Bastian Schweinsteiger ka shënuar në kohën shtesë të ndeshjes për të ndihmuar kampionin në fuqi të Bundesligës, Bayern Munich, të fillojë sezonin e ri me fitore.
Bavarezët barazonin 1-1 deri në fund të ndeshjes së zhvilluar në Allianz Arena ndaj ish-kampionit, Wolfsburg, kur mesfushori gjerman shënoi për t’i dhënë fitoren 2-1 Bayernit.
Fituesi i Këpucës së Artë në Kupën Botërore, Thomas Muller, pas një bashkëveprimi me Toni Kroos i dha avantazhin ekipit vendas pas vetëm nëntë minutash lojë, avantazh të cilin bavarezët e mbajtën gjatë gjithë pjesës së parë.
Por, pjesa e dytë filloi të mirë të ekipit mysafir, që tash drejtohet nga ish-përzgjedhësi i Anglisë, Steve McLaren. Sulmuesi aq i kërkuar këtë afat kalimtar, Edin Dzeko, arriti dhjetë minuta pas pauzës të barazojë rezultatin, pas një goli me kokë të shënuar pas një harkimi nga këndi i Zvjezdan Misimovic.
Kur u mendua se pikët do të ndaheshin, Schweinsteiger, po ashtu i kërkuar këtë afat kalimtar, shënoi një gol të vonshëm për t’i dhënë tre pikë Bayernit të Munichut.
Werder Bremen ka zbuluar se ka arritur marrëveshje me klubin brazilian Santos për të transferuar mesfushorin Wesley.
Mesfushori brazilian arrin në Werder si zëvendësim për mesfushorin Mesut Ozil, i cili u largua në drejtim të Realit të Madridit.
“Kishim nevojë për durim të madh dhe tash kjo na është shpërblyer, duke u mbështetur në Wesley i cili është një lojtar i shkathët dhe dinamik dhe mund të luajë në të gjitha pozitat e mesfushës”, ka thënë drejtori sportiv i ekipit gjerman, Klaus Allofs.
23-vjeçari ka nënshkruar kontratë katërvjeçare e cila do ta mbajë atë në Weserstadion deri në qershor të vitit 2014, ndërsa shuma e transferimit thuhet të jetë rreth 7.5 milionë euro.
Juventus raportohet se ka arritur marrëveshje për huazimin e Alberto Aquilanit për sezonin që vjen, me mundësi që transferimi të bëhet i përhershëm në fund të sezonit për 17 milionë euro.
Il Corriere dello Sport shkruan se të gjitha kontratat e nevojshme se janë nënshkruar dhe publikimi zyrtar pritet të bëhet sonte ose gjatë ditës së nesërme.
Aquilani mungoi në ndeshjen e mbrëmshme të Europa League, kur Liverpooli fitoi ndaj Trabsonspor në Anfeld. Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, menjëherë pas ndeshjes deklaroi se mesfushori mund të rikthehet në Itali si huazim, me agjentin e tij që tha se marrëveshja me Juventusin ishte afër kompletimit.
Ish-lojtari i Romës iu bashkua klubit anglez për 20 milionë euro verën e kaluar si zëvendësim për Xabi Alonso, por dështoi të shkëlqejë në Anfield.
Nemanja Vidic ka nënshkruar vazhdimin katërvjeçar të marrëveshjes me Manchester United, duke iu dhënë fund spekulimeve dyvjeçare për largim.
28-vjeçari është lidhur me një largim nga Old Trafford me Milanin dhe Real Madridin të interesuara për të. Megjithatë drejtori ekzekutiv i klubit, David Gill, bëri befasinë gjatë turneut para-sezonal në Amerikë kur konfirmoi se Vidic ishte pajtuar për të nënshkruar kontratën e re. Marrëveshja tash është nënshkruar dhe Vidic do të lidhet me United deri në vitin 2014.
“Jemi të ngazëllyer që Nemanja ia ka dhënë besimin e tij për të ardhmen klubit. Kjo i vret të gjitha spekulimet e marra në disa muajt e kaluar”.
