Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Armando Maradona, është ende i frustruar për eliminimin e turpshëm në Botërorin e sivjetmë, por nga ana tjetër trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, e ka ftuar atë në Napoli për një vizitë.“Ai është mirë, por i frustruar me eliminimin nga Botërori në Afrikën e Jugut. Ai po reflekton, por nuk ka rënë në depresion. Ai është mirë, më mirë se që kam menduar. Ndeshja ndaj Gjermanisë ishte e rëndë, kam menduar se ai do të jetë në gjendje më të keqe. Nuk e kam parë atë duke u dorëzuar. Ai vetëm është i frustruar dhe i pikëlluar, por ai është duke reflektuar”, deklaroi për Tuttosport mjeku personal i Maradonas, Alfredo Cahe.
Maradona ishte lidhur me një kalim te Napoli si trajner i skuadrës napolitane, pasi kishte aluduar se koha e tij ka kaluar me kombëtaren argjentinase. Trajnerit aktual të Napolit, Walter Mazzarri, i vjen mirë që karrigia e tij po lëkundet nga një legjendë si Maradona, duke e ftuar atë për një vizitë miqësore.
“Unë jam krenar që pankina ime po lidhet me një kampion të botës si Maradona. Ndoshta ai mund të vijë këtu për një seancë stërvitore, unë do ta mirëprisja atë krahëhapur”, theksoi Mazzari për La Gazzetta dello Sport.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Robinho, që kohë më parë kishte deklaruar se nuk ka ndërmend të kthehet te Manchester City, ia ka hapur dyert një kalimi të mundshëm te Barcelona, por këtë nuk e bëri dhe klubi katalanas.Sipas Sport, Blaugranët kanë vendosur të mos bëjnë ofertë për Robinhon gjatë kësaj vere, pasi që Pep Guardiola e ka bërë të qartë se ai nuk e dëshiron ish-yllin e Real Madridit. Guardiolës është thënë se i pëlqen Robinho dhe cilësitë e tij prej futbollisti, por Pep frikësohet se sjellja e tij jashtë fushës mund ta shpërqendrojë ekipin dhe për këtë shkak e ka përjashtuar një transferim të brazilianit.
Mbetet të shihet nëse Robinho do të kthehet në Manchester City, me bosin Roberto Mancini që nuk ka nevojë për sulmuesin, e që tani pret një ofertë të mirë për ta shitur sulmuesin kreativ brazilian.
Sipas agjentit të Javier Mascheranos, Walter Tamer, mesfushorit argjentinas i pëlqen ideja që të ribashkohet me trajnerin e Interit, Rafa Benitez.“Është e qartë që atij i pëlqen të kërkohet nga një klub i madh. Vitin e kaluar, kampioni i Evropës Barcelona e kërkoi atë. Fituesi i këtij viti të Ligës së Kampionëve, Interi, e kërkon atë. Besoj se ky është rekord, por Mascherano nuk ka biseduar me Roy Hodgson ose me Liverpoolin”.
“Për të, interesimi i Interit ka vlerë të madhe. Të mendojë për atë se, ekipi më i fortë është pas tij, ku shumë bashkëkombës të tij luajnë aty dhe ku është trajneri ndaj të cilit ka afeksion të veçantë, vërtetë është fantastike. Prestigjin e Interit e njohin të gjithë. Për të, kjo është një ëndërr. Nëse do të varej nga Mascherano, transferimi do të ishte i lehtë, por ai ka kontratë me Liverpoolin dhe kështu të dyja klubet duhet ta arrijnë marrëveshje”.
“Ne do të gjykonim një transfer te Interi me dëshirën më të madhe. Vitin e kaluar Benitez u kishte thënë ‘jo’ shpenzimeve të mëdha, por ky është një treg më ndryshe. Çmimi i kontratës së Javier Mascheranos nuk më është komunikuar. Unë pres një telefonatë sepse jam i vetmi person i autorizuar për të folur për ndonjë transfer eventual”, deklaroi Tamer për Il Corriere dello Sport.
