Ylli i Manchester Cityt, Carlos Tevez, thotë se ai është i kënaqur nën drejtimin e trajnerit Roberto Mancini, për të cilin ka vetëm fjalë të mira.
“Më pëlqen Mancini dhe vërtet dua të qëndroj këtu. Dua të gjithë ne të mbetemi dhe të vazhdojmë këtë projekt ambicioz të cilin e kemi filluar. Menaxheri na jep vazhdimësi, diçka për të cilën ka nevojë çdo futbollist për ta treguar më të mirën. Ai më ka ndihmuar ta kthej vetëbesimin”.
“Falë trajnerit dhe bashkëlojtarëve të mi, punët kanë shkuar mirë për mua dhe kjo ishte një arsye që kam pasur një sezon të shkëlqyeshëm. Ne jemi një ekip që përparojmë së bashku. Jemi të lumtur me atë që kemi bërë deri tash, por e dimë se ky sezon do të jetë sfida jonë më e madhe”, ka thënë Tevez.
Kush tjetër pos Real Madridit është shpallur klubi që ka shpenzuar më së shumti gjatë dhjetë viteve të fundit.
Që nga viti 2000, Real Madridi ka shpenzuar më se 1 miliardë euro në transferime, me Barcelonën në pozitën e dytë me 713 milionë euro.
Cristiano Ronaldo (94 milionë euro), Zidane (72 milionë euro) dhe Kaka (64 milionë euro), janë tre transferimet më të shtrenjta në histori të Real Madridit.
Vitin e kaluar, Real Madridi theu rekordin e të hollave të shpenzuara gjatë një afati kalimtar veror. Los Blancos shpenzuan hiç më pak se 264 milionë euro, rekord që lë nën hije 400 milionë eurot e shpenzuara nga Manchester City për një periudhë trevjeçare.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka refuzuar që të mbështetet në lëndimin e asit brazilian Kaka, në rast të disfatave të mundshme në sezonin e ri.
“Gjëja më e rëndësishme është që ai është operuar dhe nuk ka dyshime për statusin dhe riaftësimin e tij. Përkrah kësaj, unë si lider i grupit, nuk mund të humbas kohë duke qarë për një lojtar”.
“Unë kam shumë lojtarë tjerë me të cilët duhet të punoj. Filozofia ime është që të mos kem dyshime dhe vajtime. Unë nuk dyshoj në cilësinë e stafit tonë mjekësor. Unë nuk do të flas për Kakan gjatë kohës sa do të mungojë”, u shpreh Mourinho.
Manchester United do të vazhdojë luftën për transferimin e mesfushorit gjerman, Mesut Ozil dhe sipas mediumeve britanike, është e mundshme që Djajtë e Kuq ta zyrtarizojnë tranferimin në ditën e mbylljes së afatit kalimtar veror.
Daily Mail shkruan se United mezi pret të nënshkruajë me yllin e Botërorit të sivjetmë. Werderi po kërkon 20 milionë funte dhe gjermanët do t’i zhvillojnë negociatat me klubet e ndryshme deri në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, kur pritet të pranohet oferta më e mirë për supertalentin.
Agjenti i Ozil thuhet të ketë biseduar edhe me Barcelonën dhe Real Madridin, por 21 vjeçari është skeptik sa i përket vendit në përbërjet e para të klubeve spanjolle. Ozil ka edhe një vit kontratë dhe kjo është mundësia e fundit për Werderin që të fitojë para të majme nga shitja e gjermanit me origjinë turke.
Ish-ylli i Tottenhamit dhe Liverpoolit, Jamie Redknapp, beson se Gareth Bale mund të bëhet më i miri në pozitën e tij në Ligën Premier, që nga koha e Ryan Giggsit.
“Bale mund të bëhet futbollisti më i mirë i krahut të majtë në Ligën Premier, që nga koha e Ryan Giggsit. Ai mbulon aq shumë hapësira dhe tani shfaq bindjen se mund t’i përmbushë premtimet”.
