Ish-strategu i Milanit, Leonardo, ka zbuluar se ai është i lirë dhe i gatshëm të pranojë postin e përzgjedhësit të kombëtares braziliane.Leonardo është pa klub dhe Brazili është pa trajner pasi Federata Braziliane e Futbollit (CBF) e shkarkoi Dungan, pas fushatën turpëruese në Botërorin e sivjetmë, ndërsa CBF tani është në kërkim të një strategu të ri, me Leonardon kandidat potencial i spekuluar nga mediat.
“Unë jam i gatshëm ta drejtoj Brazilin”, citohet të ketë thënë ‘Leo’ për Sky Sport 24.
Holanda mposhti Uruguain në gjysmëfinalen e parë të Botërorit të sivjetmë, ndërsa njeriu kryesor i ‘Tulipanëve’, Wesley Sneijder, mezi e pret finalen e Johanesburgut.“Kjo është thjeshtë e pabesueshme. Ishte një betejë e vështirë, por unë jam i ngazëllyer që e bëmë atë. Ne u dobësuam paksa në fund dhe Uruguai ishte mjaft pranë në sekondat e fundit. Sidoqoftë, gjëja më e rëndësishme është që e fituam ndeshjen. Gjithçka varet në atë se a i fiton ndeshjet dhe askujt nuk i intereson se si”.
“Unë kam pasur shumë sukses me klubin dhe të luash në finale është vërtetë një gjë shumë e mirë. Finalja e Ligës së Kampionëve është gjëja më e madhe në nivelin e klubeve, por finalja e Kampionatit Botëror, është mbi të gjitha. Ne tani jemi aq pranë fitimit të Kupës së Botës. Ne do ta kalojmë kohën duke u kënaqur me këto momente para se të fokusohemi në finale”, deklaroi Sneijder.
Përfaqësuesja e Holandës ka shënuar fitore prej 3-2 përballë Uruguait, për të siguruar finalen e tretë në një botëror në histori të ‘Tulipanëve’.Goli i parë në ndeshje erdhi nga mbrojtësi veteran Giovanni van Bronckhorst, i cili kaloi Holandën në epërsi me një supergoditje nga distanca (18’).
Kapiteni dhe padyshim lojtari më i mirë i Uruguait, Diego Forlan, ktheu baraspeshën në lojë me një gol fantastik, për të mbyllur pjesën e parë me rezultat 1-1.
Në njëzet minutat e fundit të takimit, lojtarët me fanellat ‘portokalli’ arritën që brenda tre minutash të shuanin shpresat e Uruguait për ndonjë befasi.
Fillimisht, një goditje e Wesley Sneijder u devijua dhe përfundoi në portë për të rikthyer epërsinë e Holandës (70’), ndërsa pas një krosimi të Dirk Kuyt, Arjen Robben me kokë vulosi fituesin e takimit (73’).
Në minutat shtesë, Maxi Perreira arriti të ngushtojë epërsinë, mirëpo uruguaianët nuk patën kohë që ta barazojnë rezultatin deri në fund ta takimit.
Në finalen e madhe të 11 korrikut (e diel), Holanda do të luajë kundër fituesit të supersfidës Gjermani- Spanjë.
Agjenti i Sergio Agueros, Jose Segui, ka thënë se klienti i tij nuk është kontaktuar nga Interi, Milani apo Juventusi, për të negociuar mbi shërbimet e sulmuesit argjentinas.“Unë nuk kam informata se Aguero është joshur nga Interi, Juventusi apo Milani. Ai është pronë e Atleticos, kështu që nëse atje ka pasur diçka, atëherë këtë e dinë vetëm drejtorët. Sergio po bën mirë në Madrid, por nëse ka ndonjë marrëveshje me ndonjë klub tjetër, atëherë ne do të flasim me ta. Çmimi i transferimit do të vendoset nga klubi spanjoll”, theksoi Segui për Sportal.tv.
Aguero gjithashtu pritet të fitojë së shpejti pasaportën spanjolle, me ç’rast do të ishte edhe më shumë atraktiv për klubet italiane, të cilat së fundmi janë prekur nga një rregull i cili nuk i lejon ata të transferojnë më shumë se një lojtar joevropian.
Manchester United është në gjendje gatishmërie për t’ia shkatërruar planet Manchester Cityt për transferimin e sulmuesit Mario Balotelli.Sipas Sky Sports Italia, zyrtarët e United i kanë kontaktuar ata të Interit, me ç’rast ua kanë bërë me dije që ata janë të gatshëm të ofrojnë aq sa ofron Manchester City dhe t’i shkojnë deri në fund luftës për njërin prej talentëve më të mëdhenj në futbollin italian, përkundër telasheve me disiplinën që ka pasur në të kaluarën.
Mino Raiola gjithashtu para pak orësh ka deklaruar për Sky Italia se nuk e përjashton një largim të Balotellit nga Interi. Në rast se United ofron aq sa ofron City, atëherë në avantazh është United, që mund t’ia ofrojë sulmuesit italian Ligën e Kampionëve.
