Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, tingëlloi pesimist sa i përket çështjes së transferimit të komplet kartonit të Nicolas Burdissos, pasi që, sipas tij, Interi ka vënë një çmim të lartë.
“Burdisso? Nëse Interi vazhdon me këtë çmim që po kërkon, atëherë frikësohem se nuk do ta transferojmë”.
“Ata duhet të vijnë me një kërkesë të arsyeshme dhe të marrin parasysh se nuk e kishin përfshirë në skuadrën e tyre të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar”, ka thënë Ranieri.
E pabesueshme! Vetëm një ditë pasi ishte konfirmuar nga Federata Braziliane e Futbollit (CBF) se Muricy Ramalho është përzgjedhës i ri i Brazilit, duket se skuadra e Ramalhos, Fluminense e ka ndaluar atë që ta marrë nën drejtim Brazilin, ndërsa tani si favorit është strategu i Corinthians, Mano Menezes.
Pasi ndërhyri zëvendëspresidenti i Fluminenses për të penguar emërimin e Ramalhos në krye të Brazilit, në skenë doli përsëri kryetari i CBF, Ricardo Teixeira.
“Unë bisedova me shumë njerëz, shikova debate të ndryshme në emisione të shumta sportive si dhe dëgjova tifozët që përmendnin tri emra. Çfarë ndikoi në zgjedhjen time është një ndryshim i menjëhershëm në skuadrën e Brazilit, që fillon nga Mano Menezes, i cili është thirrur në krye të detyrës para ndeshjes ndaj SHBA-ve më 10 gusht”, theksoi Teixeira.
Në një komunikatë tjetër, CBF bën të ditur se Menezes është duke e shqyrtuar ofertën dhe do ta komunikojë vendimin e tij në një konferencë për shtyp të shtunën.
Milani është fare pranë transferimit të superylli japonez Keisuke Honda, nga CSKA Moska.
Milani kishte bërë një ofertë prej 13 milionë euro të enjten, por CSKA në përgjigje ka kërkuar 15 milionë euro, një shifër mjaft e kapshme për Milanin.
“Ne jemi shumë pranë transferimit të Hondas, klubet janë shumë pranë marrëveshjes. Allegrit i pëlqen ai shumë dhe dëshiron që ai të luajë përkrah Patos dhe Ronaldinhos”, deklaroi një burim brenda Milanit për Goal.com.
Agjenti i mbrojtësit të Interit, Maicon, ia ka bërë të qartë presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, se braziliani vlen aq sa Cristiano Ronaldo dhe Leite Kaka.
“Një kampion si Maicon nuk mund të konsiderohet nën nivelin e Cristiano Ronaldos dhe Kakas. Është lehtë për gazetat që të vënë tituj si ‘Unë e dua Realin’, sepse çdo lojtar e ëndërron atë fanellë. Por, martesat bëhen mes dy njerëzve. Maicon është i vlerësuar nga Mourinho, ashtu si nga Roberto Mancini i Cityt, me të cilin gjithnjë ka pasur marrëdhënie të mira. Por, më duhet të shikoj interesat e lojtarit dhe nga ajo që shoh unë, presidenti i Realit nuk e vlerëson Maiconin aq sa Mourinho”.
“Kërkesa për 7 milionë euro në sezon? Ne kurrë nuk kemi folur për paga. Dikush është duke shpifur rreth kësaj. Nuk kemi planifikuar një takim me Interin dhe Massimo Morattin”, ka thënë Antonio Caliendo për CalcioMercato.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Arjen Robben, beson se Liverpooli i Roy Hodgson do të jetë një nga pretendentët kryesorë për titull në Ligën Premier sezonin e ardhshëm.
“Me një treshe sulmuese si Gerrard, Torres dhe Cole, mendoj se Liverpooli është një forcë e vërtet në Ligën Premier. Viti i kaluar ishte një vit i çuditshëm për Liverpoolin, por nëse këta tre lojtarë përshtaten, atëherë i shoh si sfidues serioz për titull. Ju shikoni në këtë treshe sulmuese dhe dështoni të gjeni një treshe më të mirë në Evropë, këtu e përfshij edhe Barcelonën”.
