Sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, i ka hapur dyert për një kalim të mundshëm te Arsenali, mirëpo është agjenti i tij Mino Raiola ai që i mbyll ato.
Balotelli ishte në Milano të martën në mëngjes për t’iu nënshtruar testit të maturës, ndonëse pyetja kryesore ishte për të ardhmen e tij, e për të cilën ai u shpreh, “Nuk e di nëse do të qëndroj te Interi, do të shohim. Arsenali? Jam i kënaqur që pëlqehem nga Arsenali. Nuk e di nëse ka pasur kontakte, pyeteni agjentin tim”.
Pas largimit të Balotellit nga mediat me veturën e tij sportive Audi, ishte e shpejtë përgjigja e agjentit Mino Raiola, që theksoi, “Nuk mendoj se Balotelli është në treg, por nuk e di nëse Interi do t’ia jap mundësinë të luaj”.
Gjiganti rus Zenit St. Petersburgut është duke e shqyrtuar transferimin e sulmuesit të Juventusit, Vincenzo Iaquinta gjatë këtij afati kalimtar veror.
Il Corriere dello Sport shkruan se Zeniti është në kërkim të një sulmuesi, ndërsa kohë më parë ishte lidhur dhe me sulmuesin tjetër italian, Fabio Quagliarella, por tani duket se vëmendja është kthyer kah Iaquinta.
Sipas spekulimeve, Zeniti tashmë ka kërkuar nga Juventusi që të fillojnë bisedimet për një transferim të mundshëm, por rusët pritet të përballen me Tottenhamin, që gjithashtu është i interesuar në ish-sulmuesin e Udineses.
Manchester City ka vendosur të shpenzojë rreth 100 milionë funte në transferimin e mesfushorëve, Yaya Toure dhe David Silva, ashtu si për transferimin e sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko.
Toure është buzë kalimit te City për 28 milionë funte dhe pritet që së shpejti edhe zyrtarisht të bashkohet me vëllain e tij Kolo Toure. Silva aktualisht është me Spanjën në Botëror, por sipas spekulimeve të djeshme, Valencia është pajtuar që ta lë yllin e saj të largohet për 30 milionë funte plus Santa Cruz.
City gjithashtu është në studim të ofertës për sulmuesin boshnjak Edin Dzeko, i cili ishte impresionues në dy sezonet e fundit. Transferimet e Silvas dhe Toures, kanë bërë që transferimi i James Milner nga Aston Villa të mos konkretizohet.
Agjenti i yllit gjerman, Mesut Ozil, ka thënë se mesfushori i Werder Bremenit, do të dëshironte të kalonte te Barcelona.
“Po, ai është tifoz i Barcelonës që nga mosha 12 ose 13 vjeçare. Ai e ka thënë këtë gjashtë muaj para fillimit të Botërorit, por tani të gjithë flisni për të. Ai tani është i fokusuar në Botëror dhe nuk i interesojnë gjërat tjera. Ai ka edhe një vit kontratë me Werderin dhe nuk dua të komentoj më tutje”, ka thënë Reza Fazelli.
Ozil ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme me paraqitjet e tija sensacionale, duke bërë që klubet më të mëdha evropiane të vihen në kërkim të tij.
Roma është duke e menduar transferimin e mbrojtësit japonez, Yuto Nagatomo nga FC Tokyo.
Il Messaggero shkruan se Giallorosët janë në treg për një mbrojtës të ri, që do të ishte mbulesë për John Arne Riisen e pazëvendësueshëm.
Sipas spekulimeve nga Italia, Roma është vënë në kërkim të Nagatomos pasi dështoi të transferonte Roberto Carlosin e Corinthians. Nagatomo, vetëm 23 vjeçar, ka shkëlqyer për Japoninë në Botëror, duke tërhequr interesim nga mbarë Evropa.
Interi raportohet se i ka rritur kërkesat për mbrojtësin e krahut të djathtë, Maicon, që po kërkohet me ngulm nga Real Madridi, pasi ka kërkuar Xabi Alonson dhe gjashtë milionë euro.
