Javier Aguirre ka hequr dorë nga posti i trajnerit të Meksikës, pas eliminimit të skuadrës së tij nga Kampionati Botëror.
Meksika u mposht me rezultat 3-1 nga përfaqësuesja e Argjentinës, ndërsa tre ditë pas eliminimit, Aguirre ka dalë në një konferencë për shtyp për të konfirmuar largimin e tij nga përfaqësuesja.
“Më duhet të largohem, është gjëja më e sinqertë që mund të bëj. Gjithçka që kam bërë e kam bërë me mendimin më të mirë për Meksikën. Tash e ardhmja është në duart e futbollistëve të rinj”, është shprehur trajneri.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, e ka bërë të qartë se asgjë më pak se 40 milionë euro nuk mund ta bindë atë që ta lëshojë sulmuesin e ri, Mario Balotelli.
Njoftohet se Arsenali dhe Manchester City janë të interesuar për shërbimet e sulmuesit italian, ndërsa bosi i zikaltërve thotë se për ta transferuar 19-vjeçarin ata duhet të paguajë.
“Mi sillni 40 milionë euro dhe Balotelli mund të largohet”, citohet të ketë thënë Moratti për Sportmediaset.
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Neville, ka drejtuar gishtin kah futbollistët e Anglisë, si fajtorët kryesorë për dështimin e Tre Luanëve në Kampionatin Botëror.
“Anglia është eliminuar nga Botërori dhe befasi, befasi, ne po flasim për shkarkimin e përzgjedhësit. Nëse ky ishte reagimi i pritur nga unë prej tifozëve dhe të tjerëve, atëherë unë jam i zhgënjyer edhe pse jo i shokuar, duke e njohur Federatën Angleze të Futbollit (FA). Dy javë kanë mbetur për të vendosur të ardhmen e Capellos, kishte thënë më duket drejtori menaxhues i Anglisë, David Bevington”.
“Kjo është kombëtarja e njëjtë, që na bëri aq krenarë 28 ditë më parë dhe që e ka detyruar po këtë federatë t’ia zgjasë kontratën. Një minutë këta djelmosha po flasin për klasin botëror të Capellos, tani atyre u duhet dy javë për të vendosur nëse ai mbetet përzgjedhës i Anglisë. Çfarë janë duke pritur ata, të shohin çfarë shkruajnë gazetat? Tani mund të kuptoni se pse nuk kam marrëdhënie të mira me FA që prej disa vitesh”.
“FA duhet të mësohet me Capellon. As unë nuk pajtohem me vendimet e tij, që nga skuadra e deri te formacioni, por nuk e blej aq lehtë idenë se ai duhet të shkarkohet. Është lehtë për Alan Shearerin të thotë se lojtarët nuk kanë luajtur mirë, por a është ky gabim i një njeriu? Për golat e Gjermanisë shoh si fajtorë katër lojtarë”, deklaroi Neville duke vënë në dyshim potencialin e ekipeve angleze sezonin që sapo përfundoi, si një nga shkaktarët e katastrofës angleze.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se nxitimi i tepërt i kombëtares angleze, bëri që ata të deklasoheshin nga Gjermania.
“Anglia ishte tejet e nxituar. Ata erdhën në pjesën e dytë me rezultat 2-1 dhe e kontrolluan takimin. Çfarë më pikëlloi ishte se, me gjithë atë përvojë që kanë, ata ishin mashtruar. Ishte goditje e lirë për Anglinë, gol për Gjermaninë”.
“Ata më pas e humbën elementin e tyre dhe u vranë nga padurimi. Ju bëni atë që bënë ata në pesë minutat e fundit, por jo për plot 25 minuta. Unë kurrë nuk kam parë futbollin e vërtetë anglez në kombëtaren angleze”, deklaroi Wenger.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ka vendosur t’i shuajë spekulimet për formacionin e tij ndaj Ganës, pasi që e publikoi atë në konferencën për shtyp para gazetarëve.
Uruguai takohet me Ganën në çerekfinale të Botërorit të premten, ndërsa Tabarez ka vendosur të bëjë ndryshime të vogla, siç është ndërrimi i pozitave të Alvaro Fernandezit me Alvaro Perreiran, ashtu si zhvendosjen e Mauricio Victorinos në qendër të mbrojtjes, për shkak se Diego Godin është i lënduar.
Formacioni i Uruguait ndaj Ganës (4-3-1-2): Fernando Muslera, Maxi Pereira, Diego Lugano, Mauricio Victorino, Fucile, Alvaro Fernandez, Diego Perez, Arevalo Rios, Diego Forlan, Edinson Cavani, Luis Suares.
Se sa e rëndë ishte disfata e Roger Federerit, absolutisht se nuk reflektohet në vetë protagonistin e saj, që pas sfidës ka deklaruar se nuk ka luajtur aq keq, përkundër faktit se u deklasua nga Tomas Berdych.
“Nuk mendoj se luajta aq keq, por ai e kërkoi fitoren. Unë nuk isha në gjendje t’i ktheja si duhet topat dhe nuk arrita t’i përballoja topat e mirë të tij”, theksoi Federer pas takimit.
