Përfaqësuesja e Uruguait ka siguruar gjysmëfinalen e Kampionatit të sivjetmë Botëror, duke eliminuar Ganën pas ekzekutimit të penalltive, pasi që rezultati i ndeshjes pas 120 minutave mbeti 1-1.
Përfaqësuesja e Ganës ishte skuadër më efikase në gjysmën e parë, me ç’rast arriti deri te goli i avantazhit me anë të Sulley Muntarit, i cili nga distanca mposhti portierin Muslera (45’+2).
Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë (55’), Diego Forlan barazoi rezultatin me një gol të shënuar nga gjuajtja e lirë.
Deri në fund të kohës së rregullt skuadrat nuk realizuan gol tjetër, ashtu që shkuan në vazhdime për të vendosur fituesin.
Drama e vërtetë ndodhi në minutat shtesë të pjesës së dytë të vazhdimeve, kur u akordua penallti në favor të Ganës, pasi Suarez mbrojti me duar një gol të sigurt.
Mirëpo, nga njëmbëdhjetëmetërshi dështoi të shënonte Asamoah Gyan, ashtu që mbeti që penalltitë të vendosin kundërshtarin e Holandës në gjysmëfinale.
Pas ekzekutimit të penalltive, përfaqësuesja e Uruguait doli të ishte më e suksesshme për të vazhduar garën drejt finales së madhe të Kampionatit Botëror.
Kampioni i pesëfishtë i botës në futboll, përfaqësuesja e Brazilit mbeti pa përzgjedhës e trajner, pasi Carlos Dunga dha dorëheqje menjëherë pas humbjes nga Holanda dhe eliminimi nga Botërori 2010. Ish lojtari i përfaqësuese së Brazilit edhe më herët kishte paralajmëruar largimin nga timoni i Kombëtares pasi “kareokët” të përfundojnë pjesëmarrjen në Afrikën e Jugut, por i tërë Brazili futbolldashës ka pritur se kjo do të ndodhë më 12 korrik, një ditë pas ndeshjes finale të kampionatit botëror “Afrika e Jugut 2010”.
Humbja e Brazilit nga Holanda dhe largimi i kampionit të pesëfishtë nga Kampionati Botëror është komentuar edhe nga dy legjendat e futbollit brazilian, Romario dhe Ronaldo. “Felipe Melo nuk do të kishte guxuar të vijë në pushim në Brazil”, ka qenë komenti i parë i Ronaldos. “Jam pa fjalë”, tha sulmuesi i Corinthiansit pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit që i dha fund garës së Dungës. Legjenda Romario ka pasur vërejtje ndaj taktikës së trajnerit Carlos Dunga, i cili, sipas mendimit të Romarios, u la shumë hapësirë sulmuesve holandezë në zonën e rreptësisë.
Joachim Löw nuk e ka udhëhequr stërvitjen e sotme të Gjermanisë, pasi i ka përfunduar kontrata me Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB). Löw është i lidhur me kontratë me DFB-në deri më 30 qershor, por pasi deri në atë datë nuk ka marrë kontratë të re, seleksionuesi gjerman ka vendosur të mos të shkojë në stërvitjen e të zgjedhurve të tij. “Nuk jam seleksionues dhe nuk e kam për obligim të paraqitem të stërvitjen e kombëtares”, tha Löw, duke i befasuar të gjithë gazetarët. “Pres që gjatë ditës të më lajmërohet dikush nga Federata që të nënshkruajmë kontratë të re”, ka thënë i qetë Löw, vetëm një ditë para ndeshjes me Argjentinën në çerekfinalen e Kampionatit Botëror. Ky veprim i Löwit theksohet se ka prishur atmosferën në ekipin gjerman, kurse cilat do të jenë pasojat më së miri do të shihet gjatë takimit të nesërm.
Presidenti i Barit, Vincenzo Matarrese, ka thënë se ai do të dëshironte të transferonte mesfushorin e Juventusit, Sebastian Giovinco.
“Kujt nuk i pëlqen Giovinco? Unë do të isha tejet i kënaqur nëse ai do të na bashkohej. Unë nuk kam biseduar me të. Nuk e di nëse ai ka biseduar me një nga menaxherët apo drejtorët”, theksoi Matarrese.
Giovinco është pranë largimit nga Juventusi, për shkak se ai nuk është në planet e Luigi Del Nerit dhe për shkak se ai nuk dëshiron ta lë talentin e tij të bie në ujë, duke dëshiruar ndonjë klub tjetër edhe nëse ai është mesatar, vetëm e vetëm për ta treguar talentin e tij të vërtetë.
Njeriu që u kritikua me të drejtë për një vit resht për filozofinë e tij defensive të lojës, që absolutisht se nuk i shkoi përshtati Brazilit, Carlos Dunga, u shpreh të jetë i pikëlluar pas eliminimit.
