Wayne Rooney Manchester United ka arritur që të shënojë fitore të lartë me rezultat 3-0 ndaj skuadrës së promovuar këtë sezon në Ligën Premier, Newcastle United, para më se 75 mijë spektatorëve në Old Trafford.
Manchester United shfaqi paraqitje fantastike ndaj Newcatle United gjatë gjithë takimit, me një posedim të jashtëzakonshëm të topit dhe me raste të shumta. Rooney dështoi ta gjente rrjetën, por rrugës së golave iu rikthyen Berbatov dhe Giggs, ndërsa Scholes padyshim se ishte njeriu i ndeshjes.
Pas një pasimi fantastik të Paul Scholes, në zonë pozicionohet mirë Dimitar Berbatov që zhbllokoi rezultatin pas gjysmë ore lojë (33’). Berbatov një sezon nuk shënon, por zakonin se harron... United vazhdoi me dominimin gjatë pjesës së parë dhe e gjeti rrjetën për herë të dytë, pasi Fletcher u gjend mirë në një tollovi të krijuar në zonën e Newcastle, ku shënoi për 2-0 (42’). Fletcher shënoi gol në tollovi...që është specialiteti i tij ! Djajtë e Kuq vazhduan me dominimin e tyre në këtë ndeshje, por u desh që të vihej në pah klasi i veteranëve. Përsëri në skenë doli Paul Scholes, që asistoi për mrekulli te Ryan Giggs i cili me një vollej me të majtën arriti që ta vuloste fatin e takimit (85’) për rezultatin përfundimtar 3-0. Rooney si duket është duke i ruajtur ende golat që premtoi t'i shënonte në Botëror start i Manchester United është një përgjigje për Chelsean që poashtu e filloi sezonin e ri me demolim.
Didier Drogba dëshiron të ndihmojë Chelsean të arrijë të fitojë për herë të parë dy tituj, Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi i Bregut të Fildishtë shënoi hat-trick në ndeshjen e parë të sezonit, atë kundër West Brom, të cilën Chelsea e fitoi me rezultat të lartë 6-0 gjatë vikendit.
“Pse të mos shënoj 40 gola? Më parë do të shënoja 20 gola dhe të fitoj Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier. Nuk janë me rëndësi paraqitjet e mia, më shumë është për atë se çfarë do të fitojmë këtë sezon”, ka thënë 32-vjeçari.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka zbuluar se ai dëshiron të blejë edhe një sulmues tjetër.
Hodgson thotë se ai dëshiron të shtojë një sulmues në radhët e veta, me Peter Crouch që spekulohet se është cak i Redsave.
“Nëse vjen edhe një lojtar, do të ishte mirë të sjellim edhe një sulmues. Por do të doja që ai të jetë personi i duhur dhe nuk mendoj se duhet vetëm të shkojmë dhe të nënshkruajmë me dikë sepse mundemi. Është e rëndësishme nëse sjellim dikë i cili vërtet mund të plotësojë atë që ne kërkojmë”, ka thënë Hodgson.
Drejtori i Werder Bremenit, Klaus Allofs, ka mohuar spekulimet e mediave spanjolle, se Real Madridi ka bërë ofertë përfundimtare për Ozil.
“Ne nuk kemi marrë ndonjë ofertë të re. Nuk ka ndryshim. Unë thashë se oferta e tyre e parë ishte e papranueshme, por unë gjithashtu mund të them se oferta e tyre ishte qesharake. Kështu që, Ozil është lojtari ynë. Dhe besoj se kjo nuk do të ndryshojë”, precizoi Allofs.
Nga ana tjetër mediat spanjolle, duke përfshirë këtu dhe dy nga sportivet më të fuqishme në Gadishullin Iberik, AS dhe Marca, pohojnë se transferimi do të kompletohet së shpejti.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka premtuar se ai do të shënojë gola për Los Blancos në sezonin e ri, ndërsa është gjithashtu i hapur për transferime të sulmuesve tjerë.
“Unë kam harruar gjithë atë që ndodhi vitin e kaluar. Unë jam i bindur se do të shënoj shumë gola. Unë jam i fortë dhe do të punoj që t’i ndihmoj ekipit të fitojë tituj”.
