Federata braziliane e Futbollit (CBF), ka shkarkuar nga detyra e përzgjedhësit të kombëtares braziliane Carlos Dungan, pas eliminimit zhgënjyes në çerekfinale të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.Dunga kishte thënë edhe vetë se ka ndërmend të largohet nga posti i tij, pas humbjes prej 2-1 ndaj Holandës të shtunën, ndërsa tani CBF ka bërë të ditur me anë të një komunikate se ka shkarkuar ish-kapitenin e Brazilit.
“Pas ciklit të punës që filloi në gusht të vitit 2006 dhe përfundoi me eliminimin e Brazilit në Kampionatin Botëror, CBF ka ardhur në përfundim dhe bën të ditur se është shkarkuar i gjithë stafi teknik i ekipit kombëtar. Stafi i ri teknik do të prezantohet në fund të korrikut”, thuhet në komunikatë.
Ish-menaxheri i Chelseat, Luiz Felipe Scolari dhe ish-trajneri i Milanit, Leonardo, janë emrat e përfolur si kandidatë për pozitën e kryetrajnerit të kombëtares braziliane.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka ftuar publikisht mbrojtësin e Chelseat, Ashley Cole dhe kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard, që të transferohen te Real Madridi, duke u garantuar se nën Jose Mourinhon do ta kenë rastin të fitojnë shumë tituj.“Ne jemi një klub që gjithnjë dëshiron të përmirësohet duke transferuar lojtarët më të mirë në botë. Ne kemi një rekord të transferimit të lojtarëve anglezë, me Beckahmin dhe Owenin, ndërsa nuk do të ishte befasi nëse dy transferimet tjera tona gjatë kësaj vere janë nga Anglia. Ashley Cole është futbollist i shkëlqyer”.
“Për mua, ai është larg mbrojtësi i majtë më i mirë në botë dhe së bashku me Drogban, ai është lojtari më i mirë i Chelseat. Jam i sigurt se Chelsea do të bëjë gjithçka për ta mbajtur atë, por ai ka pasur një vit të vështirë në Angli. Një ndryshim mund të jetë ajo që ai është duke kërkuar. Nëse një lojtar është më i miri në pozitën e tij dhe nëse nuk luan për Real Madridin, atëherë konsiderojeni këtë si humbje. Ai ka bërë shumë për Arsenalin dhe Chelsean. Tani është koha për të që ai të vijë ta fitojë La Ligan dhe Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe Jose Mourinhon”.
“Mourinho do të dijë gjithçka për të. Ai ka një histori të transferimit të lojtarëve që i ka pasur nëpër klubet e kaluara. Më me rëndësi është se lojtarët duan të luajnë nën drejtimin e tij. Unë bisedova me Cristiano Ronaldon për Ashley Cole dhe ai më ka thënë se Cole është mbrojtësi më i vështirë ndaj të cilit ka luajtur ndonjëherë. Ky është një kompliment nga lojtari më i mirë në botë dhe ky është lojtari që na duhet aktualisht”.
“Gerrard? Mendoj se admirimi i Real Madridit për Steven Gerrard nuk është i fshehtë. Ai është në një pikë ku atij i duhet të fitojë diçka. Unë i garantoj atij se në këtë Real Madrid, ai mund të fitojë gjithçka”, deklaroi Sergio Ramos për Daily Star Sunday.
Cicinho është rikthyer te Roma para fillimit të stërvitjeve për sezonin e ri 2010/2011.Mbrojtësi gjeti pak hapësirë nën trajnerin Claudio Ranieri dhe siguroi një huazim te Sao Paolo. Sidoqoftë, klubi brazilian nuk u shpreh i interesuar t’ia vazhdojë huazimin deri në fund të vitit.
Cicinho ka kontratë me Romën edhe dy vite, por romakët shpresojnë të gjejnë një zgjidhje të mirë për të dyja palët, pasi që Cicinho definitivisht nuk është në planet e trajnerit. Thuhet se Santosi është i interesuar për shërbimet e 30-vjeçarit.
Chelsea thuhet të jetë i interesuar në transferimin e mesfushorit brazilian të Benficas, Ramires, gjithnjë sipas agjentit të këtij të fundit.23-vjeçari iu bashkua klubit portugez në maj të vitit 2009 për 6.5 milionë euro dhe agjenti i tij Luis Carlini, i ka thënë News of the World se mesfushori kreativ mund të largohet gjatë kësaj vere.