Il Corriere dello Sport pohon se Florentino Perezit i pëlqen kjo ide dhe se ai shpreson që kjo marrëveshje të finalizohet menjëherë, duke pasuar kështu ardhjen e Angel Di Marias nga Benfica, për të cilin spekulohet se klubi portugez ka fituar 30 milionë euro dhe jo 25 milionë, ashtu siç kishte konfirmuar Reali.
Për Rafa Benitezin ende mbetet prioritet transferimi i Javier Mascheranos, por ai do të dëshironte që të ribashkohej dhe me Xabi Alonson, pas sukseseve te Liverpooli. Tani mbetet të shihet nëse Jose Mourinho është i gatshëm të heqë dorë nga Alonso për ta transferuar Maiconin.
Spekulimet tjera thoshin se Interi dhe Real Madridi nuk pajtohen për shumën prej 35 milionë eurosh që kërkonte Interi, por tani me përfshirjen e Alonsos thuhet se marrëveshja është shumë pranë arritjes.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka thënë se ka qenë koha e duhur që Rafa Benitez të largohej nga Liverpooli.
“Në këtë pikë unë mendoj se largimi i tij ishte i mirë për të gjithë. Ai fitoi gjithçka dhe vitin e fundit ata kërkuan shumë nga ai”, theksoi Torres për AS.
Torres po spekulohet se mund të bashkohet me Rafa Benitezin te Interi.
Presidenti i Milanit raportohet se dëshiron të rikthejë ish-sulmuesin Oliver Bierhoff në San Siro, kësaj here në cilësinë e drejtorit sportiv.
42-vjeçari është duke punuar me kombëtaren gjermane në një pozitë të krijuar për të nga Jurgen Klinsmann dhe Joachim Low, por prania e tij ka krijuar mosmarrëveshje në FA.
Ai do të jetë i lirë përsëri pas Kupës së Botës dhe mediat gjermane shkruajnë se Berlusconi dëshiron t’i shfrytëzojë aftësitë e tij si drejtor.
Mendohet se Berlusconi dëshiron ta mbulojë pozitën që dikur mbulohej nga Leonardo, i cili më pas u bë trajner i Milanit.
Mesfushori argjentinas, Ezequiel Lavezzi, thotë se ai është lojtar më i mirë falë përvojës në Napoli.
“Jam një lojtar më i pjekur në Napoli dhe e gjej veten shumë mirë. Dua të qëndroj atje”, ka thënë Lavezzi.
Lavezzi aktualisht është rikthyer në Argjentinë për të vizituar vendin ku është rritur me një iniciative bamirëse që ndihmon fëmijët e paprivilegjuar.
“Kam lindur këtu dhe nuk e kam harruar fëmijërinë time të vështirë. Tash, po shijoj dashurinë e familjes time dhe një pushim të paktë”, ka thënë më tej argjentinasi.
Kombëtarja e Spanjës ka shënuar fitore prej 1-0 përballë Portugalisë, në takimin e fundit të të tetës së finales së Kampionatit Botëror.
‘Furia e kuqe’ ishte skuadër dukshëm më e mirë gjatë gjithë ndeshjes, mirëpo portugezët arritën që të mbroheshin mirë për më shumë se një orë lojë.
Sulmuesi i ri i Barcelonës, David Villa, pas disa tentimeve, më në fund arriti ta mposhtë portierin Eduardo për të zhbllokuar rezultatin (63’).
Deri në fund të takimit, Portugalia nuk arriti që së paku të siguronte vazhdimet, kështu që përshëndetet nga Botërori që në këtë fazë.
Në çerekfinale, Spanja do të luajë kundër Paraguait që eliminoi Japoninë pas penalltive.
Gjyqtari më i mirë anglez, Howard Webb, ka thënë se ai është i hapur për përdorimin e teknologjisë në vijën e fatale të golit.
