Ëndrra e Andy Roddick për një finale të dytë radhazi në Wimbledon është shuar përfundimisht, pas disfatës befasuese të pësuar nga një jofavorit taivanez, ndërsa nga ana tjetër me formë të lartë kanë vazhduar rrugëtimin e tyre Andy Murray dhe Roger Federer.Roddick u mposht nga taivanezi Yen-Hsun Lu me rezultat 4-6, 7-6, 7-6, 6-7 dhe 9-7. Yen-Hsun Lu, bëhet çerekfinalisti i parë aziatik që prej vitit 1995.
Roger Federer nga ana tjetër nuk pati telashe me bartësin e 16-të, austriakun Jurgen Meltzer, të cilin e mposhti me rezultat 6-4, 6-2 dhe 6-3. Federer në çerekfinale luan ndaj çekut Tomas Berdych.
Shpresa britanike, Andy Murray nuk pati vështirësi ndaj amerikanit Sam Querrey, të cilin arriti ta tejkalojë me rezultat 3-0 në sete (7-5, 6-3 dhe 6-4). Në çerekfinale Murray takohet me francezin Jo-Wilfried Tsonga.
Kombëtarja e Brazilit ka treguar fuqinë e vet me fitoren e shënuar përballë Kilit, për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.Takimi i zhvilluar të hënën mbrëma në Ellis Park të Johanesburgut ka përfunduar me rezultat 3-0 në favor të Selecaos.
Goli i parë erdhi në minutën e 35-të, kur mbrojtësi i Romës, Juan, shënoi një gol të bukur me kokë.
Tre minuta më pas, pas një kombinimi të Robinho, Kaka dhe Luis Fabiano, ky i fundit e mposhti portierin Bravo (38’), për të vendosur rezultatin e pjesës së parë.
Edhe në pjesën e dytë, ishin sërish brazilianët ata që realizuan, ndërsa ekzekutues ishte Robinho, i cili u asistua nga Ramirez (59’).
Në çerekfinale, pesëherë kampioni i botës do të ndeshet me Holandën që të hënën eliminoi Sllovakinë me rezultat 2-0.
Real Madridi ka konfirmuar transferimin e anësorit argjentinas Angel Di Maria nga Benfica.22-vjeçari, i cili gjendet në Afrikën e Jugut me kombëtaren e tij, porsa të kthehet do të nënshkruajë kontratë gjashtëvjeçare me Los Blancos, ndërsa transferimi i tij ka kushtuar 25 milionë euro.
“Real Madridi dhe Benfica kanë arritur marrëveshje për transferimin e Angel di Marias. Lojtari do të nënshkruajë kontratë gjashtëvjeçare me Real Madridin”, shkruan në deklaratën zyrtare të Realit.
Sipas Marca, president nderi i Barcelonës, Johan Cruyff, ka pranuar se ai e ka telefonuar presidentin e porsazgjedhur Sandro Rosell, por se ky i fundit nuk iu përgjigj, duke lënë të paqartë të pozitën e legjendës Blaugrane.Gjatë zgjedhjeve presidenciale, Cruyff kishte thënë se ai do të mbesë president nderi i Barcelonës, nëse delegatët dëshirojnë një gjë të tillë.
“Unë e kam telefonuar atë, por ai nuk mu përgjigj. Nëse dikush do të kishte pak inteligjencë, atëherë ai do të dinte se Rosell do t’i fitonte zgjedhjet. Ka shumë gjëra për t’u përmirësuar në klub dhe është obligimi i lidershipit të ri ta bëjë këtë, nuk ka rëndësi se sa e vështirë është”, theksoi Cruyff.
Ishte spekuluar ditëve të fundit se sulmuesi uruguaian, Edinson Cavani, do të mund të kalonte gjatë kësaj vere nga Palermo te Interi, mirëpo Sky Italia përjashton mundësinë që ky transferim të ndodhë.Cavani është në Afrikën e Jugut ku luan për përfaqësuesen e Uruguait, ndërsa ditëve të fundit u spekulua për një transferim të mundshëm te Interi, me vetë lojtarin që kishte deklaruar se ëndërron të kalojë te kampioni i Evropës.
Megjithatë, numri i sulmuesve që ka Interi, do të thoshte se Cavani do të kishte pak minuta lojë në dispozicion, gjë që nuk i përshtatet sulmuesit në top formë.
Ndërkohë, gjasat janë më të mëdha që skuadrat e Ligës Premier, si Tottenham dhe Manchester City, ta transferojnë sulmuesin që ka shënuar 13 gola në 34 paraqitje.
