Edmond Azemi nuk ishte më efikasi te Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, por gjithsesi ishte lojtari kyç në fitoren e Kosovës përballë Përfaqësueses së Shqipërisë, të premten në Prishtinë, në kuadër të turneut ndërkombëtar të Prishtinës. Kosova mposhti Shqipërinë me rezultatin 101:94, pas lojës shtesë prej pesë minutave, pasi që koha e rregullt u mbyll pa fitues 86:86. Me këtë fitore Kosova u shpallë edhe fituese e këtij turneu, pasi një ditë më parë deklasoi Përfaqësuesen e Emirateve të Bashkuara Arabe me 69 pikë diferencë, 127:58.Te Kosova lojtari më efikas ishte qendra Blerim Mazreku me 34 pikë, ndërkohë që Edmond Azemi shtoi 23 pikë të tjera. Në Përfaqësuesen e Shqipërisë lojtari më i mirë dhe më efikas ishte Ermal Kuqo me 26 pikë. Turneu ndërkombëtar i Prishtinës do të mbyllet të shtunën me ndeshjen Shqipëri - Emiratet e Bashkuara Arabe (20:00).
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar se Cesc Fabregas do të jetë lojtar i Arsenalit edhe sezonin e ardhshëm, duke ua bërë edhe njëherë të qartë Blaugranëve se nuk kanë çfarë të kërkojnë.“Unë gjithmonë kam thënë se Cesc Fabregas do të jetë kapiteni ynë edhe vitin e ardhshëm dhe se ne duam ta mbajmë Cescun. Dhe, përkundër gjithë spekulimeve nga sezoni i kaluar dhe gjatë gjithë verës, asgjë nuk ka ndryshuar”.
“A do të ankohemi për taktikat e pista të Barcelonës? Unë do të thosha se Arsenali meriton respekt. Nëse lojtarët bëjnë deklarata dhe shaka, atëherë edhe ne mund ta bëjmë këtë, por unë besoj se duhet t’i durojmë ata dhe se nuk duhet të ankohemi dhe aq”.
“Unë besoj se me rëndësi është që të fokusohemi në synimet e përbashkëta. Ekziston një qëndrim dhe shpirt shumë i mirë brenda skuadrës dhe Fabregas mund të na ndihmojë t’i arrijmë synimet tona. Ai tani është 23 vjeç dhe ka fituar Botërorin. Jam i sigurt se ai do të fitojë edhe sezonin e ardhshëm, pasi që dëshira e tij më e madhe është që të na ndihmojë ta fitojmë titullin”, është shprehur Wenger për Sky Sports News.
Trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është tejet i frustruar me orarin e vendosur nga zyrtarët e Ligës Premier, pasi që ai thotë se nuk ka kohë të përgatisë skuadrën për ndeshjen e parë ndaj Cityt, kur dihet se vetëm tri ditë më herët kombëtarja angleze luan ndaj asaj të Hungarisë.“Është çmenduri. Ne vetëm sa i shtojmë ndeshjet. Gjëja e fundit që kemi nevojë tani është të kemi ndeshje (të përfaqësueses). Ne kemi nevojë për stërvitje. Ne duhet t’i marrim lojtarët në stërvitje, sepse gjithë ajo që bëjmë është të luajmë dhe të rikthehemi. Nuk dua që ajo ndeshje të zhvillohet, shumë ndeshje janë caktuar për t’u luajtur dhe është problem i madh”.
“A mund të më tregoj dikush se pse kemi ndeshje të kombëtareve vetëm një javë para fillimit të sezonit të ri? Pse? Cili është qëllimi i kësaj? Miqësore padomethënie, pa kurrfarë arsye janë këto”, deklaroi Redknapp.
Trajner i Napolit, Walter Mazzari, ka deklaruar se Edinson Cavani bëri mirë që kaloi te Napoli, përkundër interesimit të Interit.“Unë bisedova disa herë me Cavanin për t’i treguar se kjo është skuadra e duhur për të. Ai është entuziast dhe i lumtur. Ai do të përdoret si sulmues, që është dhe roli që i pëlqen. Ai mezi pret ta fillojë projektin e Napolit”, u shpreh Mazzari.
Napoli, pos Cavanit është shumë pranë transferimit edhe të Cristiano Lucarellit nga Parma.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, e ka lëvduar Mario Balotellin si një futbollist shumë të talentuar, duke shtuar njëherit se ai nuk ka tru.“Ky djalosh ka cilësi të jashtëzakonshme, por shpeshherë nuk di se si ta përdorë trurin”, theksoi Mourinho duke shtuar se ai ishte tejet statik kur e zëvendësoi ndaj Barcelonës, pa e përmendur hedhjen skandaloze të fanellës.
Mario Balotelli ka arritur marrëveshje me Manchester Cityn për një kontratë pesëvjeçare ku ai do të përfitonte 3.5 milionë euro në vit, ndërsa tani ka mbetur finalizimi i marrëveshjes mes dy klubeve, një gjë që ende nuk është bërë, pasi që Massimo Moratti ka konfirmuar se nuk është arritur ende marrëveshja me klubin anglez.
