Manchester United është klubi më i pasur në botë sipas listës së revistës Forbes.Pasuria e Manchester United llogaritet 1 miliard e 830 milionë dollarë, ndërsa pasohet nga klubi i futbollit amerikan, Dallas Cowboys, që kanë pasur përfitime prej 1.65 miliard dollarë. Pozitën e tretë e okupon klubi amerikan i bejsbollit New York Yankees me përfitime prej 1.6 miliard dollarë.
Real Madridi është klubi i gjashtë më i pasur në botë, por është i pari sa i përket përfitimeve prej të drejtave televizive, gjithsej 225 milionë dollarë.
Lista e klubeve më të pasura në botë sipas Forbes:
1. Manchester United 1.83 miliard dollarë
2. Dallas Cowboys 1.65 miliard dollarë
3. New York Yankees 1.6 miliard dollarë
4. Washington Redskins 1.55 miliard dollarë
5. New England Patriots 1.36 miliard dollarë
6. Real Madrid 1.32 miliard dollarë
7. New York Giants 1.18 miliard dollarë
8. Arsenal 1.18 miliard dollarë
9. New York Jets 1.17 miliard dollarë
10. Houston Texans 1.15 miliarddollarër
25. Barcelona 1 miliard dollarë
27. Bayern Munich 990 milionë dollarë
41. Liverpool 882 milionë dollarë
43. Milan 800 milionë dollarë
47. Juventus 656 milionë dollarë
48. Chelsea 646 milionë dollarë
Golfisti Tiger Woods ka mbajtur pozitën e parë në renditjen e sportistëve më të paguar, me përfitim vjetor prej 100.5 milionë dollarë, përkundër problemeve të tija në jetën private.Lista e Forbes ia ka garantuar Woodsit mbajtjen e pozitës së parë për shtatë vite resht, por kësaj radhe me përfitime 20% më pak për dallim nga viti i kaluar kur fitoi 127.9 milionë dollarë.
Evropianët e vetëm në këtë listë janë David Beckham dhe Roger Federer që ndajnë pozitat pesë, respektivisht gjashtë.
Lista e sportistëve më të pasur sipas Forbes:
1. Tiger Woods 105 milionë dollarë
2. Floyd Mayweather 65 milionë dollarë
3. Kobe Bryant 48 milionë dollarë
4. Phil Mickelson 46 milionë dollarë
5. David Beckham 43.7 milionë dollarë
6. Roger Federer 43 milionë dollarë
7. LeBron James 42.8 milionë dollarë
8. Many Pacquiao 42 milionë dollarë
9. Eli Manning 39.9 milionë dollarë
10. Terres Suggs 38.3 milionë dollarë
Sipas Institutit për Histori të Futbollit dhe Statistika (IFFHS), Kampionati anglez (Liga Premier) nuk është më kampionati më i mirë në botë, pasi që vendin e parë në sistemin e veçantë të renditjes e zë Kampionati spanjoll (La Liga).Kjo nuk është e tëra. Rënia e Kampionatit anglez ishte aq e madhe, sa që u tejkalua edhe nga Kampionati italian (Serie A), që u ngrit një pozitë më lart. Kjo rënie Ligës Premier është më e madhja në shekullin e XXI. Në vendin e dytë gjendet Brazili, kurse në të tretin gjendet Apertura Argjentinase.
Kampionati shqiptar ndan pozitën e 77-të me Bullgarinë me nga 143 pikë.
Renditja e kampionateve më të forta në botë:
1. Spanja 580 pikë
2. Brazili 577 pikë
3. Argjentina 536 pikë
4. Italia 508 pikë
5. Anglia 486 pikë
6. Gjermania 457 pikë
7. Franca 413 pikë
8. Peru 407 pikë
9. Kili 362.5 pikë
10. Paraguai 342.5 pikë
77. Shqipëria 143 pikë
Marca kishte spekuluar se Real Madridi i ka bërë një ultimatum Interit me një ofertë të panegociueshme prej 22 milionë euro, e cila u refuzua nga Interi.
