Manchester City pritet të përballet në derbin e parë lokal me Manchester Unitedin më herët se ç’është paraparë edhe atë për sulmuesin e Interit, Mario Balotelli.
Massimo Moratti të premten kishte konfirmuar se në adresë të Interit kishte ardhur një ofertë prej 25 milionë eurosh nga City, ofertë që u refuzua, përderisa negociatat me Cityn për Balotellin janë duke vazhduar.
Ky lajm nuk u prit mirë në Old Trafford, pasi që Manchester United, sipas mediave italiane, është kundërpërgjigjur me një ofertë prej 35 milionë euro për SuperMarion që nuk besohet se do të refuzohet, marrë parasysh dhe Ligën e Kampionëve. Pritet së shpejti edhe kundërpërgjigja e Roberto Mancinit dhe ‘qytetarëve’ të tij.
Ka zëra se Balotelli nuk do t’i bashkohet klubit në turneun parasezonal në ShBA dhe sipas Sky Sport Italia, ky është një indikacion i qartë se Super Mario Balotellin së shpejti mund ta shohim në Ligën Premier.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është tejet i hidhëruar në hierarkinë e Barcelonës, pasi këta të fundit besohet se janë dorëzuar në tentim për firmën e katalanasit.
Daily Mail pohon se Cesc është shokuar nga lajmi se Barcelona po mendon që të shtyjë planet për transferimin e tij në Camp Nou sezonin e ardhshëm. Fabregas thuhet të jetë takuar tri herë me menaxherin Arsene Wenger, të cilit ia ka bërë të qartë se dëshiron të kthehet në vendlindje.
Deklarata e presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, se transferimi i Fabregas mund të shtyhet dhe për një vit tjetër erdhi pas takimit të tij me Wengerin dhe drejtorin e Arsenalit Ivan Gazidis, të cilët nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre të hekurta sa i përket çështjes Cesc.
Chelsea ia ka vendosur një çmim prej 30 milionë funtesh mbrojtësit të krahut të majtë, Ashley Cole, pas spekulimeve se ai është duke u kërkuar me ngulm nga Real Madridi.
Menaxheri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, thuhet të ketë qenë i interesuar në 29-vjeçarin që prej disa muajsh dhe tani duhet që vetë futbollisti të kërkojë kalimin në Spanjë. Cole, që nënshkroi kontratë katërvjeçare shtatorin e kaluar, është aktualisht në pushime dhe do të kthehet më 26 korrik.
Shuma prej 30 milionë funtesh thuhet se nuk është ndonjë problem i madh për Real Madridin, që është në kërkim të Ashley Cole me vite të tëra.
Mesfushori kreativ i Juventusit, Diego, është i frustruar me zërat që kërkojnë ai të largohet sa më parë nga klubi, përkundër faktit se ai edhe njëherë e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga Olimpico i Torinos.
“Unë dua të qëndroj te Juventusi, kjo është e qartë. Klubi gjithashtu duhet të mendojë në këtë mënyrë. Unë bisedova me drejtorin Marotta para pushimeve dhe gjithçka u sqarua”.
“Unë jam në qendër të merkatos? Kjo më bezdis sidomos kur njerëzit shkruajnë gënjeshtra, nuk më pëlqen kjo. Vetëm pse pata një sezon të keq nuk do të thotë se idetë e mia për Juventusin kanë ndryshuar”.
“Unë jam shumë i lumtur këtu dhe shpresoj se do të luajmë më mirë këtë vit krahasuar me vitin e kaluar”, deklaroi Diego.
Manchester United i është bashkuar garës për firmën e mbrojtësit portugez të Portos, Bruno Alves, pasi që sipas të gjitha gjasave mbrojtësi Nemanja Vidic do të jetë mbrojtësi i ri i Real Madridit.
Sipas Daily Mail, Zenit St Petersburg gjithashtu po shpreson të arrijë një marrëveshje prej 15 milionë euro për Bruno Alves, por tani ekziston frika tek rusët se Manchester United mund t’u prish planet.
