Fabio Capello ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të largohet nga posti i përzgjedhësit të Anglisë, pas humbjes turpëruese prej 4-1 ndaj Gjermanisë.
I pyetur në një konferencë për shtyp pas takimit nëse do të jepet dorëheqje, Capello u përgjigj thjeshtë; “Absolutisht që jo”.
“Duhet të presim derisa të kthehem në Londër. Dua të flas me kreun e Federatës angleze për të vendosur të ardhmen time. Nëse ata kanë besim tek unë apo jo”, u shpreh Capello.
Frank Lampard beson se Anglia ka mundur ta mposhtë Gjermaninë, nëse gjyqtari kryesor i takimit nuk do ta anulonte golin e Tre Luanëve.
“Ishte një gol i qartë, 40 mijë njerëz e panë atë, vetëm dy jo. Ndikoi në lojë. Një disfatë prej 4-1 në fund ishte zhgënjyese për ne, por pranë rezultatit 2-2, ne do të tentonim ta fitonim ndeshjen ne pjesën e dytë”.
“Ne jemi përgatitur mirë për Botëror dhe nuk ka arsyetime tjera. Ishte një humbje e madhe mungesa e Rio Ferdinand, por nuk do të donim ta vëmë atë mbi një lojtar të vetëm”.
“Dua që Capello të qëndrojë, më pëlqen të punoj me të. Ai është një top-menaxher dhe si ekip i Anglisë ne jemi të zhgënjyer që u eliminuam nga Botërori. Nuk më mbetet mua të flas për të ardhmen e tij”, ka thënë Lampard.
Pasi e ka dërguar Uruguain në çerekfinale, sulmuesi Luis Suarez, pritet të marrë shumë oferta nga gjigantët evropianë, me Juventusin që bën hapin e parë në këtë drejtim.
Sipas një raporti nga Itasportpress, sulmuesi vlerësohet rreth 24 milionë euro dhe nëse merret parasysh interesimi i Juves për Dzekon, atëherë Suarez duket të jetë favorit për shkak të çmimit relativisht të lirë.
Megjithatë, përkundër faktit se Juventusi pritet të shesë disa prej lojtarëve kryesorë, për të ndërruar gjithë yjet e ekipit, hierarkia Bianconere mund të përballet me një luftë ofertash për Suarezin kur të ngjallet afati kalimtar, duke filluar nga Barcelona dhe Manchester United, që tashmë kanë shprehur interesimin.
Pasi nuk ka arritur të futet në përfaqësuesen italiane, duket se Mario Balotelli ka pasur shumë kohë për t’u marrë me gjërat tjera.
Sipas Repubblica.it, sulmuesi i Interit është ndalur nga policia pasditen e të dielës, pasi ishte zënë duke vënë zjarr nga një revole lodër, në Piazza della Repubblica të Milanos.
Balotelli ishte në shoqëri të tre miqve të tij dhe grupi është parë duke gjuajtur me këtë revole lodër nga një grua e moshuar, e cila e thirri policinë në vendin e ngjarjes.
Kur policia pa se prezent ishte futbollisti i Interit, lejoi që ky grup i miqve të largohej vetëm me një vërejtje.
Përfaqësuesja e Argjentinës ka siguruar çerekfinalen e Kampionatit Botëror, pas fitores prej 3-1 përballë Meksikës, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin Soccer City të Johanesburgut.
Carlos Tevez kaloi ‘Albicelestetët’ në epërsi pas një asistimi të Leo Messit (26’).
Një gabim të Osorios e shfrytëzoi sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, i cili dyfishoi epërsinë (33’) dhe vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Në minutat e para të pjesës së dytë (52’), ‘djemtë e Maradonas’ shënuan sërish përmes Carlos Tevez, për të siguruar tashmë çerekfinalen.
Krejt çfarë bënë meksikanët deri në fund të takimit ishte një gol i shënuar nga Javier Hernëndez në minutën e 71-të.
Në çerekfinale, Argjentina do të ketë kundërshtar Gjermaninë, e cila në të tetën e finales eliminoi Anglinë.
Përzgjedhësi gjerman, Joachim Loew, ishte jashtëzakonisht i kënaqur që skuadra e tij i zbatoi me përpikëri planet e tija taktike ndaj Anglisë.
“Unë i thashë ekipit tim në pushim të pjesës së parë, se ne duhet të tentojmë të shënojmë golin e tretë. Ne e kemi ditur se mund ta godasim Anglinë në kundërsulme sepse ata ishin hapur. Lojtarët tanë e kuptuan këtë në mënyrë të shkëlqyer”.
“Ne e kontrolluam takimin deri në golin e parë të Anglisë, më pas ishte një fazë e shkurtër kritike. Nga çfarë pashë në televizor, ky top kaloi vijën fatale dhe është dashur të pranohej”, është shprehur Loew pasi eliminoi Anglinë nga Kampionati Botëror.
Përkundër faktit se Anglia u dëmtua nga gjyqtari kryesor i takimit me një gol të anuluar pa të drejtë, gjë që u reflektua dhe në prononcimin e Capellos, kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, si sportist i vërtetë e ka pranuar humbjen dhe nuk u arsyetua me golin.
