Gjermania është kombëtarja e tretë më e mirë në Kupën e Botës, Afrika e Jugut 2010, pikërisht ashtu siq ka parashikuar edhe Oktapodi Paul pasi ka mposhtur Uruguain me rezultat 3-2 në ndeshjen e zhvilluar në Nelson Mandela Bay Stadium në Port Elizabeth.Mbase pa presionin e të luftuarit për titull, të dyja ekipet zhvilluan një lojë të hapur duke krijuar mjaft raste dhe nuk munguan as golat.
Gjermanët patën iniciativën të parët dhe arritën të kalojnë në epërsi falë një goli të shënuar nga i rikthyeri në ekip, Thomas Muller (19’). Pas një goditje nga largësia të Bastian Schweinsteiger, portieri Fernando Muslera largon topin, që arrin në këmbët e Muller, i cili nuk fal nga afërsia.
Por pas gati dhjetë minutash lojë të zgjedhur e trajnerit Oscar Tabarez arritën të barazojnë rezultatin. Pas një harkimi në zonë të të rikthyerit te Uruguai, Luis Suarez, Edinson Cavani shënon në portën e portierit gjerman Manuel Neuer.
Pjesa e dytë filloi në favor të Uruguait, por përfundoi keq për ta. Pesë minuta në pjesë të dytë, një harkim i Egidio Arevalo u shfrytëzua nga Diego Forlan që shënoi një gol të shkëlqyeshëm për të kaluar amerikano-jugorët në epërsi.
Por pas pesë minutash tjera, gjermanët arritën të barazojnë rezultatin. Një harkim i Jerome Boateng, gjen Marcell Jansen që shënon pas një reagimi të dobët të portierit Muslera.
Edhe pse uruguaianët krijuan disa raste, ishin gjermanët ata të cilët tetë minuta para fundit të ndeshjes shënuan golin e fitores. Një harkim nga këndi i Mesut Ozil, shkaktoi huti në mbrojtjen uruguaiane, dhe aty më së miri u gjend Sami Khedira që vulosi fitoren e gjermanëve.
Diego Forlan pati rastin të rikthejë Uruguain në lojë, por vetëm preku vetëm shtyllën me një goditje nga gjuajtja e lirë në minutën e fundit të kohës shtesë.
Kjo është hera e dytë radhazi që Gjermania fiton vendin e tretë në Botëror, ndërsa po ashtu hera e dytë që fiton për këtë pozitë ndaj Uruguait. Kjo e fundit për herë të parë kishte arritur deri në këtë shkallë në një Botëror në vitin 1970, kur po ashtu ishte mposhtur nga Gjermania Perëndimore aso kohe.
Sulmuesi i Spanjës, David Villa, është një nga golashënuesit më të mirë të këtij Botërori me pesë gola, por anësori i Holandës, Arjen Robben, më shumë frikësohet nga mesfusha e Spanjës se nga vetë David Villa.“Ata që duhet t’i shikojmë janë Xavi dhe Iniesta, që të dy e bëjnë lojën e Spanjës dhe ia japin topat Villas. Ne nuk duhet t’i lejojmë ata të luajnë, të kenë liri. Ne duhet t’i mbajmë ata shumë mirë, sepse nëse u japim hapësirat më të vogla, atëherë ne do të kemi probleme”.
“Ne kemi një bllok shumë solid, me dy mesfushorë si Nigel de Jong dhe Mark van Bommel, të cilët të dy janë referencat tona, si dhe katër mbrojtës të cilët janë prapa tyre. Ata janë forca kryesore e ekipit tonë. Dhe më pas kemi katër futbollistë me cilësi individuale që mund ta bëjnë diferencën. Ata mund të vijnë nga askund për të shënuar gol. Ne do ta fitojmë finalen”, deklaroi Robben për De Telegraaf.
Roma ende nuk është dorëzuar për mbrojtësin e Interit, Nicolas Burdisso, pasi dëshiron t’ia ofrojë Interit 4 milionë euro plus Philippe Mexesin si pjesë të marrëveshjes.Nerazzurët kanë luajtur si kanë dashur me Romën sa i përket Burdissos, ndërsa gjithë kjo për shkak të një acarimi të vjetër për Julio Baptistan.
