Shorti i Serie A - 2010 / 2011 Është tërhequr shorti për ndeshjet e sezonit 2010/2011 në Serie A, short i cili ka nxjerrë mjaft përballje interesante në javët e para.

Në javën e parë më 29 gusht, kampioni Inter i shkon Bolognas, ndërsa Juventusi do të udhëtojë në Bari. Roma do të ketë punë me skuadrën e promovuar në Serie A, Brescia, ashtu si Milani që pret Leccen në San Siro


Java e pestë e sjellë dhe derbin e parë, në Olimpico të Romës takohen rivalët e dy sezoneve të fundit, Roma pret Interin. Një javë më pas, më 3 tetor, Interi në Giuseppe Meazza do ta zhvillojë atë që quhet ‘Derbi d’Italia’ ndaj njërit prej rivalëve më të mëdhenj, Juventusit.


Java e nëntë është e rezervuar për Milanin dhe Juventusin, të cilët më 31 tetor takohen në duelin e gjigantëve në San Siro. Derbi i kryeqytetit zhvillohet më 7 nëntor, kur në kuadër të javës së 10 takohen Lazio dhe Roma.


Në javën e 17-të, përkatësisht më 19 dhjetor, Milani pret Romën në San Siro, por po në këtë javë zhvillohet edhe derbi gjenovian mes Sampdorias dhe Genoas.


Definitivisht, java e 12-të do të jetë tejet e nxehtë, pasi që do t’i shohë më 14 nëntor të përballen njëri me tjetrin dy rivalët e përbetuar, ‘Derbi Della Madonnina’, Interi para tifozëve të vet pret Milanin në tempullin epik të Giuseppe Meazzas. Kjo nuk është e tëra. Juventusi do të ketë punë me Romën po në këtë javë, ndeshjet kthyese të së cilës zhvillohen më 3 prill.


Java e parë:


Bari - Juventus
Chievo - Catania
Milan - Lecce
Parma - Brescia
Roma - Cesena
Sampdoria - Lazio
Udinese - Genoa
Palermo - Cagliari
Bologna - Inter
Fiorentina - Napoli


Ndeshjet kryesore:


Java 5 Roma - Inter
Java 6 Inter - Juventus
Java 9 Milan - Juventus
Java 17 Milan – Roma dhe Sampdoria – Genoa
Java 10 Lazio - Roma
Java 12 Inter – Milan dhe Juventus - Roma

Kapitenit të Manchester United, Ryan Giggs, ende i dhemb fakti që Chelsea është kampion i Ligës Premier, duke thënë se ai dëshiron që pas zhgënjimit, ta fitojë titullin.
“Në sezonin tim të parë të plotë, ne e humbëm titullin ndaj Leeds. Kjo ende mbetet në mendjen tuaj. Kjo ju bën më të përkushtuar dhe pas kësaj, unë pata shumë sukses por në të njëjtën kohë edhe shumë zhgënjime. Janë zhgënjimet ato që ju mbajnë dëshirën për të fituar”.
“Çdo sezon ju kërkoni ndonjë sfidë të re dhe unë gjithnjë e kam gjetur atë me United. Nuk më priten sezonet e reja dhe unë gjithnjë kam qenë i kënaqur që kam luajtur për Unitedin, ndërsa United më mbajti mua. Unë kam qenë me fat që kam luajtur ndaj aq lojtarëve të mëdhenj dhe ndaj shumë ekipeve të mëdha. Unë kurrë nuk kam kërkuar të largohem. Duket se do të luaj vetëm për një klub gjatë gjithë karrierës”, ka thënë Giggs.
Mesfushori kreativ i Juventusit, Diego, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ai nuk ka ndërmend të largohet nga Olimpico i Torinos, duke mohuar drejtorin e Bayernit, Christian Nerlinger, se atij i është ofruar Diego nga tetë agjentë.
“Siç e dinë të gjithë, babai im kujdeset për kontratat e mia. Nëse agjentët e tjerë janë duke u ofruar klubeve shërbimet e mia, atëherë kjo nuk përfaqëson realitetin e fakteve”.