Sipas presidentit të Sampdorias, Riccardo Garrone, Juventusi duhet ta shesë stadiumin nëse dëshiron ta transferojë sulmuesin italian të Sampdorias, Giampaolo Pazzini.“Pazzini te Juventusi? Nuk transferohet as për 100 milionë euro. A është kjo një pozitë zyrtare? Jam i hapur për ndryshim të mendimit. Ende askush nuk më ka kontaktuar”, ka thënë Garrone.
Spekulimet javëve të fundit thoshin se Juventusi është i interesuar në transferimin e sulmuesit të Sampdorias, skuadër që vitin e ardhshëm garon në Ligën e Kampionëve.
Asi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka shprehur dëshirën e tij për të qëndruar në Anfield, përkundër spekulimeve se Rafael Benitez tashmë e ka transferuar atë te Inter.“Është gjithnjë e mirë të lidhesh me klube të mëdha. Kjo më bën të ndihem mirë. Është gjë normale të jesh i lidhur me klube të mëdha të cilat janë të interesuara në ekipe si Liverpooli, që nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve. Por, përkundër këtyre zërave, nuk ka asgjë konkrete sa më përket mua”, deklaroi Torres për Radio Marca.
Liverpooli sezonin e ardhshëm nuk do të luajë në Ligën e Kampionëve, me çka dhe rrezikohet seriozisht që t’i humbë yjet si Fernando Torres.
“Ishte një emocion i veçantë që t’i bashkohesha Juventusit, por jam i kënaqur që jam këtu për të filluar aventurën e re me shpirtin e duhur, që gjithashtu është ngjallur në mua nga presidenti”.
“Ne duhet ta përmirësojmë Juventusin, në mënyrë që të kthehet në nivelet më të larta të futbollit evropian dhe botëror. Ne do të punojmë shumë për t’u përmirësuar nga viti i kaluar. Nëse fitojmë diçka atëherë do të jetë mirë, nëse jo, ne do të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen”.
“Juventusi më kërkoi mua, unë e kërkova Juventusin. Klubet tjera nuk i mora parasysh. Nuk jam i zhgënjyer që nuk luajta në Botëror edhe pse jam i zhgënjyer për eliminimin e hershëm të kombëtares”, ka thënë Bonucci, transferimi i të cilit pritet të zyrtarizohet të martën.
Njeriu më kontrovers në futbollin italian, Luciano Moggi, ka fajësuar klubet italiane që kanë lojtarë të huaj, me theks të veçantë Interin, për dështimin skandaloz të Italisë në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.“Fillimisht ju them se kemi dashur ta shmangim Holandën në 1/8 e finales dhe këtë e bëmë. Unë kam pritur që kjo të ndodhë dhe gjithçka në përgjithësi ka qenë në nivel të dobët. Italia po kalon nëpër një ndërrim gjeneratash, por ata nuk kanë cilësinë e njëjtë. Fatkeqësisht është e vështirë të gjesh cilësi nëse klubet nuk investojnë në lojtarë të rinj”.
“Në finalen e vitit 2006, Juventusi pati nëntë lojtarë në fushë në sfidën Itali-Francë. Kishte lojtarë francezë dhe italianë, sepse Juventusi gjithmonë kërkon lojtarë vendorë. Megjithatë sot, Interi, që fitoi gjithçka me ekipin e vet, ka një njëmbëdhjetësh plot me lojtarë të huaj… dhe ja cilat janë rezultatet”, ka deklaruar Moggi.
Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Jean-Pierre Escalettes, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pas skandalit francez në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.Skandali që tronditi mbarë opinionin botëror, e që kishte të bëjë me një mosdisiplinë në shtabin francez, pas përjashtimit të Anelkas, bëri që Les Bleus të eliminohen në mënyrë katastrofale nga Botërori.
Në një komunikatë të lëshuar sot, Escalettes kishte bërë publike dorëheqjen e tij pas pesë vitesh qëndrimi, ndërsa në këtë komunikatë shkruan: “Unë e ndjej të obligueshme të jap dorëheqje nga posti i presidentit të Federatës Franceze të Futbollit”.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka thënë se e ardhmja e tij pritet të vendoset brenda dy javësh, kur ai të takohet me krerët e Federatës Angleze të Futbollit (FA).“Unë bisedova këtë mëngjes me Sir Dave Richards (zyrtar i federatës angleze). Ai më tha se ka dy javë kohë për të vendosur. Unë i kam thënë se mund të jem menaxher edhe për sezonin e ardhshëm, por ata duhet të vendosin. Absolutisht që dua të vazhdoj punën në këtë post. Ne biseduam për ndryshimet. Ne folëm me zotëri Dave Richards për lojtarët e rinj që mund të luajnë në kualifikimet e Euro 2012 dhe unë e di se çfarë duhet të bëj”.
