Werder Bremeni ka bërë një hap përpara drejt kualifikimit për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, pasi ka mposhtur në fushë të vet Sampdorian me rezultat 3-1.Pas një pjese të parë pa gola, vendasit kaluan në epërsi pas vetëm pesë minutash në pjesë të dytë, me anë të një goli të shkëlqyeshëm të shënuar nga Fritz.
Momenti vendimtar në ndeshje ishte kur Stefano Lucchini u largua nga ndeshja me kartonin e dytë të verdhë për shkak të një ndërhyrje në zonën e rreptësisë (66’) për t’ua falur gjermanëve një penalti. Nga pika e bardhë i saktë ishte kapiteni Torsten Fringst (67’).
Të gjendur me një lojtar më shumë në fushë, gjermanët arritën të shënojnë edhe një gol tjetër dy minuta më pas. Kësaj here në listën e golashënuesve u reshtua Claudio Pizzaro, pas një harkimi të Hugo Almeida (69’).
Mirëpo italianët nuk u dorëzuan dhe shënuan një gol të vonshëm me anë të Giampaolo Pazzini që mund të jetë i rëndësishëm për ndeshjen e kthimit.
Nga ndeshjet tjera të sotme, izraelitët e Hapoel tel Aviv kanë shënuar fitore me rezultat 3-2 në udhëtim te Red Bull Salzburg, ndërsa fitore minimale si vendas kanë shënuar edhe Braga ndaj Sevilla dhe Basel ndaj Sheriff. Barazimi i vetëm i ndeshjes ishte ai mes Partizanit dhe Anderlehtit në Beograd.
Arsenali ka pësuar edhe një goditje të radhës sa i takon lëndimeve, pasi mesfushori francez Samir Nasri do të jetë jashtë fushe për rreth një muaj, për shkak të problemeve me gjurin.Topçinjtë filluan sezonin e ri në Ligën Premier gjatë të dielës në Liverpool me një ekip tashmë të goditur nga lëndimet, por Wenger arriti të nxjerrë një pikë në kohën shtesë, falë një auto-goli të portierit Jose Reina. Por Wenger tash do të jetë pa Nasri në pesë ndeshjet e radhës.
“Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, do t’i nënshtrohet një ndërhyrje të vogël kirurgjike në gjurin e tij pas një lëndimi të pësuar në ndeshjen kundër Liverpoolit gjatë të dielës. Nasri, i cili ka qenë në një formë impresive, do të jetë jashtë aksioni për rreth një muaj”, thuhet në deklaratën e Arsenalit.
Kapiteni Cesc Fabregas mungoi në udhëtimin e tij në Anfield për shkak të një sëmundje, por fituesi i Kupës Botërore tash është i gatshëm dhe pritet të rikthehet në ndeshjen e radhës kur Arsenali pret Blackpool në Emirates Stadium, të shtunën.
Menaxheri i ri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është i gatshëm të bëjë ofertë për mesfushorin e West Ham United, Scott Parker.Mirror shkruan se pavarësisht ngurrimit të West Hamit për ta shitur kapitenin 30-vjeçar, Parker është duke u monitoruar nga Roy Hodgson. Hapi i Liverpoolit varet nga e ardhmja e Javier Mascherano, i cili ka shprehur synimin për t’u larguar nga klubi.
Interi ka qenë në resht të parë për të nënshkruar me Mascheranon, i cili do të mund të ribashkohej me ish-trajnerin e tij Rafa Benitez, ndërsa në anën tjetër edhe Barcelona nuk e ka shkëputur interesimin për argjentinasin.
Parker, ndërkohë, ende nuk e ka nënshkruar ofertën e re pesëvjeçare nga West Ham, me qëllim që të analizojë ofertat e klubeve të tjera. Ai megjithatë ka edhe tre vite të mbetura në kontratën aktuale.
Por një ofertë e bujshme, më e lartë se ajo prej 8 milionë funtesh e Tottenhamit që është refuzuar së fundi nga West Hami, do të mund të bindë klubin londinez ta shesë lojtarin.
Olimpique Marseille raportohet se ka arritur marrëveshje me Nice për të transferuar sulmuesin e ri Loic Remy, edhe pse shuma e transferimit ende nuk është zbuluar.Megjithatë mediat franceze përcjellin se ende ka disa pengesa për Marseille dhe njëra prej tyre është se ata ende nuk kanë arritur marrëveshje për kushtet personale me lojtarin.