“Unë jam mirë te Juventusi dhe dua të vazhdoj qëndrimin këtu deri në fund të kontratës time. Një lojtar sikurse unë, kurrë nuk do t’ia ofronte veten klubeve të tjera. Unë jam i fokusuar në ekipin tim, Juventus. Dhe unë dua t’u japë tifozëve shumë kënaqësi”, deklaroi Diego.
Sulmuesi i Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, nuk do të kalojë në Ligën Premier pasi që mungojnë ofertat- ka thënë agjenti i tij Arnold Oosterveer.
“Unë kam lexuar shumë gjëra nëpër gazeta së fundmi, por nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk ka pasur oferta nga Liga Premier. Huntelaar dëshiron të qëndrojë te Milani”.
“Për më shumë, klubi nuk ka shfaqur kurrë interes për ta shitur atë”, ka thënë Oosterveer.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, ka ofruar guximin e tij para sezonit të ri, duke thënë se skuadra do të jetë e suksesshme.
“Synimi është që të rigjejmë veten si ekip pas asaj që ndodhi vitin e kaluar. Ne duhet të përfundojmë në mënyrë pozitive, të jemi krenarë me atë që kemi bërë dhe t’i bëjmë të lumtur tifozët tanë, ashtu si gjithë klubin”.
“Interi favorit? Po, për arsye të natyrshme”, deklaroi kapiteni legjendar për Sky Sport Italia.
Një ndër bastoret më të mëdha në botë - Bwin Bastoret kanë filluar që të bëjnë kuotimet e tyre para fillimit të sezonit të ri nëpër kampionatet evropiane, ndërsa si favoritë kanë nxjerrë pikërisht skuadrat që kanë qenë triumfuese sezonin e kaluar.
Në Angli, Chelsea cilësohet favorit pasi që kuotohet me 2.62. Manchester United sipas bastoreve evropiane do të përfundojë në pozitën e dytë me kuotë 3.50, kurse në mënyrë befasuese, Manchester City kuotohet 6.0 si favorit i tretë për titull. 7.50 kuotohet Arsenali që sezonin e kaluar zuri vendin e tretë. Liverpooli ka koeficient 13.0, që sipas parashikimeve, nuk pritet të shkojë më lart se vendi i pestë.
Në Gjermani si zakonisht favorit është Bayerni që kuotohet 1.53, me konkurrent Schalken që shihet si cënuesi kryesor i bavarezëve me koeficient 8.50.
Në Itali, favorit është kush tjetër pos Interit që kuotohet me 2.10, përkundër trajnerit Rafa Benitez që gjatë gjashtë viteve te Liverpooli nuk e fitoi titullin e Ligës Premier. Pas Interit, tre skuadrat që kuotohen me 5.0, janë Roma, Juventusi dhe Milani, që pritet të jenë dhe sfidantët kryesorë të Nerazzurëve.
Në Spanjë sipas bastoreve titullin do ta vendosin rivalët e përbetuar, Real Madridi dhe Barcelona. Këta të fundit janë favoritë me 1.80, ndërsa Reali kuotohet si Interi, 2.10.
Se a do të dalin këto parashikime, mbetet të shihet në fund të sezonit të ardhshëm, por para kësaj, neve na mbetet që të kënaqemi me spektaklin që do të na ofrojnë skuadrat dhe lojtarët më të mirë të globit në kontinentin e vjetër.
Bosi i Interit, Massimo Moratti, ka zbuluar se Fabio Capello nuk ka qenë kurrë kandidat serioz për të zëvendësuar Jose Mourinhon në stolin e kampionit të Evropës.
“Capello ishte hipotezë realiste që zgjati dy ditë e gjysmë, koha në fund të javës e cila mbaroi të hënën. Ai nuk ishte në garë me Benitezin, ishte realiste por në fund doli të mos ishte e tillë. Nuk preka asgjë, ishte një pyetje e cila e gjeti vetvetiu përgjigjen”.
