Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, pasi shkroi historinë me ekipin kombëtar spanjoll, ka përgëzuar lojtarët për paraqitjen që sipas tij ishte ‘fenomenale’.“Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme. Më duhet të përgëzoj të gjithë lojtarët të cilët kanë qenë të saktë në mbrojtje dhe në sulm. Ishte një ndeshje prej djalli”.
“Holanda? Ata përfaqësojnë një shkollë të shkëlqyer të futbollit holandez. Unë shpresoj se ne mund ta gjejmë lehtë veten me topin dhe më pas të luajmë me karakteristikat personale. Do të dua t’i falënderoj të gjithë…të gjithë tifozët. Ky është një burim enorm i kënaqësisë për të gjithë ne”, deklaroi Del Bosque.
Trajneri i Barit, Gianpiero Ventura, ka përjashtuar mundësinë e transferimit të Sebastian Giovincos nga Juventusi, pasi beson se futbollisti dëshiron të qëndrojë në Olimpico të Torinos.“Siç kam thënë dhe më parë, mesfushori do t’i përshtatej stilit tonë dhe në të njëjtën kohë Bari do të ishte vendi i duhur për të”.
“Ai do të duhej të kuptonte se sa e dëshirojmë ne atje. Unë do të doja ta takoja atë personalisht dhe t’ia tregoja synimet tona, planet tona, por natyrisht se vendimi është i tij. Nëse ai dëshiron të qëndrojë te Juventusi, atëherë diskutimi është i mbyllur”, deklaroi Ventura.
Spanja do jetë për herë të parë në një finale të Kupës së Botës, pasi ka mposhtur Gjermaninë me rezultat minimal 1-0 me golin e vetëm të shënuar nga Carles Puyol, në gjysmëfinalen e zhvilluar Durban.Spanjollët ishin shumë më kërkues që nga fillimi i ndeshjes, duke pasur posedim dhe duke krijuar më shumë raste se gjermanët, të cilët dështuan të përsërisin shkëlqimin që treguan deri tash gjatë Botërorit.
David Villa pati rast të mirë kur në minutën e gjashtë pranoi një pasim të shkëlqyeshëm nga Pedro, por portieri i Schalke, Neuer, u gjend shumë mirë për të bllokuar goditjen nga afërsia të sulmuesit të Barcelonës. Shtatë minuta më pas, pas një harkimi të Andres Iniesta, mbrojtësi Carles Puyol gjeti topin me kokë, por goditja e tij përfundoi mbi portë.
Spanjollët krijuan edhe shumë raste të tjera, por nuk arritën të gjejnë portën kundërshtare. Në anën tjetër gjermanët patën rastin më të mirë në minutën e fundit të pjesës së parë, kur pas një pasimi nga Miroslav Klose, Mesut Ozil u gjend para golit të Iker Casillas, por i penguar ca nga Sergio Ramos, gjermani nuk arriti as të dërgojë goditje.
Kampionët e Evropës vazhduan të kërkojnë golin edhe në pjesën e dytë, por goditjet e Alonso (49’) dhe Villa (55’), përfunduan jashtë porte. Një aksion shumë i vrullshëm i spanjollëve për pak sa nuk solli golin e parë të ndeshjes, por goditja e Pedro u mbrojt nga portieri Neuer, ndërsa një asistim pasues i Iniestas, nuk arriti të shfrytëzohet nga Villa (58’).
Gjermanët kërcënuan shumë rrallë portën spanjolle në pjesën e dytë, me një rast të mirë që erdhi pas pasimit të Podolskit, por goditja e Toni Kroos ishte shumë e lehtë dhe u mbrojt nga Casillas.
Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 73-të kur pas një harkimi të Xavi nga këndi Puyol kësaj here ishte i saktë dhe shënoi në portën e Neuer. Pas dhjetë minutash tjera, spanjollët patën një rast tjetër të artë, por duke dashur të kryejë të gjithë punën vet, Pedro humbi topin dhe nuk pasoi për Fernando Torres, që mund të kishte vulosur rezultatin.
Trajneri i kombëtares së Spanjës, Vicente del Bosque, ka shkruar histori me këtë fitore, pasi është hera e parë që Spanja arrin në një finale të një Botërori. Në finale kampionët e Evropës do të përballen me Holandën, e cila mbrëmë eliminoi Uruguain.
Agjenti i Diego Militos, Fernando Hidalgo, ka konfirmuar se është arritur marrëveshja me Interin për vazhdimin e kontratës së Diego Militos.“Gjithçka është mirë me Militon. Ne do t’i përgatisim kontratat të enjten dhe më pas unë do të shkoj në Buenos Aires në mënyrë që Diego ta nënshkruajë atë. Javën e ardhshme do të kthehem në Itali për ta depozituar kontratën te zyrtarët e Serie A”, theksoi Hidalgo pa precizuar detajet tjera.
Spekulimet tjera thonë se Milito do të qëndrojë te Interi deri në vitin 2014 dhe do të përfitojë rreth 5 milionë euro në sezon.
Mesfushori ofensiv i Real Madridit, Sergio Canales, ka thënë se ai e di se do ta ketë të vështirë për t’u futur në ekipin e parë të Real Madridit, por shton se ai ka shkuar në Bernabeu për të mësuar.“Unë e di se do të jetë e vështirë të fitoj një vend në këtë ekip. Unë do të filloj me shumë dëshirë, kjo është e sigurt. Te Real Madridi, ju do të mësoni gjëra të reja që nga momenti i parë kur të shkelni në autobus”.
