Përfaqësuesja e Ganës në futboll ka siguruar vend në çerekfinalen e Kupës së Botës, pasi mposhti SHBA-të me rezultat 2-1 në ndeshjen e 1/8 së finales të zhvilluar në Royal Bafokeng Stadium në Rustenburg.
Ganezët ishin ata që insistuan më shumë në pjesën e parë të takimit, që edhe iu shpërblye që në minutën e pestë. Pas një humbje të topit nga Ricardo Clark, mesfushori i Portsmouth, Kevin-Prince Boateng, arriti të mposhtë portierin Tim Howard.
Por amerikanët u treguan shumë të rrezikshëm në pjesë të dytë duke kërcënuar portën në një mori rastesh. Pas më se një ore lojë, amerikanët fituan një penalti pas një ndërhyrje të John Mensah ndaj Clint Dempsey, ndërsa nga pika e bardhë nuk huqi Landon Donovan (62’).
Edhe pse pati raste në të dyja anët, me afrikanët që kërcënuan veçanërisht në minutat e fundit të takimit, për të përcaktuar çerekfinalistin u detyrua të zhvillohet edhe gjysmë ore lojë shtesë.
Vendimtar për përcaktimin e ekipit çerekfinalist ishte goli i Asamoah Gyan, i cili në minutën e katërt të lojës shtesë arriti të depërtojë në mes të dy mbrojtësve amerikanë për të shënuar në portën e Howard.
Gana në çerekfinale do të takohet me Uruguain që më herët shënoi fitore 2-1 ndaj Koresë së Jugut.
Me epokën e Marcello Lippit në kombëtaren italiane tashmë të përfunduar, ylli i harruar Antonio Cassano, e ka lutur përzgjedhësin e ri të Italisë, Cesare Prandelli, që ta ftojë atë në kombëtaren Azzure.
“Që nga dita e parë këtu në Sampdoria tifozët ranë në dashuri me mua. Unë gjithmonë do të jap gjithçka për fanellën. Më vjen keq për atë që ndodhi në të kaluarën, sidomos për Cesare Prandellin me të cilin punuam bashkë te Roma. Ishte tregim i njëjtë edhe atëherë. Unë grindesha vazhdimisht. Më kujtohet kur u hidhërova pse nuk më futi në lojë në një ndeshje miqësore. Ai mi premtoi 90 minutat dhe e lashë ta kuptonte se si u ndjeva kur u largova nga fusha”.
“Fatkeqësisht, tri ditë më vonë ai është dashur të largohet nga klubi për shkak se bashkëshortja e tij ishte sëmurë. Te Roma ai më bëri zëvendës-kapiten përkundër faktit se isha vetëm 22 vjeçar. Unë shpresoj se Prandelli do të më marrë në konsideratë sikurse të gjithë lojtarët tjerë. Unë vetëm dua një lojë të nivelizuar në fushë, pa parë në ato marrëzira që kam bërë në të kaluarën”, deklaroi Cassano për La Gazzeta dello Sport.
Numri një i botës në tenis, Rafael Nadal është dashur të luftojë edhe një maratonë tjetër pesë-setëshe, për ta mposhtur gjermanin Philipp Petzschner (6-4, 4-6, 6-7, 6-2, 6-3) dhe për të arritur në rundin e katërt të turneut të tenisit Wimbledon.
Nadal, i lodhur ca nga holandezi Robin Haase në ndeshjen e kaluar, kurrë më parë nuk ka pasur dy fitore të njëpasnjëshme në pesë sete për të arritur në 16-shen më të mirë të një turneu të madh. Spanjolli nuk mundi ta mbrojë titullin në Wimbledon vitin e kaluar për shkak të një lëndimi në gju, por këtë vit i është afruar edhe një hap titullit në këtë turne.
Nadal lehtësisht fitoi në setin e parë, por u mundua shumë në dy setet e radhës, të cilat i humbi. Por spanjolli nuk lejoi të bëhet befasi dhe u kthye bindshëm në setin e katërt dhe të pestin.
Sfida e radhës për të do të jetë francezi Paul-Henri Mathieu, i cili mposhti holandezin Thiemo de Bakker në katër sete (7-6, 7-6, 6-7, 6-4).
Suedezi Robin Soderling po ashtu do të qëndrojë edhe në javën e dytë në Wimbledon, pasi shënoi fitore në tre sete (6-4, 6-2, 7-5) ndaj të 25-tit në botë, brazilianit Thomaz Bellucci. Ai të hënën do të përballet me të nëntin në botë David Ferrer për një vend në çerekfinale, pasi spanjolli mposhti në pesë sete (7-5, 6-3, 4-4, 3-6, 7-5) francezin Jeremy Chardy.
Roma është e interesuar në transferimin e mbrojtësit të krahut të majtë të Corinthians, Roberto Carlos.
Sipas Lancenet, përkundër deklaratave të legjendës braziliane se koha e tij në Evropë ka kaluar, thuhet se Roma është jashtëzakonisht e interesuar në shërbimet e tij.