Federer nuk ka humbur para finales në Wimbledon që prej vitit 2002 dhe ishte në rrugë për titullin e tij të shtatë në këtë turne, që do ta barazonte dhe rekordin e Pete Samprasit, e që sipas të gjitha gjasave do të barazohet në vitet në vijim, apo nuk do të barazohet fare.
Tomas Berdych tenisti që e turpëroi Roger Federerin dhe tifozët e tij në fushën qendrore të Wimbledonit pasditen e të mërkurës, nuk ka mundur të përmbahet nga emocionet për fitoren sensacionale.
“Është vërtetë e vështirë të shprehem se si ndjehem, është e pabesueshme. Të luaj në këtë stadium ndaj një tenisti aq të madh si Federer dhe në fund të jem fitues, është vërtetë fantastike”.
“Kjo ishte ndeshja më e vështirë e karrierës time deri tani, është një hap i madh përpara dhe jam aq i lumtur për këtë. Tani për tani është vështirë të mendoj për ndeshjen tjetër, unë vetëm dua disa minuta dhe orë për t’u kënaqur me këtë. Më pas duhet të bëhem gati dhe të përgatitem për kundërshtarin e radhës”, deklaroi Berdych.
Tenisti çek Tomas Berdych i ka mbajtur një mësim tenistit zviceran Roger Federer, në fushën qendrore të Wimbledonit, ku e mposhti kampionin në fuqi të këtij turneu për të kaluar në gjysmëfinale.
Federer u mposht me rezultat 3-1 në sete (6-4, 3-6, 6-1 dhe 6-4), duke i dhënë tenistit çek, fitoren më të madhe të karrierës.
Berdych në gjysmëfinalen e tij të dytë në karrierë në ndonjë ‘grand slam’ do të takohet me serbin Novak Djokovic.
Shtypi anglez është duke spekuluar se dy transferimet e mbetura që është duke planifikuar t’i bëjë Real Madridi janë Steven Gerrard i Liverpoolit dhe Ashley Cole i Chelseat.
Të martën, drejtori Jorge Valdano kishte thënë se Real Madridi do të bënte edhe dy transferime tjera dhe jo më shumë. Sipas Daily Mail, në Angli po spekulohet se këta dy lojtarë janë kapiteni i Liverpoolit dhe mbrojtësi i majtë i Chelseat.
Anglezët llogaritet se kanë vlerë prej rreth 61.5 milionë eurosh, ndërsa që të dy lojtarët adhurohen nga Mourinho. Real Madridi është i lidhur me Gerrardin që prej disa javësh, ndërsa Ashley Cole do t’i zgjidhte problemet e Real Madridit në krahun e majtë të mbrojtjes.
Superylli i Real Madridit, Ricardo Kaka, ka mirëpritur transferimin e ri të Los Blancos, Angel Di Maria, duke e shprehur kënaqësinë për transferimin e argjentinasit para gazetarëve.
“Di Maria është lojtar fantastik, me aftësi të daljes së mirë nëpër krah dhe me kontroll të mirë të topit. Ai e ka shfaqur këtë te Argjentina dhe po e bën këtë edhe në Botëror”, theksoi Kaka.
Di Maria ende nuk ka arritur t’i tregojë shkathtësitë e tij në Botëror, ndërsa argjentinasit për këtë i akuzojnë mediat për spekulimet e shumta. Tani me që është arritur marrëveshja, besohet se Di Maria do të shpërthejë.
Ish-mesfushori i Chelseat, Joe Cole, papritmas doli të jetë një nga synimet e Milanit për këtë afat kalimtar veror, ndërsa kontrata që do t’ia ofrojë klubi nga Milanello është jo dhe aq luksoze.
Sipas disa spekulimeve, anësori anglez ka kompletuar transferimin te Arsenali, por duket se ka nga ato skuadra që nuk janë dorëzuar. Milani dëshiron t’ia ofrojë Cole një pagë javore prej 60.000 funtesh, 20 mijë më pak se sa kur ishte te Chelsea dhe 40 mijë më pak se sa kërkoi në kontratën e re te Chelsea.
Thuhet se situatën e Cole është duke e monitoruar edhe Interi, por përkundër faktit se Cole ka blerë shtëpi në Varese pranë Milanos, duket se ai do të zyrtarizohet si lojtar i Arsenalit pas Botërorit, pasi të ketë kaluar dhe testin mjekësor, pas të cilit dhe do të nënshkruajë kontratë trevjeçare prej 80.000 funtesh në javë.
Mesfushori brazilian Elano, që është i dëmtuar në nyje, do të mungojë në sfidën çerekfinale të ‘kategorisë së rëndë’ ndaj Holandës, në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.
29-vjeçari pësoi një goditje në nyje gjatë një dueli në fitoren prej 3-1 ndaj Bregut të Fildishtë. Ish-ylli i Manchester Cityt është jashtë aksionit që nga ajo kohë, ndërsa stafi mjekësor i Brazilit nuk ka dashur të precizojë kohën e rikthimit të mesfushorit.
“Ai mund të ecë dhe të vrapojë pa ndryshuar drejtimin, por problemi është te ndikimi kur ai vë peshën mbi nyje. Ai mund të bëhet më mirë në ditët, javët apo në muajt në vazhdim. Ne shpresojmë se ai do të mund të luajë, por këtë nuk mund ta them kategorikisht. Ai po punon intensivisht dhe të shohim nëse nëna natyrë do të na ndihmojë”, ka thënë Jose Luiz Runco i stafit mjekësor brazilian.
