Interi do të rivalizojë Real Madridin në garën për transferimin e mbrojtësit problematik të Manchester Unitedit, Patrice Evra.Sipas Gazzetta dello Sport, Evra e ka vënë në shitje shtëpinë e tij në Mançester, pasi kërkon një sfidë të re pas katër sezoneve plot sukses në Old Trafford.
Ferguson i ka dhënë francezit mjaft kohë për të pushuar pas skandaleve në kombëtaren e tij, por mediat italiane thonë se është duke u negociuar një transferim i Evras te trekampioni.
Nga ana tjetër, thuhet se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, e sheh Evran si alternativë të mirë nëse dështon transferimi i Ashley Cole.
Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, ka shfaqur mentalitetin e hekurt të skuadrës në prag të fillimi të sezonit të ri, duke thënë se Bianconerët nuk do të dështojnë më.“Sezoni i kaluar? Më mësoi se asgjë nuk është e pamundur dhe na mësoi që edhe nëse jemi top ekip, atëherë duhet të luftojmë për të qenë në vendet e para. Pjesa e parë e vitit 2010 nuk ishte e mirë. Ne do të duhet të bëjmë gjithçka për të rifilluar. Të gjithë e kanë vullnetin për të luajtur më mirë dhe për të parandaluar gabimet e sezonit të kaluar”.
“Ekipi nuk ka ndryshuar dhe aq, ndërsa ata që kanë ardhur kanë luajtur mirë nëpër klubet e tyre. Ata e dinë se sa i rëndësishëm është klubi dhe se sa i rëndësishëm do të jetë sezoni i ardhshëm. Juventusi është ekip i fortë dhe këtë duhet ta dinë të gjithë”, deklaroi Marchisio.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis Van Gaal, ka sulmuar Marcello Lippin duke thënë se Italia e tij ishte tejet e moshuar për të arritur sukses në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.“Unë pata parashikuar se Italia nuk do të kalonte fazën grupore dhe se Argjentina nuk do të shkonte në finale”.
“Rikthimi i Lippit në kombëtare? Unë gjithashtu u ktheva te Barcelona. Një herë është mirë, por herën tjetër fillon të bëhet keq. Sa për Italinë, ekipi ishte tejet i moshuar”, ka thënë Van Gaal për Rai Sport.
Marrëveshja për transferimin e 18-vjeçarit në Anfield është publikuar të martën, ndërsa transferimi kushtoi rreth 2 milionë funte.
“Është një ndjenjë e mirë të kem nënshkruar për Liverpoolin. Kudo që shkoni secili e njeh Liverpoolin dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Kjo është një sfidë e madhe për mua. Ky është një nga kampionatet më të mira në botë dhe unë do të luaj për një nga ekipet më të mira në botë”, deklaroi Wilson për Liverpool TV.
Mesfushori i talentuar gjerman, Mesut Ozil, në horizontin e të interesuarve tani ka edhe kampionin e Evropës, Inter.Sipas raportit në të përditshmen gjermane Bild, Rafa Benitez ishte i interesuar në Ozil para se ai të largohej nga Liverpooli. Tani si trajner i Interit, ai mund të ndikojë te Massimo Moratti, që ky i fundit të ketë fjalën e fundit sa i përket të ardhmes së gjermanit.
Ozil vlen 25 milionë euro, shumë që do të mbulohej pa problem nga Interi, marrë parasysh se Balotelli pritet të largohet drejt Cityt për mbi 30 milionë euro dhe duke marrë parasysh 100 milionë eurot tjera që i ka në dispozicion për këtë afat kalimtar veror.
Për Ozil pos Interit, janë shprehur të interesuar edhe Arsenali, Manchester Unitedi, Real Madridi dhe Chelsea.
Ajaxi ka konfirmuar se negociatat me Bayern Munichun kanë mbaruar sa i përket çështjes së transferimit të mbrojtësit, Gregory Van der Wiel, pasi që palët dështuan të arrijnë një marrëveshje.“Ajaxi dhe Bayerni nuk janë më në bisedime për Gregory Van der Wiel”, thuhet në komunikatën e lëshuar të mërkurën pasdite nga klubi holandez.
