Përfaqësuesja e Australisë e ka mposhtur Serbinë me rezultat 2-1, për t’ia shuar shpresat për kualifikimi të mëtutjeshëm.
Tim Cahill kaloi australianët në epërsi (69’), ndërsa Brett Holman dyfishoi rezultatin (73’).
Serbia arriti ta ngushtojë epërsinë me golin Marko Pantelic (84’), i cili u regjistrua vetëm sa për statistika.
Edhe pse fitoi Australia nuk arriti të kualifikohet për shkak të golaverazhit më të keq se Gana, ndërkohë Serbia mbyll këtë Botëror në vendin e fundit në Grupin D.
Përfaqësuesja e Gjermanisë ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Kampionatit Botëror, pas fitores prej 1-0 kundër Ganës, që po ashtu do të luajë në fazën tjetër falë golaverazhit më të mirë se Australia.
Skuadra afrikane u tregua kundërshtar i vështirë për gjermanët të cilët me vështirësi të madhe arritën ta mposhtin.
Golin e vetëm në ndeshje e realizoi Mesut Ozil, i cili pas një ore lojë, plasoi një goditje të bukur me të majtën për të mposhtur portierin Olele.
Pas kësaj fitoreje Gjermania kryeson Grupin D me gjashtë pikë dhe do të luajë kundër Anglisë në superduelin e 1/8 së finales.
Ndërkohë, përkundër humbjes, përfaqësuesja e Ganës kualifikohet me pikë të barabarta me Australinë, por me golaverazh më të mirë, ndërsa kundërshtar të radhës do t’i ketë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Manchester Cityt i është dhënë leja nga drejtuesit e Valencias për të biseduar me yllin e tyre David Silva.
Spanjolli që është me kombëtaren në Afrikën e Jugut, ka tërhequr interesimin e shumë skuadrave evropiane, por është thënë se do të refuzonte një ofertë të Cityt për shkak se skuadra nga Mançesteri nuk luan në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, situata e vështirë e Valencias, ka vënë në vështirësi bosin e klubit, Javier Gomez, që ka thënë se spanjolli mund të bisedojë me përfaqësuesit e Cityt. Silva personalisht preferon të kalojë te Chelsea.
Kapitenit të Anglisë më në fund iu kthye buzëqeshja në fytyrë pas fitores minimale ndaj Sllovenisë që i kualifikoi ‘albionët’ në fazën tjetër të garave, me ç’rast u shmang dhe katastrofa e eliminimit.
“Unë mendoj se kur keni nevojë ta fitoni një ndeshje dhe nuk e shënoni golin e dytë, bëheni nervozë. Ne patëm pasion, shpirt ekipor, cilësi dhe bashkësi, dhe e merituam kualifikimin. Ne duhet ta gjejmë qëndrueshmërinë, sepse nëse luajmë si ndaj Algjerisë, nuk do të kemi një rast të dytë. Unë mendoj se nëse luajmë siç bëmë sot dhe dëgjojmë menaxherin, do të jetë e vështirë që të na mposhtë dikush, gjithçka mund të ndodhë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, ashtu siç u tregua nga ndeshjet e kaluara, por nëse luajmë pranë potencialit tonë, atëherë ne mund të mposhtim të gjithë”.
“Jam i kënaqur me paraqitjen time, por i zhgënjyer që nuk u futa në listën e realizuesve, megjithatë nuk është e drejtë të caktojmë individë. Wayne Rooney ka pasur mjaft kritika, por ai i tregoi cilësitë dhe nuk dyshoj në të. Mendoj se golat për të janë pranë”, deklaroi Gerrard pas ndeshjes.
Njeriu më i rëndësishëm i muajit në SHBA, pa kurrfarë dyshimi se është Landon Donovan, që shënoi një gol historik në sekondat e fundit të sfidës vendimtare ndaj Algjerisë.
“Unë kam qenë në një udhëtim aq të gjatë prej më se katër vitesh dhe jam ende i shokuar, dhe aq krenar në djemtë tanë. E pabesueshme. Futbollistët u përpoqën shumë për të shënuar, ne është dashur t’u hymë rreziqeve, por djemtë tanë të mbrojtjes bënë punë të madhe”.
“Unë e mora topin, ia dhashë Jozy Altidore që bëri një depërtim të mirë, Clint Depsey depërtoi mirë në thellësi të zonë dhe topi erdhi te unë. Mu duk se koha u ndal dhe ishte e pamundur të dështoja nga ajo pozitë. Njerëzit e mi më të afërt e dinë sa kam punuar për këtë moment. Kjo është e pabesueshme. E di se njerëzit në shtëpi janë duke na shikuar…por kjo nuk është e tëra”.