Pak kohë pasi presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ka thënë se Simon Kjaer do të jetë lojtar i Tottenhamit, tani del në skenë drejtori sportiv Walter Sabatini, që pohon se destinacioni i radhës për Kjaer do të jetë Wolfsburgu.
“Mendoj se Wolfsburgu është destinacioni i radhës për Kjaer. Nëse e krahasojmë këtë me pohimet e presidentit, atëherë kjo është një marrëveshje e vërtetë”, ka thanë Sabatini.
Palermo është në kërkim të mesfushorit të Catanias, Marco Bigianti, të cilin nuk ka ndërmend ta lë të largohet presidenti i klubit sicilian, një ndër më kontroversët, Pietro Lo Monaco.
Serie A dhe Nike kanë prezantuar topin e ri “Total 90 Tracer LC” në stadiumin Nike të Milanos, dhe njëherit ky është topi zyrtar që do të përdoret në ndeshjet e sezonit 2010/2011.
Topi “Total 90 Tracer LC” do të përdoret në Serie A, Kupën e Italisë dhe në ndeshjet e kategorive të juniorëve, kurse një version tjetër i këtij topi pritet të përdoret në ndeshjet e Serie B.
“Ne jemi shumë krenarë që do t’i sponzorojmë topat e Serie A, me një top që garanton nivel të precizitetit të paarritur më parë. Ky produkt përmban stabilitet dhe vizibilitet”.
“Topi ‘Total 90 Tracer LC’ është rezultat i studimeve dhe zhvillimit të proceseve ku janë përfshirë ekipet më të mira dhe lojtarët më të mirë në botë”, theksoi Andrea Rossi, menaxheri i përgjithshëm i Nike Italy.
Luca Toni do të prezantohet nesër si lojtar i Genoas, pasi klubi italian ka konfirmuar se Bayerni e ka shkëputur kontratën me sulmuesin italian.
“Luca Toni është…pothuajse lojtar i Genoas. Siç ka thënë presidenti Enrico Preziosi, prezantimi i tij do të mbahet të enjten. Do të jetë i rezervuar për mediat dhe do të mbahet në muzeun e historisë së Genoas. Toni do të prezantohet me rastin e lansimit të fanellave të reja për sezonin 2010-2011. Të dyja palët janë të kënaqura, ndërsa jemi duke pritur fjalët e para të Tonit si lojtar i Genoas. Mirë se erdhe Luca”, shkruan në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare të Genoas.
Toni transferohet te Genoa si transfer i lirë, pasi Bayerni ia shkëputi kontratën trevjeçare. Toni kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar te Roma dhe kështu ka vendosur që sezonin e ardhshëm të luajë në Serie A.
Sipas Il Corriere dello Sport, Juventusi është duke e menduar transferimin e sulmuesit të Catanias, Maxi Lopez.
Bianconerët janë në kërkim të sulmuesve, ndërsa pas deklaratës së presidentit të Sampdorias se Pazzini nuk është në shitje, Juve është kthyer kah Maxi Lopez i Catanias.
Maxi ka qenë në formë të jashtëzakonshme për Catanian sezonin e kaluar, duke e shpëtuar këtë të fundit prej rënies nga elita. Ai ka kontratë me klubin sicilian deri në vitin 2014, që do të thotë se Juventusi nuk do ta transferojë atë për çmim të lirë.
Cristiano Ronaldo duket ta ketë marrë shumë pranë zemrës disfatën nga Spanja në 1/8 e finales, pasi ishte shumë i zhgënjyer pas ndeshjes, me ç’rast kishte dhënë dhe një deklaratë ku në mënyrë indirekte fajësonte për disfatën Queirozin, por për të cilën u justifikua më vonë.
“Unë ndjehem i thyer, i shpërqendruar i tëri, i frustruar dhe me një zhgënjim të paparamenduar. Kur ju thash pas ndeshjes pyeteni trajnerin pse jemi eliminuar, ju kam thënë sepse Carlos Queiroz do të mbante një konferencë për shtyp”.
“Nuk isha në pozitë të mirë të them se pse u eliminuam. Unë jam qenie njerëzore dhe si çdo qenie njerëzore unë vuaj dhe kam të drejtë të vuaj i vetmuar. Unë e di se jam kapiten dhe gjithmonë kam qenë në krye dhe do të jem në krye të përgjegjësive të mia”, ka thënë Ronaldo.
Real Madridin është duke e pritur punë e vështirë për të finalizuar transferimin e Maiconit nga Interi, pasi Massimo Moratti ka vendosur të mos lëshojë pe nga kërkesat e tij.
“Ne nuk duam ta shesim Maiconin sepse ai është lojtar i shkëlqyer. A janë duke pritur ulje të çmimit në Madrid? Braziliani është kërkuar nga ata, por të gjithë kanë kërkesat e tyre dhe ndjejnë se ato janë të duhura”.
“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë marrëveshje shkëmbimi”, ka thënë Moratti duke iu referuar spekulimeve të fundit që thoshin se Maicon do të shkëmbehej me Xabi Alonson.
Presidenti në largim i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë se ata kanë bërë shumë mirë që e kanë transferuar David Villën para Kampionatit Botëror.