“Ka pasur vendime të mëdha kyçe në këtë takim, si p.sh ai goli i anuluar pranë rezultatit 2-1. Pranë rezultatit 2-1 ne ishim në kërkim të barazimit dhe ende kemi qenë në ndeshje”.
“Mendoj se goli i anuluar pati efekt, por nuk mund ta përdorim si justifikim, pasi jemi mposhtur me rezultat 4-1. Ai gol do të ishte i madh për ne. E gjitha është me ‘nëse’ dhe ‘por’. Gjermania ishte ekip fantastik dhe e meritoi fitoren”.
“Ne duhet të shkojmë në shtëpi dhe të mendojmë se çfarë shkoi keq dhe pse nuk shkuam më tej në Botëror. Si ekip ne kemi bërë gabime të mëdha sot dhe jemi mposhtur nga një ekip i mirë. Ata ishin më të gjindshëm përballë golit dhe ata bënë më pak gabime se ne, ndërsa ne u dënuam për ato gabime”, ka thënë pas ndeshjes Gerrard.
Pasi që pa skuadrën e tij të shkatërruar nga Gjermania, Fabio Capello i zhgënjyer me disfatën turpëruese ka thënë se fajtori kryesor pse ekipi i tij e pësoi këtë humbje ishte gjyqtari uruguaian Jorge Larrionda dhe asistenti i tij Mauricio Espinosa, të cilët anuluan një gol të Frank Lampard.
“Ishte një nga gjërat më të rëndësishme të ndeshjes. Megjithatë, faji për humbjen u takon edhe lojtarëve të mi. Goli ishte shumë i rëndësishëm. Ne kemi mundur të luajmë një stil më ndryshe. Ne luajtëm mirë pranë rezultatit 2-1, por pas golit të tretë ishim paksa të zhgënjyer”.
“Ne luajtëm mirë. Gjermania është ekip i madh. Ata luajnë mirë. Ne bëmë disa gabime kur ata luajtën në kundërsulme. Mirëpo, gjyqtari bëri gabimet më të mëdha. Gjërat e vogla gjithnjë e vendosin rezultatin”, deklaroi pas ndeshjes ‘Don Fabio’.
Në kohën kur epoka e Luigi Del Nerit po merr formë në Olimpico të Torinos, Juventusi është duke shikuar se si t’i shtojë radhët e veta me dy përforcime të reja, me Leonardo Bonuccin e Barit dhe Jorge Martinezin e Catanias.
Sipas faqes zyrtare të klubit, dyshja do të jetë të hënën në Torino për t’iu nënshtruar testit mjekësor me Bianconerët. Nëse testet kryhen me sukses, atëherë që të dy pritet që edhe zyrtarisht të nënshkruajnë për Juventusin.
Bonucci ka kaluar një sezon fantastik me Barin, ndërsa u kthye i zhgënjyer me kombëtaren italiane nga Afrika e Jugut. Mesfushori i Catanaias, Martinez, ka qenë i lënduar dhe nuk arriti të paraqitej në Botëror, që ka qenë një arsye më shumë për klubet e interesuara për të.
Rafael Nadal ka arritur të kualifikohet i lënduar pas pesë setesh ndaj austriakut Philipp Petzchner, për të siguruar dhe vendin në rrethin e katërt të Wimbledonit.
Nadal mposhti austriakun Petzchner me rezultat 6-4, 4-6, 6-7, 6-2 dhe 6-3, ndërsa paraqitja ishte aspak impresionuese, ndoshta për shkak se kishte nevojë për trajtim mjekësor pas dëmtimeve në bërryl dhe gju.
Nadal ka një ditë për t’u riaftësuar para se të takohet me francezin Paul-Henri Mathieu të hënën.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, dëshiron ta mbajë në skuadër sulmuesin Craig Bellamy.
News of the World njofton se ky qëndrim i Mancinit vjen në kohën kur ai po bën përgatitjet për sezonin e ardhshëm dhe kur ofertat nga Liga Premier kanë vërshuar sulmuesin uellsian.
Bellamy iu bashkua Manchester Cityt nga West Hami në janar të vitit 2009 për 14 milionë funte.
Ngasësi i Red Bull, Sebastian Vettel, ka arritur të mposhtë britanikun e McLaren, Lewis Hamilton, për ta fituar dhe Çmimin e Madh të Evropës në Valencia.
Lideri në renditjen e ngasësve, Hamilton, ishte dënuar pasi tejkaloi ‘makinën e sigurisë’, ndërsa këtë e shfrytëzoi më së miri Vettel që u tregua i sigurt deri në fund të garës.
‘Makina e sigurisë’ ishte vënë në veprim pas një aksidenti të tmerrshëm të Mark Webberit që nuk pësoi lëndime.
I treti u rendit Jenson Button, ndërsa i katërti u radhit braziliani Rubens Barichello. Fernando Alonso zuri vetëm pozitën e nëntë.
Robin Van Persie ka thënë se ka ardhur koha që kombëtarja e Holandës ta fitojë Kampionatin Botëror, pas dështimeve të shumta, ndërsa ai beson se ky ekip i Holandës është më i miri në të cilin ka luajtur ndonjëherë.
