Real Madridi është shumë pranë transferimit të mesfushorit të Stuttgartit, Sami Khedira.
Sipas një artikulli në numrin e sotëm të të përditshmes sportive Marca, mesfushorin gjerman e ndan vetëm nënshkrimi me Los Blancos.
Khedira pati paraqitje të mira në Botërorin që lamë pas, ndërsa i njëjti burim pohon se skuadra gjermane është pajtuar ta shesë 23-vjeçarin për 10 milionë euro.
Manchester City i ka paralajmëruar Tottenhamin dhe Liverpoolin se nuk dëshiron ta shesë mbrojtësin Micah Richards.
Transferimi i Jerome Boateng në Eastlands do të krijojë edhe më shumë konkurrencë në mbrojtjen e skuadrës së Roberto Mancinit.
Mirëpo, sipas The Sun, trajneri italian ka vendosur që ta mbajë anglezin 22-vjeçar në skuadër, pasi që mund ta shfrytëzojë atë edhe në qendër të mbrojtjes edhe si mbrojtës të djathtë.
Shefat e Real Madridit janë takuar me trajnerin Jose Mourinho për të diskutuar planet në lidhje me transferimin e mbrojtësit të Interit, Dougllas Maicon.
Sportmediaset.it bën të ditur se takimi është mbajtur në Bernabeu për të gjetur një zgjidhje rreth ofertës së re për brazilianin, duke qenë se oferta e parë prej 25 milionë eurosh ishte refuzuar nga Nerazzurrët.
Trekampioni Inter nuk dëshiron të dëgjojë për ndonjë shifër më të ulët se 35 milionë euro, ndërsa Florentino Perez ka qenë më dorështrënguar në këtë aspekt.
Mirëpo, duket se insistimi i trajnerit Mourinho për të sjellë Maiconin në Bernabeu, ua ka ndërruar mendjen udhëheqësve të Los Blancos, të cilët janë pajtuar që të paguajnë shifrën që kërkon Interi.
Sunderland është duke përgatitur ofertë për sulmuesin e Catanias, Maxi Lopez.
Journal shkruan se ish-sulmuesi i Barcelonës i është ofruar Maceve të Zeza nga klubi në krizë, Catania. 26-vjeçari ka shënuar 12 gola në 17 ndeshje në Serie A në sezonin e kaluar dhe së fundi është lidhur me një kalim në Juventus.
Edhe pse ai dëshiron të mbetet te Catania, klubi kuptohet se ia ka ofruar atë disa klubeve të Ligës Premier, përfshirë edhe ish-klubin e Lorik Canës, Sunderland.
Agjenti i mbrojtësit të Udineses, Cristian Zapata, thotë se asnjë ofertë ende nuk ka arritur nga Arsenali, edhe pse klienti i tij është i hapur për një lëvizje të tillë.
Futbollisti i kombëtares së Kolumbisë raportohet se është cak i Topçinjve dhe është nën kontratë me klubin italian deri në qershor të vitit 2012.
“Është mirë të dëgjosh se Arsenali është i interesuar për lojtarin. Për disa vite tash, Zapata është lidhur me klube prestigjioze dhe kjo do të thotë se ai po i bën gjërat mirë”, ka thënë për calciomercato.com agjenti i lojtarit, Massimo Italiani.
“Disa klube italiane po ashtu janë të interesuara në Zapata, por për momentin, ende nuk kam marrë asnjë ofertë as nga Italia as nga Anglia”.
“Ai është i lumtur në Udineze, por si çdo lojtar tjetër, ai dëshiron të përmirësohet dhe të zhvillohet. Nëse një ofertë nga një klub i madh arrin, atëherë do të merret parasysh. Por deri tash asgjë nuk është zyrtare, vetëm thashetheme”, ka shtuar Italiani.
Mediat portugeze shkruajnë se mesfushori i Portos, Raul Meireles, mund të jetë në rrugë për të kaluar te Manchester United.
A Bola shkruan se drejtuesit e Portos, virtualisht e kanë futur Meireles në listën e shitjeve, derisa kërkojnë të nxjerrin më shumë para pas suksesit të tij me Portugalnë në Afrikën e Jugut.
Mesfushori është spekuluar se vëzhgohet nga Manchester United dhe Chelsea gjatë javës së kaluar dhe dëshiron të zhvendoset në Angli. Menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, është duke e menduar të transferojë Meireles pas dyshimeve rreth formës së paqëndrueshme të Owen Hargreaves.
Klubi portugez Porto raportohet se është i gatshëm ta shesë mbrojtësin e qendrës Bruno Alves.
Sportivja A Bola shkruan se drejtuesit e Portos tashmë janë duke kërkuar zëvendësim për mbrojtësin me përvojë, derisa përgatiten ta shndërrojnë në kesh portugezin.
Chelsea thuhet se është favorit për të marrë shërbimet e Alves, që është duke kërkuar të ndërtojë karrierë në Angli.
Me David Luiz të gatshëm të nënshkruajë marrëveshje të re me Benfica, menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, tash është i fokusuar për të sjellë Alves në Stamford Bridge.