Barcelona ka shpenzuar rreth 40 milionë euro për transferimin e Villas, ndërsa pasi shfaqi formë fantastike në Botëror, beson se çmimi i tij do të ishte për 25 milionë euro më i lartë tani.
“Sa do të kushtonte tani Villa? Do të thosha edhe 25 milionë euro të tjera. Tani, të gjithë thonë se kemi bërë mirë që e kemi transferuar para Botërorit”, theksoi Laporta.
Manchester City ka marrë një goditje të rëndë sa i përket transferimit të sulmuesit boshnjak Edin Dzeko, pasi që gjermanët e Wolfsburg kërkojnë hiç më pak se 50 milionë funte për të.
Daily Mail shkruan se boshnjaku mezi pret t’i bashkohet Cityt, por Roberto Mancini mendon se çmimi i ri i vënë nga Wolfsburgu për të është shumë i lartë.
City kishte bërë një ofertë që u refuzua muajin e kaluar, ndërsa tani është duke pritur që futbollisti të ndikojë në transferimin e tij në Ligën Premier.
Manchester City dhe Arsenali janë të gatshëm të transferojnë problematikun e Interit, Mario Balotelli, dhe thuhet se janë duke përgatitur oferta të mira për të, pasi edhe vet Balotelli së fundi tha se mund të largohet nga Interi.
Balotelli pëlqehet nga Wenger, ndërsa ky i fundit po mendon të bëjë një ofertë prej 20 milionë eurosh për të. Duke marrë parasysh faktin se Interi kërkon rreth 40 milionë euro për Balotellin, mendohet se në marrëveshjen me Cityn mund të përfshihet edhe Carlos Tevez, por ky i fundit është thënë se nuk është në shitje.
Ish-sulmuesi i Milanit dhe i Chelseat, George Weah, ka deklaruar se ai është kundër përdorimit të teknologjisë në futboll.
“Definitivisht jam kundër teknologjisë. Unë kam folur kundër saj. Nuk mendoj se kemi nevojë për kamera. Loja duhet të jetë sfiduese dhe kjo është ajo që e bën atë sfiduese. Ata që janë në fushë duhet ta përdorin trurin për ta bërë lojën më të bukur”.
“Ndeshja Angli-Gjermani ishte ndeshje rastesh. Anglia nuk luajti siç u prit dhe u mposht nga Gjermania. Kjo është loja, duhet t’i shfrytëzoni rastet. Ai gol duhet të harrohet, sepse ndodhin gabimet. Të gjithë gabojnë. Por, e ripërsëris, nuk mund të flasim për teknologjinë në lojë sepse gjithmonë do të ketë gabime”.
“Anësori nuk kishte pozitë të mirë dhe mendoi se topi ishte në vijë, për arsye se ai goditi në shtyllë dhe përsëri u kthye në pozitën e njëjtë, është një kënd i vështirë, kështu që, le t’i lëmë ata në fushë ta bëjnë lojën më të bukur”, ka thënë Weah.
Legjenda holandeze, Johan Cruyff, ka thënë se Brazili është një ekip i mërzitshëm, duke këmbëngulur se ai nuk do të paguante për t’i parë në aksion kampionët e pesëfishtë të botës.
“Unë kurrë nuk do të paguaja biletën për të shikuar këtë ekip të Brazilit. Se ku është zhdukur ky Brazil, ne të gjithë e dimë, apo jo? Unë e shikoj këtë ekip dhe më kujtohen njerëz si Gerson, Tostao, Falcao, Zico dhe Socrates. Tani shoh vetëm Gilberto, Melo, Bastos dhe Julio Baptista”.
“Ku është magjia braziliane? Unë e kuptoj Dungën për zgjedhjet e tij, por ku është ‘playmakeri’ dhe shkathtësia në mesfushë? Unë mendoj se asnjë spektator nuk do të paguante për t’i shikuar ata. Brazili duhet të luajë me intensitet më të lartë, me më shumë mprehtësi në fushë sepse nuk janë të veçantë, ata janë sikurse çdo skuadër tjetër në këtë Botëror. Gjithmonë tifozët duan të kënaqen me Brazilin, të kënaqen me fantazinë nëpër Botërore, që nuk e kanë parë këtë verë”.
“Ata kanë lojtarë të talentuar, por luajnë në një mënyrë që është më shumë defensive dhe më pak argëtuese. Ky ekip është turpi i tifozëve dhe i kampionatit. Ata janë nga ato ekipet që të gjithë duan ti shohin”, deklaroi Cruyff.
Manchester City ka kompletuar transferimin e mesfushorit spanjoll të Valencias, David Silva.
24 vjeçari Silva ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Cityn, derisa këta të fundit kanë mposhtur Chelsean për firmën e mesfushorit spanjoll. Detajet tjera, zyrtarizmi i transferimi dhe testi mjekësor pritet të bëhen të ditura pas Kampionatit Botëror.
“Së pari dua të falënderoj Valencian si klub dhe të gjithë tifozët besnik, bashkëlojtarët e mi dhe stafin. Unë kam kaluar gjashtë vite të mrekullueshme te Valencia, ata më zbuluan si futbollist dhe ai do të jetë gjithnjë klub i veçantë për mua”.