“Pasi që po shkojmë përpara, ne mund të takohemi me ekipe vërtetë të mëdha, por jam mjaft optimist që mund të bëjmë diçka me këtë ekip. Ky ekip është më i miri në të cilin kam luajtur deri tani. Ne kemi pasur një ecuri të mrekullueshme të ndeshjeve dhe nëse shikoni në nivelin e stërvitjes, është e pabesueshme”.
“Niveli po rritet vazhdimisht çdo ditë. Ishte mirë kur ne erdhëm këtu, por tani është fantastike. Ky është rasti ynë më i mirë. Nëse shikoni në moshën e lojtarëve tanë seniorë, ata janë të gjithë 25 ose 26 vjeçarë. Pas katër vitesh ata do të jenë 30 vjeçarë dhe as kjo nuk është aq keq. Por, kjo është e ardhmja. Them se ky është momenti ynë, koha jonë”, deklaroi Van Persie.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, ka hedhur poshtë pohimet se Fernando Torres nuk është në formë gjatë Kampionatit Botëror.
“Me rëndësi është që ai ka luajtur në të tria ndeshjet dhe ka përparuar në përgatitjen fizike. Ai është lojtar që edhe pse nuk shënon gola, ne kemi përfitim nga ai, sepse ai është vështirë për t’u mbajtur nga mbrojtjet kundërshtare dhe është gjithnjë rrezik për kundërshtarët. Ai është lojtar shumë i rrezikshëm”, theksoi Del Bosque.
Spanja ndeshjen e ardhshme e zhvillon ndaj Portugalisë të martën, në supersfidën e 1/8 së finales.
Trajneri i Holandës, Bert van Marwijk, i ka bërë thirrje skuadrës së tij që të përmirësohet, përndryshe mund të eliminohen nga Sllovakia.
“Pas ndeshjes ndaj Kamerunit, unë fola me skuadrën. Ne shpesh kemi pasur periudha të fjetura pas krijimit të epërsisë. Unë u kam thënë se këtë nuk duhet ta lejojmë. Nëse shikoni në atë që kemi bërë deri tani, ne kemi dhënë një përshtypje stabile në dy ndeshjet e para. Ne i kontrolluam ndeshjet, por kemi mundur të luajmë më mirë. Ndeshja e tretë ishte shumë e keqe, kemi mundur edhe të pësojmë humbje”.
“Lojtarët e mi e kuptojnë se me çfarë ndeshje kemi të bëjmë. Unë pres një grup shumë të motivuar të lojtarëve, gjithnjë ka hapësirë për t’u përmirësuar. Sllovakia është një ekip shumë i vështirë. Ata nuk kanë yje edhe pse disa prej lojtarëve i njoh nga kampionati holandez. Është ekip ndaj të cilit është vështirë të luash”.
“Rafael van der Vaart pati disa ngërçe, ndërsa ende nuk e dimë se a është i gatshëm, përkundër faktit se ka stërvitur. Sa për Arjen Robbenin, ai luajti 20 minuta ndaj Kamerunit dhe ishte në gjendje të mirë edhe pse më ka thënë se nuk ndjehet plotësisht i riaftësuar. Do të shohim nesër (të hënën) dhe të shohim se cili do të jetë vendimi”, ka thënë Van Marwijk.
FIFA më në fund e ka vërejtur se diçka nuk është në rregull me topin e Kampionatit Botëror, Jabulani, mirëpo nuk do të shkaktojë telashe në mbarëvajtjen e Botërorit, derisa të përfundojë ai.
Shumë lojtarë e kanë cilësuar Jabulanin si ‘top supermarketi’, duke thënë se ai ka një trajektore fluturimi të paparashikueshme.
“Ne nuk jemi të shurdhër. FIFA nuk hesht për atë që është thënë për topin”, theksoi sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke.
FIFA do ta diskutojë këtë çështje me trajnerët dhe ekipet pas Botërorit, ndërsa më pas do të takohet me prodhuesin e topit, Adidas.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, thotë se është i lumtur te Real Madridi, por nuk ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Santiago Bernabeu.
“Jam në dijeni për interesimin e Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt. Unë gjithnjë jam i lëkundur kur shoh se klubet tjera janë të interesuara në cilësitë e mia prej portieri. Unë kam qenë te Real Madridi gjatë gjithë karrierës time dhe ende kënaqem duke shkuar në stërvitje çdo ditë”.
“Kënaqem duke takuar tifozët gjithashtu, por ne të gjithë e dimë se sa të pasigurta janë gjërat në futboll. Kurrë mos thuaj kurrë. Tani për tani Real Madridi do të duhet të më largojë nga klubi, para se unë ta shqyrtoj atë. Kush e di çfarë do të ndodhë nëse vjen ndonjë ofertë e mirë”, është shprehur Casillas për Daily Star Sunday.
Pas spekulimeve se Didier Deschamps mund të jetë pasardhësi i Rafa Benitezit në Anfield, ka dalë në skenë vetë trajneri francez duke thënë se ai nuk ka ndërmend të largohet nga Marseille.
“Unë jam i lumtur te Marsielle. Unë nuk jam këtu vetëm për një vit. Një trajner duhet të qëndrojë te një skuadër për shumë vite dhe kjo është dëshira ime”, theksoi Deschamps.
L’Equpie kishte shkruar se drejtori ekzekutiv i Liverpoolit, Christian Purslow, kishte kontaktuar Marseillen për të pyetur nëse do t’i lejohej atij ta takonte Deschamps, një kërkesë që u refuzua nga Jean-Claude Dassier, zyrtar i Marseilles.