“Nemanja është shndërruar në një prej mbrojtësve të qendrës më të mirë në Evropë dhe ne jemi të kënaqur që ai do të jetë këtu edhe për shumë vite të ardhshme”, ka thënë Gill.
Trajneri i Interit, Rafa Benitez, u tregua i qetë para duelit final të Superkupës së Italisë, duke premtuar rezultat pozitiv në bazë të asaj që ka parë nga skuadra e tij ditëve të kaluara.
“Ne jemi të lumtur që do të luajmë ndaj Romës nesër, sepse jemi duke punuar mirë. Është gjithnjë e vështirë ta fillosh një sezon të ri pas Botërorit, sepse lojtarët kthehen vonë, por ne kemi punuar mirë gjatë verës”.
“Roma është ekip i fortë me trajner të mirë dhe lojtarë cilësor. Është finale, kështu që do jetë e vështirë. Ne luajtëm mirë ndaj Juventusit dhe Milanit në Trofeun Tim dhe tani po duam të shohim një ekip të ngjashëm nesër. Gjëja e parë që dua të bëj është ta fitoj këtë trofe, më pas tjetrin. Por, lojtarët janë kyç. Ata duan të fitojnë dhe ata duan të vazhdojnë së fituari”.
“Unë nervoz para ndeshjes? Jam i moshuar, kam shumë përvojë për të qenë nervoz. Është finale, por për mua është ndeshje normale dhe është mirë kështu, pasi që kështu nuk kam arsye për të qenë nervoz”, theksoi Benitez.
I pyetur nëse fitimi i Superkupës do të ishte trofe që do t’i dedikohej Jose Mourinhos, Rafa tha: “Nëse e fitojmë kupën, do të jetë e klubit dhe e lojtarëve të cilët e fituan atë. Ky klub ka fituar shumë në pesë vitet e fundit dhe janë lojtarët ata që janë më të rëndësishëm”, përfundoi tekniku spanjoll.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, i ka hapur dyert një transferimi të Javier Mascheranos në Camp Nou, pasi që ka pranuar në një konferencë për shtyp se ‘ekziston mudësia që dikush të vijë në Camp Nou’.
“Dikush mund të vijë këtej. Nëse jo, ne kemi 19 lojtarë në skuadër, plus tre, katër, pesë, gjashtë apo shtatë lojtarë nga ekipi B, të cilët mund t’i shfrytëzoj”.
“Unë do të doja të kisha 24 lojtarë, por nuk dua që të marr lojtarë për të bërë numra. Ne kemi 19, por normalisht do të kishim pasur dëshirë të kemi 23 apo 24 dhe kjo do të thoshte se 11 ose 12 nuk do të luanin”, sqaroi Guardiola.
Mbrojtësi i Lyonit, Michel Bastos, ka siguruar klubin dhe tifozët e tij se ai nuk është kontaktuar nga drejtuesit e Real Madridit në lidhje me një transferim të mundshëm, por ka shtuar se gjigantët spanjoll janë klub i madh.
“Njerëzit thonë gjëra herë majtas herë djathtas dhe unë nuk tentoj t’u jap aq shumë vëmendje, ndërsa kjo nuk më intereson dhe aq, pasi që gjëja e vetme është që dua të kthehem sa më shpejtë në aksion. Nuk dua të di asgjë për këtë, derisa të mos jetë diçka zyrtare, këtë e kam thënë edhe më parë. Reali do të ishte klub i mirë për mua, por ata nuk kanë bërë ofertë, askush nuk më ka telefonuar”.
“Unë e di se liderët e Realit kanë thënë se transferimet kanë mbaruar, por kurrë nuk i dihet. Nëse unë largohem sot, nesër, apo masneser, atëherë kjo do të ndodh nëse marrëveshja është e mirë për klubin dhe për mua. Përndryshe, do të qëndroj”, deklaroi Bastos për L’Equipe.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka konfirmuar me anë të fjalëve të tij të ‘mira’ për William Gallasin, se ky i fundit nga sezoni i ardhshëm do të luajë për Tottenhamin.
“William Gallas ka një reputacion të keq të ekzagjeruar. Besoj se ai është fitues i lindur. Ai nuk dëshiron që gjërat të bëhen në 90 përqindësh dhe është totalisht i fokusuar dhe i motivuar për të fituar”.