Trajneri i Baselit, Thorsten Fink, ka pasur nota më të larta të lëvdatës për talentin shqiptar, Granit Xhaka, i cili ka shënuar një gol fantastik nga 30 metra në sekondat e fundit të ndeshjes ndaj Debrecenit në kuadër të kualifikimit për Ligën e Kampionëve.“Graniti është ende 17 vjeçar, por ne e dimë se ai ka goditje shumë të mirë. Ai duhet të ketë durim, pasi që ai nuk do të aktivizohet si titullar në çdo ndeshje. Ai ka një të ardhme të gjerë dhe ne duhet të kemi kujdes nga dëmtimet e mundshme. Xhaka dhe Valentin Stockeri na kanë dërguar në një pozitë shumë të mirë. Duhet të luajmë me kujdes në ndeshjen e javës së ardhshme”, u shpreh Fink.
Granit Xhaka së bashku me Xherdan Shaqirin konsiderohen ndër talentët më të mirë aktualisht në Zvicër.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Federico Macheda, beson se Liga Premier është superiore në krahasim me Serie A, por thotë se ai ende e përcjell kampionatin e vendlindjes së tij.“Nuk më pritet të rifillojë sezoni në mënyrë që të kem një start të mrekullueshëm. A është Liga Premier më e mirë se Serie A? Absolutisht. Kur unë hyj në fushë, unë e fitoj këtë ndjenjë. Stadiumet janë të mrekullueshme dhe mua gjithnjë më ka pëlqyer kjo”.
“Është më e shpejtë dhe më e fortë, dhe unë i kuptoj italianët në shtëpi të cilët po e shikojnë atë. Unë gjithashtu e shikoj Serien A, unë e shikoj Lazion. Unë jetoj për futboll”, theksoi Macheda që vazhdoi me lëvdatat e zakonshme për Rooneyn.
“Mendoj se Rooney është një nga tre top lojtarët e botës. Ai më ndihmon shumë dhe më jep shumë këshilla, sidomos në lëvizshmëri. Unë dua të bëhem sulmues i madh”, përfundoi Macheda.
Transferi i ri i Chelseat, Yossi Benayoun, mezi pret të fillojë sezoni i ri nën Carlo Ancelottin në mënyrë që të tregojë aftësitë e tij, ndërsa ka pohuar se ai ka kaluar te Chelsea për arsye se Liverpooli kurrë nuk ka arritur ta mposhtë skuadrën nga Stamford Bridge.“Ka shumë lojtarë të mirë, lojtarë të mëdhenj, për mua është fillimi dhe unë duhet të punoj shumë për t’u përmirësuar dhe për t’i sjellë diçka këtij klubi. Gjëja e vetme që mund të premtoj është se do të punoj shumë dhe do të bëj më të mirën, shpresoj se do të jetë e mjaftueshme”.
“Ndeshjen e fundit si vendas ndaj Chelseat, e kam ditur se do të jetë e fundit në fanellën e Liverpoolit, unë tentova të bëj më të mirën, por Chelsea ishte i fortë. Gjatë gjithë kohës sa kam luajtur në Angli, për pesë vite, Chelsea ishte skuadra më e vështirë për t’u përballur, prandaj kjo është arsyeja se pse gjithmonë Chelsea lufton për titull. Jam krenar që jam pjesë e këtij ekipi”, deklaroi Benayoun për AP.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis Van Gaal, ka hedhur poshtë spekulimet se bavarezët do të transferojnë sulmuesin boshnjak të Wolfsburgut, Edin Dzeko.“Ne nuk do të blejmë askënd. Ndoshta ky është viti i parë në histori të Bayernit që është kështu. Nuk mendoj se Dzeko i përshtatet konceptit tonë, sepse ne tashmë kemi katër sulmues”.
“Lojtarët më kanë thënë se ndjehen mirë këtu dhe se jam trajner i mirë, por atij që nuk i rrihet, është i lirë të largohet”, u shpreh strategu holandez.
Wladimir Klitschko ka konfirmuar se ai do të mbrojë titujt e tij në kategorinë e rëndë të IBF, WBO dhe IBO në Frankfurt ndaj nigerianit Samuel Peter.Klitschko do të përballet me Peter më 11 shtator, datë në të cilën është dashur të zhvillohej dueli ndaj Alexander Povetkin, por ky i fundit e refuzoi duelin.
Vetë pseudonimi i Samuel Peter, ‘Ankthi Nigerian’, flet më shumë për rrezikshmërinë e tij. Klitschko u përball në vitin 2005 me nigerianin, sfidë të cilën e fitoi me pikë, por të cilën ai e quajti si një nga ndeshjet më të vështira të karrierës, për shkak se u desh që të rrëzohej tri herë në dysheme.
Klitschko ka 54 fitore nga 57 luftëra, ndërsa Peter numëron 34 fitore dhe vetëm tri humbje.
