Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka deklaruar se mesfushori i prekur nga lëndimet, Owen Hargreaves, është duke vuajtur një goditje tjetër të rëndë, pasi që do të mungojë në start të sezonit.
29-vjeçari është operuar në të dy gjunjët për tendonit, pas lëndimit në shtator të vitit 2008. Ai luajti shumë pak sezonin që sapo përfundoi dhe u detyrua t’u kthehej përsëri sallave të operimit.
“Lajmi i keq është që Owen Hargreaves është kthyer në Amerikë ku është duke u këshilluar nga specialistët. Ai nuk do të jetë i gatshëm në start të sezonit. Nuk e di se kur do të kthehet ai”, theksoi Ferguson duke shtuar se lojtarët tjerë do të jenë të gatshëm në prag të fillimit të sezonit të ri.
Kampionati Botëror - Brazili 2014 (Logo) Është lansuar logoja e Kampionatit Botëror, Brazili 2014, në kryeqytetin e Afrikës së Jugut, Johanesburg, në një ceremoni të veçantë pasditen e të enjtes në të cilën morën pjesë presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter dhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio ‘Lula’ da Silva.
Botërorit, Afrika 2010, po i vjen fundi pasi që kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar. Botërori i vitit 2014 do të mbahet në Brazil, kurse logoja është lansuar të enjten. Duke folur në ceremoni, Sepp Blatter tregoi rëndësinë që ka Brazili në mikpritjen e Botërorit.
“Brazili është vendi i futbollit. Ju e keni fituar Botërorin pesë herë, por hera e fundit që e keni pritur ka qenë në vitin 1950. Futbolli është religjion në Brazil. Ka ardhur koha që të kthehemi në CONMEBOL (Unioni i federatave të futbollit në Amerikën Jugore). Ka ardhur koha që të kthehemi në Amerikën Jugore”.
“Si këtu në Afrikë, futbolli do të bashkojë njerëzit. Siç thatë zotëri president (‘Lula’), futbolli nuk është vetëm ta godasësh topin përreth. Është kulturë. Është jetë. Unë jam shumë i kënaqur që si president i FIFA-s do të lansoj logon e Botërorit 2014. Unë jam i bindur se Botërori 2014 do të jetë i suksesshëm dhe do të sjellë ngritje kulturore dhe financiare të vendit”, deklaroi Blatter.
Edhe vetë Wesley Sneijder tani ka konfirmuar se interesimi i Manchester Unitedit për të është i vërtetë, por ka shprehur dëshirën e tij për të qëndruar në Meazza.
“Është e vërtetë që Manchester Unitedi e ka pyetur Interin se a jam i lirë. Por, unë nuk kam ndërmend të largohem nga Interi. Zemra ime është me Interin. Unë kam fituar pothuajse gjithçka që kemi mundur të fitojmë me Interin vitin e kaluar dhe tani dua të fitoj edhe më shumë tituj këtu”.
“Unë tani synoj Superkupën e Italisë, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për klube. Ka edhe aq shumë tituj për t’u fituar me klubin tim aktual. Për këtë arsye, unë do të qëndroj te Interi”, ka thënë Sneijder për NOS.
Juventusi do të shqyrtojë çdo ofertë që vjen në adresë të klubit për mesfushorin brazilian Felipe Melo, pasi që ai mund të mos jetë në planet e trajnerit të ri, Luigi Del Neri.
Melo u transferua te Juventusi pas një sezoni të suksesshëm te Fiorentina, por u tregua të jetë një nga transferimet më të dështuara sezonin e kaluar.
“Situata e Melos është e njëjtë si e lojtarëve të tjerë. Por ne do të shqyrtojmë çdo ofertë që vjen për të”, theksoi drejtori Giuseppe Marotta për La Gazzeta dello Sport.
Real Madridi ka konfirmuar nëpërmjet faqes zyrtare se prezantimi i transferit të ri, Angel Di Maria, nuk do të mbahet nesër, ashtu siç ishte planifikuar.
Di Maria është dashur të prezantohej të premten në ora 13:00 dhe më pas të kthehet në Argjentinë për të kaluar pjesën e mbetur të pushimeve verore.
Ky plan tani ka ndryshuar, pasi që Di Maria do të shkojë në Argjentinë menjëherë, pa u prezantuar fare. Ai do të prezantohet para shtypit kur ai t’i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës në fund të korrikut. Anësori tashmë ka kryer testet mjekësore më herët gjatë pasdites në kryeqytetin spanjoll, ndërsa ai tani është edhe zyrtarisht lojtar i Realit, pa vetëm edhe një prezantim zyrtar para mediave.
Superagjenti italian, Ernesto Bronzetti, ka thënë për Sportmediaset se miqtë dhe vëllai i Ronaldinhos ia kanë bërë të qartë se mjeshtri brazilian do të qëndrojë aty ku është, te Milani.
Ronaldinho ishte lidhur me një transferim te Olympiakosi, Los Angeles Galaxy dhe Palmerias, por duket se Dinho ua ka treguar planet vëllait dhe miqve të tij të ngushtë.
“Unë kam biseduar me Roberto De Assis dhe ai më ka thënë se Ronaldinho nuk po mendon të largohet. Nga ajo që di Milani, ai do të qëndrojë”, theksoi Bronzetti.
Finalisti i Kampionatit Botëror, Holanda, ka marrë lajme jo të mira, pasi që sipas NUsport, Bert van Marwijk do të duhet t’ia dalë mbanë pa llogaritur në shërbimet e portierit të parë, Maarten Stekelenburg, për shkak të një lëndimi.
