Përzgjedhësi i Portugalisë, Carlos Queiroz, për dallim nga homologu i tij brazilian Dunga, ka deklaruar se ndeshja ishte një festë e vërtetë futbolli, duke u shprehur tejet i kënaqur me ekipin e tij.“Mendoj se ishte një shfaqje e mrekullueshme, një festë futbolli. Brazili luajti shumë mirë në minutat e para, por pas periudhës së tyre të dominimit, Portugalia ngadalë filloi ta kontrollonte lojën. Në fund, ishte një ndeshje ku ne sulmuam dhe ata u mbrojtën. Tani duhet të festojmë, sepse Portugalia u kualifikua me meritë. Ishte një ndeshje e madhe futbolli, lojtarët luajtën ekstremisht mirë dhe ata duhet të përgëzohen”.
“Ne nuk pranuam gol dhe nga 26 ndeshjet e fundit, ne kemi mbajtur portën e pastër në 22 ndeshje. Lojtarët e mi ishin të gatshëm ta sakrifikojnë veten, të luftojnë për rezultat. Kur luani ndaj një skuadre si Brazili që ka lojtarë të mëdhenj, atëherë duhet të jepni gjithçka. Kur ishte e nevojshme të mbroheshim, ne mbroheshim, kur kemi pasur nevojë për të sulmuar, sulmonim. Mendoj se ekipi im si tërësi meritoi çmimin e futbollistit të ndeshjes”, është shprehur Queiroz pas takimit.
Kampioni aktual i Wimbledonit, Roger Federer, më në fund iu kthye formës së vërtetë, kur deklasoi francezin Arnaud Clement, për të arritur në rrethin e katërt të Wimbledonit.Kampioni i gjashtëfishtë e kaloi me lehtësi pengesën franceze, me rezultat 6-2, 6-4 dhe 6-2.
Në rrethin tjetër Federer takohet me austriakun Jurgen Meltzer, ndaj të cilit do të luftojë për një vend në çerekfinale.
Justine Henin do të luajë ndaj rivales së saj Kim Clijsters në rrethin e 16 më të mirëve në Wimbledon, pasi që të dy konkurrentet kaluan me lehtësi pengesat e rrethit të tretë.Bartësja e tetë, Clijsters, e tejkaloi rusen Maria Kirilenko me rezultat 6-3 dhe 6-3, për të vazhduar formën e saj të pastër në rikthimin e saj në Wimbledon.
Henin nga ana tjetër deklasoi Nadia Petrovan me rezultat 6-1 dhe 6-4.
Henin dhe Clijsters u takuan dy herë gjatë këtij viti dhe që të dyja sfidat i fitoi Clijsters.
Mbrojtësi i Brazilit, Lucio, e ka quajtur ndeshjen agresive ndaj Portugalisë si normale, por ka akuzuar zyrtarët e FIFA-s për emërimin e Ronaldos si lojtari më i mirë i ndeshjes.“Pa kurrfarë dyshimi, kjo është diçka nga FIFA. Ne e dimë se çfarë lojtari është ai, por në futboll nuk ka drejtësi. Ne e kemi ditur se të dyja ekipet duan të fitojnë edhe nëse duhet të jetë sfida më agresive”.
“Ne jemi të kënaqur që u kualifikuam të parët në një grup aq të vështirë. Ne duam të qëndrojmë këtu deri në finale, pa marrë parasysh se kush janë kundërshtarët”, deklaroi Lucio.
Përzgjedhësi i Brazilit, Carlos Dunga, ka akuzuar Portugalinë për ashpërsi të tepruar dhe njëherit akuzoi zyrtarët e FIFA-s për emërimin e Cristiano Ronaldos si lojtar i ndeshjes.“Ne gjithmonë duam të fitojmë. Ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin. Ne tentuam të sulmojmë deri në fund. Kundërshtari është mbrojtur. Kur ekipet luajnë ndaj Brazilit, ato tentojnë lloje të ndryshme të strategjive. Është normale. Si trajner i Brazilit, unë do ta zgjedhja Lucion si njeriun e ndeshjes, pasi që lexoi çdo aksion. Ata që e zgjodhën Ronaldon si njeri të ndeshjes, kanë parë diçka të mirë në të, unë personalisht nuk pashë asgjë”.
“Brazili ishte kualifikuar më herët, kështu që nuk e di se pse ndeshja ishte me nervozë. Ju duhet të pyesni trajnerin portugez Queiroz. Vetëm shikoni në kartonët e verdhë që janë shpërndarë dhe do të zbuloni se kush ishin më të dhunshëm”, ka thënë Dunga pas ndeshjes.
Përfaqësuesja e Zvicrës nuk ka arritur më shumë se një barazim kundër Hondurasit, i cili nuk ishte i mjaftueshëm për ta vazhduar garën.Gjatë pjesës më të madhe të takimit, Zvicra ishte skuadër më e mirë duke tentuar të shënojë, mirëpo në fund të ndeshjes rezultati ishte ai i fillimit, 0-0.