“Ai mund të jetë shpeshherë, paksa brutal apo impulsiv në reagimet e tij, por kur ju jeni menaxher, ai nuk është dikush që flet prapa shpinës tuaj. Gallas është dikush që është i drejtpërdrejt dhe tërësisht i fokusuar në ndeshje. Ju e respektoni atë”.
“Oferta e Spurs është befasuese, por unë mund ta kuptoj atë. Për momentin ai po kërkon një klub, ai është i lirë, ai e ka zgjedhur opsionin më të mirë të mundshëm për të. Ne i jemi falënderues për atë që ka bërë për ne dhe i dëshirojmë çdo të mirë te klubi i tij i ri”, tha Wenger.
Sulmuesi i Toulouse, Andre-Pierre Gignac, është fare pranë kompletimit të marrëveshjes për tranferim te Marseille, pasi klubi nga Jugu i Francës ka bërë të ditur në faqen zyrtare se ka arritur marrëveshje me Toulouse për sulmuesin francez.
Shuma e transferimit të Gignac te Marseille thuhet se është 16 milionë euro. Gignac është top sulmues francez, i cili në sezonin 2008/09 ka shënuar 24 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë. Ai vuajti nga lëndimet sezonin e kaluar, por Marseille është i bindur se ai do t’i tejkalojë ato.
Marseille shpresoi në kompletimin e transferimit të Loic Remy, por në fakt kjo u tregua të jetë lëvizje e dështuar, për shkak se testet mjekësore zbuluan një defekt kardiak. Testet tjera pritet të bëhen gjatë kësaj jave.
Ylli i Liverpoolit, Joe Cole, ia ka tërhequr vërejtjen Manchester Cityt se bashkëlojtarët e tij janë të mbushur me besim në vetvete para sfidës që zhvillohet të hënën.
“Unë do të duartrokas bashkëlojtarët e mi dhe mendoj se ata do të bëjnë punë të mirë. Ne jemi të gatshëm, ne po bëhemi më të fortë”.
“Ishte një parasezonë tejet e pakënaqshme, por tani po bëhemi më të gatshëm fizikisht. Lojtarët po duken më mirë çdo ditë. Ne po shkojmë atje me besim të plotë, pasi ndaluam Arsenalin në një barazim”, tha Joe Cole i cili do të mungojë ndaj Cityt për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Arsenalit.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka ripërsëritur për të dhjetën herë se ai nuk e ka ndërmend transferimin e ndonjë lojtari tjetër para mbylljes së afatit kalimtar veror.
“Pozicioni ynë është i mirë dhe nuk kemi probleme, që është dhe brenga ime kryesore. Në çdo pozitë jemi mirë”, theksoi Ferguson.
Manchester United ka vazhduar trendin e shpenzimeve të vogla këtë verë, me tranferimin e Javier Hernandez dhe Chris Smalling. Kjo deklaratë e Ferguson vjen pas spekulimeve se Van der Vaart do të jetë lojtar i Unitedit.
Trajneri i Sevillës, Antonio Alvarez, ka këmbëngulur se skuadra e tij po udhëton në Barcelonë, me qëllim që të kthehet në shtëpi me trofeun se Superkupës së Spanjës.
“Ata janë ekip i rrezikshëm, si në shtëpi ashtu edhe si mysafir, por skuadra jonë ka potencial të lartë dhe ne po shkojmë për të punuar. Ne e dimë se çfarë qëndron përpara dhe ne do të sigurohemi që të luajmë në nivelin më të lartë”.
“Ne duhet të arrijmë nivelin e paraqitjes sikurse në pjesën e dytë të ndeshjes së parë ndaj Barcelonës, ose të ndeshjes së parë ndaj Bragës. Ne nuk mund të fillojmë ngadalë dhe më pas të tentojmë të luajmë me një tempo të lartë”, tha Antonio Alvarez.
Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, dëshiron që ta përforcojë repartin ofensiv edhe me një sulmues tjetër, para fillimit të sezonit të ri.