Ekipi gjerman Hoffenheim po ashtu kishte dërguar ofertë të kënaqshme për të transferuar francezin, ndërsa presidenti i Nice, Stellardo Gilbert, ka thënë se Remy do të jetë ai i cili do të zgjedhë në mes të Marseille dhe Hoffenheim.
Problemi i dytë për Marseille është se lojtari ka një klauzolë në kontratën e tij me rivalin Olimpique Lyon. Kjo pikë e kontratës i jep të drejtë Lyonit të marrë shërbimet e lojtarit nëse brenda pesë ditësh arrin ose tejkalon ofertën e Marseille.
Remy ka qenë një prej emrave të rinj më të përfolur këtë verë, me një varg klubesh të Ligës Premier të interesuara për të, në mes të të cilëve edhe Liverpool, Arsenal, West Ham United, Stoke City dhe Tottenham Hotspur.
Marseille e sheh Remyn si zëvendësim të sulmuesve të larguar Mamadou Niang, që u largua drejt Fenerbahces, dhe Hatem Ben Arfa, i cili është afër kalimit në Werder Bremen.
Manchester City ka kompletuar transferimin e mesfushorit të Aston Villës, James Milner, i cili ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me klubin nga Eastlands.24 vjeçari Milner i ka kushtuar Manchester Cityt 16 milionë funte plus shërbimet e Stephen Ireland i cili nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Villa Park.
“Unë jam shumë i kënaqur që Milner është me ne, të gjithë e dinë se ne kemi qenë pas tij që prej kohësh. Ai është mesfushor i shkëlqyer, i cili mund të luajë në një numër pozicionesh. Kjo është me rëndësi për ekipin dhe unë mezi pres ta shoh atë duke luajtur për ne. Ne kemi një skuadër shumë të fortë dhe ky transferim është i rëndësishëm për ne”, theksoi Mancini për faqen zyrtare të klubit.
Çështja Ibrahimovic ka filluar të marrë përmasa të mëdha në qarqet mediatike spanjolle dhe italiane, të cilat flasin për një angazhim të shtuar të klubeve sa i përket sulmuesit suedez.Sipas zërave nga Gadishulli Iberik, Barcelona dëshiron t’i ndihmojë Milanit për ta transferuar ‘Ibracadabran’ në San Siro. Bëhet fjalë për një marrëveshje huazimi me opsion blerje në fund të sezonit, e cila e detyron Barcelonën t’ia paguajë Ibrës gjysmën e pagës.
Kjo lëvizje e Barcelonës shihet si hap për ndikim në Serie A, në mënyrë që me përforcimin e Milanit, ta dobësojë Interin, pasi që siç dihet Blaugranët dhe Nerazzurët që prej gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve edhe zyrtarisht janë në ‘gjak’.
Nga ana tjetër, thuhet se bashkëshortja e Ibrahimovic dëshiron të kthehet në Itali, pasi që nuk është mësuar me stilin e jetës në Spanjë.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, beson se transferi i ri, Mario Balotelli, ka potencial për t’u bërë futbollisti më i mirë në Evropë me klubin nga Eastlands.“Mario ka të gjitha cilësitë për ta fituar Topin e Artë. Nëse ai arrin të vë menjëanë qëndrime të caktuara të tij, atëherë ai mund të bëhet një prej më të mirëve në botë. Transferi i tij është gjë e madhe për Cityn”.
“Interi ende është ekipi më i fortë në Itali. Mario vendosi që tani ishte koha për të luajtur jashtë vendit dhe përkundër gjithë asaj që ka ndodhur, ai ende është shumë i lidhur me Nerazzurët”, deklaroi Mancini për Sky.
Menaxheri i Liveproolit, Roy Hodgson, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk dëshiron që Javier Mascherano të largohet, pasi konfirmoi se ai do të mungojë ndaj Trabzonsporit në kuadër të Europa League.“Mascherano gjithmonë ka qenë në planet e mia deri sa të vijë dita kur ai të largohet nga klubi dhe për mua kjo nuk do të ndodhë së shpejti nëse do të më plotësohet dëshira”.