Pas këtij barazimi, Zvicra grumbullon katër pikë dy më pak se Kili dhe Spanja që u kualifikuan nga Grupi H, ndërsa Hondurasi mban pozitën e fundit me vetëm një pikë.
Spanja ka shënuar fitore prej 2-1 përballë Kilit për të marrë kreun Grupit H dhe për të siguruar kualifikimin në të tetën e finales së Kampionatit Botëror.Sulmuesi i ri i Barcelonës, David Villa, kaloi Spanjën në epërsi (25’), ndërsa mesfushori blaugran, Andres Iniesta, dyfishoi rezultatin (37’).
Gjërat u përkeqësuan për Kilin në minutën e 38-të, pasi që Marco Estrada u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.
Megjithatë, përkundër inferioritetit numerik në fushë, Kili arrit ta ngushtojë epërsinë me golin e Rodrigo Millar të shënuar në fillim të pjesës së dytë (47’), dhe me rezultat 2-1 përfundoi takimi.
Pas kësaj fitoreje, Spanja kryeson Grupin H me gjashtë pikë, po aq sa ka Kili në vendin e dytë. Në të tetën e finales ‘furia e kuqe’ luan kundër Portugalisë, ndërsa Kili kundër Brazilit.
Sipas Daily Mail, Tottenhami do të hapë fushatën në Ligën e Kampionëve me sulmuesin të cilin pritet ta transferojë për 20 milionë funte nga Sevilla, Luis Fabiano.29-vjeçari i përshtatet kalibrit të qendërsulmuesit të cilin Redknapp është duke e kërkuar. Pasi ishte lidhur me Huntelaarin e Milanit dhe Dzekon e Wolfsburgut, duket se Redknapp ka vendosur që të transferojë brazilianin në Ligën Premier.
Milani është gjithashtu në garë për sulmuesin brazilian, mirëpo pas deklaratës së presidentit të Sevillas, Jose Maria Del Nido, Tottenhami shndërrohet automatikisht në favorit për shkak të ofertës mjaft të mirë për skuadrën spanjolle.
Portieri më i mirë gjerman i të gjitha kohërave, Oliver Kahn, ka deklaruar në një konferencë të organizuar nga Adidas në lidhje me penaltitë, se këto të fundit janë më shumë se lotari, duke thënë se përgatitja psikologjike e portierit është vendimtare.Oliver Kahn ishte shpallur ‘zot i futbollit’ nga shtypi gjerman në vitin 2001, kur ua siguroi gjermanëve të Bayernit titullin e kampionit të Evropës në penalti.
“Që të jesh në gjendje të mbrosh një penalti, duhet të kesh pak fat, por edhe më shumë. Përgatitja është e rëndësishme. Duhet të jeni i familjarizuar me atë që do ta ekzekutojë penaltinë, çfarë preferenca ka ai lojtar? A është ai lojtar teknik? Apo është lojtar që do të bazohet në goditjen e fortë. Ju mund ta lexoni këtë nga gjuha e trupit të lojtarit dhe nga ku ai është duke goditur. Është një lojë psikologjike mes portierit dhe ekzekutuesit”.
“Ka të bëjë shume me kontaktin e syve dhe gjuhës së turpit. Ju mund ta shpërqendroni lojtarin me gjuhën tuaj trupore, ju e shihni kur një lojtar frikësohet dhe këtë mund ta shihni me anë të syve. Kjo psikologji mes portierit dhe lojtarit është shpesh e padukshme për spektatorët. Mendoj se është pyetje e përqendrimit absolut, më kujtohet si sot finalja e Ligës së Kampionëve ndaj Valencias në vitin 2001. Isha i informuar nga trajneri se kush do t’i godiste penaltitë, cilat anë janë më të preferuarat, cilat janë taktikat e tyre, por unë i harrova të gjitha”.
“Hyra në një fazë absolute të përqendrimit dhe nuk e kisha vëmendjen te spektatorët përreth meje. Madje edhe pasi e mbrojta penaltinë vendimtare, nuk isha i sigurt nëse e kishim fituar titullin apo jo, është dashur ta shikoj ekipin dhe më pas e kuptova se ‘mirë, kjo ndoshta ishte penaltia e fundit’”, deklaroi Kahn në vazhdën e deklaratave intriguese për ndeshjen Angli-Gjermani, e që mendohet se mund të përfundojë pas penaltive.
Portieri i Anglisë, David James, ka thënë se ndeshja ndaj Gjermanisë është si çdo ndeshje tjetër, ndërsa gardiani nuk frikësohet për mundësinë që takimi të vendoset në penalti, ku anglezët janë të njohur për dështimet e tyre në të kaluarën.“Qëllimi është që të fitojmë pas 90 minutave dhe unë kam besim se ne do të bëjmë atë që duhet. Nëse ndeshja shkon në penalti, atëherë Gjermania ka mundësi të dështojë. Çelësi është tek stërvitja. Ne do të stërvitemi dhe do të marrim informata për lojtarët të cilët pritet të gjuajnë penaltitë. Në Euro 2004 në Portugali, mendoj se është parë se nuk kemi pasur qasje në informacione, kështu që është një çështje se kush informohet më mirë dhe kam besim se ne këtë herë do t’ia dalim mbanë”.