Njeriu më kontrovers në futbollin italian, Luciano Moggi, ishte plot lëvdata për kampionët e Evropës, Inter, sa i përket strategjisë së transferimeve gjatë këtij afati kalimtar veror, kurse nga ana tjetër ka këshilluar drejtuesit e Juventusit që të heqin dorë nga Diego.“Përgëzimet e mia për Interin. Kampioni i Evropës po bëhet më i fortë me operacionet, si të largimeve ashtu dhe të transferimeve. Ata do të shesin Maicon dhe Balotelli, por blerjet e Mascheranos dhe Kuyt do të mbajnë prezencën fizike të ekipit. Në fakt, unë mendoj se Interi do të jetë edhe më i fortë pas këtij afati kalimtar veror”.
“Sa i përket Juventusit, dyshimet paraqiten në sulm. 40 milionë euro për Dzekon është shumë e çmendur. Në të njëjtën kohë, do të hiqja dorë nga Diego. Ai nuk i është përshtatur futbollit italian. T’i japësh atij një sezon tjetër, është një lojë bixhozi e humbur”, ka shkruar Moggi për Tuttomercatoweb në kuadër të kolumnës së tij.
Schalke thuhet se është tejet e interesuar për shërbimet e sulmuesit të Bayern Munichut, Mario Gomez.Sipas Bild, Mbretërit e Kaltër dëshirojnë që të shtojnë cilësitë në sulm, përkundër transferimit të legjendës së Realit, Raul, pasi që vetëm në këtë mënyrë Schalke mund ta sfidojë Bayernin për titull.
Por, Schalke do të ketë punë me Wolfsburgun sa i përket firmës së Gomez. Po flitet për një mega-marrëveshje shkëmbimi mes Bayernit dhe Wolfsburgut, sa i përket sulmuesit Dzeko, për të cilin bavarezët do të ofrojnë Anatoly Tymoschuk dhe Mario Gomez.
Lazio edhe zyrtarisht e ka kompletuar transferimin e mbrojtësit të Manchester Cityt, Javier Garrido, njofton klubi anglez në faqen zyrtare të tij.Spanjolli nuk arriti që të gjente vend në përbërjen e Manchester Cityt, sidomos pas transferimit të Kolarov, pikërisht nga Lazio. Tani Garrido ka kaluar te Lazio për 2.5 milionë funte, ku pritet që ta zëvendësojë serbin e larguar në drejtim të Cityt.
“Garrido është lojtar i Lazios. Ai ishte zgjedhja jonë e parë për të zëvendësuar Kolarovin”, theksoi të premten pasdite presidenti i Lazios, Claudio Lotito.
Carles Puyol ka akuzuar Arsenalin për faktin që nuk po e lë Cesc Fabregasin të kthehet në vendlindje.“Ai duhet të qëndrojë te një klub tek i cili nuk dëshiron të qëndrojë edhe për një vit të tërë. Unë pyes veten se çfarë mençurie është mbajtja e një lojtari që nuk dëshiron të mbesë në klub. Pas shtatë vitesh shërbimi, unë mendova se Arsenali do të lejonte transferimin e tij të ëndrrave”.
“Cesc ka dhënë gjithçka për Arsenalin që të tentojë të fitojë trofe, por ata kurrë nuk i kanë përmbushur pritjet. Nuk po them se ai është në burg, pasi që dihet se sa të privilegjuar jemi ne futbollistët. Por, pasi Cesc deklaroi publikisht se dëshiron të vijë te Barcelona, mendova se ata do ta lejonin të largohet”, deklaroi Puyol për The Sun.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, shpreson që të vazhdojë formën e mirë të tij dhe të skuadrës, pasi që dëshiron ripërsëritjen e suksesit të sezonit të kaluar.“Objektivat tanë? Të përsërisim atë që bëmë sezonin e kaluar nuk është e lehtë, kurrë nuk ka qenë e lehtë, por ne do të japim maksimumin. Sezoni i kaluar padyshim se ishte më i miri i karrierës time. Është një sezon të cilin nuk mund ta harroni, më i rëndësishmi”.
“A kam ndryshuar? Jo. Unë jam gjithmonë i njëjti dhe kam motivim të ri dhe synime të reja para meje. Unë kam folur pak me Benitezin, por nuk jam njeriu që duhet të tregoj se a është Benitez trajner i madh dhe me përvojë”, ka thënë Milito për Inter Channel.
Strategu i Real Madridit, Jose Mourinho, ka shfaqur interesimin e tij për sulmuesin e Juventusit, Amauri, pasi që i ka pyetur drejtuesit ‘bardhezi’ se sa kushton ai.Il Corriere dello Sport shkruan se drejtuesit e Zonjës së Vjetër janë impresionuar nga paraqitja e sulmuesit brazilian ndaj Shamrock Rovers ku ai shënoi dy gola, ndërsa nga ana tjetër spekulohet për një ofertë nga Reali.
Juventusi nuk dëshiron ta shesë Amaurin, por nëse vjen një ofertë e përafërt me 22 milionë euro, atëherë Zonja e Vjetër mund të dëgjojë atë që kanë për të thënë Mbretërit e Madridit.
Stuttgarti ka konfirmuar në faqen zyrtare se mesfushori Sami Khedira, do të largohet nga klubi gjerman, për të kaluar tek gjiganti spanjoll, Real Madrid.Sipas një raporti në Bild, 23 vjeçari kaloi në Bernabeu për një shumë prej 14 milionë eurosh, ndërsa thuhet të ketë nënshkruar kontratë pesëvjeçare të mërkurën, ashtu siç është spekuluar.
