Kombëtarja kuqezi ka arritur të shënojë fitore minimale ndaj Uzbekistanit në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Niko Kovana” të Durrësit.Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi sulmuesi Hamdi Salihi pas vetëm 14 minutash lojë. Kuqezinjtë dominuan gjatë gjithë ndeshjes, por ishin të pafat të gjejnë portën kundërshtare më shumë herë.
Kuzhe doli në fushë me Armend Dallkun, Lorik Canën, Debatik Currin dhe Kristi Vangjelin në mbrojtje, derisa mesfusha mbulohej nga Gjergji Muzaka, Klodian Duro, Ervin Bulku dhe Ansi Agolli.
Hamdi Salihi dhe Erjon Bogdani ishin të përzgjedhurit e trajnerit kroat për repartin e sulmit, ndërsa pika më e fortë ishte rikthimi në portë i Arjan Beqaj.
Ndeshja ndaj Uzbekistanit ishte testi i fundit i trajnerit Kuzhe në prag të dy ndeshjeve të para të vlefshme për kualifikimet për Euro 2012, asaj të 3 shtatorit në udhëtim te Rumania dhe tjetrës më 7 shtator si nikoqir i Luksemburgut.
Sulmuesi kosovar me nënshtetësi suedeze, Emir Bajrami, ka qenë në mesin e golashënuesve në fitoren 3-0 të Suedisë në miqësoren përballë kombëtares së Skocisë.Suedia e pa veten në avantazh të dyfishtë që në pjesën e parë të ndeshjes. Pas vetëm katër minutash lojë suedezët kaluan në epërsi falë një goli të shënuar nga i rikthyeri në kombëtare Zlatan Ibrahimovic.
Anësori shqiptar, Bajrami, i cili para fillimit të ndeshjes ishte lavdëruar nga ylli i Barcelonës, Ibrahimovic, dëshmoi vlerat e tij në takimin e sotëm, duke shënuar golin e dytë të ndeshjes (36). Rezultatin e vulosi Ola Toivonen me një gol dhjetë minuta në pjesë të dytë (56’).
Stoke City ka arritur marrëveshje me Sunderlandin për të transferuar sulmuesin Kenwyne Jones.Stoke i ka paguar Sunderlandit plot 8 milionë funte për Jones, i cili do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me klubin e ri.
“Kenwyne është një lojtarë i pazëvendësueshëm në këtë ditë, që është arsyeja se pse ai është një nënshkrim fantastik për këtë klub. Ne kemi nevojë për qëllime në ekip dhe po ashtu kemi nevojë për një konkurrencë të fuqishme në mesin e sulmuesve nëse dëshirojmë të vazhdojmë në këtë nivel”, ka thënë trajneri i Stoke Cityt, Pulis.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka thënë se top katërshja po bëhet më e lehtë për t’u cënuar nga skuadrat e nivelit ‘mesatar’ si City, Villa, Tottenham apo Everton, pasi që sipas skocezit, tani nuk ka skuadër të dobët.“Gjërat definitivisht ndryshuan sezonin e kaluar. Ishte një kampionat më ndryshe krahasuar me atë që kemi parë më parë. Ekipet e top katërshes e patën të vështirë dhe lëshuan pikë aty ku më së paku kanë pritur”.
“Ky është indikacion i përmirësimit që kanë bërë ekipet tjera dhe mendoj se do të jetë luftë dhëmbë më dhëmbë për vendet e top katërshes këtë sezon. Ne të gjithë duhet të jemi të alarmuar për rrezikun që paraqesin Aston Villa, Everton, Tottenham dhe Manchester City. Të gjithë do të sfidojnë për të hyrë në top katërshe”, tha Fergie.
Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, ka deklaruar se ai pret që ekipi i tij të arrijë kulmin e suksesit në Botërorin e vitit 2014.“Ne kemi një të ardhme të ndritur. Ka shumë ndryshime për t’u bërë dhe ky ekip duhet të nxjerrë maksimumin e potencialit për Botërorin 2014 në Brazil”, theksoi Loew.
Gjermania e zhvillon sonte në mbrëmje duelin miqësor ndaj Danimarkës. Shumica e yjeve të Botërorit nuk do të luajnë në këtë ndeshje.