Pas transferimit të Mesut Ozil, Jorge Valdano deklaroi se afati kalimtar veror për Realin ishte i mbyllur. Sidoqoftë, Marca shkruan se Mourinho planifikon ‘ri-hapjen’ e merkatos, ndërsa si kandidatë do të ishin: Didier Drogba, Fernando Llorente, Mario Gomez dhe Romelu Lukaku.
France Futboll pohon se Reali po mban sytë kah Bafetimbi Gomis. 25 vjeçari shënoi dy herë fundjavën e kaluar, ndërsa do t’i ofronte diçka më tepër Mourinhos në sulm. AS gjithashtu spekulon për Adebayor dhe Cisse, por se a do të transferohet një prej emrave të lakuar më lart, mbetet të shihet në 10 ditët e ardhshme.
Legjenda e Liverpoolit, Ian Rush, mendon se në rast se Liverpooli nuk siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, atëherë Fernando Torres dhe Steven Gerrard do të largohen nga Anfield.
“Po bëhen katër vite që nga koha kur nuk fituan asgjë. Steven Gerrard dhe Jamie Carragher nuk duan të jenë pjesë e një ekipi që nuk fiton, një gjë që nuk e bën asnjë lojtar tjetër”.
“Ata gjithnjë kanë dashur që ta fitojnë Ligën Premier. Lojtarë si Gerrard dhe Fernando Torres do të qëndrojnë edhe për një sezon, por nëse ndodh e njëjta gjë si sezonin e kaluar, atëherë ata do të kërkojnë klub tjetër”, tha Rush.
Transferi i ri i Real Madridit, Mesut Ozil, ka deklaruar se La Liga spanjolle është shumë më e fortë se sa Bundesliga gjermane.
“Unë gjithnjë i shikoj ndeshjet e mëdha, ‘el Classico’-t, ndeshjet mes Realit dhe Valencias edhe pse nuk kam qenë në gjendje t’i shikoj shumë ndeshje sepse luaja në të njëjtën kohë. La Liga është një prej kampionateve më të forta në botë, për këtë jam i ngazëllyer që jam këtu”.
“Loja është më e fortë këtu sepse kampionati ka lojtarët më të mirë në botë si Ronaldo dhe Kaka”, u shpreh Ozil.
Olympique Lyon i është bashkuar garës për të transferuar yllin e Manchester Cityt, Robinho.
L'Equipe shrkuan se Lyoni e dëshiron Robinhon si zëvendësim për Michel Bastos, i cili kërkohet nga Real Madridi dhe Juventusi.
Lyon fillimisht do të kërkojë marrëveshje huazimi për Robinhon, i cili po ashtu kërkohet edhe nga dy klubet turke, Besikts dhe Fenerbahce.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka pohuar se William Gallas është në prag të kalimit në White Hart Lane.
Francezi u lirua nga Arsenali në fund të sezonit të kaluar dhe tash është në prag të kalimit te rivali tjetër londinez, Tottenham. 33-vjeçari pritet që pasdite t’i kalojë testet mjekësore dhe të nënshkruajë marrëveshje njëvjeçare.
“Për angazhimin e tij nuk na duhej të mendojmë shumë, pasi ai vjen si lojtar i lirë. Ai kurrë nuk ka kërkuar shumë të mëdha parash. Presidenti ka arritur marrëveshje me të për kontratë njëvjeçare dhe paga e tij tashmë është e pranueshme”, ka thënë Redknapp.
Rafael van der Vaart thotë se Manchester United është destinacioni i tij i preferuar, nëse do të jetë i detyruar të largohet nga Real Madridi këtë verë.
Sipas spekulimeve të mediave në Spanjë, Van der Vaart është në rrugë për t’u larguar nga Santiago Bernabeu pasi Reali ka vendosur të lirojë disa lojtarë në prag të sezonit të ri.
Edhe pse vetë lojtari së fundi kishte thënë se nuk mendon për largim, ai tash shton se do të mund të transferohej te Manchester United, nëse është i detyruar të largohet nga klubi mbretëror.
“Kurrë nuk do të mund të luaj për një klub tjetër në Spanjë dhe e vërteta është se nëse vendosni të largoheni nga Real Madridi, ka vetëm një klub ku mund të transferoheni dhe të mos bëni hap prapa – dhe ai është Manchester United”, ka thënë holandezi për Daily Express.
