Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, ka pranuar se ai është i tendosur nga interesimi i Real Madridit për të, por ripërsëriti qëndrimin se ai nuk ka ndërmend të largohet nga Milani.
“Nuk kam ndërmend të largohem nga Milani tani për tani. Unë jam shumë i lumtur dhe jam adaptuar me jetën në Itali, ndërsa shpresoj për një sezon të shkëlqyer”.
“Është nder të di se një nga klubet më të mira në botë po interesohet për mua, ashtu si fakti që Jose Mourinhos, trajnerit më të mirë në botë i pëlqej gjithashtu”, ka thënë Silva.
Diego Forlan ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhnin atë me një kalim te Juventusi, duke thënë se ai është mjaft i lumtur në Spanjë.
Më herët kemi shkruar se Forlan është duke u kërkuar nga Juventusi dhe se bisedimet janë duke u zhvilluar, por tani ka dalë në skenë vetë lojtrai për të mohuar këto spekulime.
Po ashtu po flitet se Interi me paratë nga shitja e Balotellit do të mund ta transferonte Forlanin, për t’ia prishur planet rivalit të përgjakshëm.
“Unë kam edhe tri vite kontratë dhe jam i lumtur, ndjej shumë për klubin dhe dua të qëndroj këtu”, deklaroi futbollisti më i mirë i Botërorit.
Ish-bosi i Liverpoolit, Gerard Hullier, ka fajësuar Wayne Rooneyn për dështimin gjatë Kampionatit Botëror.
“Ndoshta arsyeja pse Anglia dështoi në Botëror është forma e dobët e top lojtarëve. Kur e them këtë mendoj për Wayne Rooneyn. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por se a ishte i lodhur ose ishte jashtë formës, nuk e di. Nëse Rooney, që për mua është top lojtar dhe finalizues, do të shënonte më shumë gola, atëherë Anglia do shkonte larg”
“Ekipet tjera në Botëror që patën sukses, ka qenë për shkak finalizuesve të mirë, rasti konkret me Uruguain që shkoi larg për shkak të formës së lartë të Forlan”, përfundoi Hullier.
Bruno Alves Real Madridi sipas mediave në Spanjë është seriozisht në merkato për një qendërmbrojtës të ri, në tentim për të përforcuar mbrojtjen para sezonit të ri.
Jose Mourinho dëshiron që ta implementojë urrejtjen e tij për Barcelonën në fushë, kur të vë në funksion armatën e tij të çeliktë, të cilën dëshiron ta gjallërojë me një qendërmbrojtës elitar të kohës.
Në listën e ngushtë të dëshirave të teknikut portugez janë emra si Nemanja Vidic, David Luiz, Thiago Silva dhe Bruno Alves i Portos.
Manchester United është gati t’ia bëjë Bayernit një ofertë të re për mbrojtësin e djathtë, Philipp Lahm, me gjigantin gjerman të gatshëm për të shqyrtuar ofertat.
FOX Sports njofton se Sir Alex Ferguson është një adhurues i flaktë i Lahm, që e udhëhoqi Gjermaninë gjatë Botërorit, Afrika e Jugut 2010. Thuhet se Manchester United tashmë ka bërë një ofertë prej 15 milionë funtesh plus përfshirjen e Ji-Sung Park apo të Dimitar Berbatov në këtë marrëveshje.
Djajtë e Kuq kanë pasur probleme të konsiderueshme në krahun e djathtë të mbrojtjes, me Wes Brown dhe Gary Neville jo në formën më të mirë të tyre.
Mbrojtësi i majtë i Real Madridit, Royston Drenthe, është duke u lidhur me një kalim si huazim te gjiganti italian, Juventus.
Drenthe ka dështuar të ketë ndikim në Bernabeu dhe është i gatshëm që në çdo moment të largohet pasi që nuk është më i nevojshëm. Juventusi nga ana tjetër është në kërkim të një mbrojtësi të majtë që një kohë të gjatë dhe Drenthe është i përkryer sa i përket çmimit.
Por, Juves mund t’i prishen planet në rast se Real Madridi e përfshinë Drenthen në një ofertë të përbashkët për Sami Khediran.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, nuk është i befasuar që Reali dhe Barcelona nuk janë në gjendje ta transferojnë sulmuesin titanik të Manchester Unitedit, Wayne Rooney.