Nëse janë për t’u besuar spekulimet e Il Corriere dello Sport, atëherë lojtari i ardhshëm i Milanit pritet të jetë Lukas Podolski, që shihet si një sulmues i shumanshëm, që di të luajë si në qendër ashtu dhe në krah.Me suedezin Zlatan Ibrahimovic që duket të jetë kafshatë shumë e madhe për Milanin për shkak të çmimit, duket se Rossonerët janë kthyer kah sulmuesi gjerman që vlerësohet rreth 12 milionë euro. Megjithatë, edhe 12 milionë euro janë shumë për Milanin, por thuhet se paratë do të kompensohen nga shitja e Klaas-Jan Huntelaarit.
Podolski, 25 vjeç, ka vuajtur në Bundesliga viteve të fundit duke shënuar vetëm 17 gola në 98 paraqitje, përkundër faktit se ka shënuar 40 herë në 70 paraqitje për Gjermaninë. Podolski ka ende potencial dhe prandaj sulmuesi me origjinë polake mund ta provoj fatin në Serie A.
Ish-drejtori i Juventusit dhe njëherit njeriu më kontrovers në futbollin italian, Luciano Moggi, sipas spekulimeve të mediumeve në Apenine, së shpejti pritet të bëjë një ofertë për të marrë nën drejtim Romën dhe atë si pronar.Forzaromainfo.it shkruan se gazetari i Mediaset, Maurizio Pistocchi, i ka thënë Radio Incontros se një ‘drejtor i suspenduar dhe që ka qenë një kohë të gjatë i bombarduar nga federata’ është duke kooperuar në çështjen e pronarit të ri të Romës.
Sipas gjithë kësaj, Moggi si duket do të bëhet ose pronar i ri i Romës, ose do të bëhet drejtor i ardhshëm i Romës, nën pronarët e rinj, të cilët sipas të gjitha gjasave do të jenë një grup miliarderësh nga Arabia.
Jose Mourinho dhe Carlo Ancelotti i janë bashkuar garës për sulmuesin e Interit, Mario Balotelli, pasi të dy dëshirojnë të mposhtin menaxherin e United, Sir Alex Ferguson.Sky Sport Italia pohon se agjenti i Balotellit, Mino Raiola, është takuar me Fergusonin në Amsterdam, për të përparuar në lidhje me transferimin e Balotellit. United është i gatshëm të ofrojë 35 milionë euro për të dhe t’ia ofrojë 5 milionë euro për sezon, më shumë se sa që fiton aktualisht te Interi.
Megjithatë, përkundër interesimit të lartë të Unitedit dhe Cityt për Balotellin, është Jose Mourinho ai që pritet t’u prish planet dy homologëve të tij. Sipas Goal.com ideja që Balotelli të luante me Kaka dhe Cristiano Ronaldon do të mirëpritej nga Balotelli. Sidoqoftë, Balotelli dhe Mourinho nuk kanë pasur marrëdhënie të mira në të kaluarën.
Kjo, definitivisht nuk është e tëra. Carlo Ancelotti i Chelseat u ka dërguar sinjal kërcënimi të interesuarve për Balotellin, pasi i pyetur nga gazetarët nëse do të dëshironte ta transferonte SuperMarion, thjesht u përgjigj me një, “PO”. Ky mund të jetë indikacion që Ancelotti mund ta kërkojë Balotellin në rast se dështon transferimi i Fernando Torresit.
La Gazzeta dello Sport shkruan se Balotelli është vonuar në stërvitjen e parë të skuadrës së Interit, ndërsa po Balotelli është larguar i pari nga qendra stërvitore në Appiano Gentile. Rafa Benitez këtë sezon siç duket nuk do të jetë në gjendje ta kontrollojë sulmuesin e ri dhe vetëm koha do të tregojë se çfarë do të bëjë agjenti Mino Raiola.
