Para ndeshjes përfundimtare të Grupit G, mes Portugalisë dhe Brazilit, përzgjedhësi i portugez, Carlos Queiroz, ka deklaruar se ai pret një ‘el Classico’ të vërtetë ndaj Selecaos.“Sipas spekulimeve që kam dëgjuar që pas hedhjes së shortit të Botërorit, të gjithë janë duke e pritur ndeshjen, Brazil-Portugali. Duke marrë parasysh cilësinë e futbollistëve që kemi, shpresojmë të luajmë futboll spektakolar. Tek e fundit, për këtë u krijua dhe Botërori, për lojtarët, për futboll të bukur, për cilësinë teknike të lojës dhe kreativitetin e lojtarëve tanë”.
“Është një Brazil mjaft ofensiv dhe nëse kemi posedim, natyrisht se do të bëhet më e lehtë. Por, unë e di se ekipi që do të takohemi është shumë solid, një ekip shumë i organizuar, me lojtarë të jashtëzakonshëm. Futbolli i tyre është realist”, theksoi Quieroz.
Portugalia dhe Brazili kanë një histori mjaft të brishtë njëra me tjetrën, pasi që portugezët ishin ata që formuan shtetin brazilian si koloni, ndërsa Queiroz mohoi që të ketë rol faktori historik, duke e zhvendosur menjëherë fokusin e tij në ndeshjen e të premtes mbrëma.
“Ne do të tentojmë ta ndryshojmë ritmin e Brazilit. Ne nuk luajmë për barazim, por për fitore. Ne do të tentojmë të fitojmë, siç e thashë, që të sigurohemi se jemi në gjendje të mirë për fazën tjetër”, përfundoi Quieroz para gazetarëve në konferencë për shtyp.
Paul Le Guen ka deklaruar se nuk ka më se çfarë të kërkojë në stolin e Kamerunit, duke thënë se kamerunasit do të largohen nga Kampionati Botëror me mjaft pendesë për rezultatet e dobëta.“Ne e lëmë Kampionatin Botëror me shumë pendesë. Ne e dimë se kemi mbajtur shpresat e një populli të tërë në Kamerun, por ne nuk ishim në gjendje t’i realizojmë atë. Kontrata ime po skadon dhe ishte e qartë se do të ndaloja tani. Ndoshta nuk pata sukses në unifikimin e ekipit dhe bashkimin e tij”.
“Nuk dua të drejtoj gishtat tek askush apo të akuzoj dikë. Kam menduar se do të mund të nxjerrja së paku një rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, u shpreh përzgjedhësi i Kamerunit.
Amerikani John Isner ka mbajtur nervat dhe ka arritur të shënojë fitore historike në përballjen maratonike ndaj Nicolas Mahut, ndërsa nga ana tjetër një Rafael Nadal paksa i pasigurt arriti të kalojë në rrethin tjetër.Isner e fitoi setin e fundit me 70-68, ndërsa rezultati final ishte 6-4, 3-6, 6-7, 7-6 dhe 70-68. Ndeshja vazhdoi në ditën e tretë të saj pranë rezultatit 59-59 në setin e pestë, ndërsa që të dy luftuan deri në ‘gejmin’ e 138-të. John Isner në rrethin tjetër takohet me Thiemo De Bakker.
Rafael Nadal shënoi fitore relativisht të vështirë në pesë sete ndaj Robin Haase në rrethin e dytë të Wimbledonit, me rezultat 5-7, 6-2, 3-6, 6-0 dhe 6-3. Spanjolli në rrethin e tretë takohet me Philipp Petzschner.
Liverpooli thuhet të jetë në gjurmët e trajnerit të Galatasarayt, Franck Rijkaard, si njeri ideal për të zgjidhur krizën në klub.Rijkaard u emërua trajner i skuadrës turke verën e kaluar, ndërsa me Barcelonën ngriti trofeun e La Ligas dhe Ligën e Kampionëve.
The Reds janë në kërkim të trajnerit pas shkarkimit të Benitezit, ndërsa holandezi shihet si njeriu që mund të shpëtojë Liverpoolin nga thellimi i krizës.
Holanda ka shënuar dhe fitoren e tretë në fazën grupore, me ç’rast bëhet kombëtarja e dytë që ka grumbulluar nëntë pikë pas Argjentinës, me fitoren prej 2-1 ndaj Kamerunit, në një ndeshje prestigji.Robin van Persie kaloi në epërsi Holandën pas 36 minutash lojë, pas një bashkëpunimi të mirë me Boulharouz dhe Van der Vaart në zonë.
Në pjesën e dytë, vazhdoi tempi konstant, me Arjen Robbenin që u inkuadrua në lojë në minutën e 73-të, por para kësaj Samuel Eto’o barazoi rezultatin nga pika e bardhë (65’).
Se sa vlen Arjen Robben, e tregoi goditja e tij nga 20 metra që ia mundësoi sulmuesit të të Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, të shënojë nga topi i kthyer.
Holanda është kryesues i Grupit E me nëntë pikë, me Japoninë në pozitën e dytë që grumbulloi gjashtë pikë pasi turpëroi Danimarkën. Holanda në 1/8 e finales takohet me Sllovakinë, kurse Japonia me Paraguain.
Përfaqësuesja e Japonisë ka shënuar fitore sensacionale prej 3-1 përballë Danimarkës për të siguruar kualifikimin në të tetën finales së Kampionatit Botëror.Japonezët e kryen punën që në pjesën e parë me dy supergola të shënuar nga gjuajtjet e lira.