“Mendoj se të gjithë ne jemi të impresionuar dhe me ambicie. Mourinho ka fituar gjithçka dhe ai do t’i shërbejë shumë mirë Real Madridit”, u shpreh Canales.
Sipas La Stampa, Liverpooli është i interesuar në mesfushorin slloven të Interit, Rene Krhin.Roy Hodgson e pëlqen lojtarin dhe marrëdhëniet e tija të mira me Interin mund të bëjnë që ai ta transferojë të riun. Jose Mourinho e shfrytëzoi pak Krhinin sezonin e kaluar, por ai ishte i regjistruar në skuadrën e Ligës së Kampionëve.
20-vjeçari shpreson të luajë rregullisht sezonin e ardhshëm, me skuadra të interesuara nga Liga Premier si Manchester United dhe Chelsea, por Hodgson pritet ta shfrytëzojë miqësinë e tij me Massimo Morattin për ta transferuar sllovenin.
Sulmuesi i Liverpoolit, Dirk Kuyt, ndjen se tifozë nga e gjithë botë janë duke e mbështetur Holandën që ta fitojë Botërorin, Afrika e Jugut 2010.“Është shumë e vështirë të themi se si janë pritur paraqitjet tona në publikun holandez dhe atë botëror, por nëse do të gjykoja në bazë të e-mailave dhe mesazheve tjera që kam marrë, unë do të thosha se e gjithë bota na mbështet”.
“Natyrisht unë di mjaft për Spanjën nga djemtë spanjoll te Liverpooli, por Gjermania natyrisht do të ishte kundërshtar i veçantë për mua. Në fakt, kjo nuk më intereson dhe aq”, ka thënë Kuyt.
Sipas Marca, xhaxhai i tenistit, Rafael Nadal, Miguel Angel Nadal, është kthyer në Ishujt Kanarie, pesë vite pasi ishte penzionuar si futbollist, për t’iu bashkuar stafit të Michael Laudrup te Mallorca.Miguel Angel Nadal është një prej legjendave të Mallorcas dhe Barcelonës, ndërsa tani ka shprehur kënaqësinë që të jetë në stafin e njërit prej futbollistëve më të mirë danez të të gjitha kohëve, Michael Laudrup, për të cilin ai mendon se do të kultivojë stil tërheqës të futbollit. Nadal bëri të ditur se qëllimet e Mallorcas do të jenë sipas mundësive, por nuk përjashtohen dhe befasi si në rangun ndërkombëtar ashtu dhe në atë spanjoll.
Nadal konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në histori të Mallorcas, ndërsa ka pasur karrierë të bujshme edhe me Barcelonën. Sporti te familja Nadal është një zeje ‘brez pas brezi’ pasi që Miguel Angel Nadal është xhaxhai i tenistit numër një në botë, Rafael Nadal.
Chelsea ka arritur të kompletojë transferimin e njërit prej futbollistëve më të talentuar sot në Evropë, atë të 17-vjeçarit nga Çekia, Tomas Kalas, për një shumë që spekulohet të jetë rreth 5.5 milionë euro.Detajet zyrtare se cila është shuma e transferimit nuk janë bërë të ditura nga klubi londinez, por ajo që dihet është se lojtari do të qëndrojë edhe një vit në vendlindje si huazim, para se të kalojë në radhët e Chelseat. Pas mesfushorit të talentuar çek kanë qenë edhe Arsenali, Bayer Leverkusen dhe Milani.
“Ne ndjejmë se ka shumë potencial në atë lojtar dhe kemi ndjerë se ishte koha e duhur për ta transferuar atë. Por, do të ishte mirë për të që të qëndronte atje dhe të përfitonte përvojë, ndërsa ne po shikojmë se si ta marrim në ekipin e parë vitin e ardhshëm. Ai është një mesfushor i krahut të djathtë që mund të luajë edhe si mbrojtës i krahut të djathtë”, deklaroi Neil Bach, menaxheri i akademisë së Chelseat.
Sipas Sport, Barcelona nuk ka qenë në gjendje t’i paguajë pagat e futbollistëve për muajin e kaluar, që edhe njëherë tregon krizën në të cilën gjendet klubi katalanas, ndërsa këtij raporti i parapriu zyrtarizmi i kredisë prej 150 milionë eurosh të martën nga Sandro Rosell.Sipas gazetës spanjolle, Barcelona e kishte shitur Dmytro Chygrynsykiyn për të paguar lojtarët e saj për muajin e kaluar, gjë që nuk ishte e mjaftueshme.
Rosell në konfirmimin e tij ka thënë se për të tejkaluar krizën, klubi është dashur të marrë kredinë dhe të rrisë të ardhurat, të cilën do ta arrijë me një rritje të çmimit të biletave prej 15 % në një hark kohor prej pesë vitesh.
Juventusi thuhet ta ketë të gatshme ofertën për sulmuesin boshnjak të Wolfsburgut, Edin Dzeko.Sipas të përditshmes gjermane Bild, skuadra gjermane ende nuk ka marrë ndonjë ofertë zyrtare nga Juventusi, por besohet se këta të fundit e kanë përgatitur atë, ndërsa oferta përbëhet nga 30 milionë euro plus shërbimet e Momo Sissokos apo Christian Poulsen.
Ish-ylli i Teplices ka pasur një klauzolë prej 40 milionë eurosh në kontratën e tij, por ajo vleu deri më 31 maj. Wolfsburgu tani ka të drejtë të kërkojë çfarë të dojë për Dzekon dhe duket pak e mundshme që Juventusi ta pranojë ofertën.
