Bari ka transferuar në mënyrë permanente mesfushorin Sergio Almiron nga skuadra e Juventusit.
Almiron, 29 vjeç, luajti për Barin sezonin e kaluar si huazim nga Juventusi, duke i ndihmuar skuadrës të përfundojë në pozitën e 10-të.
Sidoqoftë, tani është konfirmuar se Bari e ka transferuar atë në baza permanente. Bari do të duhet t’i paguajë Juventusit 5 milionë euro, për një periudhe trevjeçare.
Skuadra e promovuar në Serie A, Cesena, ka konfirmuar se ka transferuar mbrojtësin japonez Yuto Nagatomo nga FC Tokyo si huazim njëvjeçar.
Nagatomo luajti për Japoninë në Botërorin, Afrika e Jugut 2010, ku kishte shfaqur paraqitje mjaft solide. Cesena e ka lënë një opsion në kontratë që ta transferojë atë në mënyrë permanente në fund të sezonit 2010-2011.
Nagatomo pritet të jetë njëri prej lojtarëve kyçë të Cesenas, që do të kërkojë të mbajë statusin e saj në elitën e futbollit italian, Serie A.
Sipas internews.it, Chelsea është i gatshëm të bëj një ofertë prej 30 milionë eurosh për sulmuesin e Interit, Mario Balotelli.
Adoleshenti italian është duke u kërkuar me ngulm edhe nga Manchester City dhe Manchester United, ndërsa tani në skenë doli dhe Ancelotti që kishte pohuar ditë më parë se do të dëshironte ta transferonte sulmuesin e ri. Spekulimet për një largim, u rritën shumë kur Balotelli u vonua në stërvitjen e parë të Interit dhe kur u largua nga shoqata e futbollistëve italianë (AIC).
I konsideruar si një nga futbollistët më të mirë të së ardhmes, është pak e mundshme që Interi ta lë atë të largohet me çmim të lirë, pasi që ai në tre sezonet e para ka shënuar 20 gola në 59 paraqitje. Balotelli pritet që së shpejti të jetë dhe pjesë e kombëtares Azzure.
Transferi më i ri i skuadrës amerikane New York Red Bulls, Thierry Henry, ka deklaruar se ai nuk ka shkuar në SHBA për të pushuar, por për të vazhduar me ritmin e lartë të punës.
“Me çfarë lloj sfidash mund të përballen në fushë? Është gjë e njëjtë sikurse kur fillova ta luaja futboll në moshën gjashtë vjeçare. Unë jam në një gjendje sikurse, si mund të mos jem aq i ashpër me veten? Unë jam një kritik i madh i vetvetes”.
“Unë pres shumë nga vetvetja dhe jam i sigurt se edhe njerëzit bëjnë ashtu, por është vërtetë e turpshme sepse kur hyni në fushë dhe jeni një sulmues, të gjithë presin që ju të shënoni apo të asistoni një gol, ose t’ia tregoni mënyrën ekipit se si të shënojë gola dhe unë shprehimisht mund ta bëj këtë, por jam i sigurt se këtë mund ta pres dhe nga lojtarët tjerë”.
“Njerëzit mund të mendojnë se po shkoj për pushime. Mirë, unë aktualisht kam ardhur në New York për pushime, por tani nuk kam kohë për këtë. Mos më merrni gabimisht, unë jam një konkurrues. Më besoni, nuk më pëlqen të humbas. Unë nuk dua të them se do ta fitojmë secilën ndeshje, apo do të fitojmë gjithçka. Çfarë po ju them është se jam garues, si në stërvitje ashtu si kur luaj me miqtë në park, unë dua të bëj gjithçka në fuqinë time për ta fituar ndeshjen. Kjo është ajo që desha të them, nuk fitoni gjithmonë, por nuk dëmtoheni nëse tentoni”, u shpreh Henry.
David Beckham ka dhënë përkrahjen e tij për trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, që ky i fundit të fitojë tri tituj kryesorë në sezonin e ardhshëm.
“Nëse Manchester United nuk e fiton Ligën e Kampionëve, atëherë mendoj se Mourinho do ta fitojë atë, ashtu si La Ligan dhe Kupën e Spanjës. Mourinho është një trajner dhe njeri i jashtëzakonshëm dhe edhe pse ai është punësuar në një klub mjaft të fuqishëm, ai e di se çfarë po bën”.
“Florentino Perez është një njeri fantastik. Nëse ai do të qëndronte në vend se të largohej në vitin 2006, unë ndoshta do ta kisha përfunduar karrierën te Reali”, ka thënë Beckham.
Manchester United është duke shqyrtuar mundësinë e shtimit të forcave defensive, me transferimin e mbrojtësit të djathtë të Bayern Munichut, Philipp Lahm, njofton Kicker.