Fillimisht, Keisuke Honda la të shtangur portierin Sorenson me një supergoditje (17’), ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe Yasuhito Endo disa minuta më vonë (30’).
Në vazhdim të takimit, Danimarka nuk u tregua efikase, mirëpo gjyqtari i ndeshjes ia ‘dhuroi’ një penallti, të cilën e shndërroi në gol Jon Dahl Tomasson, pas goditjes së dytë (81’).
Megjithatë, lojtari më i mirë i takimit, Keisuke Honda, nuk lejoi befasi. Ai bërë një depërtim të bukur brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe pasoi te Okazaki, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e zbrazët (87’).
Me këtë fitore, Japonia pozicionohet në vendin e dytë në Grupin E pas Holandës, ndërsa në të tetën e finales do të luajë kundër Paraguait.
Portieri i lënduar i Italisë, Gianluigi Buffon, ka thënë pas eliminimit të kombëtares së tij, se ekipi Azzur meritoi eliminimin pas disfatës tmerruese ndaj Sllovakisë.“Është e drejtë që ne të shkojmë në shtëpi. Sllovakia dhe Zelanda e Re janë ekipe që duhen respektuar, asgjë më shumë. Dhe nëse nuk jemi në gjendje t’i mposhtim këto skuadra, atëherë zgjidhja e vetme është të shkojmë në shtëpi”, ka thënë Buffon i frustruar pas eliminimit.
Italia u eliminua nga Kampionati Botëror pas disfatës turpëruese nga Sllovakia me rezultat 3-2 në Johannesburg Ellis Park.
Mesfushori i Gjermanisë, Bastian Shweinsteiger, është në dyshim për sfidën e 1/8 së finales që zhvillohet të dielën në Bloemfontein ndaj Anglisë.Mesfushori qendror gjerman dhe njëri prej futbollistëve kyçë, ka pësuar një dëmtim në kofshë gjatë ndeshjes ndaj Ganës, sfidë në të cilën Gjermania siguroi kualifikimin.
Stafi mjekësor i Gjermanisë është në luftë me kohën që ta ketë sa më shpejtë në gjendje gatishmërie superyllin e Bayernit.
“Ai ka pësuar një dëmtim në kofshë. Mjekët thonë se koha është duke kaluar, por ne shpresojmë që ai të luajë sepse është një lojtar i rëndësishëm”, ka precizuar zëvendëstrajneri Hansi Flick.
Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka, u është përgjigjur kritikëve të ‘edukatës’ së tij me vazhdim të kontratës edhe për një vit me klubin nga Londra.31-vjeçari ka shënuar 42 gola në 138 paraqitje për klubin londinez, ndërsa u trondit para pak kohësh, kur u përjashtua nga kombëtarja franceze, me arsyetim se nuk është sjellë mirë me përzgjedhësin Raymond Domenech.
“Kur erdha te Chelsea, kam kërkuar që të qëndroj më gjatë se te klubet tjera. Është klub i madh me lojtarë të mëdhenj dhe mua më pëlqen ky klub, më pëlqen Londra”.
“Nuk ka nevojë të ndërroj më ekipe, sepse jam krenar që nënshkrova kontratën e re dhe e di se do të luaj në ndeshje të mëdha dhe mund të fitoj tituj. Jam shumë krenar”, ka thënë Anelka për faqen zyrtare.
Andy Murray ka arritur që me një formë të jashtëzakonshme të treguar në fushën qendrore të Wimbledonit të spastrojë nga rruga Jarkko Nieminen, duke zgjuar kështu në të njëjtën kohë një entuziazëm të pa parë tek britanikët.Numri një i Britanisë luajti aq mirë në fitoren e tij prej 6-3, 6-4 dhe 6-2, sa që arriti të zhvendosë fokusin nga Mbretëresha Elizabeth II, në vizitën e saj të parë në Wimbledon që nga vitit 1977.
23-vjeçari Murray në rrethin e tretë takohet me francezin Gilles Simon, që arriti në rrethin e tretë me lehtësi, pasi kundërshtari i tij u dorëzua para kohe.
Pasi ishte dëshmitar i një prej befasive më të mëdha të dekadës në futboll, me Italinë që u eliminua nga Sllovakia në Kampionatin Botëror si kampion në fuqi, përzgjedhësi Marcello Lippi mori përgjegjësinë për katastrofën Azzure të këtij Botërori.“Në rregull, unë marr gjithë përgjegjësinë mbi vete, nuk ka justifikim. Nëse një ekip vjen në një kampionat të tillë me terror në kokë, zemër dhe mendje, dhe dështon ta tregojë veten, atëherë kjo do të thotë se trajneri nuk e përgatiti mirë”.
“Më vjen keq për tifozët, FIGC-në (Federatën Italiane) dhe të gjithë të tjerët. Unë mendova se ky ekip do të luante mirë, por nuk e kam përgatitur si duhet. Kam pritur gjithçka, por jo këtë dhe mënyrën se si luajtëm”.
“Më vjen keq që po e përmbylli punën në këtë mënyrë. Unë prita gjithçka, por jo këtë. Unë mbaj gjithë përgjegjësinë. Zgjedhjet, mënyrën se si e paraqita ekipin në tri ndeshjet e fundit. Fat të mbarë pasardhësit tim dhe ju faleminderit të gjithëve për katër vitet e kaluara”, ka deklaruar Lippi i turpëruar pas eliminimit befasues.
Mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, ka thënë se ai mendon të bëhet menaxher posa të pensionohet nga futbolli aktiv sezonin e ardhshëm.“Unë jam në fund të karrierës time si lojtar dhe ndoshta më ka mbetur edhe një vit. Unë kam filluar t’i marr certifikatat e trajnerit në Angli dhe shpresoj se një ditë do të jem në gjendje të drejtoj skuadrën e të rinjve ose ndonjë lloj ekipi”.
“Ferguson është i madh. Nuk mund të mos them se çfarë top-menaxheri ka qenë ai. Numri i lojtarëve të cilët ai i ka sjellë në ekipin e të rinjve është i madh dhe kjo u jep shpresë të gjithë të rinjve të akademisë se nëse janë mjaft të mirë do të mund të depërtojnë dhe në ekipin e parë. Ka qenë fantastike puna me të dhe mendoj se ai ka edhe disa vite punë”, ka thënë Scholes.
Sipas Il Corriere dello Sport, Juventusi pritet që së shpejti të finalizojë marrëveshjen për transferimin e mbrojtësit Leonardo Bonucci.Bonucci që është në bashkëpronësi të Barit dhe Genoas, do të transferohet te Juventusi pasi klubi nga Torino ka arritur marrëveshje me bashkëpronarët dhe me mbrojtësit italian.
Zyrtarizimi pritet të bëhet brenda 24 orëve dhe ky transferim shihet si zëvendësim për Fabio Cannavaron, që nga sezoni i ardhshëm do të luajë për skuadrën arabe Al-Ahli.
Mesfushori i Bayern Munichut, Franck Ribery, mund të jetë eliminuar herët nga Botërori, por kjo nuk do të thotë se ai do të jetë në dispozicion të bavarezëve në një të ardhme të afërt.Stafi mjekësor i kombëtares franceze ka zbuluar se Ribery ka një lëndim në ije dhe se 27-vjeçari do t’i nënshtrohet një operimi.
Bayerni i ka filluar përgatitjet parasezonale të hënën më 21 qershor, por Louis Van Gaal do të duhet të punojë me një pjesë të vogël të skuadrës për shkak të angazhimit të yjeve të Bayernit në Botëror.
Përzgjedhësi më kontrovers i këtij Botërori, Diego Maradona, ka zbuluar admirimin e tij për Jose Mourinhon, duke thënë se mund ta telefonojë portugezin nëse ka nevojë për ndonjë këshillë.“Mourinho më pëlqen shumë. Pos kësaj, mënyra se si ai më ka pranuar, kemi kaluar orë të tëra duke biseduar për futboll, taktika ofensive dhe defensive. Ai mu duk si nga ata djelmoshat që i keni në krahun tuaj të djathtë dhe të cilët i pyesni kur ju nevojitet diçka. Unë kam numrin e tij, mund ta thërras atë”, theksoi Maradona.
Një gjë të cilën Maradona nuk ishte i gatshëm ta pranonte është taktika ultra defensive e Jose Mourinhos, me të cilën ai fitoi gjithçka këtë sezon.
“Jo, jo atë. Por ajo funksionoi për të, në rregull? Ai e fitoi Ligën e Kampionëve”, përfundoi ‘el Pibe de Oro’.
Sulmuesi i Anglisë, Jermain Defoe, ka deklaruar se Anglia është në gjendje të mposhtë në çdo moment Gjermaninë.“Po, të gjithë janë duke menduar gjëra të tilla, pasi që të gjithë mendojnë se është dashur ta shmangim Gjermaninë dhe të kalojmë më tej, por ne luajmë ndaj çdokujt që na del përpara. Është me rëndësi të mbesim optimistë dhe të mendojmë pozitivisht, ndërsa duhet analizuar dhe gjendja në të cilën jemi”.
“Ndoshta, Gjermania është komb i futbollit, fantastik në turne të mëdha, por ne jemi ende Anglia e mrekullueshme. Ne mezi e presim ndeshjen dhe nuk humbim kohë duke menduar se ndaj kujt do të luajmë. Kjo vjen si pasojë kur mezi presim të luajmë”, ka thënë Defoe.
Kampioni i botës në fuqi është turpëruar nga Sllovakia për t’i dhënë fund Kampionatit të sivjetmë Botëror që në fazën grupore.Sllovakët e nisën sfidën shumë më mirë me kontrollim të lojës që në minutat e para. Pas një hutie në mbrojtjen italiane, Robert Vittek kaloi përfaqësuesen e tij në epërsi (25’).
Në fraksionin e dytë u inkuadrua Andrea Pirlo që ishte dhe katalizator i lojës së italianëve. Në minutën e 67-të, pas një harkimi të bukur në zonë, goditjen e Quaglierallas nga vija e dëboi Martin Skrtel. Topi kaloi vijën, por gjyqtari Howard Webb heshti.
Një pasim të mrekullueshëm të Marek Hamsik e shfrytëzoi për mrekulli Robert Vittek që nga mospërqendrimi i Giorgio Chiellinit shënoi për 2-0 dhe gëzimin e madh në shtabin sllovak (73’).
Në minutat në vazhdim Italia hodhi të gjitha forcat në sulm, me ç’rast u zhvillua ndeshje tejet dramatike. Antonio Di Natale nga një goditje e kthyer nga portieri sllovak shënoi golin e parë për italianët në këtë sfidë (81’). Në tentim për të marrë topin, u krijua një rrëmujë në zonë, kur portieri sllovak e grushtoi Quagliarellan, veprim që u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.