FIFA ka publikuar ranglistën e përfaqësueseve më të mira, listë që ka nxjerrë në piedestal kampionin e botës, Spanjën, kurse Shqipëria është ngritur një pozitë më lartë, në atë të 70-tën.Spanja dhe Holanda nuk është befasi që okupojnë pozitat një respektivisht dy, por natyrisht se befasi është vendi i tretë, Brazili, që ka tejkaluar Gjermaninë e cila është në pozitën e katërt.
Shqipëria është ngjitur një vend më lart në ranglistën e FIFA-s, jo për shkak të ndonjë progresi, por për shkak të rënies për dy vende të Arabisë Saudite. Duhet përmendur edhe rënia drastike e SHBA-ve prej pesë vendesh.
Sipas mediave italiane, Interi ka hequr dorë nga tentimi për të angazhuar mesfushorin e Liverpoolit, Javier Mascherano dhe është kthyer kah Cristian Ledesma.Massimo Moratti tashmë ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga përpjekja për Mascheranon, i cili është vlerësuar me 25 milionë funte. Trajneri i Interit, Rafa Benitez, ka një listë të alternativave në maje të së cilës gjendet Ledesma.
Ai ka vetëm edhe një vit të mbetur nga marrëveshja me Lazion dhe nëse presidenti Claudio Lotito nuk dëshiron që lojtari të largohet pa asnjë cent të fituar, duhet ta shesë atë këtë verë.
Tuttosport shkruan se Benitez edhe në kohën kur ka drejtuar Liverpoolin kishte shprehur interesim për mesfushorin argjentinas.
Andres Iniesta thotë se nuk shqetësohet rreth asaj se sa është përforcuar Reali i Madridit dhe mendon vetëm për Barcelonën, e cila sipas tij është klubi më i mirë me futbollistët më të mirë.Lojtari i Barcelonës fitoi shumë lëvdata për paraqitjet e tij sezonin e kaluar me Barcelonën si dhe për paraqitjet me kombëtaren e Spanjës në Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010, dhe shihet si një prej favoritëve për të fituar “Topin e Artë” dhe shpërblimin e futbollistit më të mirë në botë për vitin e fundit. Megjithatë Iniesta thotë se ai është i fokusuar vetëm në qëllimet e Barcelonës.
“Qëllimet e mia personale janë të njëjta si edhe ato të Barcelonës. Fitimi i titujve është ajo që më bën të lumtur, i bën njerëzit të lumtur dhe unë e dua këtë. Shpërblimet individuale nuk më tregojnë shumë. Shqetësohem vetëm për atë që Barcelona të fitojë gjithçka dhe gjithkush të jenë të kënaqur”, ka thënë Iniesta.
Agjenti i Thiago Silva ka hedhur poshtë interesimin e Realit të Madridit për mbrojtësin e Milanit.Reali është lidhur me një transferim të lojtarit të kombëtares së Brazilit, derisa Jose Mourinho ka qenë në kërkim të një mbrojtësi të qendrës. Por, Paulo Tonietta ka thënë se Milani nuk do të lejojë largimin e klientit të tij.
“Për mua është shumë e qartë se Milani nuk ka interesim për të shitur Thiago Silva. Ne duhet ta respektojmë vendimin e Milanit. Nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë nga Real Madridi. Thiago është shumë i lumtur në Milan. E tashmja dhe e ardhmja e Thiago Silva është në Milan”, ka thënë agjenti për Calciomercato.
Kampioni i Spanjës, Barcelona, e ka bërë të qartë më shumë se 'një miliardë herë' se dëshiron ta mbajë Zlatan Ibrahimovicin në skuadër, por mediat vazhdojnë ta ‘transferojnë’ suedezin rreth e përqark Evropës.Gjiganti italian, Milani, është një nga ato ekipe që besohet se janë të interesuara në transferimin e ish-yllit të Interit, ndërsa Il Corriere dello Sport pohon se Rossonerët ende nuk janë dorëzuar në garë për të.
Milani është në merkato për një sulmues të ri ekstrem, por deri në këtë moment ka dështuar të finalizojë ndonjë marrëveshje. Milani dëshiron të arrijë një marrëveshje njëvjeçare huazimi me Barcelonën dhe t’ia paguajnë përgjysmë pagën suedezit. Megjithatë, nuk pritet që një ofertë e tillë të pranohet nga Blaugranët.
