“Ai më pyeti nëse do ta lejoja ta takonte Didier Deschampsin dhe Jean-Pierre Bernes (agjentin e Deschamps). Unë iu përgjigja se nuk do të lejoj zhvillimin e kurrfarë takimi. Unë gjithashtu i thashë se nuk kemi ndërmend ta lëmë trajnerin të largohet në asnjë mënyrë”, ka thënë Dassier.
Sulmuesi i Liveproolit, Dirk Kuyt, ka pranuar se ai nuk është i sigurt nëse do të qëndrojë te Liverpooli, duke dhënë kështu shenjat e para të një largimi të mundshëm.
“Unë jam i fokusuar vetëm në Botëror. Unë kam një kontratë afatgjate me Liverpoolin dhe jam i fokusuar vetëm në Botëror. Se çfarë do të ndodhë te Liverpooli, mbetet të shihet. Nuk kam biseduar me Benitezin. Kam shkëmbyer disa mesazhe të cilat ishin më shumë të tipit ‘fat të mbarë’ dhe ‘shumë mirë e bëre’.
“Interi? Të shohim çfarë do të ndodhë. Unë gjithmonë kam kaluar mirë te Liverpooli dhe kam edhe dy vite kontratë. Fokusi im është në Botëror, por unë jam ende i lumtur që luaj për Liverpoolin. Por, kush e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Mbetet të shihet. Nëse ekziston mundësia… duhet të shohim se çfarë ndodh me menaxherin e ri të Liverpoolit. Shpresojmë të marrim lojtarë të rinj, por të shohim çfarë është e ardhmja për mua”, deklaroi Kuyt.
Holandezi që u transferua vetëm 17 muaj më parë nga Hamburgu te Manchester City për 16 milionë funte, Nigel De Jong, është shumë pranë largimit nga skuadra angleze, nëse kjo e fundit transferon Yaya Touren.
Sipas Sunday Mirror, De Jong është në listën e atyre që pritet të shiten gjatë verës nga Roberto Mancini, në kohën kur ky i fundit po bën përpjekje për përforcimin e skuadrës. Holandezi aktualisht ka për konkurrent në mesfushën defensive Gareth Barryn, Patrick Vieiran, Vicent Kompanyn, ndërsa me Yaya Touren do të bëheshin pesë futbollist në atë rol.
City thuhet se është i interesuar edhe në mbrojtësin e Barcelonës, Dani Alves, që vlerësohet rreth 40 milionë funte. Çdo marrëveshje për Alvesin do t’i shihte dy të rinjtë, Micah Richards dhe Nedum Onuoha të larguar nga City. Edhe transferimi i James Milner nga Aston Villa do të mund të kishte për viktimë Shaun Wright Phillipsin. Për këtë të fundit nuk ndryshon shumë nëse edhe David Silva transferohet te City.
Përfaqësuesja e Gjermanisë është treguar skuadër shumë më e fuqishme përballë Anglisë duke e mposhtur me rezultat të thellë prej 4-1, për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Gjatë një pjesë të parë fantastike, Gjermania ishte ekip dukshëm më i mirë se Anglia. Me të filluar takimi, Mesut Ozil u gjend para portës angleze, mirëpo dështoi të shënojë për shkak të vendosjes së mirë të portierit David James.
Ndeshja vazhdoi me temp të lartë, ndërsa goli erdhi në një moment shpërqendrimi të mbrojtjes angleze. Pas një degazhimi fenomenal të portierit gjerman Manuel Neuer dhe një reagimi amatoresk të John Terryt, Miroslav Klose u lirua bukur nga Matheë Upson, me ç’rast shënoi për epërsinë e parë të gjermanëve (20’).
Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm mes Kloses dhe Mullerit, që e gjetën të vetmuar Lukas Podolskin që nuk e pati problem të shënojë me të majtën në portën angleze për rezultatin 2-0 (32’).
Anglia arriti ta ngushtojë rezultatin pas një krosimi nga këndi, të cilin e shfrytëzoi në mënyrë të shkëlqyer Steven Gerrard, që me një harkim në zonë arriti ta shërbejë Mathew Upson, i cili shënoi për rezultatin 2-1 (37’).
Vetëm pak minuta pas këtij goli mesfushorit anglez, Frank Lampard, iu mohua një gol i pastër nga gjyqtarët.
Në fraksionin e dytë vetëm sa u sqaruan gjërat. Anglia e nisi me dominim pjesën e dytë, por ishin gjermanët ata që u treguan konkretë dhe shfrytëzuan gabimet e mbrojtjes së dobët angleze.
Dy kundërsulme të Gjermanisë ishin vrasëse për Anglinë. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Bastian Shweinsteiger gjeti të vetmuar Thomas Mullerin që nuk e pati të vështirë të shënonte për golin e tretë të gjermanëve (67’), ndërsa pas një kundërsulmi tjetër identik, Mesut Ozil tejkaloi mbrojtjen angleze, ndërsa më pas e shërbeu Thomas Mullerin që shënoi golin e tij të dytë në këtë takim (70’) dhe të katërtin për Gjermaninë.