“Por ai është i lënduar për momentin dhe nuk do të luajë nesër. Ai u zëvëndësua pas 80 minutave të shtunën dhe ka të dëmtuar lehtë muskulin, ndërsa ai sot filloi të vraponte ngapak. Brenga jonë është që ai nuk do të jetë i gatshëm për të hënën, ndaj Cityt”, ka thënë Hodgson.
Ky ‘lëndim’ i Mascheranos shihet nga shumë ekspertë të tregut të transferimeve si ‘mashtrim’ për publikun, pasi që pikërisht këto ditë pritet zyrtarizimi i argjentinasit te Interi.
Presidenti i Bayernit të Munichut, Uli Hoeness, beson se anësori francez, Franck Ribery, i ka borxh klubit bavarez një sezon të mrekullueshëm.“Ribery na ka borxh, ai e di këtë edhe vet. Klubi ka qenë gjithnjë 100 përqind besnik ndaj tij. Ribery e di se kjo mbështetje nuk është e zakonshme, nëse shohim problemet e tij”.
“Ai tani duhet të jetë ambicioz, unë dëgjova se ai është duke u stërvitur shumë”, u shpreh Hoeness.
Mbreti i kategorisë së rëndë në WBC, Vitali Klitschko, ka konfirmuar se ai do të mbrojtë titullin ndaj amerikanit, Shannon Briggs, më 16 tetor në Hamburg të Gjermanisë.Ky duel definitivisht se ia shuan shpresat britanikut, David Haye, për t’u përballur me cilindo nga vëllezërit Klitschko, të cilëve u ka thënë se do t’u thyejë hundët. Sidoqoftë, Vitali Klitschko tani do të përballet me Briggs, përkundër faktit se dëshiroi përballjen me gjigantin rus Nikolay Valuev, duel që dështoi të merrte jetë.
“Briggs ka përvojë të madhe, ai ka shumë më shumë luftra se sa unë dhe ai është një nga goditësit më të fortë në këtë kategori”, theksoi Vitali Klitschko.
Klitschko, 39 vjeçar, ka 40 fitore dhe vetëm dy disfata, kurse 38 vjeçari Briggs ka 51 fitore dhe 5 disfata.
Milani ka kompletuar huazimin e sulmuesit të postransferuar nga Portsmouthi te Genoa, Kevin-Prince Boateng, njoftojnë Rossonerët në faqen zyrtare të tyre.Ky transferim ka qenë në ‘agjendën’ e merkatos që prej disa ditësh, ndërsa tani siç duket u finalizua ‘ndihma humanitare’ e Genoas bërë Milanit.
“AC Milan komunikon se ka siguruar shërbimet e Kevin Prince Boateng nga Genoa, në formë huazimi me mundësi blerje në bazë të paraqitjeve të lojtarit”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Milani në faqen zyrtare.
Testeve mjekësore Boateng iu nënshtrua të martën, ndërsa problemet e paralajmëruara në shpinë, jo që nuk u paraqitën, por testet zbuluan se Boateng është në formën më të mirë fizike se çdo futbollist tjetër i Milanit, duke lënë kështu të impresionuar zyrtarët në Milanello.
Pas zyrtarizimit, pritet që Boateng të stërvisë rregullisht me lojtarët tjerë në seancën e pasditës në Milanello. Vlen të ceket se Milani nuk ka konfirmuar ndonjë detaj të kontratës së futbollistit ganez të lindur në Gjermani.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, i cili e ka shoqëruar transferin e ri Mesut Ozil në konferencën për shtyp për prezantimin e mesfushorit gjerman si lojtar i Realit, ka thënë se Ozil do të jetë transferi i fundit.“Ozil ishte prioritet i madh i stafit drejtues dhe jemi të kënaqur që ai do jetë lojtar i Realit për gjashtë sezone”.
“Me këtë transferim e mbyllim afatin kalimtar veror për këtë sezon. Ne kemi bërë impenjime të mëdha për të ringjallur ekipin. Ne jemi të kënaqur me kompletimin e këtij objektivi”, tha Valdano.
Barcelona natyrisht se nuk e ka pritur mirë transferimi i Ozil te Real Madridi dhe për të ndezur atmosferën është përkujdesur Sergio Busquets, që ka thënë se Reali është ekip qe vetëm përforcohet dhe se Mourinho është trajner mediatik.“Reali më i fortë se Barca? Ndoshta, për shkak se ne kemi një staf më mirë të formuar që nuk ka nevojë për përforcime”.
