Mesfushori i Spanjës, Sergio Busquets, i ka thënë shtypit se kombëtarja e tij do të jetë në gjendje ta ndalë mesfushorin e Holandës, Wesley Sneijder, kur të dy këto përfaqësuese të takohen në finalen e madhe të Kampionatit Botëror të dielën.
“Ai është një lojtar fantastik. Ne duhet të tentojmë ta ndalim atë së bashku, të mos i japim kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëmë me Mesut Ozilin ndaj Gjermanisë”.
“Holanda po llogarit në lojtarë si Sneijder dhe Robben dhe mënyrën se si ata ndikojnë në lojë. Kur të merren masat e duhura, atëherë do të jetë më lehtë të merremi me këso lloj lojtarësh. Sulmuesit gjithashtu luajnë një lojë defensive, ashtu siç kemi bërë dhe ne gjatë Botërorit, ndërsa kjo është mënyra e vetme për të fituar”, deklaroi Busquets.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është duke synuar transferimin e futbollistit shtatgjatë të Tottenhamit, Peter Crouch, njofton The Independent.
Crouch ka qenë një synim afatgjatë i Hodgson edhe në kohën sa ishte ky i fundit te Fulhami, ndërsa ishte mposhtur nga Tottenhami për firmën e tij.
Trajneri 62-vjeçar më në fund mund ta shohë dëshirën e tij të realizohet, pasi që në Anfield mundësitë janë më të mëdha për të manovruar në tregun e transferimeve.
Crouch kushton 8 milionë funte, ndërsa do të zgjidhte disa nga problemet më të mëdha të Liverpoolit në sulmin e vetmuar nga Torres.
Genoa dhe Milani janë të gatshme t’i hyjnë luftës për firmën e mesfushorit të Sportingut, Miguel Veloso.
Sipas A Bola, 24-vjeçari spekulohet se do të kalojë te ndonjë klub më i madh evropian dhe duket se Genoa është në krye të garës për të, duke lënë prapa gjigantë të tillë, si Milani.
Veloso është mesfushor defensiv, por mund të përdoret edhe si mbrojtës i krahut të majtë.
Presidenti i La Ligas, Jose Luis Astiazaran, ka deklaruar për The Guardian se Liga Premier është e mbipopulluar nga lojtarë të huaj, duke thënë se kjo po reflektohet në paraqitjet e Anglisë në kampionatet Botërore dhe Evropiane.
“Në La Liga, kemi 77.1 për qind lojtarë spanjollë, 16.7 për qind futbollistë evropianë dhe 6.7 për qind futbollistë joevropianë. Strategjia jonë është të punojmë shumë me talentët tanë vendorë dhe të tentojmë të krijojmë një përzierje të tyre me lojtarët më me përvojë”.
“Pse nuk është numër i madh i lojtarëve të huaj në La Liga? Sepse ne investojmë më shumë në lojtarë të rinj spanjollë se sa në lojtarë të rinj të huaj. Anglia shpeshherë ka marrë lojtarë nga vende të tjera në moshën 14 dhe 16 vjeçare. Këta lojtarë nuk janë anglezë. Kjo është një nga dallimet më të rëndësishme mes Anglisë dhe Spanjës. Ne investojmë në lojtarët tanë të rinj spanjollë”.
“Te Arsenali, Liverpooli dhe Manchester Unitedi ka shumë lojtarë spanjollë, francezë dhe italianë, ndoshta kjo është arsyeja se pse Anglia nuk po krijon për momentin lojtarë të rinj anglezë”, deklaroi Astiazaran.
Duke folur për France Football, arbitri anglez që do ta drejtojë finalen e madhe të së dielës, Howard Webb, ka thënë se shpreson që të mos ketë vendime kontroverse në finale dhe se kjo e fundit të ketë për protagonistë kryesorë lojtarët dhe jo atë.
“Shpresoj se nuk do të ketë vendime kontroverse. Nëse do të ketë, unë nuk do të fle gjatë gjithë natës. Unë do të doja që kjo ndeshje të jetë 100% për lojtarët dhe jo për mua”.
“T’u them të drejtën, nuk dëgjohet asgjë nga vuvuzelat me të hyrë në fushë, por FIFA na ka përgatitur mirë në stërvitje duke na lëshuar zhurmën e vuvuzelave. Jemi mësuar me ato”, përfundoi Webb.
Agjenti i Ronaldinhos, Roberto De Assis, ka thënë se vëllai i tij ka marrëdhënie të mira me Milanin dhe se është i lumtur në Serie A, përderisa interesimi i Flamengos për të vjen duke u shtuar.
