Sporting Lisbon ka konfirmuar transferimin e mesfushorit defensiv, Miguel Veloso, te klubi nga Serie A, Genoa.
Transferi thuhet se peshon 9 milionë euro, ndërsa vetë lojtari është shprehur i lumtur që ka kaluar në Itali.
“Unë erdha te Genoa me dëshirë për të bërë mirë, t’i ndihmoj klubit të vazhdojë ngritjen profesionale. Të luaj në Itali, te një klub me histori, është me rëndësi. Vendimi për t’u transferuar te Genoa u arrit pas një takimi me presidentin. Aspekti ekonomik? Jo vendimtar”, deklaroi Veloso.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, i ka dhënë lëvdata të mëdha legjendës spanjolle të Real Madridit, Raul Gonzalez, duke thënë se sulmuesi i ri i Schalkes është futbollisti më i mirë spanjoll i të gjitha kohërave.
“Me shkuarjen e Raulit (prej Kampionatit spanjoll), shkon lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin spanjoll. Numrat flasin vetë”, ka deklaruar Guardiola, dikur bashkëlojtar i Raul në kombëtaren e Spanjës, dhe njëherit rival në La Liga.
Raul kaloi 15 vite te skuadra e parë e Realit, duke e fituar gjashtë herë titullin e kampionit të Spanjës dhe tri herë trofeun e Ligës së Kampionëve.
Arjen Robben i lënduar Anësori i Bayern Munichut, Arjen Robben, ka pësuar një dëmtim muskulor në kofshën e majtë, ndërsa pritet që ati të mungojë së paku dy muaj.
“Ky është lëndim tepër serioz. Skanimet kanë zbuluar një vrimë prej pesë centimetra në muskul. Është papërgjegjësi që ka luajtur në Botëror me këtë lëndim dhe që askush të mos e ketë vërejtur këtë. Unë u kam ofruar holandezëve ndihmën time më shumë se një herë gjatë Botërorit, por askush nuk ishte i interesuar për ndihmën time”, ka thënë mjeku në krye të stafit mjekësor te Bayerni, Hans-Wilhelm Mueller.
Ky lëndim i Robben do të jetë hendikep i madh për Bayernin, kur dihet se në fundjavë takohet me Schalken në kuadër të Superkupës së Gjermanisë. Bavarezët e nisin Bundesligën më 20 gusht ndaj Wolfsburgut.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka thënë se ai është vërtet i lumtur që do të ribashkohet me kolegët e tij, duke i siguruar kështu tifozët se ai nuk do të lëvizë nga Anfield.
“Ky është klubi më i mirë në Angli, kështu që synimet dhe pritjet janë gjithnjë të larta. Shpresojmë se mund të qëndrojmë në nivelin tonë. Te Liverpooli synimi është që të luftojmë për çdo titull. Sezoni i kaluar ishte i vështirë, por jam i sigurt se mund të përmirësohemi këtë sezon. Unë jam vërtet i lumtur që jam kthyer, vërtet i lumtur që do të qëndroj me bashkëlojtarët e mi”.
“Përkushtimi dhe besnikëria për klubin dhe për tifozët është e njëjtë që nga dita kur unë u transferova. Unë mezi i pres sfidat përpara meje. Unë e di që një trofe këtu te Liverpooli, ndoshta Liga Premier, do të thotë më shumë se tre apo katër me ndonjë klub tjetër. Ky ishte synimi im që nga dita e parë në këtë klub dhe do të jetë ende. Shpresojmë se këtë sezon ne do ta ndjejmë këtë sensacion te Liverpooli”, precizoi Fernando Torres.
FIFA ka dënuar Holandën dhe Spanjën për disiplinën e dobët gjatë finales së Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Spanja e mposhti Holandën me rezultat minimal, në një takim i cili u shoqërua me lojë të ashpër nga të dyja skuadrat. Si pasojë e kësaj, Holanda u dënua me 9.000 funte, për shkak të përjashtimit të Johnny Heitingas, kurse Spanja u dënua me 6.000 funte, për arsye se spanjollët i prek rregullorja e FIFA-s, e cila dënon ekipet që kanë mbi pesë lojtarë të lënduar gjatë një ndeshje.
Finalja e Botërorit të fundit ka hyrë në librat e historisë si finalja më e ashpër, pasi që 8 kartonët e verdhë dhe një i kuq, e kanë thyer rekordin e mëparshëm që e mbajti finalja Argjentinë-Gjermani Perëndimore, e cila pati gjithsej gjashtë kartonë të verdhë.
Miliarderi kinez Kenny Huang i ka thënë menaxherit të Liverpoolit, Roy Hodgson, që nëse ai vjen në krye të klubit nga Anfield, atëherë ka në plan të bëjë ndryshime të mëdha, duke përfshirë këtu edhe transferimin e Lionel Messit nga Barcelona.
