Anësori i Manchester United, Nani, ka lëvduar të rinjët e Manchester United për paraqitjet e tyre në ndeshjet parasezonale.
“Të rinjët kanë luajtur shumë mirë. Çdo sezon ne sjellim lojtarë të rinj në skuadër dhe ata përgjigjen mirë në aspektin e kontributit për ekipin që është klub i madh”.“Ata luajtën mirë në dy ndeshjet e fundit dhe kanë mësuar shumë nga përvojat e tyre deri tani”, u shpreh Nani.
Mesfushori i Real Madridit, Rafael Van der Vaart, është duke synuar një kalim në Ligën Premier, te Chelsea apo te Liverpooli.
“Unë kam dëgjuar për interesimin e Liverpoolit dhe Chelseat, ndërsa kjo është shumë lëkundëse. Nëse ndonjë prej këtyre ekipeve do të më ofronte futboll të rregullt, atëherë të jem i sinqertë, do të ishte e vështirë të mos dëgjoja atë që kanë për të thënë. Mendoj se i kam marrëdhëniet e mira me Realin, pasi që ata do të më kuptonin dhe do të më lejonin të zhvilloja bisedime”.

“Unë pres që shumica e transferimeve të kryhen brenda dy javësh dhe nëse Chelsea apo Liverpooli më kërkon, atëherë së paku do të dëgjoja ofertat e tyre. Që të dy janë gjigantë dhe nëse mund të më ofrojnë futboll të rregullt, do të ishte e vështirë të refuzoja një ofertë”.

“Nuk do të doja të luaja për klube në Spanjë për shkak të respektit ndaj Real Madridit, kështu që sytë e mi janë kah Liga Premier. Është kampionati i vetëm që garon me standardet e La Ligas”, ka thënë Van der Vaart për Daily Star Sunday.
Sipas njoftimeve nga Spanja, mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka arritur marrëveshje për kërkesat e tija personale me Barcelonën.
E përditshmja katalanase Sport njofton se spanjolli ka arritur marrëveshje me kampionin e Spanjës, me të cilin do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare dhe do të fitojë 7 milionë euro për sezon.
Kështu që ka mbetur që të arrihet marrëveshja mes dy klubeve dhe Fabregas do të jetë lojtar i Barcës.
Thuhet se Arsene Wenger ka caktuar një takim me lojtarin këtë javë dhe vendimi për të ardhmen e tij do të vendoset pas këtij takimi.
Sipas Tuttosport, Juventusi mund ta mposhtë Romën në garë për firmën e mbrojtësit në pronë të Interit, Nicolas Burdisso, në kohën kur janë duke u zhvilluar negociata mes Interit dhe Romës.
Roma po ka probleme me Interin sa i përket çështjes Burdisso, pasi që Giallorosët po ofrojnë vetëm 6 milionë, kurse Interi kërkon 10 milionë euro. Se Roma e ka të vështirë e konfirmoi Claudio Ranieri ditë më parë, që tha se Interi po kërkon shumë për mbrojtësin argjentinas.
Megjithatë, shpejtë ka reaguar për këto spekulime agjenti i Burdissos, Fernando Hidalgo, që ka mirëpritur interesimin e Bianconerëve.
“Burdisso ka shprehur dëshirën, por nuk varet vetëm nga ne. Interesimi i Juventusit? Na nderon. Nuk do të kishte ndonjë problem në këtë transferim”, theksoi Hidalgo.
Legjenda e Liverpoolit, Kenny Dalglish, beson se sulmuesi Fernando Torres do t’ia kushtojë të ardhmen e tij klubit, përkundër spekulimeve se ai do të largohet nga Anfield.
“Kur Fernando Torres do ta shohë projektin dhe do të bisedojë me Hodgson, jam i sigurt se ai do të na japë lajme të mira”.
“Shpresoj se Torres do të qëndrojë. Vetëm Fernando e di se çfarë po bën. Fatkeqësisht për të ai është i lënduar, por ai është lojtar fantastik dhe shumë i lumtur me klubin dhe qytetin”.
“Fakti që Gerrard do të qëndrojë do të jetë ndihmesë e madhe për lojtarë si Joe Cole, Jovanovic, Jonjo Shelvey dhe Danny Wilson, e që njëkohësisht janë blerje që garantojnë të tashmen dhe të ardhmen”, u shpreh Dalglish.
Kolo Toure ia ka tërhequr vërejtjen vëllait të tij Yaya Toure, që të qetësohet dhe ta kontrollojë agresivitetin e tij në Ligën Premier.
“Natyrisht, dobësia e tij është mungesa e vetëpërmbajtjes, edhe pse i them që në asnjë mënyrë nuk duhet të lëndohesh në fushë. Kundërshtarët e tij fillojnë të kuptojnë se ai shpesh e humb veten dhe kështu ata nuk do të hezitojnë ta provokojnë atë. Është në dorë të tij t’i injorojë”.