“Ne jemi ekstremisht të pikëlluar, pasi që nuk e kemi pritur këtë. Ne nuk ishim në gjendje ta mbajmë ritmin e njëjtë në pjesën e dytë. Nëse luani me vetëm 10 lojtarë ndaj një ekipi cilësor si Holanda, atëherë bëhet e vështirë”.
“E ardhmja ime? Ne e kemi ditur se unë do të jem në këtë post për katër vite, unë erdha në vitin 2006, kështu që është pikëlluese, është e vështirë, askush nuk pret që të humbasë”, përfundoi njeriu më i urryer në qarqet mediatike braziliane.
Holanda ka arritur t’ia shpjegojë Carlos Dungas se pse gaboi që ndoqi kokëfortësinë e tij, duke eliminuar Brazilin, ndërsa homologu Bert van Marwijk tani beson vërtetë në titullin e parë në histori të Holandës.
“Ne disi nuk dështuam ta luanim lojën tonë në pjesën e parë. Ne ngadalë u përmirësuam pas 25 minutash lojë, por patëm çdo arsye të jemi të kënaqur që ishim duke ndjekur rezultatin me vetëm një gol dizavantazh”.
“Pjesën e dytë ne treguam se për çfarë jemi në gjendje. Ne kemi mundur të bëjmë pesë ose gjashtë gola pas pushimit. Gregory van der Wiel ishte një nga lojtarët që vuajti në pjesën e parë, por tregoi më shumë në pjesën e dytë të ndeshjes”.
“Unë tashmë e kam thënë para fillimit të Botërorit dhe unë e ripërsëris: Ne jemi këtu për ta fituar Botërorin. Njerëzit kanë qeshur për këtë disa javë më parë, por unë kam besim se ne mund t’i shkojmë deri në fund kësaj”, ka thënë Van Marwijk.
Rafael Nadal arriti që me një paraqitje të denjë të një kampioni të shtatëfishtë të ‘grand slam’ turneve ta fitonte sfidën ndaj shpresës britanike Andy Murray, ndërsa në prononcimin e tij të parë, ai pati vetëm fjalë të mira për kundërshtarin e tij.
“Ishte një ndeshje shumë, shumë e mirë për mua”, theksoi numri një i botës së tenisit për BBC.
“Të mposhtësh Andy Murrayn duhet të luash tenisin më të mirë të mundshëm, është gjithnjë sfida më e madhe dhe ishte një fitore fantastike për mua ndaj një prej kundërshtarëve më të vështirë në botë”, përfundoi Nadal.
Pasi deklasoi dhe i tregoi se si luhet tenisi serbit Novak Djokovic, çeku Tomas Berdych nuk diti si të shprehet për finalen e tij të parë në karrierë në Wimbledon.
“Ndjenja është e papërshkrueshme, është e vështirë për t’u përshkruar”.
“Çdo fëmijë që për herë të parë e godet topin, e ka si ëndërr finalen e ndonjë ‘grand slami’ dhe nëse është Wimbledoni, është definitivisht maja. Është turneu më i madh për mua”, deklaroi Berdych i ngazëllyer me suksesin e arritur.
Tenisti britanik, Andy Murray, u shpreh të jetë tejet i zhgënjyer me disfatën e pësuar nga Rafael Nadal, për të cilin ka thënë se luajti më mirë dhe se e meritoi finalen.
“Unë jam i zhgënjyer. Unë pata raste në të gjitha setet, por ai luajti më mirë se unë. Nuk mendoj se luajta keq, por ai luajti shumë mirë. Ky është dallimi”, theksoi Murray.
Andy Murray ishte shpresa e vetme e britanikëve për këtë vit në Wimbledon, por edhe një herë ai dështoi të bëhej tenisti i parë britanik që arrin finalen e Wimbledonit pas 72 vitesh.
Rafael Nadal ka mposhtur Andy Murrayn në gjysmëfinale, ndërsa atë që bëri spanjolli, e bëri me përpikëri edhe Tomas Berdych ndaj serbit Novak Djokovic.
Murray shpresonte se do të bëhej britaniku i parë pas vitit 1938 që do të arrinte ndonjë finale të Wimbledonit, por Nadal ishte më i përpiktë në momentet kyçe të sfidës për të fituar në fund me rezultat 6-4, 7-6 dhe 6-4.
Nadal për kundërshtar në finalen e të dielës do ta ketë çekun Tomas Berdych, që shkatërroi serbin Novak Djokovic me rezultat 6-3, 7-6 dhe 6-3.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, pendohet që nuk arriti ta pengojë transferimin e Yaya Toures te Manchester City.