Padyshim se ky dështim në negociata i ka hapur rrugë largimit të Martin Jol nga Ajaxi, pasi që holandezi ka kërkuar nga bordi i Ajaxit para shtesë për transferime, gjë që do të bëhej e mundur po të shitej Van der Wiel.
FIFA ka ratifikuar vendimin e UEFA-s për përdorimin e dy gjyqtarëve shtesë prapa golave në Ligën e Kampionëve, duke filluar nga sezoni i ardhshëm për dy sezonet në vijim.Përfshirja e dy gjyqtarëve shtesë së pari u publikua në maj, kurse tani do të merr jetë, duke filluar nga sezoni i ardhshëm në garën elitare të klubeve evropiane, ashtu si në kualifikimet për Euro 2012. Ky vendim u mor në mbledhjen e bordit të FIFA-s në Cardiff.
Ky ndryshim u miratua pas suksesit me dy gjyqtarët shtesë në ndeshjet e Europa League. Gjyqtarët prapa golave kanë për detyrë t’i ndihmojnë gjyqtarit kryesor në situatat kontroverse brenda zonës së gjashtëmbëdhjetëmetërshit.
FIFA gjithashtu konfirmoi se nuk do të bisedohet për implementimin e teknologjisë në vijën e golit deri në takimin e përgjithshëm vjetor në tetor.
Sulmuesi i Arsenalit, Eduardo, ka kompletuar edhe zyrtarisht kalimin e tij te Shakhtar Donetsk ku ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare.27-vjeçari do të përfitojë nga 50.000 funte në javë dhe përkundër interesimit të shumë klubeve me renome, ai vendosi të kalonte për 7.5 milionë funte te klubi ukrainas.
“Sot më 21 korrik, FC Shakhtar ka transferuar kroatin me origjinë braziliane Eduardo Da Silva nga Arsenali. Eduardo ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, detajet e të cilës u vendosën në Donbas Arena të Donetskut”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi ukrainas.
Sulmuesi i Barcelonës, Bojan Krkic, ka ndezur rivalitetin mes Barcelonës dhe Real Madridit në prag të fillimit të sezonit të ri dhe në mes të afatit kalimtar veror, duke thënë se Real Madridi nuk mund të transferojë futbollistët më të mirë të globit, pasi që ata janë te Barcelona.“Me transferimin e Mourinhos, Reali do të fitojë më shumë ndeshje dhe pikë se sezonin e kaluar. Ai është një trajner i mirë që kërkon punë edhe pse sezonin e kaluar Reali pati mjaft sukses. Ky sezon do të jetë në vijë të njëjtë”, ka thënë Krkic.
Ndërkohë, sa i përket transferimeve të Los Blancos, sulmuesi blaugran është shprehur: “Real Madridi nuk mund t’i transferojë lojtarët më të mirë sepse ata janë te Barcelona”.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka këmbëngulur se ai nuk është nën presion nga presidenti, Silvio Berlusconi, ndërsa thotë se beson në aftësitë e Ronaldinhos.“Unë nuk e kam shpinën për muri dhe Berlusconi nuk ka vënë kurrfarë presioni mbi mua. Unë dua rezultate dhe një ekip konkurrues, ndërsa ne natyrisht nuk do t’i shikojmë ekipet tjera duke fituar”.
“Berlusconi është president dhe ai i ka idetë e tij. Cilësitë e Ronaldinhos nuk janë vënë kurrë në pikëpyetje. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por individualiteti nuk është gjithçka në futboll. Gjëja më e rëndësishme është që të dish se si ta integrosh veten në grup. Grupi duhet të punojë shumë për individin, por ai duhet të punojë shumë për grupin”, deklaroi Allegri.
Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) pritet që së shpejti t’ia ofrojë përzgjedhësit aktual, Diego Armando Maradona, një kontratë të re katërvjeçare, të cilën ‘el Pibe de Oro’ pritet ta nënshkruajë javën e ardhshme.“Maradona më telefonoi dhe më tha se dëshiron të japë dorëheqje, ndërsa unë i thashë se dua që të shoh futboll dhe jo softboll, kurse përgjigja e tij ishte: ‘unë do të paguaj për të gjitha’”, theksoi Grondona, presidenti i AFA para emisionit Alo Presidente.
Sipas spekulimeve nga Argjentina, Maradona tani është gati t’ia kushtojë të ardhmen kombëtares argjentinase, ashtu që pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare.
Liverpooli ka konfirmuar se Joe Cole ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe pritet që së shpejti të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me The Reds.Cole kaloi te Liverpooli si transfer i lirë pasi kontrata i kishte skaduar në fund të sezonit. Joe Cole te Liverpooli do të bart fanellën me numrin 10 dhe jo me numër 7, ashtu siç ishte paralajmëruar më parë.
Transferimi i Cole u prit shumë mirë në zhveshtoren e Liverpoolit, pasi që u pa entuziazëm nga kapiteni Steven Gerrard i cili vendosi t’i mbetet besnik klubit nga Anfield.
Marca kishte pohuar paradite se Real Madridi i ka bërë një ofertë të panegociueshme Interit në formë ultimatumi prej 22 milionë eurosh. Megjithatë, sipas agjentit Antonio Caliendo, vënia e Interit në një pozicion, ‘ose krejt ose hiq’ është në dëm të Realit.
“Ultimatum nga Reali? Ne nuk dimë asgjë për këtë, por do të ishte mosrespektuese. Nëse gjërat qëndrojnë si janë, atëherë ai do të mbetet te Interi. Maicon ende nuk ka biseduar me Benitez. Unë kam tentuar ta mbaj Maiconin sa më larg spekulimeve të merkatos, sepse ai e meriton një pushim trejavorë nga dramat e spekulimeve”, theksoi Caliendo për Sky Sport Italia.
Agjenti i Mario Balotellit dhe i Zlatan Ibrahimovic, Mino Raiola, ka aluduar se SuperMario do të nënshkruajë për Cityn javën e ardhshme, ndërsa ka pohuar me sens humori se Zlatan Ibrahimovic do të jetë lojtar i Milanit.“Për Marion sot nuk ka asgjë të re dhe nuk do të ketë deri javën e ardhshme”, theksoi Raiola, që konfirmon arritjen e marrëveshjes mes Cityt dhe Interit që sipas Daily Mail kushtoi 27 milionë euro.
Nga ana tjetër, Raiola ishte në humor të mirë, pasi që për të ngopur gazetarët, e ‘pranoi’ se ish-sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, do t’i bashkohet Milanit.
“Secilën herë që përgjigjem, ju djem nuk jeni të kënaqur, kështu që më duhet të them se ai do të shkojë te Milani”, ka thënë Raiola.
Ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka këmbëngulur se karriera e tij ende nuk ka përfunduar, pasi që atij do t’i pëlqente një rikthim në stol të ndonjë skuadre në La Liga.“Nuk mendoj se karriera ime mbaroi pasi e drejtova Real Madridin. Unë nuk jam i idesë që tani mund të drejtoj vetëm Manchester United apo Milanin, nuk është logjike kjo. Për mua, më shumë se në ekipe, jam i interesuar në projekte, pasi që unë mund të arrij suksese kudo, si në klube si në ndonjë kombëtare”.
“Unë gjithnjë kam thënë se e dua Kampionatin spanjoll. Në fakt, unë kalova gjashtë vite këtu dhe unë jam zgjedhur trajneri më i mirë, ndërsa tani mendoj se kam një emër të mirë që mund të më lejojë të drejtoj klube tjera. Ju do të befasoheni nëse ju tregoj numrin e klubeve që më kontaktuan dhe që i refuzova. Ç’është e vërteta, unë mendoj se tani duhet të pushoj deri në dhjetor dhe më pas të rikthehem”, deklaroi Pellegrini për AS.