Mësohet se muajin e kaluar një agjent i Romës kishte kontaktuar agjentin e Carlos, Fabiano Farah, për t’u njoftuar mbi gjasat që braziliani të transferohet në Olimpico të Romës. Corinthians po përgatitet t’ia zgjasë kontratën, por nuk do të refuzonte një ofertë të mirë për Carlosin.
Bosi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka konfirmuar se Walter Samuel nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Meksikës.
Mbrojtësi i Interit nuk është në aksion që prej lëndimit të pësuar në kofshë gjatë fitores prej 4-1 ndaj Koresë së Jugut. Ai është pritur të paraqitet ndaj Meksikës, por lajmet nuk ishin të mira për shtabin argjentinas.
“Samuel nuk ndihet mirë dhe ne nuk mund ta rrezikojmë atë tani”, theksoi Maradona.“Nuk do t’ua tregoj 11-shen startuese. Ka shumë meksikan këtu”, është përgjigjur më tej ai i pyetur për formacionin e tij dhe se me kë do ta zëvendësojë Samuelin.
Holanda do të ketë punë me Sllovakinë në 1/8 e finales së Botërorit, Afrika e Jugut 2010, ndërsa Bert van Marwijk, thotë se nuk është i befasuar nga suksesi dhe cilësia që ka skuadra sllovake.
“Në fillim të kampionatit fola për cilësitë e Sllovakisë dhe i parashikova vështirësitë që do t’i ketë Italia. Kështu që, ai është ekip që nuk duhet të nënvlerësohet. Nëse e mbajmë nivelin e dy ndeshjeve të para dhe nëse fokusohemi të jemi të shpejtë në kërkim të hapësirave, me lëvizje direkte, atëherë do të bëjmë shumë. Duhet të jemi të durueshëm, sepse kemi shpejtësinë dhe konkretësinë”.
“Ndaj Sllovakisë ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të mungojmë në atë takim, madje as 20 minuta. Ndaj Kamerunit kemi menduar se do të fitojmë me rezultat të lartë, por jo. Për atë arsye, nevojitet disiplina dhe përqendrimi. Por, ne kemi pasur disa momente të nënçmimit të kundërshtarëve, ndërsa atëherë paraqiten dhe problemet. Megjithatë, ndeshja ishte e mirë që të zgjohemi nga ëndrra jonë. Ishte një paralajmërim dhe mësim para ndeshjes ndaj Sllovakisë. Ne nuk mund të bëjmë një gabim të tillë, e aq më pak të hënën, kur një gabim të eliminon”, ka thënë Van Marwijk.
Mbrojtësi meksikan, Rafael Marquez, ka deklaruar se ai është duke e shqyrtuar largimin nga Barcelona gjatë kësaj vere.
Marquez edhe më herët është thënë se mund të largohet nga Barcelona, ndërsa tani ka dhënë shenja edhe vetë për një largim dhe pikërisht për shkak të minutazhit të vogël.
“Duke parë faktin se nuk kam shumë minutazh, ne do të shohim në bisedat me trajnerin nëse do të vendos të qëndroj. Nëse do të ketë mundësi që unë të largohem, do të largohem, por gjithçka varet nga ajo se çfarë dëshiron trajneri”, theksoi Marquez për TV3.
Sipas televizionit publik gjerman, ZDF, që është duke raportuar nga kampi gjerman në Pretoria, mesfushori Bastian Shweinsteiger e ka fituar luftën e tij me kohën dhe do të jetë në gjendje gatishmërie për supersfidën ndaj Anglisë të dielën.
Mesfushori metalik ishte në dyshim për sfidën që zhvillohet të dielën ndaj Anglisë, për shkak të një lëndimi muskulor të pësuar në ndeshjen e fituar minimalisht ndaj Ganës.
Shweinsteiger ishte pjesëmarrës në stërvitjen e plotë të skuadrës gjermane të shtunën, ndërsa është parë duke veshur fanellën që zakonisht e veshin 11 lojtarët startues, në minisfidën stërvitore.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ka lëvduar futbollistët e tij për paraqitjen ndaj Koresë së Jugut dhe arritjen në çerekfinale.
“Ishte një ndeshje e vështirë për t’u luajtur dhe mendoj se kjo fitore do të thotë edhe më shumë për shkak të kësaj. Ne ishim befasuar nga loja e tyre. Ne kërkuam ta mbarojmë ndeshjen në pjesën e dytë. Goli i tyre ishte kyç në fitoren tonë, sepse ne u përmirësuam. Ne shfaqëm klas në minutat e fundit dhe Suarez shënoi dy gola spekaktolarë për ne”.
“Po, Koreja luajti një ndeshje të madhe, ndoshta fati na ndihmoi neve, por ky është futbolli. Kjo konfirmon se futbolli përreth botës po bëhet më i mirë dhe se Koreja gjithnjë e më shumë po përmirësohet. Ata janë ndoshta kombëtarja më e mirë në Azi. Ishte një ndeshje e vështirë për ne dhe një fitore vërtetë e madhe. Unë jam vërtetë i kënaqur dhe i lumtur për tifozët në shtëpi. Tani të përgatitemi për të ardhmen dhe të shohim ndaj kujt do luajmë në çerekfinale”, ka thënë Tabarez pas ndeshjes.