“Nuk është lajm i mirë për ne. Ai është një top lojtar dhe unë kam dashur që ai të qëndronte me ne, por ai kërkoi të largohej. Kur një lojtar nuk dëshiron të qëndrojë, ai duhet të largohet dhe unë i dëshiroj atij çdo të mirë. Ai është një djalosh i shkëlqyer, një njeri i shkëlqyer dhe unë dua ta falënderoj atë për tre vitet e mrekullueshme në Barcelonë. Pa të, do të ishte pothuajse e pamundur t’i fitonim shtatë trofe në dy sezone”, theksoi Guardiola.
Guardiola u shfaq indiferent kur u pyet nëse Barcelona ka bërë tentime tjera për të transferuar Cesc Fabregasin nga Arsenali.
“Nuk është kjo punë për mua... Unë jam trajneri i Barcelonës, por ai është lojtar i Arsenalit. Arsene Wenger duhet të vendosë”, përfundoi Guardiola.
Simboli i futbollit anglez, David Beckham, ka thënë se Anglia nuk e meritoi të kualifikohej më tej në Botërorin e sivjetmë.
“Ne nuk luajtëm në nivelin që dimë të luajmë dhe në të cilin jemi në gjendje të luajmë. Në katër ndeshjet ne nuk ishim mjaft të mirë dhe pa marrë parasysh golit të anuluar, Gjermania luajti më mirë se ne gjatë 90 minutave dhe meritoi të kualifikohej më tej”.
“Më duhet të them se tifozët ishin fantastikë, ashtu si gjithmonë. Do të duhej të kishte qenë vërtet e vështirë, për kohën dhe paratë e shpenzuara, ndërsa kombëtarja i zhgënjeu me paraqitje të tilla”, përfundoi Beckham duke lëvduar disa nga yjet e këtij kompeticioni deri në këtë fazë.
Legjenda franceze, Lilian Thuram, ka kërkuar që mbrojtësi i krahut të majtë, Patrice Evra, të dënohet me përjashtim të përhershëm nga kombëtarja franceze, pas skenave kaotike në Botërorin e sivjetmë.
Duke folur për L’Equipe, Thuram, që është futbollisti me më shumë paraqitje në histori të kombëtares së Francës, fajësoi Evran për sjelljen e tij, duke kërkuar që ai të përjashtohet nga përfaqësuesja.
“Kërkoj që disa lojtarë të dënohen dhe Patrice Evra të mos rikthehet më në kombëtaren franceze. Kur jeni kapiten i Francës, keni përgjegjësi për respektin të cilin njerëzit e kanë për fanellën”, theksoi Thuram.
Fabio Capello do të vazhdojë të qëndrojë në postin e përzgjedhësit të Anglisë, përkundër paraqitjeve jo të mira dhe eliminimit nga Botërori, Afrika e Jugut 2010.
Është thënë se Capello do të takohej me kreun e kombëtares angleze, Sir Dave Richards, gjatë javës së ardhshme, mirëpo komunikata e lëshuar nga Federata Angleze e Futbollit, ka bërë që ky takim të mos ketë nevojë të zhvillohet, pasi që Capello do të mbetet në postin e tij deri në fund të Euro 2012, kur edhe i skadon kontrata.
“Federata e Futbollit konfirmon se Fabio Capello do të mbetet përzgjedhës i kombëtares angleze”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga FA.
Nga ana tjetër, Fabio Capello u shpreh se si kurrë më parë ai është i uritur për suksese, duke premtuar përkushtim të plotë deri në fund të mandatit të tij.
Protagonisti kryesor në fitoren e Holandës kundër Brazilit, Wesley Sneidjer, është shprehur tejet i lumtur pas fitores sensacionale të ‘Tulipanëve’.
“Vërtet u duk i pamundur kualifikimi pas pjesës së parë. Sidoqoftë, ne i thamë njëri-tjetrit që duhet të japim gjithçka dhe se ne mund të kalojmë në gjysmëfinale”.
“Ne filluam pjesën e dytë me qëllime sulmuese dhe jemi shpërblyer me një barazim të shpejtë. Unë e pata gjithë kohën dhe hapësirën e nevojitur për golin e dytë dhe nuk hezitova ta fus topin në rrjet”.
“Thjeshtë, kjo është një ndjenjë fantastike. Ne e kemi mposhtur Brazilin me rezultat 2-1 për t’u kualifikuar në finale. Ky është rast unik për ne që të shkojmë deri në finale. Ne kurrë nuk ndaluam së luftuari dhe e kemi merituar fitoren pas 90 minutave”, deklaroi Sneijder pas ndeshjes.
Portieri i Brazilit, Julio Cesar, ka pranuar se Holanda e ka merituar kualifikimin në gjysmëfinalen e Botërorit, Afrika e Jugut 2010.