“Sezoni i kaluar ishte i vështirë për mua, pasi që ishte hera e parë që luajta jashtë vendlindjes. Familja ime dhe unë tani jemi përshtatur me qytetin. Unë jam i lumtur që jam këtu”.
“Real Madridi është ekip i madh. Tani për tani sulmuesit e vetëm të vërtetë jemi unë dhe Gonzalo Higuain. Secili sulmues tjetër që do të vijë do të mirëpritet. Mourinho është trajner i madh. Ai flet me mua rregullisht, që është diçka që më pëlqen”, u shpreh Benzema për faqen zyrtare të Realit.
Përzgjedhësi i Italisë, Cesare Prandelli, ka dhënë pikëpamjet e tij në sezonin e ri të Serie A, duke pohuar se Roma do të jetë skuadra e vetme që do t’ia cënojë Interit Scudetton e gjashtë me radhë.
“Për kampionatin, nuk mendoj se ka alternativa kundër Interit. Massimiliano Allegri ka treguar se di të mësojë futboll me vlerë dhe profitabil, kështu që ka besim te Milani. Te Juventusi mungon cilësia, por nëse ekipi ndjek deri në vdekje Del Nerin, atëherë ata mund të jenë të frikshëm”.
“Roma mbetet forca më e frikshme anti-Inter”, tha Prandelli duke shtruar se duhet t’i mbajmë sytë kah Sebastian Giovinco i Parmës.
Ylli ganez, Kevin-Prince Boateng, është fare pranë kompletimit të transferimit te Milani, njofton Tuttosport.
Mesfushori i Portsmouthit iu bashkua bashkëlojtarëve të tij të ri të hënën në qendrën stërvitore në Milanello në ora 16:00, duke shfrytëzuar rastin për t’u njohur me Massimiliano Allegrin edhe pse kalimi nuk është zyrtarizuar.
Boateng pritet që së pari t’u nënshtrohet testeve mjekësore dhe nesër të stërvitet për herë të parë si lojtar i Milanit dhe madje të luajë në ndeshjen e Rossonerëve ndaj Juventusit në kuadër të trofeut Berlusconi.
Asnjë detaj financiar nuk është zbuluar. Pritet që së shpejti të ketë më shumë të reja rreth kësaj sage të transferimit, me kalimin e Boateng që pritet të zyrtarizohet brenda pak orëve.
UEFA ka bërë të ditura nominimet për lojtarët më të mirë në secilën pozitë, të cilat vlejnë edhe për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit.

Kampioni i Evropës, Interi, ka hiç më pak se 5 lojtarë në listën prej 12 të nominuarve, me Julio Cesarin, Lucion, Maiconin, Sneijderin dhe Diego Militon që pritet edhe t’i fitojnë çmimet. Bayerni nga ana tjetër ka vetëm një të nominuar, Arjen Robbenin.


Barcelona përfaqësohet nga Victor Valdes, Gerard Pique, Xavi dhe Lionel Messi, kurse Wayne Rooney i Manchester United është i vetmi lojtar nga Liga Premier.


Nominimet janë vendosur nga trajnerët e 16 ekipeve që kanë kaluar fazën grupore të sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, ndërsa secili do të ketë rastin për të votuar lojtarët veç e veç për secilën pozitë, ashtu si për çmimin kryesor të futbollistit më të mirë të vitit sipas UEFA-s.


UEFA Portieri më i mirë i vitit
Julio Cesar (Inter)
Hugo Lloris (Lyon)
Víctor Valdes (Barcelona)


UEFA Mbrojtësi më i mire i vitit
Lucio (Inter)
Maicon (Inter)
Gerard Pique (Barcelona)


UEFA Mesfushori më i mirë i vitit
Xavi Hernandez (Barcelona)
Arjen Robben (Bayern Munich)
Wesley Sneijder (Inter)


UEFA Sulmuesi më i mirë i vitit
Lionel Messi (Barcelona)
Diego Milito (Inter)
Wayne Rooney (Manchester United)


Shpallja e fituesve bëhet më 26 gusht në një ceremoni të veçantë në forumin Grimaldi.

Reina duke e bërë gabimin Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka dalë në mbrojtje të portierit të The Reds, Pepe Reina, pas gabimit katastrofal të spanjollit në ndeshjen e javës së parë ndaj Arsenalit në çastet e fundit të atij takimi.