Mesfushori i Gjermanisë, Bastian Schweinsteiger, ka pranuar se Spanja do të hyjë në gjysmëfinale si favorit absolut, përkundër formës fantastike të treguar nga Pancerët gjatë këtij botërori.“Të humbasësh një finale gjithmonë shkakton frustrim dhe zhgënjim, por Spanja definitivisht ishte ekip më i mirë në vitin 2008. Në letër Spanja ende është ekip më i mirë, por unë mendoj se ne kemi treguar në ndeshjet e fundit se mund të mposhtim ekipet që duken të favorizuara në letër. Për mua, Spanja është ekipi më i fortë në botë. Do të jetë e vështirë sikurse ndaj Anglisë dhe Argjentinës, por unë kam shumë besim në këtë ekip, sepse kemi parë se çfarë mund të bëjmë nëse jemi të bashkuar”.
“Tani kemi fytyra të reja dhe karaktere të ndryshme, një qëndrim i paparë mendor. Lojtarët e rinj të cilët kanë hyrë në ekip kanë fituar përvojë gjatë kampionatit. Spanja nuk ndryshoi dhe aq. Sergio Busqutes ka zëvendësuar Marcos Sennan, por përndryshe ata janë të njëjtë sikurse dy vite më parë”.
“Xavi, Iniesta por edhe Xabi Alonso dhe Pique janë lojtarë të mëdhenj, por mendoj se ne kemi gjasa ndaj tyre. Ata janë ata lojtarët vendimtarë për Spanjën sepse pa ata, Villa dhe Fernando Torres nuk do të merrnin shërbimin e nevojshëm për të shënuar gola. Spanja nuk ka luajtur në mënyrën që kanë dashur tifozët e saj, por ata kanë fituar. Nëse luajmë sikurse një ekip, ashtu siç kemi bërë deri tani, atëherë kemi gjasa të mëdha”, deklaroi Schweinteiger.
Drejtori i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenige, ia ka bërë me dije Real Madridit që të qëndrojë sa më larg mesfushorit gjerman, Bastian Schweinsteiger, pasi që ai dhe lojtarët tjerë të Bayernit nuk janë në shitje.“Askush nuk na ka kontaktuar, por edhe nëse do ta kishin bërë këtë, përgjigja do të ishte e qartë. Nuk ka gjasa. Ne nuk do të shesim asnjë lojtar. Fatmirësisht, klubi është në situatë të mirë financiare”.
“Ne jemi të kënaqur dhe krenarë me lojtarët tanë, dhe shpresoj se të gjithë prej tyre mund të arrijnë në finalen e Botërorit. Gjermania kundër Holandës do të ishte një finale e mrekullueshme pasi që në të njëjtën kohë shfaqen cilësitë e ekipit tonë”.
“Muller po luan shumë mirë dhe ende nuk e ka arritur potencialin e tij, Klose po e tregon aftësinë për të shënuar gola, Lahm është një kapiten i shkëlqyer dhe Schweinsteiger po e drejton ekipin sikurse gjeneral në mesfushë. Nuk do të befasohesha nëse Schweini do të votohej si lojtari më i mirë i Kampionatit Botëror”, precizoi Rummenige.
Dyshimet se Cesc Fabregas ka dëmtuar ashtin e tij dhe se nuk do të mund të paraqitej në duelin historik ndaj Gjermanisë të mërkurën, Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF), e cila ka konfirmuar se Cesc do të luajë në gjysmëfinale.“Testet kanë përjashtuar çdo lëndim në asht, kështu që lojtari do të jetë i gatshëm për Gjermaninë. Ai do të luajë ndaj Gjermanisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar në FIFA nga RFEF.
Fabregas pritet të përfshihet në formacionin startues të Spanjës, për shkak të formës së dobët të treguar nga sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres.
Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), ka deklaruar se ai nuk do të kërkojë që Diego Maradona të shkarkohet nga posti i përzgjedhësit të kombëtares argjentinase, përkundër eliminimit në Afrikën e Jugut.“Vendimi është në dorë të Maradonas, ai ka ende kontratë me ne. Maradona është njeriu i vetëm në këtë vend që mund të bëjë çfarë të dojë”, theksoi Grondona.
Maradona ditë më parë u kishte thënë gazetarëve se koha e tij në kombëtaren ‘gauçose’ kishte kaluar dhe madje ia la si ‘amanet’ pasardhësit të tij që të vazhdojë me futboll ofensiv.
Para zhvillimit të gjysmëfinales dhe njërit prej dueleve më të mëdha të Botërorit, kombëtarja gjermane u ka dërguar një letër tifozëve në Gjermani, me të cilën ata i falënderojnë të gjithë për mbështetjen e treguar për ‘Die Nationalmanschaft’. Për tifozët tanë në Gjermani
Ne të gjithë kemi parë fotografi nga Gjermania. Qindra mijëra tifozë në sheshet publike, miliona ekrane gjigante televizive, emocione në të zezë, kuq dhe ari (ngjyrat e flamurit gjerman). Vendi ynë argëtohet me një festë paqësore futbollistike.