“Shumë klube evropiane kanë qenë në kontakt me Ramires. Chelsea dhe Bayern Munichu kanë biseduar me Benfican, por nuk mund të them më shumë”, theksoi Carlini.
Anësori i Werder Bremenit, Mesut Ozil, ka rënë në syrin e menaxherit të Manchester United, Sir Alex Ferguson.Sipas Sunday Express, menaxheri i Manchester United, është bosi më i fundit të cilit i ka rënë në sy ylli gjerman, pas paraqitjeve fantastike në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Ozil do të ishte alternativë shumë e mirë për Wesley Sneijderin, të cilin është duke e kërkuar me ngulm Ferguson, por i cili kushton shumë shtrenjtë. Werder Bremen pritet t’i kërkojë skocezit 25 milionë funte për mesfushorin e talentuar.
Drejtori për zhvillimin e futbollit pranë Federatës Angleze të Futbollit, Sir Trevor Brooking, ka propozuar një plan për shpëtimin e futbollit anglez, pasi që sipas tij gjenerata e re e futbollistëve të Anglisë nuk është e mirë dhe kjo mund të ketë për pasojë mospjesëmarrjen e Anglisë nëpër kompeticionet më të mëdha në të ardhmen.“Nuk mendoj se ekziston cilësia e nevojshme apo që ka lojtarë që mund t’i ripërsërisin këta që i kemi tani, derisa t’i fusim shpejtë dy deri tre lojtarë të rinj, nga të cilët edhe ashtu po kërkohet shumë. Unë e di mjaft mirë se nuk ka zgjidhje të shpejta dhe përgjigje të lehta, pasi që ne duhet të fokusohemi në një të ardhme të gjatë të lojës tonë. Çelësi është që të kemi trajnerë më të shkathtë me më shumë qasje te fëmijët në moshë më të vogël”, ka thënë Brooking.
Jo më larg se para dhjetë vitesh, Gjermania po vuante nga gjenerata e stërvjetruar dhe nga një mungesë e futbollistëve të rinj, me Italinë, Spanjën dhe Francën që dominuan kampionatet në të gjitha nivelet e të rinjve. Sidoqoftë, kjo e detyroi Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) të shpenzojë hiç më pak se 800 milionë euro në rindërtimin e sistemit të zhvillimit të rinisë, një lëvizje që po shpaguhet pasi që Gjermania dhe ekipi i saj i ri janë duke shkelur çdo gjë që po i del përpara në Botërorin e sivjetmë.
Ish-mbrojtësi i Juventusit, Fabio Cannavaro, iu bashkua ekipi Al Ahli të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ai pritet ta përfundojë dhe karrierën e tij, ndërsa u ka thënë gazetarëve se vendimi i tij nuk është i bazuar në pagën e ofruar nga klubi arab.“Nuk është një zgjedhje ekonomike, por një zgjedhje familjare. Këtu presioni është sikurse në Kampionatin italian dhe unë gjithashtu mund ta përdor përvojën time për t’i mësuar njerëzit këtu”, theksoi Cannavaro.
36-vjeçari gjithashtu e shprehu zhgënjimin e tij që nuk arriti të kthehej në vendlindjen e tij, Napoli, ku preferoi të përqendrohej në lojtarë të rinj.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka arritur ta bindë pronarin Roman Abramovich, që t’ia sigurojë 100 milionë funte për afatin kalimtar veror, para me të cilat ai do të transferonte Ricardo Kakan e Real Madridit dhe Fernando Torresin e Liverpoolit.Kaka ka aluduar në të kaluarën se mund të mos gjente vend në formacionin e Jose Mourinhos, ndërsa për transferimin e tij, Ancelotti ka gati 50 milionë funte, me të cilat do të tentojë ta kthejë ish-yllin e Milanit në radhët e veta, pasi që Ancelotti beson se mund ta rikthejë brazilianin në formën më të mirë. Problemi i vetëm i trajnerit italian është Mourinho, që në këmbim pos parave do të kërkonte ndonjë nga lojtarët e Chelseat.