Në çerekfinale gjasat janë shumë të mëdha që të kemi edhe një “finale” tjetër, kur kihet parasysh se kundërshtar i Gjermanisë mund të jetë Argjentina, mirëpo njëherë duhet të presim për duelin e të dielës mbrëma që skuadra e Maradonas e zhvillon kundër Meksikës.
Arsenali është në krye te garës për të transferuar mesfushorin e talentuar të Ajaxit, Christian Eriksen, pas rekomandimit që ia bëri Denis Bergkamp ish-eprorit të tij, Arsene Wenger.
Sipas News of the World, 18-vjeçari i ka lënë përshtypje Bergkampit, saqë ia ka rekomanduar atë trajnerit Wenger.
Megjithatë, bosi i Ajaxit, Martin Jol, thuhet të mos jetë në disponim për tregti me lojtarët e tij, pasi që ka plane të mëdha për të ardhmen, përkundër interesimit të shtuar të gjigantëve të Ligës Premier.
Mesfushori i Argjentinës, Juan Sebastian Veron, ka lansuar një sulm ndaj Ligës Premier, duke pohuar se koha e kaluar te Manchester United dhe Chelsea kanë ndikuar që ai të ishte pranë pensionimit të parakohshëm.
Veron u transferua në fillim të dekadës që posa e lamë te United dhe Chelsea për një shumë të kombinuar prej 40 milionë funtesh.
“Unë endesha nëpër Evropë sikurse qen endacak, pa gjetur kurrë lumturinë apo dikë që të më kuptonte mua. Kjo është arsyeja pse u ktheva te Estudiantesi. Isha i lodhur nga të qenit endacak. Anglia ka një Ligë Premier që është spektakolare por kjo është e tëra. Ata nuk stërviten shumë dhe nuk kishte stërvitje të duhura te Unitedi. Paul Scholes godiste nga 50 metra pa u nxehur fare në -5 shkallë celsius”.
“Unë e bëra atë një herë dhe e kam zgjatur muskulin. Kurrë nuk kam qenë i lumtur në Angli dhe koha ime atje ma vuri në pikëpyetje dëshirën për të vazhduar karrierën. Kurrë nuk e kam parë këtë sport si biznes edhe pse është traditë e imja. Unë kënaqem ende me të dhe më pëlqen ideja e të qenit kompetitiv, në një klub që pak a shumë është i famshëm. Unë do të pensionohem nga kombëtarja pas Botërorit, me shpresë se mund të vazhdoj të luaj. Kurrë nuk kam ëndërruar të luaj në tre Botërore”, ka thënë Veron.
Liverpooli është duke refuzuar kategorikisht që ta shesë mesfushorin defensiv Javier Mascherano.
Sipas Mail on Sunday, Liverpooli është duke planifikuar t’i hakmerret Rafa Benitezit, duke e shitur Javier Mascheranon te Barcelona dhe jo te Interi, ku trajner është porsaemëruar Benitez.
Barcelona thuhet se paratë për Mascheranon do t’i sigurojë nga shitja e Yaya Toures te Manchester City për 25 milionë funte, ndërsa ky lajm nuk është aspak i mirëseardhur për Rafa Benitezin, që po e kërkon me çdo kusht mesfushorin argjentinas në Meazza.
Raul është shumë pranë largimit nga Real Madridi, ndërsa destinacioni i radhës për legjendën madrilene, sipas bashkëshortes së tij, mund të jetë kampionati amerikan MLS.
Onda Cero shkruan se Rauli, i cili ka mbushur 33 vjet, ia ka bërë të qartë Jose Mourinhos se dëshiron të largohet nga Real Madridi, me skuadra si New York Red Bulls dhe La Galaxy të interesuara për të.
“Nuk kam dëshirë të largohem nga Spanja me djemtë e mi… përpos SHBA-ve. Do të doja ta përjetoja këtë eksperiencë”, theksoi Mamen Sanz, bashkëshortja e Raul Gonzalez.
Sipas spekulimeve të fundit nga Anglia, Liverpooli është pranë shitjes, ndërsa goditja e parë në skenën e afatit kalimtar veror do të jetë transferimi i strategut Guus Hiddink.
Mail on Sunday shkruan se pasiguria te Liverpooli është rritur dukshëm, me pronarët George Gillet dhe Tom Hicks, në bisedime me një palë të panjohur nga lindja e mesme për shitjen e klubit nga Anfield.
Çmimi i Liverpoolit është ulur dukshëm nga 800 në 560 milionë funte, ndërsa synimi kryesor i pronarëve të rinj thuhet se është ish-menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink.
Sipas Sky Sports, ish-menaxheri i Manchester Cityt, Mark Hughes, është në negociata me klubin nga Lindja e Mesme, Al-Ahli.
Klubi nga Dubai është lidhur në të kaluarën me strategë si Marcello Lippi dhe Harry Redknapp.
Megjithatë, televizioni anglez njofton se Hughes ka fluturuar me anëtarët e stafit të tij në Dubai, për të filluar bisedimet me klubin që është pronë e princit të Dubait, Shaikh Hamdan Bin Mohammad Al Maktoum.
Al-Ahli është fuqishëm në skenën e futbollit botëror, pasi ka transferuar kohë më parë mbrojtësin italiani Fabio Cannavaro.
