Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, do të bëjë një numër ndryshimesh për ndeshjen e gjysmëfinales ndaj Holandës të martën.
Tabarez do të kthehet në një sistem më defensiv me skemë 4-4-2, pasi që sulmuesi Luis Suarez, siç dihet, do të mungojë për shkak të suspendimit. Ky ndryshim e sheh Diego Forlanin në qendër të sulmit së bashku me Edinson Cavanin.
Ndryshime do të ketë edhe në mbrojtje. Diego Lugano është i lënduar dhe nuk besohet se mund të rikthehet, prandaj Diego Godin do të luajë në vend të tij. Martin Caceres pritet ta zë vendin e Jorge Fuciles që është i suspenduar. Në mesfushën e Uruguait pritet të luajnë Alvaro Pereira dhe Walter Gargano, të cilët pritet t’i japin kreativitet dhe formë ekipit të ndryshuar uruguaian.

Formacioni i mundshëm i Uruguait kundër Holandës (4-4-2): Muslera, Maxi Pereira, Victorino, Godin, Caceres, Perez, Rios, Gargano, Alvaro Pereira, Forlan, Cavani.

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, ka deklaruar për të përditshmen gjermane Bild, se mënyra e vetme për të fituar sot në futboll është loja ofensive, ndërsa ka sqaruar mënyrën se si ai e organizoi ekipin si jashtë ashtu dhe brenda fushës.
“Planet se si dëshiruam të luajmë në Botëror janë menduar gjerë e gjatë që nga shorti në dhjetor. Analiza jonë ishte e qartë, ne mund ta fitojmë Botërorin vetëm duke luajtur futboll sulmues dhe duke u bërë skuadrave të vështirë të frymojnë. Mënyra se si Italia e fitoi titullin në vitin 2006, duke u mbrojtur dhe duke fituar me një gol të vetëm, nuk është më e mundshme, sepse askush sot nuk luan ashtu. Ne e kemi planifikuar Botërorin deri në finale”.
“Esenca është për rregull në fushë. Ky është kushti më i rëndësishëm për futboll të mirë. Lojtarët duhet ta dinë vendin e tyre në strukturën bazike të ekipit, kështu që askush të mos mendojë se mund të vrapojë anembanë fushës. Unë përdori trekëndësha të caktuar për t’u mbuluar nga lojtarët. Loja nuk mbaron kur topi është në lojë. Unë dua t’i shoh lojtarët e mi të kërkojnë hapësirat dhe të kërkojnë topin. Kjo e bën ndeshjen më të rrjedhshme dhe më dinamike”.
“Unë e dita se disa nga lojtarët tanë janë ekstremisht të mirë në atë, Ozil, Podolski, Muller, Kroos. Dhe unë i thashë ekipit: ‘Nëse nuk lëvizni nëpër fushë, atëherë ju nuk do të jeni në gjendje t’i mposhtni ekipet si Kanadaja’. Ky ishte rregulli ynë i artë që nga dita e parë. Ekipi e ka mësuar artin e të luajturit thjeshtë. Unë kam parë seanca stërvitore të cilat, kohë pas kohe kanë arritur dhe perfeksionin e futbollit”, deklaroi Loew.

Anësori Uruguaian, Mauricio Espinosa, që pa të drejtë e anuloi golin e Frank Lampard në 1/8 e finales ndaj Gjermanisë, ka thënë se është i pikëlluar që ky gabim i ndodhi atij.
“Ishte një goditje shumë e shpejtë të cilën nuk e pashë si duhet, përkundër faktit se isha i vendosur në vendin e duhur. Ne nuk kemi parë xhirimin e ngadalësuar në pushim të pjesës së parë, por e kemi ndjerë se çfarë po ndodhte”.
“Vetëm pasi e kemi parë në televizor e kemi kuptuar se çfarë ndodhi. Unë ndjehem mjaft i pikëlluar sepse ne jemi përgatitur një kohë të gjatë për këtë Botëror. Kjo ka mundur t’i ndodhte çdokujt, fatkeqësisht na ndodhi neve. Ju vetëm duhet ta pranoni atë. Jeta vazhdon”, tha Espinosa për El Pais.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka pranuar në mënyrë të tërthortë se ai është shumë pranë largimit nga posti i trajnerit të Argjentinës.
“Kjo është ajo, koha ime kaloi. Unë kam dhënë gjithçka që kam”, theksoi Maradona në oborrin e shtëpisë së tij, para gazetarëve argjentinas.
Pas kritikave të ashpra në kualifikime, trajneri kontrovers ka marrë lëvdata nga mbarë opinioni futbolldashës, deri në momentin kur Argjentina e tij është ‘ndarë përgjysmë’ nga një Gjermani superiore dhe shumë më mirë e organizuar. Sipas fjalëve të Maradonas, është çështje orësh kur pritet një konfirmim zyrtar për largimin e tij.
Mesfushori brazilian Kaka dështoi të ketë ndikimin e nevojshëm për kombëtaren e tij në Botërorin, Afrika e Jugut 2010, por arsyet prapa kësaj i di mjeku kryesor i stafit të Brazilit, që ka pranuar se Kaka nuk ishte qind për qind i përgatitur fizikisht.
“Ndoshta në situatë të këtillë, Kaka nuk do të luante në Botëror, por ai vërtet është i kërkuar këtu. Ai luajti vetëm në 85 për qind të gjendjes së tij normale dhe nuk do të thirrej në skuadër po të mos ishte Botërori”, ka thënë Jose Luis Runco për gazetarët.
Tani duket se po dalin në shesh vendimet skandaloze të Carlos Dungas, që ftoi në skuadër lojtarë fizikisht të papërgatitur, duke ditur se ka lënë në shtëpi lojtarë në top formë.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ka deklaruar se ai nuk ndjen kurrfarë presioni, duke shtuar se ndeshja ndaj Holandës është e vështirë.