“Nuk mendoj se vetëm Wayne Rooney, por të gjithë futbollistët e Anglisë janë vërtet të lodhur nga ky Botëror. Unë fola me trajnerët e Ligës Premier dhe të gjithë më thanë se forma fizike dhe situata mentale e lojtarëve nuk ishte sikurse ata që i njihnin. Rooney luajti mirë disa ndeshje, por nuk mund të flasim vetëm për një futbollist. Të gjithë lojtarët nuk ishin aq të mirë, siç e di unë. Ata nuk luajtën aq shpejtë, jo aq shpejtë siç e di unë nga ndeshjet tjera”.
“Lojtarët kanë nevojë për pushim. Mendoj se pjesa e dytë e Bundesligas fillon pikërisht atëherë kur fillon Liga e Kampionëve dhe të gjitha garat tjera evropiane, një arsye shumë e rëndësishme për formën fizike të tyre. Por, nuk është puna ime të vendos për kalendarin e kampionateve”.
“Mendoj se mund të luani me stile të ndryshme, por gjithmonë stili i mirë varet nga lojtarët, forma e lojtarëve. Ne kemi luajtur me një stil të tillë për një kohë të gjatë dhe rezultatet ishin të mira. Ne e mposhtëm Gjermaninë në Gjermani, por jo këtu. Unë e di se kjo është më e rëndësishme, por shpeshherë ndeshjet ndryshojnë dhe mendoj se varet shumë nga forma fizike dhe jo nga stili”, theksoi Capello.
Në fund ai nën presionin e mediave u shpreh dhe për pagën e tij prej 8 milionë eurosh në vit, për punën që bën si përzgjedhës i Anglisë.
“Kur FA (Federata Angleze) vendosi të më bënte përzgjedhës të Anglisë, unë bisedova me ta dhe ata vendosën të më paguanin. Por, mendoj se nuk është paraja vlera e vërtetë e njeriut”, përfundoi Capello konferencën e tij për shtyp.
‘Tulipanët’ kanë shënuar fitore jo aq të lehtë përballë Sllovakisë për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.Takimi i zhvilluar të hënën në Moses Mabhida Stadium në Durban, përfundoi me fitoren e holandezëve me rezultat 2-1.
Mesfushori i Bayern Munichut, Arjen Robben, pranoi një top të bukur nga Ëesley Sneijder dhe në mënyrë mjeshtërore arriti ta mposhtë portierin Jan Mucha (18’).
Edhe pse ishte parashikuar që Sllovakia do të jetë një kundërshtar i lehtë për Holandën, kështu nuk ndodhi, pasi që sllovakët ishin mjaftë solidë në këtë përballje.
Megjithatë një dalje e gabuar e portierit Mucha në fund të ndeshjes (84’), shoi shpresat e Sllovakisë për barazim, pasi që Holanda realizoi edhe golin e dyte me anë të Sneijder, i cili u asistua nga Dirk Kuyt.
Në minutat shtesë të takimit, u akordua penallti në favor të Sllovakisë, që e shndërroi në gol Robert Vittek.
Në çerekfinale, Holanda do të luajë kundër fituesit të takimit mes Brazilit dhe Kilit, që zhvillohet të hënën mbrëma.
Milani është duke planifikuar transferimin e sulmuesit të Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ndërsa për ta bërë këtë, Rossonerët duket se kanë një strategji të qartë.Sport shkruan se presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, e di se Ibrahimovic kushton 50 milionë euro dhe për këtë arsye ka urdhëruar drejtorët e klubit që t’i shesin lojtarët e panevojshëm për të grumbulluar mjete për transferimin e suedezit.
Milani tashmë ka shitur portierin Marco Storari për 4.5 milionë euro, ndërsa ‘sëpatës’ rossonere pritet t’i nënshtrohen dhe Klaas-Jan Huntleaar e Matheiu Flamini, për të cilët Milani shpreson të fitojë rreth 20 milionë euro.
Agjenti i sulmuesit të Sevillas, Luis Fabiano, ka pranuar se ai nuk ka biseduar me zëvendëspresidentin e Milanit, Adriano Galliani, që një vit të tërë, pohime të cilat e bëjnë Manchester Unitedin favorit për firmën e Fabianos.“Kontrata e Fabianos me Sevillan vlen edhe për një vit, kështu që Sevilla ose duhet ta shesë atë tani ose t’ia vazhdojë kontratën. Përndryshe, ata do ta humbin Fabianon si transfer të lirë vitin e ardhshëm. Natyrisht, shumë varet dha nga paraqitjet e tij”. “Galliani? Ka një vit që nuk kam biseduar me të dhe unë nuk u besoj spekulimeve para se ato të realizohen”, ka thënë Jose Fuentes, pas deklaratës së djeshme të Fabianos, i cili tha se preferon të kalojë te Manchester Unitedi apo te Milani.