“Benitez është një prej atyre trajnerëve që ka një tip të caktuar të përvojës në nivel ndërkombëtar, unë kam dëgjuar gjëra të mira për të dhe ne menjëherë e punësuam. Ne kemi shqyrtuar dhe alternativa tjera sepse ishte vendim i vështirë. Benitez është shumë profesional dhe punon shumë, ndërsa ka sistem të punës si Mourinho, duke studiuar lojën e kundërshtarëve. Benitez nuk këmbëngul për të transferuar ndonjë lojtar. Mourinho e bëri këtë me Quaresman, por ai dështoi dhe më pas nuk këmbënguli për asnjë lojtar”, u shpreh Moratti.
Drejtori sportiv i Romës, Daniele Prade, ka pohuar se klubi romak nuk e ka ndërmend të bëjë ofertë për mesfushorin kosovar, Valon Behrami.
Mitrovicasi u spekulua të jetë nën radarin e Romës, pasi që këta të fundit edhe publikisht janë vënë në kërkim të një mesfushori, e që tani sipas Prades, Behrami nuk është i atij lloji të cilin Roma e kërkon dhe për këtë arsye nuk do të ketë as ofertë për West Hamin.
“Ai është lojtar i fortë, na pëlqen, por nuk kemi bërë ndonjë ofertë për West Hamin. Pioriteti ynë është një mbrojtës dhe një anësor i majtë, në pozitat tjera jemi në rregull”, theksoi Prade.
Milani pritet që të fitojë mbi 60 milionë euro nga marrëveshja me sponsorin e ri, Fly Emirates, njofton Il Giornale.
Sheikh Ahmed Bin Saeed Al Maktoum, kreu i kompanisë Fly Emirates, pritet që të takohet me Silvio Berlusconin në Milano të mërkurën dhe pritet që kompania arabe t’u garantojë Rossonerëve nga 15 milionë euro për stinor plus bonuset në rast të sukseseve në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.
Sipas marrëveshjes, Milani do të duhet të udhëtojë në ndeshjet si mysafir në Ligën e Kampionëve me aeroplanin e kompanisë Fly Emirates. Milani do të përfitojë 5 milionë euro më shumë nga kjo marrëveshje se sa nga marrëveshja e kaluar e sponsorisimit
i Interit, Jose Mourinho, nuk mund të rezistojë më dhe e do përfundimisht Maiconin në Bernabeu, por kërkesat e brazilianit kanë bërë që marrëveshja të marrë kah tjetër.
Të martën La Gazzetta dello Sport pohoi se Interi kishte arritur marrëveshjen me Realin për një transferim prej 28 milionë euro. Por, përfundimi total i marrëveshjes është larg sipas Il Corriere dello Sport.
Duket se Maicon nuk është në disponim për të ulur kërkesat e tij për pagë vjetore prej 7 milionë euro. Ky qëndrim i Maicon është inkurajuar shumë edhe nga vetë agjenti Antonio Caliendo, që javë më parë e krahasoi klientin e tij me Kaka dhe Cristiano Ronaldon.
Por, njeriu që i ushqen familjet e lojtarëve të Realit, Florentino Perez, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga oferta për pagë vjetore prej 5.5 milionë euro në sezon për brazilianin. Mourinho është i gatshëm të flasë me Florentinon dhe ta bindë atë që më në fund ta sjellë Maiconin në Bernabeu.
Drejtori i Chelseat, Ron Gourlay, ka këmbëngulur se Didier Drogba nuk është në shitje.
“Didier Drogba do të jetë lojtar i Chelseat edhe vitin e ardhshëm. Didier Drogba është nën kontratë”.
“Kjo është gjithnjë ajo që mund të shohim në këtë periudhë. Që lojtarët tanë të jenë nëpër lajme, është normale për ne. Por, Didier Drogba nuk është në shitje”, tha Gourlay.
Interi nuk ka humbur kohë sa i përket transferimit të mesfushorit të Liverpoolit, Javier Mascherano, pasi ky i fundit ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Anfield.
La Gazzetta dello Sport pohon se Interi dëshiron që të shfrytëzojë qëndrimin e Mascheranos për largim, pasi që presidenti Massimo Moratti nuk është në disponim për të shpenzuar 25-30 milionë euro në mesfushorin.