Kalimi i Sami Khediras te Reali është vështirësuar tej mase, pasi që AS njofton se këto vështirësi për Realin vijnë për shkak të kërkesave të lojtarit për një pagë 7 milionë euro në sezon dhe për shkak të interesimit të Bayernit.Sipas AS, agjenti i Khediras, Jorg Neubauer, ka pasur një parakontratë me Bayernin, e cila e detyronte klubin bavarez ta transferonte Khediran dhe t’ia ofronte atij një kontratë gjashtëvjeçare, ndërsa tani këtë agjenti i Khediras dëshiron ta përdorë për ta nxitur Realin të veprojë.
Ende nuk dihet nëse Jose Mourinho do të kërkojë nga Florentino Perez që të intervenojë në këtë rast, duke marrë parasysh mesfushorët e shumtë që ka Real Madridi.
Interi ka transferuar edhe zyrtarisht mbrojtësin Andrea Ranocchia në një marrëveshje pesëvjeçare në bashkëpronësi me Genoan.Interi e konfirmoi zyrtarizimin e bashkëpronësisë në faqen zyrtare ku po ashtu njoftoi se Ranocchia pritet që sezonin e ardhshëm të luajë në fanellën e Genoas.
Andrea Ranocchia ka shfaqur paraqitje tejet solide në fanellën e Barit, që arriti t’u shkaktojë telashe edhe klubeve më të mëdha të gadishullit Apenin.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i bindur se pjekuria e Wayne Rooneyt do të bëj që ai të bëhet një futbollist shumë më i kompletuar.“Wayne u përmirësua sezonin e kaluar në aspekt të tajmingut dhe lëvizshmërisë në zonën e penaltisë dhe pozicionimi i tij është përmirësuar dukshëm për dallim nga sezonet e kaluara. Ai na ka dhënë mbi 30 gola dhe nëse ai e bën këtë përsëri, dhe shton diçka në lojën e tij atëherë do t’i përmbushë pritjet tona”.
“Ky djalosh ka talent të pabesueshëm dhe ajo që duhet të bëjmë tani është të presim derisa ai të piqet. Ne gjithashtu jemi duke e mësuar dhe po tentojmë ta këshillojmë e ta drejtojmë në një mënyrë që ai të përmirësojë lojën e tij. Por, gjëja më e rëndësishme është që atij i nevojitet tani pjekuria dhe kur ai të piqet, atëherë ju do të shihni një futbollist të kompletuar tek ai”, ka thënë Fergie.
Drejtori i Interit, Marco Branca, i është përgigjur kapitenit të Romës, Francesco Totti, që pati deklaruar se Romës i janë vjedhur dy Scudetto në të kaluarën dhe se Interi është i mbrojtur nga të gjithë.“Unë e kuptoj Tottin që ai duhet të shprehet, por mendoj se e ka ekzagjeruar dhe ishte mosrespektues sa u përket Scudettove të vjedhura”.
“Ai ka treguar mungesë të respektit për ata që janë duke e dominuar futbollin italian, por pasi që ka thënë këtë, unë vetëm do ta përqafi. Ndoshta ai është kapluar nga të nxehtit e kësaj vere”, u shpreh Branca për La Gazzetta dello Sport.
Massimo Oddo ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare me Milanin, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Rosonerëve.“A.C. Milan dëshiron të komunikojë se ka zgjatur kontratën e Massimo Oddos deri më 30 qershor të vitit 2011”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi.
Në ndërkohë, Il Corriere dello Sport pohon se dëshira e Berlusconit për të parë futboll spekaktolar nga Milani sezonin e ardhshëm, mund të vihet në jetë me transferimin e një sulmuesi siç është Luis Fabiano.