“Është sikurse çdo ndeshje tjetër. Ndoshta do të ketë shumë referenca të panevojshme historike, por nëse merremi me faktin se po luajmë ndaj Gjermanisë dhe shikojmë historinë, atëherë kjo mund të ndikojë në paraqitjen tonë”, deklaroi James.
Kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro, u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse për zhvillimin e futbollit italian, që të zhvillojnë dhe të investojnë në lojtarë të rinj.Italia ka nëntë lojtarë mbi moshën 30 vjeçare, ndërsa për këtë fakt Cannavaro tha: “Ne duhet të investojmë në lojtarë të rinj. Ne duhet të mësojmë nga kjo humbje, përndryshe do të na duhen edhe 27 vite tjera për ta fituar Kupën e Botës”.
“Kjo është një faqe e zezë në historinë tonë, por nuk mund ta fshijë dot atë që kemi arritur në vitin 2006. Nuk jam i turpëruar të them se kam qarë mbrëmjen e kaluar pas 14 viteve në fanellën Azzure”.
“Me katër yje në gjoksin tuaj, ndiheni të obliguar të fitoni. Është e natyrshme të ndjeni presion, por ne ishim shumë të frikësuar. Unë e pashë këtë në fytyrat e bashkëlojtarëve të mi”, u shpreh Cannavaro, i cili i ka ditët e numëruara në kombëtaren Azzure.
Mesfushori i talentuar gjerman, Mesut Ozil, ka marrë një lajm të hidhur dy ditë para ndeshjes së 1/8 së finales ndaj Anglisë. Bild njofton se gjyshja e Ozil ka ndërruar jetë.Gjyshja e Ozil, që po lëngonte nga problemet shëndetësore, vdiq mbrëmjen e të enjtes në një spital të qytetit Bolu në Turqi. Mesfushori e mori lajmin në hotelin e skuadrës gjermane në Pretoria.
Funerali do të mbahet të shtunën në Turqi. Babai i Ozil, Mustafa, do të marrë pjesë në funeral, ndërsa ende nuk dihet nëse Ozil do të udhëtojë gjithashtu në Turqi, pasi që Federata Gjermane e Futbollit (DFB) nuk ka dhënë deri tani asnjë konfirmim mbi rastin.
Ozil ka qenë një nga yjet e Gjermanisë këtë Botëror, pasi i ndihmoi kombëtares Pancere që të shkelë Australinë dhe më pas me një supergol e kualifikoi Gjermaninë më tej. Ozil është turk me nënshtetësi gjermane.
Trajneri i ri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se ai ka mjaft kohë për të rikthyer Milanin fitues edhe pse mbetet të testohet durimi i Berlusconit në rast të rezultateve të padëshiruara.Allegri nënshkroi kontratë me Rossonerët deri më 30 qershor të vitit 2012, ndërsa do të përfitojë 1.5 milionë euro për sezon.
“Jam shumë i lumtur për këtë ditë. Ishte një muaj i gjatë, por unë jam i kënaqur. Tani kemi mjaft kohë për t’u përgatitur për sezonin e ri”, theksoi Allegri që do t’i shpalosë planet e tij në një konferencë për shtyp në ditët në vijim.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, ka pranuar se nuk e ka ndërmend t’i bashkohet Juventusit, përkundër spekulimeve që flisnin për një marrëveshje mes drejtuesve të Atleticos me ata të Juventusit, për një mega-marrëveshje që do përfshinte një numër shkëmbimesh dhe para shtesë.“Juventusi është një klub i rëndësishëm, por është vetëm spekulim. Unë bisedova me presidentin e Atletico Madridit, por ne nuk kemi folur për këtë. Ishte një bisedë normale. Unë kam edhe tre vite në kontratën time dhe jam i kënaqur. Më pëlqen Atletico dhe jam shumë mirë. Kjo është e vërteta”, theksoi Forlan për AS.
Forlan ka qenë një nga figurat kryesore të Botërorit të sivjetmë, pas paraqitjeve fenomenale të tij në fanellën e Uruguait.
Pasi nënshkroi kontratën e tij të re me Chelsean dhe harroi skandalin francez në Botëror, Nicolas Anelka duket se është duke menduar vetëm për Chelsean dhe se si të fitojë sa më shumë tituj me klubin londinez.“Unë synoj të shënoj gola dhe të fitoj tituj. Kjo është gjëja më e rëndësishme për të kënaqur veten dhe tifozët, të cilët kur vijnë të shikojnë ndeshjet, dëshirojnë të shohin futboll të mirë, dëshirojnë të shohin gola, dëshirojnë të shohin fitore, kështu që unë do të tentoj ta bëj këtë dhe të tentoj të luaj për ekipin”.
