Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se Sergio Canales do të qëndrojë me Real Madridin gjatë këtij sezoni dhe se do të mbulojë zbrazëtirën e lënë nga Kaka.18-vjeçari, i cili erdhi në Real nga Racing Santander pritej të huazohej te ndonjë ekip tjetër. Por Mourinho, duke folur për mungesën katër mujore të Kaka, ka thënë se Canales mund të përfshihet në vend të brazilianit.
“Ai do të befasojë. Ai më ka befasuar mua. Ai duket shumë i mirë dhe mund të luajë në të njëjtën pozitë si Kaka, prapa sulmuesve. Që kur kam punuar me të, kam qenë shumë i impresionuar”, ka thënë Mourinho.
Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka, thotë se rivalët e Londrës, Tottenham, mund ta fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon.Anelka, i cili fitoi titullin e kampionit të Anglisë sezonin e kaluar, ka parashikuar që ekipi i trajnerit Harry Redknapp të shqetësojë favoritët kryesor për kreun e tabelës.
“E vlerësoj Tottenhamin lartë. Ata janë favoritë absolut për të fituar titullin”, ka thënë ish-sulmuesi i Arsenalit, 31-vjeçar.
Tyson Gay është shprehur i kënaqur pasi ka arritur ta mposhtë për të parën herë kampionin botëror dhe Olimpik, Usain Bolt, në finalen në 100 metra të Diamond League.Me dy njerëzit më të shpejtë në botë që u përballën me njëri tjetrin, Gay doli fitimtar për të shënuar rekordin e stadiumit Olimpik në Stokholm të Suedisë, me 9 sekonda e 84 të qindta, derisa Bolt u rendit i dyti me kohë 9.97 sekonda.
“E di se Usain Bolt nuk është në formën e tij më të mirë, por unë megjithatë jam i lumtur për fitoren. Trupi im punoi mirë sot, isha i ngazëllyer dhe i motivuar. Fillimi ishte mirë, por duhet të pranoj se isha i befasuar kur nuk e pash Usain para meje në mes të garës”, ka thënë Gay.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se e tërë bota ka dashur që Cesc Fabregas të qëndronte në Emirates dhe të shmangej presioni i Barcelonës.“Unë jam mbi hënë me qëndrimin e Cesc. Është me rëndësi për tërë futbollin që Arsenali është i suksesshëm, kështu që nuk është vetëm një mënyrë për të pasur sukses, ajo e shpenzimeve të mëdha. Ekziston edhe një mënyrë tjetër. Është me rëndësi për futbollin që lojtarët nuk largohen kur dikush vjen dhe thotë ‘ne e duam atë’”.
“Ne kurrë nuk kemi qenë në pozitën që kemi kërkuar largimin e Cesc. Ne kemi investuar shumë energji dhe punë në krijimin e një ekipi me lojtarë të rinj dhe ne duam që ata të qëndrojnë. Cesc është kapiteni ynë. Ju shihni se si ai ngrit moralin e të gjithëve”.
“Unë takova aq shumë njerëz në Botëror dhe fjalët e para gjithnjë ishin ‘mos lejo që Fabregas të largohet’. Cesc e s’pastroi situatën. Ishte me rëndësi që ai doli publikisht për të sqaruar gjërat dhe tani ne mund të shkojmë tutje. Pas një jave fillon sezoni i ri dhe ne kemi pasur nevojë që të gjithë të jenë të fokusuar”, është shprehur Wenger.
Në rast të marrjes nën drejtim të Liverpoolit nga kinezët, atëherë paraja sipas këtyre të fundit nuk do të jetë temë e bisedimeve, por temë do jenë lojtarët që duhen transferuar.Marc Ganis, korporata e të cilit është ndihmuar nga investitorë të ndryshëm kinezë, ka nënvizuar katër objektivat kryesorë të cilët pritet t’u prezantohen bosëve aktual të Anfield. Ganis thotë se nëse ata vijnë në krye, do të paguajnë të gjitha borxhet, do ta ndërtojnë stadiumin e ri, do të hyjnë fuqishëm në tregun aziatik dhe do të investojnë shumë në lojtarë të klasit botëror.
“Liverpooli duhet të jetë një nga klubet që shpenzon më së shumti. Modeli ynë financiar garanton se Liverpooli do të jetë ekipi që shpenzon më së shumti në sjelljen e lojtarëve çdo vit. Ne nuk kemi dërguar ndonjë ofertë zyrtare, por ne u kemi dërguar atyre planet tona për të parë nëse ato do të mirëpriten”, theksoi Ganis.
Barcelona e ka pritur me zhgënjim disfatën në luftë për firmën e kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas, pasi që ky i fundit me anë të një deklarate për shtyp ditë më parë ia besoi të ardhmen e tij klubit nga Emirates.“Në shenjë të lëshimit të komunikatës për të ardhmen kontraktuale të Cesc Fabregas, FC Barcelona shpreh pendesë të madhe për vendimin e Arsenalit për ta konsideruar lojtarin të pashitshëm dhe për mosshqyrtimin e asnjë prej ofertave të propozuara. Asnjë prej ofertave, në asnjë mënyrë, nuk e kaloi shumën 40 milionë euro”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi katalanas.