Marca shkruan se oferta e fundit e Jose Mourinhos për ish-mbrojtësin e tij është 22 milionë euro dhe tani është në dorë të Massimo Morattit, i cili vendimin definitiv pritet ta marr në fundjavë.
Ky nxitim i Realit është për arsye se në rast të dështimit të marrëveshjes për Maiconin, ata planifikojnë të kenë mjaft kohë për të kërkuar Thiago Silvan e Milanit apo David Luzin e Benficas.
Manchester United thuhet se është vënë pas mesfushorit të talentuar gjerman të Werder Bremenit, Mesut Ozil, në tentim për t’i dhënë ‘sharm’ mesfushës së Djajve të Kuq.Ozil ka vetëm edhe një vit kontratë me Werderin dhe tani është momenti ideal që mesfushori të kalojë te ndonjë klub i kategorisë së rëndë, ndërsa deri në këto momente të interesuar janë treguar Arsenali dhe Real Madridi.
Megjithatë, The Sun njofton se Djajtë e Kuq janë duke e vështruar mesfushorin e talentuar që nga koha kur Sir Alex Ferguson dështoi ta sillte atë në Old Trafford kur Ozil ishte adoleshent.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, sigurisht se do të nervozojë tej mase drejtuesit e Arsenalit, e në veçanti Arsene Wengerin me komentet e tij të fundit, ku thotë se Fabregas është vetëm i huazuar te Arsenali.“Ne e dimë se Cesc dëshiron të vijë këtu për sezonin që do të fillojë së shpejti, por ndoshta nuk ka kohë për Barcelonën dhe Arsenalin që të arrijnë marrëveshje. Arsenali duhet të kuptojë se vetëm është duke e shtyrë një gjë të paevitueshme. Nëse nuk do ta transferojmë këtë verë, atëherë Arsenali do ta ketë atë edhe një vit si huazim, sepse nuk ka asgjë që mund të bëjnë për të ndalur transferimin e tij verën e ardhshme”.
“Njerëzit e Fabregas kanë kohë një sezon të tërë për të shkëputur kontratën nga Arsenali dhe transferimi do të ndodhë jo më larg se verën e ardhshme. Nuk jam dorëzuar në atë se mund të vijë këtë verë, por nëse nuk vjen, do të jetë vetëm edhe një vit më shumë kur ai të kthehet në shtëpi”.
“Ne kemi qenë me të për pesë javë në Afrikën e Jugut dhe ai e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë në Barcelonë. Por, ai në asnjë mënyrë nuk dëshiron të bëjë ndonjë gjë që do të ofendojë tifozët e Arsenalit. Dhe kjo është arsyeja pse ndoshta duhet të presim edhe një vit”, ka thënë Xavi për The Daily Express.
Peter Cech mund të mungojë në ndeshjen e parë të Chelseat në Ligën Premier ndaj West Bromwich Albion, pasi ka marrë lëndim gjatë stërvitjeve, shkruan Daily Mail.Çeku pritet të jetë jashtë fushe për tre javë, që do të thotë se ai do të mungojë në ndeshjen e Community Shield (superkupa e Anglisë) në Wembley kundër Manchester United që zhvillohet pas dy javësh.
Nëse ai dështon të rikuperohet në kohë, ai do të mund të mungojë edhe në ndeshjen hapëse të Ligës Premier në Stamford Bridge kundër WBA, dhe Carlo Ancelotti pritet të mbështetet në shërbimet e Ross Turnbull.
Agjenti i mesfushorit të Milanit, Gennaro Gattuso, raportohet se është duke negociuar me Al Ahli për një transferim të italianit.Al Ahli, që tashmë ka transferuar kapitenin e kombëtares italiane Fabio Cannavaro, së bashku me ish-menaxherin e Aston Villa dhe Leeds United, David O'Leary, dëshiron të nënshkruajë edhe me Gattuso.
TMW shkruan se agjenti i Gattuso, Andrea D'Amico, këtë javë ndodhet në Dubai për të biseduar për klubin e pasur të Emirateve të Bashkuara Arabe.