“Sami Khedira është një lider i vërtet në fushë dhe ai e personifikon Stuttgartin. Për këtë arsye, nuk është lehtë ta lëmë atë të shkojë. Sidoqoftë, nga ana tjetër, nuk kemi mundur t’ia mohojmë Khediras transferimin e ëndrrave te Real Madridi. Ne i dëshirojmë çdo të mirë te klubi i ri”, ka thënë drejtori i Stuttgartit, Fredi Bobic, në faqen zyrtare të ‘Schwabave’.
Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Julio Grondona, u është përgjigjur kritikave të Diego Maradonas, pasi këtij të fundit nuk i është zgjatur kontrata si përzgjedhës i Argjentinës.“Unë vazhdoj të pendohem se pse e lamë që ai të shkonte, sepse është vërtet pikëlluese, por unë kurrë nuk e gënjeva Maradonan”.
“Unë i kam thënë në Pretoria se unë isha i kënaqur dhe se ai do të mund të qëndronte, por rrethanat nuk do të ishin të njëjta, sepse ai do të duhej të bënte disa ndryshime vitale”, theksoi Grondona.
Edhe Carlos Bilardo i është përgjigjur Maradonas, duke thënë se ishte vetë Maradona ai që kishte kontrollin kur ishte përzgjedhës i Argjentinës.
Duket se ‘telenovelës’ Mascherano i ka ardhur një fund jo dhe aq i lumtur, pasi që Interi nuk po ka gjasa që ta transferojë argjentinasin nga Liverpooli dhe si rezultat, Massimo Moratti është kthyer kah mesfushori gjerman, Bastian Schweinsteiger.Thuhet se mënyra se si Liverpooli po u përgjigjet thirrjeve të Interit për negociata dhe kërkesës së tyre për të transferuar Mascheranon, nuk është u pëlqen zyrtarëve të Interit, e sidomos Massimo Morattit, i cili thuhet të jetë kthyer tani kah mesfushori i Bayernit.
Schweinsteiger u tregua fantastik gjatë Botërorit të sivjetmë, duke i pëlqyer kështu edhe bosit nerazzur. Nëse shiten Balotelli dhe Maicon dhe nga ana tjetër nëse merret parasysh fondi prej 160 milionë euro për këtë afat kalimtar veror, atëherë transferimi i Schweinit mund të bëhet realitet.
Piloti i Ferrarit, Felipe Massa, pas fjalëve të buta të përdorura pas garës në Hockenheim ku e la Fernando Alonson ta tejkalonte për ta fituar garën, tani ka filluar të kthehet kundër ekipit të tij, pasi që ka thënë se herën tjetër, ai nuk do t’ia lëshojë rrugën Alonsos, por do ta fitojë garën për vete.“Kur të them se jam piloti numër dy, atëherë unë nuk do të garoj më. Unë kam folur me të gjithë te Ferrari dhe unë nuk jam këtu vetëm sa për të marrë pjesë, unë jam këtu për të fituar”.
“Unë mund të luftoj për fitore. Unë punoj për ekipin dhe jam shumë profesionist. Nuk është e drejtë t’i hyjmë javës së kaluar, kemi folur tashmë shumë. Kështu që po, unë do të luftoj për fitore çfarëdo qofshin rrethanat. Unë po punoj për ekipin dhe ne e dimë se sa e rëndësishme është kjo”, është shprehur Massa para garës në Hungari këtë fundjavë.
Agjenti i Ronaldinhos, Roberto De Assis, ka bërë të ditur se vëllai i tij do të nënshkruajë së shpejti një kontratë të re me Milanin, e cila do ta mbajë mjeshtrin brazilian në San Siro deri në vitin 2014.“Ne jemi të gatshëm të respektojmë kontratën aktuale dhe më pas të flasim për një rinovim. Milani përjetë? Natyrisht, kur të ulemi në tavolinë ne do të arrijmë një marrëveshje që do të skadojë më 30 qershor 2014”.
“Nuk do të ketë ndonjë problem. Nuk po nxitojmë për të rinovuar, është vetëm formalitet”, deklaroi De Assis për Il Corriere dello Sport.
Ish-menaxheri i Fulhamit, Roy Hodgson, ka thënë se emërimi i Mark Hughes në krye të Fulhamit është një gjë e mirë për klubin.“Është një gjë e mirë kjo. Unë jam shumë i lumtur për të dhe për Fulhamin. Mendoj se Hughes është menaxher shumë i mirë, ndërsa këtë e ka dëshmuar shumë herë”.
“Është mirë për Fulhamin që ka emëruar si trajner një njeri me përvojë. Mendoj se ai do të kënaqet me punën te Fulhami, sepse është një klub fantastik me njerëz fantastikë dhe lojtarë të mrekullueshëm. Unë i dëshiroj atij çdo të mirë, por jo çdo të mirë kur të luajë ndaj nesh, edhe pse e di se ai do të bëjë punë të mirë”, u shpreh Hodgson për AP.
