interesuara për të, si nga Liga Premier ashtu nga kampionatet tjera, por Benitez është tifoz i flaktë i Kjaer dhe dëshiron ta ketë atë nën urdhrat e tij. Kjaer ka klauzolë prej 12 milionë eurosh për klubet joitaliane, por thuhet se Interi do të mund ta transferonte atë edhe për 6 milionë euro.
Mesfushori i Sllovenisë, Robert Koren, ka lansuar sulmin e parë në drejtim të kombëtares angleze, të cilën është duke e kërcënuar me eliminim, para ndeshjes ‘o jetë o vdekje’ që zhvillohet të mërkurën.“Nëse e dimë se do të na duhet vetëm një barazim ndaj Anglisë, do ishte mirë ta rezervojmë aeroplanin dhe të kthehemi menjëherë në shtëpi. Ne do të bëjmë gjithçka në fuqitë tona për të fituar një rezultat që do të na dërgojë në fazën tjetër dhe ne do të tentojmë të fitojmë”, theksoi Koren.
Por, kjo nuk është e tëra. Koren thotë se ka edhe disa hesape të pa sqaruara me Anglinë, pas miqësores së fituar të Anglisë ndaj Sllovenisë në shtator, kur Rooney fitoi një penalti, duke e lënduar qëllimisht mbrojtësin Bostjan Cesar.
“Reagimi i futbollistëve anglez nuk ishte i mirë. Rooney dhe të tjerët e bënë gjithë atë. Ne e dimë atë dhe natyrisht që na kujtohet. Unë nuk do të them se Bostjan Cesar do të dal dhe do t’ia thyejë këmbët Rooneyt, por atij i kujtohet mjaft mirë çfarë ndodhi. Do të jetë ndeshje e drejtë, por e vështirë”, deklaroi Koren.
Fabio Capello pritet të shkarkohet nga detyra si përzgjedhës i kombëtares së Anglisë nëse Tre Luanët nuk e mposhtin Slloveninë për të kaluar në fazën tjetër të Kampionatit Botëror.Daily Mail shkruan se nëse ndodh skenari i lartpërmendur, atëherë Federata angleze e Futbollit (FA), do ta emërojë si përzgjedhës të ri menaxherin e Fulhamit, Roy Hodgson. Për këtë arsye, Hodgson është duke pritur deri të mërkurën, kur do të vendoset dhe fati i tij.
Nëse ndodh që Anglia të shënojë fitore dhe të kualifikohet më tej, atëherë Capello mbetet përzgjedhës, kurse Hodgson do të marr nën drejtim Liverpoolin. Nëse ndodh që Anglia të barazojë apo të pësojë disfatë dhe të mos kualifikohet më tej, atëherë Hodgson do të merrte nën drejtim Anglinë, pasi që automatikisht do të shkarkohej Fabio Capello.
Roma ka vënë fillimet e transferimit të Nicolas Burdissos në baza permanente në kryeqytetin italian, por Interi nuk dëshiron t’ua zbresë çmimin romakëve.Il Corriere dello Sport shkruan se Roma mezi pret ta transferojë kartonin e plotë të mbrojtësit argjentinas, pas një sezoni si huazim. Por, Interi nuk lëshon dot pe. Nerazzurët kërkojnë 8 milionë euro për Burdisson dhe nuk pranojnë ta ulin çmimin, si hakmarrje për çështjen Baptista, kur Roma nuk deshi t’ia zbresë çmimin prej 8 milionë eurove.
Përkundër rezistencës së qëndrueshme të Interit, drejtori i Romës, Daniele Prade, pret që Interi të sqarojë të ardhmen e Diego Militos dhe më pas të flitet për Burdisson, sepse agjenti i Militos, Fernando Hidalgo, është edhe agjent i Nicolas Burdissos.