“Jam i hapur për gjithçka që na bën më kredibil si gjyqtarë. Cilatdo mjete që do të më ofrohen, unë do të mundohem t’i përdori në mënyrën më të mirë. Është në dorë të njerëzve tjerë të marrin këto vendime. Unë e di se bordi i asociacionit ndërkombëtar të futbollit do ta shqyrtojë këtë dhe të shohim nëse do të ketë të reja dhe cilat do të jenë vendimet e tyre”.
“Ne gjithmonë do të ndihmojmë në përmirësimin e futbollit. Unë jam një besimtar i fortë se futbolli në formën aktuale është një spektakël i mrekullueshëm, një lojë vërtet e bukur”, theksoi Webb.
Sulmuesi i Argjentinës, Carlos Tevez, ka refuzuar të pranojë çdo rezultat pos fitores së Argjentinës ndaj Gjermanisë, në sfidën e çerekfinales mes dy gjigantëve të shtunën.
“Pse të mos mendoj se mund të bëhem kampion? Çdo natë unë e mendoj këtë. Unë kam aq shumë uri për triumf, sa që nuk mund ta paramendoj pikëllimin e madh që do të kisha nëse nuk do ta fitoja Kupën e Botës. Nuk mund të mendoj për humbje të shtunën”, theksoi Tevez për Clarin.
26-vjeçari ishte golashënues i dyfishtë në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Meksikës, një nga pozita jashtë loje dhe një tjetër që konsiderohet si një nga golat më të bukur të kampionatit.
Sulmuesi i Holandës, Robin van Persie, ka mbrojtur qëndrimin e tij që e kishte ndaj trajnerit Bert van Marwijk, të cilin e kundërshtoi pse e zëvëndësoi gjatë takimit ndaj Sllovakisë.
“Çfarë i thash trajnerit nuk ishte e jashtëzakonshme. Unë vetëm dua të jem i rëndësishëm për ekipin dhe të shënoj gola. Unë kam dashur të luaj sepse e kam parë se mund të kem hapësirë për të shënuar, pasi që Sllovakia po kërkonte barazimin. Unë nuk kam shënuar gola dhe kjo më gërryen, edhe pse unë luajta mirë”, ka thënë Van Persie.
Holanda takohet me Brazilin në supersfidën çerekfinale të këtij Botërori.
Gjermania takohet të shtunën me Argjentinën në çerekfinale, ndërsa mbrojtësi i Pancerëve, Arne Friedrich, ka marrë pak kohë për të folur për Diego Armando Maradonan, për të cilin thotë se është i patejkalueshëm.
“Maradona është atraksioni i vërtetë, ai është ylli absolut. Edhe si lojtar, por edhe si trajner, ai është i patejkalueshëm. Ai për mua është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave dhe gjithmonë do të jetë kështu. Për këtë arsye, është natyrisht e mrekullueshme të masësh forcat me të në mënyrë indirekte dhe do të ishte edhe më e bukur po që se ne do të fitojmë”.
“Argjentina është favorite. Nëse bëni krahasime një në një, atëherë ata kanë lojtarë më të mirë, klasin e madh individual të Lionel Messit, Carlos Tevezit e kështu me radhë. Por, ne kemi një ekip që është në gjendje të gjejë zgjidhje kreative. Ne jemi të afërt si ekip dhe deri tani kemi treguar se mund të luajmë ndaj çdo ekipi”, është shprehur Friedrich.
Sipas disa studimeve, Gjermania ka 47 përqind gjasë që të mposhtë Argjentinën në çerekfinalen e të shtunës.
Sulmuesi i Sampdorias, Antonio Cassano, ka deklaruar se ai nuk e di nëse do ta ndryshonte fatin e Italisë në Botërorin, Afrika e Jugut 2010, pasi që ai nuk ishte ftuar nga Marcello Lippi.
“Unë jam në qiell, i lumtur që jam martuar. Nuk e di nëse gjërat do të shkonin ndryshe nëse unë do të isha në fushë”.
“Për shkak të fakteve, është e padobishme të hyj në këto debate kontroverse”, theksoi Cassano për Chi.