Sipas Libero, Benitezit i pëlqen Mexesi dhe romakët mund të shqyrtojnë përfshirjen e francezit në një ofertë për transferimin komplet të kartonit të Burdissos.
Njeriu që pritet ta drejtojë ndeshjen më të rëndësishme të vitit, Howard Webb, ka deklaruar se ai nuk ka kurrfarë konflikt interesi me ekipet që do të ndeshen në finale, duke hedhur poshtë spekulimet e mediave spanjolle se gjyqtari anglez do ta favorizojë Holandën.Webb e drejtoi dhe ndeshjen Spanjë-Zvicër, të cilën e fitoi Zvicra me rezultat minimal, ndërsa mediat spanjolle kanë thënë se Webb ka marrë disa vendime të padrejta për Spanjën.
“Nuk jam në dijeni për këto spekulime. Nga këndvështrimi ynë, ndeshja shkoi vërtetë lehtë. Ajo nxori në fund të ndeshjes një rezultat befasues dhe në fakt Spanja pësoi humbje, por nga këndvështrimi jonë ishte lojë e pastër. Natyrisht, unë hyj në ndeshjen e nesërme pa konflikt interesi për çdo skuadër ose lojtarë që do të marrë pjesë në finale”, tha Webb.
Spanja dhe Holanda takohen të dielën në finalen e madhe të Johannesburgut për Kupën e Botës 2010 dhe njëri ndër futbollistët më të mirë të këtij Botërori, Thomas Muller, ka thënë se Spanja do ta fitojë titullin e më të mirit të globit.“Për potencialin që kanë, Spanja do të jetë kampione. Ata janë një grup fantastik, shumë mirë i organizuar dhe shumë kreativ në sulm, me futbollistë të klasit botëror. Është e vërtetë se ata nuk kanë luajtur mirë siç kanë qenë pritjet, por ata kanë mësuar se si të fitojnë. Natyrisht, unë do të mbështes dy kolegët e mi, Mark van Bommel dhe Arjen Robben. Por, para së gjithash pres një ndeshje të mrekullueshme”, tha Muller.
Ai shtoi se komplimentet që ka marrë në Afrikën e Jugut kanë qenë për shkak të paraqitjeve të mira dhe si faktor për suksesin e tij e ka cekur mos ndikimin nga presioni.
Red Bull ka arritur që të sigurojë dy pozitat e para startuese në kualifikimet për Çmimin e Madh të Britanisë.Sebastian Vettel do të niset nga pozita e parë startuese ndërsa nga pozita e dytë do të niset Mark Webber. Fernando Alonso ka siguruar pozitën e tretë me kohë 0.811 sekonda më të dobët se Vettel.
Lewis Hamilton zuri vendin e katërt në një fundjavë të vështirë për të ashtu si për bashkëkombësin e tij, britanikun Jenson Button që do të niset nga pozita e 14-të.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka zbuluar se ai do të dëshironte të transferonte mesfushorin brazilian, Kaka, por pranoi se nuk ka gjasa që Reali ta lejojë atë të largohet.“Kaka do të luante mirë për mua sepse unë kam biseduar me të gjatë gjithë kohës. Por, fatkeqësisht ai nuk mund të vijë këtu, së pari Reali nuk dëshiron ta shesë atë, së dyti ne do të duhet të pajtoheshim me shumën e transferimit dhe së treti ky do të ishte operacion multi-milionësh. Asnjë prej këtyre kushteve nuk ekzistojnë këtu”.
“Ibra? Nëse keni një sulmues si Drogba që shënon 37 gola atëherë pse duhet të kërkoni një sulmues tjetër?”.
“Manchester City? Ata po shpenzojnë shumë dhe Roberto Mancini po e pajis skuadrën. Të presim dhe të shohim, ata gjithashtu do të transferojnë Aleksandar Kolarovin dhe Edin Dzekon”, u shpreh Ancelotti.