“Nëse Spursat do të kenë sezon të mrekullueshëm, unë e pres këtë lojtar të ri në zemër të tij. Unë do të dëshiroja të ishte anglez, por në vend të kësaj ai do të luajë kundër nesh për Uellsin në Euro 2012”, shkroi Redknapp në kolumnën e tij në The Mirror.
Portieri i Stoke Cityt, Asmir Begovic, është shndërruar në top prioritet për skuadrën e Chelseat.
Daily Mail pohon se bosi i Bluve, Carlo Ancelotti, përkundër faktit se ka paralajmëruar rikthimin e Peter Cech në start të sezonit në Ligën Premier, tani e ka bërë prioritet portierin e Stoke Cityt .
Strategu italian nuk është i sigurt se Ross Turnbull apo Hilario mund ta mbulojnë me sukses portierin Cech dhe prandaj Begovic shihet si portier i dytë ideal për Chelsean.
Agjenti i FIFA-s dhe këshilltari i transferimeve te Real Madridi, Ernesto Bronzetti, ka konfirmuar të dielën në mbrëmje se Maicon do të qëndrojë te Interi.
Sipas spekulimeve që qarkullonin, është thënë se Interi e ka nxjerrë Maiconin nga merkatoja pas kërkesës publike të Benitezit për të qëndruar braziliani, por këtij mendimi nuk i korespondon prononcimi i Bronzettit.
“Bisedimet mes dy klubeve kurrë nuk janë zhvilluar ashtu siç është dashur. Unë flas me Florentino Perezin çdo ditë dhe jam në dijeni që kërkesat e Interit janë larg vlerësimeve të Real Madridit, marrë parasysh moshën e lojtarit. Asgjë nuk ka ndodhur pas kësaj”.
“Është e vërtetë se Jorge Valdano është takuar me agjentin e Maicon javë më parë, por siç thashë, çmimi ishte tejet i lartë. Ç’është e vërteta, Florentinho Perez e ka harruar idenë e transferimit të Maicon shumë kohë më parë”.
“Nxjerrja e Maiconit nga merkatoja nuk është vërtet ndonjë lëvizje taktike nga Interi, pasi që asnjë klub nuk do ta transferonte për atë çmim. Vendosja e një çmimi të tillë ishte një lëvizje e mirë, pasi që ata kurrë nuk dëshiruan ta shesin atë. Unë mund t’iu them se spekulimet për kalimin e Maiconit te Real Madridi definitivisht kanë mbaruar. Klubi po shikon në lojtarë që nuk luajnë në Serie A”.
“Perez nuk do ta kishte problem transferimin e lojtarit për Mourinhon, por pasi i pa kërkesat e Interit, ai vendosi që të tërhiqej. Unë vërtet nuk e shoh transferimin të ndodhë. Sigurisht se Maicon do ishte i interesuar për një ribashkim me Mourinhon, por nëse më pyesni mua, gjithë ajo që është thënë për transferimin e Maiconit nuk ka gjasa që të ndodhë”, deklaroi Bronzetti për Sky Sport Italia.
Arsenali është duke e shqyrtuar hauzimin e portierit të Manchester Cityt, Shay Given, pasi që Roberto Mancini pritet ta emërojë Joe Hart si portier të parë të ekipit.
Menaxheri i Arsenalit mezi pret që t’i mënjanojë problemet në portë dhe duke parë mundësinë që Given të qëndrojë në pankinë, Wenger pritet që ta shfrytëzojë rastin, nëse mund t’i besojmë tabloidit anglez, The Mirror.
Nëse do të pyetej Given, ai do të pranonte menjëherë kalimin te Arsenali, por mbetet të shihet nëse Mancini do të mbështetet në portierin i cili konsiderohet si e ardhmja e portës së kombëtares angleze, Joe Hart.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Glen Johnson, mendon se mbajtja e yjeve në skuadër, është sinjal i qartë për kundërshtarët tjerë, duke shtuar njëherit se për Liverpoolin do jetë fillim i një epoke të re.