Mesfushori kreativ i Barcelonës, Andres Iniesta, ka thënë për Daily Express, se Fernando Torres do të marrë një vendim për të ardhmen e tij pas pushimeve.“Fernando ka qenë plotësisht i fokusuar në Spanjën dhe ne as që kemi biseduar për të ardhmen e tij deri dje mbrëma. Ai do të shkojë në pushime me bashkëshorten dhe vajzën e tij, më pas do të bisedojë me Liverpoolin dhe do të merr vendime”.
“Ai klub që e ka atë, ka fat që e ka në skuadër. David Villa thotë se Torres është sulmuesi më i kompletuar në botë, ndërsa e ardhmja e tij vendoset pas dy javësh”, deklaroi Iniesta.
E ardhmja e Ronaldinhos ka shkaktuar paqartësi dhe ndarje brenda Milanit, pasi disa nuk mund ta mendojnë atë të largohet vetëm për shkak të parave dhe tani besohet se Berlusconi, që e adhuron lojtarin, është në gjendje të bëjë ç’mos që maestro brazilian të qëndrojë.La Gazzeta dello Sport pohon se idetë e ndryshme rreth të ardhmes së Ronaldinhos kanë shkaktuar konfuzion, duke e lënë Milanin dhe vetë Dinhon në udhëkryq. Shitja e Ronaldinhos do t’i kursente Milanit hiç më pak se 16 milionë euro, gjë të cilën e kërkojnë Galliani dhe Allegri. Por, përkundër faktit se vetë kishte thënë se do të duhet të ulen pagat e futbollistëve, Silvio Berlusconi është i gatshëm t’ia japë atë që do Ronaldinhos, vetëm e vetëm që ai të qëndrojë.
Los Angeles Galaxy, Flamengo dhe Olympiakos janë duke ofruar kontrata luksoze për Ronaldinhon, kurse Berlusconi shpreson ta mbajë atë në San Siro. Një pjesë e hierarkisë së Milanit mendon se shitja e Ronaldinhos do të mund të ndihmonte në transferimin ose të Ibrahimovicit ose të Luis Fabianos. Lukas Podolski shihet si alternativë e Klaas-Jan Huntelaar që pritet të largohet. Të gjitha këto çështje pritet të bisedohen kur Roberto De Assis të takohet me zyrtarët Rosoner.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp ka zbuluar se ai do të dëshironte ta transfertone sulmuesin e Sevillës, Luis Fabiano, në White Hart Lane, pasi sipas tij ai do të përshtatej mjaft mirë me Ligën Premier.“Po, ai më pëlqen. Ai është një lojtar shumë i mirë dhe do të ishte një transferim shumë i mirë për skuadrën. Ne jemi njoftuar se ndoshta mund të transferohet, por ne nuk kemi kontaktuar ende Sevillën dhe, që të jem i sinqertë, unë ende nuk kam biseduar për ndonjë transferim me drejtorin tonë Daniel Levy, e lëre më të finalizoj një transferim me Joe Cole”.
“Unë nuk jam i pakënaqur me skuadrën që e kam, por natyrisht nëse mund ta transferojmë një lojtar të veçantë, atëherë do ta shqyrtoja, ndërsa Fabiano është një lojtar i veçantë. Sigurisht, ai është lojtar klasi, por nuk e di se sa fiton. Ai mund të kërkojë pagë astronomike dhe në këtë rast do të ishte e pamundur që ta transferonim”, deklaroi Redknapp.
Superylli i Barcelonës, Andres Iniesta, ka deklaruar se do të ishte ëndërr për të që të luante në Old Trafford, por vetëm si lojtar i Barcelonës.“Më pëlqen ta shikoj Ligën Premier, por unë kurrë nuk kam dashur të largohem nga Barcelona”.
“Është ëndërr e imja të luaj në Old Trafford, por si lojtar i Barcelonës dhe asgjë tjetër. Shpresoj se do të qëndroj këtu për pjesën e mbetur të karrierës”, ka thënë Iniesta për Daily Express.