“Jose Mourinho është trajner mediatik, të cilit i pëlqen të jetë nëpër titujt kryesorë të gazetave”, tha Busquets sipas AS.
Mesfushori i ri i Real Madridit, Mesut Ozil, ka deklaruar në prezantimin e tij para mediave se Jose Mourinho është trajneri më i mirë në botë dhe se ai e ka bindur që të kalonte te Reali, ndërsa ka refuzuar që të tërheqë paralele mes tij dhe Lionel Messit.“Unë fola me agjentët e mi dhe ata mi kanë treguar opsionet, por unë gjithmonë kam dashur të luaj për klubin më të mirë në botë, Realin, dhe të punoj me trajnerin më të mirë në botë, Jose Mourinho. Unë bisedova me trajnerin dhe ai më bindi. Kjo është arsyeja pse jam këtu”.
Ozil shtoi se ai nuk ka refuzuar të stërviste me Werderin vetëm e vetëm për të kaluar te Reali dhe gjithashtu foli edhe për deklaratat e tij se është tifoz i Barcelonës.“Barcelona? Unë gjithmonë kam dashur të luaj për klubin më të mirë në botë dhe ai është Real Madridi. Tani shpresoj të ngritem, të bëj më të mirën e mundshme”, theksoi Ozil, duke vijuar më tej për konkurrencën në ekip: “Unë kam pasur konkurrentë edhe në Gjermani. Unë nuk kam frikë edhe pse kam të bëj me Ronaldon dhe Kakan. Unë do të punoj shumë dhe trajneri do të vendosë. Gjithmonë kam besim në vete”.
“Unë si Messi? Ju lutem, disa tërhoqën kësolloj paralelesh, por unë jam ndryshe, unë jam tip më ndryshe. Ai është lojtar i madh, por unë e shikoj vetëm veten”, deklaroi Ozil në konferencën për shtyp në prezantimin e tij.

Konferencën Ozil e mbylli duke caktuar si prioritet Ligën e Kampionëve dhe La Ligan, ndërsa ka pohuar se ai nuk mund ta agjërojë muajin e Ramazanit përpos ditëve të pushimit, për shkak se si futbollist ai duhet ta ha dhe të pijë shumë.
Martin Skrtel ka thënë se nënshkrimi i vazhdimit të kontratës i jep atij më shumë vetëbesim dhe optimizëm në fillim të sezonit të ri.Skrtel nënshkroi vazhdimin dyvjeçar të kontratës së tij, e cila do ta mbajë atë në Anfield deri në vitin 2014.
“Para se të vij këtu, shumë njerëz menduan se nuk isha shumë i mirë për të luajtur në Liverpool, por mendoj se kam treguar se jam. Jam i lumtur të vazhdoj të bëj paraqitje të mira dhe të jap më të mirën për klubin”.
“Nënshkrimi i kontratës së re më jep vetëbesim dhe do të punoj shumë në stërvitje çdo ditë, për të luajtur sa më shumë ndeshje që mundem. Gjithmonë mund të përmirësoheni. I di anët e mira dhe të këqija të lojës time dhe do të vazhdoj të punoj shumë”, ka thënë Skrtel për faqen e Liverpoolit.
Esteban Cambiasso thotë se Interi ka qenë një forcë dominuese në Serie A për tashmë disa vite.Interi do ta nisë sezonin e ri si kampion i Italisë dhe i Evropës, ndërsa do të luftojë edhe për Super Kupën e Italisë gjatë të shtunës.
“Në Itali ne jemi dominues të padiskutueshëm për disa vitet e kaluara. Roma duhet të respektohet. Ata luajnë një futboll të bukur dhe kanë kampionë të mëdhenj”, ka thënë Cambiasso.
“Ne duhet të qëndrojmë të qetë. Ne nuk kemi nevojë ta nxehim shpirtin. Interi dhe Roma janë të përgatitura të japin një spektakël të madh, andaj ne duhet të mendojmë për të luajtur dhe kaq”, ka shtuar argjentinasi.
Trajneri i Sampdorias, Mimmo di Carlo, thotë se ata kanë nevojë për magji nga Antonio Cassano në takimin e sotëm të Ligës së Kampionëve kundër Werder Bremen.Ndeshja e sotme e vlefshme për kualifikimet për fazën grupore të garës evropiane, është më e rëndësishmja për Sampdorian në vitet e fundit.