“Unë i lexova fjalët e Gerrard për Cole se është më i mirë se Messi me top dhe unë pajtohem plotësisht me këtë. Pasi u stërvita një kohë aq të gjatë me të, unë mund t’iu them se ai është në gjendje të bëj gjëra me top, që ju kurrë nuk do t’i keni parë. Nëse Joe luan në një rol më qendror, atëherë ai do të shënojë dhe krijojë shumë gola, unë e shoh atë si favorit për lojtarin më të mirë të sezonit. Ai nuk është vetëm për mashtrime, ai ka vizion fantastik. Rastet që ai do të krijojë për Torres do ta bëjnë sezonin e Liverpoolit mjaft të suksesshëm”.
“Mendoj se ishte gabim i madh që Chelsea lejoi që Joe Cole të largohet dhe jam i sigurt se edhe tifozët e ndjejnë këtë. Edhe në moshën 28 vjeçare me gjithë ato lëndime, ai vlen 15 milionë funte në treg. Unë jam i sigurt se Chelsea nuk deshi ta largonte, por ai ka thënë se ka arsye politike pse u largua dhe duhet të presim momentin kur ai do ta zbulojë të vërtetën. Unë e njoh Joe Cole dhe vendimi i tij ishte vetëm për futboll dhe jo për para”, deklaroi Robben për The Daily Star.
Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBF) me qendër në New Jersey ka përjashtuar nga top 10-shi i më të mirëve Alexander Powetkin, për arsye se ai ka refuzuar të nënshkruajë kontratën me kompaninë e Wladimir Klitschkos, K2, për mbajtjen e një dueli.
“Pasi që zotëri Powetkin nuk u paraqit në konferencën për shtyp të hënën e kaluar, IBF na ka këshilluar që të kontaktojmë një boksier tjetër nga ranglista”, theksoi menaxheri i vëllezërve Klitschko, Bernd Boente.
Edhe pse Powetkin refuzoi duelin me Wladimir Klitschko, ky i fundit do të ketë për kundërshtar tmerrin e tij, nigerianin Samuel Peter, që në vitin 2005 e rrëzoi dy herë në ring ‘Dr. Çekanin e Hekurt’.
Sulmuesi më i kërkuar në Evropë, Edin Dzeko, ia ka vënë ‘thikën në fyt’ ekipit të tij Wolfsburg, të cilin e ka kërcënuar me paraqitje jo të mira në rast të qëndrimit.
“Unë dua të largohem. Do të shihni si do të luaj nëse duhet të qëndroj”, citohet të ketë thënë Dzeko nga Bild.
Megjithatë, pas një takimi të zhvilluar mes drejtuesve të Wolfsburgut, menaxheri Dieter Hoeness nuk ishte në disponim për të bërë shaka.
“Ne përfundimisht kemi vendosur që Edin Dzeko të qëndrojë, pa marrë parasysh se çfarë ofertë vjen për të”, theksoi Hoeness.
Për Edin Dzekon janë të interesuara një numër skuadrash si Juventusi, Manchester City, Interi dhe Milani.
Mesfushori i Stuttgartit, Sami Khedira, e ka bërë të qartë se ai dëshiron të luajë për Real Madridin nga sezoni i ardhshëm, duke thënë se ai është i fascinuar nga mënyra e punës së strategut Jose Mourinho.
“Natyrisht, unë po mendoj për një transferim te Real Madridi. Ata tashmë e kanë konfirmuar se janë të interesuar për të më transferuar”.
“Real Madridi është ndër klubet më të mëdha në botë dhe Jose Mourinho është njëri ndër menaxherët më të suksesshëm të planetit. Ai gjithnjë më ka fascinuar mua dhe ai luan futbollin tek i cili unë e gjej veten. Planet e tij taktike janë mirë të realizuara, me një mbrojtje mirë të organizuar, me kundërsulme të shpejta dhe konkretizim të lartë. Sot, vetëm kështu mund të kesh sukses”.
“Unë nuk do ta lejoja agjentin tim të më kontaktonte po që se do të dëshiroja të qëndroja te Stuttgarti. Real Madridi është klubi i parë në botë të cilin e kam shqyrtuar deri në këtë moment. Sidoqoftë, ende asgjë nuk është vendosur. Unë do të marr një vendim për të ardhmen në ditët në vijim”, ka deklaruar Khedira për Bild.
Javier Mascherano është i gatshëm që të kërkojë nga hierarkia e Liverpoolit që t’ia mundësojë atij transferimin te kampioni i Evropës, Inter.