Nga ana tjetër, Chelsea pritet të testojë Liverpoolin me një ofertë prej 50 milionë funtesh për sulmuesin kryesor, Fernando Torres, pasi që përkundër ardhjes në krye të Roy Hodgson, Liverpooli thuhet të ketë ende vështirësi të mëdha financiare.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka konfirmuar se Diego Milito do të qëndrojë te Interi, por nuk garantoi një gjë të tillë për Maiconin, ndërsa nga ana tjetër lëvdoi Gjermaninë dhe në veçanti mesfushorin Mesut Ozil.“Nuk e di nëse Maicon do të qëndrojë, përderisa Milito sigurt po. Gjermania është një ekip vërtet i mirë dhe Ozil është i mrekullishëm, më pëlqen”.
“Interi e ka prishur futbollin italian? Ju lutem, kjo është qesharake. Ne në ekip kemi dy italianë. Njëri do të ishte i mirë dhe tjetri do të ishte një prej më të mirëve, kështu që ne kemi pasur çfarë t’i japim këtij vendi”, përfundoi Moratti duke iu referuar Marco Materazzit dhe Mario Balotellit, dy italianët e vetëm në ekipin e Interit.
Joe Cole ka folur për mënyrën se si është trajtuar nga menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, duke thënë se ai nuk i jepte më shumë se 20 minuta për të treguar veten.“Unë e kuptova që te Chelsea kanë qenë disa që kanë mundur të kenë dy ose tri ndeshje, para se të liheshin mënjanë. Unë kam pasur vetëm ato 20 minuta dhe më pas isha në bankën rezervë. Unë kam edhe shumë për të ofruar dhe vitet më të mira janë para meje. Por unë dua menaxherin e duhur, një menaxher që më do, dikush që do të më vë në formacionin startues, unë dua të luaj në një pozitë më qendrore, sikurse te West Hami”, theksoi Cole për Sunday Mirror.
Joe Cole që është në kërkim të një klubi të ri, spekulohet se mund të kalojë te Milani apo te Arsenali, mirëpo nuk përjashtohet as ribashkimi me Harry Redknapp.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, ka hedhur poshtë spekulimet për një rikthim të tijin te Manchester Unitedi.Njëri nga trajnerët në stafin e Sir Alex Ferguson, Rene Muhlesteen kishte zbuluar disa nga mesazhet që ai kishte shkëmbyer me Forlanin, me këtë të fundit që i shkroi se ai ka dëshirë të kthehet te Unitedi.
“Unë jam shumë i lumtur në Madrid dhe unë kam edhe tre vite në kontratën time me Atleticon. Unë nuk do të shkoj te Unitedi. Tani dua të kem një sezon tjetër të mirë, apo edhe më të mirë se ky që posa përfundoi”, ka thënë Forlan.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka thënë se bashkëlojtari i tij, Cesc Fabregas, kërkon të rikthehet në Camp Nou.“Unë e kam ditur se Cesc Fabregas kërkon të bashkohet me Barcelonën që prej disa vitesh, por tani është më shumë se një dëshirë për ta bërë këtë. Tani është diçka që ai ndjen se duhet ta bëj. Kampionati Botëror nuk ka qenë një gjë e mirë për Arsenalin”.
“Kjo do të thotë se ai ka kaluar gati çdo ditë me mua, Xavin, Iniestan dhe Victor Valdesin, ndërsa ai i ka qartësuar ndjenjat e tij. Ai është i fokusuar te Spanja, por zemrën e tij është në Barcelonë. Unë mendoj se tanimë në zemrën e tij ai është duke e bartur fanellën e Barcelonës”, ka thënë Pique.
Numri një i botës së tenisit, Rafael Nadal, e ka spastruar nga rruga bartësin e 12-të, Tomas Berdych, me rezultat të pastër në tri sete për ta fituar turneun e tetë ‘grand slam’ në karrierën e tij.Nadal ishte shumë i fortë për çekun Berdych, pasi që fitoi me rezultat 3-0 në sete (6-3, 7-5 dhe 6-4), në një ndeshje që u zhvillua për 2 orë e 13 minuta në fushën qendrore të Wimbledonit.
Nadal bëhet tenisti i parë spanjoll që e fiton dy herë Wimbledonin dhe njëkohësisht me fitoren në finale, ai regjistroi fitoren e 14-të me radhë në turneun më të madh të tenisit.