“Siç kam thënë javën e kaluar, ne po tregojmë se për çfarë shquhen amerikanët. Kjo nuk është e tëra. Na u mor goli ndaj Sllovenisë, por ne jemi amerikanë. Ne jemi mësuar me këso situatash, nuk ankohemi. Dhe ne besojmë…se jemi gjallë”, deklaroi heroi i amerikanëve, Landon Donovan.
Mesfushori francez, Patrick Vieira, nuk gjen kurrfarë shpjegimi për eliminimin skandaloz të përfaqësueses së tij nga Botërori, Afrika e Jugut 2010.
“Unë ndjehem tejet i zhgënjyer, por kjo mund të ndodhë në sport, na ka ndodhur edhe në vitin 2002. Ajo që më bezdis është se çfarë ndodhi në ditët e kaluara. Është e vështirë të kuptohet, por në fund të një kapitulli, fillon kapitulli i ri”, theksoi Vieira për ITV.
Skandali ka prekur të gjitha shtresat e kombit francez, ndërsa kjo çështje ka shkuar aq larg, sa që me të është duke u marrë edhe presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ishte mjaft i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në ndeshjen vendimtare për kualifikim.
“Kjo është Anglia që njoh. Ky ekip, ky shpirt, luftuan së bashku, luajtën së bashku dhe jam vërtet, vërtet i kënaqur. Më në fund e pashë ekipin tim të kualifikimeve”.
“Ky ekip do të shkojë përpara dhe do të luajë ndaj të gjitha ekipeve. Mendja e tyre tani është e lirë, e liruar nga gjithçka. Unë preferoj lirinë. Ne jemi të kënaqur për të gjithë tifozët, mbështetja ishte fantastike”, tha Capello për BBC.
I biri i Maradonas, Diego Maradona junior, beson se babai i tij është sikurse lideri i Real Madridit, Jose Mourinho ,dhe madje tërheq paralele mes dy legjendave të lojës më të popullarizuar.
“Ata janë shumë të ngjashëm në mënyrën se si komunikojnë dhe motivojnë lojtarët, por kjo nuk do të thotë se ata nuk janë trajnerë të mirë. Njëri e fitoi tripletën e titujve kurse tjetri e dërgoi Argjentinën në Botëror dhe i fitoi të gjitha ndeshjet e grupit, kështu që nuk mendoj se ata janë budallenj”.
“Le t’ua lëmë nderin e të qenit favorit Brazilit, Spanjës, Anglisë dhe Holandës edhe pse disa nga këto ekipe nuk janë në gjendje ta kalojnë as fazën grupore. Italia? Ata mund të përfundojnë sikurse francezët, por shpresoj se kjo nuk do të ndodhë. Është e vështirë t’i fitosh ndeshjet nëse nuk godet në portë”.
“Jabulani? Me këtë top nuk luhet futboll. Kam tentuar të luaj, por është i pakontrollueshëm. Unë pajtohem me babanë tim që u ankua për të. Në vend se të bëjnë diçka për topin, Pele, Michel Platini dhe Franz Beckenbauer fjalosen me babanë tim”, deklaroi Maradona junior për Goal.com.
Mesfushori spanjoll, Andres Iniesta, ka thënë se triumfi në Euro 2008 është vetëm një kujtim i bukur, edhe pse sipas tij nuk ka shumë dallim mes skuadrës së sotme dhe asaj që e ka fituar titullin e kampionit të Evropës.
“Nuk shoh shumë dallime. Por e kaluara është aty për t’u kujtuar, të shohim se çfarë bëmë dhe asgjë më shumë. Ne duhet ta përqendrojmë veten në atë që po bëjmë tani dhe në atë se si duam të përmirësohemi. Do të ishte e gabuar nëse ne krahasojmë veten me atë që kemi bërë. Ne duhet ta masim veten me atë që jemi duke bërë tani, jo me atë që kemi bërë në të kaluarën”, theksoi mesfushori spanjoll.
Ai shtoi se e tërë bota ka të drejtë të shfaqë opinionet e veta dhe të thotë se si e sheh Spanjën, “por ne jemi të qartë në atë që po bëjmë dhe kemi besim në aftësinë tonë për të mposhtur Kilin në mënyrë që të kualifikohemi më tej”.