Asi i Milanit, Ronaldinho, nuk ishte në disponim që t’i ndërpresë pushimet e tija në një plazh të Rio De Janeiros, për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me të ardhmen e tij.Globoesport njofton se Dinho ishte i shoqëruar nga dielli, luante me top në rërë, përderisa vizitorët tjerët shikonin me mjaft interes. Por, kur është pyetur nga gazetarët për një interesim të Palmeiras për të, ai ishte i shpejtë.
“Unë do të hesht deri në fund të Botërorit, nuk është asgjë personale. Tani jam në pushime”, tha Dinho.
E ardhmja e Ronaldinhos është tej mase e paqartë, pasi që futbollisti kërkon rritje të pagës nga Milani, gjë të cilën nuk e bëjnë dot këta të fundit, ndërsa këtë do ta bënin pa kurrfarë problemi La Galaxy dhe Manchester City, të dy këto klube të interesuara për mjeshtrin brazilian.
Arsenali ka kompletuar edhe zyrtarisht transferin më të ri, qendërmbrojtësin e Lorient, Laurent Koscielny, që ka nënshkruar një kontratë afatgjate për një shumë të pacaktuar.Spekulohet se Arsene Wenger ka shpenzuar 8.5 milionë funte për francezin, që është transferi i dytë këtë sezon nga Kampionati francez. Ardhja e Koscielnyt në radhët e Arsenalit, pritet të shtojë dukshëm konkurrencën në atë pozitë.
“Koscielny është një qendërmbrojtës me aftësi të mëdha që luajti jashtëzakonisht mirë sezonin e kaluar për Lorient. Ne e identifikuam atë si një qendërmbrojtës shumë të fortë, që ka bërë shumë shpejtë përparim të madh. Ai ka treguar se është mentalisht i fortë, ai është një luftëtar dhe shumë konkurrent i fortë. Koscielny është një transfer shumë i mirë për skuadrën tonë”, u shpreh Arsene Wenger në faqen zyrtare të klubit.
Bashkëpronari i klubit anglez West Ham, David Sullivan, ka konfirmuar se West Hami ka arritur parakontratë me sulmuesin e Bayern Munichut, Miroslav Klose.“Ne e kemi pasur një marrëveshje para fillimit të Botërorit, pas një sezoni të keq të tij në Gjermani. Sidoqoftë, si rezultat i asaj që ka ndodhur në Botëror, është e vështirë që ai të transferohet në Ligën Premier”, theksoi Sullivan për ESPN.
Gjatë Botërorit Miroslav Klose ishte i jashtëzakonshëm me katër gola në po aq paraqitje, duke e çuar kështu numrin e golave nëpër Botërore në 14, një më pak se legjenda braziliane Ronaldo.
“Tani për tani nuk ka asgjë të re. Nuk ka negociata për momentin, ka pasur një kolaps mes tyre. Ne e dimë këtë dhe po presim. Siç e kam thënë muaj më parë, ky transferim mund të zgjasë tërë verën”, theksoi Caliendo.
Çështja Maicon duket se nuk do të gjejë së shpejti një fund. Real Madridi e kërkon futbollistin, por çmimi nuk i përshtatet bosit të Interit, Massimo Moratti. Ekziston mundësia që Maicon të qëndrojë dhe negociatat të përfundojnë pa rezultat.
Barcelona dhe Juventusi besohet të jenë në kërkim të mbrojtësit të majtë të Manchester Unitedit, Patrice Evra.Pas telasheve të mëdha me kombëtaren franceze në Botërorin e sivjetmë, The Daily Mail spekulon se Patrice Evra është i kërkuar nga Juventusi dhe Barcelona, që kanë probleme në krahun e majtë.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, thuhet t’i ketë dhënë një javë tjetër pushim Evras, që ta mbajë sa më larg të interesuarve për të dhe që të heqë nga koka gjithë atë që ka ndodhur në Afrikën e Jugut.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka konfirmuar interesimin e Manchester Unitedit për Wesley Sneijderin, por ka thënë se nuk ka gjasa minimale që ai të largohet nga Interi.“Interesimi i Manchester United për Sneijder është i vërtetë, por unë as që e shikova se sa peshonte, pasi që nuk dua të lëkundem në këtë aspekt”, theksoi Moratti duke aluduar se ai nuk ka ndërmend ta shesë mesfushorin kryesor në skuadër.
“Balotelli? Më duket sikurse fushatë marketingu. Për çdo rast ju them se Balotelli nuk ka ardhur në zyrën time dhe nuk ka kërkuar që të shitet. Nuk e kuptoj se pse duhet të krijohet gjithë ky problem”, përfundoi Moratti.
Kapiteni i lënduar i Gjermanisë, Michael Ballack, ka thënë se ka ardhur koha që vendi i tij ta fitojë Kupën e katërt të Botës.“Do të jetë e vështirë të mposhtim Spanjën sonte, por ka ardhur koha jonë. Gjermania ka qenë ekipi më i mirë në këtë Kampionat Botëror dhe vetëm duhet të vazhdojë kështu. Spanja e meritoi ta fitonte finalen e Evropianit ndaj nesh dy vite më parë, por me besimin që kemi marrë nga shqyerjet e kaluara, mendoj se ka ardhur momenti ynë”.
