Skuadra amerikane New York Red Bulls ka konfirmuar transferimin e ish-mbrojtësit të Barcelonës, Rafael Marquez.
Gjatë fundjavës që shkoi, Barca arriti marrëveshje me meksikanin për shfuqizimin e kontratës së tij, ndërsa tani 31-vjeçari do të bashkohet me Thierry Henryn në skuadrën nga MLS.
“Rafael ka dëshmuar, si në nivel klubesh ashtu edhe në nivel përfaqësuesesh, se ai është njëri nga lojtarët kryesorë në botë”, ka thënë kreu i Red Bull Global Soccer, Dietmar Beiersdorfer, duke mos e fshehur entuziazmin e tij për transferimin e Marquez.
Sipas AS, Mesut Ozil do të jetë mesfushor i Real Madridit sezonin e ardhshëm, pasi që klubi mbretëror pritet t’i fillojë bisedimet me Werder Bremenin në janar të vitit 2011, me t’u hapur afati kalimtar dimëror.
Besohet se Real Madridi ka arritur marrëveshje verbale me Ozil, në mënyrë që ta transferojë atë në parametra zero në fund të sezonit të ardhshëm.
Mesfushori i talentuar gjerman është ndër lojtarët më të kërkuar në Evropë, ndërsa për të kanë shprehur interesim skuadrat më të mëdha të Kontinentit të Vjetër.
Sulmuesi i Chelseat, Salomon Kalou, ka deklaruar se skuadra e Carlo Ancelottit duhet t’i fitojë patjetër të dy titujt, Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve.
“Vitin e kaluar ne humbëm nga fituesi i Ligës së Kampionëve, Interi, por këtë vit ne mezi presim që të luajmë në Ligën e Kampionëve. Ne e kemi ekipin për këtë, lojtarët për këtë dhe mezi pres t’ia fillojmë garës”, theksoi Kalou.
Chelsea është që prej disa vitesh në kërkim të titullit të Ligës së Kampionëve, i cili do të ishte i pari në histori të klubit londinez.
Miku i ngushtë i Diego Maradonas, Oscar Ruggeri, e ka bërë të ditur publikisht se presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Julio Grondona, e ka kërcënuar me vdekje.
“Grondona i tha Maradonas: ‘Mos bisedo me mua për Ruggerin. Ai do të marrë së shpejti një plumb në këmbë’. Dhe pasi e tha këtë, vajza e tij, e cila më ofendoi gjatë një ndeshjeje të Botërorit, vrapoi pas meje me një thikë”.
“Unë duhet të jem i lumtur që nuk më kanë vrarë. Kështu menaxhohet futbolli ynë ditë pas dite. Ne themi se duam të përmirësohemi, por është e pamundur me këtë menaxhim. Mos ejani tek unë dhe mos më thoni se vetëm federatat i zgjedhin trajnerët, sepse kur ata e zgjodhën Maradonan, Grondona e zgjodhi atë…Ekziston demokraci në vend, por jo në futboll”, ka zbuluar Ruggeri, i cili do të hetohet nga Prokuroria argjentinase.
Legjenda e Real Madridit, Emilio Butragueno, është duke qëndruar në Los Angeles për të parë për së afërmi stërvitjet në kampin e Los Blancos, me ç’rast ka thënë se Jose Mourinho ka filluar të shkruajë një kapitull të ri në histori të klubit.
“Ne kemi një trajner i cili kërkon më të mirën nga lojtarët e tij. Çdo seancë stërvitore është rast për një lojtar që ta dëshmojë cilësinë e tij”.
“Reali do të luftojë për çdo titull. Që të garojmë në të gjitha garat duhet të kemi shumë lojtarë të gatshëm që të plotësojnë pozitat e caktuara. Sezoni është i gjatë dhe lëndimet e rëniet nga forma do të thonë se trajneri do të duhet të nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij, në nëntë muajt e gjatë të një sezoni”, precizoi Butragueno.
Me të arritur në Seul, ku Barcelona pritet t’i zhvillojë ndeshjet përgatitore parasezonale, Dani Alves ka deklaruar se skuadra e tij do të luftojë në të gjitha frontet, për të gjithë trofetë.
“Ne kemi pritje të mëdha. Ne duhet të vazhdojmë punën që kemi bërë deri tani. Ne kemi humbur disa lojtarë të rëndësishëm, por edhe kemi transferuar lojtarë të cilët do të japin edhe më shumë në të ardhmen”.