“Të martën unë u stërvita mirë dhe isha mjaft komfort. Unë isha në gjendje të bëja gjithçka në mënyrë normale dhe unë kam dy ditë për t’u përmirësuar dhe të vazhdoj rikuperimin. Shpresoj të jem në 100 përqindëshin tim, por nëse startoj apo jo është punë e trajnerit. Shpresoj se do të mund të luaj”.
“Kili është skuadër e mirë që ka impresionuar. Do të jetë ndeshje mjaft e shpejtë dhe duhet t’i bëjmë gjërat mirë nëse dëshirojmë të kualifikohemi. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe kjo është që ta posedojmë topin dhe të jemi efektiv me të”, përfundoi Iniesta.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria Del Nido, ka premtuar ‘shkatërrimin’ e planeve të Milanit për transferimin e Luis Fabianos.
Ky ‘dush i ftohtë’ për Rossonerët vjen 24 orë pasi zëvendëspresidenti Adriano Galliani kishte deklaruar se Fabiano është shumë pranë Milanit. Del Nido thotë se preferon t’i ofrojë vazhdim të kontratës Fabianos në vend se ta shesë atë te Milani.
“Ne po negociojmë me Fabianon për vazhdimin e kontratës së tij. Nuk ka pasur kurrfarë kontakti me Milanin”, ka thënë bosi andaluzian për La Repubblica.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka vendosur t’i bëjë një ofertë prej 17 milionë eurosh, ish-skuadrës së tij Milanit, për sulmuesin italian Marco Boriello.
Sipas Mediaset, forma jo e mirë e Boriellos dhe mosthirrja e tij në kombëtare nga Marcello Lippi, kanë bërë që ai të kërkojë hapur sfida të reja.
Nga pretendimet e Boriellos është alarmuar ish-bosi i Milanit, Carlo Ancelotti, që pritet të bëjë një ofertë mjaft të mirë dhe ndoshta të parefuzueshme për klubin nga San Siro, që është në vështirësi financiare dhe të cilit i duhen mjete për transferimin e Luis Fabianos nga Sevilla.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kualifikuar në fazën e 16 më të mirëve të Botërorit të sivjetmë pas fitores minimale ndaj Algjerisë, në Loftus Versfeld të Pretorias.
Në minutën e 21-të, pas një goditjeje të bllokuar të Michael Bradleyt në zonë, Landon Donovan shënoi një gol, i cili u anulua me pretendime për pozitë jashtë loje. Megjithatë, ky gol i anuluar është goli i dytë i anuluar pa të drejtë për amerikanët në këtë Botëror, që ka mundur të ndikojë drejtpërsëdrejti në kualifikimin e tyre.
Pas 39 minutash lojë, amerikanët patën dhe rastin më të mirë në këtë takim. Josy Altidore emitoi Yakubun e Nigerisë dhe Deriokiyokun e Zvicrës, kur nga gjashtë metra nuk arriti të shënojë në portën e zbrazët.
Kulminacioni i këtij takimi u arrit në minutën e fundit, kur pas një pasimi të Josy Altidore dhe një keqkuptimi në mbrojtjen algjeriane, në portën e zbrazët shënoi Landon Donovan që u përkujdes për erupsion amerikan në Pretoria dhe kualifikimin e tyre me plot meritë në fazën tjetër.
Kjo fitore dramatike e SHBA-ve është shokuese për sllovenët, të cilët deri në momentet e fundit kishin menduar se kishin siguruar kualifikimin, por Donovan ua shkatërroi ëndrrën ballkanasve. SHBA-të kualifikohen si fitues të Grupit C dhe në 1/8 e finales takohen me të dytin e Grupit D.
Përfaqësuesja e Anglisë ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër Sllovenisë, për të siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror.
Tre Luanët shfaqën lojë shumë më të mirë se ato të mëparshmet, duke qenë se vetëm fitorja u kryente punë për t’u kualifikuar tutje.
Një krosim të James Milner e shfrytëzoi Jermain Defoe, i cili kaloi përfaqësuesen e tij në epërsi (23’) për të vendosur edhe rezultatin e pjesës së parë.
Edhe në pjesën e dytë Anglia ishte skuadër shumë më e mirë, mirëpo në momente të caktuara ka mundur të befasohet nga sllovenët, por sidoqoftë deri në fund të takimit nuk u shënua gol tjetër.