Bastos Mediat franceze dhe ato spanjolle shkruajnë se Reali i Madridit përpiqet ta angazhojë Bastos nga Lyoni, për të cilin ka ofruar mbrojtësin Royston Drenthe dhe 12 milionë euro.
Drejtori sportiv i Realit, Jorge Valdano, deklaroi së fundi se tregu i transferimeve ka përfunduar për Real Madridin dhe klubi nuk e ka në plan të angazhojë lojtarë të rinj.
Por L'Equipe dhe Marca shkruajnë se Reali ka dërguar ofertë për Bastos. Klubi spanjoll dëshiron ta përforcojë krahun e majtë, pjesë ku vepron Bastos, andaj i ka ofruar Lyonit 12 milionë euro si dhe shërbimet e Drenthe.
Bastos më herët është lidhur me një transferim te Juventus, por biankonerët tashmë kanë angazhuar Milos Krasnic.
Blerim Xhemaili Presidenti i Parmës, Tommaso Ghirardi, ka thënë se ai nuk dëshiron ta lejojë mesfushorin shqiptar Blerim Xhemaili të nënshkruajë për Napolin, si pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit për Michele Pazienza.
Ghirardi tashmë një kohë ka thënë se 24-vjeçari nuk do të largohet për askund këtë verë, dhe këtë e ka përsëritur edhe një herë për Sky Sport 24.
“Ne e duam Pazienzan duke marrë parasysh se ai është një lojtar i vlefshëm, por ne jemi të kënaqur me mesfushën për momentin. Xhemaili është një lojtar për të cilin kemi marrë oferta, por ai është një lojtar i rëndësishëm dhe kështu nuk do të largohet”, ka thënë Ghirardi.
Shqiptari nga Maqedonia me nënshtetësi zvicerane sezonin e kaluar luajti te Parma si i huazuar dhe shijoi një sukses të madh, duke ngritur veten në mesin e mesfushorëve më të mirë në kampionatin italian, para se të pësojë një lëndim që e mbajti një kohë jashtë fushe.
Përzgjedhësi i përfaqësueses gjermane, Joachim Loew, ka deklaruar para fillimit të Bundesligës se Bayerni nuk do të ketë punë të lehtë këtë sezon, pasi që shumë skuadra mund t’ia cënojnë fronin në futbollin gjerman.
“A do të bëhet Bayerni lehtë kampion? …Nuk do të thosha kështu. Natyrisht, Bayerni është top-favorit. Por, konkurrenca ka ambicie të mëdha. Louis van Gaal ka arritur në mënyrë perfide që të krijojë një ekip të fortë nga individë të fortë. Tani lojtarët e njohin trajnerin dhe gjithçka do jetë më lehtë”.
“Schalke, Leverkuseni dhe Bremeni janë për mua në rrethin e top ekipeve. Më pas vijnë Dortmundi, Hamburgu, Stuttgarti dhe Wolfsburgu, të cilat do të jenë në vendet e para të tabelës”, u shpreh Loew për Bild.
Ai shtoi se transferimet e Ozil dhe Khediras te Real Madridi janë transferime të qëlluara, ndërsa Loew beson në potencialin e lojtarëve të tij te Gjermania, duke thënë se ata nuk kanë pse të frikësohen dhe se do të jenë të suksesshëm nën Jose Mourinhon.
Sipas bosit të Liverpoolit, Roy Hodgson, mesfushori Alberto Aquilani sipas të gjitha gjasave do të huazohet tek ndonjë klub italian.
“Për momentin po e shqyrtojmë mundësinë e huazimit të tij te një klub italian, por asgjë nuk është e sigurt për këtë, kështu që nuk kam ndonjë gjë definitive për të publikuar. Nuk e shfrytëzova atë ndaj Trabzonsporit, pasi që nuk dua ta mbaj peng në rast të transferimit, për shkak se ky sezon është i rëndësishëm për të”.