“Muller shënon gola, krijon asistime dhe punon shumë për ekipin. Mentaliteti i Gjermanisë? Poenta e hyrjes në një kampionat është ta fitosh atë”, tha Ballack.
Një tifoz i flaktë gjerman ka vënë mbi 500 mijë euro bast për fitoren e Gjermanisë ndaj Spanjës, që përbën njëherit një nga shumat më të mëdha të vëna ndonjëherë për një ndeshje të vetme të Kampionatit Botëror.Ky bast ishte vënë me anë të telefonit në një nga bastoret më të mëdha në Britani, ndërsa ky tifoz do të fitojë në rast të kualifikimit gjerman hiç më pak se 954 mijë euro.
Sipas njoftimeve të fundit nga bastoret më të mëdha evropiane, thuhet se është një numër i jashtëzakonshëm i personave që kanë vënë bast mbi fitoren e Gjermanisë, pas demolimeve të bëra ndaj Argjentinës dhe Anglisë.
Stafi i kombëtares ganeze që ia ‘zbardhi fytyrën’ Afrikës në Botërorin, Afrika e Jugut 2010, do të shpërblehet me nga 20 mijë dollarë për kokë lojtari.Sipas presidentit të Ganës, John Atta-Mills, gjithashtu secili anëtar i stafit teknik do të shpërblehet me nga 20 mijë dollarë. Gana ishte ekipi i vetëm afrikan që arriti deri në çerekfinale të Botërorit, ndërsa ishte shumë pranë kalimit historik në gjysmëfinale.
“Ju nuk e fituat Botërorin, por me anë të paraqitjeve tua, ju i mbajtët lartë flamujt, jo vetëm të Ganës, por edhe të gjithë Afrikës”, theksoi presidenti Mills.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ka zbuluar se Diego Forlan ka luajtur i lënduar gjatë gjithë ndeshjes ndaj Holandës, gjë që e detyroi atë edhe ta largonte futbollistin kryesor nga loja.“Që nga minuta e parë, Forlan pati një problem. Ai ishte i lënduar dhe nuk mundi të vazhdonte. Ai pati dhimbje dhe gjatë ndeshjes ne morëm vendimin që të luajmë me një lojtar të freskët. Nuk ishte diçka serioze, por u pa qartë që ai nuk ishte 100 për qind i gatshëm”, pranoi Tabarez.
Ende mbetet e paqartë nëse Forlan do të jetë i gatshëm për ndeshjen e vendit të tretë ndaj Spanjës apo Gjermanisë të shtunën.
Zëvendëstrajneri i Milanit, Mauro Tassotti, ka deklaruar hapur dëshirën e tij për të transferuar sulmuesin e talentuar të Interit, Mario Balotelli, për të cilin kohëve të fundit ka pasur spekulime të shumta.“Balotelli? Kush nuk e do atë…?”, ka thënë Tassotti i intervistuar nga La Gazzetta dello Sport.
Në adresë të Interit sipas agjentit Mino Raiola, për Balotellin ka ardhur një ofertë prej 30 milionë eurosh nga Manchester City, por që u refuzua menjëherë nga hierarkia Nerazzure. Garës për të i janë bashkuar edhe Manchester City dhe Manchester United.
Tassotti e përfundoi deklaratën e tij duke garantuar qëndrimin në San Siro të Ronaldinhos dhe Gennaro Gattusos.
Portieri legjendar i Italisë dhe i Interit, Francesco Toldo, i ka dhënë fund karrierës së tij 20 vjeçare si futbollist profesionist.“Unë kam vendosur. Unë do të ndaloj së luajturi. Unë do të ndaloj së luajturi futboll. Kjo është hera e parë që unë këtë e them zyrtarisht dhe jam aq i emocionuar. Pushimet e mia këtë vit do të jenë shumë të gjata, në sensin që do të ndaloj së luajturi futboll. Por, përkundër kësaj, unë do të vazhdoj të qëndroj brenda klubit dhe të kooperoj me kampin e Interit, në tentim për të ngritur imazhin e klubit”.
Toldo ka shtuar se ai nuk ka ndërmend të organizojë një ndeshje lamtumirëse në Giuseppe Meazza për karrierën e tij 9 vjeçare te Interi. Ai shtoi se ka qenë i lumtur që ka hequr dorë nga pozita e portierit të parë, vetëm e vetëm që klubi të kishte sukses dhe të bëhej më i fuqishëm.
Francesco Toldo e filloi karrierën te Milani në vitin 1987, por kurrë nuk luajti në skuadrën e parë. U huazua te Verona, Trento dhe Ravenna, ndërsa më pas kaloi te Fiorentina në vitin 1993. Paraqitjet fenomenale bënë që ai në vitin 2001 të kalonte te Interi, ku dhe u pensionua pas 9 viteve të bujshme karrierë.
Francesco Toldo është njëri prej portierëve italianë më të mirë të të gjitha kohërave. Njihet për paraqitjet e tija historike në Euro 2000, ku pothuajse vet e kishte shpjerë Italinë në finale të këtij Evropiani.
Klaas-Jan Huntelaar e ka përjashtuar kategorikisht idenë për t’u larguar nga Milani, ndërsa nga ana tjetër Galliani kërkon largimin e tij për të transferuar Luis Fabianon.“Unë dua të qëndroj te Milani dhe dua të mbes edhe vitin tjetër këtu”, theksoi Huntelaar për Sky Sport Italia.