Luis Fabiano ka dalë më në fund me një deklaratë ku ka kërkuar hapur nga drejtuesit e Manchester United që ta transferojnë atë, pas spekulimeve të shumta se ai mund të kalonte te klube si Milani apo Tottenhami.
“Unë kam vërtetë rast të mirë për ta fituar Botërorin këtu në Afrikën e Jugut dhe kjo është arsyeja pse dua të mbes i fokusuar edhe pse e ardhmja ime duhet të sqarohet së shpejti. Unë e kam bërë të qartë se nuk dua të nënshkruaj kontratë të re me Sevillan, pasi që jam 29-vjeçar dhe kam nevojë për një klub ku mund të fitoj tituj”.
“Kam dëgjuar se Tottenhami ka bërë ofertë për mua, por me gjithë respektin, nëse shkoj në atë klub nuk është një vend ku mund ta fitoj Ligën Premier apo Ligën e Kampionëve në tre apo katër vitet e ardhshme. Nuk ka gjasa që unë të transferohem te Tottenhami. Për këtë, më mirë do të qëndroja te Sevilla, pasi që është e njëjta gjë. Sevilla aktualisht është klub më i madh nëse merrni parasysh sa herë ka qenë në Ligën e Kampionëve, kështu që nuk ka gjasa që të shkoj te ndonjë klub më i vogël”.
“Zgjedhja do të bëhet mes Manchester Unitedit dhe Milanit. Këto janë llojet e ekipeve që dua të transferohem, në një nga gjigantët e vërtetë evropian. Mendoj se mënyra se si Manchester United luan futbollin është shumë atraktiv, më duhet të jem i sinqertë dhe të them se futbolli anglez më tërheq dhe gjithashtu mënyra si United luan më tërheq. Ju mendoni në mua si partnerin ideal për Rooneyn dhe kjo është shumë tërheqëse për një sulmues”.
“Mendoj se stili i futbollit anglez më përshtatet mua dhe unë mendoj se mund të shënoj gola dhe të jem shumë i suksesshëm atje. Trajneri i United është fitues, lojtarët janë fitues dhe ata janë nga ato pak ekipe evropiane që luftojnë për tituj sezon pas sezoni. Posa të përfundojë Botërori për mua, unë do të marr një vendim të shpejtë për të ardhmen dhe përderisa Botërori po zhvillohet, Sevilla mund të zhvillojë negociata. Unë jam kënaqur te Sevilla, por kam nevojë që të luaj te një gjigant”, ka deklaruar Fabiano për Daily Star Sunday.
Bosi i Anglisë, Fabio Capello, ka deklaruar se ai do të bëjë një ndryshim në formacion për dallim nga ndeshja e fundit ndaj Sllovenisë dhe njëherit shtoi se skuadra e tij ka potencial për ta eliminuar Gjermaninë.
I pyetur nëse ai do të luajë me përbërjen e njëjtë ndaj Gjermanisë, Capello tha: “Po, unë e di ekipin që do të luajë. Ndoshta është i njëjtë si ndaj Sllovenisë. Dhjetë lojtarët e asaj ndeshje luajnë sigurt, përpos njërit”.
“Rooney u stërvit shumë mirë. Ai shënoi shumë gola në stërvitje, shpresojmë se ai do të jetë i njëjtë dhe ndaj Gjermanisë. Ai është i rëndësishëm. Ai nuk shënoi në ndeshjet e fundit, por ai gjithmonë është i rëndësishëm për ne, me lëvizshmëri dhe asistime”.
“Është ndeshje shumë e rëndësishme sepse ne duam të shkojmë më tej. Ne duam ta luajmë ndeshjen e ardhshme dhe unë e njoh Gjermaninë, ashtu siç i njoh vlerat e futbollistëve të mi. Presioni është i natyrshëm kur luani në Botëror”, ka thënë Capello.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka thënë se do të dëshironte që në një të ardhme të jetë trajner i Napolit.
“Shpresoj se do të jem trajner i Argjentinës për shumë vite, por më pas do të doja të përmbushja një ambicie tjetër. Ka qenë gjithmonë dhe është ëndërr që një ditë të bëhem trajner i Napolit. Do të doja t’i shihja tribunat e stadiumit San Paolo të mbushura përsëri. Unë i shikoj ndeshjet e Napolit në televizor dhe urrej të shoh tribunat e zbrazëta”.
“Unë kam jetuar në Itali shtatë vjet, por në Napoli më janë dukur si 14. Unë gjithmonë do t’i kem ata njerëz në zemrën time. Unë e di se pasi që Italia është eliminuar, napolitanët do ta mbështesin Argjentinën. Kjo është arsyeja pse i adhuroj ata. Edhe nëse të tjerët do të kritikojnë, unë kurrë nuk do të flas keq për Napolin”, është shprehur Maradona.
Chelsea është duke përgatitur ofertën për mesfushorin e Real Madridit, Rafael Van der Vaart.
Holandezi nuk do të bllokohet nga Real Madridi nëse ai dëshiron të largohet pas Botërorit, ndërsa thuhet se Blutë janë të gatshëm të ofrojnë 10 milionë funte për të.
Van der Vaart do të ketë vend të garantuar në Stamford Bridge, duke qenë se sezonin tjetër nuk do të jenë Michael Ballack, Deco dhe Joe Cole.