Barcelona ka në shënjestër mesfushorin e talentuar gjerman të Werder Bremenit, Mesut Ozil.Mënyra se si Ozil e ndau përgjysmë mbrojtjen e Anglisë në sfidën e 1/8 së finales, ka bërë që Barcelona të çmendet pas tij, ndërsa nuk mungon as interesimi i klubeve tjera.
Sport shkruan se Barca do ta përdorë Aliaksandar Hlebin si mjet për transferimin e Ozil nga Werderi, pasi që Hleb është shumë i pëlqyer nga drejtuesit në Wesser Stadion.
Futbollistët e Liverpoolit do të mirëprisnin emërimin e Roy Hodgson si menaxher të ri të skuadrës.News of the World pohon se Fernando Torres, Steven Gerrard dhe Jamie Carragher do të mbështesin emërimin e Hodgson si menaxher të klubit.
Futbollistët e Liverpoolit që nuk janë në Botëror, do të kthehen të premten në stërvitjen e parë parasezonale, ndërsa deri atëherë pritet që Hodgson edhe zyrtarisht të emërohet trajner i Të Kuqve.
Hodgson do të duhet të bisedojë seriozisht me Gerrardin dhe Torresin për t’u treguar atyre planet që ka me Liverpoolin, në mënyrë që ata të qëndrojnë në Anfield.
Milani mund të jetë shumë pranë shitjes së sulmuesit holandez Klaas-Jan Huntelaar te klubi turk Fenerbahce, pasi që këta të fundit kanë rritur ofertën e tyre prej 18 në 23 milionë euro.TMW njofton se ekipi turk është shumë serioz sa i përket transferimit të sulmuesit, ndërsa Milani tani është duke e shqyrtuar shitjen e tij, pasi që do të përfitonte 8 milionë euro duke qenë se holandezin e bleu për 15 milionë euro nga Real Madridi.
Sidoqoftë, thuhet se Huntelaar nuk dëshiron të kalojë në Superligën Turke dhe dëshiron të konkurrojë me sulmuesit tjerë për pozitën startuese në Milanello.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka pranuar se ai dëshiron të bëhet përzgjedhës i kombëtares angleze.Shumë emra kanë filluar të lakohen si pasardhës të mundshëm të Fabio Capellos, të cilit sipas të gjitha gjasave do t’i tregohet dera.
“FA ka menaxherin dhe derisa nuk shkarkohet ai është vështirë të flasim për atë post. Por, unë jam anglez, pse të mos e drejtoj Anglinë?”.
“Nuk ka anglez që do të refuzonte të drejtonte vendin e vet, pa marrë parasysh a jam unë, Roy Hodgson apo Sam Allardyce. Askush nuk do ta refuzonte kurrë atë post”, ka thënë Redknapp për talkSport.
Eliminimi më skandaloz i të gjitha kohërave për kombëtaren franceze, ka lënë shije jashtëzakonisht të hidhur te vet aktorët, ndërsa Florent Malouda që është njëri nga fajtorët, thotë se fushata e Francës në këtë Botëror ka qenë qesharake.“Kurrë nuk kam boksuar, por është sikur të jem boksuar. Është sikur të marrësh një goditje në kokë. Ne e dimë se ka mbaruar dhe pa marrë parasysh rrethanat, ne të gjithë jemi të përfshirë këtu. Ishte qesharake. Është një ndjenjë që kurrë nuk dua ta përjetoj përsëri”.
“Ne kemi menduar se nuk mund të shkojmë më poshtë. Por, ishte fundi i fundit, ne ishim krejtësisht në fund. Ne e kemi kuptuar se kemi rënë shumë poshtë”, ka thënë Malouda për Stade 2.
Mesfushori i Anglisë, Frank Lampard, ka këmbëngulur se ai nuk do të pensionohet nga kombëtarja, pas eliminimit turpërues nga Botërori.“Unë dua të vazhdoj të luaj me Anglinë, mendoj se do të ketë shumë debate për këtë, por jo vetëm për mua. Është me rëndësi që futbollistët të shkojnë përpara dhe të mos dëgjojnë këto debate, dhe të koncentrohen në punën e tyre. Këto debate janë të mira për njerëzit të cilët janë të përfshirë në këso lloj gjërash, por aktualisht ato nuk e bëjnë diferencën”.
“Ne do të tentojmë të vazhdojmë, kjo është ajo që duhet të bëjmë. Të gjithë nuk mund ta fitojnë Botërorin, vetëm një, të tjerët shkojnë në shtëpi, kështu që ne duhet të punojmë”, theksoi Lampard duke mohuar të vazhdojë të flasë për eliminimin, nga zhgënjimi i madh që e ka kapluar.