Tani thuhet se Nerazzurët janë përgjigjur me një ultimatum të ri: “Oferta prej 28 milionë euro nuk do të refuzohet, ju mund të pranoni apo të refuzoni, është e parevokueshme”.
Real Madridi besohet se tani nuk do të jetë më i interesuar në mbrojtësin brazilian dhe pritet të kthejë vëmendjen kah Thiago Silva, David Luiz, Nemanja Vidic apo Bruno Alves.
Ish-drejtori i Juventusit, Alessio Secco, ka zbuluar se ai kishte një kuti të pandorës përplot me lojtarë të klasit botëror, një kuti që kurrë nuk është hapur për shkak të kolapseve në momentet e fundit.“Lojtarët që i pata në dorë? Mascheranon në janar të vitit 2007. Unë e mora atë dhe ai do të vinte si huazim edhe në Serie B. Por, më është thënë se marrëveshja nuk mund të ndodhë për shkak se pronësia e tij mbahej mes njerëzve dhe klubeve, ndërsa Juventusi e kishte një kod etikal. Ai filloi të qante, por pak kohë më pas, Liverpooli e transferoi”.
“Të tjerët që ishin pranë transferimit? Van der Vaart në verën e vitit 2009. Dhe më pas Cassano dy apo tri vite më parë, unë e pata atë në dorën time. Kishte perpleksitet në llogari të dikujt, por unë e dija se Cassano nuk është i keq”, deklaroi Secco për La Stampa.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lëvduar paraqitjen e Gabriel Obertan, pasi francezi shënoi golin e fitores në ndeshjen ndaj Philadelphias.“Golat natyrisht se i ndihmojnë lojtarët, sidomos kur kemi të bëjmë me sulmuesit. Pjesa më e mirë e golit të Obertan ishte vrapi i tij, koha e vrapit të tij dhe momenti i pasimit, fuqia e pasimit. Kjo e bëri këtë gol vërtetë të mirë. Ai e ka realizuar mirë atë”.
“Këtu kishte më shumë atmosferë të United për ne. Në gjashtë vitet e fundit, që nga hera e fundit kur kemi qenë këtu, pëlqimi për lojën është rritur. Është indikacion i progresit në futbollin amerikan”, ka thënë Fergie.
Interi shpreson në transferimin ose të Giuseppe Rossit nga Villareali ose në atë të Diego Forlanit nga Atletico Madridi, si zëvendësim për Mario Balotellin.Il Corriere dello Sport pohon se Interi është i gatshëm të shpenzojë 20 milionë euro për italianin e Villarealit. Shtypi italian e sheh Rossin si favorit për zëvendësimin e Balotellit dhe pasi kaloi tre vite në La Liga, ai do të dëshironte që të kthehej në vendlindje.
Nga ana tjetër, La Gazzeta dello Sport shkruan se Interi pëlqen edhe uruguaianin Diego Forlan, me Massimo Morattin që kishte deklaruar të mërkurën se “Forlan është i fortë dhe po bëhet më i mirë vit pas viti”.
Interi do të duhet të paguajë edhe për Forlan rreth 20 milionë euro, por për shkak të moshës do të preferonte Giuseppe Rossin.
Sipas Il Corriere dello Sport, Klaas-Jan Huntelaar pritet t’i bashkohet Liverpoolit, ndërsa në San Siro pritet që të shkojë sulmuesi i ri holandez, Ryan Babel.Të martën Huntelaar ishte në Mançester, duke zgjuar spekulime se ai po lidhet me Manchester United apo me Manchester Cityn. Sidoqoftë, spekulimet e fundit thonë se në rast të largimit të Fernando Torresit, Huntelaar do të mund të zinte vendin e tij, pasi që e ardhmja e tij te Milani është e paqartë.