The Daily Mail shkruan se Mascherano do të kërkojë nga klubi aktual transferimin në Itali. Thuhet se agjentët e Mascheranos kanë qëndruar ditëve të fundit në Milano ku janë mbajtur bisedime jozyrtare me zyrtarët e Interit për kontratën e argjentinasit.
Interi besohet se do të duhet të ofrojë 30 milionë funte për Mascheranon, por për të ulur çmimin pritet ta përdorë edhe Sullay Muntarin.
Agjenti i strategut suedez Sven Goran Eriksson ka deklaruar se klienti i tij nuk është kontaktuar nga Fulhami, ndërsa ka pranuar se Eriksson ka dëshirë të kthehet në Ligën Premier, sepse i ka edhe disa hesape të pasqaruara.
“Është një klub shumë atraktiv, jo vetëm për Sven Goran Eriksson. Por, para së gjithash nuk ka pasur kontakt. Ne dimë qe disa javë se Eriksson po spekulohet për atë punë. Nuk ka pasur intervista e as bisedime”.
Sven Goran Eriksson ishte shkarkuar nga Manchester City në mënyrë mjaft makabre para dy sezoneve, kur pronar ishte Shinawatra dhe për këtë arsye Eriksson dëshiron të kthehet në Angli.
“Natyrisht ai ka disa hesape të pasqaruara në Ligën Premier. Ai ishte shkarkuar në mënyrë mjaft skandaloze. Ai bëri punë të klasit të parë te City, ishte një mospërshtatje personale me pronarin e atëhershëm Shinawatra, që bëri që ai të shkarkohej. Ai duhet të ishte sot në stolin e Cityt”, ka thënë Athole Still, agjenti i Eriksson.
Legjenda e Interit, Javier Zanetti, ka thënë se ai është i uritur për të rinovuar dhe për të fituar sa më shumë tituj në fanellën zikaltër, pasi që dëshiron ta përmbushë premtimin, që kur Interi t’i bëjë dy yje në fanellë, ai të pensionohet dhe për këtë atij i duhen edhe dy Scudetto.
“Vitrina ime është e plotë, por ka hapësirë edhe për më shumë… Ne fituam dhe duam të vazhdojmë. Unë shoh një grup që dëshiron të vazhdojë së fituari. Ne po luajmë në Superkupën e Evropës dhe në Kupën e Botës për klube këtë vit dhe shumë prej nesh e dimë se ky mund të jetë rasti i fundit. Ne kemi bërë histori, por duam ta rishkruajmë atë”.
“Një kontratë deri 2013? Klubi e di çfarë vullneti kam unë dhe ata e dinë se edhe sa kohë dua t’i mbaj lidhjet me Interin. Nuk ka problem”, ka thënë Zanetti për Tuttosport.
Barcelona pritet që ta kthejë vëmendjen kah asi gjerman, Mesut Ozil, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje për transferimin e superyllit të Arsenalit, Cesc Fabregas.
Sipas El Mundo Deportivo, Barcelona është duke e vrojtuar për së afërmi situatën e Werderit dhe është gati që ta transferojë atë, nëse diçka nuk shkon në rregull sa i përket çështjes Fabregas.
Barcelona do të ketë konkurrencë të madhe sa i përket firmës së Mesut Ozil, pasi që si kundërshtarë pritet të ketë, Chelsean, Real Madridin, Interin, Manchester Cityn, Manchester Unitedin dhe Juventusin.
Agjenti i Ronaldinhos dhe vëllai i tij, Roberto De Assis, ka bërë një aludim të fortë se Dinho do të qëndrojë edhe për një sezon tjetër te gjiganti italian, Milan.
“Fjalët e Berlusconit na kanë dhënë kënaqësi enorme. Ne gjithnjë kemi pasur respekt të madh për Berlusconin. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Milanin dhe sa më shumë shkojmë përpara aq më mirë për të gjithë. Dëshira e jonë është sikurse e Berlusconit”.
“Së shpejti do të shihem me Gallianin. Raportet janë të shkëlqyera dhe ne do të bisedojmë rreth kontratës. Nuk pres ndonjë problem dhe nuk nxitohemi për të rinovuar. Vëllai im është lojtar i Milanit dhe ai është i kontraktuar nga ata. Nëse ka klube tjera të interesuara atëherë le të flasin me Milanin, jo me ne”, ka thënë De Assis për Il Corriere dello Sport.