“Marrëdhëniet me kryeministrin Silvio Berlusconi janë të shkëlqyera dhe ne e respektojmë atë, ndërsa ai e do Ronaldinhon. Nëse Flamengo e dëshiron Ronaldinhon, duhet së pari të arrijë marrëveshje me Milanin”.
“Shumë lojtarë shkojnë në Brazil për t’u rikuperuar, por ky nuk është rasti jonë”, ka thënë De Assis për Yahoo! Brazil.
Holanda duket se do të hyjë me formacionin më të fortë ndaj Spanjës në finale të dielën, pasi që Marteen Stekelenburg u stërvit si zakonisht paditën e të premtes.

Kishte pasur dyshime mbi gatishmërinë e Stekelenburg për finale, pasi kishte pasur probleme në prapanicë gjatë ndeshjes ndaj Uruguait. Demy de Zeeuw gjithashtu ishte në dyshim, pasi kishte pësuar një goditje aksidentale në kokë, por që të dy të lartpërmendurit janë të gatshëm për lojë.

Van Marwijk ka thënë se nuk do të ketë ndërrime në formacion para finales, që do të thotë se dyshja Nigel de Jong dhe Gregory van der Wiel do të zëvendësojnë Demy de Zeeuw dhe Khalid Boulahrouz nga ndeshja e kaluar.

Formacioni i mundshëm i Holandës:
Stekelenburg; Van der Wiel, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst; Van Bommel, De Jong; Robben, Sneijder, Kuyt; Van Persie.

Mbrojtësi i Chelseat, Ricardo Carvalho, është parë në qytetin italian Milano, duke ndezur kështu spekulime se ai do të nënshkruajë për Interin.
Carvalho, 32 vjeç, kaloi gjashtë sezone të suksesshme te Chelsea, por spekulimet se Ancelotti nga sezoni i ardhshëm do të luajë në mbrojtje me Terryn dhe Alex, kanë bërë që Carvalho të mos jetë i qetë dhe të lidhet me kampionin e Evropës, Inter.
Sipas Corriere della Sera, ish-mbrojtësi i Portos, është duke kërkuar një sfidë të re dhe mund të bëhet transferimi i parë i Rafa Benitezit. Carvalho ende është duke u konsideruar një nga mbrojtësit më të mirë të Evropës.
Manchester United e sheh portierin holandez, Maarten Stekelenburg, si portierin që do ta zëvendësojë legjendarin Edwin van der Saar, njofton Oranje VI.
27-vjeçari Stekelenburg është numri një i Holandës dhe natyrisht është i paprekshëm te Ajaxi. Van der Saar është 40 vjeçar dhe sezoni i ardhshëm pritet të jetë i fundit për të në karrierë.
Përveç golit të pësuar nga Forlan, ku Stekelenburg nuk u shfaq aspak i sigurt, në përgjithësi ai ka shfaqur paraqitje mbresëlënëse, duke tërhequr interesimin e shumë skuadrave evropiane.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka konfirmuar se është i interesuar për sulmuesin e ri të Interit, Mario Balotelli dhe për sulmuesin boshnjak të Wolfsburgut, Edin Dzeko.
“Nëse Interi e shet Balotellin, ne jemi aty. Për Dzekon, City ka më shumë se një interesim të thjeshtë. Dzeko dhe Balotelli së bashku te Manchester City? Është një ide e mirë”, theksoi Mancini për Il Giornale.
Ditëve të fundit po spekulohet se Balotelli mund të përfundojë në qytetin e Mançesterit me palë të konfirmuara pas tij si City dhe United, ndërsa Dzeko po lidhet edhe me Juventusin.
Milani pritet që të bëjë ofertë për sulmuesin e Manchester Cityt, Robinho, nëse Ronaldinho largohet nga klubi, njofton Milannews.it.
26-vjeçari Robinho ka dështuar të lë mbresa te City ku dhe e theu rekordin britanik të transferimeve prej 34 milionë funtesh. Qëndrimi në pikëpyetje i Ronaldinhos mund ta shohë atë në San Siro, pas përfundimit të huazimit te Santosi më 4 gusht.
30-vjeçari Ronaldinho është lidhur me një kalim te La Galaxy dhe Olympiakos, të cilat i ofrojnë atij një pagë shumë më të mirë se Milani. Milani nga ana tjetër do të duhet të mposhtë Besiktasin, Bayernin dhe Valencian për firmën e Robinhos.
Tashmë dihen finalistët e turneut më të madh të tenisit në vendin tonë, Prishtina Open, pas gjysmëfinaleve tejet interesante që u zhvilluan pasditen e të premtes.