Sipas sportives madrilene AS, klubi gjerman Schalke 04 është shumë pranë transferimit të sulmuesit legjendar të Real Madridit, Raul Gonzalez.Nëse ndodh ky transferim, Raul do të kalonte te Schalke me parametra zero dhe do të fitonte katër milionë euro për stinor, ndërsa ai shihet si zëvendësues i Kevin Kuranyit, që kaloi te CSKA Moska.
Marrëveshja thuhet se është arritur në Mallorca mes zëvendëstrajnerit të Schalkes, Ronny Gersch dhe vetë sulmuesit, ndërsa Raul pritet të prezantohet edhe zyrtarisht si lojtar i Schalkes më 15 korrik.
Raul ishte lidhur më herët me një kalim në Kampionatin amerikan MLS, në Ligën Premier dhe në ndonjë nga klubet e pasura arabe.
Wayne Rooney thuhet se do të nënshkruajë kontratë të re me Manchester Unitedin, para fillimit të sezonit të ri.Sunday Mirror shkruan se 24-vjeçari, i cili gjendet në pushime me bashkëshorten dhe djalin e tij, kur të kthehet në Angli, do të nënshkruajë një kontratë të re të vlefshme 150.000 mijë funte në javë, që do ta bëjë atë lojtarin më të paguar te Manchester Unitedi.
Rooney, i cili dështoi ta jepte më të mirën në Botëror, nuk do të kthehet në përgatitjet parasezonale deri në fund të këtij muaji.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, duket të jetë i përqendruar në përforcimin e skuadrës me talentë të rinj britanikë dhe jo me lojtarë të huaj, me lëvizjen e parë, transferimin e mesfushorit të Aston Villas, Ashley Young.“Ne do të ishim budallenj nëse nuk e dimë rëndësinë e lojtarëve vendorë, duke parë se si janë duke shkuar rregullat e UEFA-s dhe Ligës Premier. Përndryshe, do të kemi telashe në skuadër”.
“Mendoj se klubi bëri mirë që angazhoi talentë të rinj nga akademia, por derisa ata të shpërthejnë, ne duhet t’i hyjmë më herët tregut të transferimeve”, tha Hodgson.
Liverpooli tashmë ka shitur Yossi Benayoun te Chelsea dhe është shumë pranë shitjes së Javier Mascheranos për 25 milionë funte te Interi apo te Barcelona.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është tejet i interesuar në përmirësimin e sulmit para fillimit të sezonit të ri, me Diego Forlanin si synim të tijin kryesor për këtë afat kalimtar.Forlan ka shkëlqyer në Kampionatin Botëror, duke tërhequr interesimin e shumë skuadrave evropiane, mes të cilave është edhe Tottenhami.
“Më pëlqejnë uruguaianët. Forlani do të kalonte edhe dy-tre vite të mira këtu në Ligën Premier, por kërkesat e tij të mëdha mund të jenë problem”, ka thënë Redknapp.
Portieri i Manchester Cityt, Shay Given, ka thënë se Roberto Mancini duhet t’ia japë një rast tjetër Robinhos, për ta treguar veten te Manchester City.“Nuk e di se si qëndron situata aktuale, por nuk ka mohime se ai pati një Botëror të mrekullueshëm. Ai duhet të mbetet lojtar i Manchester Cityt, pa marrë parasysh se çfarë është shkruar. Unë do të doja ta shihja atë përsëri te City, ai ka dalë në skenë dhe i ka demantuar shumë njerëz”.
“Ju harroni se ai ka munguar shumë vitin e kaluar për shkak të lëndimeve, për shkak se ai vinte nga banka rezervë dhe nuk mendoj se ai e kishte mprehtësinë e tij të nevojshme. Por, kthimi te Santosi dhe rikthimi i formës fizike, vërtet i ndihmoi. Ai na ka treguar se është një nga futbollistët më të mirë në botë dhe ai është ende i ri”, deklaroi Given për Daily Mail.
Ish-mesfushori i Chelseat, Joe Cole, ka thënë se Anglia është duke e paguar shtrenjtë çmimin për Ligën Premier, pasi që, sipas tij, shndërrimi i Kampionatit anglez në ligën më të fortë në botë, ka bërë që talentët të mos kenë vend për t’u zhvilluar.“A ekziston ndonjë talent anglez për momentin? Të jem i sinqertë, nuk e di. Kur unë isha te West Hami, kampionati ynë ishte i pesti më i miri në botë. Një grup prej nesh erdhi në të njëjtën kohë dhe ne ishim në gjendje për t’u futur në ekipin bazë, duke parë rrethanat në Angli atëkohë”.