Arsenali shpreson që brenda disa ditësh të mbyllë marrëveshjen me portierin e Fulhamit, Mark Schwarzer.
Siç raportojnë mediat angleze, topçinjtë kanë qenë të suksesshëm me ofertën e dytë për portierin australian, i cili tash është i lirë të diskutojë kushtet personale me klubin londinez pasi Australia i dha fund garës në Kupën Botërore.
Daily Mail shkruan se Arsenali do të nënshkruajë me Schwarzer gjatë javës së ardhshme dhe Fulhami do të përfitojë 3.5 milionë funte nga ky transferim.
Kampionia në fuqi dhe e para e renditur në botë, Serena Williams, e ka bombarduar sllovaken Dominika Cibulkova me disa servime të pambrojtura për të arritur në rundin e katërt të Wimbledonit pas fitores 2-0 në sete (6-0, 7-5).
Williams dominoi gjithë setin e parë nga Cibulkova, duke e fituar brenda vetëm 18 minutash, para se të hasë në rezistencë në setin e dytë nga sllovakja e renditur e 46-ta në botë.
Fituesja e trefishtë e Wimbledonit në rundin e ardhshëm do të përballet me fituesen e duelit në mes të ruses Maria Sharapova dhe çekes Barbora Zahlavova Strycova. Williams ishte mposhtur nga Sharapova në finalen e vitit 2004.
Nga ndeshjet tjera, e treta e renditur, danezja 19-vjeçare Caroline Wozniacki i bëri ballë një paraqitje luftarake të tinejxheres tjetër, Anastasia Pavlyuchenkova, për ta mposhtur rusen 2-0 në sete (7-5, 6-4).
Luis Suarez ka shënuar një gol të hershëm dhe një tjetër të vonshëm për të ndihmuar Uruguain të shënojë fitore 2-1 në takimin e 1/8 së finales së Kupës së Botës përballë Koresë Jugore.
Amerikano-jugorët ishin më kërkues edhe pse posedimi i topit i takoi aziatikëve. Uruguai kaloi në epërsi pas tetë minutash lojë falë golit të Suarez, që ishte edhe i vetmi i pjesës së parë.
Pas një harkimi të Forlan portieri korean Jung Sung-ryong nuk arriti ta kapë topin, dhe sulmuesi i Ajaxit u gjend i vetëm në krahun e majtë duke shmangur mbrojtësin Lee Jung-soo duke i dhënë epërsinë Uruguait.
Koreanët arritën të barazojnë vetëm në pjesën e dytë me anë të Lee Chung-yong pas një gabimi kësaj here të portierit tjetër, uruguaianit Fernando Muslera. Por kur kishin mbetur 10 minuta deri në fund të kohës së rregullt, Suarez sërish gjeti portën kundërshtare, edhe kësaj here pas një asistimi të Forlan, i cili harkoi nga këndi.
Uruguai në çerekfinale do të takohet me fituesin e sfidës së mëvonshme në mes të SHBA-ve dhe Ganës.
Real Madridi ka vendosur që përfundimisht ta thyejë akullin dhe ta transferojë mbrojtësin e djathtë të Interit, Douglas Maicon.
AS shkruan se gjiganti spanjoll do të bëjë gjithçka për të sjellë brazilianin në Bernabeu dhe nga kjo nuk ka kush t’i ndalë ata. Deri tani gjithçka ishte e bllokuar nga Massimo Moratti që nuk deshi të dëgjonte për 25 milionë eurot e ofruara nga Real Madridi. Por, sipas zërave të fundit nga Spanja, Florentino Perez ka vendosur të ofrojë 30 milionë euro, ofertë që pritet të pranohet të hënën.
Kampioni i Evropës, Inter, do të përdorë paratë nga shitja e Maiconit për të transferuar Javier Mascheranon e Liverpoolit, por për këtë pengesë do ta ketë armikun evropian, Barcelonën.
Menaxheri i Fulhamit, Roy Hodgson, është gjithnjë e më pranë postit të trajnerit të Liverpoolit.
BBC pohon se Hodgson është favoriti kryesor për postin e menaxherit të Liverpoolit. Megjithatë zyrtarizimi nuk pritet gjatë kësaj jave, vetëm në rast se zhvillimet përshpejtohen.
The Reds janë në kërkim të trajnerit të ri, pas shkarkimit të Rafa Benitezit. Hodgson është kthyer në Londër nga Afrika e Jugut, ku punoi si analist i BBC.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka vënë në pikëpyetje zgjedhjet e bëra nga Marcello Lippi për këtë Botëror, duke thënë se Italisë i kanë munguar futbollistët e klasit Botëror.
“Italia jashtë Kampionatit Botëror? Nuk e kam pritur këtë aq shpejtë. Atyre u mungonin lojtarë të tillë si Francesco Totti dhe Alessandro Del Piero. Mendoj se gjërat do të ishin ndryshe nëse ata do të kishin pasur futbollistë të klasit Botëror”.