Drama vazhdoi dhe në minutën e 85-të, Italisë ii anulua një gol pa të drejtë. Fabio Quagliarella shënoi golin e barazimit për Italinë, por për herë të dytë në këtë sfidë, Azzurëve iu mohua goli, kësaj radhe për shkak të pozitës jashtë loje.
Megjithatë, përkundër presionit të italianëve, Sllovakia e vulosi fitoren historike me anë të Kamil Kopunek që në kontaktin e parë me top, parabolloi portierin Federico Marchetti, pas një pakujdesie në mbrojtjen Azzure.
Pranë rezultatit 3-1 dhe kur të gjithë humbën shpresat, del në skenë Fabio Quaqliarella që me një parabollë mjeshtërore fotografoi portierin sllovak Mucha (90’) dhe vazhdoi dramën e cila nuk dha rezultat në minutat e mbetura shtesë.
Pasi që ndeshja tjetër Paraguai-Zelandë e Re përfundoi me barazim pa gola, Paraguai prin Grupin F me pesë pikë, ndërsa në pozitën e dytë përfundoi Sllovakia me katër pikë. Italia me dy pikë dhe në pozitën e fundit, përshëndetet nga Kampionati Botëror.
Pas barazimit pa gola kundër Zelandës së Re, Paraguai ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Botëror nga vendi i parë në Grupin F.Paraguaianët e dominuan ndeshjen në tërësi, por nuk arritën të shënojnë dot në portën e zelandezëve.
Përkundër barazimit pa gola, Paraguai del fitues i Grupit F me pesë pikë, ndërsa Zelanda e Re largohet kokëlartë nga Kampionati Botëror me tre pikë në pozitën e tretë, duke e lënë prapa kampionin e botës, Italinë. Paraguai në 1/8 e finales takohet me të dytin e Grupit E.
Legjenda gjermane, Franz Beckenbauer, thotë se anglezët kanë qenë shumë të pafat që kanë përfunduar në pozitën e dytë të grupit të tyre, pasi që sipas tij Albionët do të eliminohen që në 1/8 e finales.“Një ndeshje e tillë duhet të luhet në gjysmëfinale, jo në 1/8 e finales. Fatkeqësisht, anglezët kanë qenë të pafat që përfunduan në pozitën e dytë në grupin e tyre”.
“Anglezët duken të lodhur. Ka një arsye të mirë për këtë. Lojtarët e Ligës Premier duhet të luajnë larg më shumë ndeshje se kolegët e tyre të Bundesligas, duke përfshirë dhe dy garat e kupave nacionale. Për këtë arsye, kur ata vijnë në Botëror apo Kampionat Evropian, ata janë të djegur. Nga ana tjetër, lojtarët tanë duken në gjendje më të mirë fizike. Natyrisht ne i respektojmë ata, por ne natyrisht nuk u frikësohemi”, ka thënë Beckenbauer.
Pasi Zvicra ia dha një leksion ‘alla Mourinho’ Spanjës, mesfushori Xavi Hernandez, beson se këto taktika ultra defensive duhet të largohen përfundimisht nga bota e futbollit.“Unë jam romancier i futbollit, sikurse Johan Cruyff. Neve na pëlqen futbolli që është atraktiv, sulmues dhe i lehtë për syrin. Kur fitoni me këtë lojë, atëherë ndjeni kënaqësi të dyfishtë. Taktikat e Zvicrës e fituan lojën, ata kanë kërkuar një mënyrë për të na neutralizuar. Ata i hynë ndeshjes për një barazim, por e përfunduan me fitore. Nuk e di si është të fitosh duke luajtur në atë mënyrë, sepse kurrë nuk e kam përjetuar një gjë të tillë”.
“Unë gjithmonë kam luajtur futboll sulmues, idetë e mia sa i përket futbollit janë shumë të qarta dhe mirë të definuara. Unë jam rritur në Barcelonë me atë stil dhe ai më pëlqen. Mendoj se është mirë të fitosh në atë mënyrë, me iniciativë që nga minuta e parë. Ne ende nuk kemi parë aq futboll të mirë në këtë Botëror. Këtë e them, p.sh. Argjentina dhe Gjermania, luajtën vërtet mirë dhe janë dy ekipe që dalin për t’i fituar ndeshjet. Ekipet afrikane për këtë gjithashtu kanë luftuar, por nuk kanë pasur dhe aq fat. Është vërtetë turp që jo të gjitha ekipet luajnë futboll sulmues”, ka thënë Xavi për FIFA.com.
Liverpooli nuk do të marrë parasysh kurrfarë oferte nga Barcelona për sulmuesin Fernando Torres.Liverpool Daily Post shkruan se Torres është prioriteti numër një i presidentit Sandro Rosell, i cili është duke menduar të bëjë një ofertë në të cilën do të përfshihej Ibrahimovic, plus para shtesë.
Megjithatë, klubi nga Camp Nou pritet të refuzohet menjëherë nga Liverpooli, që e ka ripërsëritur qëndrimin se Fernando Torres nuk është në shitje.