“Ne presim një punë të mrekullueshme nga Cassano, pasi ai është një lojtar i klasit, i cili mund ta ndryshojë një ndeshje si kjo me momentet e tij magjike. Ai po ashtu është një prej pak lojtarëve që kanë përvojë ndërkombëtare”.“Megjithatë, do të doja të them se Sampdoria nuk është vetëm Cassano. Nëse ky ekip përfundoi në pozitën e katërt të Serie A dhe mund të sfidojë për një arritje kaq prestigjioze, kjo është falë grupit dhe këtu edhe do të fokusohemi për të fituar”, ka thënë Di Carlo.
Lojtari i Realit të Madridit, Royston Drenthe, thotë se ai do të vazhdojë të luajë për klubin spanjoll.Mbrojtësi i majtë është përfolur për një largim nga klubi mbretëror drejt kampionatit portugez, por holandezi thotë se ai edhe sezonin e ri do të jetë në radhët e Realit.
“Nuk mendoj të largohem pasi kam kontratë dhe Mou (Jose Mourinho) ka thënë se kontratat do të respektohen”, ka thënë Drenthe.
Nënshkrimi i ri i Manchester United, Bebe, shpreson të përsërisë suksesin Cristiano Ronaldos në Old Trafford.Ronaldo përfundoi duke u shpallur futbollisti më i mirë i vitit derisa luante në Old Trafford, gjë të cilën e synon edhe Bebe.
“Për të luajtur në një ekip si Manchester United, është realizim ëndrre për çdo lojtar. Faktori portugez në Old Trafford ka qenë motivim për mua”.
“Jenë emra të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, të cilët kanë luajtur këtu dhe ai është një lojtar i madh tash. Nani dhe Anderson janë ende në klub. Dua të bëhem si ata dhe do të punoj shumë për t’u bërë një lojtar i kualitetit të lartë”, ka thënë Srktel.
Drejtori sportiv i Interit, Marco Branca, do të takohet me drejtues të Bayern Munichut për të diskutuar transferimin e Bastian Schweinsteiger.Nerazurët raportohet se kanë ngjallur interesimin për mesfushorin gjerman pas pamundësisë për të arritur te shërbimet e Javier Mascheranos.
Schweinsteiger, i cili në disa vitet e fundit e ka ngritur veten në mesin e mesfushorëve më të mirë në Evropë, ka marrëveshje me Bayernin deri në vitin 2012, por ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, mes të cilave edhe Realit të Madridit.
Edhe presidenti i Interit, Massim Moratti, më herët ka thënë se është fans i madh i lojës së gjermanit dhe pati zbuluar se edhe në të kaluarën ishte përpjekur ta angazhojë atë.
Milani vazhdon të mbetet i interesuar për sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic dhe sipas mediave spanjolle, kjo lëvizje pritet me kërshëri nga drejtuesit në Milanello.Burimet brenda Milanit kanë thënë për AS se Massimiliano Allegri mezi pret transferimin e një prej sulmuesve më të mirë në histori të Interit.
Nga ana tjetër thuhet se edhe Sandro Rosell mezi pret ta largojë Ibrën nga skuadra, për arsye se ai nuk mund të mbajë në pankinë një lojtar që paguhet 12 milionë euro në sezon.
Agjenti i supertalentit brazilian, Neymar, ka deklaruar edhe njëherë se Chelsea mbetet opsion serioz për yllin e Santosit.“Ka kohë që Neymar ka thënë se ai dëshiron të qëndrojë dhe të luajë në Copa Libertadores”.
“Por, në ndeshjen në të cilën ai e humbi një penalti (ndaj Vitorias në finalen e Kupës së Brazilit), babai i tij për pak sa nuk është sulmuar në Vila Belmiro (stadiumin e Santosit). Më pas, ai erdhi tek unë dhe më tha ‘le të shkojmë’. Ai e ndryshon mendjen e tij dhe kjo është arsyeja se pse duhet të flasim”, tha agjenti Wagner Ribeiro.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka mirëpritur transferin e ri, Mesut Ozil, duke thënë se ai është lojtar i kompletuar, por nga ana tjetër ka garantuar qëndrimin e Rafael Van der Vaart.“Në këtë treg aq të sofistikuar të transferimeve dhe krizën në ekonominë globale, kjo është mjaft sfiduese dhe unë kam respekt të madh për punën e klubit. Sidoqoftë, unë si trajner kërkoj më sh umë”.