Portieri i Ajaxit u lëndua në prapanicë gjatë gjysmëfinales ndaj Uruguait. Ai luajti 90 minuta në atë takim, por pas përfundimit të sfidës u ankua për dhimbje. Stekelenburg është pritur të jetë i gatshëm për finalen, por spekulimet e fundit thonë se lëndimi është duke i shkaktuar probleme dhe se ai nuk do të mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e të dielës.
Do të ishte një goditje e rëndë për Holandën nëse Stekelenburg nuk do të ishte i gatshëm në kohë, pas paraqitjeve mbresëlënëse të gardianit holandez. Atë pritet ta zëvendësojë Michel Vorm që ka vetëm katër paraqitje në fanellën e Holandës.
Legjenda holandeze Johan Cruyff e ka dhënë mendimin e tij për finalen e Kampionatit Botëror mes Holandës dhe Spanjës, duke thënë se kjo e fundit është favorite.
“Futbolli i tyre mbrëmjen e kaluar ndaj një Gjermanie të fuqishme tregoi cilësinë e tyre. Spanja nuk është kopje e Barcelonës, institucionit më të madh në futboll. Ata luajtën mirë, duke kërkuar të kënaqen dhe të luajnë një stil ofensiv të lojës. Ata do të kenë më shumë gjasa për të fituar”.
“Secili holandez ka dashur që kombëtarja të luajë ndaj Gjermanisë në finale për dy arsye fundamentale: e para, ata do të kërkonin ta mposhtnin Gjermaninë duke kujtuar vitin 1974 dhe e dyta, Spanja dëshiron të mbajë topin, përderisa Holanda është më pak fizike dhe me kondicion më të dobët se Gjermania, duke e ditur se ata nuk mund ta kërkojnë topin gjatë gjithë 90 minutave”, ka thënë Cruyff për El Periodico.
Gjyqtari anglez Howard Webb do të jetë përgjegjës për ndarjen e drejtësisë në finalen e madhe të Botërorit, Afrika e Jugut 2010, mes Spanjës dhe Holandës, ka konfirmuar FIFA.
38-vjeçari Webb do të jetë në krye të ekipit që përbëhet nga asistentët Darren Cann dhe Michael Mullarkey. Webb do të jetë anglezi i parë që merr të drejtën për të gjykuar një finale që prej vitit 1974, kur Jack Taylorit iu dha një nder i tillë.
Ish-oficeri i policisë dhe partnerët e tij kanë marrë lëvdata për drejtimin e ndeshjeve Brazil-Kili dhe Sllovaki-Itali. Webb gjithashtu drejtoi finalen e Ligës së Kampionëve mes Interit dhe Bayernit, përkundër shumë kritikave të marra për referimin në rangun lokal.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ia ka tërhequr vërejtjen Adriano Gallianit që të mos shpenzojë pa menduar në tregun e transferimeve, pasi që edhe zyrtarisht ka konfirmuar se Milani është në krizë financiare.
“Ne jemi mësuar që në këto gjëra të jemi tejet të mirë. Ne fituam gjithçka që është dashur të fitohej dhe tani jemi si kështu, si ashtu. Unë kam shpenzuar një thes plot me para te Milani dhe ndoshta ka ardhur koha që t’ia këpusim veshët Gallianit”, tha Berlusconi për Il Giorno.
Me krizën financiare si aktualitet, në Milanello po kultivohet një trend i ri, ai i shkëmbimeve, pasi që Itasportpress shkruan se Rossonerët janë duke shqyrtuar një marrëveshje shkëmbimi me Kolnin për sulmuesit Lukas Podolski me Klaas-Jan Huntlaar.
Agjenti i Javier Mascheranos ka thënë se klienti i tij ka marrëdhënie të mira me trajnerin e Interit, Rafa Benitez, duke nxitur spekulime për një afrim të mundshëm të mesfushorit argjentinas me trekampionin.
Sipas Football Italia, agjenti i Mascheranos beson se marrëveshja mund të arrihet në fund të afatit kalimtar veror kur të përfundojë dhe pushimi i lojtarit të Liverpoolit.
“Unë e di se Javier Masherano dhe Benitez kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin”, theksoi agjenti Marco Piccioli.
Mirëpo, Interi duhet të shesë nëse dëshiron të blejë. Nëse zikaltrit arrijnë të shesin njërin nga tre futbollistët më të kërkuar- Wesley Sneijder, Maicon apo Mario Balotelli- atëherë shumë lehtë mund të arrihet marrëveshja për Masheranon.
Sulmuesi i Ajaxit, Luis Suarez, me performancat e tij në Kampionatin Botëror ka joshur interesimet shumë skuadrave, duke përfshirë Manchester Unitedin, Barcelonën dhe Interin, ndërsa kjo duket ta ketë shtyrë Suarezin të besojë se Ajaxi do ta ketë të vështirë ta mbajë atë.
“Gjëja e parë që dua të bëj pas Botërorit është të shkoj në pushime. Pas kësaj, ne duhet të presim dhe të shohim çfarë ndodh në tregun e transferimeve”.
“Mendoj se të gjithë te Ajaxi e dinë se do të jetë e vështirë që të më mbajnë mua. Unë kam luajtur mirë në Kampionatin Botëror dhe dihet mjaft mirë se këto rezultate joshin klubet e mëdha. Kurrë nuk i dihet çfarë mund të ndodhë”, deklaroi Suarez.