“Unë jam i sigurt se shumë skuadra e dëshirojnë Rooneyn, por unë do të isha i befasuar nëse ai ndonjëherë largohet nga Manchester Unitedi. Ai dhe Sir Alex Ferguson kanë një marrëdhënie baba-djalë dhe nuk e shoh kurrë Rooneyn në fanellë të ndonjë klubi tjetër”.
“Sir Alex është menaxher i madh dhe ai i trajton të gjithë mirë. Por, unë mendoj se Wayne është i parapëlqyeri i tij. Rooney ka vërtet mbrojtje të mirë nga ai dhe unë e shoh sikurse të ishte djali i tij. Wayne ka aq shumë përkushtim dhe ai do të ketë edhe shumë më shumë sukses me Unitedin, jam i sigurt”, u shpreh Pique.
Golashënuesi i dyfishtë i finales së madhe të Madridit, Diego Milito, ka deklaruar se bashkëkombësi i tij Javier Mascherano, mund të konsiderohet tashmë lojtar i Interit.
“Ne mezi presim që Mascherano t’i bashkohet Interit. Ai e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë këtu dhe është në dorë të disa njerëzve që ky transferim të përfundojë me sukses. Nga pikëpamja ime, ne po e marrim mesfushorin defensiv më të mirë në botë dhe Maradona e vlerëson atë si një nga tre futbollistët më të rëndësishëm të Argjentinës, bashkë me Messin dhe Tevezin. Ja sa shumë vlerësohet Mascherano”.
“Mendoj se është jorealiste që Liverpooli të mendojë se mund ta mbajë Mascheranon kur ata dinë mjaft mirë se nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve dhe se nuk mund ta sfidojnë Manchester Unitedin dhe Chelsean për titullin. Bosi (Benitez) dhe Mascherano kanë marrëdhënie të mira, kështu që nuk ka klube tjera në letër për të, duke përfshirë dhe Barcelonën. Ai ka kërkuar për një kohë që të bashkohet, por kur këtu erdhi bosi (Benitez), mendoj se është vulosur që Mascherano të jetë lojtar i Interit”.
“Benitez e ka bërë të qartë se ai dëshiron një sezon tjetër sikurse që pati Mourinho vitin e kaluar. Mascherano është një fitues natyral i lindur. Atij do t’i pëlqejë që të jetë në një klub ku mund të fitojë titujt më të mëdhenj. Mendoj se do të jetë e vështirë për Liverpoolin të mbajë top lojtarët, përfshirë këtu Gerrard dhe Torres, por kjo nuk më intereson”.
“Unë do të doja që Tevez të vijë këtu ashtu si Mascherano, por nuk mendoj se kjo do të jetë e mundur këtë verë. Manchester City është në një pozitë ku nuk ka nevojë të shesë, por Tevez më ka thënë se do të dëshironte të luante në Itali në të ardhmen”, përfundoi Milito.
Ekipi numër tre në Apenine, Milani, është në gjendje ta shesë njeriun që e mbajti klubin sezonin e kaluar dhe atë vetëm për 10 milionë euro.
Sipas Il Corriere dello Sport, Rossonerët mund të binden që ta shesin ish-yllin e Barcelonës nëse vjen ndonjë ofertë prej rreth 10 milionë eurosh. Flamengo dhe La Galaxy janë ndër ato skuadra tejet të interesuara për shërbimet e mjeshtrit brazilian.
Milani është i gatshëm t’ia ofrojë Dinhos një kontratë të re, por nuk mund ta paguajë më shumë se 4 milionë euro në sezon, gjë që e ka detyruar agjentin dhe vëllanë e brazilianit, Roberto De Assis, që të negociojë me skuadra të interesuara.
Gjiganti italian Juventus është gjithnjë e më pranë firmës së sulmuesit të Atletico Madridit, Diego Forlan, pasi që bisedimet për uruguaianin janë duke vazhduar.