Barelona ka qenë që prej disa muajsh në kërkim të Fabregas dhe për këtë ka përdorur strategji nga më të ndryshmet, duke filluar nga ofertat, deklarata nxitëse të lojtarëve dhe shumë metoda tjera, të cilat u treguan joefikase në operacionin “Cesc”.
Arsenali ka lansuar një ofertë shokuese prej 23 milionë funtesh për portierin e Liverpoolit, Pepe Reina.The Sun pohon se Arsene Wenger e sheh spanjollin si njeriun që do t’i zgjidhë problemet në atë pozitë dhe për këtë arsye, Topçinjtë janë të gatshëm të shpenzojnë rreth 25 milionë funte në portierin e Liverpoolit.
Arsenali është në kërkim të një portieri kualitativ, pasi që në të kaluarën Revolveristët kanë pasur një sërë problemesh në atë pozitë. Si kandidatë për portën e Arsenalit aktualisht janë Mark Shwarzer i Fulhamit dhe Pepe Reina i Liverpoolit.
Menaxheri i Aston Villas, Martin O’Neill, ka pranuar publikisht se futbollisti kryesor në Upton Park, James Milner, është fare pranë transferimit te Manchester City.“Ne nuk luajtëm me të ndaj Valencias, pasi që mund të ndodhë diçka në aspektin e transferimit gjatë fundjavës, të hënën apo të martën. Derisa po ka zhvillime, mendova se ishte më mirë ta lë Milnerin jashtë ndeshjes ndaj Valencias”.
“Sipas asaj që di, nuk është arritur ende marrëveshja, por bisedimet po zhvillohen duke përfshirë drejtorin dhe presidentin. Mendoj se është në të mirën e të gjithëve që të gjejmë një përfundim. Të humbasësh lojtarët më të mirë ju shkakton kokëdhimbje dhe ky është problem. Nëse do të ndodhë ndonjë transferim do të mësoj së shpejti, pasi të biesedoj me presidentin”, tha O’Neill.
Sipas mediave britanike, në marrëveshjen për transferimin e Milner te City, pritet të përfshihet edhe Stephen Ireland i cili në atë rast do luante për Aston Villën.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka aluduar se puna e tij për këtë afat kalimtar veror tashmë ka përfunduar.“Unë nuk po shoh vlera në treg për t’i shtuar skuadrës tonë. Unë jam i kënaqur me atë që tashmë kemi dhe nuk shoh ndonjë arsye pse të blejmë kur vetëm njerëzit duan ta transferojmë dikë”.
“Tifozët kërkojnë të blejnë lojtarë. Atyre u pëlqen të shohin ndonjë transferim të madh çdo vit. Shpeshherë lojtarët duan të shohin ndonjë transferim të madh. Por, ne duhet të jemi të ndjeshëm sa i përket kësaj. Ne shikojmë në skuadrën tonë dhe pyesim se për çfarë kemi nevojë.”, deklaroi Fergie.
Agjenti i Giuseppe Rossit thotë se sulmuesi italian do të mbajë fanellën e Villarrealit edhe në sezonin e ardhshëm.Federico Pastorello beson se 23-vjeçari do të vazhdojë të qëndrojë në El Madrigal edhe sezonin e ardhshëm.
“Giuseppe Rossi sipas gjasave do të mbetet te Villarreal. Ai ka edhe tre vite të mbetura nga marrëveshja e tij, edhe nëse propozime të rëndësishme nuk arrijnë”, ka thënë Pastorello për Sky Italia.
Rossi së fundi është lidhur me një kalim te Fiorentina pasi sulmuesi Stevan Jovetic pësoi lëndim dhe do të mungojë gjatë pjesës më të madhe të sezonit.
Përzgjedhësi i përkohshëm i Argjentinës, Sergio Batista, ka kritikuar sistemin aktual të akademive në Argjentinë dhe ka kërkuar që si shembull të merret sistemi i Spanjës.“Problemi me futbollin e Argjentinës nis që nga baza. Dikush mund të thotë, cili është identiteti i futbollit argjentinas? Ne nuk e dimë këtë. Çdo vit po shohim më pak teknikë në fushë. Ne nuk duhet që domosdoshmërisht ta kopjojmë lojën e Spanjës në Botëror, por duhet ta kopjojmë projektin e tyre. Për 10 vite ata kanë punuar me të njëjtën filozofi në mënyrë që ta fitojnë Botërorin dhe Kampionatin Evropian”.
“Ne kemi me tonelata të lojtarëve si Xavi dhe Iniesta, por në vend që t’ua japim atyre topin, ne po u japim pesha për të ngritur dhe ky është gabim”, u shpreh Batista për Ole.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se një sezon pa trofe do të ishte asgjë tjetër pos dështim.“Nëse nuk e fitojmë La Ligën ose Ligën e Kampionëve këtë sezon, atëherë ky do ishte dështim”, theksoi Mourinho, i cili më pas foli edhe për Barcelonën.