Real Madridi ka bërë të ditur se do të shqyrtojë çdo ofertë që vjen për mesfushorin brazilian, Ricardo Kaka.Sipas Sport, Jose Mourinho e konsideron Rafael Van der Vaartin më të përshtatshëm se Kakan në rolin e mesfushorit kreativ, gjë që mund ta shohë brazilianin Kaka në pankinë. E ardhmja e tij pritet të shqyrtohet në javët në vazhdim, me Real Madridin që përgatitet ta shesë atë.
Të dielën Carlo Ancelotti kishte deklaruar se ai do të dëshironte ta transferonte ish-mesfushorin e Milanit, Kaka, por ai nuk ishte i sigurt nëse Reali do të dëshironte ta shiste atë.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i bindur se lojtarët e tij kanë ende dëshirë për të arritur suksese, kësaj radhe për të mbrojtur tripletën e fituar sezonin e kaluar.“Unë ende kam dëshirë që të fitoj shumë. Ekipi nuk ka zgjidhje tjetër, duhet të mendojë si unë. Tifozët tanë duhet të jenë të qetë. Ne jemi ende në fillim. Unë e pranoj, unë do të doja që t’i fitonim dy Super Kupat dhe Kupën e Botës për Klube, për të përsëritur atë që bëri miku im Joan Laporta te Barcelona”.
“Kjo logjikisht do të përfundonte atë që kemi bërë sezonin e kaluar. Sidoqoftë, këto tri tituj nuk do të ishin të mjaftueshme për ta konsideruar sezonin 2010-2011 të sukusesshëm. Ne nuk do të dorëzohemi për asgjë që nga fillimi. Ne jemi një ekip i madh dhe ne duhet ta mbrojmë nderin tonë në të gjitha frontet. Scudettoja dhe Liga e Kampionëve duhet të nderohen në mënyrën më të mirë”, ka thënë Moratti për La Gazzetta dello Sport.
Rafael Marquez mund të ndjekë rrugën e bashkëlojtarit të tij te Barcelona, Thierry Henry, për të luajtur për skuadrën nga Liga amerikane MLS, New York Red Bulls.Sipas Sport, marrëveshja e Henryt me ekipin amerikan është vetëm çështje ditësh, ndërkohë që thuhet se edhe mbrojtësi meksikan këtë verë mund të transferohet në Amerikë.
Drejtori sportiv i New York Red Bulls, Erik Soler, ka thënë se ai është duke u angazhuar për mundësinë e transferimit të një tjetër emri të madh, por ka refuzuar të komentojë nëse ai ishte mbrojtësi 31-vjeçar.
Sulmuesi i Panathinaikosit, Djibril Cisse, shpreson që të bëjë një rikthim në Ligën Premier që të luajë sërish për klubin e tij të dikurshëm, Liverpool.28-vjeçari ka luajtur për dy sezone me Liverpoolin para se t’i bashkëngjitej skuadrës franceze Marseille në vitin 2006. Më pas ai qëndroi një kohë i huazuar te Sunderlandi, para se t’i bashkëngjitje skuadrës greke në vitin 2009, me të cilën ka arritur të shënojë 23 gola sezonin e kaluar.
“Te Liverpooli nuk mu dha rasti, te Sunderlandi kalova momente të mira, mirëpo unë preferoj të kthehem te Liverpooli- kjo do të ishte mirë. Më pëlqen Arsenali, sepse miqtë e mi janë aty. Manchesteri është i mirë, por klubi im është Liverpooli- nga këndvështrimi im për klube”, ka thënë francezi për Sky Sports News.
Skuadra e Fulhamit ka pasur kontakte me trajnerin e Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, për të zëvendësuar trajnerin e larguar Roy Hodgson.Favorit për pozitën e trajnerit të ekipit anglez është Sven-Goran Eriksson, mirëpo Hitzfeld konsiderohet si një alternativë serioze, duke qenë se trajneri suedez kërkon pagë të papërballueshme për Fulhamin
61-vjeçari Hitzfeld, është njëri nga tre menaxherët (dy të tjerët janë Ernst Happel dhe Jose Mourinho) që e kanë fituar Ligën e Kampionëve me dy skuadra të ndryshme, ndërkohë që ka fituar edhe nëntë tituj të ligave, gjatë kohës kur drejtonte Bayern Munichun, Borussia Dortmundin dhe Grasshopper Club Zurich.