Wesley Sneijder ka falënderuar të gjithë tifozët e Interit për mbështetjen që i kanë dhënë atij në kohën kur ai po përgatitet për finalen e Botërorit ndaj Spanjës.“Së pari, ju faleminderit. Ju faleminderit sepse unë ndjeva një afeksion në të cilin tifozët e Interit më ndoqën gjatë gjithë suksesit në Botëror. Unë e di se ju më mbështetët larg nga këtu, një gjë e mirë dhe afeksionuese edhe pse këtu jam duke e bartur fanellën e Holandës”.
“E diela është finalja e katërt në shtatë muaj fantastikë. Pas Romës, Sienës dhe Madridit, tri vende të paharrueshme të suksesit Nerazzur, unë do të përballem me Spanjën në një ndeshje që secili fëmijë e ëndërron që nga momenti kur ai e blen topin e parë. Unë jam i bindur se do ta ndjej mbështetjen e tifozëve të Interit që nga momenti kur do të hyj në fushë. Si gjithmonë, unë do të jap më të mirën për të mos ju zhgënjyer. Shihemi, i juaji Wesley”, thuhet në një letër të Sneijder për faqen zyrtare të kampionit të Evropës, Inter.
Ish-trajneri i Barcelonës, Terry Vanables, beson se Carles Puyol është pika e dobët e Spanjës para finales së madhe që zhvillohet nesër në stadiumin Soccer City të Johannesburgut.“Nuk ka dyshim se Carles Puyol është mbrojtës i shkëlqyer. Por, ndodh që ylli i Barcelonës dhe partneri i tij Gerard Pique kanë apetit për të luajtur më shumë futboll se që duhet. Asgjë nuk është e gabuar këtu, pasi që të dy kanë kontroll të mirë të topit. Por, ata shpeshherë bëjnë dy ose tri prekje të tepërta të topit të cilat janë të mjaftueshme për ta vënë veten në rrezik. Së bashku me mbrojtësin e djathtë, Sergio Ramos, besoj se në ta ekziston një gabim më vete”.
“Ata nuk kishin telashe ndaj gjermanëve defensivë, por nëse holandezët bëjnë presion, atëherë ata mund të shpërblehen, sidomos kur e ka topin Iker Casillas. Holanda mund të mësojë nga gabimet e gjermanëve dhe ta fitojë finalen. Nëse Robin Van Persie bën presion në mbrojtjen e dobët të lartpërmendur dhe nëse Wesley Sneijder e detyron mesfushën e Spanjës ta mbajë topin në fushën e vet, atëherë do të jetë shumë e vështirë për kampionin e Evropës”, deklaroi Vanables për The Sun.
Sumuesi i Interit, Mario Balotelli, u ka dhënë sinjale pozitive skuadrave të interesuara për të, si Manchester City dhe Manchester United, të cilëve u ka kujtuar se e ardhmja e tij është e paqartë.“Roberto Mancini? Ai është trajner i madh. Ai ma dha debutimin në Serie A dhe unë e adhuroj atë shumë, për arsye se ai është mik i imi. United është gjithashtu klubi i madh dhe interesimi i tyre do të thotë se nuk jam aq i dobët sa kam menduar”.
“Për të ardhmen time gjithmonë them ‘nuk e di’. Një vit i rëndësishëm është para meje sa i përket karrierës time. Tani për tani jam në pushime dhe dua ta filloj mirë sezonin e ri. Nëse dëshironi të dini më shumë ju duhet te pyesni agjentin tim Mino Raiola”.
“Moratti dhe fjalët e mira të tij? Është mirë që presidenti thotë gjëra të tilla dhe që më konsideron lider të klubit, por unë duhet të luaj. Unë nuk mund të jem lider dhe të mos luaj”, deklaroi Balotelli për Il Corriere dello Sport.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është duke punuar në një plan për transferimin e mbrojtësit e Interit, Christian Chivu, njofton Sport.Mourinho ka biseduar me Florentino Perezin të cilit ia ka kërkuar mbrojtësin rumun, pasi mësoi se transferimi i Giorgio Chiellinit nga Juventusi është i pamundur. Transferimi i Chivus mund t’i hapë rrugë kalimit të Maicon, negociatat për të cilin kanë stagnuar.