Interi pritet të ofrojë Esteban Cambiasson si pjesë e shkëmbimit për mesfushorin e Liverpoolit, Javier Mascherano.
Sipas Sunday Mirror, Interi është duke e menduar një mënyrë më të lehtë të transferimit të argjentinasit, me një ofertë që përfshin një lojtar plus para shtesë, që mund ta shohë Cambiasson në Anfield. Ndërkohë, Liverpooli nuk dëshiron të bëjë kurrfarë marrëveshjesh derisa të emërohet Roy Hodgson si trajner i ri.
Massimo Moratti ka thënë se do të heqë dorë nga Mashcerano nëse Liverpooli nuk e ul çmimin, ndërsa trajneri Rafa Benitez beson se Hodgson mund të pranojë një shkëmbim me Cambiasson.
Mbrojtësi i Spanjës, Sergo Ramos, ka thënë se atij është duke i ardhur keq që do të duhet të lë mënjanë miqësinë që ka me Ronaldon dhe Pepen, për të eliminuar Portugalinë.
“Unë do të doja të takohesha me ta më vonë, por kjo ndeshje do të jetë e mirë dhe unë do të jap gjithçka për ta eliminuar Portugalinë. Më vjen keq për Cristiano Ronaldon dhe Pepen, por ne do të takohemi në Madrid, kur Spanja do ta festojë titullin e kampionit të botës”, theksoi Ramos.
Sergio Ramos, Cristiano Ronaldo dhe Pepe, janë që të tre bashkëlojtarë te skuadra mbretërore spanjolle, Real Madrid.
Përzgjedhësi i Meksikës, Javier Aguirre, ua ka tërhequr vërejtjen të gjithë atyre që mendojnë se skuadra e tij nuk ka gjasa ndaj Argjentinës, duke thënë se ekipi i tij është në gjendje që në çdo moment ta mposhtë skuadrën e Maradonas.
“Askush nuk po vë bast as një dollar të vetëm për ne, analistët thonë se jemi të vdekur dhe të harruar. Por, do të shohim. Mendoj se Meksika nuk është favoriti i askujt, ata nuk besojnë në mundësinë e të fituarit, por ne do të shohim pas 90 minutave nëse do të ndryshojë historia. Argjentina fitoi katër vite më parë dhe nuk jemi ndeshur që nga ajo kohë, kështu që ne do të mbajmë euforinë të ulët, duke i përmirësuar statistikat dhe të shohim se si del basti pas ndeshjes”.
“Nuk mendoj se ajo që është shkruar nëpër mediumet meksikane është e justifikueshme. Mund të jetë logjike sepse po luajmë ndaj Argjentinës dhe gjithçka mund të shkojë keq, por ky është interpretimi juaj. Këta djem janë të uritur, ata nuk kanë frikë nga suksesi. Ata nuk kanë komplekse, ne do të humbim, ne do të fitojmë, por kurrë mos e kritikoni ekipin, ata kanë guxim dhe ata do të luftojnë. Do të jetë një ndeshje e barabartë në fushë, nga 11 lojtarë në secilën anë, arbitri do të na tregojë kur të fillojmë dhe pjesa tjetër do të vendoset në fushë”.
“Maradona? Kemi luajtur ndaj njëri-tjetrit si lojtarë, ai është një mik i mirë dhe një trajner i madh. Ne jemi parë me njëri-tjetrin në Madrid disa herë me vajzën e tij (që është e martuar me sulmuesin e Atletico Madridit, Sergio Aguero), ai është trajner i madh. Unë do t’ia jap atij një përqafim të madh dhe do ta përgëzoj për atë që ka bërë në Botëror deri tani, ndërsa i dëshiroj fat”, ka thënë Aguirre.
Diego Armando Maradona ka vazhduar me deklaratat e tija të çuditshme, duke pohuar se skuadra e tij nuk është favorite, njëherit kërkoi respekt për kundërshtarin e radhës, Meksikën.
“Unë vazhdoj të them se të tjerët janë favoritë. Ne jemi këtu për të luftuar. Ne jemi në formë të mirë edhe pse ka gjithnjë ca gjëra të vogla për t’u rregulluar në skuadër. Nuk është e lehtë që nga askush që ke qenë në vendin tënd, t’i fitosh tri ndeshje dhe të mbesësh i fokusuar. Njerëzit kanë thënë se ishim një katastrofë, se ishim ekipi më i keq që ata kanë parë, ndërsa tani thonë se jemi ekip i shkëlqyer, që ky ekip është i mrekullueshëm në fushë. Ne i kemi lojtarët e njëjtë si më parë, kështu që nuk duhet të besoni çfarë thonë të tjerët, vetëm punoni në mënyrën e njëjtë siç keni punuar me idetë e njëjta”.
“Unë bëhem 50 vjeçar në tetor dhe nuk jam më kryeneç. Por, ajo që më bën të hidhërohem është mungesa e respektit për lojtarët dhe kur njerëzit nuk dinë të kërkojnë falje për atë. Ka shumë lojtarë sot, që konsiderohen ‘zotëra’ në Argjentinë dhe ka të tillë që janë fyer nga shtypi, ndërsa ne duam që këta gazetarë t’u kërkojnë falje atyre lojtarëve. Është vetëm një çështje sinqeriteti”.