Milani është në kërkim të Luis Fabianos, ndërsa për të siguruar të hollat e transferimit për brazilianin duhet të shiten disa nga futbollistët kryesorë, dhe i pari në listën e ‘pushkatimit’ është Huntelaar.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, e ka quajtur ish-përzgjedhësin e Italisë, Marcello Lippi, si fitues, në mënyrë që të shmangë kritikët pas dështimit në Botërorin e sivjetmë.“Mendoj se fituesit si Lippi nuk janë kurrë të vetmuar. Së pari grupi ishte i formuar nga shumë të rinj dhe nuk është se ata janë mësuar me këso lloj kompeticionesh dhe ishte normale që të shfaqeshin probleme psikologjike”.
“I gjithë shtypi akuzonte Italinë gjatë Kupës së Konfederatave vitin e kaluar, duke thënë se fituesit e vitit 2006 duhet të qëndrojnë në shtëpi. Por, gjithashtu keni nevojë për përvojë”, theksoi Buffon për Radio 2.
Superylli i Gjermanisë, Mesut Ozil, ka deklaruar se fitorja ndaj Anglisë është më e madhja e karrierës së tij, ndërsa ka thënë në mënyrë indirekte se anglezët janë të bezdisshëm."Fitorja 4-1 ndaj Anglisë është më e mira sepse ne treguam se, pa marrë parasysh se çfarë mund të thonë apo të shkruajnë njerëzit, Gjermania është një nga kombëtaret më të forta në botën e futbollit. Por, nëse ju e konsideroni njërin prej kompeticioneve më të mëdhenj të mërzitshëm, sikurse anglezët, atëherë ju ndoshta nuk është dashur të jeni këtu".
"Unë pranoj se ata e merituan golin, por nëse arbitri nuk e ka parë atë, atëherë ai nuk mund ta pranojë. Por, qartë ishte gol. Ishte zhgënjyese për Anglinë, por unë nuk mendoj se do ta ndryshonte rezultatin përfundimtar. Ne ishim ekipi më i mirë", ka thënë mesfushori Ozil.
Real Madridi ka mundur ta transferojë pa asnjë cent Bastian Shweinsteigerin 18 muaj më parë, nëse hierarkia e atëhershme me në krye Ramon Calderon dhe Pedja Mijatovic do ta pranonin ofertën e agjentëve të gjermanit.Real Madridi tani ka ofruar 50 milionë euro për mesfushorin që po shkëlqen në Afrikën e Jugut, mirëpo as 50 milionë euro nuk ua mbushën syrin drejtuesve të uritur të Bayernit.
Sport tani ka zbuluar se hiç më larg se 18 muaj më parë, Schweini iu ofrua Realit nga agjentët e tij, gjithë kjo si transferim me parametra zero, por që u refuzua me një 'jo' të prerë nga presidenti i atëhershëm Ramon Calderon.
Megjithatë, Schwensteiger ende e do Real Madridin. Kur është pyetur në konferencë për shtyp se çfarë mendon rreth spekulimeve që e lidhin me Real Madridin, ai u përgjigj, "Mirë, ngjyra ime e preferuar është e bardha".
Gjermania do të përballet me Spanjën sonte me fillim nga ora 20:30 në supersfidën gjysmëfinale, ndërsa për të ftohur atmosferën e nxehtë të krijuar nga lojtarët e të dy taboreve, u përkujdes Joachim Loew që si favorit personal për ta fituar Kampionatin Botëror e ka kundërshtarin e sotëm, Spanjën."Nuk mendoj se ne duhet ta ndryshojmë mënyrën e lojës, e cila ka qenë e suksesshme deri tani. Ju duhet ta detyroni ekipin e Spanjës të bëjë gabime sepse ata vetë rrallë bëjnë ndonjë. Ata kanë shumë besim në mënyrën se si luajnë, kështu që ne duhet t'u bëjmë atyre probleme. Nëse jemi pasivë nuk do të na ndihmojë në këtë ndeshje".
"Ne nuk po flasim për titullin, ose për ta fituar Botërorin. Ne po flasim tani për të fituar në një gjysmëfinale dhe për të shkuar në finale, shkojmë hap pas hapi. Spanja do të jetë e vështirë, por ata janë favoritët e mi për të fituar. Kur ta kemi tejkaluar këtë pengesë, atëherë ne mund të fillojmë të flasim për titullin. Ne ende kemi qëllime me rëndësi para nesh. Të jemi të kënaqur me atë që kemi arritur deri tani nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të shikojmë përpara në ndeshjen tonë ndaj Spanjës, ne duhet ta fitojmë atë ndeshje për të arritur në finale", ka thënë Loew për FIFA.com.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, është në gjendje të sakrifikojë edhe Ligën e Kampionëve për të kaluar te Manchester City, ku do të bëhet futbollisti më i paguar në botë.Daily Mail shkruan se Ibrahimovic i ka hapur dyert për një kalim te Manchester City, nëse klubi anglez e bën atë futbollistin më të paguar në botë. Ibrahimovic thuhet të jetë mirë te Barcelona, por është i hapur për një ribashkim me Roberto Mancinin.
Ibrahimovic thuhet të ketë kërkuar hiç më pak se 250 mijë funte nëse City e dëshiron atë në skuadër, dhe duket shumë e mundshme që City t’ia plotësojë kërkesën dhe ai të kalojë në Ligën Premier, pas transferimeve të Yaya Toures dhe David Silvas, të dy këta me përfitime prej mbi 160 mijë funtesh në javë.