“Presion ka, për shkak të historisë tonë, sepse gjithmonë pritet shumë nga Uruguai. Dhe duke parë se në kampionatet e kaluara nuk i përmbushëm pritjet, një paraqitje e tillë ka bërë që të ekzistojë entuziazëm i madh. Ne nuk duam të krahasohemi me ekipet e 1930 apo 1950, sepse ende kemi gjasa për t’i arritur ata. Kështu që, natyrisht se unë e di që njerëzit në Uruguai e shohin këtë si ndeshjen më të rëndësishme të dekadës, por nuk e shoh këtë si presion”.
“Holanda është ekip shumë i vështirë për t’u mposhtur, por nuk është e pamundur. Gjenerata është pak më ndryshe se Holanda tradicionale, ata kanë një skuadër më të baraspeshuar. Në mbrojtje ata kanë komunikim të mirë, nuk i lënë asgjë rastit. Ky është një aspekt që skuadrat holandeze të kaluara nuk e kanë pasur. Ne kemi mjaft lojtarë për t’i mbuluar mungesat dhe mund ta mposhtim Holandën nesër”, ka thënë Tabarez për FIFA.com.
Mbrojtësi i Interit, Douglas Maicon, ka thënë se ai nuk do të kërkojë të largohet nga Interi.
Po flitet se Maicon mund të transferohet te Real Madridi për shkak se vetë futbollisti e kërkon këtë, por tani del protagonisti dhe pohon se mund të qëndrojë te Interi.
“Nuk dua të iki nga Interi, por nëse Moratti vendos të më shesë, unë do të largohem, por vetëm te klubi që dua të shkoj. Unë do të shkoj në pushime. Nëse më thërrasin, atëherë do të jem i kënaqur të vazhdoj nën Rafa Benitezin”, theksoi Maicon.
Agjenti i Fernando Torresit, Jose Antonio Martin, ka mohuar komentet e publikuara nga shtypi britanik, të cilat kishin nxjerrë në pah agjentin që pohoi se spanjolli është drejt largimit nga Liverpooli.
“Për muaj të tërë nuk kam folur për shtypin anglez, sepse citatet e tyre janë totalisht të pavërteta. Tani nuk është koha të flasim për këtë çështje, sepse Torres është i fokusuar tërësisht në punën e tij për Spanjën”.
“Pas Botërorit, agjencia për lojtarët do ta takojë atë për të ardhmen e tij, por ç’është e vërteta ai ka kontratë me Liverpoolin që vlen për të tashmen dhe për të ardhmen”, precizoi Martino.
Portieri i Gjermanisë dhe i Schalkes, Manuel Neuer, ka hedhur poshtë spekulimet për një kalim të mundshëm te Manchester United, pasi që ai dëshiron të mbetet në Bundesliga.
“Pas Botërorit, unë definitivisht do të luaj në Bundesliga. Unë kam kontratë me Schalken deri në vitin 2012”, theksoi numri një i portës gjermane.
Manuel Neuer ka qenë në formë të jashtëzakonshme për klubin e tij Schlake 04, por paraqitjet impresive nuk munguan as në Botërorin e sivjetmë, ku ai është një nga katër portierët më të mirë të kampionatit.
Sulmuesi me përvojë i Bayern Munichut, Miroslav Klose, ka rënë në radarin e gjigantit turk, Fenerbahçe, pas paraqitjeve të tija mbresëlënëse në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Sipas të përditshmes turke Milliyet, skuadra nga Stambolli dëshiron të transferojë një sulmues me përvojë në prag të sezonit të ri. Trajneri i ri Aykut Kocaman thuhet të jetë adhurues i Kloses, duke e bërë atë menjëherë prioritet për këtë afat kalimtar veror.
Klose nuk arriti të gjejë vend në formacionin startues të Bayernit sezonin e kaluar dhe as që do të gjejë në të ardhmen, prandaj Bayerni dëshiron ta shesë atë që të përfitojë nga largimi i tij.
Sulmuesi i Tottenhamit, Jermain Defoe, ka thënë se do ta mirëpriste transferimin e Joe Cole në White Hart Lane.
“Kur ishim në Afrikën e Jugut, kemi mundur të shohim çdo ditë pasionin dhe dëshirën e tij për t’u përmirësuar. Në stërvitje, ai ishte në formë dhe shumë i fortë, ai e do futbollin, ky është Joe. Kështu që, nëse do të mund ta merrnim një lojtar të tillë në klub, atëherë do të ishte mirë për të gjithë”, theksoi Defoe.
Për Joe Cole që është transfer i lirë, po spekulohet për disa klube të interesuara për të, por favorit mbetet Tottenhami që vitin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve dhe që menaxher e ka njeriun që e zbuloi Joe Cole te West Hami, Harry Redknapp.
Heroi i kualifikimit të Uruguait në gjysmëfinale, Sebastian Abreu, ka deklaruar se përzgjedhësi Oscar Tabarez e ka planin e qartë se si ta ndalë Arjen Robbenin në gjysmëfinalen e të martës.
“Tabarez na ka folur për Arjen Robbenin dhe se si të ndalim një lojtar si ai. Por, gjithnjë është më ndryshe kur luani në fushë. Kështu që, ne e dimë se si ta bëjmë këtë, por se si do ta ekzekutojmë mbetet të shihet”, theksoi Abreu.
Ai shtoi se kombëtarja uruguaiane ka shikuar disa video të Holandës dhe lojës së evropianëve, ndërsa ai mendon se stili i lojës së holandezëve i ngjason stilit të tyre.
Ish-mesfushori kreativ i Lyonit, Juninho, ka tërhequr paralele mes Carlos Dungas dhe Raymond Domenechut, të dy këta shkaktarë të dështimeve turpëruese të kombëtareve të tyre, Brazilit dhe Francës, në Kampionatin e sivjetmë Botëror.
“Ky ekip nuk ishte askund dhe personi i parë përgjegjës për këtë ishte Dunga. Dunga e do konfliktin, ai e ushqen atë. Komunikimi i tij ishte katastrofal. Ai ka sjellë energji negative përreth Selecaos. Ai bëri të njëjtën gjë sikurse Domenech, i dha ndjenjë ekipit si ‘një kundër gjithë botës’”.