President i Milanit, Silvio Berlusconi, beson se klubi do të shijojë sukses nën drejtimin e trajnerit të ri Massimiliano Allegri.Allegri arriti në San Siro në fund të sezonit të kaluar nga Cagliari si zëvendësim për të shkarkuarin Leonardo.
“Ai duket sikur të ishte një yll filmash, por në fakt ai është një trajner i shkëlqyeshëm. Ne shohim gjëra në të, që e bëjnë atë një person ideal për të drejtuar këtë ekip. Ai ka vetëm një mision, të fitojë çdo garë në të cilën luajmë”, ka thënë Berlusconi.
“Ne duhet gjithmonë të jemi drejtues në fushë, në lëvizjen e lojës, të mbledhim fitore në një mënyrë argëtuese dhe spaktakolare”, ka shtuar kryeministri italian.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, pohon se mesfushori i porsatransferuar, Joe Cole, ka shkuar në Anfield për shkaqe të lidhura me futbollin dhe jo për shkaqe ekonomike.“Unë jam shumë i kënaqur sepse çdo brengë se do të ishte një ankand në lidhje me arsye ekonomike, u zhduk shpejtë pas një bisede të gjatë me Joe Cole. Ai do të jetë një nga lojtarët më të paguar sepse ai është një transfer i lirë dhe ai do të është mjaft i vlefshëm në treg. Ne kemi dashur të bëjmë të qartë se ne e duam atë këtu për shkaqe të lidhura me futbollin dhe vetëm nëse ai do të pranonte strukturën tonë të pagesave”.
“Unë jam i kënaqur të them se Joe Cole e ka zgjedhur Liverpoolin vetëm për të luajtur futboll dhe jo për para. Kjo është një gjë që më kënaq mua si menaxher dhe vetë klubin. Ai është një nga mesfushorët ofensiv më të mirë në Angli. Paraqitjet e tija për Chelsean dhe Anglinë gjatë viteve e kanë treguar këtë”.
“Ai është një lojtar që mund të luaj në një numër pozitash sulmuese, të cilat janë mjaft të dobishme. Ai është një lojtar cilësor. Njerëzit mund të flasin për cilësinë në mënyra të ndryshme, por për mua ai ka një cilësi të përgjithshme që e bën atë një lojtar të mirë dhe një që ne shpresojmë që mund ta përdorim shumë duke filluar nga ky vit”, ka thënë Hodgson.
Trajneri i Ajaxit, Martin Jol, ka deklaruar se ai është kontaktuar nga drejtuesit e Fulhamit për të përmbushur vendin e lënë bosh nga Roy Hodgson, i cili mori drejtimin e Liverpoolit.“Fulhami është i interesuar dhe më ka kontaktuar me anë të shumë njerëzve, por unë nuk do t’i jap Ajaxit ultimatum. Të mërkurën do të vazhdojnë bisedimet me Ajaxin, këto bisedime po zgjasin që disa ditë dhe mund të zgjasin edhe disa javë”.
“Unë jam i brengosur për Ajaxin, por edhe bordi është i brengosur sepse duhet t’i lëmë disa lojtarë të largohen. Ka interesim për disa nga top lojtarët tanë dhe kjo është arsyeja pse jam i brengosur. Ne nuk jemi në negociata. Është më shumë një situatë sikurse, ‘si të gjejmë një zgjidhje?’. Ne shohim klube tjera janë aktive në tregun e transferimeve, Ajaxi ende jo”, deklaroi Jol para gazetarëve.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka siguruar tifozët se Los Blancos do të bëjnë më të mirën për të fituar të gjitha ndeshjet e sezonit të ri në La Liga, shorti i të cilit u hodh të martën.“Ne duhet të luajmë ndaj të gjithëve dhe të tregojmë cilësinë e kampionatit pas triumfit në Botëror. Ne ndjehemi gati ta bëjmë atë. Unë do të doja të përgëzoja Federatën Spanjolle dhe lojtarët për triumfin e tyre. Ne jemi kënaqur së shikuari dhe festuari. Ky sukses u dha të gjithëve emocione. Lojtarët kanë ditur se si ta prezantojnë futbollin tonë me dinjitet”.