“Pasi ia përsërita këtë dhe po i flas për këtë, shpresoj të jetë qetësuar sado pak. Ai do të sulmohet menjëherë këtu, unë ia kam tërhequr vërejtjen për këtë”, ka thënë Kolo Toure.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez. Trajneri i Interit, Rafael Benitez, ka deklaruar se ai dëshiron të qëndrojë shumë vite me klubin e tij të ri, sepse kështu ai do të mund të fitonte tituj dhe ta bënte mirë punën e tij.
“Unë pres që të qëndroj këtu për shumë vite, sepse do të thoshte se ato vite do të ishin fituese. Kjo është më vështirë se të luash. Gjëja më e mirë të jesh në futboll është lojtar dhe më pas gazetar. Mendoj se për të fituar, për lojtarët, është më mirë të flasim me ta. Nëse e bëni këtë me një buzëqeshje, atëherë edhe më mirë”.
“Coutinho? Ai u shfaq mirë në stërvitje. Ai është i ri, por i rëndësishëm për ne. Ne jemi të kënaqur me të, ai është lojtari që më ka lënë më së shumti mbresa”, ka thënë Benitez.
Portieri i Manchester United, Edwin Van der Saar, ka këmbëngulur se ai nuk ka ndërmend të penzsionohet nga futbolli në një të ardhme të afërt.
“Unë po i dëgjoj pyetjet për pensionim qe tre ose katër vite. Shpeshherë ju e befasoni veten gjithashtu. Është klub i madh për të qenë në të. Ju luani në Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe keni rast për të fituar tituj, e gjithashtu për të garuar me lojtarët më të mirë”.
“Mendoj se është diçka shumë e mirë për të mos e bërë më. Unë ndjej edhe shumë kënaqësi. Madje në moshën time është ende kënaqësi të punosh aq shumë dhe të jesh në njëmbëdhjetëshin e parë të shtunën dhe të martën mbrëma. Ne kemi një përzierje të mirë të lojtarëve të vjetër me shumicën që janë të rinj. United është klub që prodhon lojtarë të rinj. I shoh disa që do të jenë këtu edhe për një kohë të gjatë”, deklaroi Van der Saar për AP.
Trajneri i Schalkes, Felix Magath, ka thënë se sulmuesi i Real Madridit, Raul, mund të bëhet sensacion në Bundesliga, nëse ai do të transferohet në Gjermani.
“Raul do të jetë sensacion në Bundesliga. Ai do të ishte lojtar i rëndësishëm për ne dhe do t’i jepte shumë ekipit”, theksoi Magath.
I pyetur se a do ta transferojë ndonjë lojtar Schalke, Magath tha: “Mendoj se do të jemi në gjendje të prezantojmë dikë javën e ardhshme”.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, i ka thënë shtypit se Ronaldinho do të qëndrojë në San Siro dhe se ai beson se ai mund të qëndrojë edhe më gjatë se që mendohet.
“Ai është lojtar i Milanit, ne nuk do ta shesim, është një hipotezë e cila as që duhej marrë parasysh. Ai kurrë nuk ka kërkuar që të transferohet. Ai do të mbetet te Milani edhe sezonin e ardhshëm dhe pse jo, edhe më gjatë”.
“Tregu i transferimeve është i mbyllur, nuk do të ketë largime, ky është ekipi. Nëse dikush largohet, atëherë dhe do të vie. Nëse largohet ndonjë pjesë e vogël, atëherë duhet pak përforcim, nëse një lojtar i mesëm atëherë i mesëm dhe nëse largohet një kampion atëherë do të transferohet një kampion. Por, mendoj se kjo do të jetë skuadra jonë”, precizoi Galliani.
Piloti i Ferrarit, spanjolli Fernando Alonso, ka dalë fitues i garës për Çmimin e Madh të Gjermanisë në pistën e Hockenheimit, për të hyrë kështu në rrethin e ngushtë të pilotëve që luftojnë për titullin e këtij stinori në Formula 1.
Vettel e filloi garën nga pole pozicioni, mirëpo Massa doli i pari pas xhiros së parë, me kolegun e tij Alonso në pozitën e dytë, kurse Vettel rrëshqiti në pozitën e tretë.

U desh xhiroja e 49-të e garës, që Fernando Alonso të kryesonte garën, në mënyrë mjaft kontroverse, pasi që drejtuesit e Ferrarit urdhëruan Felipe Massan që t’ia lëshojë rrugën Alonsos në mënyrë që spanjolli ta fitonte garën.

“Fernando është më i shpejtë se ti. A mund të konfirmosh se e kuptove mesazhin?”, ishte urdhri ironik i drejtusve në pit-stopin e Ferrarit.

Sebastian Vettel i Red Bullit në fund doli i treti, ndërsa Hamilton fitoi dy pozita nga pole pozicioni për t’u radhitur i katërti, kurse pas tij ishte kolegu Jenson Button. Shtatëherë kampioni i Formulës 1, Michael Schumaher, zhgënjeu tifozët vendas me pozitën e nëntë.

Në krye të garës mbetet ende Lewis Hamilton i McLaren me 157 pikë, ndërsa gara e sotme shënon dhe rikthimin e Fernado Alonsos së Ferrarit në luftën për titull me 123 pikë pas garës në Hockenheim.