Sipas The Mirror, Manchester United do të duhet të ofrojë 30 milionë funte nëse dëshiron ta transferojë sulmuesin brazilian, Luis Fabiano.Ishte vetë Fabiano ai që kohë më parë kishte deklaruar se do të ishte ëndërr të luante me në krah Wayne Rooneyn, por ai këmbënguli se është i lumtur në Sevilla. Përkundër faktit se ka edhe një vit në kontratën e tij, presidenti i Sevillës, Jose Maria Del Nido, nuk ka ndërmend ta shesë Fabianon për një çmim të ulët.
"Unë e shoh Fabianon duke qëndruar. Deri tani nuk kemi asgjë në tavolinë, por ne nuk duam të refuzojmë oferta qesharake", është kjo deklaratë e Del Nidos ajo që e bën The Mirror të spekulojë se United do të duhet të shpenzojë nëse mendon ta transferojë brazilianin.
Robin Van Persie ka filluar të mendojë menjëherë për kundërshtarin e finales, e që shpreson se do të jetë Gjermania.“Kjo është një ndjenjë aq e mrekullueshme. Të arrijmë në finale kështu vërtetë na bën të rrëqethemi. Ne e kemi ditur se Uruguai ka ekip të mrekullueshëm dhe se nuk do të ishte ndeshje e lehtë. Ata kurrë nuk u dorëzuan deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Ne e mbajtëm epërsinë për të kaluar më tej”.
“Ne e mposhtëm Uruguain me futboll të mirë sulmues. Ne shënuam tri gola dhe luftuam shumë për të fituar. Të arrijmë në finale është sikurse një ëndërr që u bë realitet. Nuk ka lidhje nëse luajmë ndaj Gjermanisë apo Spanjës. Sidoqoftë, e kam një ndjenjë se do të luajmë ndaj Gjermanisë. Do të jetë një sfidë e mrekullueshme”, tha Van Persie.
"Populli argjentinas ka treguar se, kur është fjala te Maradona, rezultatet nuk janë të rëndësishme. Përkundër eliminimit në çerekfinale të Botërorit dhe atë me humbje të thellë, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Buenos Airesit për ta pritur atë dhe 23 lojtarët e tij. Mendoj se ai si ikonë, meriton t'i ngrihet një shtatore", theksoi Cabandia, siç përcjell AP.
E ardhmja e Maradonës mbetet ende e paqartë, pasi që vetë 'el pibe de oro' ka thënë se koha e tij te kombëtarja argjentinase ka kaluar, ndërsa nga ana tjetër Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) nuk dëshiron të dëgjojë për këtë.
Juventusi dhe Arsenali janë duke planifikuar një shkëmbim që do ta shohë Felipe Melon në Emirates kurse Gael Clichyn në Olimpico të Torinos.Il Corriere dello Sport pohon se Arsene Wenger ka bërë një plan shpëtimi për Melon, që është i gatshëm ta ringjallë karrierën e tij në Emirates. Felipe Melo kishte një sezon më shumë se katastrofal me Juventusin dhe një Botëror më shumë se skandaloz me kombëtaren braziliane.
Sidoqoftë, që Arsenali të transferojë Melon, do të përfshijë në marrëveshje dhe Gael Clichyn, që natyrisht do të pranohej pasi automatikisht do të zgjidheshin problemet e Del Nerit në krahun e majtë.
Interi do të mirëpresë me një kontratë të re finalistin dhe kandidatin kryesor për FIFA Topin e Artë, Wesley Sneijder, për të shmangur kështu interesimin e skuadrave të mëdha, siç është Manchester United."Wesley mund të qëndrojë te Interi deri në vitin 2015. Pas Botërorit, ne do të shkojmë në Milano për të biseduar me drejtorët e Interit", theksoi agjenti i Sneijder, Soren Lerby për De Telegraaf.
U tha se Manchester United mund të ofrojë rreth 25 milionë funte për futbollistin që nëse e fiton edhe Botërorin, do të ketë mundësi që në fund të vitit të kalojë me tituj edhe Real Madridin, natyrisht nëse i fiton që të shtatë titujt.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, duket të ketë marrë kurajë nga 'oktapodi i famshëm', pasi në konferencë për shtyp ka folur për të kaluarën dhe për filozofinë e pandryshuar të skuadrës së tij.“Gjermania gjithmonë ka qenë nëpër finalet, ne këtë e dimë nga fëmijëria. Le të shohim nëse këto rekorde janë të vërteta apo jo. Është e vërtetë se Spanja nuk ka qenë e turneve të mëdha deri tani. Dy vite është kohë e gjatë, por ne nuk kemi tentuar ta fshijmë të kaluarën. Ne tentojmë ta ndjekim të njëjtën rrugë me disa ndryshime sepse stagnimi nuk është i mirë. Por, ne nuk e kemi harruar të kaluarën. Nuk ka shumë dallime në krahasim me Euro 2008. Sidoqoftë, është e vërtetë se tani kemi qenë më të çrregulluar”.
“Gjermania ka aftësi të mira kundërsulmuese, mbrojtje të mirë dhe individë të mirë. Ne jemi dy ekipe të forta që e prezantojmë mënyrën se si luhet futbolli në Evropë. Ne jemi dy ekipe të ndryshme. Ata janë më të drejtpërdrejtë dhe më vertikalë, kurse ne përhapemi më shumë në sulmet tona. Ata kanë lojtarë të cilësisë së lartë. Lahm, Schweinsteiger, Klose, Ozil, të gjithë këta mund ta bëjnë diferencën”, deklaroi Del Bosque.