“Ka ardhur koha për një sfidë të re dhe mezi pres të luajë në Angli për Manchester Cityn. Unë besoj se Liga Premier është një nga kampionatet më të forta në botë dhe unë dua t’i sjellë sukses Cityt dhe të fitoj trofe për ta”.
“Ka pasur shumë spekulime për mua në mediat britanike dhe spanjolle, ndërsa mua më duhet të përqendrohem në Kampionatin Botëror. Kjo është arsyeja pse agjentët e mi janë marrë me Cityn, në mënyrë që unë të kem vëmendjen vetëm në Botëror”, ka thënë Silva për faqen zyrtare të Cityt.
Manchester City është duke bombarduar në tregun e transferimeve, pasi që brenda pak ditësh pritet të zyrtarizohet edhe Yaya Toure.
Mbrojtësi i Chelseat, Ashley Cole, ka thënë se ai mund të largohet nga Chelsea, ndërsa spekulohet se destinacioni i tij i radhës mund të jetë Real Madridi.
“Unë gjithnjë tentoj të bëj më të mirën për Anglinë dhe Chelsean, por mediat dhe presioni përreth ma bëjnë jetën ferr”, theksoi Cole.
Këto komente të Ashley Cole vijnë pas problemeve të tija familjare me ish-bashkëshorten, Cherryl Cole dhe interesimin e mediave për këtë rast, por në deklaratën e tij mund të ketë ndikuar dhe interesimi i hapur i Mourinhos për të.
David Beckham është duke e synuar vend në kombëtaren angleze si lojtar për kualifikimet dhe kampionatin Euro 2012, përkundër faktit se ai do të bëhet 37 vjeçar.
The Sun shkruan se përkundër lëndimit të yllit të LA Galaxy, ai është i entuziazmuar që të vazhdojë të luajë për kombëtaren e tij. Anglia kishte mangësi të theksuara në kreativitet dhe mbajtje të topit, që do të ishin ndryshe me praninë e Beckham.
Nëse ai rikuperohet si duhet, ai dëshiron të kthehet në fushën e blertë për Anglinë ndaj Bullgarisë më 3 shtator, përkundër faktit se disa qarqe angleze e lidhnin atë me postin e përzgjedhësit të Tre Luanëve.
Christian Abbiati është i bindur se do të bëhet portieri i parë i Milanit, përkundër transferimit të Marco Amelias.
“Ardhja e Amelias? Unë jam duke stërvitur shumë, në 100 përqindëshin tim dhe me intensitet, sepse unë dua të bëhem zgjedhja e parë. Unë shpresoj të qëndroj i gatshëm fizikisht dhe pa probleme fizike, në mënyrë që të kem një sezon sa më të mirë”.
“Por, është trajneri ai që vendos. Për çdo rast them se lufta nuk është vetëm mes meje dhe Amelias, pasi që aty është dhe Flavio Roma. Kombëtarja? Nëse Prandelli më thërret, atëherë unë do të vrapoj në drejtim të tij”, tha Abbiai për La Gazzeta dello Sport.
Sulmuesi i Spanjës, David Villa, duket ta ketë harruar ndeshjen ndaj Portugalisë, duke menduar tani vetëm për Paraguain.
“Jam shumë i kënaqur me fitoren edhe pse vuajtëm shumë. Ata vërtetë përfunduan mirë dhe individualisht kanë dy qendërmbrojtës të mirë, por fatmirësisht, ne ishim në gjendje t’i shfrytëzonim rastet. Synimi im është të vazhdoj të shënoj, sidomos në ndeshjet e mëdha, në mënyrë që të shkojmë më tej”.
“I falënderoj tifozët për mbështetjen. Ne kemi vazhduar të përmirësohemi si ekip edhe pas humbjes ndaj Zvicrës në ndeshjen hapëse. Ne e dimë se çfarë ndodhi në ndeshjet e kaluara, sikurse ndaj Zvicrës. Paraguai do të jetë më i vështirë për t’u mposhtur sepse kjo skuadër arriti në çerekfinale për herë të parë”, ka thënë David Villa.
Portugalia u eliminua me rezultat minimal nga Botërori i sivjetmë, por përkundër superioritetit spanjoll, përzgjedhësi portugez, Carlos Queiroz, u shfaq i kënaqur dhe krenar me lojtarët e tij.
“Qarkullimi i topit nga Spanja ishte më efektiv. Kush e ka topin dhe ka qarkullim më të mirë, ka më shumë gjasa për ta dominuar ndeshjen. Ne patëm rastet tona, por nuk shënuam. Në fund, Spanja, për dominimin që pati, për qarkullimin e topit dhe rastet e krijuara, e justifikoi rezultatin. Ishte turp që nuk arritëm të shënojmë me rastet që patëm, sepse ajo do ta baraspeshonte lojën në aspektin e dominimit në fushë”.
“Portugalia pati një ndeshje më të frytshme, lojtarët luftuan me ambicie dhe dëshirë për të fituar, por sot nuk ishte e mundshme. Ne duhet të kthehemi së bashku. Ne bëmë një paraqitje të mrekullueshme, lojtarët ishin fantastikë dhe ata duhet të përgëzohen. Tifozët portugez kanë çdo arsye për të qenë krenar me paraqitjen e shkëlqyer dhe të frytshme të ekipit portugez në këtë Botëror”, deklaroi Queiroz.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, ka deklaruar se ekipi i tij dëshiron të shkruajë histori, pasi mposhti Portugalinë me rezultat minimal e që mjaftoi për t’u kualifikuar në çerekfinale.