Pas kësaj fitoreje, Anglia pozicionohet në vendin e dytë të Grupit C, pasi që SHBA-të kualifikohen nga vendi i parë falë fitores në minutat e fundit kundër Nigerisë.
Bosit të Manchester United, Sir Alex Ferguson, i është dhënë drita e gjelbër nga hierarkia e Old Trafford, për transferimin e mesfushorit kreativ të Interit, Wesley Sneijder.
The People pohon se pronarët amerikanë ia kanë dhënë lejen Fergusonit që t’i bëjë një ofertë shokuese Interit prej 20 milionë funtesh.
Megjithatë, trajneri do të duhet të përgatitet mirë për disa bisedime të hekurta dhe të gjata me drejtuesit e Interit, kur dihet se holandezi është njëri nga futbollistët kryesorë të skuadrës dhe kur dihen marrëdhëniet jo të mira të Fergusonit me Benitezin në të kaluarën.
Genoa thuhet të jetë e interesuar në shërbimet e rezervistit të Tottenhamit, meksikanin Giovani dos Santos.
21-vjeçari ka kaluar te Tottenhami në vitin 2008 nga Barcelona për 4.7 milionë funte dhe pasi që nuk arriti të ketë ndikimin e pritur në White Hart Lane, ai u huazua te Ipswich Town, para se të shkonte përsëri si huazim te Galatasaray nën drejtimin ish-trajnerit të Barcelonës, Frank Rijkaard.
Mesfushori ka pasur formë të mirë te klubi turk, ndërsa tabloidi The Sun pohon se Genoa mund të jetë klubi i ri i meksikanit. Interesimi i Genoas vjen pas paraqitjeve të mira të Dos Santos në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, do të dëshironte ta shihte Cesc Fabregasin në Camp Nou, ndërsa ai beson se mesfushori do të përshtatej shpejtë me atmosferën në klub.
“Cesc po luan në mënyrë fantastike, ai po mendon vetëm për ekipin kombëtar dhe ai është i relaksuar. Natyrisht, do të doja ta kisha atë te Barcelona. Ai ka luajtur larg Spanjës për një kohë të gjatë, ai e njeh klubin dhe do të përshtatej shpejtë”, theksoi Pedro për Marca.
Bisedimet për Fabregas janë ndërprerë përkohësisht, derisa të vijë në krye të hierarkisë katalunase Sandro Rosell më 1 korrik.
Mesfushori i Interit, Thiago Motta, nuk e ka ndërmend ta ndjekë Jose Mourinhon te Real Madridi, pasi që agjenti Dario Cannovi ka heshtur entuziazmin e mediave madrilene.
Motta është një nga yjet e shumta të trekampionit që lidhen me një kalim te Los Blancos, pas kalimit të Mourinhos në Bernabeu, me Maiconin që pritet të bëhet edhe zyrtarisht futbollist i Real Madridit.
“Thiago Motta do të qëndrojë te Interi. Unë dëgjova për një ofertë nga Real Madridi, por më duhet t’u siguroj që kjo nuk i korrespondon realitetit. Pas gjithë asaj që ndodhi këtë vit, nuk do të ishte e drejtë që ai të largohej nga Interi, plus ai ka marrëdhënie të shkëlqyera me klubin”, tha Cannovi për Calcionews.
Gjermania ndeshet me Ganën në ndeshjen që vendos fatin e grupit D, ndërsa mesfushori Bastian Schweinsteiger ka thënë se ekipi ka besim para duelit vendimtar.
“Ne luajtëm mirë ndaj Serbisë edhe me 10 lojtarë, kështu që kemi besim të madh. Ne duhet të mendojmë pozitivisht dhe të besojmë në vete. Është e natyrshme që dëshirojmë ta fitojmë ndeshjen”.
“Ne duhet të jemi të organizuar, kështu unë do të kem rol defensiv dhe do të bërtas shumë. Natyrisht se do të doja të shënoja, por kjo nuk është me rëndësi. Sulmuesit janë për të shënuar gola. Puna ime është të bëj pasime të sakta dhe t’i ushqej sulmuesit”.
“Mendoj se kemi një përzierje të mirë të inteligjencës dhe pjesës fizike. Ne duhet gjithashtu të synojmë një rezultat. Ne duhet të fitojmë edhe nëse nuk luajmë futboll të bukur. Njerëzit duhet ta dinë përkushtimin tonë për fitore”, deklaroi Schweinsteiger.
Hugo Lloris, Bacary Sagna dhe Yoann Gourcuff, thuhet se kanë qenë të gatshëm të refuzojnë protestën e filluar nga veteranët e kombëtares franceze, gjithnjë sipas revistës Le Nouvel Observateur.