Manchester United e sheh 28-vjeçarin si zëvendësues perfekt të qendërmbrojtësit Nemanja Vidic.
Mesfushori i Interit, Esteban Cambiasso, ka lëvduar ish-trajnerin e Interit, Jose Mourinho, por gjithnjë duke tërhequr paralele mes tij dhe trajnerit aktual Rafa Benitez.
“Benitez? Unë u takova me të tetë herë në Spanjë dhe ne fituam nga një titull secili, por në ndeshjen e fundit ndaj tij ai e fitoi Ligën e Kampionëve”.
“Ai ka bërë punë të mirë kudo që ka shkuar dhe sigurisht është një prej më të mirëve në Evropë, sikurse Jose Mourinho”, ka thënë ‘Cambi’.
Agjenti i Aliaksandr Hleb, Maurizio Gaudino, nuk e ka përjashtuar mundësinë që mesfushori nën pronësi të Barcelonës t’i bashkohet Milanit.
Hleb ishte pranë Series A vitin e kaluar, por preferoi që të kalonte edhe një sezon si huazim te Stuttgarti. Megjithatë, spekulimet tani thonë se Barcelona nuk e ka atë në planet e të ardhmes, duke e bërë Milanin një nga destinacionet e ardhshme të bjellorusit.
“Ne duhet të flasim me Barcelonën që të gjejmë një zgjidhje për lojtarin dhe për klubin së pari. Milani? Është një vend fascinues, por nuk mund të them asgjë më shumë”, tha Gaudino.
Real Madridi mësohet ta ketë futur në listën e gjatë të transferimeve edhe mesfushorin e talentuar gjerman, Mesut Ozil, për të siguruar një kalim të këtij të fundit në Bernabeu nga Werder Bremeni.
Mourinho tashmë ka konfirmuar interesimin e tij në Khediran dhe ai tani duket se po kërkon që ta transferojë dhe kolegun e kombëtares, Mesut Ozil, që ka shkëlqyer gjatë Kampionatit Botëror.
Thuhet se përfaqësuesit e 21-vjeçarit janë takuar me Jorge Valdanon të cilin e kanë informuar për një klauzolë në kontratën e Ozil, e që është 16 milionë euro. Kjo shumë realisht nuk është asgjë për Real Madridin marrë parasysh nevojën për kreativitet në mes të fushës.
David Beckham është duke bërë presion në drejtuesit e LA Galaxy për ta transferuar Ronaldinhon në kampionatin amerikan MLS, por Milani nga ana tjetër sipas pohimeve të agjentit Roberto De Assis, i ka ofruar një kontratë të re.
E ardhmja e Ronaldinhos është ende në ‘ajër’ pasi ai u shpreh i gatshëm të bisedojë me drejtuesit e Milanit nëse ofrohet ndonjë kontratë e re më e mirë, por nëse jo, ai gjithashtu është i gatshëm të kalojë te ndonjë klub tjetër, me David Beckham që është duke e ftuar atë në kampionatin amerikan MLS.
“Milani ka propozuar një kontratë të re deri në vitin 2013 dhe ne kemi thënë se do të flasim për këtë në dhjetor. Asgjë nuk ka ndryshuar për ne. Ne nuk do të flasim me klubet tjera nëse Milani mban këtë qëndrim. Ne kemi marrëdhënie të mira me Milanin dhe vëllai im (Ronaldinho) dëshiron të qëndrojë këtu”.
“MLS? Ne kemi takuar njerëz në ShBA dhe sigurisht që David Beckham është duke bërë presion që Ronaldinho të transferohet atje sa më shpejtë. Nëse nuk arrijmë ndonjë marrëveshje, MLS është një opsion i mirë për sezonin e ardhshëm”, deklaroi De Assis për CalcioMercato.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, është alarmuar nga raportet e ditëve të fundit se talenti Sebastian Giovinco kërkon të largohet nga Juventusi, duke planifikuar kështu një transferim për të, njofton La Gazzetta dello Sport.