“Besimi i tifozëve të Brazilit ishte i madh. Mendoj se futbolli luhet 11 kundër 11 dhe në pjesën e dytë ata e merituan rezultatin. Ne nuk reaguam mirë pas golit të parë. Ishte një top që pata dyshime se si ta kap, pasi që edhe Melo ishte aty. Këto gjëra ndodhin në futboll. Ne duhet të mbajmë kokën lart”.
“Presioni në Brazil është gjithmonë i madh. Por, ishte i duhur për këtë kampionat. Është një ndjenjë shumë pikëlluese kjo”, deklaroi pas ndeshjes Cesar.
Chelsea ka bërë të ditur se ka kompletuar transferimin e mesfushorit të Liverpoolit, Yossi Benayoun, që ka nënshkruar kontratë trevjeçare, ndërsa shuma e transferimit besohet të jetë rreth 5-6 milionë funte.
30-vjeçari ishte lidhur për muaj të tërë me një kalim te Chelsea, si zëvendësim për të larguarin Joe Cole. Kështu mbaron dhe periudha trevjeçare e Benayoun në Anfield, ku ai shënoi 18 gola në 92 paraqitje.
“Jam shumë i kënaqur që do të vij te një klub si Chelsea, është një klub i madh dhe mendoj se është ëndërr për çdo lojtar. Shpresoj se do të jemi të suksesshëm”, theksoi Benayoun.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Liverpoolit në faqen zyrtare ka thënë: “Largimi i Benayoun ishte vendosur mes lojtarit dhe Benitezit disa javë më parë. Të gjithë te Liverpooli i dëshirojnë çdo të mirë në të ardhmen”.
Përfaqësuesja e Holandës në mënyrë sensacionale e ka përmbysur epërsinë e Brazilit, për të shënuar fitore prej 2-1 dhe për të siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Brazili shfaqi lojë më të mirë në gjysmën e parë të takimit duke arritur të realizojë një herë. Një superpasim të Felipe Melos e pranoi Robinho, i cili me lehtësi e mposhti portierin Stekelenburg (10’) dhe me epërsi minimale të Selecaos përfundoi pjesa e parë.
Gjysma e dytë ishte edhe më dinamike, me Holandën që kërkonte golin e barazimit. Pas një krosimi të Wesley Sneijder dhe një daljeje të gabuar të portierit Cesar, Felipe Melo shënoi në portën e tij (53’) për ta barazuar rezultatin.
Pas golit të shënuar, holandezët përmirësuan gjithnjë e më shumë lojën e tyre dhe në këtë mënyrë arritën deri te goli i avantazhit. Arjen Robben krosoi nga këndi, Dirk Kuyt pasoi me kokë te Wesley Sneijder, dhe ky i fundit po me kokë shënoi për rezultatin 2-1 (68’) në favor të përfaqësueses së tij.
Gjërat për brazilianët i përkeqësoi edhe më shumë Felipe Melo, i cili u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje josportive ndaj Arjen Robben (73’).
Deri në fund të takimit nuk pati gola, dhe skuadra me fanellat ngjyrë portokalli iu gëzua fitores në stadiumin Nelson Mandela Bay në Port Elizabeth.
Në gjysmëfinale, Holanda do të përballet me fituesin e takimin ndërmjet Uruguait dhe Ganës.
Superylli i Argjentinës, Lionel Messi, definitivisht do të luajë në çerekfinalen e të shtunës ndaj Gjermanisë, thonë burimet nga stafi i Argjentinës.
Është dyshuar se Messi nuk do të ishte në gjendje të luajë, për shkak se nuk mori pjesë në stërvitjen e të premtes, si pasojë e një ftohjeje.
Megjithatë, një burim i stafit mjekësor ka thënë për Ole se Messi është në gjendje të mirë dhe mund të luajë, duke bërë kështu që i gjithë kombi argjentinas të jetë më i çliruar pas këtij lajmi të mirë.
Sulmuesi paraguaian, Lucas Barrios, ka kërcënuar spanjollët me eliminim në çerekfinale, pasi që, sipas tij, skuadra e Paraguait nuk do të tregojë respekt për Furinë e Kuqe.
“Ne kemi respekt për Spanjën sepse është skuadër e fortë. Por, ky respekt do të zhduket me të hyrë në fushë. E njëjta gjë ndodhi edhe ndaj kampionit të botës, Italisë. Tani, Italia është në shtëpi, kurse ne jemi këtu”.
“Shpresojmë të kalojmë më tutje, kemi një rival të fortë, por në çerekfinale gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë Barrios.
Gjermania do të ndeshet me Argjentinën në supersfidën çerekfinale të së shtunës, e cila ka nxitur mjaft deklarata kontroverse nga futbollistët gjermanë, për të cilët mbrojtësi Martin Demichelis ka thënë se shfaqin shenjën e nervozës, apo respektit ndaj Argjentinës.