“Më vjen keq që i shoh të eliminuar, sepse një ekip si Italia nuk është e mundshme të eliminohet në fazën e parë. Ata ishin të mirë në mbrojtje dhe mesfushë, por ishin të dobët në sulm. Sidoqoftë, nuk dua ta kritikoj Lippin”, ka thënë Maradona.
Sebastian Vettel ka bërë xhiron më të shpejtë në shtegun e Valencias dhe do të niset nga pozita e parë në garën e nesërme të European Grand Prix.
Rreshti i parë do të jetë i gjithi i Red Bull, pasi ngasësi tjetër i kësaj skuterie, australiani Mark Webber, siguroi kohën e dytë më të shpejtë në kualifikimet e sotme.
Lideri i kampionatit, britaniku Lewis Hamilton ka përfunduar i treti më i shpejtë me McLaren, ndërsa shoku i tij i skuadrës dhe kampion në fuqi, Jenson Button, do të niset i shtati.
Dy ngasësit e Ferrarit, Fernando Alonso dhe Felipe Massa pushtojnë pozitat katër dhe pesë, ndërsa legjenda e kësaj gare, Michael Schumacher pësoi edhe një dështim tjetër duke mbetur jashtë 10-shes së parë.
Për Vettel kjo është hera e katërt që ai siguron pol-pozicionin këtë sezon, por ka dështuar t’i shndërrojë tre herët e para në fitore. Të vetmin triumf këtë vit gjermani e arriti duke u nisur nga pozita e tretë në Malajzi. Red Bull ka tetë pol-pozicione këtë vit.
Rio Ferdinand beson se kritikat e hershme të Franz Beckenbauerit, mund të bëjnë që ai t’i hajë fjalët në ndeshjen e të dielës.
“Mendoj se këto komente do t’i kthehen atij. Ndoshta ai nuk e ka pritur që Gjermania dhe Anglia të takohen aq herët. Kjo e ka lëkundur atë dhe po kërkon mënyra që të hyjë nën lëkurën tonë. Por, ai nuk mundet. Ai vetëm sa na ka bërë më të përkushtuar. Ekipi që e fiton Botërorin jo medoemos duhet ta fillojë Botërorin mirë. Mënyra si përfundoni vlen”.
“Unë e di se disa mendojnë se do të ishte më mirë të luanim ndaj Ganës, do të ishte një rrugë më e lehtë për ne. Por, unë e preferoj Gjermaninë, sepse e di çfarë pret nga ata. Gana është e paparashikueshme. Gjermania është më e drejtpërdrejt”, ka thënë Ferdinand për The Sun.
Politikanët italianë kanë kërkuar nga përzgjedhësi, Marcello Lippi, që të kthejë pagat që kishte marrë sa drejtoi kombëtaren, pas katastrofës në Botëror.
Italia kurrë nuk është eliminuar pa fituar një ndeshje të vetme dhe vuajti eliminimin e parë në fazën grupore që prej vitit 1974.
“Ai duhet të kthejë të gjitha pagat. Presidenti i FIGC, Giancarlo Abete gjithashtu duhet të japë dorëheqje, sepse ai është përgjegjës që e zgjodhi Lippin”, theksoi Calderoli.
Ai shkoi aq larg, sa që ofendoi rëndë futbollistët joitalianë, duke thënë, “Nuk është e mundshme të fitojmë titullin kampion bote kur në kampionatin tonë kemi shumë emigrantë, shumë të ardhur, të cilët këmbët i kanë aq të thyeshme, sa lëvoret e vezëve”, përfundoi politikani i ekstremit të djathtë italian.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez, ka pranuar se mund të kthehet te Liverpooli në të ardhmen, përkundër faktit se është shkarkuar nga drejtuesit e klubit nga Anfield.
“Unë kam vendosur ta mbaj vilën time në Wirrel sepse kurrë nuk i dihet çfarë mund të ndodhë në jetë dhe një ditë unë mund të kthehem te Liverpooli. Shkarkimi? Unë isha për pushime në Sardiniet dhe Chris Purslow më telefonoi dhe më tha se nuk isha më në planet e klubit. Por, tani jam i gatshëm për Interin dhe do të luftoj për këtë klub që nga minuta e parë”, ka thënë Benitez për Il Corriere dello Sport.
Benitez ka nënshkruar kohë më parë kontratë dyvjeçare me Interin, pas largimit të Jose Mourinhos në drejtim të Real Madridit.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Maradona, e ka krahasuar Gonzalo Higuainin me legjendat argjentinase Gabriel Batistuta dhe Hernan Crespo.
“Higuain ka cilësi të Batistutas dhe Crespos. Ai ka të ardhme spektakolare dhe është duke përjetuar momentet më të mira, unë e ftova në kohën më të mirë”, theksoi Maradona për AS.