“Për mua, ai është një nga portierët më të mirë në botë dhe natyrisht se ai këtë do ta vërtetojë gjatë sezonit. Ai vlen shumë më shumë se ato pikë të humbura për këtë klub. Unë nuk po e arsyetoj por ai ishte i pafat dhe mendoj se dielli luajti rol të madh”.
“Por, në ndonjë ndeshje tjetër, ne do të jemi duke fituar 1-0 dhe ai do të bëjë ndonjë intervenim të klasit botëror, kjo është ajo që bën ai. Këtu nuk ka fajtor. Të gjithë mund të dalin nga ndeshja kryelartë dhe krenarë me paraqitjet e tyre”, ka thënë ‘Steve G’.
Anësori i Chelseat, Florent Malouda, është i ngazëllyer me startin fantastik në sezonin e ri të Ligës Premier.
“Ky ishte reagimi perfekt për parasezonën tonë të keqe. Është me rëndësi për ne që të kemi një fillim të mirë, për shkak se jemi kampionë dhe ne e dimë se të gjithë duan të na mposhtim, kështu që të fitojmë në këtë mënyrë është mënyra më e mirë për t’ua kujtuar të tjerëve kush është kampioni”.
“Ne humbëm katër ndeshje radhazi dhe kjo kurrë nuk ndodh te Chelsea, por ne e dimë se kur fillon sezoni, lojtarët fillojnë të reflektojnë”, u shpreh Malouda.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk ka ndërmend të largohet nga kryeqyteti spanjoll për të luajtur diku tjetër.
“Nuk ka pasur oferta konkrete nga ekipet tjera. Unë nuk di asgjë për interesimin e mundshëm të ekipeve tjera. Kjo është vetëm një verë tjetër me më shumë spekulime dhe pak oferta konkrete”.
“Unë vetëm di atë që kam lexuar nëpër gazeta, por asgjë nuk erdhi në drejtim timin, asgjë si brenda ashtu dhe jashtë klubit. Derisa të mos ketë oferta, unë nuk mendoj për të ardhmen larg Atletico Madridit. Unë ndjehem mirë këtu, unë kam edhe tri vite kontratë me Atleticon dhe jam i lumtur këtu. Unë dua të qëndroj te Atletico Madridi”, tha Forlan.
Manchester City është i gatshëm që të lejojë largimin e Roque Santa Cruz drejt West Hamit, në kohën kur ‘qytetarët’ po kërkojnë s’pastrimin e skuadrës për shkak të rregullave të reja për 25 lojtarë në një ekip.
‘Çekanët’ e West Ham janë të gatshëm që të shpenzojnë 10 milionë euro në sulmuesin paraguaian, i cili gjithashtu është në radarin e menaxherit të Fulhamit, Mark Hughes.
City dëshiron të shkurtojë skuadrën në 25 lojtarë pas transferimit të shumë lojtarëve dhe rregullave të reja, ndërsa Santa Cruz është i pasigurt për vendin e tij në skuadrën e Cityt.
Gjigantët italian të Juventusit janë të pasigurtë nëse duhet ta lejojnë transferimin e Diegos te skuadra gjermane Wolfsburg.
Sipas Il Corriere dello Sport, ish ylli i Werderit ka arritur marrëveshje personale me ish-kampionin e Gjermanisë, por Luigi Del Neri nuk e di sakt nëse është mirë që ta shesë brazilianin.
Sidoqoftë, Juventusi ka pak kohë për të vendosur për të ardhmen e futbollistit dhe pos kësaj, dëshiron shërbimet e Edin Dzekos. Bianconerët kanë menduar një shkëmbim të drejtpërdrejtë mes futbollistëve, një hipotezë që u hodh poshtë nga Ujqit.
Milani dhe Juventusi mund të jenë të gatshëm që të bëjnë shkëmbim veteranësh, pasi që nëse mund t’i besojmë La Gazzetta dello Sport, Rossonerët dhe Bianconerët dëshirojnë të shkëmbejnë Kakha Kladzen dhe Fabio Grosson.
32 vjeçari Kaladze që është në gjendje të luajë edhe në qendër edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, është i padëshiruar në San Siro dhe prandaj ai mund të jetë atraktiv për Juventusin që kërkon të shtojë forcat në repartin defensiv përkatësisht në qendër të tij.