Futbollistët e Nigerisë do të ketë rastin të fitojnë hiç më pak se nga 30 mijë dollarë, nëse ata mposhtin Korenë e Jugut dhe arrijnë të kualifikohen në fazën e 1/8 të Botërorit.Më parë Federata nigeriane e Futbollit, kishte vendosur t’i shpërblente me 10 mijë dollarë lojtarët e saj nëse do ta mposhtnin Argjentinën, por duket se tani ka një ngritje të trefishtë, në rast të kualifikimit në fazën e 16 më të mirëve. Nëse Nigeria arrin në çerekfinale, atëherë futbollistët do përfitonin 12 mijë e 500 dollarë shtesë.
Nigeria duhet të shënojë fitore ndaj Koresë së Jugut në Durban dhe të shpresojë që Argjentina ta mposhtë Greqinë, nëse dëshiron të kualifikohet më tej.
Kombëtarja franceze nëse nuk ka arritur të shënojë gola dhe fitore në Botëror, së paku ka arritur të jetë në titujt kryesorë të gazetave botërore, gjë që është duke e pikëlluar legjendën Zinedine Zidane, pas skandaleve të njëpasnjëshme në kombëtaren Trikolore.“Unë jam i pikëlluar me atë që po ndodh në skuadrën franceze. Nuk jam i kënaqur me mënyrën se si gjërat që janë folur në ekip kanë dalë në media, nuk më pëlqen si ndodhi kjo. Këto gjëra duhet të qëndrojnë brenda grupit. Ka pasur mjaft debat për ekipin, por unë kam veshur fanellën e kombëtares, dhe pa marrë parasysh se çfarë ndodh unë mbështes kombëtaren. Unë shpresoj ende dhe mendoj se mund të kualifikohemi më tej”.
“Nuk pajtohem me ekipin që nuk deshi të stërvitet dje. Unë i kam thënë një gazetari se ky Botëror do të mbahet në mend për dy gjëra: fituesi dhe fakti që skuadra franceze refuzoi të stërvitet para ndeshjes përballë Afrikës së Jugut. Nuk dua të bëhem përzgjedhës i Francës në të ardhmen, unë kam dhënë mendimet e mia, kam respektuar trajnerin dhe i kreva detyrat si kapiten”, deklaroi Zidane.
Milani është duke e shqyrtuar transferimin e mesfushorit të Sportingut, Miguel Veloso.Sipas Corriere dello Sport, reprezentuesi portugez është lidhur me një largim nga Sportingu për më shumë se një vit, me Milanin që është një nga skuadrat pretendente për të marrë shërbimet e tij.
Agjentët e Milanit do të shkojnë në Afrikën e Jugut për të shikuar në aksion Veloson për Portugalinë edhe pse kjo do të jetë pak e mundshme, për shkak të futbollistëve të tjerë cilësor në pozitën e Velosos.
Veloso, i cili është prodhim i akademisë së Sportingut, nuk e ka bërë të fshehtë dëshirën e tij për një sfidë më të madhe në karrierën e tij.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka hedhur poshtë mundësinë e rikthimit te Manchester Unitedi në një të ardhme.“Po, natyrisht më mungon Mançesteri. Jo, nuk mendoj se do të kthehem ndonjëherë për të luajtur përsëri për Manchester Unitedin”, theksoi Ronaldo për The Mirror, i pyetur nëse mendon të kthehet ndonjëherë në Old Trafford.
Portugezi 25 vjeçar ka kaluar plotë gjashtë sezone të suksesshme në Old Trafford, ku dhe u bë futbollisti i parë i United që e fitoi topin e artë pas 40 vitesh.
Gjigantët spanjoll të Real Madridit janë duke e monitoruar për së afërmi mesfushorin gjerman Bastian Shweinsteiger, i cili aktualisht është nën urdhrat e Bayernit të Munichut.Trajneri i ri, Jose Mourinho, e ka bërë Shweinsteigerin një nga prioritet e tij këtë verë për arsye se dëshiron një partner cilësor për Xabi Alonson. Real Madridi është lidhur më parë me Steven Gerrardin dhe Daniele De Rossin, por Gerrard është afër t’i bashkohet Benitezit te Interi, kurse De Rossi qëndron në kryeqytetin italian.
Shweinsteiger është prodhim i akademisë së Bayernit, ndërsa deri tani ka mbi 200 paraqitje në fanellën e ekipit bavarez. Shweinsteiger vlerësohet mbi 30 milionë euro.