“Është për t’u penduar se si ai e mohoi stilin tonë. Nuk kishte plan. Shumë lojtarë ishin jashtë pozitave të tyre. Në Botëror, kjo nuk falet. Dunga bëri shumë gabime. Ronaldinho? Madje edhe në 70% të tij ai është më i mirë se të gjithë të tjerët. Ne duhet të ndryshojmë gjithçka për t’u përgatitur për Botërorin e vitit 2014. Ta ndryshojmë trajnerin, komitetin teknik, stafin mjekësor dhe zëdhënësit. Ne nuk duhet të qëndrojmë kështu”, deklaroi Juninho.
Dunga është shkarkuar të dielën nga Federata Braziliane e Futbollit.
Superylli i Argjentinës, Lionel Messi, ka shpërthyer papritmas në prononcimin e tij të parë për media, duke thënë se ai nuk ndjehet mirë pas poshtërimit që i bëri Gjermania në çerekfinale.
Messi nuk dha asnjë intervistë të vetme për asnjë burim mediatik në Afrikën e Jugut, ashtu sikurse pas arritjes në aeroportin Ezeiza të Buenos Airesit ku mbretëroi atmosferë e zjarrtë. Por, më në fund ai u shpreh për një blog kinez në internet, për të cilin ai dhe paguhet për të shkruar.
“Ne nuk i përmbushëm pritjet e shumë njerëzve”, theksoi Messi që ka një bazë të gjerë të tifozëve të tij në gjithë Azinë.
“Unë ndjehem tmerrshëm dhe vetëm dua të shkoj në shtëpi. Ne luajtëm një ndeshje të tmerrshme ndaj Gjermanisë dhe ne duhet të fillojmë nga e para përsëri. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen tuaj”, përfundoi ‘El Messiah’.
Supersulmuesi i Spanjës, David Villa, ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që mund t’i presë nga Gjermania, ndërsa e ka lëvduar portierin e kombëtares spanjolle, Iker Casillas, për të cilin thotë se është portieri më i mirë në botë.
“Ne e mposhtëm Gjermaninë dy vite më parë dhe ata nuk janë gëzuar që do të takohen me ne. Por, ne gjithashtu e kemi harruar atë takim. Nëse shkojmë në shtëpi pa fituar Botërorin, atëherë kjo do të jetë sikurse të mos kemi bërë asgjë”.
“Unë e di se kam shënuar pesë gola, por kjo sepse ato kanë qenë vendimtare. Të shënoj tre gola në një fitore 7-0 nuk më intereson dhe aq. Për çdo rast, unë po i ndihmoj Spanjës sikurse të tjerët, pasi që pa intervenimet spektakolare të Iker Casillasit, goli im ndaj Paraguait nuk do të vlente për asgjë. Nëse thoni se unë e meritoj Topin e Artë, atëherë Casillas e meriton edhe më shumë”, theksoi Villa.
Së fundmi ai u shpreh dhe për kalimin e tij te Barcelona, për të cilin tha: “Në të kaluarën, Real Madridi ishte duke më ndjekur, por asgjë nuk ndodhi sepse Valencia nuk i shet lojtarët shumë lirë. Për çdo rast, them se jam i kënaqur që shkova te Barcelona, sepse është sikurse të vazhdoj të luaj për kombëtaren. Ne luajmë me të njëjtin stil dhe pothuajse me të njëjtët lojtarë”.
Milani dhe Interi do të zhvillojnë ‘derbin lokal’ para kohe, pasi që do t’i hyjnë një lufte për mesfushorin e Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger.
Shweini e ka shfrytëzuar Botërorin për të treguar vlerat e tij, ndërsa paraqitjet e tij fantastike nuk kanë lënë pa u vërejtur nga klubet milaneze.
“Në Botëror, Schweinsteiger ka shkëlqyer më shumë se të gjithë”, theksoi Adriano Galliani ditë më parë për La Gazzeta dello Sport.
Por, për të transferuar gjermanin, çdo skuadër e interesuar duhet të ofrojë si çmim fillestar 25 milionë euro, gjë që është natyrisht shumë për Milanin.
Për Interin nga ana tjetër kjo shumë është shumë normale, pasi që Nerazzurët edhe ashtu ishin në kërkim të Mascheranos që tani kërkohet nga Barcelona. Massimo Moratti është adhurues i flaktë i Schweinsteiger.
Asi i Milanit, Ronaldinho, është duke e shqyrtuar një ofertë prej 10 milionë eurosh nga gjiganti grek Olypmiakos.
La Gazzeta dello Sport shkruan se forma e dobët fizike e Ronaldinhos, e ka detyruar Milanin të mendojë ta shesë brazilianin, pasi që ka nevojë për lojtarë tjerë të rinj.
Dikur lojtari më i mirë në botë ka shumë adhurues të tij, duke përfshirë dhe Olympiakosin që është i gatshëm të bëjë një mega-ofertë për të.
Ronaldinho ende nuk e ka të sqaruar të ardhmen dhe ai është duke menduar për ofertën e grekëve, pasi që oferta e tyre përbën një kontrast mes pagës që kishte deri tani te Milani në vështirësi financiare.
Piloti i McLaren, Lewis Hamilton, ka pohuar se ai dhe rivali i tij i përbetuar, Fernando Alonso i Ferrarit, janë sqaruar me anë të mesazheve telefonike pas akuzave që i shkëmbyen njëri-tjetrit pas garës për Çmimin e Madh të Evropës në Valencia.
Hamilton është akuzuar nga Alonso si thyes i rregullave, pasi tejkaloi ‘makinën e sigurisë’ në garën që u zhvillua në Valencia. Hamilton mbajti vendin e dytë, ndërsa Alonso për shkak të kësaj doli i teti në fund.
“Ne mbajmë kontakte. Ai ka numrin tim dhe unë kam numrin e tij. Unë ia kam dërguar një mesazh në të cilin e pyeta se si është dhe ai më tha se është mjaft mirë, ndërsa ai e di se si punon bota e automobilizmit, sepse ky vit është i vështirë”, deklaroi Hamilton.