Daily Mail shkruan se Hodgson do të ketë lirinë e mjaftueshme për të vepruar në tregun e transferimeve, nëse Huang do ta blejë Liverpoolin.
Sipas burimeve të përafërta me Huang, i cili është kreu i kompanisë QSL Sports LTD, Hodgson do të mund të blinte cilindo lojtar, pa marrë parasysh çmimin, duke përfshirë këtu edhe Lionel Messin.
“Mund të jetë Lionel Messi dhe në këtë rast do të bëhej çmos për ta transferuar. Ky djalosh (Kenny Huang) është tejet serioz për ta blerë Liverpoolin dhe ai dëshiron që kjo të finalizohet sa më shpejtë që është e mundshme, në mënyrë që Hodgson ta përforcojë ekipin dhe të luftojë për titujt”, theksoi burimi në fjalë.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është tejet i impresionuar me lojën e treguar nga ekipi i tij, pas miqësores të cilën Nerazzurët e fituan me rezultat 3-0 ndaj Manchester Cityt.
“Ekipi ishte mbreslënës që në ndeshjen e parë, ata luajtën shumë shpejtë dhe unë isha i shtangur nga fakti që ata tashmë janë përshtatur me trajnerin e ri. Për Benitezin, ishte start i mirë”.
“Madje edhe lojtarët e rinj, si Coutinho, kanë luajtur mirë”, është shprehur eprori i Nerazzurëve.
Mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen, është i përkushtuar që të përmirësohet në performancat e tij për Arsenalin, në mënyrë që t’i ndihmojë klubit ta fitojë një titull.
“Ju duhet të vazhdoni të përformoni çdo vit. Nëse luani për Arsenalin ju kurrë nuk mund të thoni ‘pata një sezon të mirë, kështu që tani duhet të relaksohem’. Kjo është e pamundur. Njerëzit kërkojnë nga ju që të bëni sa më mirë dhe unë do të tentoj ta bëj këtë”.
“Është gjithnjë më e vështirë të qëndroni në atë nivel vitin që vjen dhe kjo është një sfidë, jo vetëm ta mbajmë nivelin por edhe ta përmirësojmë, sepse nuk ishte i mjaftueshëm sezonin e kaluar. Ne nuk arritëm asgjë. Ne duhet të ngritemi përsëri”, deklaroi Vermaelen.
Mbrojtësi i Interit, Ivan Cordoba, është i impresionuar nga bashkëlojtari i tij i ri, Philippe Coutinho.
“Ai ka aftësi të mëdha teknike dhe shumë dëshirë për të bërë mirë. Ai është shumë modest, i qetë, ka dëshirë të madhe në fushë dhe nuk është i ndikuar nga askush. Ka lojtarë si ai të cilët kanë aq shumë imagjinatë, sa që ngurojnë t’i ndihmojnë ekipit në fazën defensive. Por, ai ndihmon shumë edhe në këtë aspekt”.
“Natyrisht, ai është i ri dhe duhet të mësojë ende edhe shumë gjëra, por deri tani ai vërtet është duke punuar shumë mirë”, deklaroi Cordoba.
Ish-drejtori sportiv i Napolit, Pierpaolo Marino, u është bashkuar tifozëve rossonerë, pasi që ka kritikuar ashpër politikat e transferimit të drejtuesve të Milanit.
“Nëse dëshirojmë të figurojmë atë që po bën Milani në tregun e transferimeve, do të na del një përkthim më intrigues i hieroglifeve egjiptiane. Allegri, natyrisht, falë futbollit të tij të organizuar i cili fokusohet në kolektivitet, do të maskojë shumë probleme, por shpresojmë se ai nuk do të sakrifikohet nëse gjërat nuk shkojnë si duhet”.
“Unë jam i bindur se Milani do të menaxhojë me diplomaci deri në janarin e ardhshëm çështjen Ronaldinho. Shpresoj se Berlusconi, në fund të gushtit, do të bëjë disa sakrifica për Rossonerët në mënyrë që t’i bëjë blerjet e nevojshme dhe të sigurojë cilësinë e cila aktualisht i mungon Milanit”, ka thënë Marino për TMW.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka pranuar se ai ishte tejet i zhgënjyer me paraqitjet e tij pas përfundimit të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
“Botërori pati ndikim të madh në mua, sepse shpresova për më shumë. Por jam rikthyer dhe tani po mendoj vetëm për Barcelonën”.