“Ne e fillojmë sezonin në shtëpi ndaj West Bromit dhe është mirë të fillosh në shtëpi, do të ketë shumë tifozë si gjithmonë, nuk do të jetë ndeshje e lehtë ndaj këtij ekipi që posa erdhi në kampionat, por ne jemi skuadër e madhe dhe do të tentojmë ta bëjmë si duhet punën tonë”, u shpreh Anelka për faqen zyrtare të klubit.
Ish-trajneri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka deklaruar për Liverpool Daily Post, se ai ishte i ‘prangosur’ nga drejtuesit e klubit, pasi që nuk kishte mundësi të përforconte skuadrën në afatin e kaluar kalimtar veror.“Këtë vit gjithçka ndryshoi nga fillimi. Njerëzit në klub ndryshuan dhe marrëdhëniet ishin ndryshuar. Qartë u pa që kishte të bëjë me atë nëse kemi apo nuk kemi para për të shpenzuar. Që nga fillimi i sezonit gjithçka ishte më ndryshe se në të kaluarën. Ne ishim aq pranë titullit një sezon para këtij sezoni. Të gjithë prisnin nga ne që të bëjmë më shumë”.
“Por, ne patëm probleme në fillim me lëndimet dhe paraqitjet. Kjo krijoi frustrimin dhe siç shihni atmosfera në klub në fund të sezonit ishte ndryshe. Tani, gjatë verës, ju i shihni tifozët të cilët nuk janë të kënaqur. Unë u kënaqa me pesë vitet e para, por viti i fundit ishte i vështirë. Megjithatë, në përgjithësi kujtimet pas gjashtë vitesh janë vërtetë të mira”, ka thënë Benitez.
Përfaqësuesja e Bregut të Fildishtë ka shënuar fitore prej 3-0 përballë Koresë së Veriut, mirëpo katër pikët e fituara pas tri ndeshjeve nuk ishin të mjaftueshme për kualifikim.Bregu i Fildishtë ishte skuadra më e mirë gjatë gjithë takimit, ndërsa epërsinë e parë kombit të tij ia solli Yaya Toure (14’) me një gol të bukur. Romaric shfrytëzoi një top të bllokuar nga shtylla, pas goditjes së Drogbas, duke shënuar golin e dytë (20’).
Verdiktin përfundimtar takimit ia dha Salomon Kalou që u shërbye nga asistuesi i dyfishtë i këtij takimi Boka, ndërsa sulmuesi i Chelseat u tregua i saktë dhe shënoi për 3-0.
Koreja e Veriut e mbyll Botërorin me zero pikë dhe me diferencë turpëruese negative të golave, ndërsa Bregu i Fildishtë i pafat e përmbyllë Botërorin në pozitën e tretë me katër pikë, që natyrisht nuk mjaftojnë për t’u kualifikuar.
Portugalia dhe Brazili janë ndarë baras në xhiron e fundit të Grupit G, rezultat i cili u konvenonte të dyja skuadrave.Takimi i shumëpritur përfundoi pa gola, duke dëshpëruar tifozët e futbollit, të cilët kanë pritur një ndeshje më të bukur.
Pas këtij barazimi, Brazili kryeson Grupin G me shtatë pikë, ndërsa Portugalia kualifikohet nga vendi i dytë me pesë pikë, një më shumë se Bregu i Fildishtë që mposhti Korenë e Veriut.
Përzgjedhësi i Sllovakisë, Vladimir Weiss, ka thënë se fitorja prej 3-2 ndaj Italisë ishte një nga momentet më të mira të jetës së tij.“Ishte një ditë fantastike për ne. Ne jemi përgatitur mirë për ndeshjen me stafin dhe lojtarët, kurse pas lindjes së djalit tim, ky është momenti më i mirë i jetës time”.
“Dua t’i falënderoj të gjithë tifozët sllovakë që na kanë ndjekur në Afrikën e Jugut. Jam shumë krenar me ekipin tim, ata luajtën në një nivel të lartë për 80 minuta”.
“Kishte presion të madh në 10 minutat e fundit, por ne luajtëm një ndeshje fantastike, ndërsa ekipi më i mirë fitoi”, ka thënë Weiss për AP.
Sllovakia të hënën takohet me Holandën, në kuadër të rrethit të 16 skuadrave më të mira.
Mbrojtësi meksikan i Barcelonës, Rafael Marquez, ka thënë se ai do të shfrytëzojë njohuritë që ka për Lionel Messin, në mënyrë që ta ndalë futbollistin më të mirë në botë, kur Meksika dhe Argjentina të ndeshen në 1/8 e finales të shtunën.“Unë e njoh atë mjaft mirë. Është vështirë të luash ndaj tij dhe ta ndalësh. Ne do të tentojmë t’ia zvogëlojmë hapësirën, sepse është vërtet e vështirë t’ia marrësh topin”.