Higuain ndoqi hapat e Batistutas ndaj Koresë së Jugut, ku shënoi het-trik dhe njëkohësisht është golashënuesi më i mirë i këtij Botërori.
Sevilla i ka bërë thirrje Milanit të bëjë ofertë për sulmuesin e saj Luis Fabiano, nëse dëshiron ta transferojë atë.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria Del Nido, konfirmoi se klubi dëshiron t’ia zgjasë kontratën sulmuesit brazilian, por ka pranuar se nëse Milani bën një ofertë të mirë, atëherë ai është i gatshëm ta shesë atë.
“Nëse Milani e dëshiron Luis Fabianon, duhet të bëj ofertë duke e ditur se ai ka edhe një vit në kontratën e tij. Nuk e di nëse ne mund t’ia garantojmë atë që ai do, por ne po punojmë në atë drejtim”, theksoi Del Nido.
Milani thuhet se tashmë ka arritur marrëveshje me agjentin e Fabianos, por se a do të realizohet transferimi, vështirë të thuhet, nëse bazohemi në merkaton e Milanit, që është e vlefshme vetëm 15 milionë euro dhe nëse bazohemi në fjalët e presidentit andaluzian.
Asi i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se ai nuk ka ndërmend të kthehet te Real Madridi dhe të punojë së bashku me Jose Mourinhon.
“Unë ia dëshiroj Mourinhos çdo të mirë te Real Madridi dhe shpresoj që ai të fitojë gjithçka, sepse ai e meriton këtë si trajner që është. Por, unë nuk do të kthehem te Real Madridi. Do të isha i çmendur ta bëja këtë. Ata më trajtuan keq dhe pa kurrfarë respekti”.
“Benitez? Kuyt më tha fjalë të mira për të. Ai është serioz dhe një trajner që përgatitet mirë dhe flet me lojtarët”, ka thënë Sneijder për të përditshmen katalunase El Mundo Deportivo.
Sipas L’Equipe, Laurent Blanc tashmë ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me FFF (federatën franceze), për të marrë në drejtim kombëtaren franceze.
Edhe pse Blanc ishte zgjedhur në mënyrë jozyrtare si trajner i Francës para Botërorit, tani kjo është bërë edhe formalisht. Ka pasur spekulime se ai do të mund të refuzonte kombëtaren franceze, pas interesimit të Interit.
Laurent Blanc do të ketë detyrë të vështirë, pasi e pret një përfaqësuese në gjendje katastrofale dhe e posa eliminuar. Ai pritet të prezantohet edhe zyrtarisht si trajner i ri më 2 korrik.
Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ekipi portugez është duke ëndërruar të fitojë titullin e kampionit të botës, pa marrë parasysh se kush është kundërshtari.
“Mendoj se barazimi ishte rezultat i drejtë. Kishte raste të mira për të dyja ekipet, kështu që mendoj se barazimi ishte i drejtë. Trajneri e di se nuk jam qendërsulmues, por me rëndësi është që jemi kualifikuar. Kam besim se ne mund të arrijmë më shumë. Ne u kualifikuam dhe tani ëndërrojmë. Ne do të tentojmë të mposhtim këdo që na vjen përpara. Tani ne po ëndërrojmë”, deklaroi Ronaldo.
Portugalia takohet me Spanjën në kuadër të rrethit të 16 skuadrave më të mira të Botërorit.
Antonio Cassano dhe Mario Balotelli do të jenë emrat e parë në ekipin e ri të Cesare Prandellit, gjithnjë sipas La Gazzeta dello Sport.
Një Botëror katastrofal që ende pret përgjigje nga fajtori Marcello Lippi, ka vënë në punë Federatën italiane të Futbollit, që ka emëruar Cesare Prandellin si përzgjedhës të ri, e që me një korrik pritet marr në drejtim Azzurët.
Cassano dhe Balotelli do të jenë futbollistët e parë që sigurt do të përfshihen në kombëtaren e re, ndërsa nga kontingjenti i vjetër, Gianluigi Buffon, Daniele De Rossi, Giorgio Chiellini, Albert Gilardino dhe Giampaolo Pazzini gjithashtu do të jenë të sigurt për të ardhmen Azzure.
Në shqyrtim pritet të merren dhe të rinj të tjerë nëpër klubet e Serie A, por gjithashtu do të shqyrtohen dhe futbollistët që nuk janë italian por që kanë nënshtetësi italiane, ndërsa në këtë kategori janë Thiago Motta, Amauri, Cristian Ledesma, Mauro Zarate, Rodrigo Taddei, Felipe, Angelo Ogbonna dhe Maxi Lopez.
Kombëtarja e Italisë, ka aterruar në Itali, ku përpos numrit të paktë të tifozëve që i pritën ‘heronjtë’ e tyre, një numër i madh i tyre aterrimin e shndërruan në ferr të vërtetë.
Lippi me ekipin e tij arriti në ora tetë në Fiumicino, përkundër kritikave të mëdha se ekipi nuk e meritoi të kthehej me aeroplan në shtëpi. Rreth 20 tifozë rrethuan veturën e cila do të shpinte në shtëpi Marcello Lippin, duke ua drejtuar atij një numër fyerjesh.