“Unë nuk mund t’ia premtoj atij atë këtu, kështu që një huazim në Itali do t’i ndihmonte atij, kështu që në këtë aspekt do të mund të jetë gjë e mirë për të gjitha palët. Kjo do ishte natyrisht ajo që ai ka nevojë, pasi që kur ai të kthehet nga huazimi, do të shohim pa dyshim se Aquilanin që e transferuam një vit më parë ishte i lënduar”, tha Hodgson.
Interi ka arritur marrëveshje me Liverpoolin për të transferuar sulmuesin holandez, Dirk Kuyt, gjithnjë sipas të përditshmes holandeze De Telegraaf.
Raporti në gazetën holandeze pohon se marrëveshja është arritur më herët gjatë javës dhe do të mund të zyrtarizohet jo më larg se sot. Kuyt nuk është përfshirë në skuadrën e Liverpoolit ndaj Trabzonsporit, me bosin e The Reds, Roy Hodgson që pohoi se holandezi është pushuar.
Sidoqoftë, ajo mospërfshirje do të thotë se Kuyt nuk do të jetë i suspenduar për garat evropiane në rast se do të luajë për Interin nga sezoni i ardhshëm. Benitez është adhurues i flakt i holandezit dhe është normale që ka kërkuar transferimin e tij në Meazza.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, u shpreh të jetë i pakënaqur me ekipin e tij, përkundër fitores ndaj Sturm Graz në kuadër të ‘play-off’ të kualifikimit në Europa League.
“Unë vuajta shumë, pasi që ne nuk e bëmë atë që është dashur ta bëjmë. Ne paguam çmimin kur pranuam golin për shkak të problemeve psikologjike, por ne duhet ta harrojmë sezonin e kaluar dhe të shkojmë përpara pa menduar për djajtë që janë duke na ndjekur”.
“Ne mund të luajmë shumë, shumë më mirë. Kjo nuk është mirë krahasuar me mënyrën se si luajnë ekipet e mia”, tha Del Neri.
Supertalenti brazilian, Neymar, do të qëndrojë te Santosi dhe do të injorojë një ofertë multimilionëshe nga Chelsea, pasi që lojtari dhe përfaqësuesit e tij kanë arritur marrëveshje për një kontratë të re luksoze me klubin nga Sao Paolo.
Globoesporte njofton se marrëveshja u konfirmua në mbrëmjen e të enjtës, kur dhe u mbajt takimi i të gjitha palëve të përfshira në këtë çështje. Detajet e kontratës nuk janë bërë të ditura, por besohet se ajo është e përafërt me shumën e ofruar nga Chelsea në negociatat e mëhershme.
“Kontrata e ofruar nga Santosi për Neymar është e pabesueshme. I dëshiruar jashtë Brazilit, ishte vërtet fantastike se si u angazhuan gjithë këta njerëz, duke përfshirë edhe familjen në qëndrimin e tij. Unë kurrë nuk kam parë një gjë të tillë”, theksoi agjenti Wagner Ribeiro.
Mario Balotellit iu deshën vetëm 16 minuta lojë për të shënuar golin e fitores për Manchester Cityn në sfidën e Europa League ndaj Timisoaras, që përbëu debutimin e supertalentit italian në fanellën e ‘qytetarëve’.
“Ai pati debutim të mrekullueshëm dhe jam i kënaqur që ai shënoi. Ai është lojtar i mirë. Natyrisht, ai duhet të përmirësohet dhe t’i njohë të gjithë. Ishte hera e parë që ai luajti me këtë ekip”.
“Ishte ndeshje e vështirë për shkak se Timisoara është ekip i mirë dhe luajti mirë në pjesën e parë. Në fund, ishte një rezultat i mirë për ne. Por, ata na e bënë të vështirë me aq shumë lojtarë në mbrojtje. Të gjithë luajtën mirë, sidomos në pjesën e dytë kur topi lëvizte më shpejtë. Futbolli është i çuditshëm. Kur mendoni se ju mund të fitoni lehtë, ju duhet të keni përqëndrim maksimal”, u shpreh Mancini pas ndeshjes.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, thotë se ata e mirëpresin Real Madridin e përforcuar para sezonit të ardhshëm.
“Do të jetë argëtuese. Ata janë dy trajnerë me stile të ndryshme edhe pse Mourinho thotë se është trajner sulmues”.