Edhe pse jeni gati 10 mijë kilometra larg, mbështetja juaj është këtu për çdonjërin prej nesh. Entuziazmi juaj na jep një shtysë për gjithsecilin prej nesh. Entuziazmi juaj na jep një shtytje të veçantë. Mbështetja juaj na bën më të fortë.
Rrugës tonë për në finale ende nuk i ka ardhur fundi, festa do të vazhdojë. Në Afrikën e Jugut dhe në Gjermani. Ne jemi të gjithë një ekip. Dhe ne të gjithë kemi një qëllim shumë të madh. Së bashku ne mund ta bëjmë këtë!
Ekipi juaj
Të mërkurën Gjermania zhvillon ndeshjen gjysmëfinale kundër kampionit të Evropës, Spanjës.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka deklaruar se ai do të duhet të bisedojë me drejtuesit e skuadrës së tij pas Kampionatit Botëror për të vendosur për të ardhmen e tij.“Them se kur të përfundojë Botërori unë do të bisedoj me njerëzit në Liverpool dhe ata do të ma sqarojnë situatën reale dhe se si janë gjërat për momentin, ashtu si të ardhmen e klubit. Gjithashtu do të bisedoj me trajnerin e ri”.
“Ka ende kohë për këtë, por unë dua ta përfundoj Botërorin, të shkoj në pushime, pasi që nuk kam shkuar në pushime që tre vite, të pushoj dhe më pas do të ketë kohë për të biseduar për gjithë këtë, situata nuk do të ndryshojë pa marrë parasysh nëse bisedojmë herët apo vonë”.
“Sinqerisht, ekipet nuk do të jenë në gjendje të bëjnë asgjë deri para përfundimit të Botërorit. Lojtarët këtu preferojnë të presin, ka mjaft kohë”, deklaroi Torres për El Mundo Deportivo.
Interi duket se ka ndërmend t’ia prishë planet Barcelonës për asin e Arsenalit, Cesc Fabregas, pasi që do t’ua ofrojë Topçinjve sulmuesin e talentuar, Mario Balotelli.Sipas Leggo, Interi mund të tërhiqet nga tentimet për Mascheranon dhe në vend të tij të transferojë Fabregasin. Këto zhvillime të fundit nuk janë pritur mirë në Camp Nou, pasi që Barcelona mezi pret ta rikthejë yllin e saj në vendlindje.
Përderisa agjenti Mino Raiola përjashton çdo mundësi të transferimit të Balotellit te Arsenali, është Massimo Moratti ai që e ka planin në kokën e tij se ku ta dërgojë sulmuesin. Nuk është i fshehtë interesimi i Wengerit për sulmuesin e ri, ndërsa një marrëveshje shkëmbimi plus përfshirja e parave është tashmë në tavolinë. Tani ka mbetur që Nerazzurët të bisedojnë me Arsenalin dhe të shohin se a janë të disponuar për një marrëveshje të tillë drejtuesit nga Emirates.
Zhvillimet e fundit natyrisht se kanë vënë nën presion të madh Barcelonën, që dëshiron ta transferojë me çdo kusht Fabregasin. Agjenti i Balotellit, Mino Raiola, kishte thënë ditë më parë se Interi refuzoi një ofertë të Cityt, e që sipas mediave italiane është 30 milionë euro, për shkak se Interi kërkon 40 milionë për njërin prej sulmuesve më të talentuar në Apenine.
Faqja zyrtare e Real Madridit ka konfirmuar se Sergio Canales do të luajë për Real Madridin sezonin e ardhshëm nën Jose Mourinhon dhe nuk do t’i huazohet Racing Santanderit, nga ku dhe është transferuar.Canales ka në kontratën e tij një klauzolë, e cila e detyron Real Madridin ta huazojë atë vetëm e vetëm te Racing Santanderi në vend të ndonjë klubi tjetër, nëse ka pasur ndërmend që ta bëjë këtë që futbollisti të përfitojë përvojë, një mundësi kjo që nuk u shfrytëzua nga klubi mbretëror.
Mesfushori ofensiv pritet t’i bashkohet stërvitjes parasezonale të Real Madridit, kur ai t’i përfundojë obligimet me kombëtaren spanjolle në Evropianin U-19.
Duket se nuk ka kthim prapa dhe është vetëm çështje ditësh kur mbrojtësi i talentuar i Palermos, Simon Kjaer, do t’i bashkohet Wolfsburgut, të paktën kështu pohon presidenti sicilian Maurizio Zamparini.“Kjaer nuk ka nënshkruar ende me Wolfsburgun, por është fare pranë. Është vetëm çështje ditësh”, tha Zamparini.