“Ai ka kontroll të mirë të topit dhe mund të ndryshojë drejtimin në çdo moment. Ne do të duhet të sigurohemi që ai të ketë sa më pak kontakt me topin”, tha Marquez për AFP.
Ish-sulmuesi i Milanit, Andriy Shevchenko, beson se Italia mund të këndellet pas eliminimit skandaloz nga Kampionati Botëror.“U ndjeva keq që e pashë Italinë të eliminohej nga kampionati. Por, jam i sigurt se Italia do të këndellet shumë shpejtë”, theksoi Sheva.
Më pas, ukrainasi është pyetur se çfarë mendon për Milanin pas një sezoni pa fituar asgjë, ndërsa përgjigja e sulmuesit ishte mjaft diplomatike: “Përderisa Berlusconi është në krye të Milanit, atëherë Milani gjithmonë do të jetë Milan”.
Juventusi ia ka shitur Genoas gjysmën tjetër të kartonit të Domenico Criscitos, duke kompletuar kështu transferimin permanent të mbrojtësit italian te klubi gjenovian.Klubet bënë të ditur shitjen permanente në faqet zyrtare të tyre, ndërsa Juventusi gjithashtu njoftoi se ka vazhduar marrëveshjen e bashkëpronësisë për Rafaele Palladinon.
Domencio Criscito ishte një nga futbollistët startues të kombëtares italiane në Botërorin Afrika e Jugut 2010.
Interi ka vendosur që përfundimisht ta edukojë Mario Balotellin, pasi që dëshiron ta dënojë për veprimet e tija skandaloze, kur veshi fanellën e Milanit dhe hodhi atë të Interit.Katër muaj kanë kaluar që prej se 19-vjeçari veshi fanellën e Milanit në emisionin ‘Striscia La Noticia’. Balotelli ka kërkuar falje publikisht, por Interi nuk e ka harruar aq lehtë këtë skandal, ndërsa La Gazzeta dello Sport pohon se Balotellin e pret dënimi.
Interi do të kërkojë leje nga paneli arbitrues i FIGC (Federatës Italiane), për të dënuar futbollistin pas polemikave të shkaktuara për veprimin e lartpërmendur dhe për hedhjen e fanellës në gjysmëfinalen e parë ndaj Barcelonës.
Mbrojtësi i Romës, Juan, ka thënë se Adriano do t’i ndihmojë Romës që të fitojë sa më shumë tituj sezonin e ardhshëm.“Adriano do të arrijë gjëra të mëdha me Romën. Ky është vendi ideal për të”, theksoi Juan i pyetur se çfarë mendon për ‘perandorin’.
Juan më tej vazhdoi se ai nuk ka ndërmend të largohet nga Roma, përkundër spekulimeve se ka skuadra të interesuara për të.
“Unë jam i lumtur që luaj te Roma. Tifozët këtu janë të mrekullueshëm dhe unë e gjej veten mjaft mirë këtu”, përfundoi braziliani.
Kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm, ka kërcënuar anglezët me eliminim nga Botërori, nëse sfida e të dielës mes dy gjigantëve të futbollit evropian duhet të vendoset në penalti.“Ndoshta do të shkojë në penalti, neve na konvenon kjo. Mendoj se ne jemi mentalisht mirë, ne do të jemi të përgatitur për atë. Ne ushtrojmë penalti shpeshherë, jo çdo lojtar, po disa. Shpresoj se anglezët nuk do të jenë aq bindës. Ekziston histori e madhe mes dy ekipeve, gjithmonë këto janë ndeshje të mëdha, ndeshje interesante. Ne do të shohim, jemi të gatshëm për të luftuar. Më pas do të shohim kush është në rrethin tjetër”.
“Rooney është sulmues vërtetë i mirë. Ai ka shënuar shumë gola këtë vit. Ai është lojtar i madh dhe lojtarët e mëdhenj shënojnë në ndeshjet e mëdha. Por, aty janë dhe Gerrard, Lampard, Milner, çdo lojtar luan në Ligën Premier, kështu që janë lojtarë të mirë. Ata kanë top lojtarë që luajnë në nivelet më të larta. Ata të gjithë luajnë në Ligën Premier dhe kështu mendoj se ata janë favoritë”.
“Ballack është lojtar i madh për ne, që gjithashtu luajti në Ligën Premier. Nuk do të jetë e lehtë pa të, lojtarët e rinj mbështeten tek ai, kështu që nuk do të jetë e lehtë për ne. Ozil është lojtar i mirë, ai gjithnjë e dëshiron topin, ai ka teknikë të mirë dhe shënon gola. Ai është lojtar më ndryshe se të tjerët dhe shumë i rëndësishëm për ne. Mendoj se ai mund të bëhet njëri prej më të mirëve. Ai është i ri, ai ka talent, talent të mirë, por mbetet të shihet”, u shpreh Lahm para gazetarëve në konferencë për shtyp.