Sipas Marca, ai që do të përkujdeset që marrëveshja të ketë mbarim pozitiv për Bianconerët do të jetë vetë presidenti Andrea Agnelli, i cili bashkë me delegatët e tij do të vazhdojë bisedimet me zyrtarët e Atletico Madridit.
Në këtë takim pritet të bisedohet dhe për çështjen Tiago, i cili ka kaluar një sezon si huazim te Atletico Madridi.
Skuadra franceze Marseille, thuhet se dëshiron ta rikthejë në Velodrome sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba.
Drogba më herët kishte thënë se ai do të dëshironte të kthehej te Marseille në ndonjë pikë të karrierës së tij.
Sipas Sunday Express, Marseille tani është duke synuar transferimin e 32-vjeçarit dhe thuhet se oferta fillestare për sulmuesin e Bregut të Fildishtë do të jetë 15 milionë euro.
Ish-kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro, duket se ka kohë të merret me punët e të tjerëve, pasi që ka paralajmëruar John Terryn për rrezikun qe e pret nga ‘sëpata’ e ‘Don Fabios’.
“Për mendimin tim, John Terry nuk do të jetë në kombëtaren angleze. Po nuk e dëgjove Capellon, atëherë për ty nuk do të dëgjohet më, pasi që ai nuk dëshiron t’i shkatërrohet kampionati”.
“Ishte vendim absolutisht korrekt që Federata Angleze e Futbollit (FA) vendosi ta mbante Capellon. Ai tani mund ta bëj këtë ekip të Anglisë për vete dhe për mua ata janë favoritë për Euro 2012”.
“Nuk dua të flas për Capellon, por do të isha i befasuar nëse pesë lojtarë nga formacioni startues ndaj Gjermanisë do të luanin në Euro 2012. Për mua, dy lojtarët e vetëm të cilët e kan pozitën e garantuar në formacionin startues për Euro 2012 janë Ashley Cole dhe Wayne Rooney. Më pas Capello ka kohë ta ndërtoj ekipin dhe ndoshta do të jetë ekip më pak i njohur se sa në Botëror. Edhe Spanja do të jetë aty, por nëse Capello nxehet, atëherë Anglia do të sheh se pse bëri mirë që e mbajti Capellon”, deklaroi Cannavaro.
Liverpooli dëshiron që të sqarojë të ardhmen e Fernando Torresit dhe Steven Gerrardit brenda dy javëve të ardhshme, për t’u dhënë fund njëherë e përgjithmonë spekulimeve.
Sipas News of the World, Roy Hodgson do të bisedojë me Gerrardin të martën kur ai të rikthehet në stërvitje. Ky afat dyjavor për të ardhmet e futbollistëve ka për qëllim lënien prapa të një sage që po zgjatë me muaj të tërë dhe planifikimin e transferimeve.
Javier Mascherano që tani do të mund të konsiderohet lojtar i Interit, kurse në atë rast Liverpooli do të fitonte 30 milionë funte, por nëse shitet dyshja Gerrard-Torres atëherë gjithsej Liverpooli do të kishte 140 milionë funte për të shpenzuar në këtë afat kalimtar veror, duke llogaritur dhe largimet tjera që janë bërë deri tani.
Sulmuesit të Arsenalit, Robin van Persie, duket t’i ketë ardhur në maje të hundës loja e Arsenalit, pasi që ai mendon se nuk ka dobi nga loja e bukur nëse mungojnë rezultatet.
“Njerëzit na kritikuan për stilin tonë të lojës. Nuk ishte dhe aq lojë e mirë me Holandën. Por, pyetja ime është: Të arrini në finale me lojë të shëmtuar apo të eliminoheni në rrethin e parë me lojë të bukur, cilën do ta zgjidhnit?”.
“Pak para se Franca t’i paketonte valixhet, Patrick Vieira më kishte thënë se nuk ka nevojë të luajmë lojë të bukur në fazën grupore, e as në rrethin e dytë. Më vonë ne duhet të arrijmë nivelin më të lartë si ekip dhe këtë e bëmë pikërisht ndaj Brazilit, ku ishim të shkëlqyer”.