Përfaqësuesja e Paraguait ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror, pasi ka shënuar fitore kundër Japonisë, vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
Gjatë minutave të rregullta të takimit të dyja skuadrat zhvilluan një lojë thuajse të barabartë dhe i tillë ishte edhe rezultati pas 90 minutash.
Rezultati 0-0 i detyroi skuadrat që fitoren ta kërkojnë pas vazhdimeve, mirëpo edhe pas 120 minutash rrjetat heshtën.
Kështu, fituesi u vendos pas ekzekutimit të penalltive, me ç’rast më të saktë ishin futbollistët e përfaqësueses së Paraguait.
Në çerekfinale, Paraguai do të luajë kundër fituesit të supersfidës mes Spanjës dhe Portugalisë.
Ish-sulmuesi i Milanit, Oliver Bierhoff, ka reflektuar në problemet e kombëtares Italiane dhe në përgjithësi të futbollit italian, duke thënë se të gjithë kanë përparuar, ndërsa italianët kanë ngecur.
“Ekziston një problem teknik, një i kualitetit gjithashtu. Unë mendoj se italianët janë relaksuar në të kaluarën, njëherit kanë menduar se janë të mirë në nivelin taktik. Sidoqoftë, shumë kombëtare i kanë kuptuar problemet e tyre dhe kanë punuar për t’i zgjidhur ato”.
“Italia nga ana tjetër po fle dhe futbolli nuk e lejon këtë. Nuk dua të bëhem profesor, por duhet të jemi të sinqertë kur e analizojmë eliminimin nga Botërori. Mirëpo edhe personalitetet e mëdha i kanë munguar Italisë. Më pas kishte lëndime dhe lojtarë sezonalë të cilët e dënuan Italinë. Futbolli italian ka probleme që një kohë të gjatë”, u shpreh Bierhoff për La Gazzeta dello Sport. Ish-sulmuesi i Milanit, Oliver Bierhoff, ka reflektuar në problemet e kombëtares Italiane dhe në përgjithësi të futbollit italian, duke thënë se të gjithë kanë përparuar, ndërsa italianët kanë ngecur.
“Ekziston një problem teknik, një i kualitetit gjithashtu. Unë mendoj se italianët janë relaksuar në të kaluarën, njëherit kanë menduar se janë të mirë në nivelin taktik. Sidoqoftë, shumë kombëtare i kanë kuptuar problemet e tyre dhe kanë punuar për t’i zgjidhur ato”.
“Italia nga ana tjetër po fle dhe futbolli nuk e lejon këtë. Nuk dua të bëhem profesor, por duhet të jemi të sinqertë kur e analizojmë eliminimin nga Botërori. Mirëpo edhe personalitetet e mëdha i kanë munguar Italisë. Më pas kishte lëndime dhe lojtarë sezonalë të cilët e dënuan Italinë. Futbolli italian ka probleme që një kohë të gjatë”, u shpreh Bierhoff për La Gazzeta dello Sport.
Kupa e botës Policia në Johanesburg ka konfirmuar se hajdutët kanë plaçkitur zyrat e FIFA-s, me ç’rast kanë vjedhur disa kopje të Kupës së Botës.
Komisioneri kombëtar policor i Afrikës së Jugut, Bheki Cele, ka thënë për këtë incident se e kanë ditur se është plaçkitje dhe se janë duke e hetuar rastin.
La Repubblica pohon se kopjet e Kupës së Botës është dashur të përdoreshin në skenën qendrore në Soccer City të Johanesburgut, në finalen që zhvillohet më 11 korrik.
Policia gjithashtu ka konfirmuar se 316 persona, 207 prej tyre me origjinë nga Afrika e Jugut, janë arrestuar në lidhje me krimet e Botërorit që prej se filloi kampionati.
Ish-futbollisti i kombëtares angleze, Alan Shearer, ka thënë se fajtor për eliminimin e turpshëm të Anglisë nga Botërori është Fabio Capello dhe jo lojtarët e Anglisë.