“El Classico do të luhet në periudhë të njëjtë si vitin e kaluar. Ne shpresojmë të jemi në formë të mirë kur të vijë koha. Ne tashmë do të kemi luajtur në Ligën e Kampionëve dhe deri atëherë do të kemi gjetur momentin tonë”.
“Mourinho është i apasionuar për futbollin dhe ai e bën të veten me punën e tij. Të jesh i dijshëm për futbollin është me rëndësi, por të jesh në gjendje të transmetosh emocionet është një gjë edhe më speciale. Suksesi i tij në të kaluarën bart vlera për aftësinë e tij në ndërtimin e ekipeve fituese”, deklaroi Valdano.
Anësori i Bayern Munichut, Franck Ribery, akuzohet për nxitje seksuale të një prostitute të mitur, ndërsa për këtë rrezikon tre vite burg, sipas një zyrtari të juridiksionit.Ribery dhe Karim Benzema i Real Madridit janë marrë në pyetje kohë më parë nga policia e Parisit për lidhje me prostitucionin. Lojtarët u bënë caqe të hetimeve pasi thuhet të kenë paguar për shërbimet seksuale të Zahia Dehar kur ajo ishte një minorene.
Prostitucioni është legal në Francë, por prostitutat duhet të jenë mbi moshën 18 vjeçare. Kjo femër kur u mor në pyetje kishte deklaruar se lojtarët nuk kanë pasur dijeni për moshën e saj, por kjo nuk ka ndaluar policinë t’i hetojë futbollistët.
“Ribery është vënë nën hetim zyrtar pas u mor disa orë në pyetje, për t’u liruar më pas. Karim Benzema pritet që së shpejti të paraqitet në gjykatë. Të dy rrezikojnë tri vite burgim, por vetëm nëse prokuroria arrin të dëshmojë se ata kanë pasur njohuri për moshën e prostitutës”, ka thënë zyrtari i juridiksionit francez për AFP.
Trajneri i Mallorcas, Michael Laudrup, ka deklaruar se ndeshja e javës së parë në La Liga ndaj Real Madridit do të jetë një sfidë tepër e vështirë për skuadrën e tij.“Është një fillim tepër i vështirë, por është njëjtë nëse u nënshtrohemi ekipeve më të forta herët apo vonë. Është një start që dëshiron mjaft përkushtim”, theksoi Laudrup.
Edhe Laudrup edhe Mourinho pritet të debutojnë në sfidën që i vë përballë njëri-tjetrit dy strategët.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është shprehur mjaft i kënaqur me gatishmërinë e Steven Gerrard që të qëndrojë në Anfield.“Është një lajm i mirë ky. Nuk ka njeri në Liverpool sot që nuk është i kënaqur të dëgjojë këtë. Unë jam vërtetë i kënaqur për këtë sepse unë kam repsekt të madh për Steven Gerrard. Ai është një lojtar që vërtet mezi priti t’ia nisë punës me mua. Tani duket që kjo u shpreh dhe me gatishmërinë e tij për të qëndruar”.
“Kjo është padyshim një shtysë e madhe. Do të jetë një sezon i vështirë, me shumë ndeshje dhe zhgënjimi i sezonit të kaluar do të na japë pesimizëm, por është shumë mirë që lojtarët tanë do të qëndrojnë në klub. Shpresojmë që me transferimin e Joe Cole dhe nëse jemi me fat me një ose dy transferime tjera, do t’i japim shtysë skuadrës, ne do të hyjmë në sezonin e ri, më të fortë në letër sesa sezonin e kaluar”, ka thënë Hodgson.