West Hami ka ndezur motorët për të shokuar gjithë botën e futbollit me kërkesat e fundit në tregun e transferimeve, ndërsa emrat të cilat lakohen me një kalim në Ligën Premier janë David Beckham i La Galaxy dhe Ronaldinho i Milanit.
Sipas The People, për West Hamin nuk
do të ishte problem mbulimi i kërkesave të larta financiare të Ronaldinhos, në
kohën kur ky i fundit gjendet në udhëkryq dhe nuk e di nëse duhet të qëndrojë te
Milani, apo të largohet, përkundër mbështetjes së fuqishme të Silvio
Berlusconit.
Nga ana tjetër bashkëpronari i
West Hamit, David Gold, ka thënë për Sunday
Express, se ai dëshiron ta shohë David Beckhamin te West Hami, në mënyrë që
ta udhëheqë revolucionin e Çekanëve pas hyrjes në stadiumin olimpik në vitin
2013.
Mesfushori i Real Madridit, Guti, edhe zyrtarisht ka vendosur të largohet nga Real Madridi pas plot 24 viteve me gjigantin spanjoll.
“Unë dua të falënderoj Real Madridin. Unë kam jetuar një fazë të bukur të jetës time këtu. Unë u rrita në Madrid unë luajta për këtë klub 24 vite, nga të cilat 15 në ekipin e parë. Unë do të vazhdoj të luaj diku tjetër, por zemra ime do të vazhdojë të mbetet me Real Madridin”, theksoi Guti në një konferencë për shtyp.
“Unë dua të falënderoj të gjithë që më mbështetën, familjen time, miqtë të cilët gjithmonë kanë qenë pranë meje”, përfundoi Guti.
Guti debutoi në fanellën e Real Madridit si profesionist në dhjetor të vitit 1995 nën Jorge Valdanon, i cili sot është menaxher i klubit nga Bernabeu. Ai gjatë 15 viteve si profesionist, me Realin ka fituar 5 tituj të La Ligas dhe 3 tituj të Ligës së Kampionëve.
Anësori i Manchester Unitedit, Ryan Giggs, ka deklaruar se menaxheri Sir Alex Ferguson mund të vazhdojë të jetë trajner deri në moshën 75 vjeçare.
“Sir Alex është më mirë se kurrë dhe ai do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Të jem i sinqertë, unë e shoh atë menaxher të Manchester United edhe për pesë vite të tjera, shumë lehtë edhe në moshën 75 vjeçare. Derisa ai është i shëndetshëm, ai do të ketë dëshirë për të fituar”.
“Ai ka ekip të mrekullueshëm përreth tij dhe ai gjithashtu ka pasionet e tij larg futbollit, sikurse garat e kalërimit, në mënyrë që kur ka punë me futboll, të jetë i freskët”, ka thënë Giggs.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, besohet se është duke përgatitur transferimin e Diego Forlanit, si zëvëndësues të Fernando Torresit, pasi që tashmë është shprehur i frikësuar që spanjolli mund të largohet.

Sipas The People, Hodgson kërkon ta transferojë Forlanin për ta zëvëndësuar sulmuesin spanjoll Torres, ndërsa thuhet se drejtuesit e Liverpoolit kanë kontaktuar ata të Atletico Madridit të cilëve u ofruan 15 milionë funte.
Shitja e Fernando Torresit do t'i sillte 50 milionë funte, një shumë që do të mbulonte një sërë transferimesh të Liverpoolit dhe një shumë të cilën do ta paguanin klubet si Chelsea.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, thuhet të jetë i interesuar për sulmuesin të cilin e kërkoi verën e kaluar, Karim Benzema.
Sipas Daily Star, pasi dështoi ta bindë Sneijderin të kalojë te Manchester United, Ferguson tani është kthyer kah Benzema, i cili nuk është i preferuar nga Mourinho. E ardhmja e Benzemas ende është në dyshim, sidomos pas skandalit të fundit në jetën e tij private.
Benzema zhgënjeu në sezonin e tij të parë në fanellën e Real Madridit, me vetëm tetë gola në 27 paraqitje.
Ish-përzgjedhësi i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann, besohet të jetë drejt kalimit te Fulhami, në kohën kur klubi nga Craven Cottage po kërkon zëvëndësuesin e Hodgson.
Sipas The People, Klinsmann i përmbush standardet e Fulhamit, që po
kërkon një trajner me plot përvojë dhe me uri si në nivelin lokal ashtu dhe në
atë ndërkombëtar.
Tabloidi britanik shkruan gjithashtu se Klinsmann te Fulhami do të
përfitonte 2 milionë funte në sezon dhe do të kishte 20 milionë funte për
transferime.
Përzgjedhësi i Francës, Laurent Blanc, ka pranuar se ai nuk ka mundur ta injorojë skandalin e Francës në Botërorin, Afrika e Jugut 2010 dhe t’i ftonte përsëri lojtarët pjesëmarrës, prandaj vendosi t’i përjashtojë 23 lojtarët e përshirë në këtë skandal.