Sipas legjendës së tenisit, John McEnroe, Rafael Nadal është definitivisht në gjendje ta fitojë US Open këtë vit, me çka dhe do të kompletonte tripletën e ‘grand slam’ turneve të fituar këtë vit.
“Nadal dëshiron ta fitojë US Open me aq dëshirë sa që, do të ishte e vështirë të mos e favorizonim edhe pse ai nuk e ka fituar kurrë atë. Ai djalosh është një kafshë më vete, mentalisht dhe fizikisht është fantastik dhe definitivisht ai mund ta bëjë atë”, ka thënë McEnroe.
Numri një i botës së tenisit Nadal, i ka fituar të tre titujt ‘grand slam’, por kurrë nuk e arriti finalen në Flushing Meadows të US Open.
Milani do të mund të llogarisë në ndihmën e sponsorit kryesor Fly Emirates, për të transferuar Keisuke Hondan në San Siro.
Sipas mediave japoneze me në krye Sports Nippon, Fly Emirates i ka garantuar Milanit se do t’ia paguajë pagat Hondas nëse arrin ta transferojë atë gjatë këtij afati kalimtar veror. Kompania e aviacionit mezi pret ta shtrojë edhe më shumë ndikimin e brendit në Azi dhe te Honda sheh rastin ideal për ta rritur fuqinë e brendit në fjalë në Japoni.
Të premten La Gazzeta dello Sport e lidhi 24-vjeçarin me një kalim te Milani. Megjithatë, nuk duhet harruar se pas Hondas janë edhe dy klubet shumë më të pasura se Rossonerët, Chelsea dhe Manchester City.
Menaxheri i ri i Al-Ahlit, David O’Leary, natyrisht se do të ketë një marrëdhënie të ‘nxehtë’ me kapitenin e tij të ri Fabio Cannavaro, pasi që O’Leary kishte thënë për Cannavaron se ai ishte mposhtur nga sulmuesit brazilianë në miqësoren e vitit 2009.
“Mendoj se ai është një lojtar që kalohet lehtë prej disa vitesh. Ndoshta nuk e njoh atë mirë, por unë i njoh mbrojtësit. Mendoj se ai u bë i kalueshëm kur shkoi te Real Madridi”, theksoi O’Leary më 22 qershor të vitit 2009.
Saktësisht një vit më vonë, O’Leary dhe Cannavaro do të lidhen së bashku te klubi Al-Ahli, pasi që irlandezi nënshkroi kontratë katërvjeçare për të drejtuar Al-Ahlin. O’Leary do t’i ftojë lojtarët e tij të ri në një kamp stërvitor në Austri të mërkurën.
Duket se kontingjenti gjerman në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010, ka qenë aq impresiv në shkatërrimet bërë ndaj Anglisë dhe Argjentinës, saqë ata kanë rënë në vëmendjen e presidentit të Real Madridit, Florentino Perez dhe trajnerit Jose Mourinho.
Siç pohon AS, presidenti i Los Blancos pëlqen shumë dyshen Ozil dhe Muller, e veçanërisht këtë të fundit, të cilin e sheh si ‘Kaka të dytë’ për shkak të aftësive të tija sulmuese, ndërsa në të sheh një përzierje të rinisë dhe efikasitetit para golit në nivelin elitar.
Sa për Mourinhon, dihet se ‘I veçanti’ është admirues i superyllit gjerman Bastian Schweinsteiger. Shweini ka luajtur pothuajse të gjitha rolet në Botërorin e sivjetmë për Gjermaninë, që e bën atë një lojtar të shumanshëm dhe shumë tërheqës për Mourinhon dhe mesfushën e tij.
Kampioni i Bundesligas, Bayern Munich, është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të portierit të Holandës, Maarten Stekelenburg, i cili aktualisht luan për Ajaxin.
Kicker shkruan se bavarezët janë në tregun e transferimeve për një portier të ri, pas paraqitjeve të dobëta të Hans-Joerg Butt, ndërsa trajneri holandez Louis van Gaal, e sheh bashkëkombësin e tij si zgjidhje perfekte për gardian të portës.
27-vjeçari është prodhim i akademisë së Ajaxit, ndërsa ka 150 paraqitje për klubin më të madh holandez. Stekelenburg ka treguar paraqitje fenomenale në Kampionat Botëror, kurse nga ana tjetër Ajaxi do të ishte i gatshëm të përfitonte nëse merr një ofertë të mirë nga gjiganti gjerman.
Topi i artë Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka zbuluar në një konferencë për shtyp në Johanesburg se çmimi i Futbollistit më të mirë sipas FIFA-s dhe Topi i Artë, që u ndahen futbollistëve më të mirë, do të shkrihen në një çmim të vetëm që do të quhet FIFA Topi i Artë.
Topi i Artë është krijuar në vitin 1956 nga revista franceze France Football që si bazë kishte një sondazh me gazetarë specialistë nga të gjitha vendet. Fillimisht, në të merrnin pjesë vetëm futbollistët evropianë, por së fundmi ka pasur lojtarë joevropianë që e fituan këtë çmim, siç është rasti me Lionel Messin që e fitoi Topin e Artë të vitit 2009.
Çmimi për Futbollistin më të mirë të vitit sipas FIFA-s është krijuar në vitin 1991 dhe është i votuar nga trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve. Në vitin 2009 ishte po Lionel Messi që mori çmimin për Futbollistin më të mirë të vitit nga FIFA.
Çmimi i ri, ‘FIFA Topi i Artë’, do të prezantohet për herë të parë më 10 janar në Cyrih të Zvicrës. Juria që do ta votojë fituesin e këtij çmimi do të përbëhet nga një kombinim i gazetarëve specialistë dhe nga trajnerët e kapitenët e kombëtareve.
Klubet italiane Roma dhe Palermo besohet se vazhdojnë të insistojnë për të transferuar mesfushorin e West Hamit, Valon Behrami.