“Kjo që do të them është gjëja më e keqe që mund t’i thuash një menaxheri, është sikurse lojtarët e Anglisë nuk dëshironin të luanin për të. Kishte diçka fundamentalisht të gabuar në shtabin anglez dhe vetëm ata që kanë qenë të pranishëm i dinë problemet reale dhe mund t’iu tregojnë të vërtetën. Nga jashtë, u duk sikurse skuadra ishte e burgosur. Kur ata dolën në skenë, ata u shfaqën të sëmurë, të papërgatitur dhe krejtësisht konfuz. John Terryt i shpëtoi diçka në deklaratën pas ndeshjes ndaj Algjerisë”.
“Unë nuk mund të jem kundër të huajve vetëm për arsye se Capello dështoi të na kualifikonte në çerekfinale. Unë kam thënë që nga emërimi i Sven Goran Eriksson se na duhet një përzgjedhës anglez. Ne kemi sjellë shumë trajnerë të suksesshëm, madje që kanë listë të gjatë të të arriturave në nivel të klubeve. Por ata i kanë dhënë pak kombëtares tonë. Unë mendoj se kemi mjaft lojtarë kualitativë të cilët mund të bëjnë shumë më shumë se që kanë bërë këtë Botëror. Pse dështuan ata?”.
“Unë e di se lojtarët duhet të pranojnë pjesën e tyre të fajit, por nuk pajtohem me faktin se ata janë të mbipaguar dhe nuk kujdesen mjaft sepse ata jetojnë me kokë në qiell dhe duken shumë të mbrojtur. Nuk më intereson nëse një lojtar paguhet 1 mijë apo 100 mijë funte në javë. Ai dëshiron të fitojë, dëshiron sukses në fushë dhe pas karrierës të shikoj në vitrinën e tij shumë medalje. Çfarë u duhet lojtarëve është atmosfera dhe përgatitja e duhur, gjë që nuk është e pranishme në kombëtaren angleze”.
“Unë i kam shikuar paraqitjet e Argjentinës dhe i krahasova ato me të tonat. Ndyshe prej Anglisë, ata kanë vuajtur derisa janë kualifikuar. Por, që prej fillimit të Botërorit ata janë shfaqur impresiv. Ata kanë në krye Diego Maradonën dhe shikoni si të doni, por ai nuk është strateg. Çfarë posedon ai është raporti i mirë me lojtarët. Ata e respektojnë atë dhe ai duket se është pjesë e ekipit, duke u kënaqur dhe festuar fitoret me pasion të madh. Nuk mendoj se këtë e kemi parë tek Capello dhe lojtarët e tij”, deklaroi Shearer.
Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Klose, ka thënë se Gjermania e ka ditur që në pesë minutat e para se Anglia nuk është e bashkuar.
“Mendoj se faktori kyç është prezantimi i vetes si ekip, si një bashkësi, ndërsa ky nuk mendoj se ishte rast te Anglia. Ne e kemi menduar këtë para ndeshjes, se çfarë mund të arrijë Anglia. Këtu hyn në lojë dhe plaga prej 40 viteve dështim. Ata kanë mundur të jenë ekipi që do të na i shuante ëndrrat e Botërorit, por në pesë, gjashtë apo shtatë minutat e para, ne e kuptuam se ‘hey, ata vërtetë nuk janë askund dhe ne mund t’i mposhtim sot’”.
“Gjithçka varet nga cilësitë e veçanta që kemi. Ju shihni çdo ditë në stërvitje dhe unë kam thënë disa herë më parë, është vendimtare të kesh besim në vete dhe të prezantosh veten si ekip i vërtetë në fushë. Mendoj se kjo na ndihmoi për t’ia marrë erën anijes angleze. Mendoj se ne ishim një ekip i vërtetë, ndërsa Anglia nuk ishte e tillë”, ka thënë Klose.
Rreth ndeshjes së radhës çerekfinale, Klose ka shtuar se Argjentina është favorite ndaj gjermanëve.
Barcelona ka konfirmuar se Yaya Toure do të ndjekë Thierry Henryn dhe do të largohet nga gjiganti katalunas këtë verë, me destinacionin e tij të radhës që sipas të gjitha gjasave do të jetë Manchester City.