“Barcelona ka një dinamikë më ndryshe tani për tani, një filozofi që na kthen shumë vite prapa, lojtarë të cilët kanë qenë së bashku për shumë vite dhe një trajner i cili është duke hyrë në vitin e tretë të tij. Te Real Madridi, lojtari më veteran është Iker Casillas që është 29 vjeçar dhe trajneri sapo ka mbërritur”, deklaroi Mourinho për ESPN.
Milani ka shënuar fitore me anë të penaltive ndaj Panathianikosit në ndeshjen që përfundoi pa gola dhe e cila u zhvillua në Detroit.Që të dyja skuadrat hynë me formacione të forta. Milani në mbrojtje kishte Alessandron Nestan dhe Thiago Silvan, kurse sulmin e përbënin Seedorf dhe Boriello. Edhe Panathinaikos nuk mbeti prapa, por luajti me Sotir Ninin, Sidney Govoun dhe Djibril Cissen.
Grekët e Panathinaikos ishin dominantë që nga fillimi i ndeshjes, ndërsa Milani praktikisht nuk bëri asgjë, pos një goditjeje të Gennaro Gattusos.
Ishin dy golat e anuluar të Panathinaikos momentet më kulminante të sfidës. Pasi një top tejkaloi tërë mbrojtjen e Milanit, Cisse arriti të fuste topin në rrjetë, por anësori e anuloi golin me pretekst pozitë jashtë loje. Në minutën e 55-të, goditja e Sidney Govous kaloi vijën e golit, por goli nuk u pranua për shkak se ka s’pastruar Bonera. Gol i pastër i shfuqizuar ky.
Ndeshja u desh të përcaktohej në penalti, ku dominantë u treguan Rossonerët që fituan me rezultat 5-3. Milani nuk di për fitore në ndeshjet parasezonale, pasi edhe pas Emirates Cup ku Rossonerët barazuan dy herë edhe ndaj Panathinaikos ndodhi e njëjta gjë.
Portieri i Lazios, Fernando Muslera, ka deklaruar se mesfushori italian, Cristian Ledesma, do të qëndrojë në Olimpico të Romës dhe se nuk e ka ndërmend të largohet te ndonjë skuadër tjetër italiane.“Ai ndihet mirë dhe dëshiron që ta vazhdojë karrierën në Romë, ai kurrë nuk ka thënë se do të largohet nga klubi, dhe është tejet i lumtur këtu”, është shprehur Muslera.
Cristian Ledesma në të kaluarën është lidhur me një kalim te gjiganti italian, Milan.
Lazio ka konfirmuar se ka transferuar mesfushorin e Sao Paolos, Anderson Hernanes Carvalho Andrade Lima, i njohur shkurt si Hernanes.Hernanes thuhet të ketë nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Lazion, ndërsa shuma e tranferimit sipas mediave braziliane besohet të jetë 11 milionë euro. Drejtori i Lazios, Igli Tare, vendosi për publikimin e transferimit pas eliminimit të Sao Paolos nga Copa Libertadores, përkundër faktit se nënshkrimet e marrëveshjes i kishte një ditë më parë.
Hernanes në Brazil konsiderohet si “Kaka i dytë” dhe tani ka marrë dhe ftesën nga përzgjedhësi brazilian, Mano Menezes. Për Hernanes në të kaluarën kanë qenë të interesuar Interi dhe Milani.
Mesfushori i Real Madridit, Kaka, ka pranuar se ai ka pasur probleme me gjurin e tij para fillimit të Botërorit të sivjetmë, por tha se ai nuk e ka ditur se është lëndim serioz.“Unë kam pasur ndezje të gjurit sezonin e kaluar, por edhe para fillimit të Botërorit, por nuk e dita se ishte serioze. Ne të gjithë e kemi ditur, edhe mjekët, që e kam pasur këtë problem, por kemi menduar mos është për shkak të dëmtimit në ije. Më vonë e kuptova pas pushimit, se kjo është serioze. Mourinho ka qenë shumë i mirë me mua dhe më ka thënë se dëshiron të më kthejë në 100 përqindëshin tim. Për këtë jam shumë i lumtur”, ka thënë Kaka.
Nga ana tejtër, Jose Luiz Runco, mjeku kryesor i stafit mjekësor brazilian, u është përgjigjur akuzave duke thënë se Kaka nuk e ka rrezikuar karrierën.
“Ky tip i lëndimeve paraqitet tek atletët. Kaka nuk e rrezikoi karrierën në asnjë moment. Ne duhet të jemi të kujdesshëm çfarë flasim, të kujdesshëm kur nuk respektohet etika mjekësore. Kam përvojë më se 32 vjeçare në punë me atletë. Është normale që ndonjëherë rezultatet nuk janë favorizuese. Kaka nuk luajti në gjendjen normale. Ai ka shfaqur përparim gjatë Botërorit, që ia lejoi të ishte njeri i ndeshjes në disa nga ndeshjet e Brazilit”, deklaroi Runco.
