“Ozil është lojtar shumë i kompletuar. Ai është i shumëanshëm dhe do t’i ndihmoj kreativitetit të ekipit tonë”.
“Për mua, Van der Vaart është ende aq i rëndësishëm si më parë edhe para se të transferohej Ozil dhe unë gjithnjë do të dëgjoj dëshirat e lojtarëve të mi. Sergio Canales është lojtar dhe shpresoj se ai do të vazhdojë të përmirësohet, por ai nuk duhet të lexojë shumë gazeta të cilat e lëvdojnë atë, e të cilat mund ta lëndojnë”, tha Mourinho për Marca.
Red Knights, grupi i investitorëve të pasur të cilët janë të tifozë të Manchester United dhe që janë të interesuar në blerjen e klubit nga Old Trafford, është duke rekrutuar disa nga investitorët më të fuqishëm nga mbarë bota të interesuar për blerjen United dhe dëbimin e familjes Glazer nga Old Trafford.Sipas Goal.com, disa prej biznesmenëve multimilionerë, duke përfshirë dhe ata të Lindjes së Mesme dhe Azisë të cilët janë mjaft të pasur sa për të mbajtur vetë klubin, i janë bashkuar konsorciumit Red Knights muajve të fundit, në mënyrë që ta blejnë klubin.
“Ne kemi biseduar me shumë investitorë dhe një numër na është bashkuar gjatë verës, si nga vendet tjera ashtu dhe nga Britania. Këta janë biznesmenë të pasur të cilët janë të përgatitur për t’u përkushtuar për klubin”.
“Disa po japin më shumë se të tjerët. Mes tyre ata mund ta blejnë Unitedin disa herë dhe disa prej tyre mund ta bëjnë këtë edhe vet. Por, ata nuk nxitohen. Ata kanë një vlerë të caktuar për klubin dhe nuk do të paguajnë mbi nivelin e caktuar”, tha një burim.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Martin Skrtel, mendon se The Reds janë në gjendje që ta fitojnë titullin e parë të Ligës Premier pas 21 vitesh.“Ne bëmë disa ndryshime dhe vërtet mendoj se ky mund të jetë viti ynë”, theksoi Skrtel.
As ndeshja ndaj Arsenalit nuk kaloi pa u prekur nga sllovaku: “Është një rezultat i pafat. Fakti që Joe Cole u përjashtua na dëmtoi dhe është shumë e vështirë të luash ndaj Arsenalit me një lojtar më pak. Ne kërkuam të qëndrojmë të qetë në mbrojtje dhe të tentojmë të shënojmë, gjë që e bëmë”.
“Fatkeqësisht nuk bëmë mjaft për të mbajtur epërsinë. Nga ana tjetër, ne kemi treguar vullnet të fortë dhe karakter, që është shenjë e mirë”, përfundoi qendërmbrojtësi.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknap, ka pranuar se ka pasur ‘ndjenjë të keqe’ për ndeshjan ndaj Young Boys se zviceranët do të mund t’i befasonin të gjithë dhe këtë e bënë, kur për 30 minuta krijuan epërsinë prej 3-0 ndaj Spursave.“Unë pashë shumë njerëz të brengosur për këpucët, të brengosur për fushën dhe unë pata një ndjenjë të keqe për ndeshjen. Unë mbajta tre apo katër lojtarë jashtë ndeshjes për shkak se nuk ndiheshin mirë dhe unë pata një ndjenjë se diçka është që këta lojtarë nuk ishin mirë”.
“Unë kam thënë në pushim të pjesës së parë se tani jemi në një luftë të vërtetë. Ne shënuam një gol për t’u kthyer në ndeshje dhe më pas shënuam edhe të dytin. Në fund është rezultat i mirë 3-2 nga 3-0”.