Drejtori i klubit Joan Oliver ka konfirmuar se Henry do të largohet dhe atë në parametra zero, që pritet të kalojë te New York Red Bulls.
Në rastin e mesfushorit nga Bregu i Fildishtë, Oliver deklaroi se gjithë ajo që mungon është firma e Yaya Toures, pasi që Barca dhe City kanë arritur marrëveshje për transferimin e tij.
“Vendimi tani është në dorë të lojtarit dhe agjentëve të tij. Marrëveshja nuk po arrihet për shkak të kushteve nga ana e futbollit tek klubi i ri”, theksoi Oliver.
Përzgjedhësi i Kilit, Marcelo Bielsa, ka pranuar superioritetin e Brazilit, ndërsa me këtë u justifikua para kombit kilian, njëherësh duke refuzuar të komentojë mbi të ardhmen e tij.
“Ne kemi arritur në 1/8 e finales, eliminimi i ekipit është i justifikuar. Ndoshta kemi mundur të pësojmë një humbje më të lehtë, por superioriteti i Brazilit ishte shumë për ne. Ne nuk ishim në gjendje t’i ndalim ata”.
“Sa i përket të ardhmes time si trajner, tani nuk është koha të flas për këtë”, ka thënë Bielsa pas ndeshjes.
Arsenali raportohet se ka arritur marrëveshje me klubin francez Lorient për mbrojtësin Laurent Koscielny.
Arsene Wenger ka siguruar mbrojtësin francez të qendrës për 8.5 milionë funte, si zëvendësim të drejtpërdrejtë të William Gallas. Arsenali siguron lojtarin pas disa javësh negociata, pasi dy ofertat e mëhershme ishin refuzuar nga Lorient.
Koscielny, 24-vjeçar, do të nënshkruajë marrëveshje katërvjeçare e cila do t’i sjellë atij 25 mijë funte në javë. Ai do të mbulojë hapësirën e Gallas, i cili u largua nga Emirates pasi nuk dështojë të arrijë marrëveshje të re. The Sun shkruan se konfirmimi zyrtarë pritet të vijë pas disa ditësh.
Portieri i Anglisë, David James, beson se dështimi i Wayne Rooneyt për të shënuar për Anglinë në Kupën Botërore ishte për shkak se kundërshtarët e bllokonin lojën e tij.
“Nuk kam vërejtur mungesë të formës së tij. Ne kemi bërë disa goditje një ditë para ndeshjes dhe ai shkatërronte topin prapa meje. Shpresoja që kjo të përsëritet edhe në ndeshje”.
“Problemi i Wayne në këtë garë ishte se të gjithë kundërshtarët pritnin që ai të jetë i rrezikshëm dhe ata bënin gjithçka për të neutralizuar aftësitë e tij ofensive”, ka thënë James.
Palermo ka pranuar ofertën prej 28 milionë funte të Tottenhamit për dyshen Simon Kjaer dhe Edinson Cavani.
Një mori klubesh ishin lidhur me transferimin e dyshes mjaft të vlerësuar të Palermos, që pritet të largohen gjatë kësaj vere. Klube si Manchester United, Manchester City dhe Inter kishin shprehur interesimin për danezin Kjaer, derisa City dhe Wolfsburg interesoheshim për Cavanin.
Megjithatë duket se Tottenham është në vijë të parë, duke bërë ofertë për të dy lojtarët. Presidenti i klubit italian, Maurizio Zamparini, thotë se Spurs kanë ofruar 35 milionë euro për Kjaer dhe Cavani dhe kjo ofertë është shumë e mirë për t’u refuzuar.
“Tottenham ka bërë ofertë prej 35 milionë euro, një ofertë të cilën ne nuk mund ta refuzojmë, duke marrë parasysh se të dy lojtarët kanë shprehur dëshirë të largohen. Ne do t’i investojmë këto para. Mesfusha është shqetësimi im më i madh, derisa mbrojtja dhe sulmin e kemi të mbuluar mirë”, ka thënë Zamparini për Sky Italia.