Agjenti i Mario Balotellit, Mino Raiola, me t’u kthyer nga Anglia ku ka negociuar me Manchester Cityn, ka thënë se Balotelli mezi e pret transferimin.“Sa më shumë që ka jetë, aq më shumë ka dhe shpresë. Si është Balotelli këto ditë? Ai po merr frymë”, ironizoi agjenti, për të vijuar më tej: “Ai është i qetë, por mezi e pret arritjen e marrëveshjes, është normale kjo për një djalosh 19 vjeçar. Ne po punojmë dhe po shpresojmë” theksoi Raiola.
Sipas La Gazzetta dello Sport, problemi kryesor qëndron në atë se City po ofron vetëm 3.5 milionë euro në sezon për Balotellin, kurse sulmuesi kërkon së paku 3.8 milionë.
“Ne jemi në një fazë delikate të kësaj marrëveshje, por unë po vazhdoj me punën time. Mund të jetë e gjatë, por në fund marrëveshja do të arrihet”, tha Raiola për Sky Sport Italia, duke përfunduar kështu spekulimet se marrëveshja ka pësuar kolaps.
Legjenda franceze, Thierry Henry, ka deklaruar se ai nuk pendohet që ka luajtur për Francën gjatë Botërorit, Afrika e Jugut 2010, përkundër faktit se ishte lënë në bankën rezervë.“Unë kurrë nuk do të pendohem që kam luajtur për kombëtaren. Unë kam 123 paraqitje, unë kam fituar gjithçka. Natyrisht, ka pasur momente të mira krahasuar me disa të tjera. Por, unë gjithmonë dhashë më të mirën nga vetvetja. Fatmirësisht, unë mund të jem kryelartë. Unë kam ndërgjegje të pastër”.
“Unë dhashë gjithçka që pata për të dhënë. Unë gjithnjë rrëqethesha gjatë dëgjimit të Marsejezës (himni francez). Deri në vdekje, kombëtarja do të mbetet në mua”, deklaroi golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares franceze.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, përfundimisht ka përjashtuar mundësinë e transferimit të Edin Dzekos te Juventusi, pasi që Wolfsburgu nuk është në disponim ta shesë atë.“Dzeko? Na pëlqen, por Wolfsburgu nuk dëshiron ta shesë dhe kështu ky diskutim është i mbyllur”, tha Marotta për Il Corriere dello Sport.
Tuttosport kishte spekuluar të premten se Juventusi i kishte dhënë ultimatum Wolfsburgut me një ofertë të panegociueshme prej 30 milionë eurosh, e cila siç duket është refuzuar nga Ujqit gjermanë.
Milani ka hequr dyshimet për një mungesë të mundshme më afatgjate të Ronaldinhos, pasi ky i fundit pësoi një lëndim muskulor në stërvitje.“Milani dëshiron të njoftojë se Ronaldinho pësoi një zgjatje të bicepsit të femurit të majtë. Lojtari nuk do të jetë i gatshëm për Emirates Cup dhe parashikimi është për shtatë ditë”, shkruan në komunikatën e klubit nga San Siro.
Të shtunën Milani e zhvillon ndeshjen ndaj Arsenalit në kuadër të Emirates Cup në stadiumin Emirates të Londrës.
“Maicon është në treg, por nuk e dimë se cilat janë kërkesat e Interit. Marrëveshja me Real Madridin është e qartë. Unë shpresoj të kem më shumë qartësi në orët e ardhshme. Është e qartë që klubi që e transferon një lojtar duhet të mendojë ta paguajë më shumë se ç’është e nevojshme, por ndoshta Real Madridi po e nënvlerëson vlerën e lojtarit”.
“Te Reali ka lojtarë që fitojnë 12 milionë euro në vit. Maicon ishte një investim i madh për Interin dhe është e drejtë që ata dinë t’ia vendosin çmimin. Gjëja që më befason më së shumti është sjellja e Real Madridit. Ata e nënvlerësojnë mbështetjen që mund t’ua japë një kampion si Maicon. Opsioni i parë i Maicon është Real Madridi. Manchester City është shumë i interesuar, por Reali është i pari. Ne do të tentojmë të gjejmë një zgjidhje me Real Madridin për pagën e Maicon”, ka thënë Antonio Caliendo.
Sipas mediave italiane, Valon Behrami do të jetë transferi më i ri i Romës, pasi që thuhet se Giallorosët kanë arritur marrëveshje me kosovarin.News-Roma njofton se Roma dhe West Ham janë në bisedime për një marrëveshje shkëmbimi mes Behramit dhe portierit Doni, i cili kërkohet nga skuadra angleze pas paraqitjeve skandaloze të Robert Green në të kaluarën.
Thuhet se Roma ka arritur marrëveshje trevjeçare me Behramin, me pagë vjetore prej 1.5 milionë euro.
Bosi i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka lëvduar ekipin e tij të ri për fitoren ndaj Rabotnickit në Shkup, në kuadër të rrethit të fundit kualifikues për Europa League.“Unë jam i kënaqur, ishte një ndeshje që ka mundur të jetë shumë e vështirë për ne në fund. Ishte tifozeri e madhe dhe disa nga lojtarët tanë nuk janë mësuar me tifozeri të mëdha”.