Mourinho e kërkon Chivun për shkak se Marcelo nuk është i mjaftueshëm për krahun e majtë. Sidoqoftë, Massimo Moratti thuhet se nuk është i gatshëm t’i shesë lojtarët e tij, pasi ka kërkuar nga Benitez t’i mbajë ata.
Cesc Fabregas ka thënë se tifozët e Arsenalit duhet të jenë krenarë që dy lojtarë të klubit nga Emirates do të luajnë në finalen e madhe të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.“Në ekipin kundërshtar gjendet kolegu im, Robin van Persie. Unë kam shkëmbyer mesazhe me të dhe e kam kuptuar se mënyra e vetme për t’u përballur do të ishte finalja. Ne kemi bërë shaka me këtë në fazat e hershme, por ja që vërtetë ndodhi”.
“Është mirë për ne dhe është mirë për Arsenalin që ka dy lojtarë në finalen e Botërorit. Është pak e çuditshme… Arsenali është kthyer në stërvitje kurse ne jemi këtu duke përfunduar sezonin. Unë e di se ku kam dëshirë të jem dhe këtë e di edhe Van Persie. Ai është lojtar i mirë dhe shumë i rrezikshëm”, tha Fabregas.
Ish-përzgjedhësi i Brazilit, Carlos Dunga, ka marrë gjithë përgjegjësinë për eliminimin e hershëm nga Kampionati Botëror, duke thënë se për këtë nuk janë fajtorë lojtarët.“Lojtarët dhanë gjithçka. Unë nuk kam çfarë të kërkoj nga ata. Ne bëmë atë që kemi mundur të bëjmë. Ndërgjegjja ime është shumë e qartë. Unë kam dashur të fitoj, por kjo nuk ndodhi. Çfarë mund të them tjetër”, tha Dunga për një gazetë braziliane.
Ish-trajneri i Milanit, Leonardo, është favoriti kryesor për të marrë nën drejtim kombëtaren braziliane.
Sulmuesi në largim i Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, mund ta shohë veten shumë shpejtë në Allianz Arena, pas interesimit të shtuar të Bayern Munichut për të.Il Corriere dello Sport pohon se Milani mund ta transferojë Huntelaarin te kampioni i Gjermanisë, pasi Louis Van Gaal po e kërkon sulmuesin bashkëkombës të tij.
Një largim i Huntelaar mund t’i hapte rrugë një transferimi të Zlatan Ibrahimovic apo Luis Fabianos në San Siro.
Mediumet spanjolle kanë zbuluar se në kontratën e trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, ekziston një klauzolë që i mundëson atij të largohet kur të dëshirojë.AS pohon se Mourinho mund të largohet në fund të secilit nga katër sezonet që ai ka në kontratë me Realin, pa kurrfarë kompensimi për asnjë palë.
Mourinho konsiderohet si pasuesi i Sir Alex Fergusonit te Manchester Unitedi dhe kjo pritet të ndodhë kur skocezi të penzionohet.
LeBron James ka konfirmuar për televizionin amerikan ESPN se ai do të kalojë te skuadra Miami Heat, ku pritet t’i bashkohet Dwayne Wade për të formuar partneritetin më të fuqishëm në NBA.LeBron James me këtë deklaratë ka përfunduar një nga sagat më të gjata në histori të sportit amerikan, pasi është spekuluar shumë për të ardhmen e tij. James pohon se ky vendim erdhi pas shtatë vitesh pa kurrfarë suksesi te Cleveland Cavaliers.
“Nuk mund të them se ky transferim ishte në planet e mia, sepse unë kurrë nuk e kam menduar se kjo është e mundshme. Por, gjërat që ka bërë hierarkia e Miami Heat për të krijuar hapësirën dhe për të mundësuar bashkimin tim me Dwayne Wade, ishte e vështirë të refuzohej. Dwayne Wayde the Chris Bosh janë dy lojtarë të mëdhenj, dy nga lojtarët më të mëdhenj sot në NBA”, ka thënë LeBron James.
Detajet e kontratës dhe kompletimi i saj pritet të bëhet në ditët në vijim nga zyrtarët e Miami Heat.
