
Mesfushori i Gjermanisë, Bastian Shweinsteiger, ka ngritur maksimalisht tensionet para supersfidës çerekfinale të së shtunës ndaj Argjentinës, për të cilët ‘Shweini’ ka thënë se janë manipulues të gjyqtarëve dhe të pafytyrë.
“Nëse i shikoni ndeshjet e Argjentinës dhe mënyrën se si tentojnë t’i manipulojnë gjyqtarët… është vërtetë mungesë e respektit, por kështu janë argjentinasit. Ne duhet të jemi gati për këtë dhe shpresoj se gjyqtari do të ketë ditë të mirë”, theksoi Shweinsteiger në një konferencë për shtyp.
Ai vazhdoi më tej duke kritikuar dhe sjelljen e tifozëve argjentinas dhe mbështetjen e tyre për ekipin, duke thënë se ata kanë shkatërruar ndeshjet për tifozët tjerë që silleshin mirë.
“Ne tashmë kemi parë se si tifozët argjentinas qëndrojnë së bashku dhe gjithë kjo për hir të faktit se ata nuk kanë ulëset e duhura dhe kanë ndaluar spektatorët tjerë me bileta të rregullta të kënaqen me ndeshjen”, shtoi mesfushori që është bashkëlojtar te Bayerni me qendërmbrojtësin argjentinas Martin Demichelis.
Tashmë ekziston një lloj rivaliteti mes dy skuadrave, të cilat u takuan në të njëjtën fazë katër vite më parë në Gjermani. Ndeshja u vendos në penalti dhe Gjermania u kualifikua më tej, por në fund të ndeshjes kishte shpërndarje grushtesh mes futbollistëve, ndërsa edhe ky detaj është ende në mendjen e Shweinsteiger.
“Më kujtohen mjaft mirë penalltitë, por çfarë vazhdon të mbetet në këtë kujtesë është dhe ajo që ndodhi në fund, ajo çfarë bënë argjentinasit është vërtetë thellë e groposur në mendjen time”, përfundoi Shweini.