Mendohet se në rast të kalimit të Huntelaar në Anfield, atëherë Milani do të kërkonte përfshirjen e Ryan Babelit në marrëveshje. Sa për të shtuar spekulimet për largimin e tij, Huntelaar nuk ishte i pranishëm dje në Milanello.
Lufta për firmën e sulmuesit të Nice, Loic Remy, ka filluar të nxehet, pasi që sipas Le Parisien, Arsenali është i interesuar që të bëjë goditjen e fundit sa i përket kësaj sage.Remy tashmë ka tërhequr interesimin e klubeve nga Liga Premier, me Liverpoolin të interesuar ashtu si West Hami që ka bërë tashmë një ofertë prej 13.5 milionë euro.
Shtypi francez pohon se Arsenali duhet të shpejtojë sa i përket transferimit të Remy, pasi që futbollisti në vend të West Hamit do të dëshironte të kalonte te Arsenali nëse këta të fundit bëjnë ofertë. Remy konsiderohet si ‘Henry i dytë’.
Sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, definitivisht do të largohet nga Nerazzurrë jo më larg se javën e ardhshme, pasi që tani edhe bashkëlojtarët e tij nuk po mund ta durojnë më.“Balotelli po shkakton telashe dhe nuk e di çfarë po bën, ju nuk mund ta kuptoni atë. Unë e këshilloj atë të gjejë ndonjë klub të ri në mënyrë që të rizbulojë motivimin të cilin nuk e ka për momentin”, theksoi Ivan Cordoba për Mediaset.
Agjenti Mino Raiola ka thënë se marrëveshja mund të arrihet javën e ardhshme për një kalim të SuperMarios te Manchester City, por Il Corriere dello Sport pohon se kjo shtyrje u bë për shkak se Raiola ishte i përfshirë në negociata mes Ajaxit dhe Fulhamit për Martin Jol, i cili ka vendosur të mbesë te Ajaxi.
Megjithatë, i paduruar nga këto polemika dhe gjithë pritjet është edhe Roberto Mancini, të cilit i ka ardhur në maje të hundës sjellja e Interit.
“Interi po kërkon shumë dhe ne nuk mund të presim gjatë sepse ne kemi objektiva tjerë. Të gjithë e rrisin çmimin kur është i përfshirë Manchester City”, ka thënë Mancini.
Mbrojtësi në largim i Barcelonës, Rafael Marquez, besohet të jetë shumë pranë arritjes së marrëveshjes për kalim te skuadra New York Red Bulls.Sipas spekulimeve, meksikani do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare të vlefshme 2.8 milionë dollarë në sezon.
Ky transferim pritet me mjaft interes nga publiku latin në SHBA, pasi që entuziazmi në atë rast do të ishte tejet i lartë.
AS shkruan se Reali dhe Interi janë pranë arritjes së një marrëveshjeje prej 28 milionë euro, por kërkesat e lojtarit për pagë prej 7 milionë eurosh në sezon janë të papërballueshme për Los Blancos.
Reali kurrë nuk do ta transferonte Maiconin me shumën që kërkon Interi dhe me këtë pagë që kërkon ai, por megjithatë marrëveshja nuk është e vdekur pasi që Reali ka qenë në kontakt me agjentët e Maicon për uljen e kërkesave të brazilianit.
Duket se legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, ka filluar të frikësohet nga fuqia dhe dimensioni që është duke e marrë Manchester City, pasi që ka thënë se ndeshjet ndaj Cityt në të ardhmen do të jenë shumë të mëdha.“Rivaliteti ka ekzistuar gjithmonë, por tani ka pësuar një rritje drastike marrë parasysh shpenzimet që kanë bërë. E ndjeva këtë që në ndeshjen e parë sezonin e kaluar. Entuziazmi para derbit ishte i madh. E tërë bota po shikonte”.