Anëtari i bordit të Interit, Marco Tronchetti Provera, pret që Rafa Benitez të jetë njeriu që do të sjellë edhe një titull të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm, përderisa nga ana tjetër Massimo Moratti përfundimisht ka thënë se cila është e ardhmja e Militos.“Ai është trajneri ideal për Interin. Ai ka përvojë ndërkombëtare dhe ka qenë dy herë në finalen e Ligës së Kampionëve dhe njërën e fitoi. Për këtë arsye, ai di si t’i menaxhojë situatat e rëndësishme te një klub si Interi. Unë mendoj se ai është trajneri i duhur për të ardhmen. Merkato? Të shohim. Afati kalimtar është i gjatë dhe jam i sigurt se Interi do të jetë shumë konkurrues”, tha Provera.
Nga ana tjetër, Moratti u shpreh për të ardhmen e Militos, për të cilën edhe La Gazzeta dello Sport shkroi në mëngjes se do të vazhdojë kontratën deri në vitin 2014.
“Po, Milito do të qëndrojë, ai nuk do të largohet nga Interi”, citohet të ketë thënë Moratti.
Chelsea është duke menduar t’ia prishë planet Mancheter Cityt, në lidhje me transferimin e yllit të Valencias, David Silva.E ardhmja e 24-vjeçarit është vënë në dyshim pas problemeve financiare te Valencias, e cila medoemos duhet të shesë një nga futbollistët e saj kryesor. Për të ka shprehur interesim Manchester City, klub për të cilin paratë nuk janë problemi më i madh.
Megjithatë, sipas agjentit të Silvas, Julio Llorente, në orët e fundit Chelsea ka bërë përpjekje për ta sjellë klientin e tij në Stamford Bridge edhe pse nuk mohoi mundësinë e kalimit të City, por edhe njëherë ripërsëriti se ajo varet nga dëshira e futbollistit.
“Ne nuk do ta dimë brenda kësaj jave se ku do të transferohet ai, sepse ne jemi duke i shqyrtuar ofertat nga tri klube dhe një prej tyre është Chelsea. Nëse Silva nuk dëshiron të kalojë te City, atëherë transferi është i pamundur”, ka thënë Llorente për Daily Mail.
Mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka vënë edhe më shumë ‘benzinë në zjarr’, pasi deklaroi se idhulli i tij i fëmijërisë ishte trajneri aktual i Barcelonës, Pep Guardiola.“Josep Guardiola ka qenë gjithmonë idhulli im, që nga fëmijëria. Unë kam luajtur në pozitën e tij dhe e njoh mjaft mirë atë. Trajneri im (Guardiola), më dha një fanellë të nënshkruar nga ai”, theksoi Fabregas, që ka filluar ta konsiderojë Guardiolan tashmë trajner të tij.
“Trajtimi që ma dhanë njerëzit në Barcelonë sa isha atje për dy muajt e rikuperimit nga lëndimi ishte i mirë. Njerëzit më trajtuan vërtetë mirë”.
“Wenger? Ai do të thotë gjithçka për mua. Ai është njeriu që e vuri besimin në mua. Pa të, nuk e di nëse do të isha sot një futbollist profesionist. Unë ia kam borxh shumë atij, ndërsa kam afeksion të veçantë për të”, ka deklaruar Fabregas për radio Ona FM.
Serbia e cila sapo hyri në fazën e rikuperimit pas eliminimit nga Botërori Afrika e Jugut 2010, ka mbetur e tronditur kur mësoi një fakt të hidhur. Shtëpia botërore e futbollit FIFA në buletinin zyrtar të ndeshjes me Australinë ka publikuar hartën e Serbisë në të cilën nuk përfshihej Kosova.Eliminimi ishte i hidhur, por një lajm tjetër edhe më tronditës. Serbët të cilët kanë dëshirë ta thërrasin Kosovën djep i Serbisë, mbetën të befasuar me statistikat e FIFA-s në buletinin zyrtar të ndeshjes Australi-Serbi, e zhvilluar të mërkurën në mbrëmje.
Fakt edhe më i dhimbshëm për serbët ishte se në këtë buletin ku shihet harta e Serbisë, Kosova nuk është e përfshirë si territor i saj. Tutje, në të shkruan se Serbia ka shtatë milionë banorë, numër i cili nuk përfshin banorët e Kosovës.
Interesant ka qenë konstatimi se qyteti i Novi Pazar-it përmendet si i treti më i rëndësishmi pas Beogradit dhe Novi Sadit.
Mediumet serbe e quajtën skandaloz lëshimin e autorit të buletinit, i cili thirret në qëndrimin zyrtar të FIFA-s. Kjo e fundit ende nuk e ka pranuar Federatën e Futbollit të Kosovës ende në familjen e saj.
Sulmuesi i Palermos, Fabrizio Miccoli, ka folur kundër përzgjedhësit Marcello Lippi, të cilin e akuzoi për mbipopullim të kombëtares Azzure me futbollistë të Juventusit.“Nuk mendoj se lëndimi im ishte arsye për mos thirrjen time në kombëtare. Lippi kurrë nuk do të më merrte parasysh, në asnjë mënyrë”.