“Unë jam vërtet i kënaqur që secili e shikoi punën e tij dhe tani mund të kthehemi në Anfield me një fitore që do të na bëjë të ndihemi më komfort”, deklaroi Hodgson pas takimit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se ekipi i tij do të përmirësohet edhe më tej në Ligën Premier, pasi që ai beson se mund ta përmirësojë pozitën e tretë në të cilën përfunduan Topçinjtë sezonin e kaluar.“Unë jam i bindur se do të bëjmë më mirë se sezonin e kaluar. Ne në Angli e dimë se Liga Premier është kampionati më i fortë në botë dhe të gjithë investojnë shumë para”.
“Ne investojmë në punën tonë, në besimin tonë dhe në cilësinë e sjelljes tonë, ndërsa jam i bindur se kjo do të shpaguhet. Ne përfunduam në vendin e tretë vitin e kaluar dhe ne shpresojmë se mund ta përmirësojmë atë pozitë, por gara do të jetë e vështirë”, u shpreh Wenger për faqen zyrtare të Arsenalit.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Robinho, do të duhet të rikthehet në Angli, pasi që klubi nuk ka lejuar që ai të qëndrojë edhe më tej te skuadra braziliane Santos, ku në ndeshjen e fundit dhe lamtumirëse u përshëndet nga i gjithë stadiumi që duartrokiti për të.“Kjo shfaqje e afeksionit nga tifozët vërtet më prek, sepse kjo është shtëpia ime. Unë shpresoj se mund të qëndroj, por varet nga Manchester City. Unë shpresoj se kjo nuk do të jetë ndeshja ime e fundit këtu, por tani për tani, nga çfarë më është thënë, negociatat nuk po zhvillohen dhe se unë do të duhet kthehem në Mançester”, theksoi Robinho.
Braziliani nuk i ka pasur raportet më të mira me drejtuesit e Manchester Cityt, por Roberto Mancini dëshiron që me çdo kusht ai të kthehet në Eastlands, ku pritet të formojë një partneritet të fuqishëm në sulm me Carlos Tevez dhe Mario Balotellin, i cili pritet të jetë lojtar i Manchester Cityt.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, dëshiron që të ofrojë David Bentleyn, Robbie Keane dhe Jermaine Jenas, për të marrë në shkëmbim Ashley Young nga Aston Villa.Redknapp dështoi ta transferonte Youngun te Tottenhami vitin e kaluar për shkak se Villa ia rriti pagën në 65 mijë funte në javë, ndërsa bosi i Spursave tani dëshiron që përfundimisht ta transferojë anglezin, por problem mbetet shuma prej 30 milionë funtesh e kërkuar nga Villa.
Megjithatë, Redknapp e ka menduar një mënyrë tjetër se si të nënshkruajë me Young, pasi që sipas The Mirror, ai do të ofrojë tre lojtarë, Bentleyn, Jenaas dhe Keane.
Ish-lojtari i Manchester City, Dietmar Hamann, beson se tentimet dhe blerjet e shumta të pakontrolluara të Manchester Cityt janë të destinuara për të dështuar.“Unë vërtet nuk pajtohem me atë që po bën City. Ata ndërrojnë 10 deri në 15 lojtarë çdo vit dhe nëse vazhdojnë ta bëjnë këtë, ata nuk do të shkojnë askund. City ka me miliona për të shpenzuar në lojtarë të rinj, por duhet ta bëni këtë me mençuri dhe unë nuk jam i sigurt se ata e kanë bërë këtë. Ata janë mashtruar shumë kur e lanë të largohet një lojtar si Richard Dunne. Ai është shumë më i mirë se qendërmbrojtësit e tyre, për të cilët kanë paguar pesë ose 10 herë më shumë”.
“Unë e di se tifozëve u pëlqen që ekipi i tyre të bëjë këto transferime, por emra të mëdhenj nuk ju fitojnë tituj, nëse nuk keni ekip. Nëse e shikoni skuadrën e cila do të startojë sezonin ndaj Tottenhamit, atëherë lojtari që qëndroi më gjatë në klub do të jetë dy vjet. Unë nuk i shoh ata si kandidatë për titull. Nëse vazhdojnë të bëjnë atë që po bëjnë për momentin, atëherë nuk e di se si mund ta sfidojnë Manchester Unitedin apo Chelsean”.
“Top katërshja duhet të jetë formalitet për ata pas gjithë parave të shpenzuara, por nuk jam i sigurt se do të jetë. Ata është dashur të kualifikoheshin në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, por ata nuk ia arritën dhe sipas të gjitha gjasave ata as këtë sezon nuk do t’ia arrijnë. Ata do të kenë punë me Unitedin, Chelsean, Arsenalin, por Liverpooli do të jetë më i fortë se ç’ka qenë. Kështu edhe për Tottenhamin, dhe Evertoni gjithashtu është i rrezikshëm nëse fillon më mirë se sezonin e kaluar”, deklaroi Hamann për The Sun.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, ka thënë se ekipi i tij e meritoi fitoren ndaj skuadrës Shamrock Rovers në kuadër të rrethit të fundit kualifikues në Europa League.“Kjo fitore është e merituar dhe e rëndësishme, sepse na jep forcën për të vazhduar dhe për të punuar edhe më shumë. Ne duhet të shkojmë hap pas hapi, t’i marrimi ndeshjet javë pas jave, pa shkuar shumë larg nga vetja. Në këtë moment, ne duhet ta përmirësojmë gjendjen fizike, e cila nuk mund të jetë e përkryer pas një muaj pushimi”.