Shqiptari me nënshtetësi zvicerane pritet të zhvillojë biseda me trajnerin e ri të West Hamit, Avram Grant, rreth të ardhmes së tij në Upton Park dhe rreth një rikthimi të mundshëm në Serie A, ku mes tjerash janë të interesuara edhe Genoa, Verona dhe Lazio.
Behrami së fundi ishte pjesë e Kupës Botërore me kombëtaren e Zvicrës dhe pas paraqitjeve të mira, West Ham shpreson të nxjerrë përfitime të mira nga shitja e tij.
Gjermania është duke vrarë mendjen se kush do të inkuadrohet në vend të mesfushorit të suspenduar, Thomas Mueller, për ndeshje gjysmëfinale përballë Spanjës.
20-vjeçari i Bayern Munich ka shkëlqyer duke shënuar katër gola në Kupën Botërore, dy kundër Anglisë dhe nga një kundër Australisë dhe Argjentinës. Por ai do të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Spanjës për shkak të dy kartonëve të verdhë në dy ndeshje radhazi.
“Është e qartë se është një goditje për ne. Ai e ka treguar veten se është i rrezikshëm në ballë të golit. Por ne kemi lojtarë të cilët mund ta zëvendësojnë atë”, ka thënë trajneri i kombëtares gjermane Joachim Loew.
E prekur nga lëndimet, Gjermania ka në dispozicion vetëm 26-vjeçarin Piotr Trochowksi ose 20-vjeçarin Toni Kroos si zëvendësime për mesfushorin e krahut të djathtë.
Mesfushori i kombëtares angleze Shaun Wright-Phillips përflitet për një largim nga Manchester City.
Daily Mail shkruan se mesfushori Wright-Phillips do të jetë në listën e lojtarëve që do të pastrohen nga Manchester City, që pritet të transferojë një mori yjesh këtë verë.
Aston Villa është e vetëdijshme për largimin e Shaun Wright-Phillips dhe tashmë ka bërë interesim për të transferuar atë.
Mesfushori i Real Madridit dhe kombëtares së Brazilit, Kaka, vazhdon të mbetet në radarin e Chelseat.
Daily Mail thotë se Ancelotti ka nevojë të forcojë mesfushën pas largimit të Michael Ballack dhe Joe Cole dhe vazhdon të ruajë interesimin për yllin e Real Madridit, Kaka.
Braziliani sezonin e kaluar nuk arriti ta dëshmojë veten pas transferimit në vlerën e 60 milionë eurove nga Milani.
Mesfushori i ri i Manchester Cityt, Yaya Toure, në deklaratën e tij lamtumirës për të përditshmen katalanase El Mundo Deportivo, ka thënë se Barcelona është klubi i tij i zemrës dhe se një ditë do të kthehet në Camp Nou.
“Unë jam një njeri që jep gjithçka në fushë dhe dy sezonet e mia të para në Camp Nou ishin më të mirat e jetës time. Në sezonin e tretë, gjithçka u bë më e vështirë, sepse unë jam njeri i ri që i pëlqen puna e tij dhe futbolli. Unë isha i sigurt se situata nuk do të ndryshonte vitin e ardhshëm, kështu që u largova. Ky vit ka qenë shumë i vështirë për mua. Qëndrimi në bankën rezervë dhe pritja për të luajtur ishte shumë e komplikuar. Unë do të preferoja të shkoja t’u paguaja qiranë njerëzve që nuk kanë, se sa të qëndroja në bankën rezervë”.
“Ky ekip ka lojtarët më të mirë në botë dhe nuk është e lehtë për Pep Guardiolan të zgjedhë se kush duhet të luajë. Guardiola e njeh futbollin, ai është një njeri i mirë për të cilin kam admirim të madh dhe për të cilin nuk mund të them asgjë të keqe. Jam i pikëlluar sepse në gjithë këto vite e pata vetëm Barcelonën në mendjen time dhe tani jam jashtë. Unë jam shumë i pikëlluar sepse klubi është në zemrën time. Koha ime në Barcelonë ishte e shkëlqyer. Këtu unë i kam miqtë e mi më të mirë dhe gjithmonë kam menduar ta përfundoja karrierën te Barcelona”.
“Unë dua të falënderoj të gjithë për atë që kanë bërë për mua. Njerëzit e Barcelonës janë njerëz shumë të mirë të cilët dinë shumë për futboll. Unë nuk kam fjalë përveç se t’u kërkoj falje të gjithë atyre që kërkuan që unë të qëndroj. Unë nuk ndjehem si person që do të largohet nga Camp Nou. Unë jam i bindur se një ditë do të kthehem. Zemra ime është në Barcelonë dhe një ditë unë do ta veshi këtë fanellë përsëri. Unë jam mjaft i sigurt. Barcelona është klubi i jetës time”, përfundoi Toure.
Aventura e Adrianos te Roma ka pasur gjithçka pos një starti të mirë, pasi që braziliani do të vonohet në stërvitjet parasezonale pasditen e të hënës, për shkak se i humbi dy fluturime nga Brazili në Romë.
Sportmediaset njofton se sulmuesi ishte ndalur në Brazil për probleme me pasaportën e djalit të tij, por kur kjo është zgjidhur, ai humbi dhe fluturimin tjetër për në Romë, për arsye të cilat ende nuk dihen. Ai është pritur të fillojë stërvitjet të hënën (sot) në ora 10:00, por ai nuk ka arritur me kohë dhe pritet të arrijë në Romë gjatë ditës.
‘Perandori’ do të ketë nga dy stërvitje në ditë deri në fillim të sezonit të ri: një me lidhje normale futbollistike, ndërsa një tjetër që fokusohet në përmirësimin e formës fizike.
Mbrojtësi i Spanjës, Gerard Pique, ka thënë se Gjermania është favoriti absolut për gjysmëfinalen e të mërkurës.
“Unë ndjehem i kënaqur për ekipin dhe për kombin. Është hera e parë që jemi në gjysmëfinale dhe është mirë të krijojmë histori. Gjermania është një ekip mjaft i vështirë, vërtet i fortë, me shumë cilësi në vete dhe me shumë lojtarë të mirë, do të jetë e vështirë t’i ndalim ata”.