Grosso nga ana tjetër ka dështuar të ketë impaktin e pritur në Olimpico të Torinos, kurse Milani nga ana tjetër ka nevojë për përvojë në krahun e majtë, dhe reprezentuesi italian këtë e garanton.
Pengesa e vetme për realizimin e këtij transferimi është kërkesa prej 4 milionë eurosh, por në rast se këto kërkesa realizohen, atëherë ky shkëmbim mund të realizohet.
Sulmuesi i Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, është duke menduar vetëm për sezonin e ardhshëm me ekipin italian.
Huntelaar ka komentuar edhe disfatën e Milanit në Trofeo Tim nga Inter.
“Nuk jam shumë i lumtur që ekipi u mposht në penalti, por ata ishin 45 minutat e para të futbollit garues të cilin e kam luajtur këtë sezon. Besoj se është e rëndësishme të luash gjatë para-sezonit, dhe mendoj se gjithçka ka shkuar mirë për ne, pavarësisht humbjes në penalti”.
“Gjithçka ndihmon për të forcuar punën që po e bëjmë në Milanello. Për mua, ka qenë një javë e vështirë, por dua të jem i gatshëm për fillimin e sezonit”, ka thënë Huntelaar.
Sulmuesi i Sampdorias, Antonio Cassano, thotë se Juventusi do të përparojë nën drejtimin e trajnerit të ri, Gigi del Neri.
Sampdoria arriti të sigurojë pozitën e katërt në sezonin e kaluar të Serie A dhe të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve nën drejtimin e Del Nerit.
“Del Neri është një taktik i shkëlqyeshëm dhe ekipi që ai ndërton për të është i përkryer për idetë e tij. Do të shihni se në maj nëse ata nuk janë në maje, do të arrijnë atje me Interin. Prapa tyre i shoh Romën dhe Milanin”, ka thënë Cassano.
Sportivja franceze L’Equipe shkruan se Raul dhe Robinho mund të luajnë përsëri së bashku, pasi Schalke është e gatshme të ndajë 25 milionë euro për brazilianin.
Dy lojtarët luajtën krahas njëri tjetrit në Real Madrid në periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2008 dhe mund të ribashkohen kësaj here në Bundeliga.
L’Equipe shkruan se Schalke është e gatshme të ndajë 25 milionë euro për të marrë shërbimet e sulmuesit të Manchester Cityt, pasi më herët transferoi legjendën e Realit, Raul Gonzales.
26-vjeçari ishte përforcimi i parë i fuqishëm i Qytetarëve, pasi City i pagoi plot 42 milionë euro Realit të Madridi për brazilianin. Por Robinho nuk arriti të gjendet mirë në Eastlands dhe pjesën e dytë të sezonit të kaluar e kaloi si i huazuar te Santos. Sulmuesi ka kontratë me Cityn deri në vitin 2013, por tashmë ka shprehur dëshiron për t’u larguar.
Menaxheri i Tottenahmit, Harry Redknapp, nuk beson se Mancehster City mund ta fitojë titullin e Ligës Premier.
Redknapp nuk është i impresionuar nga City pas ndeshjes së parë të sezonit, që përfundoi pa gola. Pavarësisht investimeve të mëdha, City nuk tregoi ndonjë paraqitje të mirë.
“Sipas asaj që pashë, nuk i favorizoj ata. Kurrsesi nuk mund të them se ata do të jenë kampionë, para tyre ka ende shumë punë. Chelsea ka ekip, ka edhe Manchester United. Radhët e tyre janë të mbushura me lojtarë fantastik të cilët kanë përvojë dhe dinë të luajnë ndeshje të mëdha”, ka thënë Redknapp.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka përjashtuar mundësinë e shkarkimit të tij, pasi që mendon se ka ende disa hesape të pa sqaruara me elitën e Ligës Premier.
“Unë nuk dua gjashtë muaj, nuk jam Mark Hughes. Unë dua kohë, në mënyrë që t’i bëj lojtarët të luajnë mirë. Ne mund të përmirësohemi çdo ditë me punë. Nëse nuk punojmë, është e vështirë. Është me rëndësi që të mos përfundojmë në top katërshe, por më lart. Ne kemi katër gara dhe duam të fitojmë diçka. Gjithmonë duhet të luajmë për të fituar”.