“Turp të keni. Ju duhet të jeni të turpëruar!”, ishte një nga ato fyerjet drejtuar ekipit.
Eliminimi i Italisë nga Botërori i sivjetmë konsiderohet si dështimi më i madh i kombëtares Azzure në histori të futbollit italian.
Mesfushori spanjoll, Xavi, ka thënë se Furia e Kuqe nuk luajti mirë ndaj Kilit, përkundër faktit se shënoi fitore dhe siguroi pozitën e parë në Grupin H.
“Ne jemi të parët në grup dhe këtë e kemi arritur ndaj një klubi të fortë si Kili. Ne vuajtëm shumë. Ne është dashur të varemi nga impenjimet individuale për të arritur në pozitën e parë. Ne nuk kemi luajtur mirë. Tani luajmë ndaj Portugalisë, një rast i mirë për të shkuar më tej, për shkak të gjeneratës së mirë të lojtarëve që kemi”, theksoi Xavi.
Spanja në rrethin tjetër takohet me Portugalinë, në një nga dy superndeshjet e 1/8 së finales.
Petr Cech ka thënë se Jabulani është një top shumë normal, duke dalë kështu përkundër kritikave që kanë shumica e portierëve që luajnë në Kupën e Botës.
“E kam të qartë se lojtarët janë në Kupën e Botës dhe secila humbje është e pakëndshme. Në këtë rast nuk është lehtë të kritikosh veten, më lehtë është të themi ta kritikosh topin, se ai është fajtor për gjithçka”.
“Kam pasur rast të luaj me Jabulani. Ka ndodhur në miqësoren kundër Turqisë. Nëse mund të vlerësoj brenda atyre 90 minutave, gjatë të cilës kohë pata shumë kontakte me të, atëherë mund të them se është një top normal”, ka thënë Cech.
Sven Goran Eriksson ka zbuluar se ai do të largohet nga detyra e përzgjedhësit të kombëtares së Bregut të Fildishtë.
Ish-menaxheri i Manchester Cityt është lidhur me një pasim të Roy Hodgson në karrigen e Fulhamit, pasi ky i fundit pritet të marrë nën drejtim Liverpoolin.
“Ishte e qartë që kur e mora detyrën se do të isha këtu deri në fund të Kupës së Botës dhe kjo erdhi. Do të qëndroj (në Kupën e Botës) për disa ditë për të përcjellë futboll dhe pastaj sigurisht do të marr ca pushim. Pastaj, do të shohim. Nuk e di – diçka po, shpresoj”, ka thënë Eriksson.
Bregu i Fildishtë u eliminua në fazën grupore të Botërorit, edhe pse shënoi fitore 3-0 ndaj Koresë Veriore në ndeshjen e fundit.
Legjenda e futbollit gjerman, Jurgen Klinsmann, ka frikë se Anglia është superiore në prag të ndeshje së të dielës përballë Gjermanisë në 1/8 e finales së Kupës së Botës.
“Ne flasim për një ekip të Anglisë i cili, kur është në formë dhe ka arritur kapacitetin, është një ekip i jashtëzakonshëm. Vetëm shihni lojtarët. E keni Steven Gerrard dhe Frank Lampard dhe pastaj Wayne Rooney në ballë”.
“Anglia ka lojtarë të cilët mund të bëjnë dallimin. Ata kanë pasur problemet e tyre në Afrikën e Jugut, por shumë ekipe kanë pasur shumë vështirësi. Merrni shembull Italinë, Francën dhe Spanjën”.
“Gjëja e parë është të kalosh fazën grupore dhe pastaj fillon turneu. Anglia ia ka dalë në këtë, andaj pres që ata të luftojnë të dielën. Ata tash do të kenë më shumë energji dhe më shumë vetëbesim pasi kanë mposhtur Slloveninë”, ka thënë Klinsmann.
Kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro, iu ka thënë kritikëve se as sulmuesi i Sampdorias, Antonio Cassano, nuk do të mund të kishte bërë ndonjë diferencë në Kupën e Botës.
Mungesa e Cassanos është kritikuar për kampanjën e dështuar të Azzurëve. Por, mbrojtësi në largim i Juventusit nuk mendon kështu.
“Nuk shoh ndonjë lojtarë fenomenal rrotull. E respektoj Cassanon, por ne kemi luajtur dy Kampionate Evropiane me të dhe nuk e kemi fituar asnjërin. Duhet t’i shohim të gjitha faqet. Nëse mbetemi të fiksuar pas kësaj pike, do të shkojnë edhe 26 vite të tjera derisa të fitojmë Kupën e Botës dhe Italia nuk mund t’ia lejojë vetes këtë”.
“Nuk jam i turpëruar të them se pas 14 vitesh loje për Italinë, kam qarë. Por asgjë nuk mund të fshijë atë që bëmë në vitin 2006, pasi nëse kjo fanellë është e rëndë, është për shkak të katër yjeve që i kemi vendosur në të”, ka thënë Cannavaro.