“Mendoj se kur jemi në gjysmëfinale, nuk ka favoritë. Është e vërtetë se ata fituan 4-0 ndaj Argjentinës dhe 4-1 ndaj Anglisë dhe se ata janë në disponim të mirë. Por, do të shohim. Gjermania dhe Spanja kanë lojtarë të rinj dhe lojë tjetër në krahasim me Euro 2008. Gjermania ka shumë lojtarë të rinj si Ozil, Muller, Khedira, një ekip që po luan shumë mirë”, tha Pique për The Mirror.
Më shumë se 15 mijë njerëz kanë dalë në aeroportin Ezeiza të Buenos Airesit, për të pritur Diego Maradonan dhe futbollistët tjerë të kombëtares argjentinase, përkundër zhgënjimit të madh në Afrikën e Jugut, pas eliminimit në çerekfinale.
Fillimisht kishte spekulime dhe ekzistonte frika në shtabin argjentinas se ata do të shihnin tifozë të hidhëruar me parulla kundër kombëtares, me Maradonan që u kishte premtuar lojtarëve mbrojtje në rast se tifozët sulmojnë ndonjërin prej tyre.
Megjithatë, ajo që u prit nuk ndodhi. Me të ateruar aeroplani mijëra tifozë argjentinas mbushën pistën e aeroportit, për t’i uruar lojtarët për sulmin e treguar në Botëror dhe trajnerin për imazhin dhe konferencat e paharruara për shtyp. Fansat e Argjentinës, gjatë gjithë kohës brohorisnin, ‘Maradona të lutemi mos u largo’.
Mirëpo, përkundër dëshirës së tifozëve që Maradona të mbesë në krye të kombëtares argjentinase, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, pasi që vetë legjenda argjentinase ka thënë se po e shqyrton largimin, por se ‘amaneti’ i tij i fundit në rast se ai largohet, do të ishte që kushdo që do ta zëvendësonte, të vazhdonte me stilin e njëjtë të lojës sulmuese.
Fernando Torres ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij te kombëtarja e Spanjës se ata do të testohen nga kombëtarja në formë, Gjermania.
Dy ekipet evropiane do të përballen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës gjatë të mërkurës, dhe Torres thotë se do të jetë vështirë kundër gjermanëve të cilët kanë shënuar nga katër gola në tre ndeshje në Afrikën e Jugut.“Ata kanë një ekip impresiv që ka shënuar katër gola kundër Argjentinës. Ata meritojnë të fitojnë me aq, nëse jo më shumë, siç meritojmë edhe ne. Ne duhet të jemi të përgatitur dhe do të ketë shumë pritje”.“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Ata janë një ekip shumë i mirë, shumë ofensiv dhe iu pëlqejnë të luajnë një-në-një. Ne nuk kemi pasur ende një ekip si ky i cili do të na sulmojë”, ka thënë Torres.
Juventusi është gjithnjë e më pranë transferimit të sulmuesit të shumëkërkuar, Edin Dzeko, ndërsa sportivja torineze Tuttosport parashikon që transferimi i sulmuesit boshnjak nga Wolfsburgu do të kompletohet brenda dy javësh.
Më në fund duket të ketë dalë në horizont një klub serioz që ka mundur të bindë gjermanët të heqin dorë nga shërbimet e tij, me Milanin dhe Manchester Cityn e Manchester Unitedin në të kaluarën të lidhur me të.
Juventusi për të bindur gjermanët të cilët kërkojnë 35 milionë euro, do të përdorë Diegon, i cili pëlqehet shumë në qarqet e Bundesligas. Së shpejti pritet të mbahet dhe takimi i nivelit të lartë mes dy drejtorëve, Giuseppe Marotta dhe Dietet Hoeness.
Chelsea thuhet të jetë pranë transferimit të mesfushorit portugez Raul Meireles nga Porto për 15 milionë funte.
Portugezi në të kaluarën ka qenë nën shënjestrën e Arsenalit dhe Manchester Unitedit, ndërsa është thënë se Real Madridi është shumë pranë transferimit të tij. Megjithatë, kthimi i Mourinhos kah Maiconi, ka bërë që Los Blancos të heqin dorë nga gara për Meireles.

Tani, The Mirror spekulon se Chelsea është buzë transferimit të mesfushorit të Portos për 15 milionë funte. Ky hap i Chelseat vjen pas largimeve të Joe Cole dhe Michael Ballack.
Interi është duke shqyrtuar transferimin ose të mbrojtësi të Liverpoolit, Glen Johnson ose të anësorit të Tottenhamit, Gareth Bale, si alternativë për zëvendësimin e Maiconit, që pritet t’i bashkohet Real Madridit.
Sipas Il Corriere dello Sport, Massimo Moratti është duke i bërë presion Florentino Perezit që të paguajë 35 milionë euro për Maiconin, që do të detyrojë Interin të futet në tregun anglez të transferimeve.
Thuhet se drejtori i Interit, Marco Branca, ka kontaktuar Tottenhamin për Gareth Bale, ndërsa klubi nga White Hart Lane e ka bërë të qartë se kërkon 20 milionë funte, pasi që nuk ekziston nevoja për ta shitur Bale sepse ai është i nevojshëm për sezonin e ardhshëm. Rafa Benitez nga ana tjetër dëshiron ta transferojë Glen Johnson në Meazza edhe pse kjo do të jetë më se e vështirë.
Agjenti i Fernando Torres, Jose Antonio Martin, ka pranuar se sulmuesi mund të largohet nga Liverpoolit për një klub tjetër në Ligën Premier.
“Është shumë e mundshme qe Fernando Torres të qëndrojë në Ligën Premier, por nuk mund të them se a do të jetë në Liverpool. Ne po punojmë në të ardhmen e tij, por nuk mund të garantoj se ai do të qëndrojë te Liverpoolit”.
“Barcelona? E përjashtoj menjëherë. Barcelona ka transferuar David Villan dhe tani dëshiron të investojë para në lojtarë tjerë”, theksoi Martin për Daily Mail.