Legjenda e Liverpoolit dhe zbuluesi i këpucëve moderne Adidas, Craig Johnston, ka akuzuar rëndë organizatorët e Botërorit, Afrika e Jugut 2010 dhe në veçanti topin e Botërorit, Jabulani, për të cilin ai i ka shkruar Sepp Blatterit një letër të hapur 12-faqëshe.“Nëse një sponsor hyn në zyrën tuaj para Botërorit dhe ju thotë: ‘Ne do t’iu japim një top të ri, më të rrumbullakëtin e të gjitha kohëve, por lojtarët nuk do ta duan, lojtarët nuk do ta pëlqejnë dhe aq, dhe do të ketë më shumë gabime se në Botërorët tjerë, do të ketë më pak gola të shënuar, më pak gola nga gjuajtjet e lira, më pak pasime të kompletuara, më pak kontroll nga lojtarët dhe plot 70% e harkimeve dhe goditjeve do të shkojnë larg dhe do të kalojnë mbi portë’. Pa më thoni, çfarë do të ishte përgjigja juaj?”.
“Unë jam duke e rrezikuar reputacionin tim dhe vullnetin e mirë në qarqet e ndryshme të futbollit me këtë letër të hapur drejtuar juve zotëri Blatter dhe të gjithë të tjerëve të cilët janë të interesuar në çështjen Jabulani, sepse ky lëshim i FIFA-s mund ta shkatërrojë futbollin”, theksohet në letrën e Johnston.
FIFA ka premtuar se do ta hetojë topin pas Botërorit duke pyetur trajnerët dhe lojtarët, ndërsa ky debat i hapur për Jabulanin pritet të zhvillohet në shtator.
Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, ka thënë se ai e vlerëson sulmuesin spanjoll David Villa si më të mirë se sulmuesin e Gjermanisë, Miroslav Klose.“Nuk mund t’i krahasoj lojtarët e mi me spanjollët, sikurse Klosen me David Villën. Ata janë që të dy lojtarë të cilësisë së lartë, shumë të rrezikshëm. Personalisht, mendoj se Villa është më i mirë se Klose. Ndryshe si Klose, ai shpesh thellohet në lojë dhe mundohet shumë për posedim. Ai është një top golashënues”.
“Spanja nuk ka ndryshuar dhe aq nga finalja e Euro 2008. Ata kanë Sergio Busquets për Marcos Senna dhe përgjithësisht ekipi duket i njëjtë. Ne kemi të rinj të tjerë, të cilët sidoqoftë kanë treguar karakter”, u shpreh Loew.
Sulmuesi i Spanjës, David Villa, ka deklaruar para takimit drithërues ndaj Gjermanisë se kundërshtari i tyre nuk është i padukshëm, por po ashtu tërhoqi vërejtjen se ata kanë reparte shumë të forta ofensive.“Jo, askush nuk është i padukshëm. Ne kemi një rekord të mirë, por askush nuk është i padukshëm, ne kemi humbur madje një ndeshje ndaj Zvicrës. Unë dua të shënoj gola dhe të vazhdoj t’i ndihmoj Spanjës. Ne kemi arritur në gjysmëfinale dhe tani kemi rastin për të arritur në finale. Për të mbajtur ëndrrën gjallë, ne duhet ta eliminojmë Gjermaninë”.
“Është e qartë nga ndeshjet e fundit se kemi parë që Gjermania luajti shumë në mënyrë të rehatshme kur ka pasur epërsinë. Ata luajnë mirë në kundërsulm, lojtarët e tyre janë të shpejtë. Ndoshta kjo është ajo që ne i frikësohemi më së shumti, por ai është një ekip i mrekullueshëm që ka shumë gjëra për të cilat duhet t’i frikësohemi”, ka thënë Villa duke shpresuar se e mërkura do të jetë ditë e mirë për futbollin spanjoll.
Anësori i ri i Real Madridit, Angel di Maria, ka zbritur mbrëmë në Spanjë për të filluar karrierën e tij me klubin mbretëror.Ish-anësori i Benficas po ashtu ka thënë se spekulimet e vazhdueshme rreth të ardhmes mund të kenë ndikuar në paraqitjen e tij për kombëtaren e Argjentinës, por tashmë ai ka kthyer shikimin kah Reali.
“Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu. Shpresoj të fitoj shumë trofe me Realin e Madridit”, ka thënë Di Maria me të arritur në aeroport.
I pyetur nëse thashethemet e transferimit kanë ndikuar në formën e tij në Kupën Botërore, Di Maria ka shtuar: “Ndoshta, por jam i etur të arrij sukses këtu dhe të zhvillohem si lojtar”.
Klubi i Ligës Premier, Manchester City, raportohet se është duke përcjellë situatën e Lukas Podolski te Koln.Ylli i Gjermanisë në Kupën Botërore ka thënë se ai mund të largohet nga Koln pas përfundimit të Botërorit, duke nxitur spekulime rreth destinacionit të tij të ardhshëm.
Daily Mail ka shkruar se menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është duke menduar të transferojë sulmuesin gjerman.
Klubi italian Palermo raportohet se është shumë i interesuar për të transferuar sulmuesin e Manchester Cityt, Roque Santa Cruz.Daily Star shkruan se klubi sicilian dëshiron të bëjë ofertë për sulmuesin e kombëtares së Paraguait, i cili dështoi të tregojë formën e tij më të mirë në Eastlands.