“Amauri? Ai shënoi dy gola, qëlloi shtyllën në një rast tjetër. Unë jam i kënaqur me të dhe skuadrën. Mbrojtësit Giorgio Chiellini dhe Leonardo Bonucci gjithashtu luajtën mirë, pasi që ishin të gjallë ndaj sulmuesve, të cilët ishin në formë të mirë. Grupi i lojtarëve është i motivuar dhe është duke lënë prapa vetes gjithçka që ka ndodhur sezonin e kaluar”, u shpreh Del Neri për Juventus Channel.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka zbuluar dëshirën e tij për të bartur që nga sezoni i ardhshëm fanellën e legjendarit Raul, me numër 7.“Unë do të doja ta kisha fanellën me numrin 7 dhe jam i sigurt se Raul do të ishte i lumtur nëse unë do ta kisha atë, sepse ai më njeh mua dhe e di si jam dhe çfarë mendoj”.
“Raul gjithmonë ka qenë lojtar i rëndësishëm për Real Madridin. Ai e ka marrë vendimin që iu përshtatej më së miri interesave të tij. Ai është profesionist i madh dhe jam i sigurt se ai do të luajë në një nivel shumë të lartë”, u shpreh Ronaldo për faqen zyrtare të Realit.
Kosova ka shënuar fitore tejet të thellë ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në ndeshjen e parë të turneut ndërkombëtar për kombëtare që po zhvillohet në Prishtinë.Ndeshja përfundoi me rezultat 127:58 për Kosovën, kurse në fushë u pa vetëm një skuadër, ishte ajo përfaqësuesja jonë. Vlen të përmendet fakti, që të gjithë lojtarët e Kosovës edhe ata rezervistë e shijuan ndeshjen. Në palestër nuk ishin të pranishëm shumë shikues, që zbehu ndjeshëm atmosferën e këtij turneu.
Të premtën do të ndeshet përbërja All-Star e kombëtares së Shqipërisë e cila në një tabor do të ketë përbërjen nga Shqipëria dhe tabori tjetër do të përbëhet nga më të mirët e Kosovës.
Liverpooli dhe Juventusi kanë shënuar fitore respektive me rezultate identike prej 2-0, si mysafirë të Rabotnickit, respektivisht Shamrock Rovers.Për Juventusin golashënues i dyfishtë ishte Amauri (3’ dhe 75’), që shënon një rikthim të suksesshëm të tij në sulmin Bianconer.
Edhe për Liverpoolin ekzistoi një golashënues i dyfishtë në ndeshjen që u zhvillua në Shkup dhe atë bëhet fjalë për David N’Gog, i cili gjithashtu shënon ringjalljen e tij në fanellën e The Reds me golat në minutat 17-të dhe 59-të.
Edhe Liverpooli edhe Juventusi ndeshjet kthyese i zhvillojnë në terren të tyre, ashtu që këto rezultate i bëjnë mjaft të relaksuar para ndeshjeve kthyese.
Skuadra e Divizionit të tretë anglez, Wycombe, ka shkatërruar kampionin e Anglisë, Chelsea, në një miqësore të rëndomtë parasezonale.Fakt është që ndeshjet parasezonale nuk janë të rëndësishme, por kur kemi të bëjmë me kampionin e Anglisë, atëherë ndeshjet duhet të fitohen edhe me përbërjen e pestë. Megjithatë, ky nuk ishte rasti me Chelsean.
Pasi shënoi një gol me anë të lojtarit të ri të Chelseat, Djalos (13’), Blutë gjatë pjesës së parë pësuan dy gola nga Rendell (24’) dhe Strevens (36’). Pjesa e dytë ishte e rezervuar për Pittman, i cili bombardoi portën e Chelseat për të shënuar hettrik në minutat 76-të, 77-të dhe 79-të.
Barcelona gjithashtu zhvilloi një ndeshje miqësore ndaj Valerenga Oslo të cilën e fitoi me rezultat 4-2, kurse ndër golashënuesit për Barcelonën ishin V.S. Mata (13’), Maxwell (35’), B. Martinez (51’) dhe Keita (64’).
Fulhami e ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me ish-trajnerin e Manchester Cityt, Mark Hughes- njofton Associated Press.Pasi dështoi të siguronte shërbimet e trajnerit të Ajaxit, Martin Jol, skuadra nga Londra perëndimore vendosi që në postin e trajnerit të angazhojë Hughes.
Hughes është konsideruar si trajner i suksesshëm me Walesin dhe Blackburnin, ndërsa u shkarkua në sezonin e dytë te Manchester City, pasi që pronarët e pasur të Cityt filluan të dyshonin në aftësitë e tij për ta futur skuadrën në top-katërshen e Ligës Premier.