Indikacionet e fundit nga Milano sugjerojnë se kampioni i Evropës dëshiron të ofrojë Sulley Muntarin dhe 15 milionë euro, ndërsa në këmbim në Meazza do të vinte Mascherano. Muntari adhurohet nga Hodgson, i cili nuk do të mendohej dy herë po t’i vinte kjo mundësi.
Drejtori i Sevillas, Ramon Monchi, ka deklaruar se Milani nuk ka bërë ende ndonjë ofertë për asin andaluzian, Luis Fabiano.
“Situata është shumë e thjeshtë për Luis Fabianon. Nuk ka oferta për të dhe ne duam ta mbajmë atë”.
“Sevilla dhe Fabiano kanë lidhje të forta dhe është e vështirë që kjo çështje të vihet në diskutim”, ka thënë Monchi.
Për Fabianon të interesuar janë treguar Milani, Manchester United dhe Tottenhami.
Mbrojtësi i Interit, Nicolas Burdisso, ka deklaruar publikisht se dëshiron të largohet nga Nerazzurrët, ndërsa ka mirëpritur interesimin e Juventusit për të, në rast se Roma nuk i përmbush kërkesat e zikaltërve.
“Sikurse kam thënë shumë herë më parë, Interi është një ekip i krijuar me ide precize dhe të vendosura”.
“Unë do të vazhdoj të stërvitem me ta, sepse unë jam profesionist, por nuk dua të qëndroj në Milano, është një vendim të cilin e kam marrë shumë kohë më parë”.
“Tani e ardhmja ime është në dorë të Interit, Juventusit dhe Romës. Interesimi i Juventusit është nder i madh për mua”, u shpreh Burdisso për Tuttosport.
Portieri Barcelonës, Victor Valdes, ka thënë se dy përforcimet, Adriano dhe David Villa, e bëjnë kampionin aktual të Spanjës, një skuadër të përsosur.
“Me transferimet e David Villas dhe Adrianos, skuadra është perfekte. Ata ishin lojtarë të rëndësishëm nëpër klubet e tyre dhe jam i sigurt se do të jenë edhe këtu. Ato janë transferime shumë pozitive dhe vendimi për t’i sjellë ata këtu ishte i mrekullueshëm. Jam i sigurt se ata do ta tregojnë këtë edhe në fushë”.
“Ne tani duam të fitojmë edhe më shumë. Unë dua të luaj në finalen e Wembleyt, për t’i lënë ngjarjet e të kaluarës mbrapa. Ne duam të përjetojmë përsëri atmosferën fantastike e të fituarit të atij titulli”, deklaroi Valdes.
Milani është duke e mbajtur Real Madridin sa më larg mbrojtësit Thiago Silva, pasi që ka refuzuar një ofertë të majme për brazilianin.
Qendërmbrojtësi ka pranuar se ai është i lëkundur nga interesimi i Jose Mourinhos dhe Tuttosport shkruan se Los Blancos tashmë kanë bërë një ofertë prej 25 milionë eurosh për Silvan.
Por, zyrtarët e Milanit po refuzojnë të shqyrtojnë shitjen e mbrojtësit, përkundër faktit se Rossonerët kanë probleme financiare.
Juventusi dhe Milani mund të bëjnë biznes të mirë këtë afat kalimtar veror, pasi që po spekulohet për një marrëveshje shkëmbimi mes Mauro Camoranesit dhe Klaas-Jan Huntelaar.
Tuttosport spekulon se Camoranesi, që është pranë largimit, ka refuzuar një numër ofertash nga klube mesatare për të kaluar te ndonjë klub i madh. Dhe ai klub mund të jetë Milani. Italiani nuk shihet më pjesë e ekipit të revolucionarizuar të Del Nerit.
Me Huntelaarin në largim e sipër, të dyja klubet mund të arrijnë një marrëveshje të përshtatshme për të dyja palët. Juventusi pritet t’i ofrojë Milanit para plus Camoranesin për sulmuesin holandez.
Real Madridi thuhet të jetë i gatshëm që ta presë edhe 12 muaj mesfushorin e Werder Bremenit, Mesut Ozil.
Sipas AS, Real Madridi ka vendosur të tërhiqet nga gara për transferimin e tij këtë verë, pasi që dëshiron të nënshkruajë parakontratë me të në janar. Kontrata aktuale e Ozil skadon në qershor në vitit 2011.