“Fatkeqësisht Lippi nuk e di ku gjendet Palermo. Ai kurrë nuk ka ardhur për të na shikuar dhe për të ndjekur sezonin tonë të mrekullueshëm. Nëse shikoj në lojtarët e huaj të Palermos shoh se të gjithë janë në Botëror përpos italianëve të cilët janë në shtëpi. Përkundër sezonit katastrofal të Juventusit, Lippi mori shumë ‘juventinë’ në Afrikën e Jugut”, tha Miccoli.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka deklaruar se ai nuk ka parë ndonjë lojtar të vetëm që mund t’i afrohet Lionel Messit apo Carlos Tevezit.“Madje as 30 për qind, në këtë Botëror nuk kam parë dikë që është as sa 30 përqindëshi i Messit. Nuk e di, ndoshta nesër do të quhem arrogant, por them se nuk ka as 30 përqindësh të Carlos Tevezit. Sepse Carlito ju bën të lëvizni kur ai luan, kuptoni? Unë e dua ekipin tim”, theksoi Maradona, duke shtuar lëvdata të pafundme për Messin.
Argjentina të shtunën takohet me Meksikën në kuadër të rrethit të 16 skuadrave më të mira, ndërsa në çerekfinale do të ketë punë me fituesin supersfidës, Gjermani-Angli, që zhvillohet të dielën.
E ardhmja e Diego Militos duket se është shumë pranë qartësimit, pasi argjentinasi pritet së shpejti të nënshkruajë kontratë të re me Interin deri në vitin 2014.Milito është thënë se mund të largohet nga Interi për shkak interesimit të shtuar të Real Madridit. Sulmuesi kërkoi rritje të pagës së tij, gjë që nerazurët në një moment e refuzuan. Megjithatë, duket se Interi ka arritur të gjejë një zgjidhje për sulmuesin që ka hyrë në analet e historisë së klubit, duke i ofruar kontratë të re deri në vitin 2014.
Finalizimi i detajeve pritet të bëhet që sot, me takimin mes agjentit të argjentinasit, Fernand Hidalgo dhe presidentit Nerazzur, Massimo Moratti.
Superylli i Anglisë, Wayne Rooney, ka shprehur besimin e tij se do të jetë i gatshëm për supersfidën e të dielës ndaj Gjermanisë.Rooney e kishte të lënduar nyjën dhe kjo ishte parë kur ai zbriti nga aeroplani që ateroi në Rustenburg, ndërsa u rritën spekulime se ai mund të mungojë ndaj Gjermanisë.
“Nyja ime do të jetë në rregull”, citohet të ketë thënë Rooney për The Sun.
Ky lëndim i pësuar i Rooneyt është i njëjti që ai e ka pësuar në ligamente gjatë marsit, në mes të sezonit të rregullt me Manchester Unitedin.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka thënë se Pep Guardiola e ka transferuar David Villan për të luajtur në krah.Barcelona shpenzoi hiç më pak se 40 milionë euro për sulmuesin më të mirë spanjoll, ndërsa opsionet që jep ai në sulm janë të shumta.
“Krahu është pozita, që unë mendoj se Guardiola e ka rezervuar për të. Guardiola nuk dëshiron që Villa të jetë numri 9, aty është Messi. Nuk do të befasohesha nëse ai luan në krah, duke dribluar, duke nxjerrë qendrën dhe kur nuk mund të pasojë, ai ka goditje mjaft të mirë”, deklaroi Cruyff.
Portieri i ri i Milanit, Marco Amelia, i ka bërë thirrje klubit ta mbajë Ronaldinhon, pasi që sipas tij ai do t’i dhurojë sukses klubit.“Kush do të jetë futbollisti kyç i Milanit në sezoni 2010-2011? Ronaldinho. Është turp që ai nuk luan për kombëtaren braziliane sepse ai është lojtar i madh”.
“Milani është rasti jetësor për mua. Më kanë thënë se është në dorën time të tregoj se a mund të luaj për Milanin dhe nuk ka motivim më të mirë për mua”, tha Amelia për La Gazzeta dello Sport.
Real Madridi është fare pranë finalizimit të transferimit të argjentinasit Angel Di Maria, sipas sportives AS.Mesfushori është lidhur me një kalim te Reali që pas transferimit të Jose Mourinhos te klubi mbretëror. Në fillim spekulohej se Benfica nuk do të hiqte dorë nga klauzola prej 40 milionë eurosh, por rrethanat duket të kenë ndryshuar.
Sipas AS, gjithçka është gati që prej 16 qershorit, ndërsa ka mbetur të firmoset marrëveshja nga presidenti i Benficas, Luis Filipe Vieira, dhe ta raportoj atë te komisioni i sigurisë së tregut portugez, që do të ndodhë vetëm muajin e ardhshëm.
Anësori i Valencias, Juan Mata, ka këmbëngulur se ai nuk ka arritur kurrfarë marrëveshje me Barcelonën.Mediat spanjolle dje thanë se Mata tashmë është transferuar te Barcelona për 20 milionë euro, por vetë lojtari i ka mohuar këto spekulime.
“Unë jam lojtar i Valencias, unë e di se ka pasur spekulime, por nuk di asgjë më shumë. Unë jam i qetë me kombëtaren, duke u kënaqur me Botërorin dhe duke menduar vetëm për ndeshjen ndaj Kilit”, u shpreh Mata.
Sulmuesi i Palermos, Edinson Cavani, premton se ai do të jetë ‘Wayne Rooney’ i Interit nëse ai nënshkruan me këtë klub.Sulmuesi uruguaian pritet të largohet nga Palermo dhe të kalojë në një ambient të ri, me Wolfsburg që tashmë ka bërë ofertën më lartë për të. Por, në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Cavani nuk e fsheh dëshirën se dëshiron të kalojë në Inter.