“Unë nuk mund të bëj kinse nuk ka ndodhur asgjë në Afrikën e Jugut. Unë i ndoqa zhvillimet me pikëllim, isha i zhgënjyer me rezultatet e arritura dhe u shokova nga sjelljet e caktuara”.
“Unë do t’i integroj këto elemente në analizën time dhe mendimet e mia. Unë gjithnjë pata principet e mia, rregullat e mirësjelljes dhe jo vetëm në jetën time si sportist. Ato nuk kanë ndryshuar dhe unë nuk do të ndryshoj”, deklaroi Blanc.
Shpenzuesit e mëdhenj të Manchester Cityt janë duke planifikuar një spastrim masiv në zhveshtore, pasi që menaxheri Roberto Mancini pritet ta kalojë shifrën prej 100 milionë funteve për transferimin e lojtarëve të rinj.
Të prekur nga spastrimi i Mancinit janë anglezët Shaun Wright-Phillips, Joleon Lescott dhe Wayne Bridge.
Pos emrave të lartpërmendur, klubet e interesuara mund të bëjnë ofertë edhe për Craig Bellamy, Stephen Ireland, Roque Santa Cruz, Jo dhe Felipe Caicedo.
“Situata është e njëjtë sikurse te klubet tjera kur ka transferime të reja. Ka prej tyre që nuk figurojnë në planet e menaxherit dhe dëshirojnë të largohen. Natyrisht, klubi nuk dëshiron të mbajë lojtarët të cilët nuk dëshirojnë të qëndrojnë”, tha një burim për Daily Mail.
Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Christian Nerlinger, ka zbuluar se asi i Juventusit, Diego, i është ofruar Bayernit nga agjentët e tij së paku tetë herë.
“Mua më thërrasin agjentë të shumtë, të cilët kanë diçka të veçantë për ne. Diego i Juventusit më është ofruar deri tani nga tetë agjentë të ndryshëm. Dhe të gjithë menduan, se unë vallëzoj pse pata fat. Por, ne kemi në pozitën e tij Thomas Muller dhe Toni Kroos. Nuk kemi nevojë për Diegon”.
“Van der Wiel? Kjo temë është e mbyllur. Kemi vendosur që Contento të luajë. Bayerni është klub, që kur interesohet për një lojtar, klubet rrisin çmimin drastikisht. Por, ne lëshojmë pe vetëm kur kemi të bëjmë me ekstralojtarë. Ekstralojtarë të krahut të djathtë të mbrojtjes në Botëror ishin vetëm dy, Philipp Lahm dhe Maicon. Lahm do të luajë në krahun e djathtë dhe Contento do të luajë në krahun e majtë, kështu marrin fund planet para sezonit të ri”, deklaroi Nerlinger për Bild.
Njeriu më i paguar në Ligën Premier, Yaya Toure, ka thënë se ai dëshiron t’i ndihmojë Manchester Cityt të bëhet ekip i madh si Barcelona.
“Unë erdha këtu sepse City ka një trajner të madh Roberto Mancinin dhe ka transferuar lojtarë të mëdhenj, si Carlos Tevez dhe Emmanuel Adebayor. Unë shpresoj se City do të bëhet si Barcelona. Ne do të duhet të punojmë shumë dhe do të duhet të kalojnë vitet për të arritur aty. City do të jetë klub i madh si Barca, Manchester United dhe Chelsea”.
“Unë fitova gjithçka te Barcelona dhe pata nevojë për një sfidë të re. Manchester City është një sfidë shumë e mirë. Gjëja më e rëndësishme tani është që të bëjmë gjëra të mira në këtë klub. Liga e Kampionëve? Edhe kështu jemi perfekt për mua. Më kujtohet viti im i parë te Barca. Ne nuk fituam asgjë. Më pas erdhi Guardiola dhe fituam gjashtë ose shtatë trofe”.
“Tani jam i motivuar që të luaj mirë për Manchester Cityn në kampionat, të përfundojmë në pozitën e e dytë, apo të tretë dhe të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Shpresoj se do të jem jashtë Ligës së Kampionëve vetëm për një vit”, deklaroi Yaya Toure për The Sun.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, duket se është mërzitur duke e shikuar Manchester Cityn duke u forcuar, pasi që ka thënë se tifozët nuk merakosen se sa shpenzohet, përderisa atyre u sjell sukses.
“Tifozët e Manchester Cityt nuk merakosen për paratë që janë shpenzuar. Tifozët nuk brengosen. Lojtarët aq më pak, sepse nuk është në dorë të tyre. Saddam Hussein do të mund të kishte në pronë klubin tuaj të futbollit dhe nëse ai do të shpenzonte miliona në të, atëherë ata do të ishin mjaft të kënaqur. Ata do të këndonin ‘Ekziston vetëm një Saddam’”, ka thënë Redknapp.
Harry Redknapp gjatë këtij afati kalimtar veror nuk ka shpenzuar asnjë cent të vetëm, përderisa Manchester City deri tani ka shpenzuar 75 milionë funte, por plani është për të shpenzuar 200 milionë funte deri në fund të gushtit.