Dmytro Chygrynskiy u shpreh i zhgënjyer me largimin e tij nga Barcelona, pasi që ai ishte shitur aty nga ku kishte ardhur, Shakhtar Donetsk, duke pranuar se klubi katalanas e shiti atë për shkak të problemeve financiare.
“Unë do t’ia tregoj nivelin tim tërë botës dhe gjithashtu do t’i tregoj presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, se ai ka bërë një gabim. A do të kthehem një ditë te Barcelona? Tani të gjitha synimet e mia janë me Shakhtarin dhe nuk mund të qëndroj këtu dhe të flas për diçka që është larg. Tani duhet të mendoj për Ligën e Kampionëve dhe Ligën ukrainase, dhe ta përmirësoj nivelin tim”.
“Guardiola më tha: ‘Dmytro kemi probleme. Nuk i kam ndryshuar idetë e mia dhe besojmë ende në ty, por unë mendoj se nuk ka mundësi që ti të qëndrosh këtu për shkak të problemeve financiare’”, tregoi Chygrynskiy.
Barcelona po përgatitet që të futet në bisedime me Manchester Cityn për një marrëveshje shkëmbimi mes Robinhos dhe Zlatan Ibrahimovicit.
Sipas El Mundo Deportivo, Barcelona do të ishte e gatshme ta shesë Ibrahimovicin te City, nëse në këmbim do të merrte Robinhon plus 8-10 milionë funte.
Përkundër komenteve të presidentit blaugran, Sandro Rosell, se Guardiola është duke llogaritur në Ibran, atëherë të gjitha indikacionet janë që ata do ta shesin sulmuesin suedez nëse vjen oferta e duhur.
Barca e vlerëson suedezin rreth 50 milionë euro, ndërsa City e vlerëson Robinhon me 35 milionë euro. Nëse City shton 10 milionë funte, atëherë shumë lehtë do të realizohej kjo marrëveshje shkëmbimi.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka pranuar se ai është i kënaqur me transferimet, para fillimit të sezonit të ri 2010/2011.
“I kënaqur? Po, unë jam i kënaqur. Madje para se të shoh se si do të përfundojmë në tregun e transferimeve dhe me lojtarët tjerë që pritet të vijnë, mendoj se do të jetë sezon i mirë për ne. Mendoj se kemi një skuadër për sukses dhe tifozët tanë e meritojnë këtë. Vitin e kaluar patëm një sezon të mirë. Ne nuk u kualifikuam në Ligën e Kampionëve, por gjithsesi patëm një sezon të mirë. Tani është koha që t’i japim disa trofe këtij klubi”.
“Ne kemi marrë Boatengun, Yaya Touren dhe David Silvan, që të tre këta lojtarë të mirë. Silva dhe Boateng janë shumë të rinj, një investim i mirë për klubin. Yaya Toure ka përvojë fantastike me Barcelonën, ku ai fitoi shumë trofe. Ne duhet të blejmë lojtarë nëse dëshirojmë të zvogëlojmë hapësirën me ekipet tjera. Ne duhet të sjellim lojtarë të cilësisë së lartë”, ka thënë Mancini për faqen zyrtare të klubit.
Holanda do të takohet me Spanjën në finalen e madhe të Johanesburgut të dielën, ndërsa trajneri i ‘Tulipanëve’, Bert van Marwijk, është munduar ta shmangë presionin e madh mbi futbollistët e tij, duke thënë se Spanja është ekipi më i fortë në botë.
“Spanja e meritoi ta mposhtë Gjermaninë në gjysmëfinale. Ata e dominuan lojën dhe ishin më të mirë. Spanja është ekipi më i mirë në botë për momentin. Ata kanë pasur formë mbresëlënëse viteve të fundit. Unë kënaqem kur i shikoj ata duke luajtur dhe mezi e pres të takohem me ta në finale”.
“Do të jetë një sfidë e vërtetë të tentojmë t’i mposhtim ata. Ne nuk u frikësohemi spanjollëve. Jam i bindur se Robin Van Persie do të tregojë lojën e tij ndaj Spanjës. Ai nuk ka shënuar gol që një kohë të gjatë, por ai ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin. Ai po e sakrifikon veten për ekipin dhe kjo është e mrekullueshme”, ka thënë Van Marwijk.
Përzgjedhësi legjendar i Kampionateve Botërore, Carlos Alberto Parreira, i ka thënë të përditshmes argjentinase Ole, se ai beson që Diego Armando Maradona duhet të qëndrojë në postin e përzgjedhësit, por vetëm nëse ndihmohet nga një ekip teknik i përbërë prej ekspertëve.
“Unë gjithnjë besoja se Brazili dhe Argjentina do të luanin në finale. Për arsye se si filluan, historia dhe për shkak të lojtarëve të tyre. Por, që të dyja na dëshpëruan. Të dy eliminimet më befasuan. Mendova se Argjentina do ta eliminonte Gjermaninë dhe e njëjta të ndodhë dhe me Brazilin. Por, Holanda është më ndryshe, sepse ata ka dy vite që nuk kanë pësuar humbje”.
“Maradona? Mendoj se nëse ai do ta ketë një ekip teknik që do ta ndihmojë atë, që do të punojë dhe të bëj plane, atëherë ai duhet të vazhdojë. Unë jam i befasuar sepse opinioni publik në Argjentinë është i ndarë sa i përket të ardhmes së tij. Në Brazil nga ana tjetër askush nuk dëshiron të ketë punë me Dungan”.