“Unë jam i kënaqur, po. I frikësuar? Jo. Unë nuk jam i frikësuar sepse kam një ekip të mirë. Liga Premier përfundon në maj, jo në krishtlindje”, tha Mancini duke iu referuar shkarkimit në krishtlindje të Mark Hughes vitin e kaluar.
Sulmuesi i Liverpoolit, David N’Gog ka thënë se ai e sheh të ardhmen e tij në Anfield, duke shënuar shumë gola për Liverpoolin.
“Unë jam i lumtur te Liverpooli. Jam i fokusuar në klubin dhe po tentoj që të bëj më të mirën për Liverpoolin. Jam sulmues dhe dua të shënoj shumë gola për Liverpoolin. Unë punoj shumë për këtë, kështu që është mirë kur shpaguhet”.
“Kur Mascherano ma pasoi topin në zonë, unë nuk pashë shumë zgjidhje kështu që vendosa për një goditje dhe kjo është e tëra”, u shpreh N’Gog.
Sipas mediave spanjolle, Milani është i gatshëm që të luftojë me shpenzuesit e mëdhenj nga Liga Premier, për të siguruar shërbimet e sulmuesit suedez, Zlatan Ibrahimovic.
Sipas Sport, Ibra ka shprehur dëshirën për të kaluar te Milani, përkundër faktit se ka marrë një mega ofertë nga City që do ta bënte atë lojtarin më të paguar të të gjitha kohërave.
Barcelona nuk dëshiron të lejojë që Milani ta huazojë Ibran derisa Rossonerët të mos garantojnë pagat e suedezit, ndërsa Manchester City do të ishte në gjendje që të përmbushte edhe pagën e Ibrës, por edhe shumën e transferimit. Për suedezin atraktiv do ishte edhe bashkimi me Roberto Mancinin në Ligën Premier.
Real Madridi ka lansuar një ofertë të dytë dhe përfundimtare për asin e Werder Bremenit, Mesut Ozil.
Sipas Marca, ka mbetur vetëm që të arrihet marrëveshja me Werderin dhe për këtë arsye Los Blancos kanë ngritur ofertën e tyre për pesë milionë, në 14 milionë euro.
Sidoqoftë, Werderi po kërkon deri në 18 milionë euro, por rrezikon të mos fitojë asgjë, pasi që lojtari sezonin e ardhshëm do të ishte transfer i lirë.
Real Madridi është i bindur se do ta finalizojë transferimin dhe zyrtarizimi pritet të bëhet sot, më së largu nesër.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka thënë se është i përkushtuar deri në vdekje ndaj klubit nga San Siro.
“Unë e di se duhet të luaj mirë te Milani dhe ta fitoj rastin për të luajtur në kombëtaren braziliane”.
“Kjo është arsyeja se pse jam i përkushtuar deri në vdekje ndaj klubit tim”, theksoi Pato i cili në të kaluarën është kërkuar nga Chelsea i Carlo Ancelottit.
Sulmuesi më i mirë në botë, Lionel Messi, ka përkrahur transferimin e mundshëm të Javier Mascheranos nga Liverpooli, pasi që ‘el Messiah’ mendon se argjentinasi është i përkryer për Barcelonën.
“Mascherano do të ishte shtysë e madhe për Barcën. Ai ka cilësinë për të luajtur për Barcelonën dhe karakteri i tij do t’i përshtatej klubit”, theksoi Messi.
Mediat spanjolle kanë spekuluar ditëve të kaluara se Barcelona tashmë i ka bërë ofertë Liverpoolit për Mascheranon, ku thuhet të jetë përfshirë firma e Aliaksandr Hleb dhe 15 milionë euro.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, mendon se ai është i aftë që të luajë në nivelin më të lartë edhe për pesë vite të tjera, përkundër faktit se ai është 32 vjeçar.
“Unë jam më i mirë tani si 32 vjeçar se sa gjashtë vite më parë, kur erdha këtu. Unë po shënoj më shumë gola, jam më i qetë, më i relaksuar në fushë dhe kjo ndihmon shumë. Nëse vazhdoj të luaj në një ekip të tillë, mund të luaj ndoshta edhe për pesë vite tjera”.