“Unë gjithnjë kam shpresuar që Torres të qëndrojë. Liverpooli ka mbetur i fortë dhe ne kemi mbajtur lojtarët tanë më të mirë. Ky është një sinjal më vete për të tjerët. Unë e njoh Joe Cole me vite të tëra dhe është mirë ta kemi edhe një lojtar të tillë këtej pari. Ai i hapë mbrojtjet dhe mendoj se do jetë lojtar i madh për Liverpoolin”.
“Definitivisht ndjehet sikurse fillim i ri. Ne po shpresojmë se do jetë më mirë këtë vit, të gjithë duan që të kthehemi në top katërshe. Vendi i katërt është minimumi për sezonin e ardhshëm”, tha Johnson për The Sun.
Agjenti i sulmuesit kontrovers të Sampdorias, Antonio Cassano, ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhnin klientin e tij me një kalim te Interi.
“Unë mund të konfirmoj se Cassano nuk do të shkojë te Interi. Nuk kam dëgjuar se e ka kërkuar dikush nga Interi gjatë afatit kalimtar veror”.
“Unë mund t’iu garantoj se Sampdoria nuk do ta mohoj veten për klientin tim edhe nëse skuadra dështon të kualifikohet në Ligën e Kampionëve”, tha Giuseppe Bozzo për FCinternews.it.
Jose Mourinho - Real Madrid Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka përjashtuar mundësinë e transferimit të Steven Gerrard dhe Ricardo Carvalhos në Bernabeu.
“Gerrard është pjesë e historisë së Liverpoolit, ai i takon klubit. Ai është tepër i rëndësishëm për ata. E njëjta gjë ndodhi kur tentova ta marr Frank Lampardin te Interi. Problemi qëndron në atë se klubet që blejnë lojtarët 30 vjeçarë, nuk mund t’i shesin më”.
“Carvalho është lojtar i mirë, por ai është në një moshë në të cliën nëse shikoni ta ndërtoni ekipin, ju nuk mund të mendoni për të. Carvalho është lojtar i momentit, ai është lojtar me një jetë mjaft profesionale dhe private, kështu që ai nuk e ka problem të luajë në moshën 32 vjeçare”, u shpreh Mou.
Menaxheri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se Arsenali ka pasur të drejtë që ka bllokuar largimin e kapitenit të vet, Cesc Fabregas.
Në atë që u dëshmua të jetë saga më e gjatë e tranferit gjatë këtij sezoni, Barca dështoi të marrë shërbimet e Cesc Fabregas me dy oferta të refuzuara nga Arsenali. Wenger gjithmonë ka përsëritur se mesfushori dinamik nuk ishte në shitje dhe i ka qëndruar besnik premtimit të tij.
“E kuptoj Arsenalin dhe e kuptoj Arsene Wenger, as unë nuk do ta kisha lejuar Fabregas. Vetëm shpresoj që Cesc të vazhdojë të shijojë atë ligë të veçantë dhe kompetitive, Ligën Premier”, ka thënë Guardiola.
Pas rikthimit të Milanit nga turneu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, trajneri Massimiliano Allegri ka thënë se forma e ekipit ka nevojë ende të përmirësohet para fillimit të sezonit të ri.
“Jam i lumtur pasi ekipi ka një formë të mirë fizike. Megjithatë, në favor të një paraqitje më spektakolare ka shumë për t’u bërë“.
“Ne ende kemi 20 ditë të mbetura deri në fillim të sezonit dhe përfundimisht ka kohë për të punuar për të arritur formën dhe mentalitetin e duhur”, ka thënë Allegri.
Rosonerët do ta fillojnë sezonin e ri ndaj Lecces më 29 gusht.
Mesfushori portugez Deco ka nënshkruar marrëveshje dyvjeçare me klubin brazilian Fluminense.