“Do të ishte mrekulli të mbetem në Itali dhe të luftoj për Skudeton dhe për titullin e Ligës së Kampionëve. Unë jam sulmues i qendrës, i cili di si të adaptohet edhe në pozitë tjetër. Le të themi kështu, ‘Unë do të isha Wayne Rooney në Inter’, një sulmues i cili mund t’i përshtatet shumë roleve”, ka thënë Cavani.
Agjenti i David Silva ka zbuluar se ata janë duke analizuar një ofertë nga Chelsea për klientin e tij, i cili ishte shumë afër kalimit në Manchester City.Valencia i kishte dhënë leje Manchester Cityt për të filluar negociatat me mesfushorin pasi edhe të dy klubet arritën marrëveshjen për shumën e dëmshpërblimit, e cila thuhet të jetë rreth 28 milionë funte.
Por, sipas agjentit të lojtarit, ofertë për Silva ka edhe nga Chelsea dhe nga një klub tjetër, andaj zgjidhjen e fundit do ta ketë vetë lojtari.
“Jemi duke analizuar oferta nga tre klube, një prej të cilave është edhe Chelsea. Nëse Silva nuk dëshiron të shkojë në City, ky transfer është i pamundur”, ka thënë agjenti i lojtarit.
Heroi i Gjermanisë në ndeshjen kundër Ganës, Mesut Ozil, e ka paralajmëruar Anglinë që të presë një Gjermani të fortë në 1/8 e finales kur do të zhvillohet “finalja e parë” e këtij Botërori.“Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër Anglisë. Është padyshim skuadër më e fuqishme se Gana, por nëse ne shfaqim fuqinë tonë në fushë, do ta fitojmë edhe atë ndeshje”, ka thënë 21-vjeçari për The Telegraph.
Anglia përfundoi në vendin e dytë në Grupin C, pasi që SHBA-të siguruan kualifikimin nga vendi i parë me një fitore në minutat e fundit, ashtu që në 1/8 e finales do të luajnë kundër Ganës.
Spanjës i nevojitet vetëm fitorja kundër Kilit për të garantuar kualifikimin në fazën tjetër të Kampionatit Botëror, ndërsa Carlos Marchena thotë se përfaqësuesja e tij ka gjithçka që nevojitet për të shënuar fitore.“Ende nuk është zgjidhur asgjë dhe të dyja skuadrat do të hyjnë në lojë me 50% të gjasave (për të fituar)”.
“Takimi i parë kundër Zvicrës e ka ‘dridhur’ gjithë botën, mirëpo po të mos kishim humbur nuk do të kishte kaq shumë trazirë”.
“Shpresoj ta mposhtim Kilin dhe ta rikthejmë besimin dhe të mos flasim për të kaluarën”, është shprehur lojtari i Valencias.
Klaas-Jan Huntelaar refuzon të përfshihet në marrëveshjen e Milanit për ta transferuar sulmuesin e Sevillas, Luis Fabiano.Holandezi është konsideruar si pjesë e marrëveshjes nëse Rossonerët arrijnë të bindin Sevillan për sulmuesin brazilian, mirëpo Corriere dello Sport shkruan se Huntelaar nuk planifikon të largohet nga San Siro.
Huntelaar u transferua sezonin e kaluar nga Real Madrid për 15 milionë euro, mirëpo ka arritur të shënojë vetëm shtatë gola në Serie A.
Përzgjedhësi i Bregut të Fildishtë, Sven Goran Eriksson, është zgjidhja favorite e Fulhamit për të zëvendësuar trajnerin aktual Roy Hodgson.Daily Express bën të ditur se Fulham do të mundohet të sjellë ish-trajnerin e Anglisë Sven Goran Eriksson në Craven Cottage nëse Roy Hodgson vendos të largohet nga klubi.
Hodgson është favorit për të marrë nën drejtim Liverpoolin, por po ashtu është përmendur edhe si një kandidat i mundshëm për të pasuar Fabio Capellon në stolin e kombëtaren angleze.
Presidenti i klubit, Mohamed Al Fayed, raportohet se do të presë deri në fundin e Kupës së Botës për të marrë vendimin e duhur.
Agjenti mesfushorit të Udineses, Mauricio Isla, ka zbuluar se trajneri i Romës, Claudio Ranieri, është një fans i madh i lojtarit.Duke folur për ‘Il Romanista’, agjenti i Isla, Leo Rodriguez, është pyetur nëse ka përparime në negociatat për transferimin e klientit të tij.
“Duhet të presim derisa të kryhet Kupa e Botës. Për momentin nuk ka asgjë të re për t’u raportuar, por mund të konfirmoj se Ranieri e pëlqen atë”, ka thënë agjenti i lojtarit.
Tottehami raportohet se është duke kërkuar mesfushorin me tipare sulmuese të Romës, Juio Baptista.Datasport thotë se menaxheri i Spurs, Harry Redknapp është duke bërë hapa për të transferuar Baptistan, i cili mund të luajë edhe si mesfushor e edhe si sulmues i qendrës.
Baptista mendohet se dëshiron të largohet nga Roma gjatë kësaj vere dhe ka shprehur publikisht pakënaqësinë ndaj Claudio Ranierit. Braziliani më herët ka pasur një përvojë në Ligën Premier, me Arsenalin.
Rivalet e përbetuara, Justine Henin dhe Kim Clijsters i janë afruar takimit ndërmjet tyre në fazën e 16-të më të mirëve në Wimbledon, pasi Justine Henin ka fituar ndeshjen e saj të rrethit të dytë.Belgia Henin mposhti gjermanen Kristina Barrois me 6-3 dhe 7-5, me vështirësi të mëdha në setin e dytë.