Arjen Robben ndjehet keq që gjermanët nuk kanë arritur të kualifikohen në finale dhe ka pranuar se në ndeshjen për pozitën e tretë ai do të bëjë tifo për Gjermaninë.“Ndjehem mrekulli meqë jemi në finale pas një pauze prej 32 vitesh. Por, në luftë për pozitën e tretë është normale se do të bëj tifo për Gjermaninë, ku luajnë një numër i madh i kolegëve të mi të klubit”.
“Pas fitoreve ndaj Anglisë dhe Argjentinës, ata merituan të jenë në një finale të madhe. Në fakt, kjo ishte ëndrra ime. Finalja Holandë-Gjermani, në të cilën ne do të fitonim, pasi nëse do të kthehesha si humbës, do të isha i detyruar të gjeja klub të ri”, ka thënë me shaka Robben.
Mesfushori i Holandës, Mark van Bommel, mendon se kombëtarja e tij do të duhet të bëjë gjithçka për të neutralizuar sulmet e Spanjës në finalen e Kupës së Botës.Van Bommel, i cili një pjesë të karrierës së tij e ka kaluar në fanellën e Barcelonës, i njeh mirë një pjesë të madhe të lojtarëve spanjoll, andaj është edhe i vetëdijshëm për kualitetet e tyre.
Sipas tij, Andres Iniesta dhe Xavi janë futbollistët të cilët me çdo çmim duhet të mbyllen mirë, pasi rreziku më i madh vjen prej tyre.
“Spanja luan në mënyrë spektakolare dhe do të jetë vështirë t’i ndalojmë. Duhet ta thyejmë mesfushën e tyre, pasi Xavi dhe Iniesta janë më të mirët në botë në pozitat e tyre”.
“Megjithatë, ne jemi të gatshëm për një betejë të madhe. Në finale, do të duhet ta tregojmë lojën tonë më të mirë deri tash, por nëse fitojmë, titulli do të jetë plotësisht i merituar”, ka thënë Van Bommel.
Barcelona dëshiron të marrë shërbimet e sulmuesit të Milanit, Alexandre Pato, si pjesë e marrëveshjes për transferimin e Zlatan Ibrahimovic në kahe të kundërt.Sipas sportives katalunase Sport, drejtuesit e Barcelonës vazhdojnë t’i shohin të gjitha opsionet e mundshme për atë se si ta lirojnë Zlatan Ibrahimovic. Edhe pse qëndrimi zyrtar i drejtuesve të klubit është se Ibrahimovic nuk është në shitje, mediat nuk ndalojnë së shkruari për largimin e tij nga Nou Camp.
Një prej opsioneve që është përmendur së fundi është kalimi i suedezit në Milan, klub i cili megjithatë nuk ka para për të paguar transferimin e tij. Por zgjidhja mund të jetë te përfshirja e ndonjë lojtari në marrëveshje.
Sport shkruan se Barcelona është e interesuar që si shkëmbim për Ibrahimovic të përfshihet Alexandre Pato. Por vetë lojtari mbrëmë tha se planifikon ta mbyllë marrëveshjen e tij në Milan, e cila zgjat deri në vitin 2014.
Portieri i Spanjës, Iker Casillas, ia ka tërhequr vërejtjen skuadrës së tij të mos fokusohet vetëm te Arjen Robbeni, pasi Holanda ka arritur deri në finalen e Botërorit të sivjetmë vetëm me lojë ekipore.“Ndeshja ndaj Holandës është më e rëndësishmja në historinë tonë. Por, ne nuk jemi ende kampionë. Ka ndjenja konfliktuoze, ne ose kemi shumë besim se do të fitojmë, ose kemi shumë frikë se do të humbasim”.
“Nuk mendoj se ata janë defensivë. Ata kanë lojtarë të shpejtë si ne, ata do të vazhdojnë ta kultivojnë stilin. Ne e dimë se Robben është i shpejtë, i fuqishëm dhe i fortë. Unë jam i brengosur nëse ai godet nga distanca, ne duhet të tentojmë ta mbulojmë atë. Holanda nuk është vetëm Robben. Ata janë të fortë edhe në mbrojtje dhe mesfushë. Sneijder dhe Kuyt janë gjithashtu të rëndësishëm dhe të rrezikshëm”, ka thënë Casillas.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, ka konfirmuar bisedat me mbrojtësin e Arsenalit, Sol Campbell.Campbell është lojtar i lirë pasi u largua nga Arsenali në fund të sezonit të kaluar dhe së fundi është kërkuar edhe nga Bruce.