Franca është eliminuar nga Botërori në mënyrë turpëruese pas skandaleve brenda ekipit francez, të nxitura nga veteranët e kombëtares franceze, të cilët në shenjë proteste për përjashtimin e Nicolas Anelkas, refuzuan të stërviten.
Megjithatë, ka pasur nga ata që kanë dashur të stërviten, siç janë Hugo Lloris, Bacary Sagna dhe Yoann Gourcuff, të cilët kërkuan të kthehen në qendrën stërvitore. Megjithatë, këta hasën në kundërshtim të Franck Ribery, Patrice Evra dhe Eric Abidal.
Sulmuesi legjendar i Brazilit, Ronaldo, ka deklaruar se një finale mes rivalëve të përbetuar latino-amerikanë, Brazilit dhe Argjentinës, do të ishte finale fantastike.
“Nuk e kam shikuar ndeshjen Greqi – Argjentinë, sepse isha në stërvitje. Tani Brazili dhe Argjentina mund të takohen vetëm në finale. Do të ishte një gjë fantastike kjo”, shkroi Ronaldo në Twitter.
Legjendari Ronaldo ka fituar Kupën e Botës dy herë, në vitet 1994 dhe 2002, ndërsa është golashënuesi më i mirë në histori të Botërorëve me 15 gola, një më shumë se legjenda gjermane Gerd Muller.
Argjentina ndeshet me Meksikën në 1/8 e finales të shtunën mbrëma, përderisa Brazili e ka ndeshjen e fundit ndaj Portugalisë të premten. Brazili duhet të mposhtë Portugalinë, për të shmangur një përballje të mundshme me Argjentinën para finales.
LA Galaxy është duke menduar seriozisht transferimin e superyllit të Milanit, Ronaldinho.
Tuttomercatoweb njofton se skuadra nga MLS dëshiron t’i japë një shtytje imazhit të futbollit në ShBA, ndërsa për këtë u nevojitet Ronaldinho, për të formuar një super-dyshe me David Beckham.
Ronaldinho që për drejtuesit e Milanit nuk është në shitje, është mjaft i interesuar të shohë se çfarë i ofron LA Galaxy, para se të vendosë përfundimisht për të ardhmen e tij.
Juventusi është i gatshëm që të nisë negociatat për sulmuesin fantastik të Atletico Madridit, Diego Forlan, ndërsa për këtë pritet të shfrytëzohet dhe Tiago.
Sportivja nga Torino, Tuttosport, pohon se Zonja e Vjetër e ka identifikuar Forlanin si top lojtarin që do të duhet të transferohet këtë verë. Juventusi për këtë pritet të shfrytëzojë lojtarin e huazuar në kahe të kundërt, Tiago, pasi edhe futbollisti edhe Atletico Madridi dëshirojnë të qëndrojnë së bashku.
Juventusi nuk ka ndonjë problem për këtë, pasi që në këmbim e dëshiron Forlanin. Giuseppe Marotta pritet të takohet me zyrtarët e Atleticos shumë shpejtë për çështjen Tiago, ndërsa do të shfrytëzohet rasti për të kërkuar edhe shërbimet e Forlan. Atletico është i interesuar edhe në Fabio Grosson dhe mendohet se Grosso dhe Tiago, plus para shtesë, do ta bindin Atleticon ta pranojë marrëveshjen.
Mbrojtësi i Chelseat, John Terry, ka pranuar se eliminimi nga Kupa e Botës, do të ishte zhgënjimi më i madh në karrierën e tij.
“Unë jam djalosh pasionant dhe emocional, kështu që eliminimi nga Botërori do ishte zhgënjimi më i madh i karrierës time. Unë pranoj humbjen, por jo mënyrën se si kemi luajtur”.
“Botërori ynë natyrisht se nuk ka marrë fund. Në rregull, ne nuk jemi në pozitën në të cilën kemi dashur të jemi, por kemi një ndeshje, ku ose mund të vazhdojmë garën ose të eliminohemi nga kampionati. Unë nuk dua të kthehem në shtëpi, jam këtu për të fituar”, tha Terry për The Sun.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, u ka garantuar tifozëve Rosonerë, se do të sjellë një superlojtar gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa spekulohet se ai është Zlatan Ibrahimovic i Barcelonës.