Presidenti i Getafes, Angel Torres, ka konfirmuar se ata janë të interesuar për të huazuar sulmuesin e Barcelonës, Bojan Kric.
“Le të shohim çfarë do të thotë Barcelona, ai mund të jetë një i ri i cili nuk ka shumë minuta në dispozicion dhe ai mund të luajë këtu. Do të më pëlqente kjo, nuk do të kisha problem. Nëse duhet të bëj përpjekje, si për shembull të paguajë pagën e tij, do ta bëj këtë, pa dyshim”.
“Këtë vit, meqë Getafe është në Evropë, mund të jetë më e lehtë, por duke marrë parasysh si përfundoi sezoni, dyshoj se ata do ta lejojnë atë të largohet. Ne do të përpiqemi, do të kërkojmë nga Barcelona të nënshkruajmë si huazim”, ka thënë Torres.
Bayern Munich ka arritur marrëveshje me Benfica për të transferuar Fabio Coentrao, bën të ditur sportivja spanjolle AS.
Mesfushori 22-vjeçar është lidhur me një kalim në një varg klubesh evropiane, përfshirë Real Madrid dhe Juventus dhe gjigantët portugez thuhet se më herët kishin refuzuar një ofertë në vlerën e 15 milionë eurove nga Bayerni i Munichut.
Por tash duket se gjiganti i Bundesligës është gjithnjë më afër arritjes së marrëveshjes, por do të ketë shumë punë të bindë edhe lojtarin i cili preferon një lëvizje në Itali ose Spanjë.
Përzgjedhësi i kombëtares së Spanjës, Vicente Del Bosque, ishte tejet i çliruar pasi skuadra e tij siguroi kualifikimin, duke shtuar edhe lojtarët tashmë kanë rikthyer vetëbesimin.
“Humbja nga Zvicra, na dëmtoi rëndë emocionalisht. Pas ndeshjes ndaj Kilit jemi përsëri optimistë dhe shpresojmë se do luajmë mirë në rrethin tjetër. Megjithatë më duhet t’i jap komplimente trajnerit dhe lojtarëve të Kilit, të cilët ishin sfidë e vërtetë për rrethin tjetër”.
“Mu desh ta zëvendësoja Fernando Torresin sepse ai tha se u ndje i parehatuar me një lëndim muskulor. Kjo nuk ka të bëjë me lëndimin e tij në gju. E futa në lojë Fabregasin sepse kishim nevojë për kontroll në mesfushë dhe jam krenar që kjo lëvizje kreu punë për ne”, tha Del Bosque pas ndeshjes për gazetarët.
Përzgjedhësi i kombëtares së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, thotë se arsyeja se pse ata janë eliminuar nga Kupa e Botës është presioni që kanë pasur lojtarët.
Zvicra mbrëmë barazoi pa gola me Hondurasin, duke i lejuar Spanjës dhe Kilit të kualifikohen në 16-shen e fundit të këtij turneu.
“Çdokush është shumë i dëshpëruar pasi kishim shumë ambicie. E dinim se çfarë duhet të bëjmë dhe kam menduar se kjo ishte shumë ngarkesë për lojtarët. Ne u bëmë më nervoz derisa ndeshja zhvillohej dhe nuk ishim shumë të saktë me pasimet tona. Ne kishim disa mundësi, por nuk ishim mjaft të mirë të ecim përpara”.
“Ne dështuam të mbajmë premtimet pas fitores sensacionale ndaj Spanjës, edhe pse ishim në disavantazh kundër Kilit (kur Valon Behrami u dërgua jashtë loje). Nëse do të kishim nxjerrë një pikë nga ajo ndeshje, do të kishim vazhduar më tej. Tani shkojmë në shtëpi, me qëllim përqendrimin në kualifikimet për Euro 2012”, ka thënë Hitzfeld pas ndeshjes së mbrëmshme.
Sulmuesi i Tottenhamit, Jermain Defoe, e vlerëson mbrojtësin e majtë të Chelseat, Ashley Cole, si më të mirin në botë.
Defoe ishte heroi i Anglisë në fitoren ndaj Sllovenisë, fitore kjo që e dërgoi këtë kombëtare në 16-shen e fundit të Kupës së Botës, ku ata do të përballen me Gjermaninë. Por sulmuesi anglez thotë se Cole ka qenë ylli i Anglisë.
“Për mua, Ashley është më i miri në botë. Ai është i shkëlqyeshëm. Energjia e tij është e pabesueshme. Të kesh gjithë atë qëndrueshmëri në nivel aq të lartë për aq gjatë është diçka e veçantë”, ka thënë Defoe.
Sulmuesi uellsian Craig Bellamy është duke menduar të largohet nga Manchester City.
The Sun shkruan se e ardhmja e Bellamy është duke u acaruar nëse Roberto Mancini transferon edhe ndonjë lojtar tjetër ofensiv gjatë kësaj vere.
Krahas tij, edhe Stephen Ireland raportohet se është duke menduar të largohet nga City nëse ky klub është shumë aktiv në tregun e transferimeve sa që kërcënon pozitën e tij në formacionin e parë.