Sipas mediave angleze, Jose Mourinho ka kërkuar nga hierarkia e Real Madridit që të shpenzojë 30 milionë funte për ikonën e Liverpoolit, Steven Gerrard.
Ishte thënë se Mourinho u dorëzua sa i përket firmës së mesfushorit të hekurt të Liverpoolit, por mediat spanjolle dhe ato angleze shkruajnë për një interesim të shtuar të teknikut portugez.
Kjo ofertë e Realit pritet të vijë pak kohë pasi Roy Hodgson ka pranuar se nuk mund të bëjë më shumë për të mbajtur në Anfield yjet që janë të zhgënjyer me klubin, një gjë që mund t’i hapë rrugë largimit të Gerrard, përkundër faktit se ky i fundit ka thënë se do të qëndrojë.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka pranuar se mundësitë e tij që ai ta mbajë sulmuesin Fernando Torres në Anfield janë të vogla.
“Fatkeqësisht, unë nuk mund të bëj më shumë. Ai ankohet për Liverpoolin, jo për mua. Situata e Fernandos nuk ka të bëjë asgjë me mua, ai ma ka bërë këtë të qartë në telefon gjatë Botërorit dhe kur ne u takuam sy më sy”.
“Ai e di se çfarë do të doja të bëja unë me klubin. Ai e di se sa shumë e vlerësoj unë. Por, ai ankohet më shumë për të kaluarën se sa që mendon për të ardhmen. Nëse ai ka probleme me klubin për gjërat që ndodhën në të kaluarën, është e vështirë për mua t’i anashkaloj ato”, ka thënë Hodgson.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka zbuluar se mbrojtësi Rio Ferdinand është edhe gjashtë javë larg rikthimit të tij.
Rio Ferdinand siç dihet ka pësuar një dëmtim në ligamente në stërvitjet para fillimit të Botërorit, ndërsa u besua se ai do të mund të kthehej në kohë për fillimin e sezonit të ri në Ligën Premier. Megjithatë, bëhet e ditur se Rio nuk do të jetë i gatshëm.
“Rio ndoshta do të mungojë edhe gjashtë javë”, theksoi Fergie.
Ferguson shtoi se Valencia dhe Gary Neville u janë rikthyer stërvitjeve, gjë që nuk ndodhi me Michael Owen. Anderson pritet të rikthehet në fund të shtatorit dhe Owen Hargreaves siç dihet ka mbetur në SHBA për trajtim të mëtutjeshëm.
Ish-kolegu i Jose Mourinhos te Chelsea, Baltemar Brito, beson se trajneri i ri i Real Madridit është superior ndaj trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola.
“Për mua Mourinho është trajneri më i mirë në botë. Më i mirë se Guardiola? Ai ka fituar më shumë tituj se Guardiola”.
“Nuk e njoh mirë Guardiolan, sepse ai nuk ka qenë këtej pari që një kohë të gjatë, por mendoj se Mourinho është një nivel më lart. Mourinho është motivim shtesë për lojtarët e Barcelonës. Kjo është arsyeja se pse lojtarët e Barcelonës brengosen për të”, ka thënë Brito për Ona FM.
Sulmuesi i Sunderlandit, Darren Bent, ka thënë se ai e ka shqyrtuar mundësinë e largimit nga kombëtarja e Anglisë, pasi që ishte lënë jashtë skuadrës për Botërorin, Afrika e Jugut 2010.
“Ndjeva se më morën në Austri sa për ‘sy e faqe’. Ishte e vështirë për Capellon që të vendosë të më marrë mua për shkak të numrit të golave të shënuar. Ai më mori në kampin stërvitor, më dha 45 minuta dhe vetëm pse nuk shënova dy gola, ndodhi kjo. Më dhembi. Nuk mund ta mohoj se kështu u ndjeva. Unë pata biseda të gjata me babanë tim dhe menaxherin tim. Unë ndjeva se isha aty sa për ‘sy e faqe’”.
“A kam menduar për t’u larguar nga kombëtarja? Po, e kam shqyrtuar. Nëse nuk mund të hyj në skuadrën e Anglisë pas gjithë atyre golave të shënuar, atëherë…”, ka thënë Bent.
Gjiganti italian të Juventusi ka përfunduar me sukses fazën e nxehjes para duelit në Europa League ndaj Shamrock Rovers, pasi mposhti ish-kampionin e Francës, Lyon, në Stadio San Vito në Cosenza.
Lyoni kaloi herët në epërsi kur Giorgio Cihellini e ndali në mënyrë të palejuar Ishak Belfodil brenda zonës së gjashtëmbëdhjetëmetërshit. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Ederson (22’). Aly Cissokho u përjashtua në minutën e 27-të për ta lënë Lyonin me një lojtar më pak.
Amauri nxori një penalti në minutën e 39-të të cilën qetë e ekzekutoi legjenda Alex Del Piero për të barazuar rezultatin në 1-1.
Rezultatin përfundimtar të këtij takimi 2-1, e vuri Simone Pepe që u gjet mirë në zonë nga Diego.
Kjo fitore për Juventusin vjen në kohën më të mirë, pasi që Bianconerët po kërkojnë që të dalin nga kriza e thellë e sezonit të kaluar.