“Tani, Liga Premier është liga më e fortë në botë. Kjo do të thotë se është më e vështirë për të rinjtë të shpërthejnë dhe të luajnë rregullisht. Ndoshta ne jemi duke paguar një çmim të shtrenjtë që e kemi ligën më të fortë në botë”.
“Është një kampionat aq i vështirë. Ju ose luftoni për titull, ose për Evropë ose për mbijetesë. Kjo do të thotë se klubet blejnë lojtarë të gatshëm. Kjo do të thotë se ka pak hapësirë për zhvillim. Djemtë tanë të U-17 e fituan Kampionatin Evropian javë më parë dhe disa prej tyre janë te Chelsea. Ata janë djem të mirë, por ata tani kanë nevojë për të luajtur në ekipin e parë dhe është aq e vështirë të hysh në ekipin e parë tani, sidomos te Chelsea”, deklaroi Cole për Sunday Mirror.
FIFA nuk ka dashur t’i kërkojë falje Paraguait për referimin e dobët në ndeshjen Paraguai-Spanjë, ku latino-amerikanët janë dëmtuar nga gabimet e gjyqtarit, me ç’rast dhe janë eliminuar.Përzgjedhësi i Paraguait, Gerardo Martino, beson se Pique është dashur të përjashtohej nga loja, duke e falënderuar ironikisht FIFA-n për atë se e kualifikoi Spanjën me dëshirë të saj, duke kërkuar nga organi më i lartë i futbollit, t’u kërkojë falje paraguaianëve për referimin katastrofal të gjyqtarit nga Guatemala, Carlos Batres.
Megjithatë, zëdhënësi i FIFA-s, Pekka Odriozola nuk ka dashur të dëgjojë për kërkesën e Martinos, duke thënë për Marca: “Tani nuk kemi informacione sa i përket incidentit dhe nuk do të kërkojmë falje”.
Nuk është hera e parë që Carlos Batres është shkaktar i disfatave të Paraguait. Ai drejtoi ndeshjen e Paraguait ndaj Gjermanisë në Botërorin e vitit 2002, ku dhe nuk e referoi një penalti të pastër pas një ndërhyrjeje të ashpër të Michael Ballack.
Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Klose, ka këmbëngulur se kundërshtari i gjysmëfinales së Botërorit të sivjetmë, Spanja, nuk është e padukshme dhe e pandalshme.“Nuk mund ta krahasoni këtë ndeshje me finalen e para dy viteve. Ekipet kanë ndryshuar, janë lojtarët tjerë dhe unë mendoj se jemi përmirësuar shumë. Kjo do të tregohet të mërkurën”, ka thënë Klose.
Gjermania takohet me Spanjën të mërkurën në duelin e dytë gjysmëfinal të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, i shtohet radhës së personaliteteve të futbollit që kanë kërkuar përdorimin e teknologjisë në futboll.I pyetur nëse do të kishte efekt përdorimi i gjyqtarëve prapa portës, sikurse në Europa League, Gerrard tha: “Ishte sukses. Pse të mos përdorej ai sistem në Botëror. Nëse do të ishte ndonjë gjyqtar prapa golit gjerman, atëherë Anglia do të mund të ishte në Botëror tani”.
“Kur merren këto vendime, ato merren vetëm nga gjyqtarët. Ata nuk e luajnë lojën, apo jo? Vendimi për mos pranimin e golit të Frank Lampard ishte shokues. Unë isha 25 metra larg dhe e kam parë qartë se e ka kaluar vijën, kështu që nuk e kuptova se pse anësori nuk e aprovoi. Ai ishte diku rreth 20 metra larg, që është zhgënjyese për këtë nivel, ndërsa shpresoj se kjo e hap përsëri debatin për teknologjinë në vijën e golit. FIFA duhet ta shqyrtojë këtë, sepse ajo çfarë na ndodhi ishte e frikshme. Mendimi im është se duhet të aplikohet teknologjia në futboll dhe e di se nuk jam i vetmi që jam duke e menduar këtë”.