“Synimet tona gjithnjë janë të njëjta. Sezonin e ardhshëm do t’i fitojmë të gjitha titujt. Ne e dimë se është e vështirë, por kemi skuadër të mrekullueshme”, deklaroi Messi.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është tejet i hidhëruar me sjelljet e fundit të futbollistit të tij më të rëndësishëm, Wayne Rooney.
The Sun shkruan se Rooney është fotografuar duke pirë duhan dhe duke urinuar në rrugë dhe po ashtu duke kënduar, në një festë e cila zgjati deri në ora 5.30 të mëngjesit. Ferguson besohet të jetë i hidhëruar në raportet dhe fotografitë e tabloideve angleze të cilat ia prishin imazhin njërit prej futbollistëve më të mirë anglez.
Rooney mund të dënohet nga klubi, pasi që me këto veprime ka prishur imazhin e klubit, ashtu siç ka prishur marrëdhëniet me sponsorët, një gjë e cila nuk u prit mirë në Old Trafford marrë parasysh borxhet e mëdha të Djajve të Kuq.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka dështuar që edhe njëherë të shuajë spekulimet, pasi që ka aluduar se dëshiron të rikthehet në vendlindje, te Barcelona.
Kapiteni i Topçinjve ka marrë pjesë në një ngjarje në komunën ku është lindur, Arenys de Mar, njerëzit e të cilës kanë nderuar kampionin e botës me Spanjën. Fabregas është përlotur kur e shikoi një kronikë në një video, me ç’rast ka aluduar se herët apo vonë do të rikthehet në vendlinje.
“Shpresoj t’u shoh të gjithë juve më shpesh dhe më pranë”, theksoi Cesc.
Çështja Fabregas aktualisht është në ajër. Arsene Wenger nuk e ka ndërmend të lëshojë pe, ashtu si Sandro Rosell që nuk është i gatshëm të bëjë sakrifica dhe të rrezikojë me ndonjë shumë astronomike për mesfushorin katalanas.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, beson se skuadra për të cilën luan ai është mjaft e mirë për të arritur deri te titujt të cilët Giallorossët i synojnë.
“Roma mund të bëjë gjëra të mëdha dhe po ka shenja për një sezon të mrekullueshëm. Unë jam mirë dhe po bëj mirë, ndërsa dua të tregoj se Totti është ende Totti. Shëndeti im është duke më ndihmuar, kështu që mendoj se mund të argëtohemi këtë sezon”.
“Adriano? Ai është lojtar që ka nevojë për qetësi. Ai është lojtar i cili mund t’i fitojë ndeshjet vetvetiu”, deklaroi Totti për Il Corriere dello Sport.
Ish-sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, ka lëvduar ish-trajnerin e tij, Jose Mourinho, për të cilin ka thënë se është trajner i madh.
“Unë u largova nga Interi për arsye se kisha fituar gjithçka atje dhe prandaj pata nevojë për një sfidë të re. Tani jam te Barcelona, klubi më i mirë në botë”.
“Mourinho është trajner i madh. Nuk mendoj në Real Madridin, por besoj në talentin e Jose Mourinhos”, u shpreh Ibrahimovic.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka thënë se ai më parë do të kërkonte lojtarë si huazim, se sa lojtarë në mënyrë permanenete.
Tottenhami vitin e ardhshëm garon në Ligën e Kampionëve dhe është e natyrshme që të kërkojë përforcime, një gjë e cila nuk ka ndodhur deri tani, pasi që Spursat po kërkojnë alternativa të ndryshme në tregun e transferimeve.
“Po shoh se po zhvillohen huazime të ndryshme. Unë kam tre lojtarë në mend dhe të cilët nuk mund të kushtojnë shumë. Nëse mund t’i arrijmë marrëveshjet, atëherë po flasim për shuma prej 8 deri 9 milionë funte për tre lojtarë. Njerëzit po huazojnë lojtarë nga e tërë bota, do të ketë huazime sepse klubet po vuajnë për të paguar shumat e transferimeve dhe pagat e lojtarëve”, u shpreh Redknapp për The Mirror.
Bosi i Liverpoolit, Martin Broughton, ka thënë se klubi është duke shikuar që të arrijë marrëveshje për shitjen e tij, më së largu deri në fund të këtij muaji.
Liverpooli siç dihet është vënë në shitje kohë më parë dhe Martin Broughton është i urdhëruar nga pronarët e klubit, Hicks dhe Gillet që të gjejë një blerës. Tani Broughton e ka bërë të qartë se Liverpooli deri në fund të muajit do të gjejë një investitor për ta blerë.
“Kemi oferta të cilat i janë drejtuar Barclays Capital. Besojmë se do të arrijmë një marrëveshje në fund të muajit, ndërsa objektivi ynë është që ta arrijmë atë para përfundimit të afatit kalimtar veror. Sidoqoftë, Gillet dhe Hicks do të mbeten në bord”, ka thënë Broughton për The Guardian.