Mino Raiola, agjenti i supertalentit të Interit, Mario Balotelli, ka konfirmuar se një vendim definitiv për të ardhmen e futbollistit pritet të merret të hënën, më së largu të martën.
Manchester City besohet të jetë skuadra e ardhshme e SuperMarios, por kemi raste nga e kaluara kur lojtarët kanë ndërruar mendje, apo ka ‘kërcyer’ ndonjë klub në sekondën e fundit.
“Nuk ka lajme të reja dhe lajme të reja do të kemi besoj të hënën ose të martën. Për momentin, sidoqoftë, nuk ka nënshkrim me Manchester Cityn”, theksoi Raiola për Tuttomercatoweb.
Federata Portugeze e Futbollit ka filluar një hetim ndaj përzgjedhësit të kombëtares portugeze, Carlos Querioz, për dyshime se ky i fundit ka fyer rëndë autoritetet portugeze të anti-dopingut.
Incidenti në fjalë ndodhi në maj kur lojtarët e Portugalisë u testuan për anti-doping, ndërsa ky veprim e la përzgjedhësin Queiroz të nervozuar, që e detyroi atë të shpërthente, shpërthim për të cilin tani pritet t’i bart pasojat.
“Çështja do të vlerësohet me Federatën. Faktet që kemi marrë e obligojnë federatën t’i studiojë ato. Nëse këto nuk do të ishin fakte serioze, atëherë nuk do të kishte ndonjë hetim, përndryshe do të arkivohej”, ka thënë Sekretari i Shtetit, Laurentino Dias.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, nuk pati fjalë të tjera pos ‘nuk është e vërtetë’ sa i përket të ardhmes së futbollistëve, Didier Drogba dhe Ashley Cole.
“Ashley Cole te Reali? Nuk është e vërtetë. Drogba të largohet? Nuk është e vërtetë”, theksoi dy herë radhazi Ancelotti.
I pyetur nëse Blutë e Londrës janë në kërkim të argjentinasit Sergio Aguero, Ancelotti ishte përsëri i prerë.
“Jo, nuk është e vërtetë”, përfundoi ‘Carlito’.
Në ndërkohë, mësohet se Didier Drogba ka pësuar një dëmtim si pasojë e të cilit nuk do të jetë në gjendje gatishmërie në start të sezonit të ri në Ligën Premier.
Manchester City ka kompletuar transferimin e mbrojtësit të majtë të Lazios, Aleksandar Kolarov, për një shumë prej 14.1 milionë funtesh.
“Ardhja e Kolarov nuk do të thotë se Wayne Bridge do të qëndrojë në karrigen rezervë, pasi që dua pozitë për të dy top lojtarët”, theksoi Mancini në deklaratën e tij të parë, duke shtuar se ai e zbuloi talentin e Kolarov në vitin 2007, në kohën kur ai e drejtonte Interin.
Ky transferim në City vjen në vazhdën e transferimeve të shumta në përgatitje të sezonit të ri, i cili për ekipin anglez do të jetë mjaft ambicioz, kur dihet se në ditët në vijim do të transferohet supertalenti italian, Mario Balotelli, pasi që negociatat me Interin vazhduan me sukses edhe gjatë ditës së sotme.
Babai i mbrojtësit të Interit, Maicon, ka thënë se djali i tij mezi pret të luajë për Real Madridin, në mënyrë që ta përfundojë karrierën në mënyrë perfekte.
“I biri im mezi pret të luajë për Real Madridin. Ai e di se një destinacion i tillë do të ishte një vend perfekt për të përfunduar karrierën e tij”.
“Te Reali, Maicon do të fitonte titujt e njëjtë si te Interi. Aktualisht ai po pushon në veri të Brazilit, por ne jemi të relaksuar pasi që e dimë se njerëzit e duhur po punojnë në negociata”, ka thënë Manuel, babai i Maicon, për AS.
Mano Menezes është përzgjedhësi i ri i kombëtares braziliane, pasi që trajneri i Corinthians pranoi ta drejtonte Selecaon.
48 vjeçari është i mirënjohur në rrethet e gjera të futbollit brazilian, pasi ndihmoi shumë ekipe të dalin nga kriza. Ai falënderoi ish-klubin e tij Corinthians për tri vitet e mrekullueshme. Menezes e konfirmoi se do ta drejtojë Brazili vetëm një ditë pasi Muricy Ramalho refuzoi ofertën për shkak të telasheve me presidentin e Fluminenses.
“Për tërë Brazilin, them se unë edhe zyrtarisht pranoj ftesën. Unë i jam falënderues Corinthians për tri vitet e mrekullueshme”, theksoi Menezes që do të ketë punë të vështirë në vitet në vijim, për ta nxjerrë nga kriza kombëtaren braziliane pas dështimit në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.
Mesfushori i Juventusit, Felipe Melo, ka thënë se do t’i mbetet besnik Juventusit përkundër interesimit të Real Madridit.