Legjenda e Fiorentinës dhe një herë kampion i botës me Italinë, Giancarlo Antognini, ka thënë se futbollin italian do ta shpëtojë përzgjedhësi i ri Cesare Prandelli.“Prandelli do të na sjellë një kombëtare të re në prag të Kampionatit Evropian. Ai do t’i mbajë në skuadër të rinjtë aktual dhe do t’i ftojë edhe të tjerët”.
“Ishte një eliminim i tmerrshëm. Ne së paku është dashur ta kalonim fazën grupore. Ka pasur dyshime se sa larg do të shkonte kombëtarja, por që në rrethin e parë…”, deklaroi Antognini.
Milani ka bërë të ditur me anë të një deklarate në faqen zyrtare se Massimilliano Allegri do të jetë trajneri i ri i ekipit.Allegri tashmë një kohë të gjatë është përmenduri si pasues i Leonardos në stolin e Milanit, por nuk ka mundur ta zyrtarizojë kalimin e tij pasi ishte nën marrëveshje me Cagliarin.
Edhe pse në fund të sezonit të kaluar u shkarkua nga pozita e tij, ai ende kishte mbetur në listën e pagesave të klubit. Megjithatë pas lirimit të Cagliarit, ai sot ka arritur në Milano ku është takuar me drejtuesit rosonerë dhe ka nënshkruar marrëveshje dyvjeçare.
“Massimilliano Allegri është trajneri i ri i ekipit të Milanit. Strategu ka nënshkruar marrëveshje sipas të cilës do të jetë i lidhur me klubin deri në më 30 qershor të vitit 2012”, ka thënë Milani me anë të një deklarate zyrtare.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka deklaruar se ai nuk e ka konsideruar veten dhe skuadrën e tij favorit për ta fituar Botërorin e sivjetmë.“Ne erdhëm për të luajtur në një Botëror, të tentojmë të garojmë, por ne kurrë nuk kemi thënë se jemi favoritë për diçka. Ky grup është korrekt, i qetë dhe i respektueshëm në raport me kundërshtarin”.
“E fundit është gjëja më e rëndësishme, por gjatë karrierës time sportive edhe si trajner edhe si lojtar unë kam qenë i përfshirë në ndeshje kyçe. Shpresoj se ajo ndaj Kilit nuk do të jetë më e rëndësishmja, sepse ato që vijnë më pas e tejkalojnë nivelin e rëndësisë”.
“Kili është një ekip shumë i mirë, këtë e ka treguar deri tani në Botëror. Është ekip i vështirë për të gjithë, që ka dy armë, të cilat janë presioni dhe sulmet e shpejta. Ata e bëjnë atë bukur, duke përdorur koncepte të qarta, por duke rrezikuar në posedim”, ka thënë Del Bosque.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, ka refuzuar të flasë deri në këto momente për të ardhmen e tij tek gjiganti italian, por mediumet në Apenine kanë tashmë një pasqyrë të qartë për Rinon.32 vjeçari po lidhet me një sfidë të re, pas 11 viteve të kaluara te Milani. Gattuso ishte pyetur të enjten pas eliminimit turpërues për të ardhmen e tij, por ai refuzoi të komentojë mbi të.
Megjithatë, sipas milanenws.it, skuadra nga Dubai, Al-Ahli, është e gatshme të bëjë transferimin shokues të radhës, pasi transferoi dhe kapitenin e Azzurëve, Fabio Cannavaron.
Michael Ballack ka pohuar se ai ka arritur marrëveshje me Bayer Leverkusenin, e cila do ta mbajë atë në klubin gjerman për dy vitet e ardhshme.Shumë skuadra evropiane ishin të interesuara për mesfushorin gjerman, i cili u lirua nga Chelsea në fund të sezonit që kaloi, por ai ka vendosur t’i bashkohet Leverkusenit.
“Me transferimin tim kompletohet qarku. Kam kaluar kohë të bukura dhe të suksesshme këtu, në të cilat më pëlqen të shikoj bukur shpesh”, ka thënë Ballack për faqen e Bayer Leverkusen.
Ballack do të qëndrojë tek Farmaceutikët deri në verën e vitit 2012, ndërsa do të përfitojë nga 6 milionë euro për sezon.
Michael Ballack ka arritur marrëveshje me Bayer Leverkusenin dhe do të nënshkruajë kontratë dy vjeçare, bën të ditur agjencia gjermane të lajmeve SID.Shumë skuadra evropiane janë të interesuara për mesfushorin e lirë gjerman, por ai ka vendosur t’i bashkohet Leverkusenit, dhe pritet së shpejti ta bëjë edhe zyrtare transferimin.