Jose Mourinho dëshiron ta transferojë Ozilin në Madrid, por është i gatshëm që të presë edhe një vit për ta bërë këtë. Për sezonin në vijim, Mourinho është duke llogaritur në Rafael Van der Vaart.
Juventusi është duke e kërkuar me ngulm Edin Dzekon, pasi që tani a ka vënë një ultimatum një javor Wolfsburgut, i cili në vete përmban një ofertë të panegociueshme prej 30 milionë eurosh.
Il Corriere dello Sport pohon se presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, e ka rritur ofertën në 30 milionë euro, në mënyrë që t’i sigurojë shërbimet e Dzekos. Mirëpo, kjo shumë nuk është e mjaftueshme për Wolfsburgun që shpreson se City do të ofrojë më shumë, përkundër faktit se Dzeko dëshiron të luajë në Itali.
Nuk ka më negociata të tipit para plus Diego, pasi që ky i fundit nuk u intereson gjermanëve, ndërsa oferta përfundimtare tani është 30 milionë euro.
Në rast se refuzohet oferta, atëherë Bianconerët do të fokusohen në Alberto Gilardinon ose Giampaolo Pazzinin, edhe pse Fiorentina dhe Sampdoria kanë thënë se nuk kanë ndërmend t’i shesin yjet e tyre.
Skuadra e promovuar në Ligën Premier, Newcastle, ka kompletuar transferimin e qendërmbrojtësit veteran, Sol Campbell, i cili ka nënshkruar kontratë njëvjeçare.
Kontrata afatshkurtër e Campbell me Arsenalin skadoi në fund të sezonit të kaluar dhe ai ka tërhequr interesimin e shumë skuadrave, si Newcastle, Sunderland dhe të Celtic. Ndërsa 35-vjeçari vendosi të kalojë te skuadra nga St.James Park.
“Në këtë fazë të karrierës time, unë nuk do të kisha dëshiruar ndonjë transferim më të mirë. T’i bashkohem një klubi siç është Newcastle United, me krenarinë dhe traditën që ka, tifozët dhe mbështetjen e tyre të mrekullueshme, është absolutisht fantastike për mua”, theksoi Campbell për faqen zyrtare të Newcastle.
Gjiganti spanjoll Real Madrid është farë pranë transferimit të gjermanit Sami Khedira, pasi që, sipas një raporti në AS, Los Blancos kanë arritur marrëveshje mbi kontratën e futbollistit.
Reali dhe Khedira ishin pranë marrëveshjes javë më parë, por 23-vjeçari kërkoi pagë vjetore prej 7 milionë euro, ndërsa tani thuhet se ai i ka ulur kërkesat e tij.
Tani ka mbetur që Reali të arrijë marrëveshje me Stuttgartin, që besohet se mund të finalizohet me anë të një oferte prej 10 milionë eurosh.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, edhe njëherë ka testuar nervat e Barcelonës, pasi që i ka cilësuar tentimet e Blaugranëve për transferimin e Cesc Fabregas, vetëm si zhurmë e cila hyn në njërin vesh dhe del në tjetrin.
“Unë po dëgjoj vetëm zhurmë nga Barcelona, por kjo është e tëra”, theksoi Wenger për të shuar spekulimet që thoshin se Arsenali ka marrëveshje sekrete me Barcelonën për Cesc Fabregas.
“Në punën tonë ju nuk brengoseni për gjërat që nuk mund t’i kontrolloni. Ne në klub jemi të kënaqur me Fabregasin. Ai është lojtar shumë i rëndësishëm dhe është kapiteni ynë. Ne kemi punuar shumë me të”, përfundoi Wenger.
Benfica i ka thënë Chelseat dhe Manchester Cityt, se duhet të paguajnë 40 milionë euro nëse dëshirojnë që ta transferojnë mbrojtësin David Luiz.
The Daily Mail njofton se 23-vjeçari ka zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha evropiane, ndërsa Chelsea thuhet të jetë në nevojë për Luiz, për shkak se ka probleme në fazën defensive. Alex mungon në fillim të sezonit për shkak të lëndimit, kurse Carvalho hapur ka shprehur dëshirën për t’u ribashkuar me Jose Mourinhon te Real Madridi.