Zëdhënësi i FIFA-s, Nicolas Maingot, ka thënë se FIFA nuk ka ndërmend të shqyrtojë apo dëgjojë ndonjë prej ankesave dhe kërkesave që do të vijnë në drejtim të saj për përdorimin e teknologjisë, pas rasteve kontroverse në ndeshjet e të dielës.“Ne nuk kemi ndërmend ta shqyrtojmë teknologjinë në vijën e golit, por do të vazhdojmë me eksperimentet për dy gjyqtarë shtesë prapa golit. Nuk mendoj se futbolli dallon nga sportet tjera dhe jo të gjitha sportet përdorin teknologjinë. FIFA nuk punon për referim pas vetëm një rasti, FIFA po punon në referim me vite të tëra me federatat e të gjitha vendeve”, ka thënë Maignot.
Për incidentin në ndeshjen Argjentinë-Meksikë, pas atij rasti kontrovers kur u pranua goli në pozitë jashtë loje i Tevez, të cilin e kishte shfaqur regjia e stadiumit në ekrane gjigante, gjë që zgjoi dhe reagime të shumta të lojtarëve meksikan, Maignot shprehet të jetë gabim që nuk do të përsëritet.
“Një aksion kontrovers është shfaqur në ekranet gjigante në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Soccer City. Kjo nuk duhet të ndodhë. Ekranet gjigante janë për informim dhe argëtim, por jo për shfaqjen e rasteve kontroverse. Kjo është shqyrtuar nga një ekip i tërë dhe kjo ka funksionuar. Në mbrëmjen e të dielës ishte një gabim. Ne do të punojmë për këtë, që ndeshjet në vijim të jenë sa më precize”, deklaroi Maingot.
Milani është i gatshëm të transferojë ish-mesfushorin e Chelseat, Joe Cole, i cili është transfer i lirë pasi përfundoi kontratën me blutë.Il Corriere dello Sport pohon se ky interesim i Milanit vjen për shkak se Joe Cole mund të transferohet pa shpenzuar asnjë cent. Megjithatë, thuhet se për të janë të interesuara shumë skuadra të Ligës Premier, ndër to edhe Tottenhami i Harry Redknapp, i cili është dhe favorit për transferimin e anglezit.
Rosonerët për Cole do të kenë konkurrent si zakonisht Interin, Lazion dhe Juventusin. Nga ana tjetër, pas deklaratës së djeshme të Fabianos se ai mund të bashkohet me Milanin ose Unitedin, mësohet se marrëveshja me Rosonerët është arritur, por problemi qëndron te Sevilla, që nuk po heq dorë nga çmimi prej 20 milionë euro.
Kapiteni i Gjermanisë, Philip Lahm, ka thënë se Anglia e ka nënvlerësuar Gjermaninë, ndërsa pikërisht për këtë sipas tij edhe u eliminua nga Botërori.“Ndoshta Anglia nuk ishte e përgatitur për ndeshjen aq sa do të duhej të ishte. Ndoshta ata na nënvlerësuan sepse lojtarët tanë nuk janë aq të famshëm sa lojtarët e Anglisë. Arsyeja pse mbrojtja e tyre nuk arriti të ndalë lojtarët tanë, ishte për arsye se ne kemi sulmues shumë të mirë”.
“Ne e kemi ditur në pushim të pjesës së parë se nëse e lejojmë Anglinë të sulmojë, atëherë ne do të kemi rast për ta vendosur ndeshjen. Ishte shumë e rëndësishme për ne që të jemi të mirë në mbrojtje, sepse ne gjithmonë jemi të mirë në sulm. Ne mund të luajmë me pasime të shpejta dhe të shkurtra, ndërsa kemi një ekip shumë të mirë. Është një ekip i ri, por është një ekip i mirë. Anglia ka lojtarë të mirë, nuk janë dhe aq të vjetër. Ata kanë lojtarë të rinj prapa ekipit të parë, si p.sh Aaron Lennon”.
“Ne kemi trajnerë të mirë të fitnesit që na kanë përgatitur, jo vetëm për tri ndeshjet, por për tërë kampionatin. Ne jemi të gatshëm për gjithçka dhe jemi shumë të kënaqur”, deklaroi Lahm.
Ylli i Afrikës së Jugut, Siphiwe Tshabalala, ka folur për dëshirën e tij për të luajtur në Evropë me Wiganin, Hannoverin dhe PSG të interesuara për shërbimet e tij.“Unë jam transfer me parametra zero dhe është normale që njerëzit të interesohen për mua. Mendoj se kam pasur një Botëror mjaft të mirë, përkundër eliminimit në rrethin e parë. Kaiser Chiefs janë sjellë mirë me mua, por unë dua të luaj në Evropë”, theksoi Tshabalala për Sky Sports. Tshabalala ishte pjesë e përfaqësueses së Afrikës së Jugut, në Botërorin e sivjetmë dhe njëherësh është njeriu që e shënoi golin e parë të këtij Botërori.
