Mjeshtri i mesfushës së Barcelonës, Xavi, ka thënë se Blaugranët do të tentojnë përsëri që ta transferojnë Fabregasin në janar.“Askush këtu në Barcelonë nuk është dorëzuar për Fabregasin. Ne e kemi bërë këtë shumë të qartë. Nëse Arsenali do të jetë prapa Chelseat dhe Manchester Unitedit në Ligën Premier, atëherë ai do të dëshirojë edhe më shumë që të largohet”.
“Nëse ndodh kjo, atëherë unë nuk e di se si mund ta ndalin atë që të na bashkohet në janar. Ju nuk mund të fusni në kafaz një kafshë që është e menduar të jetojë në botën e egër dhe ju nuk mund të fusni në kafaz një lojtar të talentuar si Cesc. Ai duhet të jetë te një klub ku mund të fitojë trofe”.
“Pa të ata nuk kanë gjasa të fitojnë tituj të mëdhenj dhe nëse nuk mund të krijojnë skuadër për të fituar tituj, atëherë nuk është e drejtë ta mbajnë Fabregasin pa dëshirë. Ai ka derdhur djersë, gjak dhe lot për klubin, por nuk e ka pasur cilësinë e duhur përreth tij për të fituar tituj”, u shpreh Xavi për Daily Star Sunday.
Ylli i Milanit, Andrea Pirlo, thotë se Carlo Ancelotti mund ta udhëheqë Chelsean drejt triumfit në Ligën e Kampionëve këtë sezon.Italiani ka luajtur nën urdhërat e Ancelottit në Milan dhe dëshiron që italiani të fitojë garën evropiane edhe me klubin e tij të ri.
“Chelsea ka ekipin më të fuqishëm në Evropë këtë vit, më të fuqishëm se Real Madridi dhe Barcelona. Në të vërtetë ata mund të fitojnë tre tituj, përfshirë edhe Kupën Evropiane”, theksoi 31-vjeçari Pirlo.
Nani iu ka thënë fansave të Manchester United se ai është i vendosur të bëhet lojtari më i mirë në botë.Sezonin e kaluar Nani ishte në formën më të mirë të tij në fanellën e United, dhe ka premtuar se këtë sezon do të jetë edhe më i mirë.
“Dua të bëhem një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe do të punoj shumë për ta arritur këtë. Jam përmirësuar sezonin e kaluar. Kam treguar më shumë maturi, më shumë personalitet dhe mentaliteti im është bërë më i fuqishëm”, ka thënë anësori për Mail on Sunday.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka lëvduar mentalitetin e ekipit të tij, pas rikthimit nga dizavantazhi prej 2-0 ndaj La Galaxy, për ta fituar ndeshjen me rezultat 3-2.“Më pëlqeu mentaliteti i ekipit. Ata nuk dëshiruan që të pësojnë humbje. Unë gjithmonë u them lojtarëve të mi se nuk ekzistojnë ndeshje miqësore, se ndeshjet parasezonale shërbejnë për të bërë ndryshime të shumta dhe që fitorja nuk ka rëndësi”.
“Nuk më pëlqen fjala ‘miqësi’ në futboll. Unë mund t’u them lojtarëve se dua ta fitoj secilën ndeshje. Ka pasur momente që nuk më pëlqyen në dy ndeshjet tona, por ajo është logjike, për shkak se ne vetëm po punojmë dhe po mësojmë dhe ka edhe shumë gjëra për t’u regulluar”.
“Kur e them këtë, më duhet të shtoj se ka pasur shumë gjëra që më pëlqyen, sikurse kjo pjesë e dytë e ndeshjes ndaj La Galaxy. Më pëlqeu si luajtëm në mbrojtje, se si bëmë presion, se si luajtëm me top dhe se si arritëm të shënojmë”.
“Gonzalo Higuain është top sulmues. Ai shënoi dy gola, që është mjaft me rëndësi për një sulmues. Çfarë më pëlqeu më shumë ishin lëvizjet e tij në fushë, të cilat ishin të një sulmuesi inteligjent. Ai e bën lojën të lehtë për sulmuesit tjerë, sepse ai luan nga mbrapa dhe hap hapësira përpara”, deklaroi Mouinho.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, thotë se dëshira e tij për trofe këtë sezon është më e shprehur se kurrë më parë.Holandezi thotë se tash është radha për të fituar Kupën Botërore të Klubeve me Interin, gjatë këtij viti.