“Ne patëm më shumë posedim edhe pse është e vërtetë se patëm periudhat e vështira në pjesën e parë. Por, në përgjithësi ne ishim ekipi më i mirë. Ne u ndjemë komfort, ishim të mirë në fazën defensive dhe krijuam rrezik me topin”.
“Ne patëm përparësi të lehtë në anën e djathtë ku ata nuk sulmonin por e markuan David Villan. Kjo na bëri të vuajmë më shumë në mbrojtje. Unë duhet të them se lojtarët anonim, të cilët shfaqen më pak para mediave, si Busquets, Capdevila dhe Ramos, luajtën shumë mirë. Ne e ditëm se ishim të mirë. Ne patëm më shumë se 30 ditë për t’u stërvitur dhe mendoj se këta lojtarë e bënë historinë. Ne gabohemi nëse mendojmë se jemi që tani në gjysmëfinale. Ne nuk do të fitojmë pa sakrificë dhe përqendrim”, deklaroi Del Bosque.
Portugalia u eliminua në mënyrë relativisht të turpshme nga Spanja në 1/8 e finales së këtij Botërori, pas një paraqitjeje të zbehtë të portugezëve në pjesën e dytë, ndërsa Ronaldo ia ka lënë gjithë fajin trajnerit të tij, Carlos Queiroz.
Ronaldo në pjesën e dytë pati vetëm dy kontakte me top, gjë që u reflektua pas takimit, kur Ronaldo në shenjë të revoltës për zgjedhjet tekniko-taktike të Queirozit, e fajësoi atë për eliminimin.
“Si e shoh unë eliminimin e Portugalisë? Pyeteni Carlos Queirozin”, tha Ronaldo për televizionin publik portugez, i padisponuar të flasë për eliminimin.
Pasi pa Japoninë e tij të eliminohet nga Botërori pas humbjes nga Paraguai, përzgjedhësi Takeshi Okada ka marrë gjithë përgjegjësinë mbi vete për eliminimin në penalti.
“Në aspektin se si luajtëm në këtë kampionat, jam shumë i kënaqur. Ky ekip e ka bërë Japoninë dhe tërë Azinë krenare”.
“Sa i përket humbjes, unë marr gjithë përgjegjësinë. Si trajner, unë ndjej se është dashur të bëj më shumë. Ne luajtëm shumë thellë dhe Keisuke Honda ishte i izoluar. E ripërsëris, unë marr gjithë përgjegjësinë”.
“Nuk më mbeti tani asgjë, vetëm të largohem nga kombëtarja japoneze”, tha Okada.
Përzgjedhësi i Paraguait, Gerardo Martino, nuk ka mundur të përmbahet nga emocionet pas fitores ndaj Japonisë në penalti, në sfidën e 1/8 së finales që u zhvillua në Pretoria.
“Arsyeja për lotët e mi është se ky është një moment emocionues për mua. Të gjithë e dinë se penaltitë janë të padrejta, por kjo është mënyra se si është dashur të vendoset ndeshja dhe tani jam i kënaqur që fituam”.
“Japonia luajti si zakonisht, ata na dhanë vështirësi, por me rëndësi është që tani jemi në rrethin tjetër. Tani për tani, ne do të festojmë me tifozët tanë në Paraguai. Mund të paramendoj gëzimin dhe festimet në Paraguai”, theksoi Martino në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Aston Villa raportohet se dëshiron ta transferojë sulmuesin e Arsenalit, Eduardo da Silva.
Daily Mail shkruan se Aston Villa vazhdon të jetë e interesuar për sulmuesin brazilian me nënshtetësi kroate.
Eduardo, 27-vjeçar, nuk po arrin rikthehet në formën më të mirë pas lëndimit të pësuar dy sezone më parë, dhe Arsene Wenger ia ka bërë të qartë se në sezonin e ri ai nuk do të jetë zgjidhja e parë. Kalimi në Aston Villa do të mund t’i përshtatej lojtarit, pasi atje do të kishte më shumë hapësirë për lojë.
Sulmuesi i Sampdorias, Antonio Cassano, ka dyshime se prania e tij do të ndryshonte diçka për Italinë në Kupën e Botës.
Shumica e fajësojnë Marcello Lippin për eliminimin e kampionit në fuqi të botës që në rundin e parë të Botërorit, pasi ai nuk zgjodhi Cassanon dhe sulmuesin e Interit, Mario Balotelli për këtë garë.
“Nuk e di nëse gjërat do të shkonin më ndryshe në Kupën e Botës po të isha unë në fushë. E di se absolutisht nuk ka arsye për të nxitur kundërthënie tash”, ka thënë Cassano për revistën Chi.
Anësori i Argjentinës, Angel di Maria, ka thyer heshtjen rreth transferimit në vlerën e 25 milionë euro në Real Madrid.
Ylli në largim i Benficas nuk do të zbulohet në Bernabeu deri pas Kupës së Botës, por tashmë ka kthyer shikimin kah Madridi.