“Unë dua të vazhdoj qëndrimin te Juventusi. Unë vërtet dua të luaj mirë me këtë fanellë. Ky vit do të jetë vit i ringjalljes time”, theksoi Melo për La Gazzetta dello Sport.
Luigi Del Neri tashmë ka thënë se dëshiron që Melo të mbetet te Juventusi, përderisa Giuseppe Marotta e mbështeti plotësisht futbollistin problematik brazilian.
Agjenti Giuseppe Rossit ka thënë se lojtari i Villarealit do të kalojë te një klub i madh, në kohën kur spekulimet për një transferim te Interi po rriten.
“Situata është e qartë, ai do të largohet nga Villareali, për të shkuar te një klub i madh evropian ku ai do ta gjente mirë veten”, ka thënë Federico Pastorello për Il Corriere dello Sport.
Giuseppe Rossi konsiderohet si zëvendësues i Balotellit, që javën e ardhshme pritet të zyrtarizohet si lojtar i Manchester Cityt.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka vënë zjarr në benzinë sa i përket çështjes së transferimit të mesfushorit James Milner, për të cilin nuk po lëshon pe Martin O’Neill i Aston Villas.
“Milner është lojtar i mirë, por tani për tani ai është lojtar i Aston Villas. Nëse do ta kemi rastin ta transferojmë atë, atëherë mendoj se duhet ta bëjmë, por duhet të presim”, theksoi Mancini.
Pas dy-tre transferimeve bombastike që bëri në fillim të afatit kalimtar veror, pritet që së shpejti City të transferojë edhe zyrtarisht Mario Balotellin e Interit, Edin Dzekon e Wolfsburgut dhe James Milnerin e Aston Villas.
Pasi është thënë se Keisuke Honda është shumë pranë kalimit te Milanit, sponsorët e superyllit japonez përkrahin fuqishëm kalimin e tij te skuadra nga Milanello.
“Italia është treg kyç për ‘Mizuno football’. Ne kemi një pozitë të fortë me shumë tifozë italianë. Mendoj se Milani është ekip fantastik, por duhet të bëhet e qartë se e ardhmja e Hondas është në dorë të tij”.
“Ne nuk duhet të harrojmë se CSKA Moska shkoi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe se është ekip i fortë në Evropë. Honda ka treguar se ai mund të luajë në nivelet më të larta si të klubit ashtu dhe të kombëtares. Mendoj se ai mund të luajë në nivelet të cilat ai i dëshiron”, ka thënë Masatoshi Yamaguchi, drejtor i marketingut te kompania Mizuno.
Menaxheri i Bayern Munichut, Louis Van Gaal, ende duket të mos e ketë marrë leksionin e tij nga ish-trajneri i Interit, Jose Mourinho, të cilin e akuzon për futboll të keq, ndërsa pohon se Interi kurrë nuk do të bëjë histori.
“Nuk dua të them se suksesi i tyre nuk ishte i merituar, por gjithë ajo që dua të them është se Interi kurrë nuk do të bëjë histori”.
“Pikëpamjet e mia për futbollin janë të ndryshme me ato të Mourinhos. Unë bëj futboll për argëtim, përderisa futbolli i Interit bazohet në ngurtësi”, ka thënë Van Gaal për La Gazzetta dello Sport.
Qendërmbrojtësi i Chelseat, Ricardo Carvalho, ka shprehur publikisht dëshirën për të kaluar te Real Madridi dhe për të luajtur për ish-trajnerin e tij, Jose Mourinho.
“Nëse ekziston mundësia që të nënshkruaj me Real Madridin, atëherë do të shkoja atje qoftë duke vrapuar apo duke notuar. Do të ishte ëndërr po qe se do të kisha mundësinë të luaj për Realin, të cilin e konsideroj si klubin më të mirë në botë dhe të isha nën drejtimin e trajnerit më të mirë në histori të futbollit”.
“Me Jose Mourinhon, unë përjetova dy faza të mrekullueshme te Porto dhe Chelsea. Të kem rastin për të fituar Ligën e Kampionëve me të te Real Madridi do të ishte fantastike”, ka thënë Carvalho për AS.
Mbrojtësi i Romës, John Arne Riise, ndjen se skuadra e Romës është mjaft e fortë për të qenë një sfiduese e denjë në të gjitha garat.
“Me Adrianon, Simplicion dhe me një mbrojtës i ri, unë mendoj se Roma do të jetë mjaft e fortë dhe do të tentojë të përmirësohet edhe më shumë edhe pse Interi vazhdon të jetë ekipi më i fortë”.
“Ne ndjejmë se mund të bëjmë mirë në Serie A, ashtu si në Ligën e Kampionëve dhe Coppa Italia”, deklaroi Riise.
Trajneri i Juventusit, Gigi Del Neri, ka pranuar se asi i Juves, Diego, mund të shitet para mbylljes së afatit kalimtar veror.
“Ne kemi tentuar t’u japim lojtarëve formë taktike, të cilën e kemi tani, por tregu është i hapur dhe çdo zgjidhje është e mundshme. Këtu, askush nuk është i pashitshëm. Nëse duhet ta mbaj Diegon, atëherë ai duhet të jetë sulmues. Nuk më duket se kemi ndonjë më të mirë këtu”.