Giovinco sipas të gjitha gjasave nuk do të arrijë të futet në 11-shen e parë startuese të Juventusit dhe si pasojë ai tani kërkon largimin, me Barin dhe Parmën të gatshëm për ta transferuar atë. Por nëse Arsenali ndërhyn, atëherë Giovinco do të mund të kalonte shumë lehtë në Emirates për shkak të Ligës së Kampionëve.
Nga ana tjetër Tuttosport pohon se përderisa janë duke u kryer negociata të ndryshme në Emirates, Juventusi është kthyer kah rivali nga White Hart Lane, kësaj radhe për të kërkuar mbrojtësin fantastik të krahut të majtë Gareth Bale. Bale kushton së paku 20 milionë euro, por nuk besohet se mund të transferohet te Juventusi për shkak se me Tottenhamin ai luan në Ligës së Kampionëve, ndërsa jo edhe me Juven.
Wolfsburgu është tejet i bindur se mund ta mbajë në Volkswagen Arena sulmuesin boshnjak Edin Dzeko, pasi ia ka vënë atij një çmim prej 50 milionë eurosh, që natyrisht godet rëndë të interesuarit për të, Manchester Cityn, Juventusin dhe Milanin.
Menaxherit të ri të Wolfsburgut, Steve McLaren, i është thënë se klubi gjerman nuk është nën presion financiar dhe nuk ka nevojë ta shesë sulmuesin boshnjak. Tani gjithashtu zbulohet se pas skadimit të klauzolës prej 40 milionë eurosh në maj, Wolfsburgu ka intervenuar dhe ia ka vënë sulmuesit një klauzolë tjetër, por kësaj radhe prej 50 milionë eurosh.
Kjo konsiderohet si goditje e rëndë për klubet e interesuara në Edin Dzekon, pasi Wolfsburgu po kërkon para kesh dhe jo shkëmbime, e që praktikisht nuk dëshirojnë ta bëjnë as City, as Juve e lëre më Milani që ka probleme të mëdha financiare.
Strategu i Real Madridit, Jose Mourinho, ka konfirmuar interesimin në mesfushorin e Stuttgartit, Sami Khedira.
“Ne nuk do të bëhemi mbretërit e afatit kalimtar. Unë vë bast në filozofinë e zakonshme të Realit, transferimin e lojtarëve me perspektivë të cilët kanë për të mësuar ende. Ne e kemi transferuar Di Marian, por është e vërtetë se ai ishte i shtrenjtë, por ai ka potencial të madh dhe ne gjithashtu do ta transferojmë dhe Sami Khediran, i cili mund të përmirësohet ende. Kjo është një filozofi që më pëlqen”.
“Ne kemi nevojë për një mbrojtës dhe për një mesfushor, por me baraspeshë dhe pa dramatizëm. Ekziston një bazë shumë e mirë nga sezoni i kaluar që do t’ia shtojë konkurrencën këtij grupi. Është e komplikuar, sepse kur Reali interesohet për një lojtar, çmimet rriten në mënyrë astronomike”, ka thënë Mou.
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, ka publikuar në faqen e tij një listë kontroverse të vlerësimit të paraqitjeve të futbollistëve të tij gjatë Kampionatit Botëror.

Kjo ide e vlerësimit të lojtarëve nga ana e Capellos ka ardhur nga Federata Angleze e Futbollit (FA) dhe ashtu siç ishte planifikuar ato u zbuluan pas Botërorit, ndërsa kampion është Jermain Defoe me notën më të lartë nga tekniku italian.


Vlerësimet e Capellos:


Robert Green - 51.67
David James - 59.28
Glen Johnson - 57.18
John Terry - 60.48
Ledley King - 57.50
Jamie Carragher - 59.04
Matthew Upson - 60.21
Ashley Cole - 59.58
Aaron Lennon - 57.64
Frank Lampard - 58.58
Steven Gerrard - 60.98
James Milner - 59.40
Gareth Barry - 57.50
Shaun Wright-Phillips - 61.09
Joe Cole - 55.45
Wayne Rooney - 58.87
Emile Heskey - 60.15
Jermain Defoe - 62.47
Peter Crouch nuk luajti aq sa për të marrë një notë nga Capello.