Në ndërkohë, Manchester City thuhet se është i interesuar në një mbrojtës për shkak se Lescott, Toure dhe Kompany nuk e treguan veten. Nëse Chelsea arrin të mposhtë Cityn për Luiz, atëherë ky nuk do të ishte biznesi i vetëm mes të dy skuadrave. Edhe Ramires është pranë kalimit në Stamford Bridge për 24 milionë euro.
Menaxheri i Aston Villas, Martin O’Neill, beson se nëse dështon transferimi i James Milner te Manchester City, atëherë anglezi do të vazhdojë të bëjë më të mirën për klubin nga Villa Park.
“Nuk ka dyshim se James Milner do të vazhdojë të japë më të mirën nëse transferimi dështon”.
“Milnerit i pëlqen të luajë dhe sezonin e kaluar luajti kur të tjerët nuk donin të luanin. Kjo është arsyeja se pse nuk brengosem sa i përket karakterit dhe përfshirjes së tij me Villan”, ka thënë O’Neill.
Mesfushori Rene Krhin i është bashkuar Bolognas në bashkëpronësi me kampionin e Evropës, Inter.
Transferimi i sllovenit u konfirmua në faqen zyrtare të klubit, ndërsa bashkëpronësia mundëson që Krhin të luajë në fanellën e Bolognas.
“Bologna F.C 1909 dëshiron të komunikojë se ka arritur marrëveshje me FC Internazionale Milano në një marrëveshje bashkëpronësie për mesfushorin Rene Krhin”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi.
Tifozët ‘ultras’ të Juventusit i kanë shënjestruar futbollistët të cilët nuk janë duke treguar formën e tyre më të mirë për skuadrën bardh e zi.
Ata që quhen “Vikings Curva Nord” i kanë bërë ndjenjat e tyre të qarta të hënën në kampin stërvitor në Varese, ku grupi i tifozëve shpalosi një pllakatë në të cilin shkruante: “Ne duam që lojtarët të cilët duan të largohen, para se të largohen, të përjetojnë edhe një vit në ferr”.
Mauro Camoranesi, Christian Poulsen dhe Fabio Grosso janë nën llupën e tifozëve ultras të Juves.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka pranuar se Mario Balotelli do të largohet nga zikaltrit, pasi që ka oferta të rëndësishme në tavolinë për 19-vjeçarin.
“Balotelli mbetet talent i madh, por për ne është e obligueshme ta lejojmë të largohet. Kjo mund të shihet si humbje në sytë e njerëzve, por ne kemi Coutinhon, që është një talent tjetër i ri. Për Balotellin, të gjithë janë korrektë kur thonë se ai është talent që nuk e ka shprehur mirë veten. Por, ky talent për momentin nuk duket aq i rëndësishëm si bërthama i ekipit”.
“Ne kemi disa oferta të rëndësishme për të dhe ne gjithashtu kemi objektiva financiarë. Për këtë arsye, ju duhet të bëni sakrifica me lojtarët të cilët ekipet tjera i kërkojnë dhe jo të shisni lojtarë të cilët askush nuk i kërkon”.
“Unë kam pasur marrëdhënie të mira me Marion, por nuk e di çfarë do të thotë ai. Unë kam parë në momente të caktuara, se ai nuk po bënte mirë në klub, por fitoret ja falën të gjitha gabimet. Ai ishte njeri profesional, që ka luajtur mirë. Ai nuk ishte pjesë më e vogël e skuadrës, për shkak të veprimeve të tij jashtë fushës”, ka thënë Moratti për Sky.
Gjiganti i Bundesligas, Schalke, ka konfirmuar transferimin në parametra zero të sulmuesit legjendar të Real Madridit, Raul, i cili ka nënshkruar kontratë dyvjeçare në Gelsenkirchen.
“Në një bisedë të martën mbrëma, Raul i ka thënë kryetrajnerit Felix Magath, se dëshiron të luajë në dy sezonet e ardhshme për Schalken. Spanjolli që u largua ditë më parë nga Real Madridi, u transferua te Schalke si transfer i lirë”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi gjerman në faqen zyrtare, ku gjithashtu bëhet e ditur se Raul do t’i nënshtrohet sot pasdite testit mjekësor dhe do të marrë pjesë në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës së re.