26-vjeçari ishte bërë kapiteni më i ri në histori të kombit gjerman këtë verë, kur e udhëhoqi Gjermaninë drejt vendit të tretë të Botërorit, me anë të paraqitjeve fantastike. Lahm ka shkëlqyer edhe në fanellën e Bayernit, klub me të cilin ai arriti dhe në finalen e Ligës së Kampionëve.
Për mbrojtësin e krahut, pos Manchester Unitedit pritet të hyjë në garë si zakonisht edhe Real Madridi, që kërkon përforcimin e forcave në krahun e djathtë pas dështimit për të transferuar mbrojtësin më të mirë në atë pozitë, Douglas Maicon.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, nuk është i kënaqur me transferin e ri, Angel Di Maria.
Sipas Sport, përderisa Jose Mourinho është i ngazëllyer me transferimin e Di Marias, presidenti Perez e ka të vështirë të kënaqet me një transferim të një lojtari jo të madh.
Presidenti i Los Blancos ka paguar 31 milionë euro për yllin argjentinas. Mënyra e vetme që Di Maria ta kënaqë presidentin e tij, do të ishte që ta ndryshonte qasjen ndaj mediave, pasi që Perez nuk është i kënaqur me qëndrimin e argjentinasit nëpër intervista.
Superylli anglez David Beckham ka përjashtuar mundësinë që ai të bëhet trajner pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist.
“Më duhet ta pranoj, unë nuk jam i interesuar në të qenit menaxher. Nuk është një gjë për të cilën kam qenë ndonjëherë i interesuar. Nuk është një pasion i imi të bëhem menaxher i ndonjë ekipi të futbollit. Unë jam i apasionuar për lojën. Unë isha në Afrikën e Jugut, por kam qenë i veshur me rroba serioze. Mendova se njerëzit do të mendojnë se jam duke e drejtuar ekipin”.
“Unë jam një lojtar me përvojë që ka marrë pjesë në tre Kampionate Botërore. Unë kam biseduar me James Milner, Aaron Lennon dhe Shaun Wright Phillips, të gjithë lojtarët e krahut të djathtë. Të jem i sinqertë, u kam folur të gjithë lojtarëve”.
“Nëse është diçka që duhej thënë nga menaxheri, ai ishte roli im. U kënaqa me atë rol. Nga ana e menaxhimit, më pëlqen të jem trajner fëmijësh. Më pëlqen kur i shoh fytyrat e tyre kur ata e godasin topin. Ajo është një nga gjërat që më pëlqen t’i bëj, por drejtimi i një ekipi dhe të qenit menaxher në të njëjtën kohë, nuk është një gjë që do të doja ta bëja”, ka thënë Becks.
Radhës së gjatë të futbollistëve që e kanë ftuar publikisht kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas, në Barcelonë, tani i është bashkuar edhe Lionel Messi, që ka thënë se do të ishte mirë që ai të shkonte në Camp Nou.
“Për mua do të ishte një gjë e mrekullueshme. Unë kam luajtur me të në ekipin e të rinjve dhe ai e njeh mirë Barcelonën”, theksoi Messi.
Siç qëndrojnë gjërat, gjasat që Fabregas t’i bashkohet Barcelonës janë minimale. Arsenali e ka thirrur në stërvitjet parasezonale dhe pos kësaj Wenger ia ka bërë të qartë qëndrimin e tij presidentit të Barcës, Sandro Rosell, në një takim të mbajtur në Afrikën e Jugut.
Skuadra braziliane Fluminense, ka konfirmuar kompletimin e transferimit në parametra zero të mbrojtësit Juliano Belletti.
Skuadra nga Rio de Janeiro e ka konfirmuar transferimin në faqen zyrtare, ku thuhet se Belletti do t’i nënshtrohet testit mjekësor më vonë gjatë kësaj jave, para se të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare.
Momenti më pikant i Bellettit në karrierën e tij shënon datën 17 maj 2006, kur e realizoi golin e fitores për Barcelonën në finalen Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.
Ylli i Los Angeles Galaxy, David Beckham, ka folur me mjaft gëzim për transferimin e Thierry Henry në kampionatin amerikan të futbollit, MLS.
“Është një gjë e mrekullueshme. Henry është një lojtar i madh dhe emri i tij është i jashtëzakonshëm, kështu që kjo e ngrit imazhin e kampionatit. Mua vërtet nuk më pritet të luaj ndaj tij. Ne jemi miq të mirë dhe ai është një talent i jashtëzakonshëm”.
“MLS po përparon dita ditës. Dëshmia më e qartë është stadiumi në Seattle që çdo herë është i mbushur me nga 35 mijë shikues dhe kjo audiencë është e garantuar edhe për tre vite të tjera. Të marr nën pronë unë ndonjë stadium është një mundësi shumë e mirë, unë e shoh veten duke jetuar në Amerikë edhe për një kohë të gjatë pas përfundimit të karrierës time si futbollist”, ka thënë Beckham.
Sulmuesi i Juventusit, Davide Lanzafame, ka lëshuar sinjale kërcënimi për rivalët e Juves, pasi që ka thënë se skuadra është mjaft konkurruese dhe se do të mund ta fitonte Scudetton në sezonin e ardhshëm.