“Përzgjedhësi i ardhshëm i Brazilit duhet të jetë një supermen. E them këtë në sensin pozitiv, dikush që ka superfuqi. Sepse duhet ta paramendoni Botërorin e ardhshëm në Brazil, me gjithë ata njerëz, me presionin që vjen pas dy dështimeve. Nëse ata do të fitonin këtu, atëherë gjithçka do të ishte më relaksuese. Por, tani do të ketë presion enorm. Nuk e synoj atë pozitë, sepse do të jenë katër vite plot masakër. Trajneri i ardhshëm nuk do të ketë as një minutë të vetëm të jetës së qetë”, deklaroi ish-përzgjedhësi i Afrikës së Jugut.
Ish-mbrojtësi legjendar i kombëtares franceze, Marcel Desailly, ka kërkuar që Patrice Evra të bartë përgjegjësitë e tij për dështimin e Francës në Botërorin e sivjetmë, duke kërkuar që ai të suspendohet së paku për dy muaj.
“Presidenti i Federatës dhe përzgjedhësi tashmë kanë paguar çmimin e tyre. Mendoj se edhe Evra, që është origjina grevës së lojtarëve, duhet të paguajë gjithashtu. Kapiteni bëri një gabim dhe ai duhet të bart pasojat e veprimeve të tij”.
“Ai vendosi të mos stërvitej, para se ta kuptonte gabimin e tij dhe të kërkonte falje. Por, ai meriton së paku një suspendim të përkohshëm. Ai është një lojtar i shkëlqyer, mbrojtësi i majtë më i mirë, por ai duhet të suspendohet për dy muaj, sepse kapiteni është shembull për të tjerët. Sjellja e tij ndikoi në imazhin e Francës gjatë gjithë Botërorit”, deklaroi Desailly për Metro.
Fitorja e Spanjës ndaj Gjermanisë ishte siç dihet historike për Furinë e Kuqe dhe për oktopodin e famshëm Paul, i cili vazhdoi rekordin e tij prej saktësisë qind për qind për ndeshje në këtë Botëror. Sidoqoftë, kemi shkruar dhe për një person që kishte vënë mbi 500 mijë euro për fitoren e Gjermanisë, i cili natyrisht se sot nuk është në disponim pasi e kishte humbur bastin më të madh në histori të Botërorëve.
Ky person kishte vënë 500 mijë euro për kualifikimin e Gjermanisë, për të fituar në rast të kualifikimit 954 mijë euro. Disfata e Gjermanisë u mirëprit nga bastoret më të mëdha, të cilat përfituan nga fitoret e Gjermanisë ndaj dy favoritëve të mëparshëm.
“Nuk humbi vetëm basti i 500 mijë eurove, por kështu bëri dhe një tjetër me 100 mijë euro dhe një tjetër me 80 mijë euro që Gjermania ta fitonte Botërorin dhe një tjetër prej 75 mijë eurosh për kualifikim të Gjermanisë. Edhe pse kemi klientë që kanë vënë 25 mijë dhe 10 mijë funte në Spanjën për ta fituar Botërorin, ne do të hyjmë në finale me faktin se Gjermania nuk është aty. Me humbjen e Gjermanisë ne kemi fituar tani një diferencë prej 5 milionë funtesh në dobi tonën, ishte natyrisht rezultati më i mirë ndonjëherë në ndonjë Botëror”.
“Tani kemi dëshirë që Holanda ta përmbyllë një Botëror fantastik për ne, duke e mposhtur Spanjën”, ka thënë një zëdhënës i bastores ku luajti personi që i humbi 500 mijë euro.
Interi ka kërkuar nga Manchester Unitedi që të përfshijë në ofertën për Mario Balotellin edhe zëvendësuesin Federico Macheda, njofton Sky Italia.
19-vjeçari Balotelli është në mes të një lufte mes rivalëve Manchester United dhe Manchester City. Sir Alex Ferguson besohet se e sheh italianin e ri si pasues të Cristiano Ronaldos, ndërsa është duke tentuar të mposhtë Cityn me një ofertë prej 25 milionë funtesh.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, mësohet se nuk dëshiron të dëgjojë për shuma nën 33 milionë funte, shumë të cilën nuk dëshiron ta paguajë United, por që me një përfshirje të Machedas, gjithçka do të përfundonte me sukses.
Robin Van Persie shpreson të inspirohet nga idhulli i tij i fëmijërisë për ta fituar finalen e të dielës dhe për të ngritur trofeun e Kupës së Botës.
“Është një fotografi e pabesueshme e Maradonas duke mbajtur Kupën e Botës. Ai është në krahët e bashkëlojtarëve të tij dhe ju mund të shihni pasionin dhe krenarinë në fytyrën e tij. Nëse e fitojmë atë, unë dua një fotografi të ngjashme me mua në krah të bashkëlojtarëve”.
“Kur e pashë për herë të fundit videon e Maradonës duke ngritur trofeun e vitit 1986 dhe kur qaja atëherë si një fëmijë, unë jam rrëqethur. Nuk mund t’iu them se sa herë e kam shikuar atë klip. Unë gjithmonë kam dashur të luaj në finale. Ta bësh atë do të thotë më shumë se gjithçka tjetër. Në mendjen time, disa nga kujtimet më të mira nga futbolli janë nga finalet e Botërorëve. Tani unë dua ta bëj të njëjtën gjë”.
“Të mendojmë se ne mund ta fitojmë titullin kurse këtë gjë nuk e bënë lojtarët e atëhershëm të Holandës është e pabesueshme, sepse ata janë legjenda, Johan Cruyff, Johan Neeskens, Wim Jansen…emra me të cilët jemi rritur. Unë jam mësuar të shikoj finalet e të tjerëve, por të luaj vet në të? Kurrë nuk e kam menduar”, ka thënë Van Persie.