Gjysmëfinalja e parë u zhvillua ndërmjet Granit Bajraliut dhe Jeton Hajdarit, e cila përfundoi me fitoren e Bajraliut me rezultat 2-1 në sete (7-5, 5-7 dhe 6-3), në një takim tejet interesant.
Në gjysmëfinalen e dytë, Gurash Hasani u tregua shumë i fortë për kundërshtarin e tij Behar Kurteshi, të cilin e mposhti me rezultat 2-0 në sete (6-4 dhe 7-6).
Finalja e Prishtina Open zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 12:00 në terrenet që gjenden në oborrin e shkollës fillore “Ismajl Qemajli” në lagjen Bregu i Diellit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë për ekipet të cilat kanë hyrë në fazën e eliminimit direkt si të prekura nga presioni i madh, gjë që, sipas tij, ka ndikuar dhe në cilësinë e ndeshjeve.
“Unë mendoj se standardi i futbollit ka qenë lartë-poshtë. Para fazës së eliminimit direkt, ne kemi pasur disa ndeshje interesante. Fatkeqësisht ne kemi parë shumë ndeshje mesatare në fazën e eliminimit direkt. Ekipet ishin nën presion. Ato u duk se shtangeshin posa hynte goli i parë”.
“Në aspektin e organizimit ky është një sukses i madh për Afrikën e Jugut. Ky është një plus fantastik. Unë jam shumë, shumë i lumtur për këtë. Dhe stadiumet kanë qenë absolutisht të mrekullueshme. Por, ishte e dhimbshme për Afrikën që Gana nuk arriti në gjysmëfinale. Do të ishte një gjë e mirë për Afrikën”, deklaroi Wenger.
Dy prej ikonave të futbollit holandez, Ruud van Nistelrooy dhe Ronald Koeman, e shohin Spanjën si favorite përballë Holandës, para finales së madhe të Johanesburgut të dielën.
“Spanja do ta ketë topin, por Robbeni dhe Sneijderi mund ta vrasin në kundërsulme. Askush nuk e lëviz topin më mirë se ekipi kombëtar spanjoll dhe kjo i bën ata favoritë për të fituar. Ata ishin favorizuar para Botërorit dhe tani edhe më shumë. Por, ata do të bënin mirë të mos flenë, sepse Holanda është shumë e mirë”, ka thënë Van Nistelrooy, që është njëri prej sulmuesve më të mirë në histori të Tulipanëve.
Duke folur nga Johanesburgu, ish-futbollisti i Barcelonës dhe legjenda holandeze, Ronald Koeman, e sheh gjithashtu si favorit Spanjën, duke parashikuar një ndeshje të madhe të skuadrave.
“Shpresoj se do të fitojë Holanda, por nëse jo, do të isha i lumtur dhe për Spanjën. Mendoj se ndeshja do të shkojë në vazhdime dhe më pas në fund do të fitojë Spanja”, u shpreh Koeman.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka thënë se Manchester City do të bëjë ofertë për Fernando Torresin dhe se klubi nga Eastlands mund ta fitojë Ligën Premier sezonin e ardhshëm.
“Manchester City mund ta fitojë shumë lehtë Ligën Premier. Me këta lojtarë që kanë, ata automatikisht kanë bërthamën e një ekipi të mirë”.
“Ata do të bëjnë ofertë për Torresin dhe nëse ata e transferojnë atë dhe dy të tjerë, atëherë s’ka kush t’i ndalë më. Madje do të na e bëjnë më të vështirë hyrjen në top katërshe sezonin e ardhshëm, kjo është e sigurt”, deklaroi Redknapp.
E ardhmja e kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas, pritet të vendoset nesër (të shtunën), në Afrikën e Jugut.
Presidenti i ri i Barcelonës, Sandro Rosell, ka ateruar në Durban së bashku me zëvendësin e tij Josep Maria Bartomeu.
Dyshja pritet të takohet me Arsene Wengerin ku do të vendoset përfundimisht fati i Fabregasit. Rosell para fluturimit në Durban kishte thënë se ai dëshiron një përgjigje ‘po’ ose ‘jo’ nga Wenger.
Juventusi është kthyer kah mbrojtësi i Barcelonës, Rafael Marquez, të cilit i është thënë të largohet nga Camp Nou, njoftojnë Radio Mercato dhe Sport.
Zyrtarët e Barcelonës ia kanë bërë të qartë Marquezit që të largohet sa më shpejtë nga Camp Nou, ndërsa agjenti i tij Enrico Nieto, është në kërkim të një klubi të ri, me Juventusin që thuhet të jetë në vijën e parë të frontit.