Deco edhe zyrtarisht është larguar nga Evropoa, pasi portugezi ka nënshkruar marrëveshje me Fluminense për të cilin ekip do të luajë gjatë dy viteve të ardhshme.
Ish-lojtari i Barcelonës dhe Chelseat është transferuar te ekipi brazilian si lojtar i lirë. Për këtë arsye edhe paga e tij do të jetë dukshëm më e lartë, dhe sipas informatave ai do të përfitojë 9 milionë dollarë në vit.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ishte mjaft i qetë pas humbjes së pësuar nga Manchester United në kuadër të Superkupës së Anglisë.
“Ne luajtëm me temp të ngadalshëm në pjesën e parë. Ne patëm kontroll të mirë të lojës, por nuk patëm gjasa për arsye se loja jonë ishte e ngadalshme dhe United kishte epërsinë në fund të pjesës së parë. Nuk ishte dita jonë më e mirë, por është normale, mund të ndodhë në start të sezonit”.
“Mendoj se Manchester United luajti më mirë, por ne duhet të shikojmë përpara në fillimin e sezonit të ri. Gjëja pozitive është që kemi më shumë minuta në këmbët e lojtarëve tanë. Është e pamundur për disa prej lojtarëve të jenë të gatshëm fizikisht pas vetëm dhjetë ditë të parasezonës. Lojtarët të cilët u kthyen nga pushimet e tyre më 26 korrik duhet të përmirësojnë kondicionin. Nuk jam i brengosur për humbjen e katërt parasezonale. Ne duhet të shikojmë përpara”, deklaroi pas ndeshjes ‘Carlito’.
Përderisa Mesut Ozil po tërheq interesimin e tërë Evropës, trajneri i Werder Bremenit, Thomas Schaaf u shpreh të jetë mjaft i relaksuar për të ardhmen e futbollistit gjerman.
“Nuk mund t’iu jap informata të reja, përpos se ai është lojtar i Werderit dhe ai luan për Werder Bremenin. A do të qëndrojë? Po, mendoj se po”.
“Mertesacker te Arsenali? E dini si, tani jemi në kohën e spekulimeve. Në këtë moment kampionatet nuk kanë nisur, kështu që të gjithë po krijojnë lajme për atë që mund të ndodhë. Ju mund të ndiheni të sigurtë se Mertesacker do luajë për Werder Bremen sezonin e ardhshëm”, tha Schaaf për Sky Sports.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ishte i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij ndaj Chelseat në Superkupën e Anglisë, por Fergie ishte i irrituar me kalendarin e ngjeshur para sezonit të ri.
“Ne kemi aq shumë lojtarë larg skuadrës për ndeshjet miqësore të përfaqësuesve, por fatmirësisht e kemi ndeshjen e parë ndaj Newcastle të hënën. Nuk mendoj se dikush e kupton se pse na janë nevojitur këto miqësore para fillimit të sezonit, por kemi pasur fat në këtë”.
“Ishte një paraqitje mjaft e mirë ajo dhe jam shumë i kënaqur me lojtarë si Wayne Rooney, Michael Owen dhe Park Ji-Sung të cilët po i kthehen formës më të mirë. Futbolli i aplikuar në disa momente ishte shumë i mirë. Mendoj se e merituam fitoren. Nuk e di nëse Rooney dhe Park janë të gatshëm. Miqësoret e mesjavës janë bonuse për ata, ndërsa Owen nuk besoj se do ta ketë problem ta gjejë veten në stërvitje”, deklaroi Ferguson pas ndeshjes.
Në kohën kur po spekulohet se Rafa Benitez ka urdhëruar heqjen e të gjitha fotografive të Jose Mourinhos nga qendra stërvitore në Appiano Gentile, përgjigja nga portugezi ishte e shpejtë dhe tejet thumbuese për teknikun spanjoll të Interit.