“Ne nuk do t’i nënvlerësojmë ata. Ne do të duhet të luajmë vërtet mirë në White Hart Lane dhe unë kam rast të mirë tani. Por, ne jemi të liruar që në fund kemi dalë nga kjo ndeshje me rezultat 3-2. Do të jetë ndeshje e madhe në White Hart Lane. Do të jetë e vështirë. Ata janë të disiplinuar, të vështirë për t’u thyer. Ata do të japin jetën për t’u kualifikuar”, deklaroi Redknapp pas ndeshjes.
Genoa është shumë pranë transferimit të sulmuesit të Portsmouthit, Kevin-Prince Boateng, por menjëherë ganezi do të huazohet te Milani, një gjë që e konfirmon edhe presidenti i Genoas, Enrico Preziosi.“Genoa e ka ndjekur Boatengun edhe para Botërorit në Afrikën e Jugut. Ishte një tregti e mirë për të, por nuk mund të bazohemi vetëm në Botëror. Milani ka një situatë të pazakontë, pasi që ka shumë lojtarë në vitin e fundit të kontratës dhe po i mban sytë kah bilanci financiar”.
“Në vend të kësaj, ne kemi pasur rastin për ta transferuar Boatengun. Tani për tani ai do t’u bashkohet Rossonerëve si huazim. A do të kthehet te Genoa? Ai mund të kthehet, por shpresoj se ai nuk do të kthehet. Nëse Milani e blen atë, atëherë do të thoshte se ai është lojar i madh dhe të gjithë do të përfitonim në këtë rast”, tha Preziosi.
Një zyrtarizim i kalimit të Boateng te Genoa dhe më pas i huazimit te Milani pritet të bëhet në ditët në vijim.
Transferi më i ri i Real Madridit, Mesut Ozil, ka thënë se bashkimi me klubin mbretëror spanjoll është një hap më tej në karrierën e tij, ndërsa ka zbuluar se trajneri Jose Mourinho ishte faktor kyç në vendimin e tij për të kaluar në Bernabeu.“Ky është hapi i ardhshëm në karrierën time. Unë kalova vite të mrekullueshme te Werderi. Mourinho më kërkoi. Reali ka ekip të fortë, por unë nuk kam nevojë të frikësohem”, theksoi Ozil për Sky.
Ozil pritet të prezantohet si lojtar i Real Madridit të mërkurën në ora 14:00 në Bernabeu në prezencë të drejtorit të klubit Jorge Valdano.
Mesfushori i Real Madridit, Rafael van der Vaart, ka deklaruar se ai synon të qëndrojë dhe të luftojë për vend në klub, pavarësisht arritjes së Mesut Ozil nga Werder Bremen.Pas transferimit të talentit gjerman, mesfushori holandez parashihet të largohet nga Bernabeu, ashtu siç vitin e kaluar u larguan bashkëlojtarët e tij Arjen Robben dhe Wesley Sneijder pas arritjes së Kaka dhe Cristiano Ronaldo.
Megjithatë, Van der Vaart, i cili shënoi golin e vetëm të barazimit të sotëm 1-1 në miqësoren ndaj Standard Liege, dëshiron të qëndrojë dhe është i bindur se ai do të luajë.
“Për mua nuk është problem ardhja e Ozil. Unë do të luftoj për vendim tim. Klubi nuk ka folur me mua, por Mourinho na thotë se të gjithë do të kemi mundësi. Të jesh në Madrid është vështirë, veçanërisht tash me ardhjen e lojtarëve me kualitete të shkëlqeshme. Por unë dua të qëndroj dhe e di se do të luaj shumë”, thotë Van der Vaart.
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, thotë se mesfushori Cristian Ledesma nuk do të largohet nga klubi romak gjatë kësaj vere.Argjentinasi edhe një herë është lidhur me një largim nga Lazio dhe mediumet spekulojnë se Juventus ose Inter mund të jenë destinacione të mundshme për argjentinasit, ndërsa situatën po e mbikqyr edhe Fiorentina. Por Tare ka thënë se mesfushori edhe më tej do të qëndrojë në Olimpico.
“Mendoj se Ledesma nuk do të largohet nga Lazio. Synimi ynë është ta mbajmë atë. E di se ka klube të interesuara për shërbimet e tij, ai ka një vizion të shkëlqyeshëm për lojën. Por, ai është i përkryer për grupin tonë dhe nuk shoh arsye pse ta shesim, veçanërisht konkurrentëve si Fiorentina”, ka thënë Tare.
