28-vjeçari kaloi në City nga Blackburn Rovers për 17.5 milionë funte verën e kaluar, por është quajtur dështim dhe thashethemet po qarkullojnë se ai do të jetë në listën e pastrimeve këtë verë.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ishte i zhgënjyer me eliminimin nga Botërori, Afrika e Jugut 2010, por u shpreh të jetë krenar me luftën e treguar nga lojtarët e tij.“Nëse do të duhej të zgjidhnim një mënyrë për të humbur, atëherë kjo do të ishte. Ky ishte një rast tjetër për të treguar qëllimet e Uruguait, të luajmë të barabartë mbi kufijtë tona. Ndeshja për vendin e tretë është shumë me rëndësi për ne. Nëse shikojmë prapa, ne mund të themi se kemi qenë gjysmëfinalistë, të tjerat ishin superfuqi evropiane”.
“Unë besoj se kemi mundur ta vëmë në vështirësi këtë ekip që luajti ndaj nesh në çdo pikë. Unë jam krenar me ekipin tim. Ata luajtën njëjtë si kundërshtari. Nuk mund të kërkoni më shumë nga këta lojtarë. Ne e pranojmë disfatën, rivalët tanë ishin më të mirë para golit. Unë e dija se holandezët janë shumë të pasur teknikisht dhe të cilët mund të shënojnë në çdo moment”.
“Tani e kemi parë që goli i dytë ishte pozitë jashtë loje dhe ndeshja do të kishte qenë më ndryshe për ne… ata e futën dorën në lojë. Holanda ka shpirt sulmues, një prej më të mirëve në këtë kampionat, por kurrë nuk u dorëzuam dhe goli i fundit tregoi se ne tentojmë deri në fund”, deklaroi i zhgënjyeri Tabarez.
Reali i Madridit raportohet se ka bërë ofertë në drejtim të klubit të Bundesligës, Stuttgart, për të marrë shërbimet e mesfushorit Sami Khedira.Sportivja AS shkruan se pasi është lodhur duke kërkuar mesfushorin e Bayern Munich, Bastian Schweinsteiger, Reali ka filluar negociatat me Stuttgart për Khedira.
Reali pritet të paguajë nga 10 deri në 13 milionë euro për gjermanin, kontrata e të cilit përfundon në fund të sezonit të ardhshëm.
Ardhja e Khedira do të hapte rrugë për largimin e Lassana Diarra, sipas gjasave te Juventus për rreth 10 milionë euro.
Përforcimi i ri i Milanit, Mario Yepes, thotë se ai mund të ketë ndikim për të mirë në sezonin e ardhshëm të gjigantit italian.34-vjeçari, i cili arriti si përforcim në mbrojtje nga Chievo, thotë se përvoja e tij mund të jetë shumë me ndikim te Milani.
“Milani kishte nevojë për përforcim në mbrojtje. Unë mund ta jap përvojën time në shërbim të ekipit. Vitet numërohen pak. Ata të cilët më kanë ndjekur e dinë se sa shumë mund të bëj në fushë”.
“Kam luajtur më shumë se 60 ndeshje në Serie A në dy vite dhe kam pasur pak lëndime. Chievo dëshironte të më mbante, disa klube kishin shprehur interesim për mua, por kur Milani më ftoi, nuk kisha dyshime: është maksimumi që mund të dëshiroj, arritja kulmore në karrierën time”, ka thënë mbrojtësi nga Kolumbia.
Presidenti i Genoas, Enrico Preziosi, vazhdon të jetë i interesuar në lojtarët portugez.Preziosi tashmë ka arritur marrëveshje me portierin e Braga, Eduardo, gjatë kësaj jave, por është në kërkim edhe të një portugezi tjetër.
Mesfushori i Sporting Lisbonës, Miguel Veloso, 24-vjeçar, është në krye të listës së Preziosit dhe Genoa mund ta përfshirë Alberto Zapater në ofertën e tij për portugezin.
Genoa do ta ketë vështirë për ta bindur Sporting ta shesë Veloson pasi klubi portugez shiti Joao Moutinho te Porto javën e kaluar.
Përzgjedhësi i kombëtares së Holandës, Bert Van Marwijk, është i ngazëllyer me kualifikimin në finale të Kupës së Botës.Përkundër faktit se Uruguai i shkaktoi Holandës probleme të të gjitha llojeve, kombëtarja e portokalltë shpëtoi në fund me një fitore prej 3-2, me ç’rast ata u kualifikuan në finalen historike.
“Gjëja e parë që më bie në mend është se ne e kemi bërë atë. Ishte qëllimi ynë ta fitojmë Botërorin kur unë u emërova përzgjedhës i Holandës dhe tani jemi jashtëzakonisht afër. Kjo është një ndjenjë aq e pabesueshme. Unë pajtohem që paraqitja jonë nuk ishte aq e veçantë, por ajo që vlen është fitorja”.
“Ne bëmë një start të mirë në ndeshje, por e humbëm iniciativën pasi shënuam golin e parë. Ne e kthyem kontrollin pas pushimit. Krijuam disa raste për ta përfunduar ndeshjen, por finishi ynë ishte i ligshtë dhe në fund ne vërtetë ishim në tension. Janë bërë 32 vite që prej se Holanda luajti në ndonjë finale të Botërorit. Unë kam menduar shumë për të 70-tat më vonë. Lojtarët kanë plot arsye që të jenë krenarë me paraqitjen e tyre”, u shpreh Van Marwijk.
