Nëse ndodh që Juventusi të mos e transferojë Philipee Mexesin e Romës, atëherë vëmendja natyrisht se do të kthehet kah Rafa Marquez, për të cilin janë të interesuara edhe Galatasaray dhe Genoa.
Laurent Koscielny (Arsenal) Mbrojtësi i ri i Arsenalit, Laurent Koscielny, ka thënë se ai ishte i befasuar që Arsenali u interesua për të, sa ishte duke luajtur për skuadrën franceze Lorient.
“Unë vërtet jam befasuar që Arsenali do të mund të interesohej për një lojtar të Lorientit, që ka luajtur vetëm një sezon në Ligue 1. Në kokën time, ishte e qartë që unë do të shkoja atje. Një rast si ky, ju vjen një herë në karrierë. Nuk dua ta humbas atë”.
“Është një botë tjetër kjo! Kur e shihni qendrën stërvitore apo stadiumin, janë vërtet të mëdha. Ka një javë që unë jam transferuar dhe tani e kam më të lehtë. Unë jam kthyer përsëri në tokë. Qëllimi im tani është të luaj”, është shprehur Koscielny për L’Equipe.
Real Madridi dhe Chelsea kanë shprehur interesimin e tyre në të kaluarën për Alexandre Paton, por ky i fundit nuk duket se dëshiron të dëgjojë për klube tjera pos Milanit.
“Unë kam kontratë me Milanin deri në vitin 2014 dhe dua ta respektoj atë. Ndoshta një ditë mund të kthehem në Brazil për ta përfunduar karrierën time me Internacional, që është ekipi im i preferuar”.
“Unë jam i fokusuar te Milani, por shpresoj se përzgjedhësi i ardhshëm i Brazilit do të më marrë parasysh”, ka thënë Pato.
Roma mund të blihet nga investitorët arabë të grupit Aabar, pasi familja Sensi ia ka nënshkruar klubin bankës Unicredit, së cilës Roma i kishte borxh 325 milionë euro, ndërsa kjo bankë tani është në kërkim të një blerësi.
Sporteconomy.it njofton se Aabar janë shumë pranë blerjes së Romës, pasi që kanë 4.99% të aksioneve në Unicredit. Rothschild, që është duke i ndihmuar Unicredit për gjetjen e blerësit, ka pyetur Aabar për të blerë Romën, ndërsa përgjigja e tyre ishte pozitive.
Presidentja Rosella Sensi pritet ta mbajë postin e presidentes së klubit deri në momentin kur të vijnë pronarët e rinj.
E ardhmja e Adriano Gallianit te Milani është si kurrë më parë në dyshim, pas kritikave publike të presidentit Silvio Berlusconi.
Berlusconi kishte thënë ditë më parë se ai duhet t’ia ‘këpusë veshët’ Gallianit, pasi që siç tha ai, përkundër shpenzimeve në të kaluarën, Milani nuk arriti të fitojë asnjë titull në tre vitet e fundit.
Sportitalia spekulon se në rast të mossuksesit të Milanit në fillim të sezonit të ri, atëherë viktima e radhës nën sëpatën e Berlusconit pritet të jetë zëvendëspresidenti Adriano Galliani.
Dojeni apo urrejeni, Cristiano Ronaldo është specialist i tërheqjes së vëmendjes mediale, pasi futbollisti edhe një herë u përkujdes për titujt kryesorë të gazetave.
Ronaldo është në New York ku po i kalon pushimet pas një Botërori jo aq të kënaqshëm për të, e që pasoi me lindjen e djalit të tij, emrin e nënës së të cilit askush nuk e di. Gazetarët britanik kanë tentuar t’ia nxjerrin këtë fundit nga goja portugezit, por kanë gjetur një përgjigje befasuese.
Ronaldo, i pyetur nga gazetari britanik se si është emri i nënës së djalit të tij të porsalindur, është përgjigjur, “Një ditë, dikush do të të vrasë! Kujdes”.
Gazetari ia ktheu në të njëjtën mënyrë, “Një ditë dikush do të t’i thyejë këmbët në një duel të ashpër! Mund të jetë Rooney. Kurrë nuk i dihet!”.
Nuk është hera e parë që Cristiano Ronaldo përkujdeset për vëmendje mediale. Aferat e shumta të përfolura me disa nga yjet e Hollywoodit kanë bërë që portugezi të jetë në faqet e para të gazetave në mbarë globin.