“Është një akt i nervozës apo respektit, por unë mendoj se është respekt. Për shkak se i kemi mposhtur në miqësore më herët, ata na respektojnë më shumë, për historinë tonë gjithashtu”.
“Shumë njerëz e nënvlerësojnë fitoren dhe paraqitjen tonë në miqësoren 1-0 ndaj Gjermanisë në mars. Por, kjo Gjermani është e njëjtë sikurse atëherë përkundër tre ndryshimeve dhe lojtarët argjentinas që i mposhtën janë të gjithë të njëjtë”.
“Unë shpresoj se ne mund të përsërisim atë që bëmë në mars, sepse Gjermania nuk na shkaktoi telashe atëherë. Ne do të tentojmë ta mbajmë topin larg tyre dhe ta kontrollojmë atë me lojtarët tanë të mirë që i kemi”, deklaroi Demichelis.
Diego Armando Maradona ka vazhduar rrjedhën e deklaratave të tij kontroverse para takimit ndaj Gjermanisë, duke thënë kësaj radhe se Zoti e do Argjentinën në finale të Kampionatit Botëror.
“Maradona ne duam të jemi në finale. Shpresojmë që kjo ëndërr të bëhet realitet për ne”, theksuan fansat e vegjël të Maradonas në emisionin e televizionit Canal 13.
Maradona më pas u përgjigj: “Merreni lehtë djema. Unë dua t’u shoh në finale. Nëse Zoti e do këtë, atëherë do t’u shoh në finale. Dhe Zoti e dëshiron këtë”.
Maradona shtoi se babai i tij do të udhëtojë në Afrikën e Jugut vetëm nëse Argjentina arrin në finale dhe konfirmoi se Demichelis luan nga fillimi, kurse dilema e tij ekziston mes Samuelit dhe Burdissos.
Real Madridi është duke e monitoruar për së afërmi sulmuesin e Arsenalit, Robin Van Persie, që aktualisht ka ende kontratë valide me Topçinjtë.
Los Blancos janë në treg për një sulmues të ri për shkak se pritet largimi i legjendës Raul Gonzalez dhe gjithashtu po spekulohet për një largim të mundshëm të Karim Benzemas.
Sipas Marca, Los Merengues do të bëjnë një ofertë prej 42.5 milionë eurosh për sulmuesin holandez, një ofertë që do të pranohej menjëherë nga Arsene Wenger.
Francezi Karim Benzema duket se është drejt largimit nga Real Madridi, me Manchester Unitedin të gatshëm të bëjë ofertë për sulmuesin francez.
Marca shkruan se United është i gatshëm të paguajë 30 milionë euro për të, ndërsa Real Madridi thuhet se do ta pranojë ofertën, për shkak se sulmuesi dështoi ta tregonte veten pas transferimit nga Lyoni.
Me Real Madridin në kërkim të Van Persiet, Benzema mund të vendosë të largohet, pas një sezoni dëshpërues në fanellën e Los Blancos.
Qendërmbrojtësi uruguaian në top formë, Diego Godin, dhe forma e tij fantastike në Kampionatin Botëror, nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga gjigantët italianë, Inter dhe Milan, të cilët janë jashtëzakonisht të interesuar në transferimin e tij.
Siç shkruan Marca, mbrojtësi i Villarrealit shihet si alternativë shumë e mirë për klubet italiane që ta forcojnë vijën e tyre të mbrojtjes.
Në rastin e Interit, Godin do të përbënte një rifreskim të dyshes qendrore Samuel-Lucio, kurse nuk dihet nëse Milani është në gjendje t’i plotësojë kërkesat prej 10 milionë eurosh që ka Villareali për të.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, mezi pret fillimin e sezonit të ri, ndërsa ai është i përqendruar në parasezonin që është në zhvillim e sipër te Zonja e Vjetër.
“Ne rifillojmë sot. Sot do t’i kemi testet mjekësore dhe më pas do t’i lansojmë fanellat e reja në Vinovo. Ky është rifillimi i 18-të dhe po më duket sikurse i pari. Unë po e përjetoj këtë moment me entuziazëm”.
“Nuk është sikurse kur shkon në shkollë dhe thua se ka mbaruar pushimi, por këtu ka shumë vullnet për të rifilluar dhe për t’u kthyer në fushë sa më shpejtë. Nuk mund të pres sezonin e ri”, theksoi Del Piero.
Djali i presidentit të Milanit, Silvio Berlusconi, nuk e ka përjashtuar transferimin e sulmuesit të talentuar të Interit, Mario Balotelli.
“Balotelli? Ai është një talent i vërtetë, i çmendur në vrap. Unë kërkoj nga tifozët që të kenë durim dhe të kenë besim në babanë tim, që u ka dhënë atyre shumë kënaqësi”.