“Unë i mora vetes kohë për të pushuar. Tani jam rikthyer me uri të shtuar dhe dua të filloj sa më shpejtë që është e mundshme. Çdo vit bëhet më e vështirë se sa më herët, për shkak se rivalët dëshirojnë të na rrëzojnë nga froni. Por, unë e di se mund t’i ripërsërisim gjërat e bukura”, u shpreh Alves.
Manchester City është shumë pranë transferimit të asit francez të Bordeaux, Yoann Gourcuff, njofton The Mirror.
Pas shkëlqimit te Bordeaux sezonin e kaluar, mesfushori tërhoqi interesimin e shumë skuadrave evropiane, duke përfshirë këtu edhe Arsenalin.
Por, tani duket se Manchester City gjendet në pole pozicion, pasi që dëshiron të shpenzojë në Gourcuff më se 22 milionë funte.
Me transferimet e bëra gjatë këtij afati kalimtar veror dhe me ato që pritet të bëhen në javët në vazhdim, City sipas të gjitha gjasave do t’i çojë shpenzimet në 100 milionë funte.
Legjenda e futbollit italian Roberto Baggio ka pranuar rolin e presidentit të komitetit teknik të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ndërsa edhe zyrtarisht do të konfirmohet në këtë post të mërkurën.
Baggio e pranoi ofertën nga presidenti i FIGC, Giancarlo Abete, pas një bisede dyorëshe. Azzurët dëshirojnë që të rikthehen në formën më të mirë të tyre pas dështimit në Botërorin, Afrika e Jugut 2010.
“Unë e kam pranuar postin, nga ana ime unë kam dëshirë maksimale për të qenë presidenti sektorit teknik. Tani, më duhet ta pres vendimin e bordit të mërkurën”, citohet Baggio nga ESPNsoccernet.
Mbrojtësi i Milanit, Gianluca Zambrotta, ka thënë se Milani ka mjaft potencial për ta sfiduar Interin në çdo front sezonin e ardhshëm.
“A jemi në nivelin e Interit? Ne jemi në një fazë të mirë. Ne ndjejmë se jemi në atë nivel me ekipet tjera që luftojnë për titullin. Ne duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë, për t’u përgatitur sa më mirë për sezonin e ri”, theksoi italiani për Sky Sport Italia.
Zambrotta shtoi se themelet e suksesit janë hedhur në Emirates Cup, ku sipas tij Milani shfaqi paraqitje të mira.
Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, ka filluar ta nxehë atmosferën para fillimit të sezonit të ri, pasi që ka deklaruar për Marca se atij i intereson vetëm se si t’i fitojë titujt dhe madje aludoi se deri vonë nuk e ka ditur se Mourinho është trajner i ri i Realit.
“Ne kemi të njëjtat objektiva si çdo vit tjetër. Ne duam t’i fitojmë të gjitha trofetë. Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë, por kemi ekip të mrekullueshëm”.
“Ardhja e Jose Mourinhos te Real Madridi vërtet nuk na motivon dhe aq. Ne nuk kemi nevojë për motivim të veçantë për të bërë gjëra të mëdha”.
“Ne nuk shpërqendrohemi nga ajo që ndodh diku tjetër dhe gjithmonë duam të arrijmë më shumë se të tjerët”, deklaroi Messi.
Mesfushori i Marseille, Lucho Gonzalez, thuhet të ketë rënë nën radarin e Interit, gjithnjë sipas Le Parisien, që muaj më parë shkroi se argjentinasi nuk do të largohet nga qyteti kryesor në jug të Francës.
Sipas të përditshmes franceze, Benitez e ka identifikuar mesfushorin argjentinas si alternativë për Javier Mascheranon, i cili sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë te Liverpooli, megjithëse Interi nuk ka hapur bisedimet me Marseille.
Edhe Manchester City thuhet të jetë në kërkim të yllit nga Velodrome, por ai nuk dëshiron të luajë në ndonjë skuadër e cila nuk merr pjesë në Ligën e Kampionëve.
Mesfushori i Real Madridit, Pedro Leon, mezi pret që të luajë në fanellën e Real Madridit, duke paralajmëruar se është i gatshëm ta japë jetën për klubin nga Bernabeu.