“Një gjë është e sigurt – Rafa Benitez nuk do të jetë kurrë më i suksesshëm se unë te Interi. Një gjë tjetër e vërtet është se nëse ai e ngrit Kupën e Botës për Klube, atëherë ai do t’i fitonte në atë rast dy ndeshje krahasuar me mua që i fitova 13. Për këtë arsye, do të jetë trofeu im dhe jo i tij”.
“Nuk ka nevojë që fotot e mia të qëndrojnë aty pranë që të tjerët të më duan dhe të më mbajnë në zemër. Kur unë isha trajner i Interit, unë kurrë nuk kam kërkuar largimin e fotove të Herreras apo Mancinit. Nëse atyre nuk u pëlqejnë fotot e mia, në rregull nuk është problem. Unë gjithnjë kam pasur raporte të mira me familjen Inter”.
“Unë i dëshiroj Benitezit sukses në rolin e tij, jo për shkak se e dua atë, por për shkak se ai është duke e drejtuar ekipin që më takon mua, tifozëve të mi dhe presidentit tim”, deklaroi në mënyrë sensacionale ‘I veçanti’ për Sunday Times.
Asi i Real Madridit, Kaka, mendon se bashkëkombasi i tij, Ramires, do të jetë transfer shumë i suksesshëm te Chelsea.
“Unë jam i lumtur që Ramires i është bashkuar një top klubi evropian. Por, aktualisht mendoj se është shumë frikësuese kjo për Ligën Premier dhe ekipet që do të tentojnë ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Për mua, nuk ka dyshim se Chelsea e ka transferuar mesfushorin më të mirë të ri në botë”.
“Tani ai është te Chelsea dhe mendoj se do të bëhet mesfushori më i mirë në botë brenda dy vitesh dhe do të bëhet i kategorisë së Claude Makelele, Roy Keane dhe Patrick Vieira. Jo vetëm që është lojtar i madh, por ai është një djalosh i mirë që do të dëgjojë dhe mësojë shumë nga ata që kanë njohuri në futbollin anglez”.
“Frank Lampard ka edhe dy vite në maje të futbollit dhe jam i sigurt se mund të jetë këshillues i mirë për Ramires. Këta dy mund të formojnë një partneritet të jashtëzakonshëm të cilin askush në Ligën Premier nuk do të arrijë ta thyejë. Ai mund të marrë topa, të pasojë, punon shumë, është i fuqishëm dhe mund të shënojë gola”.
“Ai do ta bëjë mesfushën e Chelseat të duket e frikshme. Në një moshë aq të re, Ramires luan pa frikë dhe po luan te një klub aq të madh, kurse ndeshjet e mëdha nuk do të jenë problem për të. Nuk e shoh dikë që mund ta ndalë Chelsean t’i fitojë dy tituj të Ligës Premier me radhë”, deklaroi Kaka për Daily Star Sunday.
Trajneri i LA Galaxy, Bruce Arena, ka hedhur poshtë pohimet se David Beckham nuk do të jetë në gjendje të luajë në nivelet më të larta të futbollit, pasi që për mendimin e strategut të Galaxyt, Beckham do të luajë deri në moshën 45 vjeçare.
“Duke e njohur atë, ai mund të luajë deri në moshën 45 vjeçare. Të gjitha pohimet se karriera e tij ka përfunduar janë të pasakta. Ne gjithmonë kemi thënë se Beckham do të luajë ende këtu në LA Galaxy dhe do ta përfundojë karrierën këtu”.
“Ai do të kthehet përsëri në fushë në një të ardhme të afërt. Ai është duke i tejkaluar parashikimet, kështu që mendoj se ai do të luajë përsëri këtë vit”, ka thënë Arena.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka zbuluar se ai nuk e ka ndërmend të ketë punë me futboll kur të penzionohet si lojtar.