Txiki Begiristian ka vendosur të japë dorëheqje nga posti i drejtorit sportiv të Barcelonës, pas ardhjes së presidentit të ri, Sandro Rosell.
Ish-mesfushori Blaugran ka kaluar shtatë sezone në rolin e tij të deritanishëm, ndërsa edhe zyrtarisht do të largohet më 30 qershor, konfirmoi drejtori Joan Oliver me anë të një komunikate. Me ardhjen e Rosell, që u zgjodh president një muaj më parë, Begiristain ka vendosur të largohet nga klubi.
“Begiristain dëshiron të falënderojë presidentin dhe të gjithë drejtorët për besimin që kanë treguar për të, ndërsa është i ngazëllyer me fjalët që ka marrë nga njerëzit të cilët e morën lajmin e largimit të tij. Mendimi i bordit të drejtorëve dihet dhe ky vendim i tij është prekës”, theksoi Oliver.
Në shtatë sezonet e tij në postin e drejtorit sportiv të Barcelonës, Begiristain ishte përgjegjës për transferimin e 38 lojtarëve dhe largimin e 35 të tjerëve.
Carlos Tevez ka pranuar se e ka ditur se ka qenë në pozicion jashtë loje kur e shënoi golin e parë në fitoren prej 3-1 të Argjentinës ndaj Meksikës.
“Në shikim të parë e pashë Rossetin duke më thënë se nuk ishte gol, por më pas e pashë shenjën që u pranua goli dhe unë fillova të gëzohesha dhe isha i lumtur. Unë e dija se ishte ofsajd, ishte një egoizëm, por kur ata thonë se është gol, atëherë për mua dhe ekipin gjithçka është në rregull”.
“Ekipi po përmirësohet në secilën ndeshje. Në secilën ndeshje po bëhet më i fortë dhe ne mund të fitojmë, ndërsa kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne mund ta fitojmë Kampionatin Botëror”, deklaroi Tevez.
Si zakonisht, Carlos Dunga kurrë nuk është i kënaqur me atë që ka arritur, duke kërkuar më shumë dhe më shumë. Pasi deklasoi Kilin, Dunga ka thënë se ai ka përmbushur anën kreative që kërkoi populli brazilian dhe njëherësh ka bërë thirrje për përmirësim.
“Ne duhet të përmirësohemi në të gjitha sektorët e lojës tonë, por ishte një ndeshje e mirë ndaj Kilit. Ne tashmë kemi thënë se po tentojmë të luajmë futboll të hapur që të gjithë duan ta shohin. Lojtarët luajtën mirë dhe ne bëmë shumë në sulm. Ne e dimë se Holanda është ekip i vështirë për t’u mposhtur, pasi që ka aftësi të mëdha teknike, ata e luajnë futbollin si jug-amerikanët”.
“Kartoni i Kakasë? Po, është problem. Nuk dua që Kaka të suspendohet, sepse lojtarët teknik po ndëshkohen ndërsa ata që bëjnë ndërhyrje nuk dënohen. Kjo filloi në fazën grupore dhe unë do të flas me Kakanë për këtë, nuk duam që të eliminohemi për shkak të kartonëve të verdhë. Nëse shikojmë në Kakanë, ai nuk luajti 90 minuta që pesë muaj, por ne e kemi kthyer atë ngadalë, gjithçka ishte planifikuar”, deklaroi pas ndeshjes Dunga.
Barcelona ka arritur të pajtohet me Thierry Henryn, që ta lejojë francezin të largohet nga Barcelona një vit pa skaduar kontrata e tij.
Henry nuk ka arritur të tregojë formën e tij të vërtetë në Barcelonë, me vetëm 4 gola në 21 paraqitje, duke u lënë nën hije nga Pedro. Pas transferimit të David Villës, Henry u ‘ngjit për muri’ pasi që radha në sulmin Blaugran është shumë e gjatë.