Kim Clijsters që ka mposhtur dy herë belgen Henin gjatë këtij viti, do të takohet me rivalen e saj të përbetuar vetëm nëse mposht Maria Kirilenkon.
John Isner dhe Nicolas Mahut, kanë hyrë në librat e historisë së tenisit, për ndeshjen e tyre të rrethit të parë, që edhe pas dy ditësh nuk dha fitues.Ndeshja është ndërprerë pranë rezultatit 59-59 në ‘tie-break’ të setit të fundit, pas dhjetë orë lojë, për shkak të mungesës së ndriçimit. Ndërprerja e ndeshjes do të thotë që sfida do të hyjë në ditën e tretë të saj, pasi u ndërpre edhe të martën për arsye të njëjtë.
Seti përfundimtar prej gjashtë orësh është njëkohësisht seti më i gjatë i luajtur ndonjëherë, madje më i gjatë se vet ndonjë ndeshje e luajtur ndonjëherë. Të dy të lartpërmendurit kanë thyer edhe rekordin e ‘aseve’ gjatë një ndeshje, të mbajtur nga Ivo Karlovic në Davis Cup.
Ndeshja më e gjatë para këtij takimi ishte ajo e French Open në vitin 2004, kur Fabrice Santoro mposhti Arnaut Clement pas gjashtë orë e 35 minuta.
Kampioni në fuqi i Wimbledonit, Roger Federer, është përkujdesur edhe njëherë për ndeshje dramatike, pasi që mposhti me vështirësi kroatin Ilija Bozoljac.Ndeshja që u zhvillua në fushën qendrore të Wimbledonit përfundoi me fitoren e zviceranit me rezultat 6-3, 6-7, 6-4 dhe 7-6.
Federer në rrethin e tretë përballet me francezin Arnaud Clement, ndaj të cilit do të mundohet ta shmangë pasigurinë e shfaqur në dy takimet e para.
Bosi i kombëtares italiane, Marcello Lippi, ka këmbëngulur se skuadra e tij është plot besim se do të kualifikohet më tej në Botëror, por vetëm nëse përmirësohet loja e Azzurëve.“Ne nuk jemi lëkundur nga kjo situatë, besimi ekziston ende. Nuk kemi luajtur dhe aq mirë deri tani, por ne duhet të luajmë më mirë. Nuk duam që kjo të jetë ndeshja jonë e fundit. Djemtë e mi kanë shpirt të madh dhe ne duhet vetëm të përmirësohemi, sidomos në sulm. Ne duam të kalojmë përtej në fazën e eliminimit direkt”.
“Pirlo do të jetë në pankinë. Ata kanë sulmues të shpejtë. Për sllovakët e mjaftueshme është vetëm fitorja dhe ata këtë do të tentojnë ta bëjnë. Ndërsa edhe ne nuk duhet të harrojmë se barazimi nuk është i mjaftueshëm ”, tha Lippi para gazetarëve.
Përkundër faktit se ia dha Serbisë një leksion se si luhet futbolli, përzgjedhësi i Australisë, Pim Verbeek, është jashtë mase i zhgënjyer me eliminimin e hershëm të australianëve.“Unë jam i zhgënjyer, por nuk ishim mjaft të mirë në fund. Ne i kemi huqur disa raste në fund dhe ato na lëndojnë. Në pushim të pjesës së parë, u thashë lojtarëve se kemi edhe 45 minuta, një situatë ‘ose krejt ose hiq’. Na nevojitej pak fat pranë rezultatit 2-0, për të shkuar për 3-0”.
“Nuk kemi se çfarë të mësojmë nga eliminimi. Djemtë ishin fantastikë. Unë jam i zhgënjyer. Ne fituam katër pikë në Botëror, por ndeshja ndaj Gjermanisë na vrau”, deklaroi Verbeek pasi turpëroi Serbinë.

Pas fitores së madhe të shënuar ndaj Ganës me rezultat minimal 1-0, përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, është duke pritur një ndeshje klasi ndaj Anglisë në 1/8 e finales.
“Kjo ishte një ndeshje vërtet e shpejtë dhe jo shumë gjëra shkuan mirë për ne. Ne kemi mundur të nxjerrim më shumë nga rastet tona. Ne nuk ishim dhe aq precizë në sulm. Por, nuk mund t’i fajësoj lojtarët e mi të rinj, kishte shumë presion, ne është dashur të fitojmë dhe tani jemi në fazën tjetër”.
“Ndeshja e 1/8 së finales ndaj Anglisë do të jetë një ndeshje klasi, ne mezi e presim atë takim”, deklaroi pas takimit Loew.
“Kjo ishte një ndeshje vërtet e shpejtë dhe jo shumë gjëra shkuan mirë për ne. Ne kemi mundur të nxjerrim më shumë nga rastet tona. Ne nuk ishim dhe aq precizë në sulm. Por, nuk mund t’i fajësoj lojtarët e mi të rinj, kishte shumë presion, ne është dashur të fitojmë dhe tani jemi në fazën tjetër”.
“Ndeshja e 1/8 së finales ndaj Anglisë do të jetë një ndeshje klasi, ne mezi e presim atë takim”, deklaroi pas takimit Loew.
