Saga e transferimit të mbrojtësit të Interit, Maicon, është duke vazhduar, me agjentin e futbollistit që u takua me drejtuesit e Realit për të arritur një marrëveshje, e cila sipas AS ende është larg finalizimit.
Interi dhe Reali thuhet të kenë arritur marrëveshje për shumën e transferimit, por problemi qëndron te kërkesat e Maicon, i cili assesi nuk dëshiron të pranojë ofertën prej 5.5 milionë euro.
“Qëndrimi i tij te Interi është një hipotezë konkrete, duke parë se ai është shumë i lumtur në Milano. Sidoqoftë, unë jam shumë i nervozuar në Real Madridin, sidomos me mënyrën se si është sjellë ndaj nesh. Nëse dëshironi të bëni ndonjë investim të caktuar atëherë duhet të bëni edhe sakrifica. Për çdo rast ju them se këtë javë do të ketë zhvillime rreth kësaj çështje”, ka thënë agjenti i Maicon, Antonio Caliendo.
Mesfushori i Barcelonës, Aliaksandr Hleb, vazhdon të jetë shënjestër e skuadrave të ndryshme, ndërsa së fundmi për shërbimet e tij është interesuar Sevilla.
Hleb ka thënë se ai dëshiron të qëndrojë në Camp Nou, edhe pse nuk bën pjesë në planet e Pep Guardiolas, megjithatë duket se Blaugranët planifikojnë ta huazojnë sërish ose ta shesin mesfushorin bjellorus.
Sport.es citon agjentin Mintzlaff Oliver, të ketë thënë se Sevilla dhe Tottenhami janë të interesuar për shërbimet e klientit të tij, i cili sezonin e kaluar ishte në huazim te Stuttgarti. Ndërsa The Mirror njofton se edhe Mark Hughes planifikon ta huazojë atë te Fulhami.
Sidoqoftë, sipas mediave spanjolle, destinacioni më i mundshëm është Sevilla, falë raportit të mirë që ka me Barcelonën.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka deklaruar se nuk është i interesuar për mesfushorin e Galatasarayt, Elano, e as për atë të Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger.
Është thënë se Nerazzurrët janë të interesuar për shërbimet e mesfushorit brazilian dhe atij gjerman, mirëpo Moratti ka thënë për ANSA se këto janë vetëm trillime të mediave.
Interi aktualisht gjendet në Amerikën Veriore ku zhvillon përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa ndeshjen e parë zyrtare në Serie A e zhvillon më 29 gusht kundër Bolognas.
Bologna dëshiron ta transferojë në formë huazimi mbrojtësin e majtë të Juventusit, Fabio Grosso.
Sipas La Stampa, Bologna i ka ofruar 32-vjeçarit një vend në formacionin bazë, duke qenë se vendi tij te bardhezinjtë është i rrezikuar, sidomos pas shkuarjes së Luigi Del Nerit në Torino.
Sidoqoftë, problemi kryesor do të jetë paga e lojtarit, i cili fiton dy milionë euro për sezon, të cilën Bologna nuk është në gjendje ta paguajë, porse do të merret vesh me Juventusin që Bianconerët të paguajnë një pjesë.
Sipas njoftimeve nga Spanja dhe Italia, bordi i Real Madridit ka marrë vendimin për t’i bërë ofertë Milanit për mbrojtësin Thiago Silva.
Italsportpress.it pohon se Los Blancos janë të gatshëm të ofrojnë 20 milionë euro dhe mesfushorin Rafael Van der Vaart, për të siguruar shërbimet e brazilianit.
Nga ana tjetër, menaxhmenti i Milanit ka caktuar një çmim të panegociueshëm prej 30 milionë eurosh për lojtarin e tyre. Mirëpo përfshirja e mesfushorit holandez në ofertë, mund të joshë Rossonerët, të cilët e kanë mesfushën ‘e plakur’.
Njeriu të cilin e akuzoi Maradonan për tradhti javë më parë, Carlos Bilardo, ka deklaruar se legjenda e futbollit argjentinas ka gjasa që të rikthehet në postin e tij.
“Diego Maradona mund të rikthehet. Unë nuk i mbylla dyert. Ne nuk e dimë se çfarë janë dyert e hapura, por ka mundësi për një takim tjetër”, u shpreh Bilardo për Rai Sport.
Këto zhvillime rreth postit të përzgjedhësit të Argjentinës vijnë pak orë pasi miku i ngushtë i Maradonas, Ruggeri, e akuzoi kreun e AFA, Julio Grondona, për kërcënim me vdekje.