“Ky ekip është vërtet kompetitiv si për Scudetto ashtu dhe për Europa League. Kur luani te Juventusi atëherë duhet t’i tregoni cilësitë tuaja dhe kurrë të mos vendosni kufij”.
“Ne do të duhet të tregojmë vlerat tona dhe forcën tonë. Unë dua t’ia tregoj klubit vlerat që kam dhe ta shpaguaj për besimin që më ka dhënë”, tha Lanzafame.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ia ka hapur derën e largimit sulmuesit holandez, Klaas-Jan Huntelaar, për të cilin ka thënë se do të mundë të transferohet në Ligën Premier, ndërsa pas largimit të tij në San Siro do të firmoste Lukas Podolski.
“Podolski mund të transferohet nëse Huntelaar shkon në Ligën Premier, ndërsa kjo do të hapte skenarin ekonomik për ne”, theksoi Galliani për Sky Sport Italia.
Milani ka probleme të mëdha financiare, gjë që po reflektohet në afatin kalimtar veror, ku Rossonerët në dispozicion kanë vetëm 15 milionë euro. Galliani shpreson që me 10 milionë euro t’i bindë gjermanët e Kolnit, të cilët po kërkojnë 12 milionë euro për sulmuesin gjerman.
Superylli argjentinas Lionel Messi ka mbështetur publikisht përzgjedhësin në largim të Argjentinës, Diego Maradona, nga i cili ka kërkuar të qëndrojë në postin e trajneri të kombëtares.
“Nëse do të ishte në dorën time, unë do të doja që ai ta vazhdojë punën. Sidoqoftë, ai do të vendosë se çfarë do të bëjë”, theksoi Messi.
Messi më pas hodhi poshtë një pohim të një gazetari, i cili kishte thënë se Messi do të dëshironte të ishte në ekipin e Spanjës që u kurorëzua kampione e botës.
“Unë jam argjentinas dhe unë do të mbroj fanellën e ekipit tim. Unë kam një ndjenjë të shëndetshme për Spanjën, por më parë do të kisha dashur të shpallesha kampion me ekipin tim”, përfundoi Messi.
Ylli i Bayer Leverkusenit, Michael Ballack, ka këmbëngulur se ai do të vazhdojë ta mbajë shiritin e kapitenit të kombëtares gjermane.
“Kjo nuk është çështje për mua. Unë jam kapiteni. Një lojtar nuk mund të kërkojë se në cilën pozitë dëshiron të luajë dhe është një gjë e njëjtë edhe sa i përket kapitenit. Duhet të respektohet kjo, ekzistojnë hierarkitë”.
“Konflikti me Lahm? Nuk është asgjë serioze, por ne do ta prekim këtë temë dhe do të shikojmë përpara”, tha Ballack.
Pep Guardiola ka nënshkruar një kontratë të re me Barcelonën që do ta mbajë atë në Camp Nou deri më 30 qershor të vitit 2011, konfirmon klubi katalanas në faqen zyrtare.
Vazhdimi i kontratës së Guardiolas vjen vetëm dy javë pasi Barcën e mori në dorë Sandro Rosell si president i ri, i cili nxitoi për ‘ta lidhur’ trajnerin edhe për një vit tjetër.
Pep Guardiola është njëri prej trajnerëve më të mirë në histori të Barcelonës, pasi që në sezonin e parë të tij i solli klubit gjashtë tituj, kurse sezonin që posa e lamë pas, Guardiola arriti ta fitonte vetëm titullin në La Ligas me një rekord prej 99 pikësh.
Ish-sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, do të luajë nga sezoni i ardhshëm në kampionatin amerikan, MLS, më saktësisht për klubin New York Red Bulls.
Klubi amerikan nuk ka publikuar shumë detaje rreth transferimit, por ka konfirmuar se Henry ka nënshkruar një kontratë disavjeçare, ndërsa do t’i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës më 15 korrik, kur dhe do të hapet afati kalimtar ndërkombëtar veror.
“Nuk ka kurrfarë dyshimi se Thierry Henry ka qenë njëri prej futbollistëve më të suksesshëm dhe më të mirënjohur në 15 vitet e fundit. Ne jemi të ngazëllyer që Thierry Henry ka vendosur të vijë në New York dhe t’u ndihmojë Red Bullsave që të jenë sa më konkurrues në kampionat vitet që vijnë. Ai është një fitues i dëshmuar”, deklaroi kreu i Red Bull Global Soccer, Dietmar Beiersdorfer.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Federico Macheda, ka kërkuar nga Mario Balotelli që të largohet nga Interi dhe të shkojë në Old Trafford, në kohën kur United po përdor taktika të ndryshme për të transferuar sulmuesin e ri italian.