“E njoh Sol Campbell për shumë vite dhe ishte kënaqësi ta shoh atë. Ne u takuam për të parë cilat janë idetë e tij dhe çfarë dëshiron ai. Ishte takim shumë pozitiv dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Bruce.
Mesfushori i Real Madridit, Rafael Va der Vaart ka thënë se Holanda meriton respekt për arritjen e finales së këtij Botërori.“Ky ekip ka një seri prej 25 fitoreve radhazi dhe ne meritojmë respekt. Ne jemi një ekip më solid se në Gjermania 2006. Ne do të tentojmë të luajmë mirë, por nuk do të jetë gjithnjë e mundshme sepse disa kundërshtarë nuk na e lejojnë këtë. Ne nuk jemi një ekip defensiv dhe kurrë nuk kemi ndryshuar mënyrën se si luajmë. Ne kemi luajtur mirë”.
“Ekipet holandeze të viteve ’74 dhe ’78 janë legjenda të cilët kanë pasur shumë ndikim në ne, por ky grup po e krijon historinë e vet. Ne duam ta fitojmë Botërorin. Ne kemi pasur besim që nga dita e parë dhe kurrë nuk kemi menduar ndryshe. Na ka mbetur vetëm edhe një ndeshje. Ne kurrë nuk kemi dyshuar në vetvete që prej gjashtë javësh sa jemi këtu. Ne e kemi ditur se kemi gjasa. Ne kemi lojtarë të cilët luajnë për ekipet më të mira në Evropë”, deklaroi Van der Vaart.
Manchester City do të sfidojë titullin e Ligës Premier këtë sezon, sipas mesfushorit Patrick Vieira.Vieira, fitues i titullit me Arsenalin para se të transferohej në Serie A, ka thënë se koha e Cityt po vjen, derisa ekipi po përgatitet për ndeshjen e parë të sezonit kundër Tottenhamit, që zhvillohet më 14 gusht.
“Ishte një ndeshje zhgënjyese kundër Spurs në maj, që nënkuptoi të mos kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve. Ishim aq afër. Por mendoj se ka shumë gjëra pozitive për t’i marrë nga sezoni i kaluar, dhe do të jetë vërtet ngazëlluese këtë herë”.
“Ajo që është më e rëndësishme është se ekipi po përmirësohet. E siguroj ekipin se ne mund ta arrijmë cakun tonë me nënshkrimet e reja – do të jetë vërtetë ngazëlluese”, ka thënë ish-kapiteni i Francës për faqen e Cityt.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, është mjaft i brengosur për kundërshtarin e finales, Holandën, për të cilin mendon se ka shumë të talentuar më vete.“Ata janë të ngjashëm si ne, lojtarë me teknikë të mrekullueshme në mesfushë. Lojtarë të cilësisë së lartë, shumë të shpejtë, të cilët nuk improvizojnë ashtu si ne, por luajnë një lojë më të rrezikshme dhe më të drejtpërdrejtë. Një ekip shumë i rrezikshëm”.
“Nuk e di se si do të reagoj. Këto janë gjëra spontane, të pre-fabrikuara dhe unë kënaqem në vete sa herë shënojmë gol. Nuk jam i njohur për shprehje të emocioneve nga jashtë”, deklaroi Del Bosque.
Manchester City i është bashkuar garës për të transferuar mbrojtësin e Ajaxit, Gregory van der Wiel.Ajax mohoi dje raportet se kishte pranuar ofertë nga klubi gjerman Bayern Munich për mbrojtësin e majtë holandez.
Derisa Chelsea është lidhur po ashtu me Van der Wiel, burime nga Holanda bëjnë të ditur se tash edhe City po përgatit ofertë për lojtarin. Zyrtarët e Cityt e shohin holandezin si më të vlefshëm se sa mbrojtësi i Lazios, Aleksandar Kolarov, i cili vlerësohet me 19 milionë euro.