Barcelona siç dihet aktualisht është në krizë të madhe financiare, që tani mund të ketë ndikim në transferimet e Cesc Fabregasit dhe të Javier Mascheranos, aq të dëshiruar në Camp Nou.
Barcelona të martën kishte konfirmuar marrjen e 120 milionë eurove kredi, ndërsa shitja e Dmytro Chygrynskiyt ka pasur për qëllim zbutjen e krizës momentale financiare.
Rosell ka thënë se Barcelona nuk do të prekej nga kjo krizë dhe se ajo është momentale, por The Daily Mail pohon se klubi është goditur rëndë nga humbjet që i ka sjellë tërheqja e një televizioni që ka të drejtat televizive, por se për shkak të rrezikut për falimentim është tërhequr nga kjo e drejtë. Kjo thuhet se mund të ndikojë në transferimet e Cesc Fabregasit dhe Javier Mascheranos, duke ia liruar kështu rrugën Interit për këtë të fundit.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, ishte i zhgënjyer me humbjen e pësuar nga Holanda në gjysmëfinalen e Botërorit, Afrika e Jugut 2010, por thotë se ky vit ishte më i miri në karrierën e tij.
“Ky ishte viti më i mirë i karrierës time”, theksoi Forlan për Press Associatiaon Sport.
“Ta fitoja Europa League me Atletico Madridin, arritja në atë finale dhe më pas arritja në gjysmëfinale të Botërorit është e mrekullueshme. Por, ne jemi aq të zhgënjyer sepse ishim aq pranë finales së Botërorit dhe kemi humbur kështu një rast shumë të mirë”, përfundoi Forlan.
Manchester United ka bërë ofertën e parë në drejtim të Interit për mesfushorin Wesley Sneijder.
The Daily Mail shkruan se United ka lansuar një ofertë prej 29 milionë eurosh për superyllin holandez. Interi nga ana tjetër thuhet se dëshiron ta mbajë në San Siro mesfushorin Sneijder.
Agjenti i tij Soren Lerby tashmë ka hapur bisedimet për rinovimin e kontratës dhe nëse United dëshiron transferimin e tij, atëherë duhet të nxitojë para rinovimit.
E ardhmja e peruanit të Fiorentinës, Juan Manuel Vargas, është vënë edhe më shumë në dyshim nga La Nazione, që pohon se ka interesim për Vargas nga Reali dhe Barcelona, por se Interi dhe Juventusi janë më pranë tij.
Vargas do të zgjidhte problemet e Real Madridit, por vetë peruani nuk dëshiron të kalojë në Bernabeu. Nga ana tjetër edhe Barca ka nevojë për stabilitet në krahun e majtë, por kriza financiare mund të bëjë që Blaugranët të tërhiqen.
Natyrisht, Juventusi nuk është i gatshëm të paguajë 25 milionë euro për mbrojtësin e krahut të majtë për shkak të vështirësive financiare të cilat tashmë i dimë, por kjo shumë nuk do të ishte problem për Interin, që llogarit në një largim të Douglas Maicon.
Bastian Schweinsteiger, një prej lojtarëve kyç të suksesit të Gjermanisë në Botërorin e sivjetmë, ishte plot frustrim dhe zhgënjim pas gjysmëfinales së humbur ndaj Spanjës, duke thënë se Gjermania nuk e luajti lojën e vet.
“Unë jam i hidhëruar sepse ishim shumë pranë finales, por më pas nuk luajtëm si kemi planifikuar. Natyrisht, Spanja ka pasur më shumë posedim të topit, ata kanë shumë lojtarë të mirë fizik. Por, ne është dashur të jemi më të mirë, shpeshherë vrapuam pas topit”.
“Ndaj Spanjës nuk patëm shumë raste shënimi, por kemi mundur ta shfrytëzojmë atë që e kemi pasur. Spanja e meritoi fitoren, ata janë ende një hap më të mirë se Anglia dhe Argjentina. Por, ne kemi treguar se kemi një ekip të mirë të ri me të ardhme të ndritur”, deklaroi Schweini.
Manchester City thuhet se e ka të gatshme ofertën e fundit prej 24 milionë funtesh për Aston Villën, në tentim për të transferuar mesfushorin James Milner.
Milner është cak i spekulimeve të mediave britanike qe një kohë të gjatë, ndërsa tani sipas The Guardian, City ka bërë një ofertë të vlefshme 24 milionë funte, duke refuzuar kështu kërkesat astronomike prej 30 milionë funte të menaxherit të Villas, Martin O’Neill.
Ky i fundit nga ana tjetër mund të fusë në marrëveshjen për Milner edhe Stephen Ireland dhe Nedum Onuoha të cilët nuk janë të nevojshëm në Eastlands. Nëse negociatat dështojnë, Roberto Mancini pritet të kthejë vëmendjen kah ndonjë lojtar tjetër.
Sulmuesi i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle, David Villa, ka thënë se dëshira e tij më e madhe për momentin është të shpallet kampion me Spanjën.
“Ne tanimë kemi bërë histori, por kjo është vërtetë shkrim i historisë, është e pabesueshme. Është e vështirë të vini këtu por Spanja e meritoi këtë. Ne kemi punuar shumë që prej përfundimit të Euro 2008. Ne duam të bëhemi kampion”, e filloi deklaratën e tij pas ndeshjes golashënuesi më i mirë i Spanjës në Botëror, David Villa.