“Milani do të kthehet në skuadër të madhe fituese shumë shpejt. Përkundër periudhës së krizës, nëse do ta kem rastin ta transferoj ndonjë kampion, unë nuk do të zmbrapsem, tifozët do ta kuptonin këtë sakrificë”, theksoi Berlusconi për revistën Oggi.
Kjo deklaratë e Berlusconit ka detyruar Tuttosport të spekulojë për një transferim të suedezit Zlatan Ibrahimovic në San Siro. Thuhet se agjenti i Ibras, Mino Raiola, është duke punuar në marrëveshjen mes të dyja klubeve, që sheh Milanin t’ia paguajë Barcës nga 18 milionë euro për një periudhë trevjeçare.
Alternativë tjetër është edhe Luis Fabiano, që sipas të gjitha gjasave do të jetë lojtar i Milanit sezonin e ardhshëm, edhe pse ka zëra se Interi mund ta befasojë Milanin me një transferim të Fabianos në rast të largimit të Militos nga Giuseppe Meazza.
Fatmir SejdiuNë ditën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu priti një delegacion të përbërë nga Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) të Kosovës, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Mehmet Bogujevci, nga Federata e Boksit e Kosovës, Muharrem Sahiti, këshilltar për sport i ministrit të MKRS, si dhe sportistët e mirënjohur Ferid Zekolli e Aziz Salihu.
Presidenti Sejdiu i falënderoi drejtuesit e institucioneve të sportit dhe sportistët e njohur për angazhimin e gjithëmbarshëm për zhvillimin e sportit dhe të frymës së olimpizmit në vend.
Ai gjithashtu u premtoi atyre përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve sidomos në përpjekjet për ndërkombëtarizimin e mëtejmë të sportit kosovar.
Po kështu, presidenti Sejdiu u angazhua për mbarëvajtje të garave sportive në Republikën e Kosovës, si dhe kërkoi eliminimin e të gjitha dukurive negative që e dëmtojnë imazhin e sportit kosovar.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka nguluar këmbë se ekipi i tij do të arrijë të kualifikohet në fazën e dytë të Botërorit dhe madje mund ta fitojë atë.
“Nuk jam çmendur. Kur them se synimi im është finalja e Botërorit, atëherë është sepse unë kam një skuadër shumë të mirë. Nëse shënojmë fitore, atëherë nuk ka kush të na ndalë”.
“Ne luajtëm vërtetë mirë në kualifikime, por tani nuk jemi në një moment të mirë. Për momentin, ne jemi poshtë nivelit të cilin unë e njoh, të cilin ata e dinë dhe ne e dimë po ashtu. Definitivisht ne do ta mposhtim Slloveninë”, tha Capello në një nga deklaratat e tija më bindëse për shtypin në karrierën e tij.
Juventusi ka transferuar nga Milani portierin Marco Storari për 4.5 milionë euro, i cili ka nënshkruar kontratë trevjeçare me rosonerët.
“Juventusi dëshiron të komunikojë se ka arritur marrëveshje me Milanin për një transferim permanent, që hyn në fuqi nga 1 korriku 2010, për Marco Storarin. Shuma e transferimit prej 4.5 milionë euro do të paguhet gjatë tri viteve. Juventusi ka nënshkruar kontratë trevjeçare me portierin”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Juventusi.
Storari u shpreh të jetë i kënaqur që u bashkua me Del Nerin, që e drejtoi atë sa ishte i huazuar te Sampdoria.
Trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, dyshon në aftësitë e portierit Iker Casillas, bëjnë të ditur mediat spanjolle.
E përditshmja katalanase, El Mundo Deportivo. shkruan se Mourinho dëshiron të blejë një portier të klasit botëror për të shtuar presionin mbi numrin një të Realit. Mourinho dëshiron një portier të ri por me përvojë, për të vënë në punë Casillasin.
Portieri i Almerias, Diego Alves, është mundësi për Realin edhe pse ai ka nënshkruar pak kohë më parë kontratën e re.
Barcelona po analizon mundësinë e largimit të Zlatan Ibrahimovic te ndonjë skuadër në formë huazimi.
Sport shkruan se çmimi i suedezit Ibrahimovic është shumë i lartë për tregun e transferimeve. Ibrahimovic fiton 10 milionë euro për sezon te Barcelona, duke përfshirë bonuset, ndërsa Barcelona e vlerëson atë 54 milionë euro, për çdo skuadër që troket dyer për të.
Barcelona është në kërkim të ndonjë skuadre që është e interesuar ta marr atë si huazim dhe t’ia plotësojë kërkesat prej 10 milionë eurosh në sezon.
Portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, ka thënë se ai do të jetë i gatshëm për fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror, pasi që është jashtë fushe për shkak të një lëndimi në shpinë.
“Unë do të kthehem për rrethin e dytë. Unë e di se kam dhimbje, por ditë pas dite po ndjehem më mirë. Unë më në fund e kam gjetur shpirtin dhe buzëqeshjen. Unë kam tentuar të lëvizi dhe nuk ndjehem aq keq. Dhe nëse vazhdoj kështu…”, theksoi Buffon.
Stafi mjekësor i Italisë thotë se Buffon nuk do të jetë i gatshëm deri para çerekfinaleve.
Presidenti i Cagliarit, Massimo Cellino, thotë se Milani me anë të Massimiliano Allegrit është duke angazhuar një njeri që nuk vlen aspak.
“Unë nuk dua të flas për këtë trajner. Ai është një njeri të cilin nuk e respektoj dhe derisa e di se ai nuk është askush. A do të shkëputet kontrata e tij sot ose nesër? Kjo nuk më intereson aspak, sepse drejtori sportiv merret me këto gjëra”, tha Cellino për Rate24.
Cellino është i hidhëruar në Allegrin, për shkak se ky i fundit kishte vënë kontaktet me Milanin në mes të sezonit.
Radhës së gjatë të klubeve të interesuara për mesfushorin gjerman, Michael Ballack, tani i është bashkuar edhe skuadra spanjolle Sevilla.
Michael Ballack, i cili mund të transferohet si lojtar i lirë për shkak se Chelsea nuk ia vazhdoi kontratën, është i dëshiruar nga shumë skuadra evropiane, si Manchester United, Inter, Real Madrid etj.
Pas transferimit të mesfushorit Tiberio Guarante, Sevilla nuk ka të ndalur, pasi që dëshiron dhe njërin prej mesfushorëve më të hekurt në botën e futbollit. Ballack është spekuluar se do të rikthehet në Gjermani, por Sevilla mund të jetë zgjedhja e tij për shkak të Ligës së Kampionëve.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka bërë një vërejtje të habitshme për formën e Wayne Rooneyt në Kupën e Botës, duke e vlerësuar atë për më pak se 1.5 milionë euro në tregun e transferimeve.
Ylli i Manchester United, Rooney, si edhe kombëtarja e Anglisë, ka dështuar të tregojë shkëlqim në botërorin Afrika e Jugut 2010.
“Nëse do t’ju kisha kërkuar të shkoni në Botëror ta përcillni lojtarin e quajtur Wayne Rooney, pasi ai është në shtije dhe mund ta siguroj atë për 1.5 milionë funte, ju do të ishit kthyer dhe do të më kishit thënë, ‘nuk mund ta merrni atë, ai nuk është mjaft i mirë’. Nëse nuk do ta kishit ditur se ai është Wayne Rooney, do të kishit menduar se ai është një lojtar i dobët”, ka thënë Redknapp.
Përfaqësuesit e yllit brazilian Robinho sot do të bisedojnë me drejtuesit e Manchester Cityt për të vendosur të ardhmen e lojtarit.
Nënshkrimi rekord i Ligës Premier u huazua në janar te klubi brazilian Santos, huazim që do të përfundojë në fund të muajit gusht e që do të thotë se ai do të rikthehet te City.
Trajneri i Cityt, Roberto Mancini, e ka bërë të qartë se ai do ta mirëpresë ish-lojtarin e Real Madridit. Por lojtari dëshiron të qëndrojë në Brazil ndërsa City nuk do të marrë parasysh ofertat nën 20 milionë funte.
Agjenti i Robinhos, Evandro de Souza dhe babai i tij Gilvan de Souza pritet të fluturojnë sot në Manchester për të gjetur një zgjidhje.
Përzgjedhësi i Nigerisë, Lars Lagerback, ka akuzuar jug-koreanët për humbje të kohës, pas eliminimit nga Botërori, që erdhi si pasojë e një barazimi 2-2.
“Jam i zhgënjyer për gjithë ato humbje të kohës. Nuk mendoj se është ‘fair-play’. Është shumë zhgënjyese, por mendoj se lojtarët e Nigerisë luajtën shumë mirë”.
“Më shumë ndjehem i zhgënjyer dhe i pikëlluar. Rezultati vlen më shumë se çdo gjë tani dhe vetëm mund të përgëzoj jug-koreanët. Unë jam i bindur se ne kemi merituar më shumë në Botëror”, tha Lagerback pas eliminimit zhgënjyes.