Legjenda gjermane, Franz Beckenbauer, ka kërkuar falje për kritikat e tij të fundit drejtuar kombëtares angleze, kur tha se Tre Luanët janë të lodhur.
“Para Botërorit mendova se Anglia mund të luajë rol të madh në Botëror, ndoshta ta fitojë dhe titullin. Ata kanë ekip të mrekullueshëm dhe një trajner të madh, ndërsa pas dy ndeshjeve të para isha aq i zhgënjyer, jo i hidhëruar, por tejet, tejet i zhgënjyer. Ndoshta ky sulm ndaj Anglisë ishte një reagim nga zhgënjimi, por kërkoj falje”.
“Për shkak se më pëlqen Anglia dhe futbolli anglez, jam vërtetë tifoz i madh i stilit anglez. Ndoshta ishte reagim për shkak se isha i zhgënjyer, ndoshta nuk isha në disponim. Në fjalë të tjera, unë kam kërkuar tashmë falje dhe tani mezi e pres ndeshjen e të dielës. Mendoj se do të jetë një ndeshje tejet, tejet interesante”, u shpreh Beckenbauer.
Bregu i Fildishtë ishte viktima që u eliminua nga ‘grupi i vdekjes’, përkundër faktit se ekipi afrikan bart në vete shumë cilësi, shkak për të cilin edhe superylli i kësaj kombëtareje, Didier Drogba, është shumë i zhgënjyer.
“Nëse do të ishim në një grup më të mirë, atëherë do të mund të kalonim më tej. Mendoj se ishim të pafat në dy Botërorët e fundit. Ne jemi të zhgënjyer, por në të njëjtën kohë ne nuk duhet të jemi dhe aq të zhgënjyer, pasi që kemi qenë në një grup me Brazilin dhe Portugalinë. Ne jemi ekip i mirë, kemi lojtarë të mirë, por mendoj se dy ekipet tjera janë më të mira se ne”.
“Për një vend si Bregu i Fildishtë, pjesëmarrja e dytë me radhë është një gjë fantastike. Duke e ditur se në të kaluarën nuk kemi marrë kurrë pjesë këtu, të luajmë ndaj Brazilit dhe Portugalisë, dy nga kombet më të mira në botën e futbollit, është sikur një ëndërr për vendin tonë”, ka thënë Drogba për AP.
Kapiteni i Koresë së Jugut, Ji-Sung Park, u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që të përsërisin suksesin e vitit 2002 dhe të arrijnë në gjysmëfinale.
“Ne nuk kemi ndonjë mendim se sa larg mund të shkojmë. Por në vitin 2002, ne arritëm në gjysmëfinale dhe nuk mendoj se ishte për shkak se ishim nikoqir. Ne do të bëjmë më të mirën për të dëshmuar se ajo nuk ishte arsyeja prapa suksesit”.
“Unë nuk mund ta krahasoj këtë ekip me atë të vitit 2002. Ai ishte ekipi më i mirë në historinë tonë. Por, ky ekip i vitit 2010 është duke u përmirësuar dhe ne kemi arritur në rrethin e dytë. Pas Botërorit do ta krahasojmë ekipin e këtij Botërori me atë të kaluar dhe të shpresojmë se jemi përmirësuar”, ka thënë Park.
Thierry Henry ka pranuar se ka qenë i izoluar në skuadrën franceze gjatë katastrofës në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.
“Unë kam mundur të jem vëllai i madh, por nuk isha më. U ndjeva i izoluar, nuk ka rëndësi se nga kush. Ata nuk flisnin me mua sikurse më parë. Më herët ata flisnin me mua më shumë. Por kur nuk ka kredibilitet në grup, atëherë bëhet shumë e vështirë. U ndjeva i izoluar dhe në një pikë të caktuar, u godit krenaria ime”.
“Nuk e di nëse këtu ka të bëjë dhe çështja Anelka. Aty vërtet ka pasur diçka. Por, nuk mendoj se ka pasur klane. Unë mund t’u them se kurrë nuk ka pasur grindje, nuk kam parë ndonjë lojtar të vë presion ndaj dikujt. Vendimet ishin grupore”.
“Vendimi për përjashtimin e Anelkas u mor para autobusit. Në atë kohë ishte unanime. Askush nuk vuri presion ndaj askujt. Ne është dashur të tregojmë mbështetje për Anelkan, sepse nuk ishte ajo çfarë tha ai. Ne e dimë se ai do të përjashtohej të nesërmen, pa u konsultuar me ne. Ata është dashur të flasin me të, ta suspendojnë për Botëror, por ta lënë me ekipin. Por, ta dërgosh në shtëpi në atë mënyrë! Unë e kam pasur atë çështjen e lojës me dorë, isha i vetmuar, e di si është ai pozicion. Ne nuk kemi mundur ta lëmë bashkëlojtarin ashtu. Por, kur i shikojmë pasojat, atëherë them se ishte gabim”, deklaroi Henry për Canal+.