“Ata po shikonin ekipin më të madh në botë, që jemi ne dhe ekipin më të pasur në botë, që janë ata. Është mirë për vetë qytetin e Mançesterit që ekziston një interesim i tillë”, ka thënë Giggs.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, është duke synuar që të fitojë sezonin e ardhshëm Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin spanjoll, La Liga.“Ne duam të fitojmë La Ligan dhe Ligën e Kampionëve. Ato janë tituj për të cilët nuk pata rastin të luftoja dhe aq. Unë tashmë jam duke menduar se si do të jenë stërvitjet dhe si do të jenë ndeshjet me aspiratat e reja”.
“Do të jetë mjaft e vështirë. Gjithë kohës po vijnë lojtarë më të rëndësishëm në kampionat dhe secilën herë po e bëjnë kampionatin më të fortë”, ka thënë Villa.
Mesfushori i Manchester Unitedit, Darren Fletcher, ka deklaruar se skuadra e tij do të tentojë që këtë sezon ta ‘eklipsojë’ Liverpoolin sa i përket numrit të titujve të fituar.“Së pari dhe më së shumti ekziston motivimi për të fituar titullin. Por, një titull i 19-të do të ishte shumë i mirë”.
“Ky klub është për të thyer rekorde, për të arritur status të ri, kështu që, të jemi klubi më i suksesshëm në Angli do të thoshte gjithçka për klubin dhe tifozët. Atyre u pëlqeu kur e barazuam rekordin me Liverpoolin, por do të thoshte shumë po që se e thyejmë atë”, theksoi Fletcher për The Mirror.
Ylli i ri i Liverpoolit, Joe Cole, shpreson që të ketë sukses në Anfield, njëherit e quajti ëndërr që u bë realitet kalimin te klubi më i madh i Ligës Premier.“Mendoj se lojtarët tjerë mund të luajnë për klubet tjera por me Liverpoolin mund ta jetoni dhe ta frymoni atë. Është vendi i këtij lloji dhe unë jam i kënaqur nga sfida. Unë e mora vendimin tim vetëm në bazë të shkaqeve të futbollit dhe erdha këtu sepse është një klub i madh. Kur e kuptova se Liverpooli është i interesuar në mua, atëherë nuk kam pasur nevojë të mendohesha sepse kam të bëj me klubin më të madh në Angli”.
“Secili e di se është një klub i madh, por derisa nuk nënshkruani nuk e kuptoni se sa i madh është. Unë kam njerëz në telefonin tim që nuk kam ditur se janë tifozë të Liverpoolit. Më duket se çdo njeri që njoh është tifoz i Liverpoolit, definitivisht është klub i madh dhe një ëndërr që mu bë realitet”.
“Unë kam ardhur këtu për të qenë i suksesshëm, synimi im është që të luaj sa më shumë ndeshje që kam mundësi dhe të arrij diçka të mirë për klubin. Unë besoj se mund të jem pjesë e një ekipi që është në gjendje të bëj gjëra të mira. Unë do të luftoj që të tentoj të fitoj trofe për këtë klub. Ka lojtarë të klasit botëror këtu dhe jam i kënaqur që më është dhënë rasti të luaj përkrah tyre. Unë jam krenar që do të luaj për këtë klub dhe të jap më të mirën në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje, t’i ndihmoj ekipit të jetë i suksesshëm dhe të shtojë disa tituj në kabinetin e trofeve”, deklaroi Cole.
Radio stacioni spanjoll Ona FM pohon se menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka relaksuar pozitën e tij dhe tani është i gatshëm ta dëgjojë Barcelonën, pasi që këta të fundit po e kërkojnë me ngulm asin Cesc Fabregas.Deri tani Wenger ka refuzuar çdo ofertë, madje edhe çdo tentim të vetëm të Barcelonës. Thuhet se presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, do të jetë në Londër në ditët në vijim dhe mësohet se Wenger do të pranojë ta takohet me eprorin e Blaugranëve. Sidoqoftë, në këtë fazë të kësaj sage, nuk garantohet se dy bosët do të arrijnë marrëveshje për një transferim.