“Ky është një lajm i mrekullueshëm për Schalken. Unë gëzohem, që kemi qenë në gjendje të transferojmë një futbollist aq të jashtëzakonshëm, një golashënues të klasit Botëror. Cilësitë e tij do të na ndihmojnë. Transferimi i tij është një hap tjetër në tentimet tona për të krijuar një ekip për detyra të ndryshme në të ardhmen dhe për ristrukturim. Unë gëzohem që do të punoj me këtë profesionist simpatik”, është shprehur trajneri i Schalkes, Felix Magath.
Agjenti i superyllit japonez, Keisuke Honda, ka thënë se klienti i tij është i lumtur te CSKA Moska dhe është i kënaqur me gjithçka në kryeqytetin rus, përpos pozitës së tij në fushë.
“Po, është e vërtetë, por pakënaqësia e tij ka lindur kohë më parë. Në pesë ose gjashtë ndeshjet e para, CSKA luajti me Keisuken prapa sulmuesve ose në mesfushën e majtë. Ai u shfaq mirë, duke rrezikuar golin dhe duke mbajtur topin për mbështetje. Por, në shtatë apo tetë ndeshjet e fundit, Honda është vënë në mesfushën defensive. Ai menjëherë ndaloi së shënuari, ai pothuajse nuk ka gjasa për të shënuar”, theksoi Kees Ploegsma.
Ai shtoi se Honda ka biseduar edhe me trajnerin, por këtij të fundit i përshtatet japonezi me një rol më defensiv. Ploegsma vijoi më tej, duke thënë se Honda nuk dëshiron të largohet nga CSKA Moska, por se vetëm është i pakënaqur me pozitën e tij.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Javier Hernandez, beson se ai do të jetë ndryshe nga bashkëkombësit e tij në Ligën Premier dhe beson se do të ketë sukses në Kampionatin anglez.
22-vjeçari thotë se mund të ketë ndikim më të madh në Angli në krahasim me Giovani Dos Santos (Tottenham) dhe Carlos Vela (Arsenal), të cilët ende nuk kanë arritur të lënë vulën e tyre në këtë kampionat.
“Kam folur me ta dhe ata janë shumë të lumtur për mua dhe e dinë se kjo është liga më e fuqishme në botë. Ata më thonë që ta shfrytëzoj situatën dhe i falënderohem Zotit për mundësinë që ma dha”.
“Janë miliona njerëz në botë të cilët do të dëshironin të ishin në vendin tim dhe ta kishin këtë mundësi. Është një nder se un gjithmonë dëshiroj të arrij diçka. Është një sfidë shumë e mirë dhe shpresoj se do të jem i aftë të kontribuoj”, ka thënë Hernandez për Press Association Sport.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka shtuar presionin te klubi i tij për ta transferuar asin e Liverpoolit, Fernando Torres.
Gjatë vikendit të kaluar trajneri i Cityt, Roberto Mancini, shfaqi publikisht interesimin për lojtarin spanjoll, ndërsa, sipas spekulimeve, Torres mund të jetë transferi kryesor i ‘pasanikëve’ që këtë sezon kanë qenë duarlirë.
“Torres padyshim se do të na bënte më të mirë. Ai është njëri nga sulmuesit kryesorë në botë dhe unë do të dëshiroja që ta kem atë bashkëlojtar”, ka thënë Tevez për The Sun.
West Ham United dëshiron të dëshmojë se është duke e ndërtuar skuadrën rreth Scott Parkerit, duke i ofruar atij një kontratë të re pesëvjeçare që do të vlejë 20 milionë funte.
Shefi i ‘Çekanëve’, David Sullivan, ka thënë se e gjithë skuadra duhet t’i jetë falënderuese Parkerit, i cili ishte njeriu kryesor që e pengoi largimin e ekipit nga Liga Premier.
Edhe pse Sullivan insiston që 29-vjeçari nuk është në shitje dhe dëshiron ta paguajë 75.000 funte në javë për pesë vitet e ardhshme, Aston Villa dhe Tottenhami vazhdojnë të shfaqin interes për lojtarin e mesfushës.