Nga ana tjetër, ai shtoi se ai kurrë nuk do t’ia shesë Interit sulmuesin Edinson Cavani, madje ka thënë se më përpara do ta shesë atë jashtë Italisë se sa t’ia shesë Interit.
“Unë kurrë nuk do t’ia jap Interit Cavanin. Unë kurrë nuk do të bëj transferime me ta, sepse ata nuk janë të interesuar në të. Plus, nuk më pëlqen qëndrimi i drejtorëve të tyre. Cavani do të shkojë jashtë Italisë, kurrë te Interi”, përfundoi Zamparini.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka shprehur kënaqësinë e tij që tri skuadra nga Evropa janë në gjysmëfinale të Botërorit të sivjetmë, duke u dëshiruar fat kombëtareve evropiane në gjysmëfinale.“Nuk mendoj që është rastësi se këto kombëtare janë në gjysmëfinale. Të tre këto vende kanë fituar më shumë kompeticione për të rinj që prej më se 10 vitesh. Gjermania është fituese e EURO 2009 për U-21, Holanda që e fitoi titullin U-21 më herët në vitin 2007 dhe përfundimisht Spanja që katër herë me radhë e ka fituar trofeun Mauricio Burlaz, që i jepet federatës me rezultatet më të mira në garat për të rinj. A mund të quhet e gjithë kjo fat? Jo, nuk mendoj kështu”.
“Jo vetëm kjo më bën të kënaqur, sepse ato janë kombëtare që mund të dhurojnë kënaqësi. Kjo është fitore për lojën e bukur, me theks të veçantë për futbollin sulmues. Para së gjithash, është shpërblim për punën shumëvjeçare të këtyre tri federatave të cilat kanë investuar në edukim dhe stërvitje. Një politikë model, që mundëson që për herë të parë në histori një vend evropian ta fitojë Kupën e Botës jashtë kontinentit tonë”.
“Unë do të shfrytëzoja rastin që t’u uroja fat tri kombëtareve të mbetura evropiane dhe le të fitojë më i miri”, deklaroi Platini.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell e ka përshëndetur Arsenalin me një deklaratë, ku ua ka bërë të qartë drejtuesve nga Emirates, se ai nuk ka ndërmend të ofrojë më shumë se 40 milionë funte për superyllin Cesc Fabregas.“Tema e Cesc Fabregas është shumë publike dhe kjo është komplikuar për shkak se Arsenali kishte bërë pritje të mëdha për çmimin e blerjes. Është më mirë të mos flisni publikisht, përndryshe do të përfundoni duke paguar një çmim tejet të lartë. Ne nuk do të paguajmë mbi 40 milionë funte për Cesc”, precizoi Rosell.
Sipas mediumeve nga Gadishulli Iberik, Sandro Rosell do të qëndrojë në Afrikën e Jugut në ditët në vijim për të shikuar ndeshjen gjysmëfinale Spanjë-Gjermani dhe për t’u takuar sy më sy me Arsene Wengerin rreth çështjes Cesc Fabregas.
Sulmuesi i Twentes, Bryan Ruiz, kryeson listë e menaxherit të ri të Liverpoolit, Roy Hodgson.Daily Mail pohon se Hodgson e ka vështruar atë disa herë gjatë sezonit të kaluar, në mënyrë që ta transferonte te Fulhami. Megjithatë, Fulhami nuk ishte në gjendje të paguajë një shumë rekorde për klubin, pasi që çmimi për Ruiz nuk është i kategorisë së klubit nga Craven Cottage.
Çmimi i Ruiz për një sezon është rritur tri herë, ndërsa oferta e parë e Hodgson për reprezentuesin e Kosta Rikës do të jetë 15 milionë euro.
Sipas AS, Bastian Schweinsteiger është shndërruar në top prioritet të hierarkisë së Real Madridit, pas dështimeve për të transferuar Steven Gerrardin dhe Daniele De Rossin.Mesfushori gjerman personalisht ia hapi dyert një kalimi te Reali, kur deklaroi të hënën në konferencë për shtyp se ngjyra e tij e preferuar është e bardha, që në mënyrë indirekte shpreh dëshirën e Schweinit për klubin mbretëror. I lëvduar si mesfushor i shumanshëm, Schweinsteiger është bërë njeriu numër një në listën e Mourinhos për përforcimin e mesfushës.
Përkundër marrëdhënieve të mira mes Real Madridit dhe Bayern Munichut, presidenti bavarez, Uli Hoenes, gëzon një reputacion si negociator shumë i vështirë. Schweini në kontratën e tij ka një klauzolë prej 55 milionë eurosh, që është në këtë rast tepër për Realin, por jo shumë e pamundur për t’u mbuluar nga klubi më i pasur në botë.
Transferi më i ri i Juventusit, Marco Motta, ka kërcënuar Interin me konkurrencë për Scudetto para fillimit të sezonit të ri.“Unë e humba Scudetton me Romën, por tani dua ta fitoj atë me Juventusin. Mendoj se kemi gjasa të barabarta si të gjitha ekipet tjera, duke përfshirë këtu edhe Interin. Ishte e dhimbshme që e humbëm titullin kur ishim aq pranë dhe në fund mbetëm pa asgjë. Por tani unë dua të fitoj shumë nën fanellën e Juventusit”.