Arsenali pritet që të vë një çmim prej 60 milionë eurosh për kapitenin e klubit, në tentim për të testuar kampionët e Spanjës, të cilët publikisht kanë deklaruar e nuk kanë ndërmend të paguajnë më shumë se 50 milionë euro.
Trajneri i Ajaxit, Martin Jol, ka vendosur të refuzojë klubin nga Liga Premier, Fulham, për të qëndruar te gjiganti holandez.Pas largimit të Roy Hodgson drejt Liverpoolit, Fulhami është në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa Jol ishte kandidati kryesor për ta zënë atë post.
Është thënë se trajneri holandez kishte dashur të shijonte një tjetër aventurë në Ligën Premier, por duket se drejtori i Ajaxit, Rik van den Boog, ka arritur ta bindë atë që të qëndrojë.
“Gjithmonë kam dashur të qëndroj te Ajaxi. Unë vetëm kërkoja sqarime për të ardhmen e klubit dhe këtë e mora kur bisedova me Rik van den Boog, mëngjesin e të mërkurës. Fulhami ishte vetëm një alternativë e bukur”, ka thënë Jol për De Telegraaf.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, është duke synuar një rekord të ri golashënues për sezonin e ri.Totti shpreson se ai do të mund të tejkalojë Roberto Baggion në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Serie A.
Sulmuesi i Romës ka shënuar 192 gola në 442 paraqitje në Serie A, dhe është i gjashti i të gjitha kohërave.
“Nëse luaj të gjitha ndeshjet atëherë mund ta arrij këtë. Më mungojnë 13 gola. Do ta bëj këtë që në pjesën e parë të sezonit, nëse luaj të gjitha ndeshjet”, ka thënë Totti.
Reali i Madridi raportohet se është duke menduar të transferojë mesfushorin e Juventusit, Felipe Melo.Trajneri i ri i Realit, Jose Mourinho, është duke kërkuar mesfushor defensiv dhe Melo përmbush kërkesat.
Braziliani kushtoi plot 24 milionë euro kur erdhi në Juve gushtin e kaluar, dhe gjiganti nga Torino do të dëshirojë të rikuperojë sa më shumë që mundet nga kjo shumë.
Ish-ylli i Almerias, Melo, do të mirëpriste një rikthim në Spanjë pas 12 muajve të vështirë të kaluar në Torino.
Transferi i ri i Barcelonës, David Villa, ka thënë se ai është i ngazëllyer nga mundësia të luajë el Clasicon e parë këtë sezon.Barcelona dhe Real Madrid pritet të kenë edhe një sezon mjaft garues dhe do të takohen në Nou Camp për të na zbukuruar edhe më shumë festën e 28 nëntorit, ndërsa ndeshja e kthimit El Clasico do të zhvillohet para fundit të sezonit, më 17 prill në Bernabeu.
“Të luaj në ndeshje të tillë është ajo që çdo lojtar dëshiron ta arrijë. Jam i etur ta shijoj atmosferën. Është ndeshje e rëndësishme për çdo lojtar. Është pjesë e arsyes së lojtarëve të vijnë në Barcelona”, ka thënë Villa.
Manchester United e zhvilloi ndeshjen miqësore parasezonale ndaj skuadrës amerikane Philadelphia Union në kuadër të turneut parasezonal në SHBA, të cilën e mposhti me rezultat minimal.Atmosfera në Lincoln Financial Field ishte fantastike, marrë parasysh 44 mijë shikuesit e mbledhur, pothuajse të gjithë me fanella të kuqe dhe të cilët bënë një pritje madhështore për gjigantët e Ligës Premier.