“Por, Guardiola e ka treguar se nuk ju duhet karakteri i Mourinhos për të bërë ekip të mrekullueshëm”, tha Pique.
Juventusi më në fund ka arritur ta transferojë anësorin serb të CSKA Moskës, Milos Krasic.
“CSKA Moska është pajtuar ta shesë Milos Krasicin te Juventusi. Ai do të shkojë në Torino në ditët në vijim për të nënshkruar kontratën. Ne gjithnjë do ta kujtojmë Milosin dhe i dëshirojmë çdo të mirë te klubi i ri”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi rus në faqen zyrtare.
Detajet e kontratës nuk janë bërë të ditura, por sipas spekulimeve, Bianconerët shpenzuan 15 milionë euro për lojtarin, i cili do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare në ditët në vijim.
I përgjakuri Yannis Bouroussis Turneu i basketbollit “Akropolis” ka përfunduar me një përleshje në ndeshjen e fundit mes Serbisë dhe Greqisë, e cila është ndërprerë në minutat përfundimtare për shkak të rrahjes mes lojtarëve.
Kaosi ndezi hiç më pak se 5000 mijë spektatorët e mbledhur në Arenën Olimpike të Athinës, përderisa lojtarët shpërndanin grushte dhe goditje. Fluturon, fluturon...jo topi, po karrika... Greqia ishte duke avansuar 74-73 ndaj fqinjit tonë verior, por në momentin kur Antonios Fotsis ndërhyri ashpër në Milos Teodosicin, shpërtheu gjithçka. Nenad Krstic e kapi për fyti Fotsisin, ndërsa ishte po Krstic që më pas e hodhi një karrikë në drejtim të qendrës Sofoklis Schortsianitis, i cili tentoi ta godiste serbin.Hop një, hop dy, hop edhe tre...grushte gratis në parket! Karrika e hedhur e goditi qendrën tjetër Yannis Bouroussis në kokë, ndërsa gjaku filloi t’i rrjedhte nga vendi ku është goditur. Më pas të dyja ekipet shpërndanë edhe ca grushte njëra me tjetrën në tunel, para se të ndaheshin dhe të shuhej gjithçka.Ec në shtëpi...
Sigurisht, ky skandal përbën një nga turpet më të mëdha në historinë sportive dhe politike të të dyja vendeve, të cilat njihen për miqësinë që kanë dhe lidhjen religjioze mes tyre.
Që të dyja, edhe Serbia edhe Greqia janë kualifikuar për Botërorin e Basketbollit, Turqia 2010, i cili fillon më 28 gusht.
Amauri ka shënuar në kohën shtesë për të ndihmuar Juventusin të dalë me një avantazh të kënaqshëm nga ndeshja e parë kualfikuese e Europa League, pasi shënoi fitore 2-1 në udhëtim te austrakët e Sturm Grazz.
Juventusi tregoi një ndeshje premtuese, me Diegon që krijoi një varg rastesh, dhe me Amaurin që shpesh kërcënoi portën e ekipit vendas.
Biankonerët kaluan në avantazh pas 15 minutash lojë me anë të golit të Leonardo Bonucci, pas një harkimi të Diegos. Por austriakët arritën të barazojnë me anë të Gordon Schildenfeld dhjetë minuta para fundit të ndeshjes.
Por, kur u mendua se ndeshja nuk do të kishte fitues, Amauri shënoi me kokë për t’i dhënë fitoren Juventusit në kohën shtesë.
Juve do të ketë jo vetëm epërsinë e fitores, por edhe atë të dy golave të shënuar në fushë mysafire për ndeshjen e kthimit, që zhvillohet javën e ardhshme në Olimpico të Torinos.
Mario Balotelli është inkuadruar në ndeshje nga stoli për të shënuar golin e fitores në debutimin e tij si lojtar i Mancheter Cityt, që mposhti ekipin Timisoara me rezultat minimal 1-0.
Roberto Mancini bëri tre ndryshime pasi ekipi i tij dështoi të tregojë shkëlqim në barazimin e vikendit ndaj Tottenhamit, duke nxjerrë në 11-shen startuese Adebayor, Pablo Zabaleta, dhe Joleon Lescott.