“Allegri? Nuk e njoh mirë, por nga ajo që kam parë, unë e shoh një stil ‘allegro’ të lojës. Milani është një pjesë e zemrës së babait tim. Unë kam besim të plotë në të dhe e ndaj gjithë atë që bën ai. Unë nuk i vë në pikëpyetje vendimet e tij sepse kur flas me të për Milanin, unë flas si tifoz”, deklaroi Berlusconi Junior.
Laurent Blanc sot edhe zyrtarisht është caktuar pasues i Raymond Domenech në postin e përzgjedhësit të kombëtares së Francës në futboll.
44-vjeçari Blanc, i cili ishte pjesë e përfaqësueses kur fitoi Kupën në vitin 1998 dhe ishte trajner i Bordeaux deri në sezonin e kaluar, ka detyrë ta kthejë Francën në shtigjet e fitores, pas dështimit që pësuan Trekolorët në Afrikën e Jugut.
Që më herët u bë e ditur se Blanc do të ishte pasues i Domenech dhe strategu edhe zyrtarisht është caktuar trajner i ri i kombëtares së Francës në takimin e sotëm të bordit në Federatës Franceze të Futbollit në Paris.
Transferimi më i ri i Manchester Cityt edhe zyrtarisht quhet Yaya Toure, pasi arriti që ta bindë Barcelonën ta lë të largohet mesfushorin e Bregut të Fildishtë.
Sidoqoftë, gjiganti spanjoll nuk ka konfirmuar ende detajet definitive të shkëputjes së kontratës, që e bënë transferimin të mos konsiderohet ende definitiv, por besohet se ai mund të quhet i tillë,sepse këto detaje të vogla pritet të zgjidhen brenda pak orësh.
Toure ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare, me ç’rast finalizoi dhe bashkimin me vëllanë e tij Kolo Toure.
Për këtë transferim tejet i kënaqur u shpreh Roberto Mancini, që ka thënë se ky është një lajm fantastik për të dhe klubin nga Eastlands.
West Hami thuhet se është duke e menduar të bëjë një ofertë tjetër në drejtim të Santos në tentim për të siguruar shërbimet e sulmuesit të ri Neymar.
18-vjeçari më herët kishte tërhequr dhe interesimin e gjigantëve spanjoll të Real Madrid, por që nuk arritën ta transferojnë sulmuesin e talentuar. Në ndërkohë, Çekanët e West Ham kanë tentuar ta transferojnë atë me një ofertë prej 12 milionë funtesh, që u refuzua menjëherë nga pala braziliane.
Drejtori sportiv i klubit, Luiz Nunes Pedro Conceicao, ka thënë më herët se lojtari nuk është në shitje, por e përditshmja angleze Daily Mail shkruan se londinezët dëshirojnë të bëjnë një ofertë më të mirë për ta transferuar të riun brazilianin në Ligën Premier.
Sipas mediave italiane, Interi është duke menduar ta shesë Mario Balotellin te Real Madridi dhe më pas të transferojë mesfushorin e Benficas, Ramires.
Të enjten agjenti i Balotellit kishte thënë se 70 milionë euro do të ishin të mjaftueshme për të zgjidhur të ardhmen e sulmuesit, ndërsa kjo e ka bërë Il Corriere dello Sport të mendojë se është duke u përgatitur një marrëveshje. Balotelli thuhet se është duke e konsideruar Mourinhon si babanë e vet dhe Mourinho e konsideron atë si djalin e tij, gjë që mund të ndikojë në transferimin e tij te Reali.
Nga ana tjetër La Gazzeta dello Sport spekulon se Interi është në kërkim te mesfushorit brazilian që vlerësohet 15 milionë euro, Ramires. Në ndërkohë, gara për transferimin e mesfushorit të Liverpoolit, Javier Mascherano është ftohur, por Nerazzurët janë optimistë se marrëdhënia e mirë me Roy Hodgson mund të ndikojë në finalizimin e marrëveshjes.
Superylli i Gjermanisë, Mesut Ozil, ka thënë se ai mund t’i ndjekë hapat e Michael Ballackut dhe të kalojë në Ligën Premier.
“Tani për tani më intereson vetëm Botërori. Kur të kthehem mund të mendojmë vetëm për të ardhmen, por tani për tani nuk është diçka që dua të lë të mendohet shumë për të. Liga Premier ka top lojtarë dhe është tërheqëse. Ju shikoni në Manchester Cityn dhe Chelsean çfarë kanë arritur viteve të fundit dhe shihni se është e lehtë të jeni të suksesshëm në klube të tilla”.