Ballack do të qëndrojë tek Farmaceutikët deri në verën e vitit 2012, ndërsa do të përfitojë nga 6 milionë euro për sezon.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Fergson, beson se Anglia mund ta mposhtë Gjermaninë të dielën në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Botës.Gjermania konsiderohet favorite për këtë takim, por Ferguson u shpreh se gjasat e Anglisë janë reale që ta mposhtë Gjermaninë.
“Gjermania ka ekip të ri, që është përparësi për Anglinë. Nuk ka asgjë që aludon se do të jetë e lehtë për Gjermaninë”, theksoi Ferguson.
Presidenti i Federatës italiane të Futbollit (FIGC), Giancarlo Abete, ka deklaruar se ka ardhur koha për ndryshime rrënjësore në futbollin italian, pas eliminimit të turpshëm të Italisë në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.“Ne i jemi falënderues Lippit për atë që ka bërë dhe nuk pendohem që e riktheva pas Euro 2008. Sidoqoftë, ne duhet të fillojmë përsëri nga fillimi, duke lënë pikëllimin dhe frustrimin mënjanë. Ne duhet të reflektojmë në këtë dhe ta analizojmë lojën tonë, sepse konkurrenca ka rënë edhe në nivelin e klubeve”.
“Cesare Prandelli do të prezantohet si trajner i ri i kombëtares më 1 korrik. Ne e zgjodhëm atë për cilësitë që ka dhe aftësitë teknike, ashtu sikurse për cilësitë njerëzore që posedon. Ai do të ketë një kontratë katërvjeçare që do ta mbajë atë në këtë post deri në Botërorin e ardhshëm”, ka deklaruar Abete.
Mesfushori spanjoll, Cesc Fabregas, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të arrijnë në gjysmëfinalen e Botërorit, Afrika e Jugut 2010.“Momenti më i mirë për mua deri tani në këtë Botëror ishte goli i ShBA-ve në minutën e fundit. Ishte një ndeshje fantastike dhe që kurrë nuk do ta harroj. Të gjithë po flasin për këtë. Ai ishte moment i mrekullueshëm, ndërsa ata janë ekip i madh. Ne e mësuam këtë kur na mposhtën në gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave vitin e kaluar. Kështu që, nuk isha i befasuar që ata përfunduan në krye të grupit. Ata janë të gatshëm dhe të fortë, të rrezikshëm në kundërsulme”.
“Ata gjithashtu kanë shpirt, ata u kthyen prej dizavantazhit me dy gola ndaj Sllovenisë, për të barazuar në fund, kurse ndaj Algjerisë shënuan në kohën shtesë, për t’u kualifikuar. ShBA-të kurrë nuk dorëzohen. Kjo është arsyeja pse besoj se ata mund të shkojnë larg, sepse ata luftojnë deri në fund dhe punojnë shumë. Ata janë në anën e mirë të skemës së shortit, ata kanë Ganën dhe ndoshta më pas edhe Uruguain. Kështu që, unë i shoh ata në gjysmëfinale dhe ku ta di unë më pas çfarë do të ndodhë”, deklaroi Fabregas për The Sun.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se sipas të gjitha gjasave, Javier Mascherano nuk do t’i bashkohet Interit.“Mascherano është i fortë, por është e pamundur që ai të vijë këtu. Ai kushton shumë, plus nuk është thënë se Liverpooli dëshiron ta shesë atë”, theksoi Moratti për Rai.
“Felipe Melo? Është një ide e mirë në të cilën jemi duke punuar. Ne duam të fillojmë mirë dhe madje të fitojmë gjithçka edhe sezonin e ardhshëm. Benitez dallon prej të tjerëve. Ai është i mirë dhe është punëtor i madh”, përfundoi Moratti duke aluduar në një transferim të Felipe Melos së Juventusit.
Dyshja e Juventusit, David Trezeguet dhe Mauro Camoranesi, janë shumë pranë bashkimit me Milanin, pasi koha te Juve u ka kaluar, njofton Tuttosport.Sportivja italiane spekulon se marrëdhëniet e mira në mes të Juventusit dhe Milanit, që u shfaqën edhe në këtë merkato me transferimin e Storarit, mund të kenë si fryt edhe kalimin e Camoranesit dhe Trezeguet në San Siro.
Milani është duke e kërkuar Trezeguet që prej disa vitesh dhe sipas të gjitha gjasave do të pajtohet që ta transferojë francezin, ashtu si Camoranesin që e ka humbur vendin e tij te Juventusi me ardhjen e Simone Pepes.
Ylli i ri i Anglisë, James Milner, ka lëvduar ndikimin që ka pasur në skuadrën e kombëtares angleze, superylli i lënduar, David Beckham.“Që nga koha kur u futa në skuadrën e Anglisë, unë kam qëndruar shumë me Beckhamin dhe e shikoja në stërvitje. Më pas, para ndeshjeve, ai vinte dhe na thoshte se çfarë mendon për ndeshjen, duke na këshilluar. Është fantastike të kesh një lojtar me cilësitë dhe përvojën e tij. Nëse David është krenar për harkimin tim që ia bëra Defoes, atëherë kjo është e mrekullueshme”.