Villa shtoi se fitorja ndaj Gjermanisë ishte paraqitja më e mirë e Spanjës deri tani në Kampionatin Botëror.
“Kjo ka qenë ndeshja më e kompletuar deri tani në këtë Botëror, me më shumë raste, me më shumë goditje. Sot ne luajtëm shumë mirë dhe ishim të detyruar të luanim mirë si në mbrojtje ashtu dhe në sulm. Ne shkuam dalë ngadalë, goli erdhi vonë, por Puyol doli në skenë dhe shënoi”, përfundoi Villa.
Kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm, ka thënë se ekipi i tij ka pësuar humbje nga favoriti për ta fituar këtë Botëror.
“Ishte shumë e vështirë sonte. Ne e kemi ditur se Spanja është favorite për ta fituar Botërorin. Spanja ishte ekip shumë i fortë. Ne nuk luajtëm me guxim të mjaftueshëm në pjesën e parë”.
“Ne patëm një rast në pjesën dytë, por nuk ishim në gjendje ta shfrytëzojmë atë. Është një zhgënjim i madh. Ne kërkuam të bëjmë shumë, por nuk patëm sukses”, u shpreh kapiteni gjerman.
Milani është i gatshëm ta ‘shpëtojë’ merkaton e sivjetme me transferimin e Christian Ledesmas nga Lazio, në kohën kur Rosonerët po kërkojnë lojtarë të mirë që kushtojnë pak.
Il Corriere dello Sport shkruan se Massimiliano Allegri e sheh si opsion të shkëlqyeshëm Ledesman për mesfushën, aty ku dhe pritet ta zëvendësojë Rino Gattuson.
Ariedo Braida ka marrë urdhër nga krerët e Milanit për të finalizuar këtë transferim që do t’u kushtojë Rosonerëve 6-7 milionë euro, ndërsa ai pritet të luajë aty ku luan sot Pirlo, pasi që ky i fundit do të shfrytëzohet si trikuartist prapa sulmuesve.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i gatshëm ta shndërrojë Mario Balotellin e Interit në Cristiano Ronaldon e ri të Old Traffordit.
Sportmediaset pohon se Ferguson i ka thënë ish-asistentit të tij dhe përzgjedhësit aktual portugez, Carlos Querioz, se ai do ta transferojë Mario Balotellin për ta shndërruar atë në Ronaldon e ri të United.
Masimo Moratti nuk është në disponim për ta shitur Balotellin, por mediumet në Apenine pohojnë se së shpejti do të nisë një luftë ofertash për sulmuesin e ri nga rivalët lokal City dhe United.
Është edhe vetë drejtori i Interit, Marco Branca, ai që për Daily Mail tani ka konfirmuar interesimin e Unitedit dhe Cityt, ndërsa Interi do të mendojë për të ardhmen e futbollistit. Edhe City edhe United pritet të ofrojnë mbi 30 milionë euro për Balotellin, por Interi është gati të kërkojë 40 milionë për të.
Mesfushori i Spanjës, Xavi, e ka quajtur paraqitjen e Spanjës në fitoren minimale ndaj Gjermanisë si të ‘mrekullueshme’.
“Ne ishim shumë të mirë. Ne vuajtëm shumë, por krijuam disa raste të mira. Ne dominuam dhe ishim të mirë në mbrojtje. Ishte një ndeshje e madhe për Spanjën dhe kemi shumë besim para finales. Tani duhet të kënaqemi me finalen e Botërorit”, theksoi Xavi.
Ai u shpreh dhe për dështimin amatoresk të Pedros në një rast ku ai ka mundur edhe të bëjë turizëm dhe të shënojë gol, por që fatkeqësisht dështoi, ndërsa Xavi tha se ishte gabim momental i tij.
Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Theo Zwanziger, është shprehur shumë i kënaqur me skuadrën e Gjermanisë, duke thënë se ai është krenar që ky ekip i ri arriti të futej në mesin e ekipeve të mira të globit.
“Spanjollët kanë lojtarë të klasit botëror. Ata ishin skuadra më e mirë. Mungesa e Muller u vërejt në fushë. Megjithatë, është një Botëror shumë i mirë. Unë jam i pikëlluar për skuadrën, por jo i zhgënjyer”.
“Ne jemi me një ekip shumë të ri ndër skuadrat më të mira të botës. Atyre u takon e ardhmja”, tha Zwanziger.
Genoa ka transferuar portierin e kombëtares portugeze, Eduardo, që u largua nga klubi i tij i deritanishëm Braga për të kaluar në Serie A.
“Genoa Cfc komunikon se ka siguruar shërbimet e Eduardo dos Reis Carvalho në baza permanente nga Sc Braga. Marrëveshja ishte arritur me insistimin pozitiv të Enrico Preziosit. Ky është një transferim tjetër i madh për Genaon pas ardhjes së Tonit”, thuhet në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare të klubit italian.
Eduardo u paraqit në mënyrë fenomenale për Portugalinë në Afrikën e Jugut dhe ai do të zë shumë shpejtë vendin e Marco Amelias. Ky i fundit muaj më parë iu dha si huazim Milanit.
Wolfsburg ka pohuar se e ka angazhuar mbrojtësin e Palermos, Simon Kjaer, dhe se lojtari ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare.
Në disa javët e fundit vazhdimisht është spekuluar për një kalim të Kjaer në Wolfsburg, ndërsa Palermo tashmë disa ditë kishte pohuar se ka arritur marrëveshje me klubin gjerman.
Sot edhe vetë lojtari ka arritur marrëveshje për kushtet personale dhe ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare, dhe Wolfsburg edhe zyrtarisht e ka pohuar transferimin.