“Unë jam i kënaqur që jam te Juventusi dhe kam shumë punë për të bërë dhe mund të përmirësohem. Ky është një rast i mirë për mua dhe unë dua ta shpaguaj besimin që më është dhënë”, deklaroi Motta.
Paul, oktapodi i famshëm i cili i qëlloi me saktësi të gjitha ndeshjet e Gjermanisë në këtë kampionat botëror (përfshirë edhe humbjen ndaj Serbisë) e ka vendosur Spanjën fituese në gjysmëfinalen e nesërme që e zhvillon ndaj Gjermanisë.
Përfaqësuesja e Spanjës ka marrë një lajm jo të mirë para ndeshjes gjysmëfinale të Kampionatit Botëror kundër Gjermanisë që zhvillohet të mërkurën.Njoftohet se Vicente del Bosque do të duhet t’ia bëjë pa kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas, i cili ka pësuar një lëndim në stërvitje
Lajmet e para pohojnë se 23-vjeçari ka dëmtuar fibulin dhe është drejtuar për në spital për ekzaminime të tjera, ndërsa nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e mungesës së tij.
Kampioni i Spanjës, Barcelona, ka bërë të ditur se mbrojtësi ukrainas Dmytro Chygrynskiy është larguar në drejtim të Shakhtar Donetskit, me ç’rast Blaugranët do të përfitojnë 15 milionë euro nga ky transferim.23-vjeçari iu bashkëngjit Barcës sezonin e kaluar nga Shakhtari për një shumë prej 25 milionë eurosh, mirëpo ai nuk arriti të sigurojë vend në formacionin bazë të Pep Guardiolas.
Chygrynskiy u paraqit vetëm në 14 ndeshje zyrtare të Barcës, megjithatë arriti të festojë titullin e La Ligas.
Paratë e grumbulluara nga shitja e tij, Barca pritet t’i shfrytëzojë në tentativën për transferimin e Cesc Fabregasit nga Arsenali.
Agjenti i Diego Militos, Fernando Hidalgo, ka thënë se vazhdimi i kontratës së klientit të tij që është pritur të nënshkruhet të martën ka hasur në pengesë.Është pritur që argjentinasi të nënshkruajë kontratën e re të vlefshme 5 milionë euro në vit, por agjenti i tij ka ngritur dyshime për mundësinë e realizimit të kësaj kontrate.
“Nuk mendoj se ai do të nënshkruajë sot. Po pres telefonatën e Interit, por nuk mendoj se do të ketë probleme. Jemi afër, vetëm duhet të nxjerrim gjithçka në letër”, ka thënë Hidalgo për Calciomercato.it, duke njoftuar se Milito gjendet në Argjentinë, dhe nëse arrihet marrëveshja, nënshkrimi i tij do të shkojë përmes faksit.
Reali ka bërë përpjekje për transferimin e Maiconit me disa oferta të cilat nuk e kanë kënaqur dot Massimo Morattin, pasi që ai dëshiron ta mbajë brazilianin, sepse e di që ai është më i miri në botë në pozitën e tij.
Balotelli nga ana tjetër është më shumë se kurrë pranë kalimit te Manchester City. Agjenti Mino Raiola ka pohuar se City ka bërë një ofertë të pacaktuar, por që ka qenë e pamjaftueshme për Interin. Sidoqoftë, 40 milionë euro që pritet t’i ofrojë City për mesfushorin e talentuar pritet të jenë më se të mjaftueshme për të bindur drejtuesit Nerazzur që pritet t’i përdorin të hollat për transferimin e Javier Mascheranos.
Portieri i Gjermanisë, Manuel Neuer, është përkujdesur për të nxehur atmosferën para gjysmëfinales së Botërorit ndaj Spanjës, pasi ka thënë se Gjermania do t’i tregojë Spanjës se kush është bosi.“Unë nuk kam dëgjuar se krahasohem me dikë, por natyrisht se është nder të krahasohem me Casillasin. Ai është një portier tmerrësisht i mirë që ka pasur aq shumë sukses në të kaluarën.Por, do të doja ta mbaja portën të pastër dhe ju garantoj se do të jetë e njëjta gjë që keni parë si ndaj Argjentinës”.
“Është falë një mbrojtjeje të jashtëzakonshme që kemi pranuar vetëm dy gola gjatë gjithë kampionatit. Ne mund të jemi shumë të lumtur me këtë. Duhet t’i tregoni kundërshtarit kush është bosi. Nëse e bëni këtë, atëherë keni arritur diçka”, tha Neuer.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, ka udhëtuar në Afrikën e Jugut për të biseduar për një transferim të mundshëm të Fernando Torresit te Chelsea.Telegraph-i britanik shkruan se pronari i Bluve të Londrës është i gatshëm të shpenzojë 50 milionë funte në yllin spanjoll, që gjithashtu është cak i Cityt. Gjasat e Cityt janë të vogla për shkak se Torres dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve. Përkundër faktit se agjenti i Torres e ka mohuar largimin, besohet se Chelsea është shumë pranë transferimit të tij.