“Nuk hezitova kur agjenti më tha se Reali ishte i interesuar. Ky është klubi që gjithmonë e kam ëndërruar, kështu që kur e morra vesh se ata janë të interesuar, isha i sigurt që ndodhi. Jose Mourinho na e bën punën shumë të vështirë. Ai ka marrëdhënie të mira me të gjithë lojtarët dhe gjithë ajo që duhet të bëni është që t’ia shikoni vitrinën e titujve për të kuptuar se sa i mirë është. Jam i sigurt se ne do të jemi një ekip i mrekullueshëm”.
“Unë do të jap jetën për këtë ekip. Unë e di se nuk do të jetë lehtë, sepse unë duhet të përmirësohem, por jam më shumë se në gjendje për të bërë progres, sidomos tek një klub i tillë. Shpresoj se do luaj këtu shumë vite dhe do të fitoj shumë tituj”, ka thënë Pedro Leon për Marca.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, e ka dhënë deri tani indikacionin më të fortë që Mario Balotelli do t’i bashkohet Manchester Cityt, kur të arrihet marrëveshja me këtë të fundit.
“Interi ka shumë talentë të tjerë dhe lojtarë të rëndësishëm pos Mario Balotellit”, theksoi Moratti për Sky Sport Italia.
Po sipas Sky Sport, zyrtarizimi i transferimit të Balotellit te City do të bëhet të mërkurën me lojtarin që do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me 3.5 milionë euro në vit.
Agjenti i Christian Poulsen, Joern Bonnesen, ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhnin mesfushorin e Juventusit me një kalim te Liverpooli.
Sky Sport Italia pohoi se Poulsen pret që të telefonojë Liverpooli dhe të marrë jetë kalimi i tij në Anfield, pasi që dy klubet tashmë kanë arritur marrëveshje, pohime të cilat i mohon agjenti i danezit.
“Unë i kam parë këto spekulime, por nuk dua t’i komentoj ato. Juventusi kurrë nuk më ka telefonuar, pasi që nuk ka ndonjë arsye se pse duhet të më thërrasin. Unë lexova gazetat, por nuk dua t’i komentoj këto gjëra”, theksoi agjenti.
Roma po shpreson të transferojë lojtarin e padëshiruar te Milani, Marek Jankulovski, në kohën kur Claudio Ranieri po kërkon ta përforcojë repartin defensiv të Romës.
Sportal.it njofton se Jankulovski po i afrohet largimit nga Milani, por Roma e ka përgatitur tashmë planin e shpëtimit për çekun. Ranieri e sheh mbrojtësin si alternativë të mirë për John Arne Riisen. Roma dëshiron të luftojë në të tre frontet dhe për këtë arsye i duhet një repart i shëndoshë defensiv.
Jankulovski ishte pranë largimit në janar, por Milani refuzoi t’ia shesë Interit mesfushorin çek, ndërsa tani ai nuk është në planet e Allegrit.
Sulmuesi argjentinas Carlos Tevez nuk pendohet aspak pse u zhvendos nga Manchester United te Manchester City.
“Unë u kënaqa aq shumë me dy vitet e kaluara te Manchester United, por largimi ishte zgjidhja më e mirë. Epoka ime atje ishte e përfunduar”.
“City është ekip më i vogël se United, por më besoni, është duke u ngritur vërtet shpejtë. Ne luajtëm mirë sezonin e kaluar, përkundër moskualifikimit në Ligën e Kampionëve”, theksoi Tevez.
Mesfushori i Milanit, Mathieu Flamini, ka kërkuar më shumë minutazh nga trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri.
“Kjo nuk është situatë e lehtë. Është frustruese kur ju ndjeni se jeni në formë të mirë dhe nuk e keni rastin për ta dëshmuar atë”.
“Unë vazhdoj të jem optimist dhe nuk pendohem që u largova nga Arsenali. Unë jam i lumtur në Itali dhe Serie A është kampionat i mrekullueshëm. Tani shpresoj të luaj edhe pak më shumë se sa sezonin e kaluar”, është shprehur francezi për L’Equipe.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka thënë se ai është po aq i mirë sikurse çdo lojtar tjetër në botë.
“Unë e ndjej veten në të njëjtin nivel me Wayne Rooneyn, David Villan, Cesc Fabregasin, Wesley Sneijder apo Kaka. Këta janë të gjithë lojtarë të cilët e duan Topin e Artë apo Ligën e Kampionëve. Unë jam këtu për të punuar dhe për të pasur besimin e Milanit”, theksoi Pato.