“Ishte një pozitë e veçantë për lojtarin dhe ne e kemi pranuar. Për Barcelonën kjo nuk është një marrëveshje e keqe, sepse e kemi shmangur pagimin e tij për sezonin e ardhshëm”, ka thënë drejtori Joan Oliver.
Kjo javë për Henryn ishte e stuhishme, pasi kombëtarja franceze u eliminua nga Botërori, e shoqëruar nga skandalet dhe përçarjet brenda në skuadër, në qendër të të cilave ishte vet Henry, që ishte dhe arsye pse e ftoi në takim presidenti Nicolas Sarkozy. Henry spekulohet se mund të kalojë te West Hami, apo te klubi i kampionatit amerikan MLS, New York Red Bulls.
Luis Fabiano ka thënë se Brazili ka filluar tani t’i shfaqë cilësitë që ka, duke u shprehur i bindur se me këtë lojë kombëtarja e tij është në gjendje ta mposhtë Holandën.
“Ne po luajmë mirë si ekip, ne po përmirësojmë posedimin e topit dhe jemi në gjendje të krijojmë një lojë të mirë. Holanda? Ne kemi zbuluar se kemi cilësi të mira dhe nëse luajmë kështu atëherë mund të shkojmë larg”.
“Milani? Nuk ka asgjë konkrete tani për tani. Më pëlqen futbolli italian, por gjithçka do të vendoset pas Kampionatit Botëror”, ka thënë Fabiano pas ndeshjes kundër Kilit, të cilën Brazili e fitoi me rezultat 3-0.
Anësori portugez, Sabrosa Simao, ka ngritur tensionin para ndeshjes mes dy rivalëve nga gadishulli Iberik, duke thënë se ai do të shfaqë vetëm respekt dhe asgjë më shumë në raport me kampionin aktual të Evropës.
“Në mënyrë që ta eliminojmë Spanjën, ne duhet të jemi agresivë dhe të luajmë fortë. Ne duhet t’i vjedhim topat shpejtë dhe sa më shpejtë që është e mundshme, ndërsa kjo do të na lejonte të luanim lojën tonë”.
“Ne kemi respekt për Spanjën, por nuk jemi të frikësuar. Ne po flasim shumë për Spanjën, por ne duhet të flasim edhe për Portugalinë. Duhet të kemi besim në vete dhe të kemi cilësinë në të sulmuarit”.
“Është një ekip i fortë, një ekip që i pëlqen të mbajë topin. Ka mobilizim të mirë dhe ka shumë pak dobësi. Ne duhet të tentojmë të jemi më të mirë se ata”, deklaroi Simao për AS.
Anësori uruguaian që e kishte anuluar golin e rregullt të Frank Lampardit gjatë ndeshjes së 1/8 së finales ndaj Gjermanisë, ka refuzuar të kërkojë falje.
Mauricio Espinosa është njeriu më i përfolur këto ditë, pasi ishte pjesë e një prej rasteve kontroverse në këtë Botëror, kur anuloi një gol, i cili ndoshta ka mundur ta ndryshojë rrjedhën e sfidës.
I pyetur nga London Evening Standard për incidentin, Espinosa tha: “Në rregull, por unë nuk mund të flas për ndeshjen”, ndërsa më pas i pyetur nëse dëshiron të kërkojë falje për gabimin, ai shtoi: “Jo. FIFA nuk më lejon të flas për ndeshjen. Është në rregullore”.
Real Madridi dëshiron të transferojë sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, ndërsa për shërbimet e tij do të ofrojë 40 milionë funte.
Tevez shkëlqeu te City sezonin e fundit, pas kalimit të tij kontrovers nga rivali Manchester United. 28 golat e tij dhe qëndrimi prej një luftëtari të vërtetë, e kanë bërë atë hero te tifozët.
Sipas Sport, Reali e ka vërejtur formën e tij dhe është i gatshëm t’i ofrojë pagë prej 180.000 funte në javë, vetëm e vetëm që ta transferojë në kryeqytetin spanjoll.
Tevez në sulmin e Realit do ta kishte partner Gonzalo Higuainin, me të cilin edhe ashtu është partner te kombëtarja argjentinase.