Për Fernando Torresin kanë shprehur hapur interesim Interi dhe Chelsea, ndërsa spekulohet se në gjurmë të tij mund të jenë edhe Manchester Unitedi dhe Barcelona.
Juventusi ka konfirmuar edhe zyrtarisht se ka huazuar mesfushorin e Udineses, Marco Motta, me opsion transferimin komplet të kartonit të futbollistit në fund të sezonit tjetër.
Në një komunikatë të lëshuar nga Juventusi thuhet se Motta është stërvitur me skuadrën bardhezi që nga e shtuna, ndërsa prej sot (e hënë) ai është zyrtarisht lojtar i Juventusit.
Marco Motta pati një sezon të shkëlqyer te Roma, ku ishte i huazuar sezonin e kaluar, mirëpo Giallorossët nuk arritën marrëveshje me Udinen për të mbajtur lojtarin në kryeqytet.
Juventusi është një ndër klubet më aktive në afatin e sivjetmë kalimtar veror, me transferime të Marco Storarit dhe Simone Pepes dhe ja tani Marco Mottas të kompletuara.
Klubi i Bundesligas, Schalke, raportohet se është i interesuar të transferojë portierin e West Ham United, Robert Green.
The Mirror shrkuan se Schalke interesohet për portierin e kombëtares angleze, i cili pritet të largohet këtë verë nga West Ham.
Schalke do të kthehet kah Green nëse ata do të detyrohen ta shesin yllin e tyre, portierin e kombëtares gjermane Manuel Neuer.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, planifikon të bëjë ofertë për mesfushorin me tipare sulmuese të Manchester Cityt, Craig Bellamy.
Mediat angleze shkruajnë se Tottenham dëshiron të transferojë Bellamy, i cili vlerësohet rreth 7 milionë funte, e ardhmja e të cilit në City është në dyshime pas harxhimeve që po bën trajneri Roberto Mancini.
Harry Redknapp është interesuar për Bellamy menjëherë pasi City transferoi nga Valencia për 24 milionë funte lojtarin e kombëtares së Spanjës, David Silva.
Kapiteni i Manchester United, Gary Neville, është i lumtur që Fabio Capello do të vazhdojë të jetë përzgjedhës i Anglisë.
“Pas turneut FA tha se do të vendosë për të ardhmen e Fabio Capello pas dy javës. Ata përfunduan vendimin pas vetëm katër ditësh. Ata e përkrahën menaxherin dhe ky është vendimi i duhur”.
“Capello është 64. Çfarëdo që ndodh në dy vitet e ardhshme të kontratës së tij ai do të largohet si një prej menaxherëve më të suksesshëm në futboll, andaj të thuash se ai nuk ka mentalitet fituesi ose se ai nuk mund të fitojë një turne të madh, është gabim”.
“Anglia ka në detyrë një i cili është shumë i mirë. Për mua, shkarkimi i tij kurrë nuk ka qenë një opsion. Ne vetëm do të vazhdonim ciklin e ndryshimit të menaxherëve dhe taktikave përsëri”, ka thënë Neville.
Legjenda e Manchester United, Sir Bobby Charlton, ka thënë se ai është i mahnitur se sa varfër ka performuar sulmuesi Wayne Rooney në Afrikën e Jugut.
Rooney ishte një prej dështimeve më të mëdha në Kupën e Botës, edhe pse u prit të ishte një prej yjeve të këtij Botërori.
“Kurdo që e shihja Anglinë, isha veçanërisht i interesuar në Wayne Rooney. Ai dukej vërtet i pakënaqur. Nëse punoni me të në nivel klubi, ai është i kundërt. Ai flluskon. Ai është plot jetë”, ka thënë Charlton për Mail on Sunday.
“Ka diçka që nuk ka ecur. Nëse dikush bën gabime bazike, çdo kush e qarkullon topin keq në ekip; nëse ata të gjithë janë të pakënaqur, siç ishte Wayne, është e çuditshme. Ai e dëshiron aq shumë ndeshjen. Ai nuk mund të kuptonte pse gjërat nuk shkonin në vend. Ai shqetësohej për veten”.
“Kurrë nuk e kam parë atë kështu më herët. Ai do ta kalojë këtë, sigurisht. Ai është mjaft i ri për t’i rregulluar gjërat. Por Kupa Botërore vjen vetëm një herë në katër vite. Është kohë e gjatë, apo jo? Kohë e gjatë për të thënë se çfarë shkoi keq”, ka thënë Charlton.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, mund të shkarkohet nga trajneri i kombëtares angleze Fabio Capello.
Mediat angleze shkruajnë se pozita e Terryt në kombëtaren e Anglisë është nën vështrim nga Capello.
Ai është lojtari me profilin më të lartë që është në dyshime në mesin e Tre Luanëve, veçanërisht pas paraqitjes së dobët kundër Gjermanisë, dhe është përshkruar nga burime të afërta me Capellon si një prej paraqitjeve më të këqija në mbrojtje.
Ish-trajneri i West Ham United, Gianfranco Zola, përmendet si një prej kandidatëve më të preferuar për të marrë nën drejtim Fulhamin.
Sunday Express ka shkruar dje se Fulhami beson se trajneri italian dhe Steve Clarke janë dyshja për të ndërtuar një ekip të qëndrueshëm pas largimit të Hodgson në drejtim të Liverpoolit.
Legjenda e Chelseat ende ndjehet i lënduar pas shkarkimit nga West Ham United dhe e ka të vështirë të rikthehet në menaxhim kaq shpejtë.
Alan Curbishley po ashtu është në mesin e favoritëve për të pasuar Hodgson, ndërsa në listë është edhe Sven-Goran Eriksson.
Presidenti i Parmas, Tommaso Ghirardi, ka konfirmuar se klubi ka arritur marrëveshje për të nënshkruar me Valeri Bojinov nga Manchester City.
Bojinov kaloi sezonin e kaluar i huazuar te Parma dhe klubi ka punuar shumë për të bërë rikthimin e tij në Serie A në të përhershëm.