Oferta e Chelseat ndoshta nuk do t’i përshtatet kërkesave të Liverpoolit, por Abramovich beson se transferimi i Benayoun dhe marrëdhëniet e mira me Liverpoolin në tregun e transferimeve bëjnë që miliarderi rus të besojë se Torres mund të luajë sezonin e ardhshëm për Chelsean.
Mesfushori i talentuar japonez, Keisuke Honda, që ka shkëlqyer në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010, ka thënë se ai ëndërron që një ditë ta veshë fanellën me numër 10 të Real Madridit.“Unë ëndërroj ta veshi fanellën me numër 10 te Real Madridi. Unë jam një tip njeriu që kërkon gjithmonë më të mirën dhe që ka dëshirë për të luajtur në nivelin më të lartë. Nëse do të më jipet rasti t’i bashkohem ndonjë klubi më të madh, atëherë definitivisht se do ta shqyrtoj atë”, ka thënë Honda për Sports Nippon.
Milani, Valencia, Manchester City dhe Arsenali janë lidhur me yllin japonez, por është pak e mundshme që ai të largohet nga CSKA Moska gjatë kësaj vere.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ka deklaruar se ai e njeh mirë fuqinë që ka Holanda, por njëherit ka precizuar se nuk ka ekip që nuk ka dobësi dhe që nuk mund të mposhtet.“Holandezët nuk dinë të luajnë futboll pa sulmuar dhe ky ekip di ta bëjë vetëm këtë, shtojini pak efektivitet në mbrojtje dhe ky është realiteti. Robben është lojtar i madh, shumë i shpejtë dhe ka një shtrirje të gjerë, duke e bërë të vështirë ta mbulosh. Ata janë superiorë për ne si ekip kolektiv në sensin e posedimit të topit, por në kurset e trajnerëve dhe doracakë të tjerë thuhet se ka mënyra se si të mposhten ekipet më të forta”.
“Ne do të tentojmë t’i zbulojmë dobësitë e tyre, sepse edhe ekipet më të mira i kanë ato. Disfata është mundësi, por askush nuk e di çfarë do të ndodhë. Nëse nuk do të kishim pasur ëndrra, nuk do të kishim qenë këtu”, deklaroi Tabarez.
Strategu i Barcelonës, Pep Guardiola, thuhet se ka shkuar në kampin stërvitor të Spanjës në Afrikën e Jugut për një vizitë me shpresë për të siguruar firmën e kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas.Sipas Daily Star, Guardiola ka vizituar kampin stërvitor të Spanjës, me ç’rast është parë duke biseduar me Fabregasin. Thuhet se Guardiola i ka garantuar mesfushorit spanjoll se ai do të bëjë gjithçka për ta kthyer në vendlindje.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, pritet të udhëtojë së shpejti në Afrikën e Jugut për gjysmëfinalen mes Gjermanisë dhe Spanjës, ku dhe do të shfrytëzojë rastin të takohet sy më sy me Arsene Wengerin për çështjen Fabregas.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka thënë se Wayne Rooney ka dështuar të tregojë formën e tij më të mirë në Kampionatin Botëror, edhe atë mu për shkak të pritjeve të mëdha.“Mendoj se është pritur shumë nga ai. Ka pasur fjalë se ai do të jetë lojtari më i mirë i kampionatit. Mos harroni, ky ishte fillimi i gjithë kësaj. Ai do të duhej të ishte ylli, ai do të duhej të shkëlqente sipas tyre. Dhe ai nuk ka përvojë të mirë nga ky Botëror. Prisni, për katër vite do të shihni një lojtar tjetër”, ka thënë Ferguson.
Rooney aktualisht është në pushime dhe pritet që të kthehet për stërvitjet parasezonale në fund të korrikut, për të nënshkruar më pas një marrëveshje të vlefshme 150 mijë funte në javë.
Mesfushori i Spanjës, Xavi, ka deklaruar se kundërshtari i gjysmëfinales, Gjermania, është skuadër e talentuar, njëherit ka thënë se mungesa e Thomas Muller është përparësi për Spanjën.“Gjermania është e rifreskuar, më e talentuar, sidomos në mesfushë. Ata janë më të dobët fizikisht por më të talentuar. Muller nuk luan dhe kjo është mirë sepse ai është në formë të shkëlqyer. Sami Khedira dhe Bastian Shweinsteiger po bëjnë punë të jashtëzakonshme, ashtu si Ozil, Podolski dhe Klose, të gjithë shënojnë”.