Pato ka shfaqur formë të mirë gjatë ndeshjeve parasezonale, pasi që e barazoi rezultatin në ndeshjen ndaj Arsenalit në kuadër të Emirates Cup.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, pret që pas shpenzimeve të bëra në afatin kalimtar veror, Manchester City të jetë pretendent serioz për titull në Ligën Premier.
“Unë besoj se me shumën e parave të shpenzuara, ata do të jenë konkurrentë për titull. Nëse shikoni në cilësinë e lojtarëve që ata kanë blerë, ata kanë top cilësi, kështu që i prisni të jenë në krye”, theksoi Wenger.
Arsenali sezonin e kaluar e përfundoi në pozitën e tretë, prapa Manchester Unitedit dhe Chelseat, ndërsa pas blerjeve të Manchester Cityt dhe revolucionarizimit të Liverpoolit, sezoni i ardhshëm në Ligën Premier definitivisht do të jetë tejet i nxehtë.
Piloti i Red Bull, Sebastian Vettel, ka deklaruar se ai nuk e ka ditur as vet se ku ishte gjatë garës së Hungarisë, gjë që u reflektua dhe në tejkalimin makinës së sigurisë, veprim për të cilin u dënua me një pozitë, duke ia ‘falur’ kështu pozitën e dytë Fernando Alonsos së Ferrarit.
“Në fillim të garës, unë isha në gjumë, ndoshta isha tepër i relaksuar. Unë e dija se shumë po mbështetesha tek radio, por herët gjatë garës unë e humba lidhjen me radion, kështu që nuk munda të dëgjoja asgjë. Unë e pashë makinën e sigurisë dhe prisja instruksione, por nuk pashë dritat e makinës së sigurisë. Zakonisht, kur makina e sigurisë hyn në pistë, lideri tenton të ndalet dhe ta diktoj tempin, por Mark Webber ishte shumë afër”.
“Unë vetëm isha duke e nxehur makinën. Unë isha i sigurt se kemi pasur edhe një xhiro. Kur e pashë Mark Webber në skajin e fundit dhe makinën e sigurisë të hyjë në pit stop, atëherë e dija se ishte një rifillim i garës”.
“Unë humba shumë kohë aty, që nuk ishte qëllimi im. Dhe më pas e bëra gabimin. Isha shumë i pafat dhe jam tejet i zhgënjyer sepse do të ishte sikur ‘një ecje nëpër park’ po të mos ndodhte ajo”, deklaroi Vettel.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka përjashtuar mundësinë që Leita Kaka të transferohet në Stanford Bridge.
“Kaka nuk mund të vijë te Chelsea. Ai ishte lojtar i imi dhe ai ka bërë aq shumë për Milanin, por ai i takon Real Madridit dhe ai do të vendosë për të ardhmen së bashku me klubin e tij aktual”.
“Natyrisht, as unë e as Chelsea nuk do ta vendosim të ardhmen e tij”, theksoi ‘Carlito’ për Sky Italia.
Ngasësi i McLaren, Lewis Hamilton, ka deklaruar se ai dhe ekipi i tij kanë bërë gabime në fazën kyçe të kampionatit, por shtoi se kjo është Formula 1.
Lewis Hamilton u detyrua ta ndërpriste garën në xhiron e 24 për shkak të problemeve me makinën e tij.
“Është keq që kemi bërë gabime në këtë fazë të vitit, por kjo është Formula 1, kur e vëni makinën tuaj përtej limiteve, atëherë këto gjëra mund të ndodhin”.
“Ne do të mësojmë nga kjo dhe do të duhet të punojmë shumë në mënyrë që të mos kemi këso lloj problemesh dhe në mënyrë që ta tejkalojmë Red Bullin në garën për konstruktorë, e që jam i sigurt se do ta bëjmë”, theksoi ngasësi britanik.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, ka bërë një deklaratë tejet të çuditshme, ku përkundër fitimit të tripletës së titujve sezonin e kaluar, e fajëson ish-trajnerin Jose Mourinho që e vuri atë në pozita të padëshiruara.
“Unë nuk e di se sa gola shënova sezonin e kaluar. Nëse nuk e arrij shifrën e 25 golave, atëherë nuk jam i interesuar në këto statistika. Madje as që mendoj për to”.