“Pasi ta përfundoj karrierën nuk dua të përfshihem në futboll, as si menaxher, as si trajner, as si agjent apo në media. Unë dua të kem karrierë pas kësaj. Nuk dua që futbolli të jetë gjithçka. Unë nuk dua të jetoj pjesën tjetër të jetës duke jetuar me të kaluarën”.
“Unë kam mësuar shumë për pronat, jo vetëm për mua që të jetoj në to, por si biznes. Kjo më intereson, unë kam takuar shumë njerëz në këtë lojë, unë i dëgjoj ata dhe shikoj se çfarë mund të mësoj. Unë po mësoj për atë dhe po investoj në atë. Unë kam mjaft kohë mes futbollit dhe familjes për ta bërë atë”, sqaroi Lampard.
Javier Hernandez duke e festuar golin Manchester United është fitues i Community Shield apo ndryshe Superkupës së Anglisë, pasi mposhti Chelsean në Wembley me rezultat 3-1.
Manchester United shkatërroi Chelsean në saje të një loje fantastike të treguar nga Valencia dhe Nani, pa përjashtuar dhe repartet tjera të Djajve të Kuq. Chelsea nga ana tjetër nuk arriti të bëjë asgjë për një kohë të gjatë, pasi që me sukses aksionet janë larguar nga reparti defensiv i United.
Një top të gjatë të Michael Carrick e shfrytëzoi për mrekulli Wayne Rooney, i cili me një pasim e la në pozicion shënimi Antonio Valencian i cili u tregua i saktë (41’).
Lojtarët e Chelseat shikojnë Antonio Valencian duke shënuar në pamundësi për të intervenuar Një harkim i ulët në zonë i Antonio Valencias e gjeti në rast shënimi Javier Hernandezin, i cili realizoi golin e tij të parë në ndeshje zyrtare për Manchester United, për rezultatin 2-0 (76’).Javier Hernandez i gëzohet golit të parë për United në ndeshje zyrtare Pas inkuadrimit në lojë të Daniel Sturridge, gjërat filluan të ndryshojnë drastikisht. Salomon Kalou shënoi (83’) pas një topi të kthyer nga Van der Saar, i cili ndali goditjen e Daniel Sturridge.Salomon Kalou në momentin e shënimit të golit të nderit për Chelsean U desh që vetëm goli fantastik parabollues i Dimitar Berbatov në minutën e fundit të vuloste fitoren e parë të madhe të Manchester United në sezonin e ri me rezultat 3-1.
Manchester United me këtë fitore nis në mënyrën më të mirë sezonin, ndërsa Chelseat ende i mungon freskia fizike tek lojtarët, një pikë e dobët e paralajmëruar pak ditë më parë nga Carlo Ancelotti. Manchester United feston titullin e parë në sezonin 2010/2011
Yahya Kirdi Pronarët e Liverpoolit Tom Hicks dhe George Gillet, janë fare pranë arritjes së një marrëveshjeje për shitjen e klubit me biznesmenin sirian, Yahya Kirdi.
Sipas Sunday Mirror, dy amerikanët janë të gatshëm t’i bashkojnë forcat me Kirdin dhe ta përkrahin planin e tij 600 milionë funtësh për ta marrë nën drejtim Liverpoolin.
Hicks dhe Gillet nuk kanë pasur marrëdhënie më të mira në të kaluarën, por tani janë detyruar të bashkohen, për shkak se oferta e miliarderit, Kenny Huang, ka marrë aprovimin e Michael Broughton, Christian Purslow dhe drejtorit Ian Ayre.
Megjithatë, pritet që dy amerikanët ta çojnë çështjen e shitjes në gjyq, pasi që nëse kinezi Huang e blen Liverpoolin, atëherë amerikanëve nuk do t’u mbetet asgjë. Hicks dhe Gillet dëshirojnë që t’ia shesin klubit Kirdit dhe do të këmbëngulin deri në fund që klubi të mos i shitet ndonjë pronari të cilin ata nuk e dëshirojnë në Anfield.