“Unë isha vetëm 25 vjeçar kur fillova të luaja në nivelin më të lartë, kështu që ndjehem i ri. Unë e dua fushën, vrapimin. Unë nuk i numëroj vrapimet që i bëj. Ndoshta për një vit apo dy kjo do të ndryshojë”.
“Nuk dua të jem shumë ambicioz. Më përpara do të doja të shënoja 20 gola dhe ta fitoja Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier. Nuk ka rëndësi paraqitja ime, por gjithnjë kam tentuar t’i përmirësoj statistikat e mia. Ky është mentaliteti im. Është me rëndësi që në lojën kolektive të përmirësohem si individ dhe t’i sjelli shumë ekipit”, tha Drogba për Daily Mail.
Sulmuesi i Manchester United, Michael Owen, beson se ai mund të vazhdojë të luajë në nivelin më të lartë edhe për katër apo pesë sezone tjera.
“Unë jam 30 vjeçar dhe e kuptoj se nuk do luaj në çdo ndeshje. Unë kam pasur shumë lëndime dhe nuk e kam shpejtësinë që e kam pasur ndonjëherë. Por, jeta zhvillohet. Unë kam ndryshuar stilin tim, tani jam një tip tjetër lojtari dhe për shkak të kësaj, unë them se kam edhe katër ose pesë vite në maje”.
“Do të preferoja të isha te United, ku stërvitem çdo ditë me disa prej lojtarëve më të mirë në botë. Ku çdo ditë punoj me trajnerin më të mirë të të gjitha kohërave. Ku luaj përpara këtyre tifozëve të mrekullueshëm në një stadium fantastik si Old Trafford. Jam vërtet i lumtur që tani jetoj përsëri në shtëpi pas pesë vitesh në mërgim”, deklaroi Owen.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, u shpreh të jetë i kënaqur me shpirtin luftarak të treguar të lojtarëve të tij në ndeshjen ndaj Liverpoolit.
“Ne patëm shumë posedim. Liverpooli luajti mirë dhe krijoi shumë raste, ne duhet t’i komplimentojmë, por ne vazhduam të luftojmë që tregon se ne nuk dorëzohemi lehtë. Është rezultat i mirë ky në Liverpool”.
“Kartoni i kuq i Joe Cole? E pash Laurent Koscielnyn me top në këmbë, por nuk e pashë startin e ashpër. Chamakh shënoi golin, kurse Koscielny pati një paraqitje të jashtëzakonshme, që për mua ishte mbresëlënëse”, u shpreh Wenger pas ndeshjes.
Lojtari i Milanit, Alexandro Pato (majtas) duke shënuar gol Me vetëm dy javë pa filluar Kampionati italian, Serie A, jo të gjithë presin që skuadrat e zakonshme të luftojnë për vendet e para në elitën e futbollit italian.
Eugenio Ascari, një agjent dhe ekspert i njohur në futbollin italian dhe latino-amerikan, tashmë ka përjashtuar çdo mundësi që Milani të përfundojë në një nga katër pozitat e para.
“Siç qëndrojnë aktualisht gjërat, mendoj se Milani është një hap prapa Romës dhe Interit. Nëse shohim atë që ka ndodhur në afatin kalimtar veror, mendoj se ata do të duhet të luftojnë për pozitën e katërt me skuadra si Genoa, Napoli dhe Fiorentina”, theksoi Ascari për Milannews.it.
Hera e fundit që Rossonerët dështuan të kualifikoheshin në garën më prestigjioze evropiane, Ligën e Kampionëve, ishte në vitin 2008.
Trajneri i Milanit, Massimilliano Allegri, ka lavdëruar formën para-sezonale të Ronaldinhos.
Allegri pret që Ronaldinho të jetë ‘nënshkrimi më i mirë i verës’, edhe pse braziliani kishte arritur në San Siro në vitin 2008.
“Ai ka pasur një kampanjë të shkëlqyeshme, por mund të arrijë më shumë. Nënshkrimi më i mirë i verës për Milanin mund të jetë Ronaldinho i vërtetë. Ai tash peshon 83.7 kg, derisa ishte 87 sezonin e kaluar”, ka thënë strategu italian.
Trajneri i Juventusit, Gigi del Neri, nuk mund të përjashtojë një shitje të Diegos, edhe pse thotë se ai nuk do ta detyrojë atë të largohet.