Balotelli të shtunën ka thënë për Il Corriere dello Sport se puna e tij po shpërblehet me interesimin e United dhe po e njëjta gazetë sot shkruan se Macheda po këmbëngul te Sir Alex Ferguson që ta transferojë Balotellin. Macheda dhe Balotelli janë bashkëlojtarë në kombëtaren U-21 të Italisë dhe janë shumë miq të mirë.
Macheda që është te Unitedi që nga viti 2007 thuhet se është duke i dërguar vazhdimisht mesazhe Balotellit me fjalë të mira për Unitedin. Macheda gjithashtu u ka thënë miqve se Balotelli është duke e menduar largimin dhe kjo nuk është një gjë e re.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është shumë krenar me faktin që dy prej lojtarëve të tij janë fitues të Kampionatit Botëror.
“Si menaxher i Liverpoolit, unë jam krenar me faktin që dy prej lojtarëve tanë mund ta quajnë veten kampionë botëror. Fatkeqësisht, një ekip është dashur të humbasë në fund dhe përderisa më duhet t’i ngushëlloj holandezët e ekipit, unë përgëzoj Fernando Torresin dhe Pepe Reinan. Fitimi i Botërorit është nderi më i madh për çdo lojtar në karrierën e tij dhe kjo u pa që në festimet e para”.
“Unë mendoj se është e sigurt që të gjithë janë të kënaqur me imazhet që kanë parë nga festimet e lojtarëve tanë në Botëror dhe natyrisht se klubi mund të jetë krenar me gjithë lojtarët që shkuan në Botëror. Të kesh katër lojtarë që kanë arritur në finale është një arritje fantastike dhe unë mezi pres t’ia nisi punës me ta pas pushimeve”, tha Hodgson.
Duket se obligimi i të qenit baba e ka shndërruar superyllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, nga një lojtar mediatik në një urrejtës madiatik.
Futbollisti më i shtrenjtë në botë, që u ka dedikuar pjesën më të madhe të karrierës së tij mediave, për t’u ngritur si futbollist, duket se është buzë humnerës, sidomos pas shpërthimit të lajmeve se ai u bë baba.
Përderisa është çështje kohe kur do të mësohet emri i vërtetë i nënës së djalit të posa lindur të Ronaldos, ky i fundit vazhdon acarimet me paparacët. Pasi kërcënoi javë më parë me ‘vdekje’ një gazetar britanik, Ronaldo përsëri u konfrontua me gazetarët në shtëpinë e tij në Algarve të Portugalisë.
“Ju më shqetësoni. Ju djem jeni gjithnjë duke më ndjekur mua. Gjithnjë duke ecur përreth shtëpisë. Kjo më zemëron… ju djem gjithmonë jeni këtu, çdo ditë, duke ecur përreth shtëpisë me kamerat. Kjo nuk është mirë. Unë nuk mund të pushoj”, theksoi CR9.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, është i bindur se mbrojtësi i Chelseat, Ashley Cole, do të kalojë te Real Madridi gjatë këtij afati kalimtar veror.
“Nga ajo që jam duke dëgjuar, shenjat janë të mira. Unë kam biseduar shumë pak me njerëzit në klub dhe unë jam i bindur se ai mund të bëhet lojtar i Realit vitin e ardhshëm. Unë mendoj se do të jetë lëvizja e duhur për të si në sferën profesionale ashtu dhe në atë personale”.
“Një pushim i qartë nga kombëtarja angleze është ajo që i intereson atij tani. Kjo do të jetë kontrata e tij e fundit e madhe dhe nuk ka më mirë se sa të nënshkruajë për Jose Mourinhon. Ai e di më mirë se çdokush se klubi do të jetë i suksesshëm nën Jose Mourinhon. Mourinho ka dëshmuar se ai i blen lojtarët dhe i bën më të mirët e botës në ato pozita”.
“Me Ashley Cole këtë nuk ka nevojë ta bëj sepse ai është tashmë mbrojtësi i majtë më i mirë në botë. Jose Mourinho e njeh atë shumë mirë dhe nuk befasohem nëse ai është nën radarin e Real Madridit”, deklaroi Casillas për The Sun.
Real Madridi është vënë në ndjekje të sulmuesit që ka shkëlqyer në Botërorin e sivjetmë, të riut të Bayernit, Thomas Muller.
Sipas Sport, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është i fiksuar në transferimin e Mullerit nga Bayerni, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme për Gjermaninë. Me transferimin e Maiconit që tashmë të dështuar, Perez mund t’i përdorë paratë për transferimin e Mullerit.
20-vjeçari thuhet se do të ketë nderin të nënshkruajë një kontratë galaktike, ndërsa Real Madridi po shikon se si të paguajë nën 30 milionë euro.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, e ka vulosur të ardhmen e tij në Camp Nou, duke thënë se ai ka ende për të bërë te Barcelona dhe njëherësh theksoi se ai nuk është legjendë.
“Unë dua të qëndroj te Barcelona edhe një kohë të gjatë si lojtar. Unë kam ende për të bërë këtu dhe unë nuk e konsideroj veten legjendë të klubit”, theksoi Messi.