Menaxheri i kombëtares së Holandës, Bert van Marwijk, ka thënë se edhe pse Spanja konsiderohet si favorite, ai shpreson ta fitojë finalen e Kupës Botërore.
Ai ka thënë dje se Spanja është kombëtarja më e mirë në botë për momentin, por sot ka shtuar se Holanda megjithatë nuk ia ka frikën këtij ekipi.
“Nuk më intereson nëse e gjithë bota thotë se ata janë favoritë. Është ndeshje në mes dy vendeve dhe të dyja duan të fitojnë dhe mund të fitojnë, dhe ne kemi besim në vetvete. Ne e respektojmë Spanjën, por nuk kemi frikë. Është një sfidë e madhe të luash kundër Spanjës dhe t’i mposhtësh ata”, ka thënë trajneri holandez.
Megjithatë Van Marwijk beson se ekipi i trajnerit Vicente del Bosque është një hap para tyre.
Ylli i Uruguait dhe Atletico Madridit, Diego Forlan, ka pranuar se ka gjasa që ai të rikthehet në Ligën Premier, pas interesimit të hapur të Tottenhamit.
“Duhet të jetë ofertë e mirë dhe më pas do të shohim. Unë jam shumë i lumtur në Madrid dhe me mënyrën se si qyteti dhe ekipi janë gjithmonë me mua. Por, kurrë nuk i dihet. Nëse vjen një ofertë e mirë, ne duhet të shohim nëse ekipi dëshiron që unë të largohen ose jo dhe më pas duhet të ulemi dhe të bisedojmë”, theksoi Forlan.
Forlan ka qenë në formë të jashtëzakonshme për Uruguain këtë sezon, ndërsa ai së fundmi është nominuar për çmimin e Futbollistit më të Mirë të Botërorit.
Oktapodi Paul Sytë e gjithë botës janë drejtuar sot në Oktapodin gjerman, Paul, përderisa bëri parashikimin më të madh në këtë Kampionat Botëror: Spanja do ta mposhtë Holandën në finale.
Asnjë parashikim i Paul nuk ka qenë i gabuar në këtë Kampionat Botëror - gjë që e ka bërë atë me famë ndërkombëtare.
Satacionet televizive në Gjermani, Britani të Madhe, Taivan dhe gjithkund nëpër botë, kanë transmetuar drejtpërdrejt parashikimin e tij.
Oktapodi Paul ka parashikuar me sukses fitoret e Gjermanisë ndaj Argjentinës, Anglisë, Australisë dhe Ganës, por me sukses parashikoi edhe humbjet nga Spanja dhe Serbia.
Pak më heret, sot në mëngjes, ai kishte parashikuar edhe fitoren e Gjermanisë ndaj Uruguajit për vendin e tretë dhe të katërt.
Se a do të jetë i saktë edhe në këto parashikime, mbetet të shihet. /sportisot/
Kanë përfunduar pa sukses negociatat për finalizimin e transferimit të kartonit të Nicolas Burdissos te Roma, pasi Interi edhe njëherë u tregua arrë e fortë për gjigantin romak.
Agjenti i Burdissos, Fernando Hidalgo, ka konfirmuar se futbollisti rrezikon qëndrimin e tij në kryeqytet, nëse që të dyja klubet nuk lëshojnë pe. Interi kërkon 10 milionë euro për argjentinasin, por Roma ofron larg më pak.
“Burdisso tani është lojtar i Interit. Nuk është arritur marrëveshja me Romën. Nëse të dyja klubet ndryshojnë idetë e tyre, atëherë ato mund të më thërrasin”, theksoi Hidalgo për Telelombardia.Burdisso kaloi sezonin e kaluar si huazim te Roma dhe Claudio Ranieri e dëshiron atë te Roma në mënyrë permanente, por duket se nuk dëshiron t’i bindet presionit të Interit.
Mbrojtësi i Spanjës, Carles Puyol, e sheh Wesley Sneijderin, Xavin dhe Lionel Messin si tre kandidatët kryesorë për ta fituar çmimin FIFA Topi i Artë.
“Është një çmim që ndahet për tërë vitin. Sneijder ka luajtur shumë mirë, por Xavi është gjithashtu lojtar i madh, që të dy e meritojnë, por nuk mendoj se ata janë të vetmit. Për mua, Lionel Messi është favorit”, ka thënë Puyol.
Duke filluar nga viti i ardhshëm, FIFA do të ndajë një çmim të shkrirë mes FIFA futbollisti më i mirë i vitit dhe Topit të Artë, e që tani do të quhet FIFA Topi i Artë dhe që do të prezantohet më 10 janar, 2011 në Zurich të Zvicrës.