“Jam i lumtur që do të luaj për Real Madrid. Gjithmonë kam ëndërruar të kaloj në një ligë më konkurruese në botë, si ajo e Spanjës. Do të ishte një ëndërr ideale të shkoj në Real Madrid pasi ta kem fituar Kupën e Botës me Argjentinën. Shpresoj se mundem”, ka thënë Di Maria.
Agjenti i Zlatan Ibrahimovic thotë se sulmuesi suedez do të mbetet te kampioni i Spanjës, Barcelona.
Pas shumë spekulimeve për interesimin e Milanit, Mino Raiola ka thënë se nuk ka plane për transferim të sulmuesit.
“Ibra nuk do të largohet nga Barcelona dhe nuk kuptoj se pse duhet. Ai nuk dëshiron të largohet nga Barcelona dhe klubi nuk dëshiron ta shesë. Ai nuk ka nuk ka pasur një fund të sezonit të kaluar siç e ka pritur, por gjithçka shkoi mirë deri në shkurt. Është vetëm një ekzagjerim i fakteve për të thënë se ai duhet të kalojë në një klub tjetër”, ka thënë Raiola.
Juventus raportohet se është duke menduar të transferojë mbrojtësin e Udineses, Marco Motta.
Motta është rikthyer te Udinese nga Roma dhe Gazzetta dello Sport shkruan se Juve do të kërkojë të huazojë Mottan deri në fund të sezonit.
Në varësi të paraqitjeve të lojtarit, Juventusi do të kërkojë opsionin për ta blerë atë në fund të sezonit të ardhshëm.
Roberto Donadoni thotë se ai ka arritur më shumë se pasuesi i tij Marcello Lippi me kombëtaren e Italisë.
Donadoni ishte në detyrë nga vitit 2006 deri në vitin 2008, kur eliminimi në rundin e dytë nga Kampionati Evropian në penalti ndaj Spanjës nxiti largimin e tij.
“Të gjithë ata të cilët gjatë dy viteve e kanë mbajtur Lippin në shpatulla me madhështi, veçanërisht mediat, tash po e rrëzojnë. Çdokush duhet të ketë një shikim më të mirë kah vetja. Ka një tendencë të tepruar për të harruar dhe pas një humbje, gjithkush vendos maska, edhe pse nuk është sezoni i karnavaleve”, ka thënë Donadoni për Radio 2.
Manchester City është i vendosur që të mos lejojë largimin e sulmuesit Carlos Tevez gjatë këtij afati kalimtar.
Spekulohet se trajneri i Realit, Jose Mourinho, është i gatshëm të forojë 40 milionë funte për sulmuesin argjentinas, mirëpo The Sun bën të ditur se City nuk ka pranuar asnjë ofertë.
“Carlos nuk shkon askund. Ai është i lumtur këtu dhe ne do ta mirëpresim atë muajin e ardhshëm (pasi të kthehet nga Kampionati Botëror)”, ka thënë një burim i Cityt.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka thënë se Real Madridi do të duhet të transferojë edhe dy apo tre lojtarë tjerë, pas zyrtarizimit të Angel Di Marias.
“Di Maria është një lojtar që ka cilësi të mëdha si anësor. Ai hapet në fushë dhe mund të tejkalojë mbrojtësit, ndërsa është një talent që mund të ketë një impenjim të jashtëzakonshëm në një takim. Vitin e kaluar u shfaqën dobësitë në krah dhe Di Maria bën kompletim të mirë të skuadrës”.
“Ne jemi duke e vëzhguar tregun e transferimeve, por nuk jemi duke nxituar. Sidoqoftë, Di Maria nuk do të jetë transferi i fundit. Ne do të bëjmë edhe dy transferime tjera, jo më shumë”, ka thënë Valdano.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria Del Nido, ka pranuar se ai është duke pritur një ofertë qesharake nga Milani për Luis Fabainon, duke parë merkaton e deritanishme të Rossonerëve.
“Duke parë gjendjen aktuale të tregut të transferimeve, është e pamundur të pranojmë një ofertë që nuk është qesharake. Mendoj se zgjidhja më e mirë është që ai të qëndrojë te Sevilla”.
“Ai thotë se dëshiron të luajë për një klub më të madh, por unë do të doja që Fabiano të rinovonte edhe për tre vite me Sevillan, sa më shpejtë që është e mundshme”, theksoi presidenti i andaluzianëve për AS.
Fjalët e Del Nidos vijnë pas spekulimeve se Milani është shumë pranë transferimit të sulmuesit brazilian, por duket se gjendja financiare e skuadrës italiane nuk i pëlqen gjithaq bosit të Sevillas.
Milani e ka identifikuar mbrojtësin e Barcelonës, Martin Caceres, si opsion për përforcimin e mbrojtjes gjatë këtij afati kalimtar.
Eurosport pohon se Masimiliano Allgeri beson se uruguaiani do të ishte një opsion i mirë për të përforcuar mbrojtjen, por Rossonerët do të dëshironin ta merrnin atë si huazim, përderisa Barcelona dëshiron ta shesë në mënyrë permanente.
Milani ka pasur telashe në krahun e djathtë të mbrojtjes gjatë sezonit të kaluar pasi që Gianlucia Zambrotta, Massimo Oddo dhe Ignazio Abate kanë dështuar të lënë përshtypje.