Kishte pasur spekulime se vala e blerjes së futbollistëve nga Manchester City mund ta prekë edhe Lionel Messin, por duket se ky i fundit nuk është i disponuar të flitet si cak i ndonjë klubi.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ia ka bërë me dije Flamengos se nuk ka çfarë të kërkojë nga Milani për Ronaldinhon, sepse ky i fundit do të qëndrojë në Milanello.
Përkundër spekulimeve të shumta në Brazil, të cilat thonë se Dinho ka arritur marrëveshje për kontratën e tij personale me Flamengon, Galliani ka ndërhyrë për të spastruar situatën.
“Nuk ka asgjë në këtë. Ronaldinho është mirë. Ai kurrë nuk e ka shprehur dëshirën për t’u larguar. Pos kësaj, kemi një marrëveshje në princip për të shqyrtuar rinovimin e kontratës së tij në vjeshtë”, theksoi Galliani.
Klubi i ripromovuar në Ligën Premier, West Bromwich Albion, ka arritur marrëveshje me Liverpoolin për të transferuar sulmuesin David Ngog.
Sipas The Sun, West Brom pritet të transferojë lojtarin si huazim deri në fund të sezonit të ardhshëm. Por WBA do të presë që Roy Hodgson së pari të sigurojë një mbulesë për Fernando Torres dhe Dirk Kuyt në Anfield.
Liverpooli dëshiron Ngog të fitojë më shumë përvojë para se të fitojë vend të rregullt në formacionin e parë të Redsave.
Olympique de Marseille vazhdon betejën për të qenë aktive në treg gjatë këtij afati kalimtar, ndërsa në radarin e ekipit francez ka rënë sulmuesi i Bayern Munichut, Miroslav Klose.
Sulmuesi gjerman gjithmonë është në formë për kombëtaren e tij, por këtë nuk e ka treguar te Bayerni, ashtu që ka mbetur prapa sulmuesve tjerë në zgjedhjet e Luis van Gaal.
Prandaj, sipas Mercato365, Marseille mund të reagojë për ta blerë 32-vjeçarin kontrata e të cilit me Bayernin përfundon sezonin e ardhshëm, ashtu që edhe ekipit gjerman do t’i konvenonte shitja e tij.
Fituesi i Kupës së Botës, Carles Puyol, është pranë largimit nga përfaqësuesja e Spanjës.
Mbrojtësi 32-vjeçar në nëntorin e kaluar paralajmëroi se nëse Spanja e fiton Kupën e Botës, ai do t’i jepte fund karrierës me fanellën kombëtare.
Sipas Marca, lojtari i Barcelonës mendon se pas 90 paraqitjesh për Spanjën, ka ardhur koha që ai të largohet nga përfaqësuesja edhe pse trajneri Vicente Del Bosque dëshiron që Puyol të arrijë në 100 paraqitje për kombëtaren e tij.
Agjenti i Victor Caceres thotë se lojtari i kombëtares së Paraguait është po thuajse e sigurt se do të kalojë në Angli gjatë kësaj vere.
Mbrojtësi 25-vjeçar ka luajtur në të gjitha ndeshjet e Botërorit me Paraguain, me përjashtim të asaj kundër Japonisë për shkak të suspendimit.
Tash interesimi për të është shtuar dhe një varg klubesh nga Gjermania, Spanja, Franca, Belgjika dhe Portugalia dëshirojnë ta transferojnë atë, duke mos harruar Anglinë.
“Është e drejtë të thuhet se një mori klubesh po e përcjellin Victor, ai pati një Kupë Botërore fantastike. Ne gjithmonë kemi besuar se Victor do të shkëlqejë në Afrikën e Jugut, dhe ai nuk zhgënjeu”,
“Interesimi për të vjen nga e gjithë Evropa dhe një marrëveshje nuk është shumë larg. Do të them se ai është 80% i sigurt se do të shkojë në Angli”, ka thënë agjenti i lojtarit për Sky Sports.
Barcelona ua ka ofruar mesfushorin Alexander Hleb dy klubeve të Ligës Premier, Sunderland dhe Aston Villa.
People shkruan se ish-mesfushori i Arsenalit është rikthyer në Nou Camp gjatë të premtes për stërvitje para-sezonale pas një sezoni të kaluar si huazim te Stuttgart, për të kuptuar po ashtu se ai nuk është në planet e menaxherit Pep Guardiola.
Kampioni i Spanjës e vlerëson me 7 milionë funte mesfushorin bjellorus i cili dëshiron të rikthehet në Ligën Premier, por mund të pranojë edhe oferta në vlerën e 4 milionë funteve.
Megjithatë, edhe Martin O'Neill edhe Steve Bruce janë ngurues për të transferuar mesfushorin, pasi kërkesat e tij janë shumë të larta për të dy klubet.
Howard Webb e ka përshkruar ndeshjen e të dielës mbrëma në finalen e Kupës së Botës, si dy orët më të vështira në karrierën e tij, shkruan Daily Mail.