Barcelona, raportohet se ka arritur marrëveshje në vlerën e 20 milionë eurove me Valencian për të transferuar anësorin Juan Mata.
Radio Marca thotë se Mata do të transferohet në Nou Camp dhe do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me kampionin e Spanjës. Për të po ashtu ka qenë i interesuar edhe Manchester City.
Valencia ka nevojë të shesë lojtarë për të përmirësuar gjendjen financiare në klub, dhe Mata ka qenë i dyti në listë pas David Villa, i cili po ashtu kaloi te Barcelona.
Portieri i Genoas, Marco Amelia, ka kompletuar transferimin e tij te Milani.
Amelia kishte nënshkruar marrëveshje që më herët, e cila është bërë zyrtare vetëm mbrëmë.
Milani do ta ketë atë si huazim deri në qershorin e vitit 2011 me opsion për ta transferuar atë si të përhershëm në fund të sezonit të ardhshëm.
Nëse ata e shfrytëzojnë këtë opsion, kontrata automatikisht do ta mbajë portierin në San Siro deri në vitin 2013.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka refuzuar të ‘ngjitet në qiell’ pas takimit të fituar prej 2-0 dhe kualifikimit me pikë të plota në fazën tjetër, duke thënë se është ende rrugë e gjatë për t’u bërë.
“Tani rruga po bëhet më e vështirë dhe hierarkia e ekipeve të cilat vijnë në lojë. Gjithmonë flisni për Gjermaninë, Italinë apo Brazilin dhe lojën e keqe të tyre, por gjithmonë arrijnë nëpër gjysmëfinale, finale, rrethe të dyta, e çerekfinale”, theksoi Maradona.
Maradona bëri shtatë ndryshime në formacionin startues për dallim nga ndeshja e kaluar ndaj Koresë së Jugut, ndërsa lëvizja më e guximshme, ishte dhënia e shiritit të kapitenit Messit, që si 22 vjeçar bëhet lojtari më i ri në histori të kombëtares argjentinase që bart shiritin e kapitenit.
Mesfushori i Sporting Lisbonës, Miguel Veloso, thotë se synim i tij është të nënshkruajë me ndonjë klub italian.
Portugezi vazhdimisht është duke u lidhur me një largim nga Sportingu dhe me transferim në disa prej klubeve më të mëdha evropiane. Dhe, duket se kështu edhe do të ndodhë, pasi vetë lojtarë ka shprehur dëshirë të luajë në Serie A.
“Pas Kupës së Botës do të vendosi për të ardhmen time. Mendoj se ky është viti i duhur për t’u larguar nga Portugalia dhe për të kaluar në Itali. Cili ekip më kërkon? Milani, Juventus dhe Fiorentina. Do të shohim, ndjehem i gatshëm”, ka thënë portugezi për Corriere dello Sport.
Ish-sulmuesi i Manchester Cityt, Martin Petrov, ka arritur marrëveshje me Boltonin dhe do t’i bashkohet këtij klubi që nga 1 korriku.
31-vjeçari tashmë ka kompletuar lëvizjen, pasi është liruar nga City në fund të sezonit të kaluar. Një lëndim në gju i dha fund para kohe sezonit të tij të kaluar dhe ai më pas u lirua nga Roberto Mancini, së bashku me lojtarë të tjerë si Benjani Mwaruwari dhe Sylvinho.
Në mesin e klubeve të tjera të Ligës Premier të interesuara për të ishin edhe Everton, West Ham dhe Aston Villa, por Boltoni ka qenë më joshës për sulmuesin bullgar.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka lavdëruar sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic.
Mancini tashmë një kohë lidhet me transferim të një mori të lojtarëve, përfshirë edhe sulmuesin suedez.
“Ka shumë lojtarë që janë lidhur me Cityn, shpesh për komfort. Ne jemi mësuar të rrisim çmimet, por në realitet nuk mund të blejmë një mori lojtarësh”.
“Sigurisht ne synojmë ta fuqizojmë ekipin. Krasnic ose Dzeko? Njëri në të vërtetë na intereson, tjetri jo. Cili? Nuk mund të them. Ibrahimovic? Sipas mendimit tim, Ibra është sulmuesi më i mirë në Evropë. Më bëjnë të qesh kur njerëzit thonë se ai humb shanse vendimtare”, ka thënë Mancini.