“Unë e di se sa e vështirë është të luash futboll të bukur dhe të mos marrësh rezultatet të cilat i dëshiron. Unë e shoh këtë te Arsenali më shpesh se që kam dëshirë. Kur luajmë ndaj Boltonit apo Blackburnit, ne e dominojmë lojën, luajmë futboll sulmues, kurse ata shënojnë gola nga rivënie pa lidhje anësore apo nga korneri. Më pas, e përfundojmë ndeshjen duke i ndjekur ata. Kritikat që i morëm si Holandë i mësova nga ato që i marrim te Arsenali. Ishte një finale. Ju nuk dorëzoheni pa luftuar, apo jo?”, deklaroi Van Persie për Daily Mail.
Kapiteni legjendar i Barcelonës, Carles Puyol, ka lansuar edhe një sulm tjetër në drejtim të Arsenalit sa i përket çështjes së shumëpërfolur ‘Cesc Fabregas’, pasi u ka bërë thirrje Topçinjve të heqin dorë nga asi i tyre.
“Cesc është vërtet një djalë i mirë që mezi pret të bëhet lojtar i Barcelonës. Por, ai nuk është nga ata lojtarët që dëshiron të përdorë mediat për të ardhur deri tek transferimi. Ky nuk është stili i tij. Mendoj se Arsenali duhet ta respektoj klasin e tij dhe të tregoj klasin e njëjtë duke i dhënë djaloshit që u dha shumë atyre, atë që kërkon ai dhe familja e tij. Ai nuk po privohet vetëm nga mundësia për të ardhur te klubi më i mirë në botë, ai po privohet nga kthimi në shtëpi”.
“Ai ka tentuar aq shumë që të fitoj trofe te Arsenali dhe kur ai e sheh suksesin e bashkëlojtarëve të tij spanjoll te Barcelona, është e natyrshme që ai dëshiron të jetë pjesë e suksesit. Ai është e ardhmja e Barcelonës dhe Arsenali nuk mund të bëj asgjë për ta ndalur atë. Unë kam kaluar gjashtë javë me të dhe ekziston vetëm një klub të cilin ai e dëshiron. Skenari më i keq është që ne duhet të presim edhe 12 muaj, por Arsenali, Barcelona dhe vetë Cesc e di se ky është skenari më i keq i mundshëm”, deklaroi Puyol.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, këmbëngul se sulmuesi Dimitar Berbatov nuk është në shitje.
Përkundër faktit se bullgari ishte lidhur me një kalim te Bayerni, Milani dhe Tottenhami, Ferguson vazhdon t’i besojë ish-sulmuesit të Spursave.
“Nuk ka lidhje sa njerëz e kritikojnë atë dhe kjo kurrë nuk del nga shtabi ynë. Ne e shohim klasin e tij. Ne e dimë se e kemi lojtarin e duhur në të”, theksoi Fergie.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, është i gatshëm ta shesë sulmuesin Robbie Keane te Aston Villa.
Sipas Mirror, Tottenhami nuk është në disponim ta lë si huazim irlandezin Keane, por ta shesë atë në mënyrë permanente, gjë që konfirmohet dhe nga Harry Redknapp, i cili planifikon rritjen e fondeve për transferime.
“Unë mendoj se ajo është një mundësi sepse ne paguam para të majme për të dhe ta lejonim si huazim përsëri, nuk do të ishte normale”, theksoi Redknapp.
Pronarët e gjigantëve të bejsbollit, New York Yankees, janë duke synuar që të bëhen investitorët e radhës të huaj në Ligën Premier, pasi publikohet një ofertë prej 450 milionë funte për blerjen e Tottenhamit.
Sipas Daily Star, vdekja e pronarit të Yankees, George Steinbrenner, ka zgjuar interesimin e dy djemve të tij, Hal dhe Hank të cilët janë të apasionuar pas futbollit, ndërsa nuk janë të interesuar për të blerë ndonjë klub tjetër në NBA, NFL ose NHL në ShBA. Është Tottenhami dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve ai që u ka rënë në sy multimilionerëve.
“Gjëja e vetme që do të bleja do të ishte një ekip shumë i madh futbolli në Evropë, sipas të gjitha gjasave në Ligën Premier. Kjo gjithmonë është një mundësi për mua”, ka thënë Hank.