“Ishte mirë të kontribuoja dhe ishte një përfundim i mirë i Defoe, sepse ne punuam shumë në harkime dhe në përfundime sa më të mira. Komplimente edhe Defoes. Ka pasur shumë kritika për topin dhe vështirësitë e tij për portierët dhe mbrojtësit. Por, nuk është dhe aq lehtë të presësh harkimet. Topi lëviz shumë, kështu që ishte një përfundim i mirë i Defoe”, deklaroi Milner.
Valencia raportohet se ka kërkuar nga Manchester City të përfshijë edhe sulmuesin Roque Santa Cruz në ofertën për mesfushorin David Silva.Daily Mail shkruan se Valencia ka vështirësi të gjejë sulmues për një çmim të arsyeshëm dhe ka kërkuar nga Manchester City të përfshirë në ofertën për Silvan edhe Santa Cruz.
Dy klubet u raportua se kanë arritur marrëveshje për spanjollin David Silva, por duket se Valencia tash dëshiron që paraguaiani të përfshihet në ofertën prej 29 milionë funteve. Në garë për Silvan së fundi është futur edhe Chelsea.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka konfirmuar se ai e ka kontaktuar agjentin e Joe Cole në përpjekje për ta transferuar lojtarin në Angli.Cole është lojtar i lirë pasi kontrata e tij me Chelsean nuk është rinovuar dhe ai ka një varg klubesh të Ligës Premier të cilat e ndjekin atë.
“Ne e kemi shfaqur interesimin në Joe te agjenti i tij, por kjo është e gjitha që kemi bërë. Neve na është thënë se Joe nuk dëshiron të flasë me askënd për lëvizje, derisa pas përfundimit të Kupës së Botës”, ka thënë Redknapp për The Sun.
Përveç Tottenahmit, të interesuar për Cole janë edhe Arsenali dhe West Ham United.
Arjen Robben u paraqit për herë të parë në Botëror në ndeshjen ndaj Kamerunit, duke lënë shenjë menjëherë pasi përgatiti golin e Hutenlaarit, por holandezi që për pak sa nuk qau në prononcimin për media pas ndeshjes dhe ka kërcënuar kundërshtarët e ardhshëm të kampionatit.“Ky është një moment i rëndësishëm për mua. Kjo është puna që kam bërë më parë. Ka mbetur edhe rrugë e gjatë për t’u bërë. Unë do të luftoj shumë dhe ta shoh si shpërblim që jam kthyer në fushë. Njerëzit nuk e dinë se nuk është dhe aq lehtë të lëndohesh”.
“Por, më duhet të jem i sinqertë me veten, unë ende nuk jam 100 për qind i gatshëm. Tani kam edhe katër ditë të tjera për t’u përgatitur për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Jam krenar që u ktheva, por unë mendoj se kam edhe ca punë të pakryera”, deklaroi Robben.
Schalke 04 është e gatshme ta transferojë në Gjermani kapitenin e Real Madridit, Raul, gjatë kësaj vere.AS shkruan se Schalke është në garë për një golashënues të ri pas shitjes së Kevin Kuranyi te Dinamo e Moskës dhe e ka vendosur spanjollin në listën e prioriteteve.
Raul pritet të largohet nga Reali gjatë kësaj vere dhe pritet të lejohet si lojtar i lirë sapo ai të rikthehet nga pushimet verore. Interi i Rafa Benitez po ashtu është lidhur me një transferim të 33-vjeçarit.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka dhënë edhe një shenjë se ai mund të largohet nga klubi londinez.Mesfushori 23-vjeçar ka thënë se Barcelona është shtëpia e tij dhe menaxheri Pep Guardiola është idhulli i tij, derisa ai vazhdon të spekulohet për një transferim te klubi spanjoll.
“Nuk do të mendoj asgjë tjetër deri pas Kupës së Botës. Pep Guardiola ka qenë gjithmonë idhulli im që kur kam qenë i vogël. Ai ka luajtur në pozitën time dhe ka qenë shembull për mua”.
“Nuk do ta kem problem të rikthehem në Barcelona, pasi Barca është shtëpia ime. Njerëzit atje gjithmonë janë sensacional me mënyrën se si më trajtojnë”, ka thënë Fabregas.
Juventusi raportohet se dëshiron të transferojë anësorin spanjoll të Liverpoolit, Albert Riera.Spanjolli për pak sa nuk u largua nga Liverpooli sezonin e kaluar pas një përplasje me menaxherin Rafa Benitez. Megjithatë, me Benitez tash nën drejtim të Interit, është pritur që Riera të qëndrojë në Anflield.
Sport Italia shkruan se Juve ka përgatitur ofertë të vlefshme 6.5 milionë funte për Riera. Për të po ashtu interesohen edhe disa klube nga Bundesliga si Hamburg dhe Stuttgart.
