Mesfushori i Spanjës, Andres Iniesta, ka deklaruar se kombëtarja spanjolle nuk mund të konsiderohet kandidat për ta fituar Kupën e Botës, në kohën kur Furia e Kuqe po përgatitet për t’u ndeshur me Portugalinë.“Kandidatë mund të quhen ato skuadra që i kanë bërë gjërat si duhet deri tani, ndërsa Spanja nuk e ka bërë këtë. Nuk e di nëse Messi është i padukshëm, por them se argjentinasit janë me fat që e kanë atë. Ai është lojtar i mrekullueshëm”.
“Ne kemi shkëmbyer mesazhe, ende nuk e kam parë Messin, por koha do të vjen. Siç po e shoh për momentin, ai po lë përshtypje të mirë se është në gjendje mjaft të mirë”, ka thënë Iniesta.
Bosi i Fulhamit, Roy Hodgson, ka këmbëngulur që t’i garantohen investimet për të forcuar Liverpoolin këtë verë, para se të nënshkruaj si trajner i ri, shkruajnë mediat angleze.Liverpooli pritet që së shpejti t’ia shkëpusë kontratën Hodgsonit me Fulhamin, për ta zëvendësuar atë me të larguarin Benitez. Megjithatë, The Mirror shkruan se Hodgson ka kërkuar që t’i garantohen të holla të mjaftueshme për të hyrë në tregun e transferimeve, në mënyrë që ta përforcojë skuadrën dhe gjithë kjo para se të nënshkruaj si trajner i ri.
Hodgson është i brengosur për situatën financiare të Liverpoolit, që ka borxhe prej më se 400 milionë funte. Nëse Hudgson kalon te Liverpooli, ai pritet të zëvendësohet te Fulhami nga Sven Goran Eriksson, që javë më parë dha dorëheqje nga posti i trajnerit të Bregut të Fildishtë.
Real Madridi është i interesuar në anësorin e Benficas dhe Portugalisë, Fabio Coentrao.Record shkruan se për mbrojtësin e krahut të majtë po interesohen shumë skuadra të mëdha evropiane, pas paraqitjeve impresive të portugezit.
Sipas spekulimeve transferimi i mbrojtësit të majtë serb Aleksandar Kolarov është i pamundur dhe për këtë arsye madrilenët tani e kanë përqendruar vëmendjen tek Coentrao, për të cilin Benfica kërkon hiç më pak se 30 milionë euro.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, ka deklaruar se ai është duke pritur një ndeshje të vështirë ndaj Portugalisë, duke reflektuar në mbrojtjen e fortë si forcë të vërtetë të ekipit të Carlos Queiroz.“Ata janë ekip i mrekullueshëm, duke përjashtuar Ronaldon. Ronaldo është një nga më të mëdhenjtë, por Portugalia nuk ka pranuar asnjë gol të vetëm në Botëror. Është ekipi i vetëm që nuk ka pranuar asnjë gol. Kjo do të thotë se kanë ekip mjaft solid dhe jo vetëm individë të mëdhenj”.
“Ata e bazojnë lojën e tyre në fortifikimin defensiv dhe në lojën e shpejtë me kundërsulme. Ata kanë gjithashtu shumë lojtarë teknik. Ne po i hyjmë një ndeshjeje tjetër të vështirë, por të gjitha ndeshjet tani janë të vështira, pasi që ekipet më të mira kanë mbetur. Çdo ndeshje tani është gjithçka apo asgjë dhe kjo do ta sjellë më të mirën nga secili”, deklaroi Del Bosque për AS.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka publikuar planet që ka për këtë afat kalimtar veror, përderisa është duke punuar në një ekip sa më efektiv të Juventusit.“Ne po punojmë drejt të pasurit një ekip më konkurrues. Por, nuk duhet të harrojmë edhe parametrat financiar. Ndoshta na munguan rezultatet vitin e kaluar, por puna e madhe vazhdon. Juventusi mund të luajë mirë dhe t’u kthehet fitoreve”.
“Bonucci? Nuk ishte e lehtë ta bindim Barin dhe Genoan që të lirojnë Bonuccin. Ne jemi të kënaqur sepse mbrojtësi vlen aq sa kushton. Krasic? Ne i kemi bërë ofertë CSKA Moskës, por ata nuk e pranuan. Tani ne shohim vetëm punët tona”, deklaroi Marotta për La Gazzeta dello Sport.