Golin e vetëm në këtë takim e shënoi i riu Gabriel Obertan (76’), që shfrytëzoi një pasim të mirë të Danny Welbeck, i cili depërtoi për mrekulli brenda zonës.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, është i ngazëllyer nga nënshkrimi i ri, shqiptari nga Maqedonia, Pajtim Kasami.Kasami, i cili ka nënshtetësinë zvicerane, ka shënuar pesë gola në dy miqësoret e para të ndeshjeve para-sezonale për Palermon.
“Nëse Kasami është këtu, ia kam borxh këtë vetëm punës së drejtorit tim sportiv, i cili tashmë e kishte njohur atë gjatë kohës së tij në Lazio”, ka thënë Zamparini.
Zamparini është pyetur edhe nëse Kasami është zëvendësim për Edinson Cavani, për të cilën gjë ai është përgjigjur: “Kujdes: uruguaiani është sulmues, Pajtim është mesfushor. Le të themi ai është më shumë një Pastore se një Cavani.
Kampioni i Bundersligës, Bayern Munich, raportohet se është duke përgatitur ofertë për mbrojtësin e Barcelonës, Martin Caceres.Uruguaiani kaloi sezonin e kaluar si i huazuar te Juventus nga Barcelona, por Zonja e Vjetër nuk e shfrytëzoi opsionin për të nënshkruar me të.
Kjo e ka bërë amerikano-jugori një lojtar të dëshiruar në tregun e transferimeve, duke marrë parasysh se Barcelona është e gatshme të dëgjojë ofertat për të.
Milan po ashtu është lidhur me mbrojtësin në disa javët e fundit, por raportet e fundit bëjnë të ditur se ai mund të jetë në rrugë për të luajtur në Bundesliga, me Bayernin që bëhet gati ta transferojë atë.
Mesfushori i Manchester United, Ryan Giggs, ka thënë se Liverpooli është në gjendje të jetë sfidues i denjë për titullin e Ligës Premier.“Liverpooli ka një menaxher të ri dhe është e vështirë të themi se çfarë do të bëjnë ata. Dy vite më parë ata ishin shumë pranë titullit dhe kurrë nuk mund t’i mos llogaritni. Vetëm varet nga ajo se si shkon.
“Është e rrezikshme të përjashtojmë nga gara një ekip me historinë e Liverpoolit. Ata kanë tituj të fituar ashtu si ne. Ju nuk mund ta mohoni këtë. Ata janë klub i madh dhe ekip shumë i madh”, deklaroi Giggs.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka njoftuar se ai është në kërkim të mesfushorit të La Galaxy, Landon Donovan.“Donovan është lojtar i mirë. Është e mundshme që ta transferojmë”, theksoi Mancini për Sky Sports News.
Trajneri italian deri më tani ka shpenzuar mjaft shumë në transferime të lojtarëve të klasit botëror, ndërsa së shpejti pritet transferimi i talentit të Interit, Mario Balotelli, por nëse transferohet edhe Donovan, atëherë City lirisht mund të llogaritet kandidat për titull në Kampionatin anglez.
Në një intervistë për emisionin “Caiga Quien Caiga”, kapiteni i Arsenalit i pyetur nga moderatori në pjesën e fundit të emisionit se a do të lejonte ta puthte një kampionë të botës, përgjigja e Fabregas ishte pozitive, por për më shumë, video:
Ylli i Werder Bremenit, Mesut Ozil, është parë në Barcelonë i shoqëruar nga familjarët e tij, në kohën kur Werderi po kërkon një klub nga i cili do të mund të përfitojë para të majme nga shitja e mesfushorit të talentuar.Sipas Sport, Ozil i shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali i tij, është parë duke shëtitur nëpër Barcelonë duke bartur fanellën e Barcelonës me mbishkrimin e Lionel Messit.
Mësohet se Ozil ka zgjuar spekulime të mëtutjeshme, pasi që gjatë kohës sa qëndroi në Spanjë, ai udhëtoi edhe në Madrid.