Britaniku ka thënë se ai ishte ‘fizikisht dhe emocionalisht i shterur’ pas përvojës së vështirë kur dha 13 kartonë të verdhë dhe një të kuq gjatë fitores së Spanjës në kohën shtesë të ndeshjes ndaj Holandës.
“Mbrëmjen e të dielës ishin dy orët më të vështira në gjithë karrierën time. Jam fizikisht dhe emocionalisht i shterur, por FIFA ka qenë shumë përkrahëse – jo vetëm për finalen, por për paraqitjet gjatë gjithë turneut”, ka thënë 39-vjeçari.
Menaxheri i Evertonit, David Moyes, dëshiron përfundimisht të sjellë trofe në Goodison Park.
Trofeun e fundit që e ka fituar Evertoni ka qenë ai i vitit 1995 kur mposhti Manchester United në finale të Kupës FA në Wembley.
Dhe edhe pse Moyes e ka përmirësuar paraqitjen e Evertonit në Ligë që kur ka marrë klubin nën drejtim në vitin 2002, humbja në finalen e Kupës FA nga Chelsea është afërsia më e madhe e ekipit për të fituar një garë.
Evertoni ëshë duke u përgatitur për sezonin e ri me një turne në Australi, ku mesfushori Tim Cahill ka pranuar një pritje të ngrohtë.
“Ka qenë mrekulli të vijmë në Australi – ka aq shumë tifozë të Evertonit, shumica e të cilëve kanë të bëjnë me Tim Cahill, por një pjesë edhe me Ligën Premier”.
“Ne kemi qenë një ekip i mirë në Ligën Premier për tashmë disa vite. Nëse e dini historinë e Evertonit – Evertoni ka fituar kampionate dhe gara Evropiane. Një gjë që unë dhe Tim nuk e kemi bërë është se ende nuk kemi fituar. Mendoj se tashmë duhet të bëjnë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Moyes.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Anglia kishte dështuar në Kupën Botërore duke u mbështetur shumë në sulmuesin e Manchester United, Wayne Rooney.
Derisa fansat në Angli mbetën shumë të zhgënjyer në dështimin e Rooneyt për të rishfaqur edhe me fanellën e kombëtares formën e shkëlqyeshme që tregoi me Manchester United, Wenger thotë se ekipet më të mira në Botëror kanë punuar në mënyrë ekipore.
“Nuk mund të krijoni një ekip për Botërore për një muaj. Vendet të cilat janë mbështetur vetëm në yjet e tyre kanë bërë gabim. Niveli teknik individual është përmirësuar, por niveli kolektiv nuk ka qenë shumë mirë”.
“E vërteta është se në Kupën Botëre, të jesh garues, duhet të kesh një mesfushë të dendur. Kjo zonë është forcuar në dëm të një sulmuesi të dytë”, ka thënë Wenger.
Harry Redknapp ka vazhduar kontratën e tij me Tottenhamin edhe për katër vite të tjera, ashtu që menaxheri anglez do të mbetet në White Hart Lane deri në vitin 2013.
Ish-menaxheri i Portsmouthit, e ka kualifikuar Tottenhamin në Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori të klubit, ndërsa ka vendosur ta zgjasë kontratën e tij edhe pse ishte lidhur me një kalim te Al Ahli.
“Klubi është i ngazëllyer të njoftojë që e ka vazhduar kontratën e menaxherit Harry Redknap deri në vitin 2013. Harry e udhëhoqi skuadrën drejt vendit të katërt në sezonin e tij të parë të plotë me klubin, një arritje që është më e madhja deri tani në histori të klubit. Kjo arritje i dha atij çmimin për menaxherin më të mirë të Ligës Premier”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Tottenhami.
Përzgjedhësi i ri i Italisë, Cesare Prandelli, ka dhënë shenja të shpresës për futbollistët e lënë në shtëpi nga Lippi, si Amauri, Balotelli e Cassano, se ata do të kenë rast të luajnë për kombëtaren, nëse tregojnë formë të mirë.
“Origjina e lojtarëve të rinj në kombëtare? Le t’i quajmë ata italianë të rinj. Në mënyrë që të kesh autoritet duhet të jesh vetvetja. Nëse vishni rroba të cilat nuk janë tuajat, atëherë ju nuk do të dukeni mirë”, theksoi Prandelli duke iu referuar asaj se ai do ta kultivojë stilin e tij dhe jo të Lippit.
Në një intervistë për Il Corriere della Sera, Prandelli gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të FIFA-s që të fusin në përdorim teknologjinë.
Legjenda gjermane Franz Beckenbauer ka akuzuar Holandën dhe Spanjën për paraqitjet e tyre në finalen e Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Në një artikull në të përditshmen gjermane Bild, Beckenbauer ka shkruar se finalja do të duhej të ishte ndeshja më e madhe e Botërorit, por se ajo fatkeqësisht ishte një anti-reklamë për futbollin.