Fabio Capello ka filluar të ketë frikë se puna që ka bërë për dy vite me kombëtaren e Anglisë nuk do të jap frytet e veta, pasi Tre Luanët janë në të buzë eliminimit nga faza grupore e Botërorit të sivjetmë.“Duket se dy vjet punë ishin për asgjë. Nuk e di se pse dhe si kanë arritur lojtarët në këtë pikë. Stërvitja është e mirë, shumë e mirë, kështu që nuk mund të kuptoj se pse ata nuk e transferojnë planin e tyre të stërvitjes në fushë. Në stërvitje kemi shpejtësi dhe mjaft ndjesi, por nuk është e mundur që ata ta ndryshojnë edhe shpejtësinë”.
“Ndaj Algjerisë kemi qenë vërtetë, vërtetë të ngadalshëm dhe në këtë Botëror, nëse nuk vrapon, nëse nuk bën presion, nëse nuk lufton, atëherë bëhet shumë e vështirë. Në përgjithësi nuk jam i kënaqur sepse punoni shumë për 20 ditë, i bëni të gjitha përgatitjet, shihni gjithçka në stërvitje dhe më pas në fushë është krejtësisht ndryshe. Kjo është arsyeja pse nuk jam i kënaqur”.
“Ne përgatitëm gjithçka si duhet në kohë, por kur si menaxher nuk sheh atë që ke përgatitur në fushë, atëherë është shumë e vështirë”, deklaroi menaxheri ‘nën zjarr’, Fabio Capello.
Në prag të takimit të dytë të fazës grupore të Kupës së Botës, Ottmar Hitzfeld ka thënë se kombëtarja e Kilit ka lojtarë të shkëlqyeshëm dhe se ndeshja e sotme do të jetë një luftë e ashpër për çdo top.Përzgjedhësi i Zvicrës bëri befasinë kur arriti të mposhtë favoritin kryesor për të fituar këtë garë, Spanjën, në ndeshjen e rrethit të parë, por ka paralajmëruar se Kili mund të jetë më i papërshtatshëm dhe më i rrezikshëm.
“Ata janë në formë të mirë, të gatshëm në aspektin fizik dhe në ndeshjet një në një. Është një ekip shumë i rrezikshëm. Kilianët janë edhe shumë agresiv kur bëhet fjalë për lojën e sulmit, ndoshta edhe më agresiv se Spanjollët andaj vazhdimisht kemi punuar në mbrojtje që të mos pranojmë gol”, ka thënë Hitzfelt.
Didier Drogba i ka dhënë përkrahje bashkë-lojtarit të tij te Chelsea, Nicolas Anelka, pasi ky i fundit u dëbua nga përfaqësuesja e Francës.Pas incidentit me përzgjedhësin Raymond Domenech në pauzën mes pjesëve të ndeshjes kundër Meksikës, Anelka është dërguar në shtëpi.
“Ai është koleg i imi tashmë dy vite e gjysmë, dhe po, i jap përkrahje. I dëshiroj fat, kjo është një kohë e vështirë për të. Ai ka një mentalitet shumë të fuqishëm, është garues. Isha i befasuar kur dëgjova se ai është përjashtuar nga ekipi”, ka thënë Drogba.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, raportohet se planifikon të bëjë ofertë për yllin e Interit, Wesley Sneijder.Sipas Sunday Express, Sneijder do të përballet me tre opsione sapo aventura e Holandës në Kupën e Botës të përfundojë.
Derisa menaxheri i ri i Interit, Rafa Benitez, dëshiron ta mbajë 26-vjeçarin në San Siro, ish-menaxheri Jose Mourinho dëshiron ta rikthejë atë në Real Madrid dhe Ferguson beson se holandezi mund të shkëlqejë edhe në Old Trafford.
Mourinho njihet si një admirues i Sneijder, por interesimi i Manchester United në lojtarin e vlerësuar 25 milionë euro mund të jetë joshës që holandezi të sfidojë veten edhe në Ligën Premier.
