Edhe Barcelona edhe Real Madridi janë të interesuar për shërbimet e mesfushorit gjerman.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka këmbëngulur se pushimi dimëror është esencial për Ligën Premier, nëse Anglia ka ndërmend të ketë sukses në gara të mëdha.“Federata Angleze (FA) duhet t’i japë vendit rastin më të mirë për të pasur sa më shumë sukses në Botëror. Për shkak të natyrës së lojës tonë dhe për shkak kërkesave televizive që të ketë futboll çdo javë, ideja e një pushimi dimëror, për të cilën po bëj thirrje që 30 vjet, nuk ka arritur as të hyjë në veshin e krerëve. Ata duhet të dinë se kur e dërgojnë ekipin në Botëror, ata e kanë hendikepuar atë”.
“Kalendari anglez është kërditës. Në shumicën e dhjetorëve ne luajmë nga tetë ose nëntë ndeshje, në kohën më të keqe të vitit. Fushat janë të këqija, moti është i keq dhe në pjesën e dytë të sezonit gjeni lojtarë të cilët kanë lëndime muskulore, për shkak të rëndësisë së ndeshjeve që janë duke luajtur”.
“Më pas, në fund të sezonit kur e dinë se duhet të luajnë në Kampionatin Botëror apo në Kampionatin Evropian, ata nuk janë 100% të gatshëm. Atyre u nevojitet faktori pushues që e kthen energjinë në sistem. Gjermania gjithmonë ka një pushim të gjatë në janar dhe paraqitet në Botëror më mirë se sa pritet”.
“Referimi? Mendoj se kanë qenë dy ose tri vendime ndaj nesh, vendime të gjyqtarit, të cilat na vranë në të dy ndeshjet ndaj Chelseat. Kemi pasur nevojë vetëm për një pikë, nëse do të kishim barazuar në një prej atyre ndeshjeve, atëherë do ta kishim fituar Ligën Premier”, deklaroi Ferguson.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka konfirmuar se Juventusi do të shqyrtojë çdo ofertë që vjen në adresë të klubit nga Olimpico i Torinos, për dyshen braziliane, Felipe Melo dhe Ribas Diego.“Diego dhe Melo zënë një vend të rëndësishëm në projektin tonë, por nëse vjen ndonjë ofertë e rëndësishme, atëherë ajo do të merret parasysh”.
“Kjo nuk vlen vetëm për ata. Sot në futboll ka shumë pak lojtarë të cilët janë të patransferueshëm. Të jem më konkret, ne duhet të bëjmë sakrifica me stafin tonë të lojtarëve, sepse asnjë klub nuk mund të injorojë ofertat serioze”, u shpreh Marotta.
Bosi i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka pranuar se transferimi i Joe Cole nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse Liverpooli synon të fitojë tituj sezonin e ardhshëm.“Nuk do të jetë një gjë që do të ndryshojë brenda natës. Sezoni i kaluar ishte shumë zhgënjyes për klubin në çdo aspekt, që si kulminacion pati largimin e një menaxheri të njohur. Ju nuk mund të ndryshoni shumë gjëra me një transferim ose dy. Unë nuk do të doja që t’i thosha publikut të Liverpoolit se gjithçka është mirë sepse kemi transferuar Joe Cole”.
“Ka edhe shumë punë për t’u bërë edhe shumë lojtarë janë të nevojshëm dhe ne si ekip duhet të sigurohemi që kur të hyjmë në fushë t’u tregojmë tifozëve se diçka ka ndryshuar. Më pas duhet të shpresojmë se ata do të na mbështesin, ashtu siç e kanë mbështetur klubin në të kaluarën”.
“Ne duhet të kthejmë atmosferën e mirë në klub, atmosfera e Liverpoolit të cilën e njoh dhe e përjetova. Ne duhet ta largojmë ndjenjën se gjithçka nuk është në rregull dhe se klubi është duke u rrënuar, pasi që ky nuk është rasti”, ka thënë Hodgson.
