“Ata janë ekip ndaj të cilit mund të bëjmë diçka për arsye se atyre u pëlqen ta kenë topin dhe kështu do të na lënë më shumë hapësira se Paraguai. Ata luajnë mirë në kundërsulme dhe luajnë mirë në krah. Ne tanimë kemi bërë histori, por nuk jemi të kënaqur me këtë, ne duhet të arrijmë në finale dhe të fitojmë. Ne kemi një gjeneratë fantastike për ta arritur këtë dhe ne do të luajmë me gjithë forcën që kemi. Me rëndësi është të shënojmë dhe për këtë duhet ta shfrytëzojmë formën e David Villës”, ka thënë Xavi.
Barcelona është duke menduar të kthehet kah superylli holandez Arjen Robben, nëse dështon transferimi i Cesc Fabregasit.El Mundo Deportivo njofton se Barcelona po bëhet gjithnjë e më shumë nervoze në Arsenalin që po refuzon të negociojë për Fabregasin, që është dhe arsye se pse zyrtarët e klubit katalans do të kthehen kah Robben.
Nëse këtë verë Barcelona nuk arrin ta transferojë Fabregasin, atëherë gjiganti nga Camp Nou beson se mund ta bëjë këtë sezonin e ardhshëm. Fakti që Ribery ka vazhduar kontratën me Bayernin, do të thotë se gjiganti bavarez nuk pritet të lëshojë pe për holandezin Robben.
Holanda do të ndeshet sonte me fillim nga ora 20:30 me Uruguain në kuadër të gjysmëfinales së Kampionatit Botëror, ndërsa në konferencën për shtyp para ndeshjes, përzgjedhësi holandez Bert van Marwijk, u shpreh i sigurt për kualifikim në finale duke shtuar se çdo gjë më pak se titulli në fund të Botërorit është dështim për Holandën.“Unë vërtetë nuk dua të flas për finalen që tani. Unë kam dëgjuar këto fjalë shumë shpesh, së pari duhet të luajmë gjysmëfinalen. Unë kam respekt të madh për atë që lojtarët e Holandës kanë arritur në të kaluarën, por më duhet të them se nuk kam ardhur këtu për t’i kryqëzuar duart në finale. Kjo nuk është e mjaftueshme, ne kemi ardhur këtu për ta fituar finalen. Ne kemi ardhur këtu për çmimin e madh, ky është qëllimi ynë dhe ne do të kënaqemi vetëm nëse e fitojmë Botërorin”.
“Unë nuk mund ta ndryshoj kulturën, por kam punuar shumë për të krijuar një ambient dhe t’i bëj lojtarët të kuptojnë që nëse duan të arrijnë diçka në një kompeticion, atëherë duhet të fokusohen vetëm në ndeshjen e ardhshme dhe jo më tej. Kur të luajmë mirë, ne tentojmë të jemi paksa arogantë pasi e kemi fituar një ndeshje, por lojtarët vërtetë e kanë kuptuar këtë dhe kjo është baza e përgatitjes tonë ndaj Uruguait”.
“Uruguai është ekip shumë i rrezikshëm. Në fillim të kampionatit, unë i mora si shembull të një skuadre të apasionuar dhe nuk është e rastësishme që ata kanë arritur deri këtu. Në fazën grupore, ne ishim gjithnjë favoritë, kurrë jofavoritë. Ndaj Brazilit, ishte e kundërta. Unë vërtetë nuk kam ndonjë mendim për këtë, ne vetëm duam të përqëndrohemi në vetvete. Ne nuk duam të shpërqëndrohemi nga njerëzit të cilët mendojnë se jemi favoritë”, deklaroi Van Marwijk.
Manchester City ka vendosur t’i shkojë në fund çështjes për transferimin e Zlatan Ibrahimovic, sipas Sport, pasi klubi anglez është duke e përgatitur, një ofertë prej 20 milionë eurosh plus Robinhon, për sulmuesin suedez.Dihet se Roberto Mancini është adhurues i Ibrahimovic dhe se është duke kërkuar që ta vazhdojë punën me të te City, pas suksesit me suedezin në Itali te Interi. Mësohet se agjenti, Mino Raiola, tashmë ka biseduar me zyrtarët e Cityt për një marrëveshje që do ta bënte Ibrën futbollistin më të paguar në botë.
Ibrahimovic ka shënuar vetëm 20 gola sezonin e kaluar në të gjitha garat për Barcelonën, por ka dështuar të lë përshtypje në qarqet mediatike katalane. Robinho nga ana tjetër e kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar te Santosi, ndërsa është duke kërkuar largimin përkudër faktit se Mancini dëshiron ta mbajë në skuadër.
Sipas Il Corriere dello Sport, Juventusi është në kërkim të mesfushorit të Real Madridit, Lassana Diarra.Thuhet se Real Madridi do të kërkojë shërbimet e Chiellinit, nëse Juventusi e dëshiron Diarran që sezonin e kaluar më shumë qëndroi në shtëpi se në fushë.