Agjenti i Juan Manuel Vargas ka thënë se Fiorentina është në pritje të ofertave nga Juventusi, Barcelona dhe Real Madridi për klientin e tij.Fiorentina tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin se nuk ka në plan shitjen e lojtarëve të rëndësishëm, por ende ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje sipas agjentit, Gustavo Ghezzi.
“Unë mund të konfirmoj fjalët e drejtorëve të klubit, pasi që për momentin nuk ka oferta për Vargas. A do të takohem me drejtorin Pantaleo Corvino? Tani për tani nuk kam ndonjë termin me të, por nëse do të takohem me të, nuk do të jetë një gjë e keqe”, tha Ghezzi.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka sqaruar në një konferencë për shtyp se ai nuk ka ndërmend të lëkundet nga protestat e ashpra të Rossonerëve, duke shtuar se Ronaldinho do të mbetet përjetë te Milani.“Unë u them atyre që protestojnë se në shtatë vitet e fundit ne kemi shpenzuar 461 milionë euro, një mesatare prej rreth 60 milionë euro për vit. Asnjë klub tjetër italian nuk e ka bërë këtë si ne. Misioni i Allegrit është që të fitojë gjithçka në çdo garë që do të marrim pjesë”.
“Unë e dua një Milan sulmues që luan futboll spektakolar dhe që i bën tifozët të kënaqen. Ne jemi ekipi më i njohur në botë dhe ekipi që ka fituar më shumë tituj se askush tjetër, madje më shumë se Real Madridi”, theksoi Berlusconi, duke vijuar më pas me çështjen Ronaldinho.
“Ne kemi një skuadër që është mjaft konkurruese për të sfiduar të tjerët. Cilat ekipe kanë lojtarë si Ronaldino, Andrea Pirlo, Pato dhe Seedorf nëpër skuadrat e tyre? Ronaldinho për mendimin tim është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave dhe ai do të vendoset në një situatë për të shënuar gola, sepse ai ka sy për gol. Ai ka kokë të shpejtë. Ai është atraksioni numër një i Milanit. Unë kam një marrëveshje personale me të. Ai do të mbesë te Milani edhe kur të përfundojë së luajturi”.
“Thiago Silva? Ne kemi pasur oferta nga Real Madridi por i kemi refuzuar ato. Ne kemi një skuadër me lojtarë që na kushtojnë shumë, por ne duam të vazhdojmë së fituari. Ne duam ta mbajmë Milanin së bashku si një skuadër fituese”, deklaroi Berlusconi.
Chelsea thuhet të ketë bërë një ofertë prej 20 milionë eurosh për supertalentin e Santos, Neymar.Globoesporte pohon se pasi i është kthyer prapa oferta prej 15 milionë euro, Ancelotti ka vendosur të rrisë ofertën e tij në 20 milionë euro. Për Neymar në të kaluarën, Santos është dashur të refuzojë oferta nga Manchester City dhe West Ham.
Ishte pikërisht babai dhe agjenti i futbollistit brazilian që refuzoi kalimin te City apo West Ham, duke thënë se ai ka dëshirë që i biri i tij të luajë në një skuadër të fuqishme evropiane.
Anglia ka humbur sponsorin e përgjithshëm të saj, shoqërinë ndërtimore, Nationwide, ndërsa këtë hap e konfirmoi vetë kompania.Federata Angleze duhet të kërkojë tani një sponsor të ri para ndeshjes miqësore ndaj Hungarisë më 11 gusht. Ky largim i Nationwide vjen pasi Federata Angleze refuzoi ofertën prej 20 milionë funtesh.
Anglia humbi vitin e kaluar edhe shumë partnerë të të drejtave televizive, me transmetuesin Setanta që u detyrua të largohej. Sponsorizimi i Nationwide në kombëtaren angleze përfshiu reklamimin nëpër fanella dhe bileta në të gjitha stërvitje dhe gjithashtu reklama gjatë konferencave për shtyp ashtu si edhe gjatë ndeshjeve.
