Ish-mesfushori i Chelseat, Joe Cole, që tani është në kërkim të një skuadre të re si transfer i lirë, ka thënë se largimi i tij nga Chelsea është si pasojë e arsyeve politike.“Sezoni im për Chelsean nuk ishte i mirë, për çfarë besoj se kishte më shumë arsye politike se sa futbollistike. Më pëlqen Carlo Ancelotti dhe kam respekt të madh për të. Largimi im nuk është për shkaqe financiare dhe nuk ka të bëjë asgjë me Ancelottin. Ai më pëlqen dhe mendoj se ai është një top djalosh dhe top menaxher. Unë e doja kohën time te Chelsea dhe i dua ende tifozët, por është një tregim për ndonjë ditë tjetër dhe unë do ta tregoj. Por, tani nuk është koha për këtë”.
“Tani dua disa javë pushim, që të vendosi për të ardhmen sa më shpejtë që është e mundur dhe që të shkoj në pushime me familjen time. Sezonin e ardhshëm dua të jem në formë fantastike si për Anglinë, ashtu dhe për klubin në të cilin do të luaj. Kudo që do të shkoj, do të jetë një vendim futbollistik. Unë dua të luaj në një pozitë më qendrore dhe dua një menaxher që ka besim në mua. Tani po flas për futboll në nivel të klubit”.
“Është një vendim i madh për mua dhe familjen por unë jam i hapur për gjithçka për momentin. Unë nuk kam biseduar me asnjë palë të interesuar në Afrikën e Jugut, pasi që kjo nuk do të ishte e drejtë për Anglinë. Telefoni im ishte i shkyçur dhe tani ka ardhur koha të vendosi për të ardhmen”, u shpreh Cole për The Guardian.
Bayern Munich thuhet se është duke e monitoruar situatën e sulmuesit Dimitar Berbatov te Manchester United.Berbatov raportohet se mund të largohet nga Old Trafford gjatë kësaj vere pas disa sezoneve të dështuara, dhe Daily Star shkruan se Bayerni është i interesuar të transferojë sulmuesin bullgar.
Bayerni raportohet se ka bërë gati 14 milionë funte për ish-sulmuesin e Tottenhamit, ndërsa në mesin e të interesuarve për të marrë shërbimet e tij thuhet se është edhe Milani.
Sulmuesi i Argjentinës, Carlos Tevez, ndoshta ka shënuar një dygolësh të rëndësishëm ndaj Meksikës, por ai ka filluar të mendojë menjëherë për Gjermaninë.“Është një hap me rëndësi drejt finales dhe fitimit të trofeut. Ne jemi në çerekfinale dhe jam shumë i kënaqur”.
“Populli argjentinas po kënaqet me këtë Botëror dhe ka çdo të drejtë për të festuar. Ne duhet të mendojmë për të pushuar dhe për të qenë të freskët për ndeshjen e ardhshme ndaj Gjermanisë”, theksoi Tevez.
Trajneri i ri i Milanit, Massimiliano Allegri, është i ngazëllyer nga mundësia që të punojë me dyshen braziliane Ronaldinho dhe Alexandre Pato.Allegri ishte i njohur për futbollin e tij atraktiv në Cagliari dhe synon të nxjerrë më të mirën nga dy yjet brazilianë, edhe pse Ronaldinho dhe Pato që të dy ishin lënë jashtë Kupës së Botës.
“Ne kemi nevojë të fillojmë përsëri me entuziazëm dhe motivim të freskët. Dyshoj se ka lojtarë në Milan, të cilët vetëm japin minimumin sa për t’u larguar”.
“Ronaldinho është një lojtar fantastik dhe klubi nuk do ta shesë atë. Së bashku ne do të gjejmë motivim të ri, që nuk është i përfaqësuar nga ëndrra e tij për Kupën e Botës. Ai mund të luajë kudo me atë kualitet, në krah ose prapa sulmuesve. Sa i takon Pato, pres që ai të piqet mirë këtë vit”, ka thënë Allegri.
Gjiganti italian, Juventus, raportohet se është i interesuar të transferojë mbrojtësin e Olympique Marseille, Taye Taiwo.Me Nigerinë që tashmë është jashtë Kupës së Botës, Taiwo është i lirë për të menduar opsionet e tij për largim nga Marseille.
Taiwo së fundi është lidhur me ribashkim me ish-bashkëlojtarët Lorik Cana dhe Boudewijn Zenden te Sunderlandi, por ai është edhe dëshirë e trajnerit të Juventusit, Gigi del Neri.
Franz Beckenbauer ka komentuar edhe një herë për ndeshjen Angli – Gjermani, duke e quajtur fitoren e madhe të Gjermanisë si fitore të paralajmëruar nga ai.Legjenda gjermane e futbollit disa ditë më parë tha se Anglia është e lodhur dhe e dobët, komente të cilat nxitën shumë reagime te anglezët. Mes shumë personave që kritikuan Beckenbauer ishte edhe kapiteni i lënduar, Rio Ferdinand, i cili tha se gjermani do t’i ‘hajë fjalët’. Por nuk doli kështu.