Manchester City është duke e përgatitur një ofertë prej 20 milionë funtesh për yllin e Chelseat, Didier Drogba.
Sipas The Sun, Menaxheri i Cityt, Roberto Mancini, njihet si adhurues i flaktë i Drogbas dhe tani shpreson ta sjellë atë te City. Drogba është fitues i këpucës së artë të Ligës Premier këtë sezon, pasi shënoi 29 gola në të gjitha garat.
Manchester City ka shpenzuar deri tani hiç më pak se 60 milionë funte në transferimet e David Silvas, Jerome Boateng dhe Yaya Toures.
Njëri nga futbollistët më të mirë të Botërorit, Afrika e Jugut 2010, Wesley Sneijder, ka thënë se mbi skuadrën angleze ka rënduar një presion shumë i madh që konsistoi nga pritjet e mëdha për sukses në këtë Botëror.
“Capello vë presion të veçantë mbi lojtarët që të luajnë mirë, kurse nga ana tjetër pritjet ishin gjithashtu të mëdha. Filozofia jonë është që të jemi të relaksuar dhe të kënaqemi, por duke mbetur edhe të fokusuar në të njëjtën kohë”.
“Ne duam që ta mbajmë në mend Afrikën e Jugut, ndërsa nuk e kemi problem të përzihemi me këdo që është duke qëndruar në hotel. Kjo na bën normal. Nuk ndjej nevojën për sigurim kur duhet të shkoj të drekoj me bashkëshorten time. I gjithë ekipi po kalon mirë”, ka thënë Sneijder.
Jabulani FIFA ka zbuluar se ky do të jetë Botërori i fundit që është luajtur nën sistemin ekzistues të referimit.
FIFA ka hasur në kritika të mëdha për mos efikasitet të gjyqtarëve dhe gabimeve skandaloze të tyre, që si pasojë pati eliminimin e disa kombëtareve. Aktualisht, FIFA e mohon përdorimin e teknologjisë, por organi më i lartë i futbollit, ka vendosur që të bëhen ndryshime dhe që në fushë të mos jenë vetëm gjyqtari kryesor, asistentët dhe ai i katërti. Shqyrtohet mundësia edhe e dy gjyqtarëve shtesë prapa golave.
“Ne po flasim për një gol që nuk mund të shihet nga gjyqtari dhe kjo është arsyeja pse po flasim dhe për teknologjinë. Por, të shohim, nëse edhe katër sy shtesë prapa golave do t’i ndihmojnë gjyqtarit kryesor, atëherë, pse jo? Unë do të thosha që ky është Botërori i fundit me këtë sistem referimi”, ka thënë Jerome Valcke, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s.
Chelsea do të bëjë së shpejti ofertën e parë në drejtim të Liverpoolit për sulmuesin Fernando Torres, e cila do të jetë në regjionin e 30 milionë funteve, njofton The Daily Star.
Pronari i Bluve të Londrës, Roman Abramovich, është duke u përkujdesur personalisht për këtë çështje, pasi ai është duke biseduar për këtë në Afrikën e Jugut, ku ka shkuar për ta shikuar finalen. Rusi gjithashtu ishte i pranishëm në ndeshjen gjysmëfinale të Spanjës ndaj Gjermanisë ku Torres luajti nëntë minutat e fundit.
Fernando Torres më herët e kishte bërë të qartë se nuk dëshiron ta shqyrtojë të ardhmen deri pas përfundimit të Botërorit, kur pritet të bisedojë me menaxherin e ri në Anfield, Roy Hodgson.
Wesley Sneijder (majtas) - David Villa (djathtas) FIFA në bashkëpunim me Adidas, kanë shpallur nominimet për futbollistin më të mirë të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.

Nominimet i prezantuan sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, i cili me këtë rast tha se ky Kampionat Botëror ishte i veçantë dhe aty morën pjesë futbollistët më të mëdhenj të globit. Ai është ndarë i kënaqur me ecurinë e Botërorit.

Atë e shoqëroi drejtori i Adidas, Herbert Hainer që tha, “Ne jemi të kënaqur me këtë Botëror, pasi kemi pasur dy ekipe me brendin tonë në gjysmëfinale dhe tani një është në finale. Do të kemi përfitime prej më se 1.3 miliardë eurosh dhe natyrisht jemi shumë të kënaqur me këtë Botëror”.