Amerikanët në Ligën Premier nuk janë dhe aq të popullarizuar, me familjen Glazer dhe dyshen Gillet - Hicks të cilët urrehen nga tifozët e klubeve respektive, Manchester United dhe Liverpool. Megjithatë, Yankees janë një nga investitorët më stabil në tregun financiar sportiv amerikan. Ata për një sezon shpenzojnë 130 milionë funte në paga të lojtarëve dhe futbollisti më i paguar është Alex Rodriguez që për dhjetë vite kontratë fiton 178 milionë funte.
Numri një i tenisit femëror, Serena Williams, pritet të mungojë në tre turnetë parapërgatitore WTA para ‘grand slam’ US Open, pasi që kishte prerë këmbën në një restorant javën e kaluar.
28-vjeçarja është dashur të operohej në këmbën e saj të djathtë pasi preu këmbën në copa të thyera të qelqit në një restorant, me ç’rast do t’i humbë turnetë në Stamboll, Cincinnati dhe Montreal, ndërsa është në garë me kohën për turneun ‘grand slam’, US Open.
“Unë jam aq e demoralizuar sa që nuk do të jem në gjendje të luaj në turnetë vijues. Nuk më pritet t’u kthehem terreneve të tenisit”, theksoi Williams.
Bosi i Anglisë, Fabio Capello, ka kërkuar që të largohet menjëherë nga qarkullimi në internet i ashtuquajturi “Indeksi i Capellos”, që ka shkaktuar polemika të shumta dhe që tani del se nuk është bërë apo aprovuar nga vetë italiani, por nga dikush tjetër.
“Vlerësimet në këtë ‘indeks’ nuk janë parë apo aprovuar nga zotëri Capello, ishin publikuar pa dijeninë e tij dhe agjentët e tij kanë marrë hapa të menjëhershëm që ai material të largohet”, shkruan në një komunikatë të lëshuar nga FA.
“Indeksi i Capellos” vlerëson lojtarët me anë të një sistemi statistikor, të cilit do të duhej t’i hedhtë një sy dhe vetë ‘Don Fabio’ për t’u dhënë vlerësimin e tij lojtarëve të caktuar. Në këtë ‘indeks’ më poshtë i ranguar ishte Robert Green me 51.67, kurse fituesi i tij ishte Diego Forlan me 65.77 pikë.
Uma Koshi - Agona Shporta (Kosovo Ladies Open 2010) Uma Koshi është fituese e turneut të tenisit Kosovo Ladies Open 2010, pasi mposhti në finale Agona Shportën me rezultat 2-0 në sete.
Koshi pati një punë të lehtë në këtë finale, pasi që në të dy setet u tregua dominuese përballë kundërshtares së saj Agona Shporta, të cilën e deklasoi me rezultat 6-1 dhe 6-2.
Sipas organizatorit, turneu ishte shumë i mirë, si për nga organizimi ashtu dhe nga cilësia.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka filluar t’i tregojë dhëmbët e tij që në fillim të regjimit në Bernabeu, pasi që ka paralajmëruar përfundimin e epokës galaktike nën drejtimin e tij.
“Këtë vit klubi do të ndryshojë drejtim. Transferimet e këtij viti do të jenë të një niveli jo dhe aq të madh. Unë dua të krijoj një skuadër të baraspeshuar. Për të qenë më konkurrues dhe të kemi më shumë opsione do të duhet të transferojmë edhe tre-katër lojtarë”.
“Ronaldo? Cristiano Ronaldo është lojtar i një cilësie të lartë dhe nga ai mund të presësh vetëm gjëra të mira. Askush nuk mund të thotë se Ronaldo nuk është lojtari më i mirë në botë”, deklaroi Mourinho.
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, ndjen se prania e veteranit të Manchester Unitedit në skuadrën e Anglisë, Paul Scholes, do ta kishte bërë diferencën në Botërorin e sivjetmë.
“Fabio është tejet i zhgënjyer që nuk arriti ta kthejë Scholesin nga pensionimi prej kombëtares”.
“Ai ndjeu se prezenca e tij do t’i kishte dhënë atij opsione tjera, sidomos pas formës jo të mirë fizike të Gareth Barry”, tha një burim i afërt me Capellon për Sunday Mirror.
Ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka kritikuar ashpër hierarkinë e Real Madridit, duke thënë se ai nuk pati në dorë asgjë në kohën sa ishte trajner i Los Blancos.
“Ne nuk e fituam Ligën e Kampionëve, sepse nuk kemi pasur një skuadër të strukturuar për këtë dhe ky ishte mospajtimi im më i madh me presidentin Florentino Perez. Në Kupën e Spanjës luajtëm shumë keq dhe është një turp për të cilin përgjegjësia bie totalisht mbi mua”.
“Sneijder dhe Robben? Ne kemi pasur mendime të ndryshme sa i përket formacionit të skuadrës. Disa lojtarë të cilët ndjeva se janë të rëndësishëm ishin shitur”, ka thënë Pellegrini për El Mercurio.
Drejtori i Werder Bremenit, Klaus Allofs, ka deklaruar se klubi nga Wesser Stadion është duke pritur oferta të majme për supertalentin Mesut Ozil.
“Unë tashmë mund të mendoj se ne do të pranojmë oferta nga një numër klubesh në javët në vazhdim apo kur do të jetë pranë mbyllja e afatit kalimtar veror”.
“Nëse vjen diçka konkrete, ne do ta kemi nderin të bisedojmë me Ozil dhe agjentin e tij dhe të shohim se çfarë duan ata. Ne nuk do ta ndryshojmë politikën tonë. Nuk mund ta bëjmë këtë”, deklaroi Allofs.
Werderi i ka ofruar kontratë afatgjate mesfushorit, por bisedimet janë duke ngecur dhe nëse nuk e shet këtë verë, atëherë do ta humbë lojtarin me parametra zero verën e ardhshme.
Sipas Daily Mail, trajneri i Ajaxit, Martin Jol, është fare pranë nënshkrimit me Fulhamin, pasi pronari i klubit nga Craven Cottage, Mohamed Al-Fayed, e ka bindur holandezin me ofertën e tij, duke bërë që një marrëveshje të zyrtarizohet hiç më larg se të hënën.
Kjo është një goditje e rëndë për konkurrencën në Ligën Premier, pasi që të gjithë menduan se Fulhami nuk mund t’ia paguajë holandezit 2 milionë funte ashtu si te Ajaxi, por tani duket se pronarët e Fulhamit e kanë bërë këtë, duke shtuar dhe garancitë për transferime.
Në Holandë ky transferim i Jol në Ligën Premier është shokues, pasi që Ajaxi është shumë pranë Ligës së Kampionëve. Arsyet e një largimi të mundshëm të Jol mund të jenë mungesa e fondeve për të shpenzuar dhe spekulimet për shitjen e lojtarëve më të mirë si Luis Suarez dhe Gregory Van der Wiel.
Edison Cavani edhe zyrtarisht e kompletoi të shtunën në mbrëmje kalimin e tij te Napoli, ndërsa në deklaratën e parë ishte mjaft prekës sa u përket tifozëve të Palermos.
“Unë do të doja ta falënderoja presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis dhe presidentin e Palermos, Maurizio Zamparini, ndërsa shpresoj se tifozët e Palermos do të më kuptojnë. Më vjen keq nëse tifozët e Palermos më urrejnë tani pasi bëra një kalim të tillë, por unë gjithnjë në zemrën time do të mbaj një vend për ta”.
“Të jesh profesionist shpeshherë bën që të marrësh vendime të caktuara. Unë kërkova një skenar ndryshe dhe klubi e ka ditur se erdhi koha që unë të shitem”, ka thënë Cavani.
Presidenti i Napolit, De Laurentiis, sqaroi se nga 17 milionë euro sa kushtoi kalimi i Cavanit te Napoli, 5 milionë do të paguhen tani dhe 12 milionë tjera për një periudhë katërvjeçare.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka bërë thirrje që të ndërpriten njëherë e përgjithmonë spekulimet për të ardhmen e Cesc Fabregas.
“Po, ka pasur shumë fjalë për këtë. Unë gjithmonë kam thënë se ne duam që ai të qëndrojë. Ai është lojtar me rëndësi për ne dhe kapiten i yni dhe ne duam ta mbajmë atë”.