Gjiganti turk Besiktas ka rikthyer interesimin për mesfushorin e Real Madridit, Guti.Sipas realmadridzone, skuadra turke është pranë arritjes së marrëveshjes për spanjollin, duke qenë se paraprakisht iu refuzua një ofertë për transferimin e Robinhos.
Bëhet e ditur se një përfaqësues i Gutit ka udhëtuar në Turqi për të negociuar mundësinë e arritjes së marrëveshjes.
Besohet se Besiktasi do t’i ofrojë Gutit 3 milionë euro për sezon, ndërsa pritet që 33-vjeçari të nënshkruajë kontratë trevjeçare.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, thotë se është vendimtar që ata ta fillojnë sezonin duke fituar, nëse dëshirojnë të luftojnë për titull.Totti ka filluar të stërvitet në përgatitje për sezonin e ri para se të grumbullohet me pjesën tjetër të ekipit të Claudio Ranierit që përgatiten të sfidojnë titullin këtë sezon.
“Po fillojmë një sezon të ri me një motivim të madh dhe jemi të gatshëm të fillojmë përsëri me këmbë të mbarë për t’iu dhënë fansave edhe një kënaqësi të bukur dhe mbi të gjitha t’i bëjmë të ëndrojnë”, ka thënë Totti.
Sulmuesi i Sampdorias, Giampaolo Pazzini, raportohet se është cak i disa klubeve të Ligës Premier.Corriere dello Sport shkruan se Chelsea dhe Liverpool janë të interesuar të transferojnë sulmuesin italian.
Pazzini është duke u vlerësuar rreth 20 milionë euro, por Sampdoria beson se një luftë mes dy klubeve për të marrë lojtarin mund të shtojë vlerën e ofertave.
Agjenti i mesfushorit të Juventusit, Christian Poulsen, thotë se lojtari dëshiron të mbetet në Torino.Poulsen së fundi është lidhur me një rikthim në kampionatin spanjoll gjatë kësaj vere, por vetë lojtari duket pëlqen të qëndrojë në Serie A.
“Askush nuk më ka kontaktuar. Christian dëshiron të qëndrojë te Juventusi. Askush nuk më ka thënë asgjë dhe ende nuk kam folur me Beppe Marotta. Christian ka kontratë deri në vitin 2012 dhe dëshiron të qëndrojë“, ka thënë agjenti i lojtarit, Joern Bonnesen.
Rafa Benitez thotë se Interi duhet të vazhdojë të fitojë trofe me ekipin aktual.Interi ka filluar stërvitjet para-sezonale me 14 lojtarë në fushë, pasi Benitez iu ka dhënë lojtarëve të Botërorit kohë shtesë për të pushuar.
“Objektivi nuk është të ndalojmë së fituari. Ne mund ta bëjmë këtë nëse kemi të njëjtin mentalitet të cilin ekipi e tregoi vitin e kaluar. Kjo është më e rëndësishme se formacioni taktik”.
“Sidoqoftë gjëja e parë për të cilën do të mendoj, është të krijoj një grup kompakt siç e kam bërë në Liverpool. Dua të krijoj një ekip që bashkon mentalitetet italiane dhe spanjolle”, ka thënë Benitez.
Anësori i Holandës, Arjen Robben, vazhdon ta akuzojë gjyqtarin kryesor të finales së Kampionatit Botëror, Howard Webb, pasi mendon se finalja meritoi arbitër më të mirë.“Ishte një finale e Botërorit. Ju po flisni për dy ekipe agresive që duan të fitojnë. Ishte në dorë të gjyqtarit ta kontrollonte takimin. Është keq nëse qëndroni në zhveshtore së bashku dhe flisni vetëm për gjyqtarin dhe pikat e tij të dobëta. Kishte disa vendime të çuditshme dhe për mua, sinqerisht, nëse luani një finale të Botërorit, atëherë ju duhet një gjyqtar i klasit Botëror. Nuk e di nëse ajo ishte performancë e klasit botëror nga gjyqtari”.