“Jam i lumtur të zbuloj rezultatin e suksesshëm të marrëveshjes të cilën e kemi kërkuar që nga janari. Bojinov është lojtar i Parmës. Jam i lumtur, është një marrëveshje në të cilën punojmë që nga janari. Me kalimin e kohës çmimi ka shkuar poshtë e lartë”
“Ne kemi arritur marrëveshje me Cityn. I jam falënderues Valeri, i cili vërtet dëshiroi të qëndrojë te Parma. Detajet e kontratës do të rregullohen në mes të (drejtorit gjeneral) Pietro Leonardi dhe stafit të lojtarit”, ka thënë Ghirardi për Sky Italia.
Përzgjedhësi i Holandës, Bert van Marwijk, nuk dëshiron ta lë kombin në gjunjë pas arritjes deri në gjysmëfinale, duke premtuar kështu kualifikim në finale.
“Ne kemi qenë në këtë rrugë edhe më parë, me të tjera ekipe holandeze dhe me popullin holandez të lënë në gjunjë. Ne duhet ta marrim duelin me Uruguain shumë seriozisht, sepse mentalisht, është e vështirë ta gjesh veten pas fitores ndaj Brazilit. Unë kam dy vite që po tentoj t’i mësoj lojtarët se nëse dëshirojnë të bëhen kampionë, ata duhet të shkëlqejnë rregullisht dhe të mos lejojnë rrëshqitje. Ne nuk kemi arritur ende asgjë në misionin tonë. Synimi, të bëhemi kampionë, ende nuk është arritur”.
“Kur erdha në krye të kombëtares, qëllimi im i parë ishte se si ta mësoj ekipin të mbrohet më mirë. Për arsye se nuk kemi shënuar dhe aq gola deri tani në Botëror, njerëzit dëshirojnë vetëm futboll atraktiv me shumë gola. Por, ne jemi duke luajtur futboll atraktiv. Uruguai është ekip prej luftëtarëve. Ata luftojnë dhe shpëtojnë. Kjo është arsyeja se pse kanë arritur në gjysmëfinale. Ne natyrisht nuk duhet t’i nënvlerësojmë ata, përndryshe gjërat do të shkojnë gabimisht për neve”, deklaroi Van Marwijk.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, është operuar në shpinë të dielën, sipas faqes zyrtare të klubit nga Olimpico i Torinos.
Një prej portierëve më të mirë në botë luajti vetëm 45 minuta të sfidës ndaj Paraguait, në Kampionatin Botëror, me ç’rast dhe u lëndua në shpinë.
Është thënë se atij do t’i duhet operimi, ndërsa kjo tani edhe ndodhi në mëngjesin e të dielës në Casa di Cura La Madonnina. Të hënën do të bëhet e ditur një diagnozë dhe koha se kur do të rikthehet Buffon, mirëpo spekulohet se ai do të mungojë deri në fund të këtij viti. Për këtë arsye Juventusi e bleu portierin Marco Storari nga Milani.
Mbrojtësi argjentinas Gabriel Heinze ka kërkuar nga legjenda Diego Maradona të vazhdojë të jetë menaxher i Argjentinës.
Pas eliminim zhgënjyer prej 4-0 nga Gjermania në çerekfinale të Kupës së Botës, Maradona tha se ai mund të japë dorëheqje. Por një që është pro qëndrimit të tij është Heinze.“Tash nuk është koha për të marrë vendime. Sigurisht ai do të bëjë mirë të presë derisa emocionet të qetësohen. Maradona ka punuar vërtet shumë mirë dhe do të ishte shumë mirë për të të vazhdojë”.
Maradona është kritikuar edhe për shkak se kishte lënë jashtë ekipi disa lojtarë me përvojë përfshirë edhe fituesit e Ligës së Kampionëve si Esteban Cambiasso dhe Javier Zanetti.
Andres Iniesta thotë se gjysmëfinalja e Kupës së Botës në të cilën Spanja do të përballet me Gjermaninë do të jetë një ‘ndeshje e bukur’ dhe beson se historia të mos tregojë asgjë.
“Jam i sigurt se do të jetë një ndeshje në mes të dy ekipeve të cilët dëshirojnë ta kenë topin dhe do të jetë një betejë e bukur. Ne e kemi përcjellë progresin e Gjermanisë në Kupën e Botës dhe ata ia kanë dalë shumë mirë”, ka thënë Iniesta.Spanja mposhti Gjermaninë në finalen e Euro 2008 me rezultat 1-0, por Iniesta mendon se kjo ndeshje do të jetë më ndryshe dhe se ata nuk mund të konsiderohen favoritë kësaj here.“Mendoj se nuk ka të bëjë asgjë me atë që ka ndodhur dy vite më herët. Kjo nuk do të thotë asgjë. Gjermania ka luajtur shkëlqyeshëm në Botëror deri tash dhe ata kanë shumë lojtarë të ri, që nuk kanë qenë në 2008-tën.
Simon Kjaer është në prag të kalimit në Wolfsburg, por ka shpresuar se do të mund të kalojë në një ekip si Manchester United ose Juventus.
Danezi ka vlejtur si një prej transferove më të çmuara këtë verë, por sipas gjasave ai do të transferohet te Wolfsburg nga Palermo.“Duhet vetëm t’i formalizojmë marrëveshjet dhe futbollisti të merret vesh me klubin gjerman. Ende nuk ka asgjë të nënshkruar në letër, por negociatat janë në fazën përfundimtare në mes të Palermos dhe Wolfsburgut”, ka thënë drejtori sportiv i klubit italian, Walter Sabatini.“Kam pritur disa ekipe më me prestigj të bëjnë oferta. Sipas meje, paraqitjet e Kjaer në disa muajt e fundit kanë qenë arsye që ekipet e mëdha të tërhiqen, por është gabim. Ai shpresonte se do të luajë në Manchester United dhe Juventus, por unë jam i sigurt se këtë do ta arrijë në të ardhmen”, ka shtuar Sabatini.