“Kjo është arsye pse nuk i kemi dëgjuar ofertat. Ne po punojmë shumë në të pasurit lojtarë të fortë dhe ne po kërkojmë ta mbajmë atë. Fjalët janë ndalur tani dhe ne kurrë nuk kemi kërkuar nisjen e tyre”, tha Wenger pas fitores prej 4-0 në miqësoren ndaj Barnet.
Është folur për një ‘derbi’ mes Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit për Mario Balotellin, por duket se tani po del në skenë dhe një palë e tretë, me agjentin Mino Raiola që ka konfirmuar interesimin e Chelseat për sulmuesin e ri.
“Unë kam pasur kontakte me disa ekipe. Gazetat kanë shkruar për Manchester United dhe Manchester City, por emrat tjerë do t’i mbaj për vete”, tha agjenti i lojtarit.
Raiola më pas është pyetur se a është edhe Chelsea një nga klubet e interesuara, ndërsa përgjigja e tij ishte: “A po e kërkon Chelsea? Pse jo?”.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka mbështetur Theo Walcott të dëshmojë se përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, ka qenë gabim që nuk e ka përfshirë anësorin në Kupën e Botës.
Walcott u aktivizua për Arsenalin në fitoren e sotme miqësore prej 4-0 ndaj Barnet dhe Wenger beson se 21-vjeçari ka karakter për t’u kthyer edhe më fuqishëm këtë sezon.
“Theo dukej shkëlqyeshëm. Ai është i përkushtuar në stërvitje dhe gjithmonë ka treguar se kur ai është në problem ose i pavlerësuar aq sa duhet, ai përgjigjet mirë në fushë. I kam telefonuar kur ai nuk u përzgjodh dhe u përpoqa t’i ndihmoj të fokusohet në të ardhmen. Ai është i ri dhe ka gjithçka përpara”, ka thënë Wenger për Daily Mail.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se Ashley Cole edhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Stamford Bridge.
Cole së fundi është lidhur me një kalim në Real Madrid, pasi Jose Mourinho u caktua si trajner i ri në Santiago Bernabeu. Por Ancelotti thotë se mbrojtësi i majtë ka marrëveshje me Blutë dhe është i bindur se ai do të luajë për klubin londinez edhe sezonin e ardhshëm.
“Nuk kam biseduar me të (Ashley), nuk ka nevojë të bisedoj me të dhe ai nuk ka nevojë të bisedojë me mua. Ai është lojtar i Chelseat, kishim një sezon fantastik dhe do të jetë një lojtar i rëndësishëm sezonin e ardhshëm. Unë jam 100% i sigurt në këtë”, ka thënë Ancelotti rreth spekulimeve për transferimin e Cole në Real Madrid.
Liverpooli ka pohuar se ka arritur marrëveshje me Fiorentinën për transferimin e mbrojtësit të majtë Emiliano Insua.
Redsat kanë pohuar në faqen zyrtare se argjentinasi ka marrë leje për t’u larguar nga kampi në Zvicër dhe të negociojë për transferim në klubin italian.
“Kemi arritur marrëveshje me Fiorentina për shumën e dëmshpërblimit të transferimit të Emiliano Insua dhe Violat kanë të drejtë të bisedojnë me lojtarin”, thuhet në deklaratën e Liverpoolit.
Insua ka arritur në Anfield në janar të vitit 2007 nga Boca Juniors dhe në fanellën e kuqe ka luajtur 62 ndeshje duke shënuar edhe një gol.
Carlo Ancelotti ka folur rreth sagës së fundit të transferimeve në kampionatin anglez, mundësinë e kalimit të Fernando Torres në Chelsea.
Torres së fundi është lidhur me një kalim në Chelsea për një shumë rekorde në Ligën Premier, 50 milionë funte. Por trajneri italian ka thënë se ai ka mjaft sulmues të mirë në ekip dhe se nuk ka nevojë për shërbimet e spanjollit.
“Mendoj se nuk kemi nevojë për një sulmues të ri. Asgjë nuk ka ndryshuar pasi në disa ditët e ardhshëm do të rikthehen Drogba dhe Kalou dhe e kemi edhe Sturidge”, ka thënë Ancelotti.