“Ndërhyrja e Puyol në mua ishte shumë e qartë. Ai është dashur ta përjashtonte atë dhe të akordonte gjuajtje të lirë. Kjo na kushtoi neve vetëm për shkakun se nuk u rrëzova. Ishim dhjetë minuta para përfundimit të takimit në atë moment. Nëse do ta shënonim golin do të kishim fituar. Por, unë nuk mund të shënoja sepse portieri ishte shumë afër”.
“Spanja është ekip i fuqishëm. Ne e kemi pasur planin tonë dhe tentuam ta luanim futbollin tonë, por Spanja ka ekip të mirë me lojtarë shumë të mëdhenj. Ne tentuam t’i ndalnim ata në mënyrë defensive, organizimi ynë ishte i mirë dhe ne krijuam raste. Ne nuk mund ta kritikojmë veten. Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur. Një ekip gjithnjë duhet të fitojë, por është frustruse kur kjo ndodh katër minuta para fundit”, deklaroi Robben.
Sulmuesi i Interit, Goran Pandev, ka pohuar se skuadra e tij është në gjendje ta mbrojë tripletën e fituar sezonin e kaluar nën drejtimin e Jose Mourinhos.“Ne jemi duke e filluar sezonin e ri dhe do të tentojmë të mbrojmë atë që kemi fituar vitin e kaluar me gjithë forcën tonë”.
“Ne e dimë se do të jetë e vështirë, por do të tentojmë. Vitin e kaluar kur e vesha fanellën e Interit, gjeta bashkëlojtarë të mirë disa prej të cilëve ishin kampionë dhe të cilët kishin synim primar, ndërsa ne mund të vazhdojmë duke fituar”, ka thënë Pandev për Ansa.
Juventusi është i gatshëm ta shkëmbejë asin brazilian Diego me sulmuesin e Wolfsburgut, Edin Dzeko.Sipas Eurosport, Bianconerët dëshirojnë ta largojnë ‘trekuartistin’ nga skuadra, nëse do të mund ta marrin sulmuesin boshnjak. Dzeko ka qenë shumë mbresëlënës në Bundesliga dhe ishte lidhur me një kalim te Milani gjatë verës së kaluar.
Kjo lëvizje e Juventusit është e mençur në tentim për ta transferuar Dzekon, pasi që dihet se mesfushori i Wolfsburgut, Zvjezdan Misimovic, është shumë pranë largimit, që e detyron klubin gjerman ta pranojë një shkëmbim me Diegon, si zëvendësim të Misimovicit.
Sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, nuk është më pjesë e Shoqatës së Futbollistëve Italianë (AIC), gjë të cilën e zbuloi agjenti i tij për shtypin të hënën.“Ne kemi vendosur të largohemi nga AIC, ne nuk e shohim veten më si pjesë të kësaj organizate. Motivimi për këtë është i bazuar në menaxhimin e ngjarjeve të fundit të cilat ishin skandaloze, së paku jo sa i përket imigrantëve. Presidenti i FIGC, Giancarlo Abete, duhet të japë dorëheqje”, tha Raiola.
Kjo lëvizje e Balotellit nga mediumet në Apenine shihet si shenjë shumë e qartë që sulmuesi italian mund të jetë pranë largimit nga Interi.
“Kjo nuk do të thotë se Balotelli sigurt do të largohet nga Italia. Kjo varet nga Interi. Natyrisht, ne nuk mund të përjashtojmë asgjë. Në fakt, ka oferta ta mira nga Manchester Unitedi e City dhe një e ardhme në Spanjë gjithashtu nuk mund të përjashtohet”, përfundoi Raiola.
