“Deri në fund të gushtit e them se mund t’i ndodhë secilit kjo. Nuk po flas vetëm për Diegon. Prioriteti ynë është të shohim nëse ka top mbrojtës të cilët mund ta përmirësojnë mbrojtjen tonë. Për mua, të gjithë lojtarët janë në të njëjtin nivel. Është e drejtë nëse themi se nuk kemi nevojë për sulmues, pasi që kemi pesë lojtarë: Iaquinta, Amauri, Trezeguet, Diego, Del Piero”, ka thënë Del Neri.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, duket se ka filluar të frikësohet nga Manchester City para fillimit të sezonit të ri, pasi që mendon se duhet të bëjë dy deri në tre transferime cilësore.
“Ne jemi në një planet tjetër, City shkon dhe e paguan lojtarin 200 mijë funte në javë. Ata mund të paguajnë tri herë më shumë lojtarët e tyre më të mirë se sa ne që mund ta paguajmë një top lojtar. Kjo ma bën punën time si menaxher më sfiduese. Nuk është vërtet ndonjë motivim i veçantë për ne, por them përsëri, ‘paçin fat’. Ne përfunduam para Cityt sezonin e kaluar dhe këtë do ta tentojmë edhe këtë sezon”.
“Ndeshja e parë e sezonit ndaj Cityt…do të jetë një ndeshje e mirë për t’u startuar. Unë mezi e pres atë. Por, na duhen dy ose tri lojtarë, në të cilët po shikoj. Unë e di kë e dëshiroj dhe unë e di se kë duhet ta lë të shkojë si huazim. Joe Cole do të ishte një transferim fantastik, por ne e humbëm atë. Na duhen një sërë lojtarësh cilësor nëse duam të bëjmë përsëri atë që bëmë vitin e kaluar”, deklaroi Redknapp.
Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, ka pranuar se ai ka refuzuar një ofertë të Manchester Unitedit, para se t’u bashkohej rivalëve të përbetuar të qytetit.
“Vitin e kaluar Manchester United ishte i interesuar në mua. Kur unë isha në bisedime për rinovimin e kontratës, United më pyeti nëse unë do të doja të nënshkruaja për ta”.
“Manchester United është klub i madh, një prej më të mëdhenjve në botë. Por, City ishte sfidë interesante për mua”, ka thënë Toure.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, i ka bërë thirrje Chelseat të lëshojë pe për mbrojtësin Ashley Cole, pasi që beson se Los Blancos do ta sigurojnë firmën e anglezit.
“Në Madrid, loja e Cole do të jetë në kryetitujt e gazetave, jo jeta e tij private. Mendoj se ky do të jetë indikator i madh për të. Unë kam folur me shumë lojtarë të vjetër në të cilët klubi ka besim dhe ata janë tejet të bindur se ne do ta transferojmë atë javët e ardhshme. Njëherë u duhet lojtarëve të luajnë nën Jose Mourinhon, më pas ata e ndjekin atë. Jose Mourinho është i ngjashëm si Diego Maradona në sensin që ai nuk e shikon jetën e lojtarëve të tij”.
“Është një situatë të gjithë në klub kundër gjithë botës dhe mbrojtja të cilën e ofron trajneri është shumë e rëndësishme. Ashley duhet ta di mjaft mirë pasionin e Mourinhos dhe dashurinë për lojtarët e tij, ndërsa jam i sigurt se ai do të dëshironte që të punonte përsëri me të”.
“Në stërvitje thuhet se marrëveshja do të arrihet. Të gjithë lojtarët mezi presin transferimin e tij. Nuk më befason nëse Chelsea thotë ai nuk është në shitje. Nëse keni një lojtar që është më i miri në botë në pozitën e tij, atëherë bëni gjithçka për ta mbajtur atë. Por, kur Reali e kërkon një lojtar, zakonisht e merr atë. Unë bisedova me Ronaldon dhe ai më tha se Cole është mbrojtësi më i vështirë ndaj të cilit ai ka luajtur ndonjëherë. Kështu që, nëse Ashley Cole vendosë t’i bashkohet klubit më të mirë në botë dhe mikut të tij të vjetër Jose Mourinho, atëherë jam i sigurt se transferi do të kryhet para fillimit të sezonit të ri”, ka thënë Higuain për The Sun.
Juventusi është duke shënjestruar sulmuesin e Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, si alternativë nëse dështon transferimi i Edin Dzekos nga Wolfsburgu.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, do të lansojë brenda këtyre ditëve ofertën e fundit prej 30 milionë eurosh për Dzekos, një shumë larg prej kërkesave të Wolfsburgut. Nëse ndodh që oferta të mos pranohet, atëherë, objektivi i radhës i Bianconerëve pritet të jetë Emmanuel Adebayor.
Te Manchester City nuk ka hapësirë për Adebayorin, prandaj Juventusi dëshiron ta transferojë si huazim në Torino. Zonja e Vjetër është e gatshme t’i ofrojë Cityt edhe Momo Sissokon si pjesë të marrëveshjes.