Arsenali është destinacioni i preferuar për sulmuesin e Nice, Loic Remy, përkundër faktit se mediumet franceze e lidhin atë me një kalim te Bordeaux.
23-vjeçari ka kontratë me Nice deri në vitin 2012, por sipas France Football, bosi i Bordeaux, Jean Tigana, e ka bërë sulmuesin synimin e tij kryesor për shkak të largimit të Marouane Chamakh.
“Më pëlqen atmosfera dhe stadiumi gjithashtu. Gjithmonë më ka pëlqyer të shikoj Ligën Premier, apo më mirë thënë Arsenalin. Por, për këtë, unë ende duhet të përparoj. Kam disa oferta, shohim çfarë do të ndodhë”, theksoi Remy per L’Equipe
Sipas Tuttomercatoweb, përzgjedhësi i Italisë, Marcello Lippi, është një prej kandidatëve kryesorë për postin e menaxherit të Liverpoolit.
Lippi, që u largua nga kombëtarja e Italisë pas eliminimit turpërues, është shndërruar në një nga favoritët për menaxher të Liverpoolit. Megjithatë, ai për konkurrent ka Roy Hodgsonin që është dhe favoriti absolut për t’u emëruar trajner i Liverpoolit.
Gjithçka varet nga Federata Angleze e Futbollit, që nëse shkarkon Capellon, atëherë do ta bënte trajner të Anglisë Roy Hodgsonin dhe si pasojë Lippi do të drejtonte Liverpoolin.
Trajneri i Napolit, Walter Mazzari, ka thyer heshtjen e tij dhe ka vazhduar luftën mediatike me trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, duke thënë se ai di të fitojë vetëm me klube të mëdha.
Mazzari ishte pjesë e luftës së fjalëve mes presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentiis dhe Jose Mourinhos, kur Laurentiis kishte thënë se Mazzari është ‘Mourinho’ i tij, ndërsa portugezi më pas e kishte kritikuar Mazzarin.
“A do të më mungojë Mourinho sezonin e ardhshëm? Jo, nuk më vjen aspak keq. Ai do të shkojë të dretojë një ekip të rëndësishëm. Unë kurrë nuk e kuptova asnjë prej qëndrimeve të tij sa ishte këtu në Itali. Natyrisht, ai fitoi shumë me Interin, por ai gjithmonë drejtoi klube të mëdha”, theksoi Mazzari për Rai Sport.
Manchester United është shumë pranë që t’i mposhtë klubet më të mëdha italiane për firmën e superyllit grek me origjinë shqiptare, Sotir Nini, pasi që mendon t’ia ofrojë Panathianikosit 9.6 milionë funte për të.
20-vjeçari Nini është një nga talentët më mëdhenj dhe më të kërkuar sot në Evropë, ndërsa ishte edhe pjesë e kombëtares greke në Botërorin, Afrika e Jugut 2010. Përshtatshmëria e tij në mesfushën ofensive dhe në cilëndo prej anëve, ka bërë që ai të tërheqë interesimin e Romës, Interit, Milanit dhe Arsenalit.
Megjithatë, menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, thuhet të ketë përgaditur befasi për rivalët e tij evropianë me një ofertë multimilionëshe për kampionin e Greqisë. Me Paul Scholes dhe Ryan Giggs në fund të karrierës, Nini do të shtonte radhët e të rinjve te United.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, është fare pranë transferimit te Manchester City. Agjenti i boshnjakut, Marko Naletilic, ka thënë se City është si kurrë më pranë transferimit të klientit të tij.
“Dzeko është shumë pranë transferimit te Manchester City edhe pse ai do të preferonte të kalonte te Juventusi, por Bianconerët nuk kanë 25 milionë funte për të, të kërkuara nga klubi gjerman, për shkak se është dashur ta blejnë Storarin. Negociatat do të jenë të mundshme vetëm nëse përfshihet edhe Diego”, theksoi Naletilic.
Përpos dy skuadrave të përmendura nga agjenti i Dzekos, në garë kanë qenë dhe Tottenhami e Milani, të cilët siç duket kanë hequr dorë nga sulmuesi boshnjak.
Real Madridi është duke përgatitur një ofertë prej 20 milionë funtesh për kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard.
The Times pohon se Los Blancos janë të gatshëm të lansojnë një ofertë prej 20 milionë funtesh, tani pasi Anglia është eliminuar nga Botërori. Kaka tashmë i ka bërë thirrje Gerrardit të kalojë te Madridi, përderisa Jose Mourinho njihet si adhurues i tij.
Thuhet se Mourinho i ka thënë presidentit Florentino Perez që ta konsiderojë Gerradin prioritet, pas transferimit të Angel Di Marias.
Milani është shumë pranë transferimit të mesfushorit që është në kërkim të klubit të ri, pas largimit nga Chelsea, Joe Cole.
Corriere dello Sport shkruan se Cole ka blerë një shtëpi në Milano dhe Rossonerët tashmë kanë filluar të mendojnë për pozitën e tij në Milanello.
Thuhet se Milani ka kontaktuar me anglezin përmes David Beckhamit, që duket se e ka kryer punën e tij me sukses. Buxheti i skuadrës kuqezi për këtë afat kalimtar është tejet i kufizuar, ndërsa statusi i Cole, si transfer me parametra zero, është atraktiv për klubin nga San Siro.