“Wolfsburg ka arritur t’i sigurojë shërbimet e mbrojtësit Simon Kjaer. Pasi ishte arritur marrëveshja me tashmë ish-klubin e tij Palermo, 21-vjeçari ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare e cila do të zgjatë deri më 30 qershor 2014”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ish-kampioni i Bundesligës.
“Ky ndryshim për mua është një rast për të luajtur te një klub më i madh. Mendoj se kjo është e mirë për mua. Wolfsburg ka një ekip të fortë dhe ka ambicie të jetë në mesin e më të mirëve në Bundesliga dhe unë do të doja ta siguroja vendin në formacionin startues”, u shpreh vetë Kjaer për faqen zyrtare të klubit të tij të ri.
Natyrisht, gjysmëfinalja e dytë e Botërorit të sivjetmë ka lënë shenjë pikëllimi në mbarë kombin gjerman dhe festë e gëzim të madh në Gadishullin Iberik.
Edhe sfera mediale është prekur nga ethet e Botërorit dhe supersfidës, Spanjë-Gjermani, së cilës kemi vendosur t’i hedhim një shikim.
E përditshmja më e madhe në Gjermani, Bild, në titullin e saj kryesor ka fjalët, “Ka mbaruar”, ndërsa në raportin e ndeshjes theksoi superioritin e spanjollëve dhe inferioritetin e gjermanëve.
“Puyol u jep fund gjermanëve ëndrrën për yllin e katërt”, shkruan në titullin e saj gazeta më e madhe sportive gjermane në versionin e saj online, Kicker.
Në Spanjë kjo fitore u prit me entuziazëm të madh. “Po, jemi në finale”, shkruan Marca që e vlerësoi si superiore paraqitjen e Spanjës. Revista De Prensa ia dedikoi gjithë titullin e saj golashënuesit të vetëm, me një titull të madh “Mbreti Carles”. AS u tregua politik në titull, pasi sportivja madrilene në gjuhën katalanase uroi gjithë Spanjën me titull “Rroftë Spanja”.
Entuziazmi ishte gjithashtu i madh edhe në mediumet katalanase. Sport vlerësoi se Spanja e kishte ruajtur paraqitjen më të mirë për duelin më të rëndësishëm në histori të saj, me një titull “Gol i Puyol…dhe jemi në finale”. El Mundo Deportivo ishte i thjeshtë, duke shfaqur edhe njëherë ndikimin e politikës me një titull të thjeshtë “Spanja në finale”.
Spanja takohet të dielën në finalen e madhe të Johannesburgut në stadiumin Soccer City, me kundërshtarin tjetër evropian, Holandën.
Menaxheri i ekipit kombëtar gjerman, Oliver Bierhoff, ishte tejet i zhgënjyer me disfatën e pësuar nga Spanja në gjysmëfinale, por ka thënë se Botërori ishte pozitiv për Gjermaninë.
“Nuk është dashur të jetë kështu. Skuadra na ka sjellë shumë kënaqësi, por sot Spanja ishte skuadra më e mirë”.
“Përshtypja për Botërorin sidoqoftë është pozitive, pasi ky ekip ka potencial të jashtëzakonshëm”, deklaroi Bierhoff.
Me Gjermaninë që është jashtë Kupës së Botës, gara për yllin e Werder Bremen, Mesut Ozil, pritet të shpërthejë.
Ozil tashmë ka dhënë shenja se ai do të dëshironte të kalojë në Angli, nëse Chelsea ose Manchester United bëjnë oferta. 21-vjeçari ka zbuluar se një lëvizje në Stamford Bridge ose Old Trafford do të ishte shumë më joshëse për të.
“Liga Premier është liga më e madhe në Angli dhe ekipet si Chelsea dhe Manchester United janë shumë të fuqishme. Derisa Kupa Botërore vazhdon, nuk mendoj për të ardhmen time, por La Liga dhe Liga Premier janë ekipe ku ju mund të fitoni trofetë më të mira. Vetëm më duhet kohë të mendoj. Kjo ka të bëjë me tre ose katër vitet e mia”, kishte thënë Ozil.
Trajneri i shkarkuar i Milanit, Leonardo, beson se Brazilit i kanë munguar Alexandre Pato dhe Ronaldinho në Kupën e Botës.
Asnjëri prej dy yjeve të Milanit nuk u përfshi në ekipin e trajnerit Carlos Dunga, që u eliminua në çerekfinale nga Holanda.
“Kam raporte të drejtpërdrejta me ta. Vitin e kaluar ne ishim shumë të afërt, por jo për shkak se ata janë brazilianë. Por pasi ata janë lojtarë të rëndësishëm”.
“Viti i Ronaldinhos ishte një me shpagesa personale. Besoj se ka qenë mirë ta shohim atë të rikthehet në një nivel të caktuar, po ashtu pasi ai riorganizuar disa gjëra në jetën personale”, ka thënë Leonardo.
Mesfushori i Spanjës, Xabi Alonso, mezi pret finalen e Johannesburgut, pasi ai planifikon ta ngrit titullin e më të mirit të globit pas fitores ndaj Gjermanisë.
“Ne është dashur ta bëjmë më të mirën ndaj një rivali të madh. Ne kemi luajtur një lojë shumë të matur, sidomos duke marrë parasysh se për herë të parë jemi në gjysmëfinale. Ne jemi një hap larg shijimit të titullit”.