Më pas të nderuarit shpallën dhe të nominuarit për futbollistin më të mirë të Kupës Botërore, Afrika 2010, të cilët janë:

Diego Forlan (Uruguai)
Asamoah Gyan (Ganë)
Andres Iniesta (Spanjë)
Lionel Messi (Argjentinë)
Mesut Ozil (Gjermani)
Arjen Robben (Holandë)
Bastian Shweinsteiger (Gjermani)
Wesley Sneijder (Holandë)
David Villa (Spanjë)
Xavi (Spanjë)

Futbollisti më i mirë i Botërorit nga këto nominime do të zgjidhet nga mediat e mbarë globit, ndërsa ky çmim do të ndahet në natën e finales, të dielën, në stadiumin Soccer City të Johannesburgut.

Agjenti i David Trezeguet ka ftuar Napolin të bëjë ofertë për sulmuesin e Juventusit.
Napoli është në kërkim të një sulmuesi të ri këtë verë dhe agjenti i francezit, Antonio Caliendo, ka kërkuar nga ky klub të bëjë ofertë nëse është i interesuar për klientin e tij.
“Pse jo? Ka një raport të mirë në mes të Napoli dhe Juventus. Për aq sa di për atmosferën dhe ngrohtësinë e qytetit dhe fansave, jam optimist që David mund të përfshihet në Napoli. Për momentin jam në Milan. Nuk ka folur me drejtorin sportiv të Napolit për Trezeguet, por nëse ai më kontakton, do të jem i hapur për biseda”, ka thënë Caliendo.
Kampioni i Evropës, Inter, raportohet se ka refuzuar shansin të nënshkruajë me sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez.
Sky Italia thotë se menaxheri i Cityt, Roberto Mancini, ka dashur ta përfshirë Tevez në ofertën për të riun Mario Balotelli. Por drejtuesit e Interit kanë refuzuar propozimin, pasi nuk shohin vend për argjentinasin në ekipin e Rafa Benitez.
Interi dëshiron të krijojë hapësirë për të riut brazilian Philippe Coutinho dhe nuk është i interesuar të sjellë një lojtar si Tevez.
Barcelona raportohet se është e interesuar të transferojë mesfushorin e Manchester Cityt, Nigel de Jong.
El Mundo Deportivo shkruan se Barca mund ta kërkojë holandezin si pjesë e marrëveshjes me Cityn që përfshin lëvizjen e Zlatan Ibrahimovic në kahe të kundërt.
De Jong do të arrinte në Nou Camp si zëvendësim i drejtpërdrejtë për nënshkrimin më të ri të Cityt, Yaya Toure. Një lojtar tjetër i Cityt për të cilin interesohet Barcelona është argjentinasi Pablo Zabaleta, që kaloi në kampionatin anglez nga Espanyol.
Sulmuesi i Liverpoolit, Dirk Kuyt, thotë se dëshiron të mbetet Anfield dhe në të ardhmen t’i gëzohet trofeut të parë.
Kuyt për momentin është në Afrikën e Jugut ku me kombëtaren e Holandës është duke u përgatitur për finalen e Kupës së Botës. Mediat spekulojnë se holandezi do të mund ta ndjekë Rafa Benitez dhe të transferohet te Inter, por Kuyt thotë se ai dëshiron të mbetet në Liverpool.
“Sigurisht se dua të mbetem. Liverpooli është një klub i madh me shumë histori. Për fat të keq në katër vitet e mia këtu nuk kam fituar asgjë, por shpresoj se në të ardhmen do të fitoj trofe, ende e kam këtë shans. Do të shohim çfarë do të ndodhë, por shpresoj se menaxheri dëshiron që unë të qëndroj”, ka thënë Kuyt.
Nën-kampioni i Serie A, Roma, raportohet se ka arritur marrëveshje me klubin rumun Dinamo Bukuresht, për të nënshkruar me portierin Bogdan Lobont.
Gialorosët do t’i paguajnë Dinamos së Bukurureshtit afro një milionë euro për të transferuar portierin e kombëtares rumune.
Lojtari prite të nënshkruajë kontratë tre vjeçare me klubin e kryeqytetit italian, e cila do t’i sjellë atij afro një milionë euro në vit.
Ylli spanjoll i tenisit, Rafael Nadal, është bërë aksionar në Real Mallorca.
Nadal do të prezantohet në bordin e drejtorëve nga Fernando Martos, i cili do të jetë drejtor marketingu për klubin.
“Ne duam të punojmë shumë për t’u siguruar se Mallorca do të jetë një përfaqësuese e denjë e shoqërisë dhe të ketë një të ardhme të garantuar”, ka thënë presidenti i ri Josep Pons.
Pons ka shtuar se përfshirja e Nalad në klubin e qytetit të tij nxjerr në pah seriozitetin e projektit të ri.