Ndeshja e fituar nga Spanja përfshiu në të 14 kartonë të verdhë dhe një të kuq, ndërsa finalja ka marrë kritika të mëdha për natyrën e saj fizike dhe të një gjyqtari që nuk kishte autoritet.
Beckenbauer arsyetoi se ndeshjes i mungoi lëvizshmëria, kishte protesta të vazhdueshme nga lojtarët dhe finalen e gjykoi një gjyqtar që nuk kishte një qëndrim të përgjithshëm. Për Beckenbauerin, ndeshja për vendin e tretë ishte shumë më e mirë, me sjellje më të mirë dhe futboll më atraktiv.
Milani ka hedhur poshtë pohimet se Ronaldinho po refuzon të kthehet në start të stërvitjeve parasezonale javën e ardhshme, sepse dëshiron të largohet nga klubi.
Spekulimet në Brazil thoshin se mjeshtri brazilian dëshiron të injorojë mandatin e tij të rikthimit më 20 korrik, duke ia siguruar vetes një kalim te Flamengo, që edhe publikisht ka konfirmuar interesimin për Ronaldinhon. Megjithatë, drejtori i Milanit, Ariedo Braida, ka qeshur me këto spekulime.
“Shtypi e ka zbuluar këtë lajm. Nuk është e vërtetë dhe ne nuk dimë asgjë. Ai pritet të vijë në Milano të martën më 20 korrik”, theksoi Braida për Lancenet.
Fenerbahce thuhet të ketë bërë një ofertë prej 20 milionë eurosh për yllin e Stade Rennais, Asamoah Gyan.
Tuttosport shkroi paradite se paraqitjet e mira të sulmuesit ganez kanë bërë që Fenerbahce të bëjë një ofertë të parë prej 12 milionë eurove për klubin francez.
Sidoqoftë, është L’Equipe që tani pohon se Rennais e ka refuzuar ofertën prej 12 milionë eurove, ndërsa tani këmbëngul për 20 milionë.
Edhe pse ky transferim duket pranë zyrtarizimit, thuhet se Gyan preferon të kalojë në Ligën Premier.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se bosi i Milanit, Massimiliano Allegri, do të ketë mjaft sukses në rifreskimin e lojës së Rossonerëve, pas një dështimi në sezonin e kaluar.
Kuqezinjtë nuk dinë për titull qe tre vite dhe për të pastruar pluhurin në vitrinat e Milanellos, sipas Ancelottit do të përkujdeset Massimilano Allegri.
“Allegri është në formën më të mirë që t’i shprehë gjithë përgjegjësitë që i janë dhënë në organizimin e klubit. Ai mund të bëjë më të mirën”.
“Milani po kalon nëpër një periudhë të tranzicionit dhe unë mendoj se lojtarët që nuk shkëlqyen vitin e kaluar, do të bëjnë më shumë në sezonin e ri”, tha ish-trajneri i Milanit për Sky Sport Italia.
Marseille mund të jetë shumë pranë transferimeve shokuese pasi që Avi Assouly, një gazetar i afërt me zyrtarët e klubit francez, ka deklaruar se Luis Suarez dhe Keisuke Honda mund të kalojnë në Ligue 1.
“Unë mund të konfirmoj atë që shkrova në blogun tim. Luis Suarez dhe Keisuke Honda janë caqet e Marseille. Gjasat që ata të nënshkruajnë për Marseille janë reale, por në këtë ambient, asgjë nuk është kurrë e sigurt. Keni kujdes, unë e deklarova këtë pas informatave që i mora, por asgjë nuk ka mbaruar ende. Marseille aktualisht po punon në përfundimin me sukses të negociatave”.
“Kur e transferuam Lucho Gonzalezin për 18 milionë euro dhe një bonus, atëherë pse të mos tërheqim interesimin e lojtarëve të kësaj kategorie. Luis Suarez kushton së paku 10 milionë euro. Honda është më i lehtë për t’u transferuar, por edhe ai e ka një çmim të njëjtë sikurse Suarez”.
“Për çdo rast, Taiwo dhe Ben Arfa do të largohen dhe do të sjellin para. Benoit Cheyrou rrezikon largimin, sidomos nëse vjen Honda. Për këtë, do të investohen para shtesë në skuadër”, deklaroi Assouly, që është gazetar i Marseille prej më se 30 vitesh dhe për këtë konsiderohet si një nga burimet më të afërta të klubit nga jugu i Francës.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ia ka bërë të qartë presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, se ai nuk e ka ndërmend ta shesë kapitenin, Cesc Fabregas, për shkak se është tejet i hidhëruar me qasjen e Blaugranëve në tentim për të transferuar mesfushorin spanjoll.
Pasi kishte arritur në Afrikën e Jugut të premten, Rosell ishte në gjendje që të takohet me Wengerin të hënën. Biseda ishte e nxehtë, me Wengerin që ia ka treguar presidentit blaugran se sa i zhgënjyer është ai dhe Arsenali me sjelljen e Barcës.