“Unë shoh se çfarë ka arritur Ballack te Chelsea dhe cilësia e lojtarëve me të cilët ka luajtur. Trofetë më interesojnë. Në Angli janë gjithmonë dy ekipe në maje dhe natyrisht ajo është tërheqëse. Por, e njëjta është e vërtetë dhe për La Liga. Këto janë dy kampionatet më të forta në botë”, tha Ozil për The Sun.
Real Madridi është duke e shqyrtuar transferimin e qendërmbrojtësit të Juventusit, Giorgio Chiellini.
Leggo shkruan se Jose Mourinho e kërkon Chiellinin në Bernabeu për të siguruar fuqi të mjaftueshme në fazën defensive. Real Madridi kërkon t’i japë fund paraqitjeve jo të suksesshme të Ligës së Kampionëve dhe ata janë duke punuar në ndërtimin e një skuadre sa më të fuqishme.
Chiellini aktualisht është në bisedime me Juventusin për një kontratë më të mirë. Agjenti i tij Davide Lippi është duke kërkuar që Chiellini ta ketë pagën si përfituesit tjerë të mëdhenj të klubit. Në anën tjetër, Manchester United është gjithashtu i interesuar në Chiellinin dhe nëse Juventusi nuk ia ofron një kontratë më të mirë mbrojtësit italian, ai shumë lehtë mund të largohet nga Olimpico i Torinos.
Ish-mbrojtësi i Romës dhe Milanit, Cafu, beson se Brazili do ta ketë të vështirë të kualifikohet në gjysmëfinale, pasi në çerekfinale ka punë me Holandën.
“Do të jetë ndeshje e vështirë, por unë shpresoj se Brazili mund ta fitojë këtë ndeshje ashtu si gjithë Botërorin. Kjo do ta bënte gjithë popullin e Afrikës së Jugut të lumtur. Por, së pari, duhet të mendojmë që t’i mposhtim kundërshtarët e radhës”, theksoi Cafu.
Cafu ishte pjesë e kombëtares braziliane në vitin 2002, kur dhe e fitoi Kampionatin Botëror në Japoni dhe Kore të Jugut.
Ish-kapiteni i kombëtares italiane, Fabio Cannavaro, është shprehur edhe njëherë për eliminimin e turpshëm të Italisë nga Kampionati Botëror, duke thënë se lëndimet e Buffonit dhe Pirlos ishin vendimtare.
“Unë do të doja të kem luajtur me Buffonin dhe Pirlon. Kur më bie ndërmend që e humbëm shkëlqimin në fushë…në pjesën e parë ndaj Sllovakisë pashë lojtarë duke vrapuar përreth pa kurrfarë arsye. Unë e kam ditur se nuk do të dalim lehtë nga ajo situatë dhe nuk kam dashur që ndeshja ime e fundit me Italinë të mbaronte ashtu”.
“Kishte shumë frikë, sistemi ishte i gabuar, ndërsa këto ishin dhe shkaqet pse u eliminuam. Kampionë si Rooney dhe Ronaldo u eliminuan gjithashtu. Kjo do të thotë se nëse nuk ke ekip, atëherë nuk do të shkosh shumë larg”, ka thënë Cannavaro për La Gazzetta dello Sport.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, ka thënë në prag të ndeshjes së sotme çerekfinale kundër Brazilit se një-në-një, lojtarët holandez janë më të mirë se ata brazilianë.
Brazili thuhet se e ka ekipin më të mirë në Afrikën e Jugut dhe shihet si favorit për të arritur në finalen e 11 korrikut. Por Van Persie mendon se ekipi i tij është më i mirë.
“Kjo është ndeshja të cilën e kërkonim. Nuk do të ketë shumë dallim. Nëse i krahasoni të gjithë lojtarët të të dyja ekipeve, atëherë mendoj se ne kemi më shumë lojtarë të nivelit të lartë. Jam i sigurt se Brazili nuk është më i mirë se ne”.
“Sigurisht, ne duhet ta përmirësojmë ndeshjen tonë, por çdo ndeshje është një aventurë e re, çdo ndeshje duhet të jetë më e mirë. Neve nuk na lejohet të mendojmë për atë që tashmë e kemi arritur. Nëse e bëjmë këtë, gjithçka ka mbaruar”, ka thënë Van Persie.
Roy Hodgson thotë se ai do të bëjë gjithçka për të bindur yjet e Liverpoolit, Steven Gerrard dhe Fernando Torres të qëndrojnë në Anfield.
Menaxheri i ri i Redsave thotë se suksesi në fushë do të jetë kyç për të mbajtur lojtarët në Liverpool.
“Puna ime është të përpiqem dhe të shpjegoj se kam ardhur në Liverpool pasi dua të punoj me njerëz si Steven Gerrard. Shpresoj se ai do të ketë përkushtim të mjaftueshëm ndaj klubit dhe do të jetë i interesuar të punojë me mua dhe të shohim se si do të shkojë kjo”.