Sulmuesi i Tottenhamit, Jermain Defoe, thotë se ai është i lumtur që është pjesë e ekipit të Harry Redknapp.Defoe beson se ai është duke luajtur futbollin më të mirë nën drejtimin e Redknapp.
“Harry është i shkëlqyeshëm. Mund të flisni me të për gjithçka. Kjo është e rëndësishme. Jetoni jetë normale dhe mund të keni probleme dhe kur keni raporte të mira me menaxherin, mund të flisni me të për këtë. Ai është 'cool' ”, ka thënë Defoe.
Massimo Moratti dhe Enrico Preziosi janë dënuar për parregullsitë në transferimin e Diego Militos dhe Thiago Mottas te Interi, njoftoi FIGC (federata italiane) nëpërmjet faqes zyrtare.Komisioni Italian Disiplinor ka bërë publik vendimin të premten ndërsa që të dy presidentët do të dënohen për një numër transferesh të parregullta që kanë kryer mes vete.
Moratti është i suspenduar nga aktivitetet e tij për tri muaj, ndërsa do të paguajë edhe 45 mijë euro tjera. Preziosi, i cili u suspendua më herët, do të paguajë 90 mijë euro dhe është i suspenduar edhe për gjashtë muaj të tjera. Është thënë se këto masa të marra nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) janë të lehta, pasi u përfol për një heqje pikësh për të dy skuadrat.
Zyrtarë tjerë të klubeve mund të vazhdojnë angazhimet e tyre në tregun e transferimeve, pasi presidentët janë të ndaluar ta bëjnë këtë derisa t’u mbarojë dënimi, kështu që merkatot e të dy skuadrave nuk do të jenë të prekura nga këto dënime.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, ka kërkuar përkushtim maksimal nga lojtarët e tij në ndeshjen për vendin e tretë ndaj Gjermanisë, pasi meqë nuk mundi ta fitojë të parin, ai së paku e do të tretin.“Po, vendi i tretë dhe i katërt nuk është njëjtë sikurse top dyshja, por ne do t’i hyjmë ndeshjes me përkushtim të njëjtë dhe entuziazmin e njëjtë si ndaj Holandës. Ne nuk kemi garanci se do të fitojmë, por do të përgatitemi për një luftë deri në vdekje”.
“Sfida për Uruguain është që të përfundojë në vendin e tretë në Kampionat Botëror. Unë e njoh Gjermaninë dhe ata do të na e bëjnë të vështirë për ne, kështu që duhet të luftojmë shumë për të fituar”, deklaroi Tabarez.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, është hospitalizuar pasi ka pësuar kolaps në një restaurant të Johannesburgut, vetëm dy ditë para finales së madhe të Botërorit, Afrika e Jugut 2010.Platini ishte duke darkuar me mysafirë të tjerë në restorantin Pigalle të Johannesburgut të premten mbrëma, para se të pësonte kolaps dhe të dërgohej me urgjencë në spital. Tabloidet angleze spekulonin për një infarkt të kreut të UEFA-s, por që këto më pas u mohuan nga zëdhënësit.
“Unë kam biseduar me asistentin e tij i cili ishte me të gjatë gjithë kohës dhe ai më ka thënë se është një zalisje e cila ka ardhur për shkak të ushqimit jo të rregullt, të ardhur si pasojë e ftohjes. Ai është në vetëdije dhe është shëndoshë. Spitali do të duhet të nxjerrë dhe testet tjera. Kur një person i mirënjohur pëson kolaps, ata e bëjnë këtë. Më kanë thënë të mos brengosem, nuk është asgjë serioze”.
“Kur njerëzit pësojnë kolaps atëherë ata e mendojnë më të keqen. Është një reagim normal njerëzor. Disa minuta më parë një person që ishte me të më tha të mos brengosem, nuk është asgjë serioze dhe se këto gjëra ndodhin. Shumë njerëz janë të ftohur këtu në Afrikën e Jugut, kanë grip. Është dimër. Ky është sqarimi më i mirë”, tha këshilltari i Platinis, William Gaillard.
