Wenger ndjehet i ofenduar që Rosell nuk arriti të shmangë deklaratat publike drejtuar Fabregasit, që ishte pjesa kryesore e strategjisë nën ish-presidentin Joan Laporta. Sipas Sport, francezi përfundimisht ia ka bërë të çartë presidentit Sandro Rosell se as ai, e as Arsenali, nuk kanë ndërmend ta shesin Fabregasin këtë verë.
Rock ylli britanik, Noel Gallagher, që është njëherit tifoz i flaktë i Manchester Cityt, ka thënë se drejtori Garry Cook ia ka treguar planin për transferimet e reja, të cilat për ish-yllin e “Oasis” janë marramendëse.
“Unë posa e pata një drekë të madhe me Garry Cook dhe të rejat që do t’i dëgjoni muajin e ardhshëm do të jenë marramendëse, por nuk mund të them asgjë. Lojtarë që do të vijnë dhe shkojnë, nga ku po vijnë dhe ku do të shkojnë”, theksoi Gallager.
I vënë nën presion që të zbulojë emra, ai u përgjigj negativisht sa i përket superyllit të Barcelonës, Lionel Messi dhe njeriut që vlen 80 milionë funte, Cristiano Ronaldo. Por, Noel nuk e përjashtoi transferimin e Fernando Torresit, betejën për të cilin City deri në këto momente është duke e humbur.
“Garry i shkruante këto emra në letër, mendoj për ata që do të jenë në skuadrën e re. E vënë në letër, skuadra prej 24 futbollistëve do të hyjë me qëllimin për të fituar gjithçka sezonin e ardhshëm. Kjo nuk do të thotë se jemi kokëtrashë dhe themi se do të fitojmë patjetër gjithçka, por ne do të duhet të mendojmë ‘Kush është më i mirë se ne në kampionat’? Chelsea e ka përvojën dhe United e ka edhe më shumë me Fergusonin në stol, por kur i pashë emrat dhe kur mu mor mendja, mendoj se jemi favoritët e tretë për ta fituar Ligën Premier”, përfundoi Noel Gallagher.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, ia ka bërë të qartë Arsenalit se Cesc Fabregas nuk dëshiron të luajë më në Emirates, ndërsa u ka sugjeruar drejtuesve të Arsenalit që ta shesin sa më shpejtë spanjollin, në mënyrë që të blejnë lojtarë tjerë.
“Nuk e di nëse ai do të vijë këtë verë. Ai nuk mund të presë edhe një vit. Zemra dhe mendja e tij është në Barcelonë dhe do të ishte mirë për ta që ta shesin atë që tani”.
“Ata mund t’i investojnë paratë në ndonjë lojtar të ri, ose lojtarët të cilët duan të kenë kontrata afatgjate, në vend se ta mbajnë një lojtar, zemra e të cilit është diku tjetër, pa marrë parasysh se sa i mirë është ai. Fabregas posa ka shijuar suksesin me Spanjën dhe kjo nuk është e drejtë për një prej mesfushorëve më të mirë në botë. Ai duhet të fitojë tituj çdo sezon”, ka thënë Xavi për El Mundo Deportivo.
Unioni i futbollistëve gjermanë (VDV), ka bërë të ditura çmimet për më të mirët e sezonit 2009-2010 në Kampionatin gjerman.
Anësori i Bayernit, Arjen Robben, e ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë të vitit me 72.7 % të votave. Bashkëlojtari i tij te Bayerni, Bastian Schweinsteiger, zuri vendin e dytë me 6.2 % të votave, kurse Edin Dzeko i Wolfsburgut doli i treti me 4.9 për qind.
Një yll tjetër i Bayerint, Thomas Muller, e fitoi çmimin e futbollistit më të mirë të ri me 73.1 % të votave, duke e lënë prapa Marcus Reus të Borussia Munchengladbachut me 10.5 % të votave, ndërsa i treti me 3.6% u radhit Holger Badstuber i Bayernit.
Trajneri më i mirë i vitit në Gjermani u zgjodh Louis van Gaal i Bayernit, që fitoi me diferencë të ngushtë, pasi që me 38.8 % të votave e tejkaloi homologun e tij te Schalke, Felix Magath, që mori 38.3 %. Jurgen Klopp u radhit i treti me 8.6%.
VDV gjithashtu ka publikuar dhe formacionin më të mrië të sezonit, i cili konsiston nga: Manuel Neuer (Schalke), Philipp Lahm (Bayern Munich), Mats Hummels (Dortmund), Sami Hyypia (Leverkusen), Dennis Aogo (Hamburg), Robben, Schweinsteiger, Muller (Bayern Munich), Toni Kroos (Leverkusen), Dzeko (Wolfsburg), Stefan Kiessling (Leverkusen).
Paneli i votuesve përfshiu lojtarët nga top tre kampionatet e Gjermanisë, ashtu si ata nga kampionatet regjionale.