Nga ana tjetër thuhet se Mourinho e ka në listë Chiellinin si një nga futbollistët që do të transferohen patjetër. Florentino Perez dëshiron t’ia ofrojë Juves një numër lojtarësh duke përfshirë dhe Drenthen, por Bianconerët kërkojnë 20 milionë euro, për të transferuar Philipee Mexes dhe Edin Dzeko.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, raportohet se është i interesuar të sjellë në Old Trafford mesfushorin holandez Wesley Sneijder.Siç shkruajnë mediat angleze, United është në kërkim të një zëvendësuesi afatgjatë për Paul Scholes dhe është duke bërë gati 25 milionë funte për Wesley Sneijder.
United ka përfituar shumë para nga shitja e Cristiano Ronaldos verën e kaluar, por nuk e ka shfrytëzuar po thuajse aspak shumën e fituar nga Real Madridi, andaj Ferguson ka mjaft mjete në dispozicion.
Megjithatë është vështirë e besueshme se Interi do të lejojë të largohet njërin prej futbollistëve më të mirë të ekipit.
Ylli i kombëtares së Japonisë, Keisuke Honda do të dëshironte të transferohej në një klub më të madh evropian.Agjenti i Honda thotë se klienti i tij do të analizojë mirë çfarëdo oferte që vjen nga ndonjë klub evropian, edhe pse ai sapo është transferuar në CSKA Moska në janar.
Honda është lavdëruar nga trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ndërsa Milani së fundi është përmendur si destinacion i tij i ardhshëm
“Ka spekulime, por askush nuk ka kontaktuar me mua ose me CSKA. Në futboll kurrë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë, por mendoj se për momentin shumë klube nuk kanë burime të mira financiare, sigurisht kështu është edhe në Milan”.“Ai luan në një qytet të shkëlqyeshëm, por nëse ka oferta nga klube të mëdha evropiane, është vështirë të thuhet jo” , ka thënë agjenti i lojtarit.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, dëshiron të transferojë Joe Cole, shkruajnë mediat angleze.The Sun shkruan se Hodgson e sheh të larguarin e Chelseat si një zëvendësim ideal për Yossi Benayoun, i cili iu bashkua kampionëve për 5.5 milionë funte.
Hodgson e di se ai duhet të luftojë për të bindur 28-vjeçarin të largohet nga Londra dhe po ashtu ka shqetësimin e Tottenhamit që i ofron atij angazhim në Ligën e Kampionëve.
Por ai është i gatshëm ta bindë atë me vizionin e tij energjik për të ardhmen e Liverpoolit, që përfshinë edhe ruajtjen në ekip të Fernando Torres dhe Steven Gerrard.
Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), Ricardo Teixeira, ka pranuar se ai nuk ka biseduar me asnjë nga kandidatët e mundshëm për të pasuar Carlos Dunga në postin e përzgjedhësit të Brazilit.“Është me rëndësi që të gjithë e dinë se, që të përgatitemi mirë, duhet të bëjmë sakrifica dhe ta ndërtojmë ekipin. Do të jetë një projekt i gjatë pesë vjet (duke iu referuar Lojërave Olimpike në Brazil më 2016). Unë nuk kam biseduar ende me kandidatët potencial, por mund të jetë një nga trajnerët për të cilët është folur. Me rëndësi është ta bëjmë projektin që duhet ekzekutuar”.
“Nuk do të ishte asnjë e mirë për ne nëse trajneri i ardhshëm duhet ta mposhtë ShBA-në në miqësoren e gushtit. Në atë mënyrë, nuk do të arrinim qëllimin për rinovimin e skuadrës. Ne ose e ndërtojmë një Selecao të re, ose e ndërtojmë një Selecao të re, nuk kemi opsione tjera. Dua që ekipi që do të fillojë të luajë tani të jetë i njëjtë me atë të vitit 2014. Ne duhet të kemi lojtarë të rinj në skuadër. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ftohen lojtarë nga ekipi aktual. Por, do të duhet të përdorim lojtarë të gatshëm për 2014”, deklaroi Teixeira.
Agjenti i Luis Fabianos, Jose Fuentes, ka thënë se Sevilla nuk ka marrë ndonjë ofertë nga Milani që nga sezoni i kaluar.“Oferta e vetme konkrete që e kam pranuar nga Milani ishte sezonin e kaluar. Këtë sezon, unë e di se lojtari është vështruar nga klube të ndryshme, por ato mbesin vetëm spekulime për momentin. Klienti im nuk e ka problem të largohet nga Sevilla nëse vjen ndonjë ofertë e mirë që i kënaqë të gjitha palët, por ai është i lumtur edhe nëse qëndron”.
“Sa për rinovimin e tij? Propozimi është për tri vite dhe kjo ide u hodh nga Sevilla. Ne i kemi bërë kërkesat tona dhe deri më sot nuk më kanë kthyer përgjigje”, theksoi Fuentes që edhe njëherë në mënyrë të tërthortë ftoi Milanin për një ofertë, por duket se Rosonerët ende janë në gjumin veror.
