“Pas Kupës Botërore dhe pushimeve jam i lumtur që jam rikthyer në shtëpi dhe që kam filluar të stërvitem përsëri, dhe që mund të rikthehem në fushë shumë shpejt”, ka thënë lojtari për Inter Channel.
“2010 ka qenë një vit fantastik për mua dhe Interin, dhe shpresoj ta mbylim këtë vit me më shumë trofe përfshirë edhe Kupën Ndërkontinentale. Tash do të luajmë kundër Romës në Superkupën e Italisë dhe objektivi ynë është të ngrejmë trofeun e parë të sezonit të ri”, ka shtuar holandezi.
Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, thotë se klubi katalanas ka qenë fituesi më i madh nga Kupa Botërore e këtij viti.Ishin tetë lojtarë të Barcelonës në mesin e ekipit prej 23 lojtarëve që trumfoi në Afrikën e Jugut, me shtatë prej tyre (Carles Puyol, Gerard Pique, Xavi, Sergio Busquets, Andres Iniesta, Pedro dhe David Villa) që ishin startues në finalen kundër Holandës.
“Barcelona e fitoi Kupën Botërore me një fanellë tjetër, ose me fanellë të gabuar. Stili i lojës ishte ai i Barcelonës, por aty kishte edhe lojtarë të tjerë nga klube të tjera të cilët ishin fundamental”, ka thënë Laporta për El Mundo.
Zëvëndëspresidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka thënë se Blaugranët po shikojnë në alternativa tjera për këtë merkato, pas dështimit për ta transferuar Cesc Fabregasin nga Arsenali.“Së pari ne do të shikojmë në ekipin B dhe më pas do të marrim një vendim. Ne kurrë nuk fillojmë duke kërkuar së pari nëpër treg, klubi gjithnjë punon në këto gjëra. Ne kemi bërë dy oferta për Fabregas, një në qershor dhe një tjetër në fillim të gushtit, por Arsenali nuk deshi ta shiste dhe ata nuk pranuan ofertat tona. Ata nuk kanë vënë çmim mbi të, ata vetëm thanë se nuk është në shitje”.
“Ne bëmë një ofertë të arsyeshme, por ata thanë ‘jo’. Kundër-oferta nuk kishte domethënie në atë rast. Nëse Arsenali do të dëshironte ta shiste, Cesc edhe më shumë. Bordi aktual e gjeti veten duke negociuar me një klub si Arsenali, që ishte i hidhëruar në Barcën”, tha Bartomeu.
Real Madridi ka arritur të bëjë një rikthim sensacional ndaj skuadrës amerikane, La Galaxy, të cilën e mposhti me rezultat 3-2 në një miqësore parasezonale.Real Madridi e filloi ndeshjen me formacionin e dytë, por me kohë në lojë u inkuadruan edhe lojtarët më me emër. Fillimisht në epërsi kaluan vendasit e Galaxyt. Todd Dunivant zhbllokoi shifrat për 1-0 (40’), kurse rezultatin e dyfishoi Landon Donovan nga penaltia në minutën e fundit të pjesës së parë (45’).
Gonzalo Higuain e filloi rikthimin sensacional në minutën e 52-të, kurse 10 minuta më vonë (62’), rezultatin e barazoi përsëri, 'El Pipita' Higuain. Golin e fitores për Los Blancos e shënoi transferi i ri Pedro Leon (71’).
Kjo është fitorja e dytë e Real Madridit në miqësoret parasezonale, që natyrisht se mund të jetë indikator i asaj që mund të presim nga Reali sezonin e ardhshëm.
Miroslav Klose ka shkëlqyer duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër, për të ndihmuar kështu Bayernin e Munichut të fitojë edhe një trofe tjetër të rëndësishëm, Superkupën e Gjermanisë.Pas një pjese të parë pa gola, ishte Thomas Mueller ai i cili i dha avantazhin kampionit të Gjermanisë. Pas një kundërsulmi të shpejtë të Bayernit, Miroslav Klose u gjend i vetëm para portierit, duke pasuar në të majtë te Mueller i cili nuk huqi në portën e zbrazët (75’).
Tetë minuta para fundit të ndeshjes, Klose shënoi golin e dytë duke vulosur fitoren e bavarezëve (82’).
Ky është trofeu i tretë këtë vit për Bayernin, pasi sezonin e kaluar ekipi i drejtuar nga trajneri Louis Van Gaal fitoi kampionatin gjerman dhe Kupën e Gjermanisë, andaj u përball në finalen e Superkupës me nën-kampionin, Schalke 04.
