“Meksika është një ekip që duhet respektuar dhe ne do ta bëjmë këtë. Por, ata gjithashtu duhet të na respektojnë neve dhe historinë tonë. Meksika ka një numër lojtarësh që nga brengosin. Por, ne do ta luajmë lojën tonë, ne i kemi lojtarët tanë në fushë. Ne e dimë se ndeshja do të jetë e vështirë, por me ekipin dhe lojtarët që kemi, ne mund të ecim përpara. Situata e tanishme është e mirë sepse ne i kemi përmbushur detyrat në ndeshjet e para dhe që tani ne fillojmë të përgatitemi fizikisht dhe mentalisht për fazën tjetër”, deklaroi Maradona para gazetarëve.
Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, ka thënë se kombëtarja e tij do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të fituar ndeshjen ndaj Gjermanisë, njëherit i dha përkrahje Wayne Rooneyt, i cili nuk është treguar deri më tani në këtë Botëror.
“Ne kemi shumë besim për këtë sfidë, me një paraqitje të mirë që lamë prapa ndaj Sllovenisë. Disponimi është vërtet i mirë. Ne kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur shumë për këtë takim dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta fituar ndeshjen. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë dhe natyrisht ne duam ta fitojmë ndeshjen gjatë 90 minutave të para. Por, nëse na nevojiten vazhdimet apo penaltitë, atëherë ne jemi të gatshëm”.
“Është çështje kohe para se Rooney të shënojë në kampionat dhe shpresojmë që këtë ta bëjë të dielën. Unë kam besim në të se ai do të luajë mirë ndaj Gjermanisë, ishte në formë gjatë stërvitjes. Unë kam qenë i përfshirë në shumë ndeshje të mëdha gjatë gjithë karrierës time dhe përvoja në përgatitjen e këtyre ndeshjeve mund të më shërbejë. Ka shumë presion dhe është situatë e tensionuar për arsye se gjithçka është në lojë, por është kënaqësi. Nuk më pritet të dal në fushë dhe t’i ndihmoj ekipit të fitojë”, ka deklaruar Gerrard në konferencën për shtyp.
Përzgjedhësi i SHBA-ve, Bob Bradley, ka thënë se futbollistët e tij nuk e kanë kryer punën si duhet në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Ganës, duke shtuar se komponenti i përgatitjes fizike ishte vendimtar.
“Asamoah Gyan na shkaktoi mjaft telashe dhe e shënoi golin e fitores. Fizikisht ai është vërtet i nevojshëm për skuadrën e tij dhe në fund të ditës, kjo është ajo që e vendosi ndeshjen. Unë mendoj se kur e barazuam rezultatin në 1-1, kemi pasur shumë raste për ne. Në fillim të vazhdimeve, ne përsëri dështuam”.
“Me gjithçka që kemi bërë në ndeshje, nuk kemi bërë mjaft sa për t’u kualifikuar më tej. Për momentin, është një disfatë thumbuese, shumë e vështirë. Ne e kemi ditur se Gana është ekip i mirë, por ne nuk e kemi bërë punën si duhet”, ka thënë Bradley për Eurosport.
Ylli i SHBA-ve, Landon Donovan, i cili shënoi golin e barazimit nga pika e bardhë ndaj Ganës, ka thënë se ata nuk e kanë merituar kualifikimin me lojën e treguar në Rustenburg.
“Ne ishim paksa naivë sonte (e shtunë), ndërsa në këtë nivel ju nuk duhet ta bëni atë. Është frustruese nëse marrim parasysh punën që kemi bërë”.
“Unë jam krenar me atë që ka bërë ekipi. Futbolli ndonjëherë është një lojë e çuditshme. Një minutë je në maje të botës, minutën tjetër poshtë malit”, ka thënë Donovan për Eurosport.
Pasi shënoi golin e fitores gjatë vazhdimeve të sfidës Ganë-SHBA, Asamoah Gyan ka thënë se fitoren e kombëtares ganeze ia dedikon gjithë Afrikës.
“Ne jemi vetëm kombëtarja e tretë afrikane që jemi kualifikuar në çerekfinale. Ne i kemi bërë të gjithë krenarë, jo vetëm Ganën, por gjithë Afrikën”, deklaroi Gyan për AP.
Gana në çerekfinale do të ketë punë me Uruguain.
Gjermania do të ndeshet me Anglinë në supersfidën që zhvillohet të dielën në kuadër të rrethit të 1/8 së finales, ndërsa sulmuesi kryesor gjerman, Lukas Podolski, nuk sheh arsye për t’u frikësuar nga anglezët.
“Nuk mendoj se duhet të kemi frikë nga ata. Është e vërtetë se ata luajtën relativisht mirë në ndeshjen e tyre të fundit në grup, por nga ajo çfarë kanë bërë gjatë gjithë kampionatit, nuk ka arsye për t’u frikësuar”.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por gjithashtu një ndeshje normale e Kampionatit Botëror. Ne duhet të fokusohemi në ndeshjen dhe vetëm në ndeshjen”.
“Penaltitë? Ne nuk i duam penaltitë, qëllimi ynë është që ta fitojmë ndeshjen në kohën e rregullt”, përfundoi deklaratën e tij ‘Poldi’.