“Jam i gatshëm për jetë me Steven Gerrard dhe me të gjithë top lojtarët tjerë këtu. Sigurisht kjo përfshin edhe Torres. Ne do të luftojmë për ta. Të gjithë e kanë dëgjuar kryetarin e bordit (Martin Broughton) të thotë se ata nuk janë në shitje dhe kjo vlen për Torres, Javier Mascherano dhe çdokënd tjetër”, ka thënë Hodgson.
Serena Williams thotë se nuk e merr si të zgjidhur përpjekjen e saj për të qenë kampione e Wimbledonit për të katërtën herë, pavarësisht se shihet si favorite për finalen kundër Vera Zvonareva.
Williams arriti deri në ndeshjen e fundit të garës pasi mposhti çeken Petra Kvitova në dy sete (7-6, 6-2) për të caktuar finalen me rusen me përvojë, e cila u kthye nga një set disavantazh për të mposhtur bullgaren Tsvetana Pironkova (3-6, 6-3, 6-2).
“Në letra duket sikur unë duhet të fitoj, por kam luajtur kundër Vera disa herë dhe ajo ka mposhtur disa lojtarë shumë të mirë. Në dy ndeshjet e saj të fundit ajo ka treguar se është luftëtare. Ajo kurrë nuk dorëzohet”, ka thënë Williams.
Kampioni në fuqi i Formula 1, Jenson Button, dëshiron të japë maksimumin për të fituar garën e radhës, British Grand Prix.
Mund të duket befasuese por gjatë 10 sezoneve të tij në Formula 1, Button kurrë nuk është ngjitur në podiumin e Çmimit të Madh të Britanisë. Megjithatë, 30-vjeçari shpreson ta shtojë edhe këtë çmim në raftin e tij, duke dalë i pari në garën e vikendit të ardhshëm me McLaren.
“Kam fituar në Monako dhe kam fituar kampionatin e botës, andaj të fitoj çmimin në shtëpinë time është një prej gjërave që më mungon në CV-në time. Ne të gjithë dëshirojnë të fitojmë në shtëpi, por veçanërisht britanikët, pasi ka shumë tifozë britanikë dhe shumë ekipe britanike”.
“Andaj të fitoj çmimin vendor është diçka shumë e veçantë, diçka që ende nuk e kam bërë, për diçka që do të doja ta bëj para fundit të karrierës time, dhe mendoj se këtë vit kemi një mundësi të shkëlqyeshme”, ka thënë Button.
Trajneri i Valencias, Unai Emery, është i ngazëllyer me transferimin e mesfushorit të Montpellier, Tino Costa.
Së bashku me mesfushorin argjentinas, mbrojtësi portugez Ricardo Costa, anësori francez Sofiane Feghouli dhe sulmuesi Roberto Soldado po ashtu kanë nënshkruar me Valencian.
“Tino Costa është një futbollit i shkëlqyeshëm. Ne e kemi përcjellë atë dhe ai përshtatet në mënyrë të përkryer te Valencia. Klubi ka punuar shumë për ta përfshirë atë dhe ai ka aprovimin e të gjithëve në klub”, ka thënë Emery.
Portieri veteran brazilian, Nelson Dida, i ka thënë edhe ‘lamtumirën’ zyrtare Milanit dhe fansave të këtij klubi.
Dida tash është një lojtar i lirë, pasi kontrata e tij ka skaduar dy ditë më parë.
“Për herë të parë në 10 vite mund të them se jam një ish-rosoner. Kam dashur të pres fundin e kontratës time të bëj këtë përshëndetje të dashur për fansat e Milanit”.
“Ju të gjithë qëndruat në krah timin dhe kemi ndarë edhe kënaqësinë edhe dhimbjen, duke fituar gjithçka që ka qenë për t’u fituar. Ju faleminderit nga zemra dhe... Forza Milan!”, ka shkruar Dida në letrën e tij të publikuar në faqen e Milanit.
Mesfushori i Arsenalit, Tomas Rosicky, ka hedhur poshtë thëniet se ai do të kalojë në ndonjërin prej klubeve të Bundesligës.
Çeku 29-vjeçar është lidhur me tre klubet gjermane, Borussia Dortmund, Hamburg dhe Koln, por thotë se ai është i fokusuar vetëm në Arsenalin.
“E kam vërejtur këtë, por nuk di asgjë për të. Jam i interesuar në orarin para-sezonit me Arsenalin”, ka thënë Rosicky.
Edhe agjenti i tij ka pohuar interesimin e klubeve tjera, por ka pohuar përkushtimin e tij me Topçinjtë. s“Ka pasur interesime në Tomas, por prioriteti i tij mbetet Arsenali”, ka thënë Pavel Paska.