“E paralajmërova këtë disa ditë më parë, askush nuk më besoi. Anglia ishte e dobët, ata nuk kanë arritur kurrë t’ia dalin me stilin tonë të lojës. Ne e kemi thyer përgjysmë Anglinë. Ne thjesht ishim më të mirët në çdo aspekt”.
“Anësori vërtetë duhet ta sheh golin që e ka anuluar. Ishte një gol i pastër. Fatmirësisht, ne shënuam dhe dy gola tjerë, pasi që atëherë do të kishte shumë diskutime për atë gol. Përkundër këtij goli, unë jam kategorikisht kundër teknologjisë në futboll. Pa marrë parasysh sa keq ishte, futbolli është për dramë, futbolli nuk është i përkryer. Madje edhe futbollistët bëjnë shumë gabime dhe kjo është ajo që i jep emocion këtij sporti”, deklaroi Beckenbauer.
Bayern Munich raportohet se dëshiron të bëjë ofertë për anësorin e Portsmouth, Nadir Belhadj.Me Portsmouth që në sezonin e ri do të garojë në ligën e dytë angleze, një morri yjesh të këtij klubi janë lidhur me një largim, përfshirë edhe Belhadj.
Sipas gazetës britanike Daily Star, anësori i kombëtares së Algjerisë është caku i ri i kampionit të Bundesligës, Bayern Munich.
Bayern, që humbi në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit pasi fitoi edhe ligën edhe Kupën e Gjermanisë, është në kërkim edhe të një mbrojtësi të majtë dhe një sulmuesi.
Klubi i kryeqytetit italian Lazio, është duke e kërkuar anësorin e Newcastle United, Jonas Gutierrez.Siç shkruajnë mediat angleze gjiganti italian dëshiron të bëjë ndryshime të dukshme në ekip gjatë kësaj vere, pas sezonit të kaluar që ishte për t’u harruar.
Trajneri i Lazios, Edy Reja, e vlerëson shumë njëshin argjentinas dhe e ka në listën e transferimeve për këtë verë. Në anën tjetër një varg lojtarësh pritet të largohen nga klubi, për të bërë vend për arritjet e reja.
Përzgjedhësi i Meksikës, Javier Aguirre, ka fajësuar dy gabimet gjatë ndeshjes për eliminimin e skuadrës së tij nga Argjentina.“Në minutat e para ne ishim superiorë. Por, më pas pranuam një gol që ishte pozitë e pastër jashtë loje dhe më pas ndodhi ai gabimi në mbrojtje. Dy gabimet bënë diferencën dramatike në këtë takim. Ne u çorientuam nga goli i parë, na mungoi fuqia mentale dhe përqendrimi për të tejkaluar gabimin që nuk ishte i yni, ndërsa më pas pranuam dhe golin e dytë”.
“Ne kemi një gjeneratë të mrekullueshme të lojtarëve të rinj dhe duhet ta vëmë më të mirën e mundshme në përdorim, unë besoj se pas katër vitesh ata do të jenë në maje”, ka thënë Aguirre.
Trajneri i ri i Wolfsburg, Steve McClaren, raportohet se është i interesuar të transferojë sulmuesin e Manchester Cityt, Craig Bellamy.Burime nga Britania e Madhe thonë se McClaren shpreson t’i japë mundësinë sulmuesit uellsian të ndërtojë një karrierë të bujshme në Gjermani.
Bellamy është një lojtari i cili McClaren mendon se mund të zëvendësojë Edin Dzeko, i cili në mënyrë ironike është një prej emrave të mëdhenj në listën e Cityt, si edhe të Milanit dhe Real Madridit.
Dzeko, i cili vlerësohet rreth 30 milionë euro, mund t’i bashkohet Cityt në shkëmbim të Bellamy dhe një shume të konsiderueshme të parave.
West Ham United pritet që gjatë kësaj jave të finalizojë transferimin e portierit nigerian Vincent Enyeama.Portieri i Hapoel Tel Aviv tashmë një kohë është lidhur me një kalim në Upton Park, me menaxherin e ri të ekipit, Avram Grant, që njihet si një admirues i tij. Enyeama bëri një paraqitje impresive për kombëtaren e tij në grupin B të Kupës së Botës, edhe pse Nigeria dështoi të kualifikohet më tej.
“Pres të dëgjoj ofertat gjatë javës në vazhdim. Është natyrale. Çdokush dëshiron të ecë para në jetë andaj, dukshëm, edhe unë dua të lëviz në vende të ndryshme”, ka thënë Enyeama për News of the World.
28-vjeçari më herët është spekuluar për një kalim në Arsenal, Hull City dhe Wigan Athletic.
