“Kanë qenë dhjetë minuta ku ne kemi sulmuar vazhdimisht por nuk arritëm të shënojmë, mirëpo në fund Puyol doli në skenë si një kafshë e egër për të shënuar. Kam qenë afër golit sot, dua ta shënoj në finale”, ka thënë Alonso.
Sulmuesi italian Amauri, thotë se ai dëshiron që qëndrojë në Juventus në sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi i qendrës thotë se ai është i gatshëm të luftojë për vend nëse Juve sjell sulmues të ri gjatë afatit kalimtar të verës.
“Unë dëshiroj të qëndroj këtu, jam këtu dhe do të jem këtu sezonin e ardhshëm. Fansat nuk janë të kënaqur me atë çfarë bëri Amauri sezonin e kaluar. Edhe unë kam vuajtur shumë, kurrë nuk kam pasur një sezon aq të gjatë dhe të dobët”.
“Jam 30-vjeçar, kam kohë dhe dua të shënoj golat e mi. Dua të dëshmoj se ia vlej këtu. Kurrë nuk kam menduar të largohem. Nuk kam frikë nga konkurrenca nga asnjë sulmues i ri”, ka thënë Amauri.
Sulmuesi i Palermos, Fabrizio Miccoli, thotë se Serie A do ta ndjejë mungesën e ish-menaxherit të Inter, Jose Mourinho.
Mourinho u largua nga kampioni i Evropës për të marrë nën drejtim gjigantin spanjoll Real Madrid.
“Interi është ende në ballë të çdo ekipi tjetër, por Roma po i afrohet. Mbështetem në rikthimin e Adrianos. Milani dhe Juventusi nuk duken në nivelin e Interit dhe Romës; Sampdoria, Palermo, Fiorentina dhe madje edhe Genoa e Udinese do të kenë më shumë shanse”.
“Do të më mungojë Mourinho shumë. Ai planifikon gjithçka, mbron grupin duke joshur gjithë vëmendjen te vetvetja”, ka thënë Miccoli.
Ish-mbrojtësi i Lorient, Laurent Koscielny, është i ngazëllyer me kalimin e tij te Arsenali.
24-veçari nënshkroi kontratë katërvjeçare me klubin londinez për një shumë ende të pazbuluar.
“Ka qenë një vendim i vështirë për t’u marrë. Është e veçantë të kesh në klub si Arsenali që pret të nënshkruajë me ju. Nuk besoj se ndonjë lojtar francez do të kishte refuzuar të vijë dhe të luajë për Arsenalin”.
“Është një klub shumë i madh që luan në Ligën e Kampionëve dhe gjithmonë është afër kreut të Ligës Premier”, ka thënë Koscielny për faqen zyrtare të klubit.
Kapiteni i Real Madridit, Raul Gonzalez, është i gatshëm t’i bashkohet klubit të Bundesligës, Schalke.
Bild shkruan se Raul tashmë ka arritur kushtet personale me klubin ambicioz gjerman. Sulmuesi 33-vjeçar ka nënshkruar marrëveshje dyvjeçare me Schalke të vlefshme 5 milionë euro në sezon.
Marrëveshja për herë të parë ishte propozuar tre javë më parë në një restorant në Madrid, ku agjenti i Raul, Gines Carvajal, u takua me trajnerin e Schalke, Felix Magath, dhe zyrtarë të tjerë të klubit.
Raul dhe ish-mbrojtësi i Realit, Christophe Metzelder, tash lojtar i Schalke, po ashtu kanë qenë në takim.
Zhgënjimi në shtabin gjerman ishte i jashtëzakonshëm pas disfatës minimale ndaj Spanjës, por Pancerët pranuan superioritetin e iberikëve pas takimit.
“Spanja sot ishte shumë e mirë. Ne kemi mundur të luajmë me më shumë guxim, madje edhe në çerekun e fundit të lojës. Ata ishin të rraskapitur në atë moment. Tani duhet ta përfundojmë Botërorin si duhet”, theksoi Marcell Jansen, ndërsa atë e vijoi portieri Manuel Neuer.
“Në këtë moment zhgënjimi është i madh. Prapëseprapë e dimë se kemi luajtur një Botëror të mirë”, përfundoi portieri gjerman.
Joachim Loew përkundër disfatës nga Spanja, ka pranuar se kundërshtari i gjermanëve ishte më i fortë, duke thënë se spanjollët meritojnë ta fitojnë Kampionatin Botëror.
“Komplimente për spanjollët. Unë besoj se ata do ta fitojnë Kupën e Botës, ata kanë qenë më të mirët dy-tri vitet e fundit. Ata janë aq të mirë në lojë, sa që na kanë shpjerë deri në kufijtë tanë”.
“Ne nuk kemi arritur të bëjmë asgjë dhe ata e merituan fitoren. Ne e kemi parë menjëherë se nuk ishte loja jonë. Ne nuk e kemi pasur guximin dhe e kemi ditur se kemi qenë prapa tyre në aspektin e lojës. Ishte e vështirë për ne ta marrim topin pasi që ata kanë aftësi të mëdha. Është e vështirë të kuptojmë se pse nuk luajtëm ashtu si dëshiruam”, theksoi Loew.
E ardhmja e Loew është në ajër për momentin, pasi që kontrata e tij skadon menjëherë pas përfundimit të Botërorit, ndërsa vetë ai nuk e di se cila është e ardhmja.
“Sa i përket pyetjes për përzgjedhësin, për këtë do të bisedohet pas Botërorit. Kjo skuadër do të jetë e bashkuar në vitet në vijim pa marrë parasysh trajnerin. Zhvillimi i këtij ekipi nuk ka marrë fund ende”, përfundoi Loew.