Anglezët patën posedimin dhe kontrollin e ndeshjes, por nuk arritën të shënojnë gjatë pjesës së parë të takimit. Megjithatë inkuadrimi i Balotellit në minutën e 57-të të ndeshjes, i cili zëvendësoi Gareth Barryn, i dha dimenzione tjera sulmit të Cityt
Pasi dështoi pesë minuta më herët (67’), në minutën e 72-të të ndeshjes 20-vjeçari italian shndërroi në gol një harkim të ulët të Emmanuel Adebayor, që doli të ishte edhe goli i fitores për Cityn.
Ndeshja e kthimit e vlefshme për kualifikim në fazën grupore të Europa League do të zhvillohet javën e ardhshme në Manchester.
Ryan Babel Joe Cole ka humbur një penalti ndërsa Ryan Babel ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes për t’i ndihmuar ekipit të tij Liverpool të shënojë fitore minimale në Anfield ndaj turqëve të Trabzonspor.
Liverpooli dominoi veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes së vlefshme për kualifikim në fazën grupore të Europa League. Redsat, në mungesë të Steven Gerrard dhe Javier Mascherano, nuk treguan dëshirë për të shënuar gjatë pjesës së parë, me Ryan Babel si sulmues të vetëm.
Menaxheri Roy Hodgson vendosi të pushojë edhe Glen Johnson dhe Martin Skrtel, ndërsa Alberto Aquilani nuk ishte as në stol. Pas disa rasteve të dështuara, Redsat kaluan në epërsi në fund të pjesës së parë, kur Cole gjeti Babel me një harkim dhe holandezi u tregua i saktë për të gjetur portën e Onur.
Pjesa e dytë filloi më vrullshëm për vendasit, të cilët me inkuadrimin e Fernando Torres krijuan më shumë raste. Shtatë minuta pas pauzës Lucas fitoi një penalti pasi u faulua nga Serkan në zonën e reptësisë, por nga pika e bardhë nuk ishte i saktë Joe Cole (52’).
Serbi Milan Jovanovic për pak sa nuk shënoi golin e dytë pas një loje të mirë me Torres, ndërsa një gol i shënuar nga debutuesi tjetër Christian Poulsen u anulua për shkak se arbitri referoi faul ndaj portierit.
Duke kërkuar golin e dytë, Hodgson nxorri në fushë edhe David N’Gog, por as inkuadrimi i tij nuk solli ndonjë ndryshim rezultati.
Ndeshja e kthimit zhvillohet të enjten e ardhshme në stadiumin Huseyin Avni Aker në Trabzon.
Arsenali është refuzuar edhe për të dytën herë në tentimin për të marrë shërbimet e portierit Mark Schwarzer.
Fulhami po reziston fuqishëm, derisa Topçinjtë kanë dështuar edhe një herë me ofertën e tyre të përmirësuar.
Raportet thonë se Arsenali ka qenë i sigurt se do të mund të kompletojë transferimin e 37-vjeçarit australian, veçanërisht pasi vetë lojtari kërkoi largimin, por duket se klubi tjetër londinez dëshiron ta mbajë atë ose të fitojë një shumë më të madhe për të.
Me këtë dështim, Arsene Wenger mund të rikthehet kah portieri i Manchester Cityt, Shay Given, i cili ka shprehur interesim të largohet nga Eastlands.
Mediat braziliane bëjnë të ditur se Ronaldinho ka marrëveshje me Palmeiras dhe transferimi i tij në Brazil është në prag të kompletimit.
Kjo nuk është hera e parë që Ronaldinho lidhet me një rikthim në Brazil këtë verë, pasi lojtari më herët ishte lidhur me një kalim në Flamengo dhe Sao Paolo.
Sipas Sport TV, Roberto de Asis, vëllai dhe agjenti i Ronaldinhos, dhe drejtori sportiv i Palmeiras, Gilberto Kipulo.
Kanali televiziv brazilian thotë se Milani ka dhënë dritë të gjelbër për negociatat mes dy palëve dhe lëvizja do të realizohet shumë shpejt.