“Sezonin e kaluar keni mundur të shihni që unë isha në formë të mirë, por nuk isha në vendin tim, unë e sakrifikova veten për Mourinhon. Tani do ta sakrifikoj veten për ekipin dhe do t’i ndihmoj Benitezit, ai e meriton atë”, u shpreh Eto’o për La Gazzetta dello Sport.
Sipas boshnjakut Miralem Pjanic, Edin Dzeko do të jetë futbollisti i ardhshëm i Manchester Cityt, pasi që vetë sulmuesi i Wolfsburgut e kërkon kalimin në Angli.
“Dzeko ka dëshirë të madhe që të shkojë në Angli, ai është top lojtar dhe duhet të luajë në Angli. Ai është një nga sulmuesit më të mirë. Ai ka të ardhme të shkëlqyer dhe mendoj se ai do të shkojë në Angli”.
“Manchester City po fillon të ndërtojë një ekip shumë të mirë dhe ai është i interesuar për këtë sfidë. Në fund të fundit, kjo do të ndodhë. Dzeko vërtet dëshiron të shkojë te Manchester City dhe City është ekip i madh”, deklaroi Pjanic për ESPNsoccernet.
Arsene Wenger është i kënaqur me progresin e skuadrës së tij, Arsenal, pas mbrojtjes së trofeut Emirates Cup dhe pas fitores prej 3-2 ndaj Celticut.
“Mendoj se është fundjavë pozitive, pasi që nuk kemi pasur lëndime të rënda dhe luajtëm mjaft mirë, kemi parë dy lojtarë të rinj dhe disa lojtarë të ri. Mendoj se në përgjithësi në pjesën e parë ne e kontrolluam lojën dhe keni pasur rastin të shihni se fizikisht dhe mentalisht nuk jemi në gjendje ta mbajmë përqendrimin për 90 minuta”.
“Në të dy ndeshjet ne vuajtëm në 20 minutat e fundit. Unë besoj se është për shkak të faktit se ne punojmë shumë, por nuk jemi ende plotësisht të gatshëm”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, edhe njëherë ka hedhur poshtë spekulimet se Ashley Cole do të largohet gjatë kësaj vere.
“Ashley Cole nuk do të shitet për kurrfarë çmimi. Nuk ka çmim që do të mund të na bindte për ta shitur atë. Ne besojmë se ai është mbrojtësi i majtë më i mirë në botë dhe për shkak të kësaj ai do të qëndrojë në klub”.
“Asgjë nuk e ka ndryshuar pozicionin tonë. Le të harrojnë të gjithë se Ashley Cole do të largohet nga ky klub”, u shpreh Ancelotti.
Mesfushori i Manchester United, Anderson, ka shpëtuar nga vdekja, pas një aksidenti automobilistik në një zonë rurale të Portugalisë.
22-vjeçari thuhet të ketë kaluar disa orë në spital mëngjesin e të shtunës, pas një aksidenti në një fshat të Bragas, por dyshohet për lëndime të lehta. Sipas spekulimeve, Anderson e kaloi natën në klubin e natës Sardinha Biba, para se të largohej me automjetin e tij.
Makina u përfshi nga flakët dhe Anderson është nxjerrë me kohë nga makina ashtu si dy shoqëruesit e tij tjerë, një mashkull dhe një femër. Mesfushori pritet të kthehet me kohë në Old Trafford, ashtu siç ishte paraparë në shtator.
Jamie Carrager shpreson që Fernando Torres do t’i bashkohet Steven Gerrardit dhe do t’ia përkushtojë të ardhmen e tij Liverpoolit.
“Mirë, ai është lojtari ynë më i mirë. Për mua është ndoshta lojtari më i mirë në histori të klubit përkrah Kenny Dalglish, kështu që ai do të na japë shtysë të madhe në të ardhmen”.
“Shpresojmë se Torres do të bëjë të njëjtën gjë, në mënyrë që ne të mund të sjellim një ose dy lojtarë tjerë dhe më pas ta fillojmë sezonin me ndjesi të mirë”, ka thënë Carragher.
Sipas mediave italiane, anësori i Juventusit, Sebastian Giovinco, ka vendosur që sezonin e ardhshëm të luajë për Parmën.
Tuttomercatoweb citon miqtë e 23-vjeçarit të kenë thënë se ‘Seba’ është shumë pranë ekipit Gialloblu.