Federata Argjentinase e Futbollit ka konfirmuar se Diego Maradona nuk do të jetë më trajner i përfaqësueses së Argjentinës.
“Presidenti i AFA, Julio Grondona, i ka informuar anëtarët e komitetit ekzekutiv në lidhje me bisedimet me Diego Maradonan, duke treguar pikat e rëndësishme të takimit”
“Komiteti ekzekutiv në mënyrë të plotë dhe unanime ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën Diego Maradonas si trajner kryesor i kombëtares së Argjentinës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga AFA.
Bosi i Liverpoolit, Roy Hodgson, pasi ka transferuar Joe Cole, Milan Jovanovic, Jonjo Shelvey dhe Danny Wilson, ka thënë se tifozët e The Reds mund të presin transferime të reja.
“Unë jam i kënaqur dhe i lumtur për klubin që kemi qenë në gjendje të transferojmë tre lojtarë të kësaj cilësie. Ishte me rëndësi që ne bëmë disa transferime herët, për t’u bërë të qartë të tjerëve se qëllimet tona janë serioze”.
“Mendoj se është e qartë me lojtarët që kam përkrah se ne jemi seriozë dhe se kemi qenë mjaft të mirë në sigurimin e shërbimeve të lojtarëve. Ne jemi ende të interesuar në lojtarë të tjerë. Unë shpresoj se nuk do të jenë këto transferimet e fundit. Synimi i klubit, synimi i bordit, i Christian Purslow dhe i të gjithëve në klub është që ta bëjmë skuadrën sa më kompetitive”, deklaroi Hodgson.
Transferi më i ri i Liverpoolit, Joe Cole, si synim primar për sezonin në vijim e ka fitimin e Ligës Premier dhe shërimin e plagëve të klubit që për plot 20 vjet nuk di për titull.
“Gjëja kryesore për mua do të ishte ta fitoja titullin. Nuk është fituar që një kohë aq të gjatë”.
“Ne do të vazhdojmë të ndërtohemi dhe t’i marrim gjërat ngadalë, por siç kam thënë, gjithçka është gati për një sezon të suksesshëm”, theksoi Cole.
Përzgjedhësi i ri i Francës, Laurent Blanc, ka thënë se ai nuk ka ndërmend të përzihet në jetën private të lojtarëve të tij, duke thënë se asnjë lojtar nuk është i paftueshëm nga kombëtarja.
Siç dihet, Ribery dhe Benzema janë përfshirë në një skandal të madh seksual me një prostitutë e cila sipas policisë në kohën kur ka pasur marrëdhënie seksuale me lojtarët ka qenë e mitur. Seksi me prostituta nën 18 vjet në Francë dënohet me tre vjet burg ose 45 mijë euro.
“Jo. Çështjet gjyqësore janë të gjata. Ribery dhe Benzema janë lojtarë të cilët janë të pazëvëndësueshëm në kombëtare”, ka thënë Blanc i pyetur nëse do të detyrohet t’i lë në shtëpi futbollistët e përfshirë në skandalin me prostitutën Zahia Dehar.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, duket se mezi pret të luajë përkrah Mario Balotellit, edhe pse zyrtarizimi i kalimit të këtij të fundit te City nuk është bërë.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, duket se mezi pret të luajë përkrah Mario Balotellit, edhe pse zyrtarizimi i kalimit të këtij të fundit te City nuk është bërë.
“Unë kam pasur rastin të luaj përkrah shumë sulmuesve të mëdhenj, kështu që kushdo që do të vijë është i mirëpritur. Ne do të bëjmë gjithçka t’i ndihmojmë atij të përshtatet”.
“Balotelli me origjinë është nga Gana dhe ai luan për Italinë. Unë jam afrikan dhe për këtë arsye do të ishte kënaqësi të takohesha me të. Nëse ai do të nënshkrujë me klubin, atëherë mirë. Në fund të fundit me rëndësi është që duhet të sjellim lojtarë të cilët mund të na forcojnë për të fituar tituj”, tha Adebayor për Sky Sports News.