“Ne kemi shumë ndryshime të rregullave përgjatë viteve, shumica prej tyre të mira, por nuk mund të kuptoj se pse ka aq shumë kundërshtime për teknologjinë, sepse ne po flasim për vendime të cilat mund të vendosin gjëra të mëdha si Kupën e Botës. Çfarë do të ndodhë është se vendimi do të merret nga njerëz të cilët nuk luajnë futboll dhe se nuk janë të prekur drejtpërsëdrejti nga këto gabime. Pse nuk pyeten kurrë lojtarët? Jam i sigurt se shumica prej tyre do të votonin pro teknologjisë në vijën e golit”, deklaroi Gerrard.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, ka pranuar se skuadra e tij ishte me fat që kaloi në gjysmëfinale, pas duelit të vështirë ndaj Paraguait.“Ka qenë shumë ndeshje e vështirë, shumë ndeshje e papërshtatshme, por kjo është ajo që kemi pritur, ata nuk na lanë ta luajmë lojën tonë. Në kohën time, ekipi kombëtar i Spanjës nuk është ndjerë kurrë aq i paakomoduar ose i pasaktë në pasime. Por, tani është një moment i mrekullueshëm për futbollin spanjoll dhe loja jonë është në maje”.
“Ne nuk luajtëm tmerrësisht mirë, por ne jemi të kënaqur pasi që e dimë se kemi të gjitha resurset e nevojshme për t’u përballur me çdo rival, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë”.
“Është një moment i mrekullueshëm për futbollin spanjoll. Ne mposhtëm Gjermaninë në finale të Euro 2008, por ata janë një nga ato ekipet elitare dhe unë mendoj se kjo tregon vlerat e futbollit evropian”, tha Del Bosque.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, pritet të largojë nga kombëtarja disa prej futbollistëve që ishin pjesë e ekipit të katastrofës së Botërorit, Afrika e Jugut 2010.“Fabio Capello e sheh të pafalshme që lojtarët të cilët treguan mjaft kurajë në kualifikime, nuk treguan guximin e njëjtë kur duhej në Afrikën e Jugut. Ai e sheh të pafalshme kur lojtarëve u mungon karakteri në fushë. Kjo është ajo që ai beson se ndodhi në Kampionat Botëror”.
“Ai do të përkujdeset që kjo të mos ndodhë më kurrë. Kjo është arsyeja pse do të ketë ndryshime, ndoshta më shumë se sa mendojnë njerëzit”, theksoi një burim për Mail on Sunday.
Nën ‘sëpatën’ e Capellos pritet që të hyjnë veteranët, duke përfshirë John Terryn, David James, Emile Heskey dhe Ledley King.
Wayne Rooney ka këmbëngulur se ai ishte i gatshëm fizikisht për Botërorin, Afrika e Jugut 2010 dhe arsyeja prapa dështimit të Anglisë është faji i ekipit dhe jo i sulmuesit të Manchester United.“Rooney ishte i gatshëm fizikisht. Në fakt, ai ka thënë se ka qenë në gjendjen më të mirë fizike që prej gjashtë muajsh. Ai vetëm ndjeu se Anglia dështoi ta gjente elementin e vet”.
“Nëse ai ishte aq i papërgatitur ose i dëmtuar, atëherë nuk do të vraponte aq shumë ndaj Gjermanisë. Forma e tij fizike është shumë e mirë dhe Rooney thjeshtë beson se nuk ndodhi që Anglia të triumfojë. Përderisa ai është duke u brengosur për diçka tjetër, teoritë e konspiracionit për ndarje, klane dhe përçarje janë të pavërteta”, tha një burim për The People.
Me gjyqtarët që janë temat kyçe të debateve të gjithë opinionit futbolldashës, pas gabimeve trashanike në Kampionatin Botëror, UEFA ka thirrur në krye të detyrës një prej gjyqtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, Pierluigi Collina, që do t’i caktojë gjyqtarët nëpër gara evropiane.“Unë kam vendosur të largohem nga pozita si planifikues i gjyqtarëve në Lega Calcio, sepse UEFA më ka ofruar një rol më të rëndësishëm. Unë do t’i koordinoj të gjithë gjyqtarët në Evropë. Është një pozitë e rëndësishme, duke parë garat e ndryshme që janë nën juridiksionin e UEFA-s”, theksoi Collina për Ansa.
Collina do të ketë detyrë shumë të vështirë, nëse marrim parasysh debatet e reja për përdorimin apo mospërdorimin e teknologjisë.