Në ditët në vijim pritet që presidenti i Parmës, Tommaso Ghirardi, të takohet me zyrtarët e Juves për të diskutuar mundësitë e transferimit, ndërkohë që për Giovincon janë të interesuar edhe Bari dhe Arsenali.
Mbrojtësi i Valencias, Carlos Marchena, ka vendosur të largohet nga Mestalla për t’iu bashkëngjitur skuadrës së Villarrealit.
Valencia përmes faqes së vet zyrtare ka konfirmuar largimin e 31-vjeçarit dhe njëherit e ka falënderuar atë për angazhimin nëntëvjeçar me Los Che.
“Valencia dhe Villarreali kanë arritur marrëveshje për transferimin e futbollistit Carlos Marchena”, shkruan në komunikatën zyrtare të Valencias.
Marchena, i cili me fanellën e Los Che ka fituar La Ligan, Kupën UEFA, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Mbretit, do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare me Nëndetësen e Verdhë.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, thotë se Jose Mourinho vazhdon të jetë në ndjekje të dyshes angleze, Steven Gerrard dhe Ashley Cole.
“Mourinho është plotësisht në dijeni të cilësisë së tyre, pasi ka menaxhuar më parë në Ligën Premier. Sipas asaj që kam kuptuar unë, Mourinho po bën gjithçka për t’i sjellë ata para fillimit të sezonit të ri”.
“Ata janë dy caqet tona kryesore për këtë afat kalimtar veror, ndërsa Mourinho do të lëvizë edhe male nëse ka nevojë për t’i transferuar ata. Unë mund t’i kuptoj Liverpoolin, Chelsean dhe mosdëshirën e tyre për t’i shitur ata, por kjo nuk do të thotë se Mourinho dhe bordi nuk do të bëjnë të pamundurën për t’i transferuar ata. Veteranët e Realit janë të bindur se që të dy do të vijnë”, ka deklaruar Casillas për Daily Star Sunday.
Manchester United mund ta ritransferojë sulmuesin e Villarealit, Giuseppe Rossi.
Sipas Daily Star Sunday, pasi United e shiti Rossin te Villareali për 6.7 milionë funte tre vite më parë, Ferguson e ka detyruar klubin spanjoll të fusë një klauzolë, e cila e bën Unitedin favorit për ta transferuar italianin.
Në garë për Rossin janë edhe klubet gjermane, me Hoffenheim në pole pozicion. Thuhet se mund të ketë interesim edhe nga klubet turke dhe nga ato të Ligës Premier, dhe nëse Villareali merr ndonjë ofertë të pranueshme, atëherë ata do t’ia rishesin Unitedit mesfushorin.
Sipas një raporti në News of the World, Manchester City po përgatitet që ta shesë ish-sulmuesin e Arsenalit, Emmanuel Adebayor, nëse arrihet marrëveshja me ndonjë nga gjigantët e Serie A, Milan apo Juventus.
Agjenti i Adebayor ka qenë në kërkim të ndonjë skuadre të interesuar gjatë gjithë kësaj jave, por paga e tij e lartë është problem për çdo skuadër, ndërsa besohet se është pranë marrëveshja me Olypmpique Marseille, pa përjashtuar edhe Milanin apo Juventusin.
Adebayor së shpejti do të duhet të kërkojë vet largimin nga City, pasi që me ardhjen e Mario Balotellit, automatikisht i hapen dyert e largimit togolezit.
Anësori i Real Madridit, Angel Di Maria, ka shprehur dëshirën e tij për të fituar tituj me Los Blancos dhe ka thënë se ai do të japë gjithçka për të garantuar rikthimin e klubit në kohërat e vjetra.
“Qëllimi im është që të fitoj tituj dhe t’i ndihmoj Real Madridit të jetë i madh përsëri. Kur Reali u interesua për mua, unë kërkova të vij këtu, sepse që nga fëmijëria kam ëndërruar të luaj këtu. Tani duhet të mendojmë për t’u bërë më të mirë dhe të japim gjithçka për ekipin. Unë mund t’i jap ekipit shpejtësi. Unë jam 22 vjeçar. Unë mund të ngritem shumë përkrah këtyre yjeve”.
“Ne duhet të mendojmë për ne. Barcelona ka ekip të mrekullueshëm, ata janë kampionë, por ne shpresojmë të fillojmë fuqishëm. Vitin e kaluar ekipit i mungoi paksa fati, në kohën kur ishte aq pranë fitimit të titullit”, është shprehur Di Maria.