Dikur sulmuesi i Manchester Unitedit, Barcelonës dhe Chelseat, zë vendin e tash trajnerit të Liverpoolit, Roy Hodgson, i cili sezonin e kaluar e mbajti Fulhamin në Ligën Premier dhe arriti deri në finale të Europa League.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka nderuar me nota më të larta ish-sulmuesin e Real Madridit, Raul, pasi ky i fundit u transferua te Schalke.“16 vite në fanellën e Real Madridit, 323 gola dhe 741 ndeshje… Këto janë shifra që ju lënë gojëhapur. Përpos faktit që është një nga lojtarët më të fortë në histori të futbollit spanjoll, ai ishte shpirti i Real Madridit”.
“Unë gjithnjë e kam adhuruar atë. Për mua ai është i madh, një që e meritoi ta fitonte Topin e Artë. Ai ka mundur të mbulojë çdo pozitë dhe i ka pasur golat në gjak. Lojtarë si ai janë të paktë dhe kjo është arsyeja se pse vendosa ta nderoj”, ka thënë Totti në faqen zyrtare të tij.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, nuk e ka të vështirë që të tregojë planet e tij për afatin kalimtar veror.“Diego do të qëndrojë me ne. Sa për Giovincon, ka shumë ekipe të interesuara për të dhe ne duam që ai të piqet duke luajtur futboll të rregullt. Parma? Ata janë të gatshëm të investojnë në të, duke e marrë atë në marrëveshje bashkëpronësie”.
“Pazzini? Qëllimi ynë është që të mos e bezdisim Sampdorian dhe mendoj se nuk kemi lojtarë të Sampdorias në agjendën tonë. Marquez? Unë mohoj të kem bërë ofertë për të”, u shpreh Marotta për Sky Sport Italia.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, është i gatshëm për fillimin e sezonit të ri, pasi që pret suksese të mëtutjeshme me Nerazzurët.“Unë jam i lumtur, shumë i lumtur të jem këtu me bashkëlojtarët e mi. Unë jam i lumtur që i shoh të gjithë për ta rifilluar punën. Nuk më pritet sezoni i ri”, theksoi Milito për Inter Channel.
Argjentinasi ka hyrë në analet e historisë së Interit me dygolëshin e shënuar në finalen e Ligës së Kampionëve, që i dha Interit këtë trofe për herë të parë pas 38 vitesh.
“Një nga arsyet që ky transfer po merr aq kohë të gjatë është për shkak se dikush po luan një lojë të ndyrë. Herët apo vonë e vërteta do të zbulohet dhe ne do të dimë se kush e ka ngrirë transferimin”.
“Unë shpresoj që dikush të marrë ndonjë hap vendimtar dhe kjo çështje të zgjidhet në ndonjë mënyrë. Ne të gjithë e dimë se Maicon ka kontratë me Interin dhe se presidenti Massimo Moratti do të shqyrtojë ofertat që u përshtaten kërkesave të tij. Unë kam marrëdhënie të mira me Realin dhe mund t’iu them se ata kurrë nuk më kanë thënë që kërkesat financiare të Interit janë problemi tek transferimi i Maicon”, u deklarua Antonio Caliendo për AS.
David Beckham nuk është i interesuar për t’u transferuar te West Hami, pasi që është i lumtur te La Galaxy- ka thënë agjenti i superyllit anglez.Bashkëpronari i West Hamit, David Gold, ka thënë më parë se Beckham i kishte premtuar atij se do të mendonte për mundësinë e kalimit në Upton Park.
“Edhe është mjaft mirë që dëgjoj për këtë interesim, unë them se nuk ka pasur kontakt apo ndonjë ofertë nga West Hami. Beckham është i lumtur te Los Angeles Galaxy dhe ai nuk është i interesuar të largohet, ndërsa mezi pret të bashkohet me ekipin më 9 gusht”, theksoi zëdhënësi i Beckham për AP.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka shpërthyer në mënyrë sensacionale duke thënë se ai ka mbështetjen e trajnerit Pep Guardiola, duke hedhur poshtë spekulimet të cilat e bënin atë lojtar të klubeve, si Milani apo Manchester City.“Guardiola më ka thënë se jam lojtar i rëndësishëm i skuadrës dhe unë e kuptova këtë si fakt që do të luaj. Nëse nuk jeni i rëndësishëm, atëherë nuk luani”, theksoi Ibra.
Ibra më pas e lëvdoi kolegun e tij David Villa, duke thënë se është një prej sulmuesve më të mirë në botë dhe që e bën Barcën ekip më të fortë, por përjashtoi mundësinë e garimit me të për një vend në njëmbëdhjetëshin e parë.
“Jam në dijeni që klubet janë të interesuara për mua. Kjo do të thotë se kam bërë diçka për këto komente, por kjo nuk më ka prekur mua. Kur luani në nivelin më të lartë, atëherë spekulime ka çdo ditë sepse ndryshe nuk shiten gazetat. Unë kam edhe katër vite kontratë me Barcelonën. Është lëvdatë e mirë që klubet tjera janë të interesuara në mua, por jam shumë i lumtur te Barcelona dhe vetëm shpresoj të qëndroj këtu”, përfundoi ‘Ibracadabra’.
