Sipas Sunday Express, Capello i kishte thënë bordit të Federatës Angleze të Futbollit, se ai nuk do të kërkonte kompensim të menjëhershëm dhe do të largohej nga pankina e kombëtares angleze nëse ata e kishin humbur besimin në të.Italiani ka mundur të fitojë 12 milionë funte kompensim në rast se FA do ta shkarkonte, pasi që ka edhe dy vite në kontratën e tij, por ka shprehur dëshirën për të vazhduar punën si përzgjedhës i Tre Luanëve.
“Fabio Capello ka pasur nevojë për mbështetje nga punëdhënësit. Nëse nuk ndodhte kjo, atëherë ai ishte i gatshëm të largohej. Negociatat nuk ka pasur nevojë të zhvillohen shumë gjatë, sepse Capello u kishte thënë se ai do të largohej me çfarëdolloj kompensimi që ata janë në gjendje të paguajnë dhe nëse nuk do të kishin para, atëherë ai do t’ua mundësonte ta paguajnë kompensimin për pesë vite”, tha një njeri i besueshëm i Capellos.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se ai është i hapur për çfarëdolloj ofertash për Mario Balotellin.Sulmuesi i talentuar është nën shënjestrën e Arsenalit dhe Manchester Cityt, me këtë të fundit që edhe publikisht është thënë se e dëshiron italianin në skuadër.
“Mirë, ne nuk duam të përjashtojmë ndonjë lloj negociatash dhe nuk duam t’ia ndërpresim askujt telefonin. Kjo do të thotë se ne do të dëgjojmë ofertat që vijnë për të”, theksoi Moratti.
Yaya Toure është jashtëzakonisht i kënaqur me kalimin e tij te Manchester City, ndërsa mezi pret të luajë me vëllanë e tij Kolo Toure.“Kjo është një ëndërr që u bë realitet, gjithmonë kam dashur të luaj për të njëjtin klub si vëllai im dhe unë jam aq i kënaqur që kjo më në fund ka ndodhur. Kjo është e mrekullueshme për familjen tonë, ne jemi të gjithë shumë të kënaqur për këtë. Kolo më tha se është një kohë shumë e mirë për klubin dhe është një projekt mjaft interesant. Ata duan të bëjnë disa transferime të mëdha, ndërsa unë pata nevojë për një sfidë më të madhe”.
“Unë jam i kënaqur që nënshkrova me Manchester Cityn. Unë e dua Ligën Premier dhe unë e shikoj gjatë gjithë kohës, ndërsa City luajti mirë që përfundoi në pozitën e pestë, por shpresoj se mund të përmirësohemi dhe të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Ky është një klub i madh dhe ky është synimi i parë, më pas do të mendojmë për të fituar kampionate”, deklaroi Yaya Toure për faqen zyrtare të Cityt.
Chelsea ka shprehur përsëri interesim për yllin argjentinas Sergio Aguero, në tentim për ta transferuar atë nga Atletico Madridi.Sipas Daily Mail, menaxheri i Bluve, Carlo Ancelotti, e ka bërë Agueron prioritet për këtë afat kalimtar veror.
Ndërkohë, spekulohet se Roman Abramovich është i gatshëm të shpenzojë 20 milionë funte për transferimin e sulmuesit të Atleticos.
Golashënuesi i dyfishtë në shkatërrimin e Argjentinës, Miroslav Klose, ka deklaruar se atij nuk i bën përshtypje të madhe për rekordin e barazuar të Gerd Muller prej 14 golave nëpër Botërore dhe afrimit vetëm në një me rekordmenin aktual, brazilianin Ronaldo, porse ai është i lumtur që ekipi kombëtar u kualifikua në gjysmëfinale.“Unë jam i kënaqur që e kemi fituar ndeshjen. Gjithçka që dëshiruam të bëjmë shkoi sipas planit. Tani unë kam 14 gola nëpër Botërore, njëjtë si Gerd Muller. Ai ka luajtur vetëm në dy Botërore dhe për këtë arsye krahasimi nuk është i drejtë”.
“Sidoqoftë, unë jam i kënaqur që arritëm në gjysmëfinale, sepse ky ishte qëllimi jonë”, tha Klose.