Reali i Madridit ka kontaktuar me agjentin e mesfushorit të Stuttgart, Sami Khedira, shkruajnë mediat spanjolle.
AS raporton se përfaqësues të klubit spanjoll gjatë kësaj jave janë takuar me përfaqësuesin e Khedira, Jörg Neubauer.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho, e sheh mesfushorin gjerman si një opsion të shkëlqyeshëm për mesfushën e tij. Reali dëshiron të ofrojë 10 milionë euro për gjermanin, i cili ka edhe më pak se një vit të mbetur nga kontrata e tij me Stuttgartin.
Sulmuesi i Barcelonës, Keirrison, raportohet se do të huazohet te klubi brazilian Santos.
AS shkruan se trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka dhënë miratimin e tij pasi ka vendosur se sulmuesi nuk është i gatshëm të garojë në ekipin e parë në Nou Camp.
Keirrison nënshkroi me Barcelonën për pesë sezone nga Palmeiras, që fitoi 14 milionë euro nga ky transferim, por kaloi kohë të vështira i huazuar te Benfica dhe Fiorentina.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, u shpreh të jetë mjaft i zhgënjyer me transferimin e befasishëm të Lorik Canës në klubin turk Galatasaray, duke vënë theks të veçantë në qëndrimin e Canës prej një kapiteni të vërtetë.
“Stili i lojës së Lorikut dhe qëndrimi i tij e kanë bërë atë një zgjedhje natyrale si kapiten sezonin e kaluar, por kur ai erdhi në stërvitjet parasezonale, ishte e qartë që ai kishte dëshirë për t’u kthyer në garat evropiane”.
“Turqia është më afër Kosovës, ku janë familja dhe rrënjët e tij, ndërsa për këtë arsye është më e lehtë për të t’i shohë ata më rregullisht. Ne e falënderojmë Lorikun për kohën e tij këtu dhe i dëshirojmë çdo të mirë në të ardhmen”, ka thënë Bruce.
Mbrojtësi i Spanjës, Carles Puyol, beson se Furia e Kuqe është në finale sepse e meriton të jetë dhe është i bindur në fitore ndaj Holandës në finalen e madhe të Johanesburgut.
“Ne jemi aty ku meritojmë të jemi. I gjithë ekipi mezi e pret ndeshjen, pasi që dëshiron të bëjë diçka të madhe. Ndeshja ndaj Holandës do të jetë e komplikuar. Ne jemi dy ekipe që kanë talent dhe vullnet të madh për ta fituar titullin”.
“Një finale gjithmonë është me gjasë 50-50. Në fillim ishim gjithashtu favoritë, por kur humbëm ndaj Zvicrës, ishte një katastrofë”, theksoi Puyol.
I pyetur nëse ndeshja ndaj Holandës të dielën do të jetë e fundit për të në kombëtaren spanjolle, ai tha: “Çfarë qëndron përpara është shumë e mirë, kështu që do të ketë mjaft kohë për të vendosur. Vendimi ende nuk është marrë”.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka deklaruar se ai nuk planifikon që të ndryshojë diçka në ekipin e Spanjës para finales së madhe të së dielës ndaj Holandës.
“Ne kemi mbajtur një bllok të caktuar lojtarësh në këto gjashtë ndeshje, kështu që unë nuk mendoj se do të ketë shumë ndryshime. Ne jemi të kënaqur me lojën e Pedros. Ne kemi kërkuar që ai ta sulmonte Philipp Lahmin dhe jo të mbrohet. Nëse Torres ka luajtur në pesë ndeshjet e para, kjo është për shkak se ai është në formë të mirë fizike”.
“Ne do ta përfundonim që tani gjysmën e punës nëse na garantohet një mbrojtje e hekurt sikurse ndaj Portugalisë dhe Gjermanisë”, citohet Del Bosque nga AP.
Presidentja e Romës, Rosella Sensi, ka nënshkruar shitjen e klubit të saj, Roma, por do të mbetet në postin e presidentes derisa të gjendet një blerës i ri.
Roma i ka borxh bankës Unicredit hiç më pak se 325 milionë euro nga kredia e marrë për shpëtimin e klubit, ndërsa për të shpëtuar nga falimentimi i kompanisë së saj Italpetroli, Sensi ka nënshkruar shitjen e Romës, me ç’rast është shlyer borxhi prej 325 milionë eurosh dhe Sensi do të fitojë edhe 30 milionë euro tjera për asetet në klub.
Rosella Sensi do të qëndrojë në postin e presidentes së Romës derisa Unicredit të gjejë një blerës të ri të klubit.