Mesfushori brazilian ishte pjesë e Trofeo TIM, pavarësisht se spekulohet për një largim të tij në drejtim të Schalke ose Wolfsburg.
“A është Diego në largim e sipër? Ne kurrë nuk e kemi konsideruar atë kështu. Ai është në qendër të një situate transferuese e cila mund të evoluojë pozitivisht ose negativisht. Por ai e di se ne kemi shumë besim në të dhe gjëja më e rëndësishme është që ai të dëshmojë se meriton të qëndrojë dhe se dëshiron të qëndrojë”.
“Sigurisht, nëse ai vazhdon të luajë kështu, atëherë ai është dikush i cili na jep neve kualitetet të cilat na mungojnë”, ka thënë Del Neri.
Mbrojtësi i Milanit, Gianluca Zambrotta, thotë se ata janë po aq të fuqishëm sa edhe kampioni në fuqi, Interi
Pas pjesëmarrjes në Trofeo TIM, Zambrota është i bindur se ata mund të shtyhen me Interin në luftë për Skudeton.
“Pavarësisht të nxehtit në Bari, ne luajtëm dy ndeshje të mira dhe po përmirësohemi. Tempoja ishte ca e ulët, për shkak të motit dhe sigurisht lodhjes nga stërvitjeve para-sezonale”.
“Ne jemi në të njëjtin nivel me Juventusin dhe Interin. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të gjithë pajtohemi me trajnerin, i cili ka thënë se është i kënaqur”, ka thënë Zambrotta.
Cardiff raportohet se është afër për të marrë shërbimet e sulmuesit të Manchester Cityt, Craig Bellamy, shkruan Press Association Sport.
Klubi nga liga e dytë angleze fuqimisht është lidhur me një transferim të kapitenit të Uellsit, i cili duket i tepërt në ekipin e trajnerit Roberto Mancini. Edhe pse Cardiff nuk e ka konfirmuar marrëveshjen, mediat angleze shkruajnë se 31-vjeçari të hënën do të bëjë kalimin në formë huazimi.
“Me shifrat dhe emrat e klubeve që përmenden në lidhje me Craig, vërtet është ngazëlluese që ne jemi një opsion, por deri në këtë moment janë vetëm spekulime. Ne sigurisht do të donim që kjo të ndodhë, por nuk varet gjithçka nga ne”, ka thënë zëdhënësi i Cardiff për PA.
Drejtori i përfaqësueses angleze pranë Federatës Angleze të Futbollit (FA), Adrian Bevington, është i sigurt se pasuesi i Fabio Capellos në stolin e Anglisë do të jetë një trajner anglez.
“Kjo është pikëpamja e diskutimeve në të cilat kam qenë i përfshirë. Ne u kënaqëm që punuam me Sven-Goran Eriksson dhe tani kemi Fabio Capellon. Mendoj se në të ardhmen Anglia duhet të menaxhohet nga një trajner anglez”.
“Shumë njerëz kanë pikëpamje të ndryshuar për capellon, sidomos pas Botërorit”, theksoi Bevington.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka deklaruar pas ndeshjes ndaj Arsenalit se ndërhyrja e Joe Cole në Laurent Koscielnyn ishte e paqëllimshme, ndërsa u shpreh i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij.
“Natyrisht nuk ishte një ndërhyrje e qëllimshme ajo e Joe Cole, kjo është jashtë çdo konsiderate, pasi që ai është hedhur për ta bllokuar topin. Nga ajo që kam parë në televizor, unë duhet të them se është e vështirë të japësh një mendim në kohë reale për atë ndërhyrje”.
“Fatkeqësisht, ekzistoi fërkim mes lojtarëve dhe gjyqtari e ka parë këtë si ndërhyrje të ashpër. Unë isha i lumtur që e pashë lojtarin e Arsenalit të palënduar rëndë, pasi që ai luajti 90 minuta”.
“Është paksa zhgënjyese, që kemi humbur dy pikë në fund të ndeshjes, por mendoj se ishte paraqitje shumë e mirë, pasi që luajtëm me 10 lojtarë ndaj një Arsenali të fortë. Mendoj se ishte një impenjim shumë i fortë ai në pjesën e dytë. Mendova se djemtë do të mbroheshin, por ata arritën të krijojnë raste për të shënuar edhe më shumë gola”, u shpreh pas ndeshjes Hodgson.