Mesfushori i Spanjës, Cesc Fabregas, ka thënë se Spanja pa arritur në finale, nuk mund të thotë se ka arritur diçka.“Më bën të ndjehem mirë, por asgjë nuk ka përfunduar ende. Ne e dimë se arritja në gjysmëfinale në fund të ditës nuk është asgjë nëse nuk arrin në finale. Ne jemi të kënaqur sepse ishte ndeshje e vështirë, por ne vetëm duam të përmirësohemi dhe të kualifikohemi në finale”, tha Fabregas.
“Gjermania? Ne e kemi shikuar ndeshjen ndaj Argjentinës dhe ata luajtën vërtet mirë. Do të jetë e vështirë, sepse unë mendoj se ata janë një nga ekipet më të forta të këtij kampionati. Ne vetëm duhet të luajmë lojën tonë më të mirë dhe të jemi në elementin tonë pozitiv për t’i mposhtur”, ka thënë Fabregas.
Pas humbjes jo të merituar të skuadrës së tij, Gerardo Martino ka deklaruar se Paraguai ka mundur të dalë fitues nga dueli dramatik ndaj Spanjës.“Ishte një ndeshje nga e cila kemi mundur të dalim si fitues. Tani duhet ta shkarkojmë veten nga kjo goditje e rëndë. Ne dhamë gjithçka, ne patëm rastet, por fatkeqësisht Spanja shënoi dhe ne jo. Ne nuk kemi pasur fat”, tha Martino.
Përfaqësuesja aktuale e Paraguait edhe pa arritur në gjysmëfinale, kishte hyrë në historinë e futbollit paraguaian, pasi që për herë të parë në histori të vendit kishte arritur në një çerekfinale të Kampionatit Botëror.
I lëvduar si heroi i kualifikimit të Spanjës në gjysmëfinale pas penalltisë që arriti ta mbronte dhe me dy intervenime tjera vendimtare, Iker Casillas ka pranuar se Pepe Reina i ka treguar se ku do të godiste Cardozo.“Reina më tregoi se ku do të godiste Cardozo. Ai është fenomenal. Ky ekip ka shumë cilësi dhe mund të shkojë larg. Por, duhet të jemi të kujdesshëm sepse Gjermania ka një ekip të mrekullueshëm dhe ne duhet t’i respektojmë ata. Ne kemi tejkaluar një barrierë psikologjike dhe tani do të shkojmë deri në fund”, deklaroi Casillas.
Kundërshtar i Spanjës në gjysmëfinale është Gjermania që e ‘copëtoi’ Argjentinën.
Pas çerekfinales Argjentinë-Gjermani, ku evropianët ia dhënë Diego Maradonas një leksion se si luhet futbolli, reagimet e mediave botërore ishin nga më të ndryshmet.Fillojmë nga gazeta argjentinase Clarin, që në titull shkroi: “Argjentina u poshtërua nga Gjermania”. Terra.es, një medium tjetër, u shpreh për këtë disfatë në titullin e saj me fjalët: “Gjermania ia mbylli gojën Maradonas”.
Sportivja madrilene, Marca, e titulloi disfatën si “Argjentina e Maradonas, e poshtëruar”, ndërsa AS nga ana tjetër shkroi në hapje të raportit mbi ndeshjen: “Gjermania i dha një leksion Maradonas”.
Mediat gjermane nuk patën fjalë se si ta përshkruajnë këtë fitore fantastike, duke u shprehur me nota të mëdha lëvdate. Gazeta më prestigjioze gjermane, Bild, në ballinë të ‘versionit online’, ka vendosur një titull me shkronja të mëdha në të cilin shkruan “Ne jemi aq krenarë në ju! Ju jeni të paparë!”. Gazeta më e madhe sportive gjermane, Kicker, e përshkroi kualifikimin si fantastik, ndërsa në titull shkroi “Jubliari Klose, ia humb shkëlqimin Argjentinës”.
Sky Sports e nisi raportin e saj për eliminimin e Argjentinës me fjalët “Gjermania i jep fund ëndrrës së Maradonas”.
Siç shihet dhe nga reagimi i mediave, kryesisht vëmendja e tyre u përqendrua në fjalët e Diego Armando Maradonas, që para ndeshjes ishte i sigurt në fitore, kurse në ndeshje pësoi debaklin më të madh të jetës së tij.
















